Nga Tanush Mulleti
Pjesa e parë
Refleksione: “Si e pashë, e dëgjova dhe e preka 2 prillin ’91 e, si e dëgjoj sot”!
2 Prilli i 1991, ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe e pranuar edhe sot nga të gjithë krahët e politikës, si një krim monstruoz e makabër, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën mbi 97 vetë, disa prej të cilëve mbetën invalidë për të gjithë jetën, të gjithë të rinj e të reja (siç thotë Umberto Eço: “E vërteta dhe vetëm e vërteta do të na shpëtoi”). Shkaku për të shkruar këto refleksione është se, po dëgjojmë dhe lexojmë të deformuar me dashje ose pa dashje, historinë e ngjarjes së 2 prillit 1991. Për këto shënime, nuk më shtynë as urrejtja, as hakmarrja, as ambicia, as interesi, por vetëm ndërgjegjja për të thënë të vërtetën, publikisht, ashtu siç ka ndodhur.
Si filloi ngjarja…?!
Më 31 mars 1991, ishin zgjedhjet e para pluraliste mbas vitit 1945, që u lejuan dhe u pranuan të bëhen nga Partia e Punës (ish Partia Komuniste). Nën presionin e ‘Lëvizjes Antikomuniste të 14 Janarit 1991’, të zhvilluar në Shkodër, heqja e bustit të Stalinit, ‘Protestat e Kavajës’, ‘Lëvizja Studentore’ dhe pranimi i pluralizmit partiak, më vonë kemi ‘13 Dhjetorin 1990’, heqja e bustit të Enver Hoxhës në Shkodër, etj. Me gjithë kohën e shkurtër për përgatitjen e zgjedhjeve, në Shkodër ishte forcuar mendimi se, humbja e komunizmit ishte e padiskutueshme.
Mëngjesi i 1 prillit ’91, më gjeti me Besnik Komin, bashkanëtar në Komisionin e Votimeve në rrethin e Shkodrës, ku u informuam se, rezultati ishte, humbja e plotë e Partisë së Punës, e cila kishte fituar vetëm me 3 deputetë, kurse Partia Demokratike, plot 16 deputetë. Ky rezultat, edhe për faktin, se rrethi i Shkodrës, për arsye dhe rrethana që tashmë janë të njohura, ishte absolutisht i djathtë. Rastësisht, dëgjuam se, korrespondenti i RAI-t nga Tirana, në 7 të mëngjesit, informoi se, Partia e Punës, ka fituar 62 % të votave. Për opinionin masiv të Shkodrës, kjo ishte e pabesueshme!
Rezultatin e zgjedhjeve, RAI, e përsëriti disa herë në lajmet e tij. Kjo bëri, që, një pjesë e popullit, u grumbulluan para selisë së degës së Partisë Demokratike të Shkodrës, te ish-Muzeu Ateist dhe aty kërkuan informacion të saktë. Në këtë kohë, në katin e dytë të asaj godine, doli një aktivist i PD-së, Eduart Përjaku, por njerëzit kërkuan me insistim, që të dilnin drejtuesit e PD-së. Mbas pak kohësh pritje, erdhi sekretari i degës së PD-së, Xhemal Uruçi, por edhe këtë njeri, nuk e pranuan. Pas një ore, në një nga dritaret të katit të dytë, doli Azem Hajdari, i cili kishte dalë deputet fitues në Shkodër dhe natën e zgjedhjeve, kishte fjetur në Shkodër. Azemi filloi të tregojë se, Partia Demokratike e Shqipërisë, kishte fituar në qytetet në mbarë vendin dhe rezultati është pranuar.
Publiku filloi të dyshojë, duke thënë: “Kur i numëruan kaq shpejt këta”, kur dihet infrastruktura e prapambetur e asaj kohe. Atëherë, filloi përplasja e njerëzve në bisedë e debatet, duke ju kundërvënë, Azem Hajdarit: “A e di çdo të thotë fitore e komunistëve?! Do të fillojnë me arrestu, siç kanë arrestu më 14 Janar ’90-të, në demonstratën për heqjen e bustit të Stalinit) dhe 13 Dhjetor ’90-të, për heqjen e bustit të Enver Hoxhës para Komitetit Ekzekutiv, ku nuk kishte asnjë punonjës në zyrë, rreth orës 14:00-15:00 ”.
Në këto debate me Azem Hajdarin, i cili fliste nga kati i dytë, pa mikrofon, njerëzit nuk u bindën dhe me dyshim u larguan të pakënaqur. Pesëdhjetë metra më larg këtij vendi, ku kishte qenë busti i Stalinit, ndodhej Dedë Kasneci, i cili kishte dalë pak ditë para nga burgu, një ndër protagonistët kryesor për heqjen e bustit të Stalinit, i dënuar me dymbëdhjetë vite burg.
Atëherë turma që ishte aty, filluan thirrjet kundër komunizmit duke rrethuar Dedën e duke e hedhur përpjetë e brohoritur “Rroftë Deda”! “Poshtë Komunizmi”, “Enver Hitler”! “Liri Demokraci”, etj. Turma u shtua dhe po shumëfishohej, duke u drejtuar drejt godinës së Komitetit të Partisë së rrethit. Nga ora 11.00 e paradites, deri në orën 23.00, të darkës vonë, populli që kishte dalë në shesh, nuk lëvizte prej aty, duke ndenjur ulur, në gjithë ditën e datës 1 Prill.
Në orën 23.00 të darkës vonë, bashkë me bashkëshorten time, Safetin, kam qenë tek dera e sallës së leksioneve të Komitetit të Partisë, ku Eduard Përjaku, i degës së PD-së si dhe Shefi i Policisë së Degës së Brendshme, na bënë thirrje, që ta mbyllim protestën dhe të vijmë nesër. Pas kësaj thirrje, njerëzit u shpërndanë. 2 Prilli më gjeti në punë. Sa filluam punë, rreth orës 8:00, u dëgjuan bataret e armëve. Atëherë ne lamë punën, e nxituam gjithsecili me vrap, me shku pranë fëmijëve nëpër shkolla.
E vërteta ishte se, nxënësit e gjimnazit “Jordan Misja”, u kishin bërë thirrje gjimnazistëve të “29 Nëntorit”, (sot “28 Nëntori”) të dilnin në protestë. Nga informacionet që kishim, thuhej se, Policia kishte marrë urdhër, të sulmonte që në fillim, të gjitha grumbullimet e mundshme. Kështu, sapo u grumbulluan protestuesit, Policia ndërhyri dhe iu përgjigj me shkopinj gome, e më vonë me armë.
Kjo gjë shënoi dhe fillimin e përplasjes mes popullit të revoltuar dhe forcave të policisë. U vranë katër vetë dhe u plagosën disa të tjerë. Policia mori përforcime dhe e zmbrapsi turmën, dy-tre herë. Kjo gjë u duk disi e papritur, pasi një ditë më përpara, Policia ishte sjellë në mënyrë paqësore me protestuesit dhe nuk ka patur asnjë incident me forcat e policisë!
Gjatë kësaj kohe, qarkulloi lajmi se; ra Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë në Tiranë, kanë arrestuar Ramiz Alinë, Xhelil Gjoni u vu në krye të Partisë së Punës. Policia solli një automjet të blinduar (Diagaç) me municione, i cili u prish në rrugë, para “Kafe Rinia” në lagjen Parrucë. Disa arka me fishekë u shpërndanë në asfalt. Meqenëse Xhelil Gjoni, ishte i klanit të Hysni Kapos, populli sulmoi dhe nuk e pranoi. Një pjesë e popullit, kuptohet që paska patur besim tek Ramiz Alia.
Tek libri “Kujtime, Saga e Traboinëve”, Kolec Traboini, faqe 294 ka shkruara: “Unë shkova të bisedoj me shefin e Policisë te Komiteti i Partisë dhe i thashë: Çfarë bën? Ka rënë Komiteti Qendror dhe ti do të vritesh kot”?! Atëherë populli hyri në Komitet të Partisë. Policia braktisi objektin me urdhër dhe u shpërnda, pasi municioni kishte mbaruar. (Biseda me Kryetarin e Degës së Brendshme, Çapajev Taçi me Gjek Çela, faqe 87).
U dogj godina e Komitetit të Partisë. Pas Komitetit të Partisë, populli iu drejtua Bibliotekës së qytetit, e cila kishte libra me vlera dhe intelektualët shkodranë, i bënë thirrje popullit, duke i thënë se, biblioteka nuk mund të digjej se ka vlera historike. Atëherë, Drejtori i Bibliotekës, Skënder Beci, i ndaloi njerëzit edhe tha: “I qes unë librat e Enver Hoxhës”. Nxori dy a tre karroca, me veprat e Enver Hoxhës dhe gjendja u qetësua. Atëherë, populli mbarë, shkoi drejt godinës së Radio-Shkodrës.
Rrugës, kam parë nja dy karroca romësh, që kishin vjedhur orenditë e Komitetit të Partisë, si; kolltuqe të vjetër, perde, etj. Populli i ndali në Parrucë, i ktheu mbrapa, dhe këto u hodhën në zjarrin që ishte ndezur tek Komiteti i Partisë dhe u dogjën aty.
Më datën 2 prill, gjatë kësaj kohe, duke shkuar drejt Radio Shkodrës, (aty ku sot është monumenti i 2 Prillit), takuam Kryetarin e Sindikatës së Shkodrës, Ferdinand Temali, një djalë trim, kurajoz edhe inteligjent. Ai na kërkoi që, të shkojmë, të flasim përpara Radio Shkodrës, në emër të Sindikatës që, duhet të ruhet Radio-Shkodra.
Kështu, bashkë me Besnik Komin, shkuam tek godina e Radio Shkodrës, ku populli ishte grumbulluar para saj. Protesta vazhdonte me thirrje kundër komunizmit. Tek dera, ishte një polic i dobët, prag të pensionit, i cili po ruante kot derën nga brenda se, s’kishte çfarë të bënte. Aty pashë Paç Bilalin, me një flamur pa yll e me qeleshe në kokë, që e valëvitte në ajër sa mundte.
Fola para protestuesve, në emër të Bashkimit të Sindikatave të Shkodrës dhe nuk lejuam njeri të dëmtonte Radio-Shkodrën.
Aty ishin dhe nja 7-8 ushtarë që, i kishin veshur me rrobe doku blu, si ato të policisë. Ato të shkretët, 19 vjeçar, po dridheshin nga frika dhe ne i morëm në mbrojtje. Pas kësaj, morëm takim me drejtorin e Radio Shkodrës, Gëzim Podgoricën dhe biseduam tek tryeza e kryeredaktorit, duke insistuar që të nxirrnim një mikrofon dhe t’i flasim popullit. Për këtë, na ndihmoi një teknik, Gajtani e kishte mbiemrin.
Pasi lidhëm disa copa telash, nxorëm mikrofonin stativ tek ballkoni (konsola e hyrjes në radio) dhe filluam t’i flisnim popullit që ishte grumbulluar para godinës së Radio-Shkodrës. Gjatë kësaj kohe, njerëzit donin të shkonin tek Dega e Punëve të Brendshme, për të liruar të burgosurit politik, shumica e të cilëve, ishin të arrestuar për ngjarjet e kaluara, si protestat e 14 Janarit ’90-të dhe 13 dhjetori ’90-të. Nuk dëgjoheshin armë më.
Mbas orës 23.00, u dëgjua një krismë arme. Unë kërkova, të bisedoj me Kryetarin e Degës, në telefon. Një punonjës operativ, i veshur civil, më afroi një radio-marrëse dore dhe bisedova direkt me të. E këshillova, duke i thënë shprehimisht: “Jam Tanush Mulleti, përfaqësues i Sindikatave të Pavarura. Duhet të kesh shume kujdes se, gjakrat janë nxehur dhe po të vij populli tek Dega e Brendshme, do të shkojnë punët shumë keq”!
Ai m’u përgjigj: “Është një pensionit, një veteran i vjetër që ka gjuajt me armë dhe u mbyll ajo punë”. Pas kësaj, kemi folur me personalisht me nën kryeministrin e asaj kohe, Shkëlqim Cani, të cilit i shpjegova situatën dhe i kërkova që të jenë shumë të kujdesshëm se, gjakrat ishin nxehur dhe mund të kishte pasoja tragjike edhe më vonë, e nuk duhet të bëhej asnjë arrestim. Ai më premtoi se, nuk do të përsëritet më “13 Dhjetori”, “14 Janari”, etj., kur ishin bërë arrestime në darkë.
Gjatë kësaj kohe, kur ne po flisnim me popullin, rreth orës 12.00, erdhi nga Tirana urgjent, Azem Hajdari së bashku me Blerim Çelën, të cilët kishin dalë deputet të Shkodrës. Biseduam me to dhe i thamë që; duhet t’i flisnin popullit, se si do ruhej Shkodra në darkë që, mos të ketë vjedhje e shkatërrime në qytet e rrethina.
Po kështu, Besnik Komi, u thotë: “A i dilni zot popullit të Shkodrës se, tani jeni deputetë”. Azemi iu përgjigj: “Ne e duam pushtetin me votë”. Blerimi tha: “Këtu, nuk ka as tre ditë bukë”! Atëherë ne u thamë: “I flisni popullit”. Azemi doli tek ballkoni i Radio-Shkodrës, nëpërmjet një dritareje, për t’i folur popullit, tek mikrofoni statik. Gjatë fjalimit, kishte moskuptim me popullin, mbi mundësinë e arrestimit të protestuesve, mbi lirimin e të burgosurve politik në Degën e Brendshme dhe shkatërrimet që mund të ndodhnin në mbrëmje në qytet.
Azemi, mbeti keq. Kur hyri brenda, tek zyra e kryeredaktorit, i ra të si të fikët. Besniku, mori një broke ujë, ia lagu fytyrën dhe Azemi erdhi në vete e tha: “U bë e dyta herë që, nuk po merrem vesh me shkodranët”! Ferit Lluja, i tha: “Mor Azem, komunistët janë të pabesë. Me 14 janar kanë arrestuar rreth 300-400 vetë, me 13 dhjetor kanë arrestuar mbi 100 vetë”.
Ndërkaq, në këtë situatë, Besnik Komi, shprehet: “Ne nuk kemi më çfarë të bëjmë këtu! Këta janë deputetë edhe t’i dalin për zot popullit”! Bashkë me Besnikun edhe Ferit Llujën, u larguam nga Radio-Shkodra. Besniku mori me vete edhe shtatë a tetë ushtarë, që po dridheshin prej frike dhe i tha të hiqnin kapelet, xhaketat e rripat dhe i shoqëroi deri tek rrugica e “Kafes së Madhe”, tek Kulla e Kapidan Gjon Markagjonit. “Tani – u tha- shkoni në Degë të Brendshme! Shkoni në repartin tuaj”! Edhe ne ikëm.
Në edicionin informativ të drekës, në Radio-Shkodra, u fol për lajmet me të rejat e asaj dite. Lajmet janë dëgjuar vetëm në qytetin e Shkodrës, për arsye se, Drejtori i Radios, Gëzim Podgorica, kishte ulur fuqinë e valëve të antenës nga 24 Kë, në 1 Kë. (Libri me kujtime i Shaqir Vukaj, faqe 83). Me këtë rast, drejtori, paska shkelur ligjin e informimit publik. Kishte filluar pluralizmi politik.
Pasdite, rreth orës 15:00, të datës 2 prill, në qytetin e Shkodrës, erdhën efektivët e Forcave Speciale nga Tirana, të cilët, menjëherë rrethuan vendin dhe morën në kontroll, godinën e Komitetit të Partisë, që tashmë ishte i djegur. Sipas një burimi të besueshëm, një instruktor në Komitetin e Partisë (K.), ka thënë se; ato kishin ardhur me qëllimin se, në bodrumet e Komitetit të Partisë, një vend shumë i sigurt si rifuxho, ka më shume se 200 armë, të vendosura aty për kohë lufte. Forcat Speciale, i kanë marrë armët dhe i kanë larguar nga aty dhe si rezultat, populli nuk i ka gjetur këto armë në atë kohë.
Ngjarjet e datës 3 Prill
Më 3 prill, u organizua në mënyrë madhështore, ceremonia e varrimit të tre të vrarëve: Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka. Arkivolet me trupat e tyre, u përcollën nga gjithë populli i Shkodrës, duke i shoqëruar në këmbë, nga qyteti i Shkodrës, deri në varreza, ku mbajtën fjalimet e rastit, Pjetër Arbnori dhe me lutjet fetare, Hafiz Sabri Koçi. Me iniciativën e Sindikatave të Pavarura, u shpall grevë dhe në orën 20.00, të datës 3 prill, u fikën gjithë dritat e qytetit, për 5 minuta, në shenjë respekti dhe nderimi, për të vrarët dhe të plagosurit e 2 Prillit.
Më 4 prill, kryesia e Sindikatës së rrethit të Shkodrës, vendosi krijimin e dy grupeve: a) Ferdinand Temali, kryetar i Sindikatës Shkodër, Tanush Mulleti, Besnik Komi edhe Myfit Tukiçi, do të merrnin takim me, kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Tereza Marubi. b) Grupi i dytë, i përbërë nga Arben Borshi, sekretar i Sindikatës, së bashku me Frederik Radovanin, shkuan në Korpusin Ushtarak, për të falënderuar Komandantin e Korpusit, që nuk dha urdhër për të nxjerrë tanket kundër protestuesve. Në pritje me Tereza Marubin, ishin edhe nënkryetarët; Esma Ulqinaku edhe Lutfi Troshani, gjithashtu gjetëm edhe grupin e të Drejtave të Njeriut, me kryetar, Cin Jubani, N. Grezda edhe të tjerë.
Kryetari i degës së Sindikatës së Shkodrës, Ferdinand Temali, paraqiti situatën aktuale edhe i kërkoi kryetares, Marubi, të prononcohen në Radio-Shkodra e në shtyp, për atë masakër që ishte bërë një ditë më parë, ku u vranë dhe u plagosën qytetarë shkodranë, të gjithë të rinj e të reja. Marubi u përgjigj: “Nuk mund të komandoj Degën e Brendshme dhe Policinë, nuk na dëgjojnë”. Unë iu drejtova: “Do të ishte mirë, që në këtë situatë, të dilni edhe të prononcoheni e të jepni dorëheqjen”.
Grupi i të Drejtave të Njeriut, me në krye Cin Jubanin, kundërshtoi dorëheqjen e Tereza Marubit. “Duam apo nuk duam ne, kjo ngjarje tejet e rëndë, ka ndodhur, kur kryetare, ka qenë Tereza Marubi”, u përgjigja unë. “Emri i Marubëve po keqpërdoret nga Partia e Punës”. U ngrit nënkryetarja, Esma Ulqinaku dhe tha: “Edhe ne i kemi fikur dritat mbrëmë, 5 minuta, në orën 20.00”. Besniku i tha: “Shumë mirë keni bërë! Por përse nuk keni marrë pjesën në ceremoninë e varrimit?! Keni patur frikë nga populli i Shkodrës, apo nga Partia? Nuk do të kishte qytetar shkodran të ju prekte me dorë e, të ju fyente”.
Tukiçi u tregoi të pranishmëve se, ishte vrarë pabesisht edhe Nazmi Kryeziu, i cili kishte qenë bashkë me të. Mbas kësaj situate edhe këtyre bisedave, kryetari Temali, propozoi të mbyllnim bashkëbisedimin dhe u larguam, duke lënë grupin e të Drejtave të Njeriut, të vazhdonte bisedat me kryetaren. Nga mbledhja e këshillit të Sindikatës, u deklarua se; Sindikata do të ndjekë zbardhjen e krimit dhe dënimin e autorëve, pasi tre të vrarë, ishin anëtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura.
Propaganda e Partisë së Punës, Radio-Televizioni, gazetat edhe në Parlament, tregonin variantin, ku thuhej: “Është djegur godina e Komitetit të Partisë dhe janë vrarë protestuesit”.
Ndërsa e vërteta, ishte krejt ndryshe. Ishin vrarë protestuesit fillimisht dhe më vonë, si kundërpërgjigje, nga turma e popullit të irrituar, është djegur godina e Komitetit të Partisë. Ky variant, u pranua më vonë, edhe nga Parlamenti Shqiptar me shumicën e majtë, të Partisë Socialiste. Me hapjen e punimeve të Parlamentit të ri pluralist, u kërkua një minutë heshtje, për vrasjet e 2 Prillit në Shkodër. Grupi i Partisë së Punës, nuk u çua në këmbë. Insistimi ynë, e detyroi Qeverinë e Partisë së Punës, të fillojë bisedat me Sindikatën e Pavarur në Shkodër.
Në selinë e saj, erdhi zëvendësministri I Punëve të Brendshme, Aredin Shyti, i shoqëruar nga nënkryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, Naim Reçi (sipas Aredin Shytit, Çapajev Taçi dhe Dilaver Papare, ishin izoluar). Në atë takim, Ferdinand Temali, në cilësinë e kryetarit të Sindikatës, u bëri një ekspoze ngjarjeve të 1 dhe 2 prillit, ku sindikalistët dhe anëtarët e kryesisë, morën pjesë në diskutim, duke u ndalur në fenomenin, se; më 1 prill, Policia ishte paqësore, kurse më 2 prill, u përdor që në fillim dhuna, shkopinjtë e gomës edhe armët.
Ndër të tjera, unë personalisht, thashë: “Ju sot keni vrarë veten me duart tuaja”! “Përse?!- tha, Aredin Shyti. “Bataret e armëve që, keni përdorur për të trembur protestuesit, na bënë, që ne, të lëmë punën dhe të shkojmë në shesh. Edhe varianti juaj, që, atë ngjarje e ka nxitur e inskenuar Partia Demokratike, me Azem Hajdarin në krye, nuk qëndron.
Azem Hajdari me Blerim Çelën, erdhën pas orës 12.00, nuk kanë fjetur në Shkodër atë nate. Edhe një natë më përpara, më datë 1 Prill, Azem Hajdari, ka ikur rreth orës 11.30 – 12.00. Po të ishte organizuar ajo gjë nga Partia Demokratike, Këshilli i Sindikatës do të ishte i gjithi në shesh”.
Edhe pas insistimit tonë, ata nuk na treguan se kush e ka dhënë informacionin e manipuluar, për ngjarjet e Shkodrës në Radio-Televizion (Muaj më vonë edhe gjatë hetuesisë, është vërtetuar se; deklaratën, informacionin, e ka dhënë kryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, Çapajev Taçi, së bashku me kupolën e Policisë, për më mbuluar gjurmët. A. Shyti faqe 150-151).
Afërsisht mbas dy javësh, një grup sindikalist, i përbërë nga: Arben Borshi, Sekretar, unë (Tanush Mulleti) dhe Skënder Strica, morëm një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar, Fatmir Kumbaro, të cilit, i kërkuam burimin e informacionit për ngjarjet e 2 Prillit. As aty nuk doli burimi i informacionit. Vazhdonte mashtrimi!
Në prill të vitit 1991, një grup i madh, përfaqësues të institucioneve shqiptare, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, profesor Aleks Luarasi (hetues, prokurorë, ministra, deputetë e të tjerë) u mblodhën në sallën e madhe të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, ku u zhvillua një ballafaqim, ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, qytetarëve shkodranë, Partisë Demokratike dhe Sindikalistëve.
Grupin e PD-së, e drejtonte doktor Ali Spahia, grupin e Sindikatave, e drejtonte Ferdinand Temali, ku ishin edhe forca të tjera politike, bashkë me grupin e të Drejtave të Njeriut.
Profesor Aleks Luarasi, në krye të tavolinës, paraqiti ngjarjet e 2 Prillit, sipas variantit qeveritar. “Është djegur Komiteti i Partisë, më vonë janë vrarë e plagosur protestuesit”. Ai, u tregonte shkodranëve, se çfarë ka ndodhur në Shkodër. Në këtë situatë, me shumë takt e finesë, ndërhyn doktor Ali Spahia e, thotë: “Zoti, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, kjo tregon se ju, nuk keni informacion të saktë”.
Ndërkaq, Prof. Luarasi, vazhdonte me avazin e variantit të Qeverisë. Doktor Ali Spahia, ndërhyri përsëri: “Zoti, Sekretar i Përgjithshëm, nuk je i saktë”! Luarasi përsëri, vazhdonte me të tijën. Ali Spahia, i tha: “Nuk është e vërtetë”! Luarasi përsëri vazhdonte në modelin e tij. Ali Spahia, u shpreh: “Kjo është një gënjeshtër e madhe, e krijuar në zyrat e errëta e institucioneve komuniste”. Luarasi vazhdonte prapë. Doktor Spahia i tha: “Zoti Sekretar i Përgjithshëm, është e turpshme për ju, si profesor, të paraqisni këtë manipulim monstruoz edhe kriminal, që ka ndodhur në Shkodër, ditën për diell, pasi, e gjithë Shkodra, e din të vërtetën. Nuk mbulohet dielli me shoshë”.
Ndërkaq, nga salla u dëgjua një zë: “Këta me rrena e kanë nisur tash 45 vjet, me rrena po e përfundojnë”. Ky ishte Fritz Radovani. “Nuk kemi çfarë të dëgjojmë! Pallavra”?!, -kështu tha dhe Ferdinand Temali. Dolëm përjashta, lamë mbledhjen e ikëm. Nuk kishim më se çfarë të bisedonim. E përfunduam detyrimin karshi Qeverisë. Kishte mbetur vetëm presidenti, Ramiz Alia. Një ditë prej ditësh, shkuam takuam presidentin Alia në Tiranë. Sindikata e Shkodrës, u kryesua nga Ferdinand Temali, (ishte edhe Eqerem Kavaja, nënkryetar i Sindikatave të Shqipërisë), anëtarë të Këshillit Presidencial si: Kiço Blushi, Rexhep Mejdani, Lufter Xhuveli, të cilët, i propozuan grupit të sindikatës: “Ndihmoni Presidentin, se e keni edhe shkodran”!
Ferdinand Temali, iu përgjigj: “Ju dhe presidentit, i ka dekë ora bashkë me Partinë Komuniste”. Ramiz Alia ndër të tjera tha: “Hetuesia edhe Prokuroria, pretendojnë që, nuk është bërë ekspertiza. E merrni ju përsipër zhvarrimin e tyre?! Ne do të mundohemi ta realizojmë këtë kërkesë”, I’u përgjigjëm ne. Ndërkaq, Ramiz Alia, i pranoi rrjedhën e ngjarjeve sipas variantit tonë, se kështu i kishte thënë edhe një kushëri i afërt i tij, që, e kishte parë (në majë të gishtave).
(Dy vite më vonë, në bisedë më Ramiz Alinë, ai më tregoi se, kushëriri i tij, ishte H.C.) Sipas Aredin Shyti, faqe 150-151, Ramiz Alia, e dinte të vërtetën e ngjarjeve se, pasi në informacionin e Degës së Punëve të Brendshme, ishte ndryshuar radha e episodit të ngjarjes. Ai informacion, ishte pasqyruar fjalë për fjalë, në komunikatën e Ministrisë Brendshme, i shpjegova se, renditja e gabuar, ka ardhur nga pakujdesia…”! “E po mbaje me shëndet”, tha Ramiz Alia. Gjatë diskutimeve në zyrën e Aleks Luarasit, gjeta kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame, Prokurorin e Përgjithshëm, Rrapi Mino, etj. Qemali lexoi deklaratën. Ndër të tjera, thoshte se; zvarritje e hetimeve, ishte faji i Policisë.
Presidenti Alia, u shpreh: “Ju (të Sindikatës), duhet të denonconi në Prokurori, që të hapet proçesi”. Mbas disa ditësh, grupi i ekspertëve, i përbërë nga profesor Meksi, doktor Çiço, doktor Troshani, Beci, e të tjerë, si dhe ekspertët e Qendrës së Kriminalistikës pranë Ministrisë së Brendshme, krye-hetues, kryeprokuror të rrethit dhe të shtetit, filluan procesin e zhvarrimit të trupave të vrarë.
Për t’u bërë të besueshëm, kishin futur edhe dy përfaqësues të Partisë Demokratike, Fatmir Bërdica, ndërsa, përfaqësues i Sindikatave të Pavarura, isha unë. Mbas zhvarrimit, Bujar Bishanakut, iu gjet plumbi në aortë. Plumbi ishte, sa një thua gishti. Atë plumb unë e kam mbajtur në dorë. Kameramanit të Ministrisë së Brendshme, një burrë ezmer dhe i shëndoshë, i ra të fikët. Nuk u filmua më. Mbaroi xhirimi me kamera. Disa fotografi, i kam bërë unë më pas, kur ka ardhur dikush tjetër, për të fotografuar, nga Kriminalistika.
Nga Tanush Mulleti
Pjesa e dytë
Refleksione: “Si e pashë, e dëgjova dhe e preka 2 prillin ’91 e, si e dëgjoj sot”!
Memorie.al / 2 Prilli i 1991, ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe e pranuar edhe sot nga të gjithë krahët e politikës, si një krim monstruoz e makabër, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën mbi 97 vetë, disa prej të cilëve mbetën invalidë të gjithë jetën, të gjithë të rinj e të reja (siç thotë Umberto Eço: “E vërteta dhe vetëm e vërteta do të na shpëtoi”). Shkaku për të shkruar këto refleksione është se, po dëgjojmë dhe lexojmë të deformuar me dashje ose pa dashje, historinë e ngjarjes së 2 prillit 1991. Për këto shënime, nuk më shtynë as urrejtja, as hakmarrja, as ambicia, as interesi, por vetëm ndërgjegjja për të thënë të vërtetën, publikisht, ashtu siç ka ndodhur.
U hap edhe varri i Besnik Cekës!
Në shpinë, ai kishte hyrjen e plumbave, 13 deri 14 centimetër, porsi drejtkëndësh. Nuk iu gjetën plumbat, edhe kërkim me metal-kërkues! Kjo gjë u fol, sipas motrës së tij, (e cila ishte doktoreshë), që, kanë dalë plumbat, bashkë me gjakun nga hemorragjia. Me gjetjen e plumbit, krye-hetuesi Qemal Lame, tha: “Tani gjendet edhe arma që është përdorur”! Unë bëra pyetjen: “Si e gjeni, Ju”?! Ai tha: “Ky është ose plumb pistolete ‘TT’, ose automatik kinez. Nga inventari që është bërë, kanë humbur 4-5 armë automatike, model tjetër”. Bëmë një proçes-verbal, me gati 16 faqe edhe nuk na mbeti gjë tjetër veçse, denoncimi në Prokurori. Lajmëruam nëpërmjet Radio- Shkodrës, të vijnë dëshmitarë okularë, që, kanë dijeni apo kanë parë vrasjet.
Në zyrat e Hetuesisë, Shkodër, kur firmosëm proces-verbalin kam lexuar relacionet e para për ngjarjen. Ndër të tjera, aty thuhej: “Një pjesë e efektivit, humbi kontrollin dhe qëlloi mbi turmë”. Efektivat që u përdorën për shpërndarjen me forcë të demonstruesve ishin shumë heterogjen, përbërë nga Grupet e Ndërhyrjes së Shpejtë, policë dhe ushtarë të Repartit 732, pa eksperiencë. Në një vend tjetër në Raportin e datës 08.04.1991 shkruhej: “Një efektiv hapi zjarr në ajër pa urdhër, por pastaj u humb orientimi nga mungesa e veprimeve kompakte, duke sjellë viktima dhe të plagosur. Nuk u përdorën lëndë kimike pasi atë ditë mungonte shefi i Kimisë dhe një bërthamë e stërvitur për këtë qëllim”.
Pas ngjarjes, u fol për arratisjen e 5 policëve, L.P. nënoficer me origjinë e banim nga fshati Mnelë, P.V., nënoficer nga Boga, F.R., nënoficer nga Grizha, P.O., nënoficer nga Gruemira, N.P., nënoficer nga Klosi, të cilët kanë qenë me shërbim për ruajtjen e godinës së Komitetit të Partisë së rrethit Shkodër.
Sipas një anëtari të Komisionit të Inventarizimit, (ekonomisti A.L.), ai ka deklaruar në shtyp se, gjatë 2 Prillit, janë shpenzuar 59.000 fishekë. Kjo mund të verifikohet. U hap fjala që, do të djegin godinën e Hetuesisë, për humbjen e gjurmëve. Atëherë nisur nga kjo gjë, Sindikata e Pavarur, e ka ruajtur dy ditë e tre netë, godinën e Hetuesisë, ku në krye të atij grupi, ishin: Arben Borshi, Fritz Radovani, Ferdinant Temali, e të tjerë. Atëherë, Prokuroria dhe Hetuesia, kanë qenë afër Kullës së Inglizit, në qendër të qytetit, diku përballë Hotel Turizmit “Rozafa”.
Bashkë me Besnik Komin, morëm takim me përfaqësuesit e Prokurorisë dhe Hetuesisë. “Sipas këshillës së Presidentit, vijmë të denoncojmë masakrën”, thanë ata. Një nga përfaqësuesit e ardhur nga qendra, me mbiemrin Leka, pyetjen e parë, bëri: “Kush e ka djegur Komitetin e Partisë”?! Besniku iu përgjigj: “Protestuesit! Populli i Shkodrës”! Ai tha: “Dëmi ekonomik, është 24 milionë”. Besniku tha: “Do të bëjmë thirrje popullit të Shkodrës dhe do mbledhim 24 milionë lekë! Kështu bëhet zhdëmtimi”.
Në atë moment, ndërhyra unë e i thashë: “Ju, na gjeni tani, se kush i ka vrarë! Kemi një muaj e ca që, sillemi përqark me këto ekspertiza. Fjalë, vetëm fjalë. Deri tani, nuk kemi as edhe një gjë konkrete”. Besniku, shtoi: “Ju e filluat akuzën gabim. Duhet të na thoshit: Çfarë keni bërë deri tani, më pas të na flisnit për ndërtesën. Ju vutë ndërtesën, më me rëndësi sesa, jeta e njeriut”. Atëherë u çuam edhe dolëm jashtë. Kur dolëm, aty po na prisnin shokët e kryesisë edhe 30 vetë që, kërkonin të dëshmonin. E pamë që kjo ishte gjë pa gjë edhe e lamë. Edhe ata 30 vetët, u larguan edhe ikën.
Si konkluzion përfundimtar, ne respektuam të gjitha kërkesat ligjore të shtetit komunist. Ai nuk u përgjigj. Vetëm fjalë edhe sorollatje e sorollatje! Atëherë, nuk mbeti gjë tjetër veçse, greva! Ata nuk jepnin përsëri përgjigje! Atëherë, mbeti veçse greva e urisë. Kryetari i grevës së urisë, u caktua Muhamet Gradeci, intelektual me autoritet edhe reputacion në opinionin shkodran.
Plani mbi zhvillimin e grevës së urisë
Sekretari, Mark Bardeli dha dorëheqjen edhe hyri në grevë të urisë. Gjithashtu kryetari i sindikatës, Ferdinant Temali, hyri në grevë. Sekretar i grevës, mbeti Zefi, por edhe ai ishte i ngarkuar me punë në ndërmarrje. Pak a shumë, atë punë e mbulova unë. Një ditë përpara shpalljes së grevës, më ngarkuan të marr takim me kryesinë e Sindikatës në Tiranë.
Me një makinë “IFA” të Ndërmarrjes së Duhan-Cigareve, kam shkuar direkt edhe në Valias, me një njeri të Sindikatës së fabrikës së Tullave në Shkodër, Mit’hat Çaku. Në sallën e madhe në Valias, ishin mbledhur gazetarë e njerëz të tjerë, si edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Punës, Lufter Xhuveli, nënkryetari i Parlamentit (i PP-së), Lush Përpali, deputet i Partisë së Punës, edhe disa ministra. Edhe këtu, ushtarët e Gardës së Republikës, silleshin përqark kot. Si përfundim, greva e urisë në Valias kishte filluar.
Kur u kthyem në Shkodër, në mbrëmje, ishte një mbledhje e madhe e Sindikatave në sallën e Institutit! Unë u tregova për fillimin e grevës në Valias edhe si ndodhej situata. Të nesërmen, filloi greva e urisë në Shkodër. Çdo gjë u paralizua. Me lejen e Komisionit të Grevës, u lejuan disa shërbime policore, PTT-ja, spitalet, dyqanet e bukës edhe gjërat e domosdoshme jetike. Edhe kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Terezina Marubi, lëvizte me leje të Komisionit të Grevës. Sheshi para grevës në Piacë, ishte mbuluar nga afishet dhe parullat tona, përgatitur nga puna profesionale e Fritz Radovanit. Çdo ditë, populli, pas orës 17:00, mbushte sheshin përpara godinës ku zhvillohej greva e urisë.
Një imam i ri, hipte mbi barakë dhe bënte lutje fetare mbi mbarëvajtjen e grevës. Dua të kujtoj se, në të gjithë pishat dhe akaciet, ishin vënë të gjithë kafshët e allçisë nga Shkolla Veterinare, me emrat përkatës të anëtarëve të Byrosë Politike të PPSh-së. Ishte një situatë shumë entuziaste, pasi përditë dilnin informacione, ishte një gjë shumë e bukur. Vlen të kujtojmë, solidaritetin e qytetit të Shkodrës, në përkrahje të grevës, si edhe solidaritetin e fshatarëve të qytetit të Shkodrës. Si për shembull, me iniciativën e një grupi përfaqësues të Buzëujit, Koplik, filloi një lëvizje ku, nga gjithë fshatrat, sillnin ushqime të ndryshme, vezë, djathë, qumësht.
Me iniciativën tonë, vumë një lajmërim, ku thuhej: “Kush të ketë nevojë, t’i marrë këto ushqime falas”! Nuk vinin, t’i merrnin! I çuam tek Azili i Pleqve edhe tek Shtëpia e Fëmijës. Kujtoj një rast flagrant, duke ndejtur në orën 12 të natës, si dezhurnë, erdhën dy policë dhe thanë: “A mund të marrim nja dy kokrra vezë se, kemi gjithë ditën pa ngrënë”?! “Merrni sa të duash”, i thashë. Ato morën nga 4 kokrra vezë, morën pak djathë e qepë dhe ikën. Pas saj erdhi një vajzë, (me opinion jo të mirë në popull), edhe ajo nuk mori më shumë se 4 kokrra vezë, djathë e qepë dhe iku.
Më pas erdhi një grua e vjetër në moshë e, mori nja 30 kokrra vezë. Më e bukra është se, të nesërmen, vajza e kësaj plakës, erdhi e tha: “Kush është përgjegjësi këtu”? e më tha: “Shiko, nëna ime, ka bërë një gabim dhe ka marrë 30 kokrra vezë. Jo mor zotni, këto vezë janë për ato që s’kanë, ne e kemi një kafshatë bukë”. Domethënë që, populli i Shkodrës, në atë varfëri që ishte, nuk pranonte vjedhjet dhe abuzimet. Edhe me të drejtë është ajo shprehja që: “Peshku qelbet nga koka”. Se kur fillon të vjedhë ai lart, do vjedhin dhe këto poshtë.
Meqenëse u bë problem puna e ushqimeve e zarzavateve, dolëm në përfundimin se, ishte më mirë të grumbullojmë qumësht. Makinat mblidhnin qumësht nëpër fshatra. Kemi shkuar deri në Breg të Lumit. Ky qumësht, grumbullohej në Fabrikë të Qumështit, nën drejtimin e Ardian Cungut, (aktualisht me banim në Kanada), që ka bërë një punë të shkëlqyer në atë kohë. Kemi grumbulluar qumësht sa, vendosëm fëmijëve nga mosha 1-3 vjeç, t’u jepnim qumësht falas për tre muaj.
Ndërmarrja e Bonifikimit në Shkodër, përveç një automjeti kamion, vuri edhe autobusin e punëtorëve në dispozicion të studentëve edhe qytetarëve që, kishin nevojë për të shkuar në spital në Tiranë, pa shpërblim. Autobuzi, nisej në orën 9 dhe kthehej pas orën 16:00. Pas kësaj, filluan të vinin ndihma nga rrethet e tjera dhe jashtë. Mbas një muaj greve, në një mbledhje të madhe të Sindikatave të Shqipërisë, rrethet kërkuan të veprohet ashtu, si të thotë Shkodra. Para këtij fakti, grupi shkodran me kryetar Muhamet Gradeci, e vazhdonte grevën, duke dhënë dhe intervista në Radio-Shkodrën dhe radiot e huaja që, vinin me korrespondentët e tyre, nga gjithë bota.
Nga ndihmat financiare që, erdhën edhe nga rrethe të tjera, me shpenzimet tona, kemi çuar në Hungari të plagosurin Çlirim Bajri, që mbeti invalid pa krah, për jetë. Të gjithë të plagosurve, u kemi dhënë shpërblim financiar modest, që u shpërndanë nga Mark Bardeli, Tanush Mulleti dhe Paulin Pepa i Uzinës së Telave. Listat përfundimtare të të vrarëve edhe të plagosurve, nga shkopinjtë e gomës, i kemi marrë nga avokati Gjoleka, që bashkëpunonte me regjisorin, Kujtim Çashku, si përfaqësues i Komisionit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Gjithsecili kishte kartelën e vetë me fotografi, me ngjyra. Në grevë, ishte edhe vëllai i dëshmorit, Arben Broci, gjimnazist 17 vjeçar, që, u përkeqësua edhe dy-tre herë e dërguam në spital, me rrezik për jetën. Bashkë me Fritz Radovanin, diku nga ora dymbëdhjetë e natës, e bindëm atë të lërë grevën, me konditë që, nëna e tij të shkonte të fliste në stadiumin “Dinamo”, në Tiranë. Kështu u bë. Ajo mbajti një fjalim shumë prekës, e shoqëruar nga Fritz Radovani, ing. Fatlum Nurja dhe kryetari i Bashkimit I Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, ing. Gëzim Shima.
Kam parë me sytë e mi, një gjimnazist as 17 vjeçar, Harris Morina, që i ka hyrë plumbi në gjoks e, i ka dalë nga mbas shpinës. (Kur e kam takuar pas 20 vjetësh, ishte bërë 1.85 cm dhe 100 kg…! Fati i njeriut). Ditën e dytë të grevës, Viktor Martini, ish-i burgosur politik, me disa adoleshentë, hoqën bustin e Leninit tek lulishtja afër Zjarrfikëseve edhe e çuan në mes të qytetit (në qendër të Piacës). Njerëzit i hidhnin kopertona biçiklete mi kokën e tij.
Një punë të madhe, kanë bërë grupi i gazetarëve të informacionit të Radio-Televizionit Shqiptar, “Zëri i Amerikës”, ‘RAI’, e disa gazeta të tjera, që patën dalë në atë kohë. Qeveria u paralizua krejtësisht. Autoriteti i Sindikatës së Shkodrës, ishte model. Qeveria, nuk mund të rezistonte më. U bënë shumë ndërhyrje që greva të mbyllej, edhe këtë punë e mori përsipër, pa na pyetur ne, kryetari i Grevës së Sindikatave, Valer Xheka. Xheka, doli në televizor dhe tha: “Kur të them unë, do të mbyllet greva”. Ferdinand Temali, shumë i saktë, i tha: “Kush je ti që mbyll grevën?! Grevën e mbyllim ne që po e bëjmë, jo ti”. Filluan përplasjet.
Sindikata e Tiranës, kishte shmangur z. Gëzim Shima (Doktorin e Shkencave. Ing. i Mineraleve Radioaktive), i cili kishte ardhur dhe kishte përshëndetur grevën, kurse këto të tjerët, nuk erdhën. Si përfundim, pas shumë debatesh, të gjitha rrethet ja lanë Shkodrës të vendoste nësë, do mbyllej apo jo greva. U mblodhëm në Kryesinë e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Në zyrat e tyre, kam parë ambasadorët, Rajerson (i SHBA-së), Torkuado Cardili (i Italisë), si dhe gazetarë të huaj, etj. Aty erdhi dhe Skënder Gjinushi, Abdi Baleta, etj.
Të gjithë pretendonin se, greva duhej të mbyllej pasi, vendi po kalonte në katastrofë. Ben Afizi, tha: “Po çfarë do i themi tash Shkodrës? Kemi bërë një muaj e sa grevë urie, e ça fituam”?! Atëherë, Muhamet Gradeci, tha: “Ne do të mbyllim grevën me dy kondita, që zgjedhjet që do bëhen në vitin 1995, duhet të afrohen dhe të bëhen në vitin ‘92 dhe qeveria të japi dorëheqjen”. Ato qenë të gatshëm për këtë variant, edhe qeveria ishte gati. Me këtë veprim, u kthyem si fitues në Shkodër.
Pas mbledhjes, bashkë me Ben Hafizi, ishim afër zyrës së kryeredaktorit të gazetës “Sindikalisti”, Kozma Vangjeli. Aty ishin mbledhur disa gazetarë të huaj, si dhe ambasadori Rajerson. Më kujtohet se, Rajerson, ishte shumë i gëzuar dhe entuziast, që u mbyll greva. U çuditëm! Aty ishte edhe Dervish Duma, gazetar i gazetës “Sindikalisti”, si dhe përkthyesi i tij Sokol Muça.
Ky i fundit, ishte përthyes i amerikanëve dhe shoqëronte gjithmonë amerikanin sindikalist, Donald Shajmer dhe Ben Hafizi e pyeti ambasadorin: “Pse je kaq i gëzuar”?! Ambasadori, na e ktheu: “Nëse s’do ishte mbyllur greva, unë nesër në Washington (bëri shenjë me dorë). Kjo bisedë u bë duke qeshur dhe ing. Fatlum Nurja, tha duke qeshur: “Kjo do të thotë se, nëse s’është i zoti të mbyllë një grevë të Sindikatës së Shqipërisë, ambasadori i shtetit më të fortë, çfarë bën në Tiranë”?! Kjo bisedë u zhvillua duke qeshur.
Si përfundim, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, e kreu detyrën e saj morale dhe ligjore, duke filluar nga poshtë lart, deri tek Presidenti i saj, për zbardhjen e të vërtetës, për vrasjet e 2 Prillit 1991, në qytetin e Shkodrës dhe dënimin autorëve të tyre. Për herë të parë në historinë botërore, një qeveri komuniste-staliniste, u dorëzua dhe u tërhoq nga drejtimi absolut i shtetit, vetëm në saj të grevës së përgjithshme paqësore, e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Kjo është edhe merita kryesore, madje vendimtare, e Bashkimit të Sindikatave. Në qoftë se, Lëvizja Studentore, solli pluralizmin politik, Greva e Përgjithshme e Sindikatave, solli votimet e lira të vitit 1992 dhe përshpejtimin e ardhjes së lirisë dhe demokracisë, drejt integrimit europian. Në rast se zgjedhjet do bëheshin në vitin ‘95, Partia e Punës, mund të prodhonte president Lukashenko, të përjetshëm.
Këshilli Sindikal, dega Shkodër, ka një meritë të veçantë, me u bë shembull në të gjithë Shqipërinë dhe në botë, nëpërmjet radiove, televizioneve, rrjeteve sociale, etj. Ky Këshill përbëhej nga:
Kryetar: Ferdinand Temali. Sekretar: Arben Borshi. Anëtarë: Muhamet Gradeci, Fritz Radovani, Lela Zorba, Marina Rraposhta, Beniamin Hafizi, Ing. Fatlum Nurja, Mark Bardeli, Besnik Komi, Paulin Pepa, Naim Davidi, Skënder Strica, Ing. Agron Sykja, Halit Haziz Rrustja, Ing. Fatmir Dragoti, Besnik Bekteshi, Xhelal Fejza, Qazim Lika, Namik Mehmeti, Dr. Ramiz Hafizi, Ing. Ndrek Radovani, Smajl Kurtmema, Dr. Nard Shira, Beniamin Ademi, Bep Laloshi, Zef Prela, Bajram Agovi, Vinçens Çefa, Tanush Mulleti, etj.
Është detyrim moral dhe historik që, Bashkia aktuale e Shkodrës, të vendosë një tabelë kujtese, ku u zhvillua Greva e Urisë e sindikalistëve që, rrëzoi Partinë Komuniste të drejtuar nga Ramiz Alia, dhe përshpejtoi proceset demokratike. Një pjesë e mirë e Këshillit Sindikal, duhet të nderohet me titullin “Nderi i Shkodrës”, së paku për ato që e drejtuan si: Ferdinand Temali, Muhamet Gradeci, Fritz Radovani, Lela Zorba, Marina Rraboshta, Ing. Agron Sykja, etj.
Ngjarjet e 2 Prillit 1991, duhen analizuar thellë. Unë i tregova siç i kam parë me sytë e mi dhe përjetuar personalisht. Të tjerët duhet të shkruajnë vetë. Të tregojnë atë që se kam parë unë. Unë marr përsipër dhe i dal zot gjerave që kam parë unë dhe i kam prekur vetë. Për një gjë jam i sigurt që; unë nuk do t’i përgjigjem disa artikujve e botimeve të kujtimeve që, kanë dalë këto vitet e fundit, për 2 Prillin dhe Gjyqin, jo Eduart Përjaku që ka shkruar, as avokat Nazif Bezhani që ka shkruar “Vrasja e shekullit”, apo artikujve të Qemal Lames, Esat Myftarit, Neshat Tozaj, etj., që akuzojnë direkt Policinë.
Unë analizën time, do e fokusoj vetëm në tre botime: Libri i parë është i shkruar nga Aredin Shyti, me titull “Përballë së keqes”, (botim i Shtëpisë Botuese “Naimi”, viti 2022, 576 faqe) të cilit mendoj se ja kanë servirur, pasi ai nuk ka qenë prezent.
Gjithashtu, libri i dytë me titull: “Kush vrau me 2 Prill”? të shkruar nga Gjekë Çelaj, (Shtëpia Botuese “Nervada”, viti 2009, 250 faqe), i cili ka qenë prezent në ato ngjarje, deri sa është braktisur objekti i Komitetit të Partisë të djegur prej protestuesve e popullit të Shkodrës.
Libri i tretë, është ai i Shaqir Vukaj, “Nga gjakosja e Shkodrës Pranverë ‘91 , tek përgjakja e Shqipërisë Pranverë ‘97”, (botimi i Shtëpisë Botuese “Geer”, viti 2022, rreth 700 faqe), ku ai tregon se si e ka parë nga zyrat e Komitetit Ekzekutiv. Shaqir Vukaj, për ngjarjet e 2 Prillit, në kapitullin “Si e pashë unë”, filluar në faqen 69, deri në faqen 80, tregon ecurinë e ngjarjes, e parë nga Komiteti Ekzekutiv, ku midis të tjerash, shkruan:
“…Fillimisht dukej një turmë të rinjsh me çanta në dorë, çka kuptohej se ishin nxënës të shkollave të mesme që vetëm thërrisnin (siç morëm vesh më vonë ishin nxënës të gjimnazit “Jordan Misja”). Me ta filluan të bashkoheshin dhe të tjerë, që vinin kryesisht nga gjimnazi “29 Nëntori”!
“…Sinjali i parë, tregoi se nuk do të ishte protestë paqësore…!
…Nxënësit me çanta në duar, u ulën përballë ndërtesës së Komitetit të Partisë, të vendosur për të mos lëvizur nga vendi. Në këtë kohë, turma sa vinte edhe shtohej, me njerëz që vinin nga të katër anët, kryesisht të rinj…!
…Rreth orës 8 e 30 minuta, në një moment që nuk kuptohej se nga filloi, policia i sul me shkopinj gome mbi nxënësit, ndërsa turma u tërhoq, drejt sheshit, midis dy komiteteve…!
…Herë sulmonin policitë drejt turmës, herë turma drejt policëve. Por turma sa vinte e rritej dhe mbas pak kohësh, sheshi midis dy komiteteve u mbush me njerëz…
…Dua të theksoj se; pushkët e para janë dëgjuar herët, herë të shtëna të shkëputura e, herë breshëri automatiku, por jo me shumicë…! …Nuk vonoi shumë dhe rreth orës 11.00, u pa që dilte tym nga ndërtesa e Komitetit të Partisë…”!
(Shënim: 4 të vrarët dhe të plagosurit, kishin ndodhur para orës 11, para djegies së Komitetit të Partisë).
Vërejtja e parë, për mendimin tim, është: Përse Policia sulmoi gjimnazistët e ulur në shesh? Vërejtja e dytë: Kur filluan krismat e armëve?! Vërejtja e tretë: Përse Policia më 1 Prill, ishte paqësore dhe me 2 Prill, e dhunshme? Nëse do të lexojmë telegramet e ardhura nga qendra, për Degën e Brendshme, Shkodër është mëse e kuptueshme që, sinjali ka qenë që duhej të përgjigjej me dhunë, pa filluar organizimi. Ja çfarë shkruan Aredin Shyti, (Libri I tij, faqe 122) për telegramin e dërguar Degës së Brendshme Shkodër me datë 1 Prill 1990:
“Në kushtet që u krijuan shkrova telegramin me këtë përmbajtje: Në votimet e 31 marsit, fitoi dy të tretat, partia e Ramiz Alisë. Kjo ka rëndësi përcaktuese për të ardhmen. Gjithë të tjerat, si çështja e kushtetutës e presidentit etj., varen nga Partia e Punës. Ajo që kërkohet nga ne, është të shtrëngojmë radhët dhe çelja e syve, për t’u treguar vendin armiqve dhe keqbërësve. Organizoni shërbimet që të jemi të kudondodhur. A. Shyti”
Më pas, lidhur telegramin e dërguar të gjithë Degëve të Brendshme në rrethe, në faqen 127 të librit, ai shkruan: “….në mëngjesin e 2 prill 1991, shkrova për të gjitha Degët e Punëve të Brendshme, telegramin me këtë përmbajtje: Gjatë ditës së djeshme, në qytetet Tiranë, Shkodër dhe Kavajë, janë grumbulluar turma njerëzish në mënyrë të paligjshme, duke hedhur parulla politike dhe fyese për personalitete të kombit. Forcat e policisë kanë ndërhyrë me agjitacion ose nuk kanë ndërhyrë fare.
Qëndrime të tilla, mbas datës 31 mars, janë shumë të gabuara. Policia të ndërhyjë me ashpërsinë e ligjit dhe kurdoherë ushtrimi i forcës, të shoqërohet me ndalimin e fajtorëve. Për të vepruar me forcën e shkopit të gomës, nuk ka askush arsye të pyesë përgjegjësit. Godisni ashpër qysh në fillim të grumbullimeve. Për të paralizuar ata që, nga turma mund të godasin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur. Forcat tona që përleshen me turmat, të mos shkojnë të armatosur.” (Shënimi im T.M.: Një pjesë e policisë).
Nga Tanush MULLETI
Pjesa e tretë
Refleksione: “Si e pashë, e dëgjova dhe e preka 2 prillin ’91 e, si e dëgjoj sot”!
2 Prilli i 1991, ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe e pranuar edhe sot nga të gjithë krahët e politikës, si një krim monstruoz e makabër, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën mbi 97 vetë, disa prej të cilëve mbetën invalidë të gjithë jetën, të gjithë të rinj e të reja (siç thotë Umberto Eço: “E vërteta dhe vetëm e vërteta do të na shpëtoi”). Shkaku për të shkruar këto refleksione është se, po dëgjojmë dhe lexojmë të deformuar me dashje ose pa dashje, historinë e ngjarjes së 2 prillit 1991. Për këto shënime, nuk më shtynë as urrejtja, as hakmarrja, as ambicia, as interesi, por vetëm ndërgjegjja për të thënë të vërtetën, publikisht, ashtu siç ka ndodhur.
Më pas, Shaqir Vukaj thotë se: “Protestuesit u qetësuan nga disa intelektualë dhe Bibliotekën e shpëtoi policia”. Kjo nuk është aspak e vërtetë. E përmenda më sipër se, Bibliotekën e qytetit e shpëtuan disa intelektualë dhe drejtori i Bibliotekës së asaj kohe, Skënder Beci, njeri liberal, i cili kishte një reputacion të mirë në qytetin e Shkodrës dhe nxori dy-tre karroca me veprat e Enver Hoxhës, të cilat u dogjën nga protestuesit dhe situata u qetësua. Nuk ka patur asnjë polic në objekte pasi, ata e braktisën detyrën, me urdhër pas djegies së Komitetit të Partisë.
Po kështu Radio-Shkodrën, nuk e kanë shpëtuar Policia dhe Drejtori i saj Gëzim Podgorica, pasi, kur Besniku dhe unë kemi shkuar tek Radio-Shkodra, pas djegies së Komitetit të Partisë, nuk kishte më policë nëpër Shkodër. Radio-Shkodrën, e kemi shpëtuar unë dhe Besnik Komi, në emër të Sindikatës së Pavarur.
Drejtori i Radios-Shkodrës, sipas Shaqir Vukës, ka bërë një vepër të mire, se fuqinë e antenës, nga 24 KW, e uli në 1 KW.
Në Radio, ishin shumë punonjës dhe jo katër vetë, siç shkruan në libër. Sekretarin e Komitetit të Partisë Xh. G, e shpëtoi herën e pare, mësuesi i fizkulturës, Ll.V., ndërsa herën e dytë, ndërhynë civilë të armatosur (të policisë).
Drejtori, sipas kësaj, ka shkelur ligjin për informimin publik (ishim në pluralizëm), dhe po ashtu për këtë ngjarje, fajësojnë Azem Hajdarin. Por Azemi, nuk ndodhej fare në Shkodër. E bëri vetë populli i Shkodrës, e bënë krismat e armëve që u dëgjuan dhe mblodhën popullin. Parullat, sipas Shaqir Vukës, ishin: “Poshtë komunizmi”! “O, Ramiz, o zagar”! “Shkodra Republikë”! Unë nuk e kam dëgjuar: O, Ramiz, o zagar! Përse?! Sepse një pjesë e popullit, kishte përsëri besim tek Ramiz Alia.
Unë kam dëgjuar dhe më keq, një vjershë që thoshte: “Sllobodan, o Sllobodan, mësy në Tiranë, se na ke të gjithëve në kamb”. Populli ishte i lodhur moralisht dhe ekonomikisht. Dreqi të vinte, vetëm komunizmi e stalinizmi, të hiqej nga Shqipëria.
“Shkodra Republikë”, përdoret si shprehje në Shkodër, për një njëri që është i veçantë, që është në punë të tij. Por duhet të shtojmë se, në raport me qytetet e tjera, Shkodra është e veçantë, jo vetëm në art dhe kulturë, por dhe në jetën politike, historike, ekonomike, etj. Rastësia e bëri 2 Prillin. Ndryshimi do ndodhte (dominoja e fundit do të rrëzohej), dhe është e kuptueshme që, qendra kryesore, do ishte Shkodra. Me të drejtë, filozofi, Monteskje, thotë: “Tek rastësia është Perëndia”. Aty nisi, aty krisi; aty filloi dhe aty mbaroi, terrori stalinist e enverist, mbi popullsinë e rrethit Shkodër.
Aredin Shyti, (Libri i tij, faqe 126), bën pyetje: “As unë nga Tirana dhe as Çapajevi e Dilaveri, që ishin në Shkodër, nuk i jepnim dot përgjigje pyetjes: nga vinte kjo zemëratë”?
Zemërata dhe mosbesimi ndaj Partisë së Punës dhe Degës së Brendshme, ishte e hershme. Nga viti 1945 – ’90-të, janë mbi 600 vetë të pushkatuar me gjyq e pa gjyq, terrori ka qenë shumë i fortë, janë djegur shtëpi, janë burgosur e internuar familjarisht shume persona. Nuk ka rrugicë në Shkodër që, mos të ketë një të internuar ose të burgosur. Po marrim vetëm dy vitet e fundit, të regjimit komunist, të tregojmë çfarë ka ndodhur në Shkodër:
Më 24 gusht 1989, Gjon Mark Kumbullaku (25 vjeç) e Dod Fran Gjerkaj (22 vjeç), në tentativë për të kaluar kufirin në vendin e quajtur Suka-Dajç, janë kapur nga forcat e kufirit dhe janë dorëzuar me duart lart. Janë vrarë nga trupa e Njësitit Kufitar. Për me terrorizu popullin, janë lidh me tela me gjemba, mbrapa spondës së makinës, gjysëm të zhveshur, e shëtit nëpër Shkodër e fshatra, etj. Kjo është një përdhosje e kufomës, e dënuar me Kodin Penal të asaj kohe.
Në faqen 41-43 të librit të Aredin Shytit, ai tregon ngjarjen që po e citojmë integralisht: “Gjykata e Lartë, ishte lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ministri tha se, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nuk e kishte pranuar kërkesën e tyre për falje. prandaj, tha ai, të pushkatohen sonte, në zonën e Kombinatit (Shënim T.M.: Kombinati Tekstil “Stalin” Tiranë) dhe kufomat të lihen në vend, që t’i shohin qytetarët në mëngjes. Më falni, – i thashë ministrit, – por kjo nuk mund të bëhet”…
…Sapo i thashë se, veprime të tilla janë në kundërshtim me funksionet e shtetit, zemërimi ia tjetërsoi fytyrën. Ishte reagimi i njeriut të pushtetshëm që, i vlerëson dijet e tij në të njëjtën lartësi, me poltronin ku është ulur. Por, mbase më shumë sesa nga etika çalamane e përgjigjes time, se funksionet e shtetit ishin të renditura në tekstin e lëndës: Teoria e Shtetit dhe e së Drejtës… tregoi se, vazhdohej të besohej se demonstrimet me kufoma të njerëzve të pushkatuar me vendime gjyqësore, do sillnin suksese në luftën për parandalimin e kriminalitetit…!
… Në dy a tre raste, njëri prej tyre në Shkodër, kufomat e njerëzve të vrarë, në tentativë për të kaluar kufirin, u ekspozuan të shikoheshin, nga sa më shumë njerëz që të ishte e mundur. Sa i rëndë është gabimi që kryhet, përcaktohet nga pasojat qe sjell. Dhe pasojat ishin shumë të rënda. Njerëzit kishin të drejtë të përbuznin veprimin dhe zbatuesit e tij. Valët e urrejtjes për Çapajev Taçin (pasi ishte marrë i pandehur për ngjarjen e 2 Prillit 1991), i ushqente pikërisht rasti i përmendur…! Çdo procedurë tjetër jashtë normave për çfarëdo qëllimi do të duhej të vlerësohej ligjërisht dhunim i kufomës…”!
Më 20 prill 1990, dy të rinj, Dhurata Sokoli (25 vjeçe) dhe Elez Kraja (26 vjeç) janë kapur shumë larg kufirit nga njësiti i Kufirit. Komandanti, i ka zhveshur lakuriq dhe ka urdhëruar ushtarët të abuzojnë seksualisht me to dhe më pas t’i ekzekutonin. Regjimi e dekoroi dhe e ngriti në detyrë, duke e bërë komandant të Kufirit, të Portit të Durrësit. Në vitin 1993, u arrestua komandanti dhe u dënua 17 vjet. Ushtarët pranuan krimin. Në vitin 1997, u largua nga Shqipëria.
Më 18 maj 1990, dy vëllezërit 25 dhe 27 vjeçar, velipojakë Gjekë dhe Vatë Beqi, tentojnë të kalojnë kufirin me not. Qëllohen me automatik në ujë, nga njësiti kufitar dhe njëri plagoset rëndë. I nxjerrin në breg dhe komandanti i Pikës Kufitare, Bino Binaj, (nga Vlora), në kundërshtim me lutjet e ushtarëve të tij, si dhe ligjin që kishte dal më 8 Maj 1990 (Kalimi i Kufirit, nuk konsiderohet më tradhti e lartë ndaj atdheut, por thjesht si kundra vajtje penale), e qëllon me automatikun e tij dhe vret Vatën në breg. Pas disa kohësh, komandanti, u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm. Por dhe ky u largua nga Shqipëria në drejtim të paditur.
Më 13 Dhjetor 1990, djaloshi 16 vjeçar, Olsi Lorja, i cili thërrmoi me çekiç pjesën e kokës së bustit të Enver Hoxhës, për t’i shpëtuar arrestimit’ i’u drejtua kufirit dhe u vra nga njësiti kufitar, më 20 Dhjetor ‘90.
Më 16 Qershor 1990, u vra në kufi, djaloshi 16 vjeçar Pllumb Pllumbi.
Më 12 Qershor 1990, u vra në Zogaj, Nini Rrok Hoti.
Më 7 Tetor 1990, u vra Agron Ismail Hoxha në kufi.
Më 2 Dhjetor 1990, u vra Ndue Luk Markaj. Shtojmë këtu edhe arrestimet dhe dënimet e 14 Janarit (për tentativën e heqjes së bustit të Stalinit) si dhe të 13 Dhjetorit (për heqjen e bustit të Enver Hoxhës).
Të gjitha këto vrasje, janë kryer nga Reparti 299 (i Kufirit), në kundërshti me ligjin. Hetuesia, pasi ka bërë hetimet, çështja penale është pushuar në bazë të nenit 18/11 i Kodit Penal, Kryetar i Hetuesisë së Rrethit, Kosta Karanxha.
Aredin Shyti, (në librin e tij, faqe 151-152), paraqet bisedën telefonike me Ramiz Alinë:
“I kishin thënë se, unë kisha pranuar në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, se; policia ishte përgjegjëse për vrasjet, se ajo kishte kaluar kompetencat…!
…Vazhdova të mbrohesha nga informacioni i pasaktë dhe i shpjegova se, nuk mund të thosha, as para shokëve të mi dhe askujt, se policia apo dikush tjetër, vrau njerëzit. Do ta thosha po të kisha prova. Debati ndezur se, në informacionin e Degës së Brendshme, ishte ndryshuar radha e episodeve të ngjarjes. Ai informacion, ishte pasqyruar fjalë për fjalë në komunikatën e Ministrisë. Për këtë, mora përgjegjësi. Ramiz Alia, ndërhyri. Më kërkoi shpjegim dhe unë i thashë, afërsisht se, përmendja e episodeve në atë renditje, qe e gabuar dhe duhet të kishte ardhur nga pakujdesia, e ndikuar nga perceptimi që ka pasur konceptuesi i informacionit, për rëndësinë e ngjarjeve të ndodhura në 2 prill. “E po mbaje me shëndet”, më tha Presidenti. “Të lutem, shoku Ramiz…”! Nuk e mbarova fjalën se ai bëri një “korrigjim”, të asaj që tha. Pakënaqësinë, e shprehu me fjalët “nuk duhet të kishte ndodhur kështu”!
…Atë pasdite, më telefonoi Ramiz Alia dhe më pyeti: “Si e the atë fjalën ti, për kompetencat”?! “Nuk e kujtoj, për kur është fjala”, e pyeta. Ai ishte me të tjerët në zyrë dhe për diçka i pyeti që të ndihmonte kujtesën time. U kujtova dhe i thashë: “Mos është fjala për kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme ose, nevojën ekstreme”? Ai tha se, pikërisht për atë po pyeste dhe biseda midis nesh mbaroi…”!
Teksti i deklaratës, u transmetua nga masmedia në mbrëmjen e asaj dite dhe cilësohej se: ishte “komunikatë e Hetuesisë së Përgjithshme”. Pas dy tre ditësh, erdhën vendimet e arrestit të nënshkruara nga: Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino për Çapajev Taçin, Dilaver Paparen dhe Gjek Çelajn. Aredini dhe ministri, Gramoz Ruçi, nuk janë pajtuar me vendimet e arrestit dhe i kthyen mbrapsht.
Aredin Shyti, faqe 196: “Në datën 25 Korrik 1992, u arrestova në vendin e punës, te Akademia e Rendit. Në mbrëmje, lajmi që u dha në TVSH, ishte ndërtuar për të përcjellë kumtin se, vrasësi i 2 Prillit, u zbulua. Ishte zgjedhur koha, të nesërmen në 26 korrik mbaheshin zgjedhjet për pushtetin vendor”.
Ja si shkruan Gjek Çelaj, për ngjarjet e 2 Prillit, faqe 28-29:
“Në verën e vitit 1990, u njoftova se Ministria e Punëve të Brendshme, kishte vendosur që unë të transferohesha nga Puka në Shkodër, me detyrën e zëvendësshefit të Policisë së rrethit…!
…Ashtu si dhjetë vjet më parë, kur kisha shkuar në Tiranë për të vazhduar Akademinë e Rendit Publik, pa ndonjë dëshirë të madhe…!
… Policia e rrethit, kishte në krye një shef, që nuk ishte kuadër i mirëfilltë policie, por që, pas fakultetit Ekonomik, kishte mbaruar me korrespondencë, Akademinë e Rendit, që në atë kohë, quhej Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ishte njeri serioz dhe me dëshirë për punë, ishte i ndershëm, i zgjuar dhe i pa kompromentuar, por jo shumë i prerë dhe me vendosmëri për të drejtuar Policinë e një rrethi si Shkodra. Gjithsesi, Dilaver Papare, mbeti një kuadër i mirë policie…!
…Kur u transferova në Shkodër, në krye të Degës së Punëve të Brendshme, ndodhej Çapajev Taçi nga Gjirokastra, një kuadër me eksperiencë, i Sigurimit të Shtetit dhe si drejtues, por me aftësi të kufizuara, për të drejtuar me operativitet punët. Ai ishte një kuadër korrekt e serioz dhe i prirur drejt shablloneve e llafollogjisë boshe. Ai rrinte deri në 15 orë në ditë në punë, por pa bërë asgjë konkrete dhe efektive. Ai u përkiste atyre lloj kuadrove drejtuese që, u përsërisin shpesh vartësve se, duhet punuar më shumë, pa u thënë asnjëherë se çfarë duhet bërë konkretisht…!
…Më 14 Janar 1990, në qytetin e Shkodrës ishte organizuar një demonstratë, për rrëzimin e bustit të J.V.Stalinit. Meqenëse Dega e Punëve të Brendshme, i kishte arrestuar një natë më parë organizatorët, demonstrata kishte dështuar, por autoritetet partiake e shtetërore të asaj kohe, ishin detyruar të hiqnin vetë natën bustin e diktatorit sovjetik…! Pakënaqësia kishte plasur kudo…
(Shënim T.M.: Në të vërtetë, u arrestuan rreth 400 vetë dhe u torturuan gjatë hetuesisë, si në Shkodër, e në Tiranë. Rin Monajka u godit në kokë, e në vitin ’93, vdiq në spital në qytetin Villach, në Austri; T. Curani, nga torturat, u hodh nga dritarja e katit të dytë duke thyer duar e këmbë; Viktor Martini, në librin e tij, dëshmon torturat që i kanë bërë, kur i kanë çuar në Spitalit Psikiatrik të Elbasanit. Po kështu, Dom Simon Jubani, në librin e tij: “Burgjet e mia”, shkruan mbi arrestimet e torturat e 14 Janarit; P. Veli tregon për injeksionet që i kanë bërë në Spitalin Psikiatrik në Elbasan. Çudia ndodh, vetë Partia e Punës, e hoqi bustin Stalinit në Shkodër, të arrestuarit vazhdonin t’i mbanin në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Gjithashtu, Partia e Punës hoqi dhe monumentin e fundit në Europë të Stalinit, që ishte në Tiranë ndërkohë, të dënuar të tjerë vazhdonin të ishin në burgje të akuzuar për tentativë në heqjen e bustit të Stalinit dhe janë liruar vetëm më 30 Mars të vitit ‘90, dy ditë para votimeve).
Aredin Shyti, në librin e tij, vazhdon: “…Organet e Punëve të Brendshme, me sa duket, me diktim nga lart, kishin bërë një akt sa të turpshëm aq dhe të dënueshëm. Pasi kishin vrarë dy të rinj duke kapërcyer kufirin, i kishin vendosur të dy kufomat në një makinë të hapur ushtarake dhe i kishin shëtitur nëpër fshatra, për të frikësuar e terrorizuar këdo, që mund të mendonte të largohej në atë rrugë nga vendi…!
…Më 11 shtator 1990, disa persona rrëmbyen anijen e forcave të kufirit aty ku del lumi i Bunës nga Liqeni i Shkodrës dhe kaluan në Jugosllavi. Forcat e kufirit, s’kishin qenë fare në gatishmëri, por disa fshatarë të fshatit Zogaj, kishin qëlluar me pushkë drejt anijes, që lundronte në liqen, dhe, siç u mor vesh më vonë, fatkeqësisht, kishin vrarë një fëmijë 5 vjeç.
…Gjatë kohës që do të vuaja dënimin me heqje lirie në Tiranë, Bënçë e Lezhë, do të më jepej rasti të takoja e të rrija me më shumë se gjysmën e ish-Byrosë Politike të PPSH-së. Fatkeqësisht, shumica prej tyre, nuk rrezatonin as kulturë të gjerë dhe as karakter të fortë.
Me disa përjashtime, ata nuk kalonin nivelin mesatar kulturor të çdo diplomati të lartë dhe kishin deficite të mëdha në karakter. Jam bindur se, një pjesë e tyre nuk kishin kurrfarë ideali dhe se, në hierarkinë e lartë partiake e shtetërore, i kishte çuar vetëm bindja e verbër ndaj çdo gjëje që thoshte dhe bënte “I madhi”. Vetëm po të njiheshe nga afër me ta, atëherë do të kuptoje më qartë se, pse vitet ’90-të e gjetën Shqipërinë të katandisur ashtu ekonomikisht dhe moralisht…?!
…Mungonin të gjitha mjetet për të përballuar një situatë të tillë, por, mbi të gjitha, mungonin njerëzit e aftë për këtë punë. As efektivi i policisë dhe as kuadrot, nuk ishin të përgatitur për këtë lloj veprimtarie. Përse? Se askujt në Shqipëri, s’i kishte shkuar ndër mend se do të ndodhnin ndonjëherë akte të tilla në këtë vend, madje, ato deri atëherë, konsideroheshin nga propaganda zyrtare, si: “fenomene të botës borgjeze dhe të kapitalizmit”. Asnjëherë nuk ishte trajtuar një temë e tillë, me kuadrot e ardhshëm në Akademinë e Rendit dhe askush, s’dinte si veprohet konkretisht…!
(Shënim T.M.: Çapajev Taçi, ka qenë me kartelë shëndetësore, për probleme me shëndetin mendor (A. Shyti, faqe 277).
…Pak kohë më pare, na ishte kaluar në dispozicion një repart ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes, për ta përdorur në këto raste, por ai përbëhej nga kuadro dhe ushtarë krejtësisht të papërgatitur, për këtë fushë të veprimtarisë policore. E vetmja përshtatje që ishte bërë me ta, ishte ndryshimi i uniformës, nga kaki në blu dhe dhënia e nga një shkopi gome në dorë…!
…Në mbrëmjen e 13 dhjetorit, erdhën nga Tirana disa forca speciale me detyrë që, të ndihmonim policinë e Shkodrës, për të arrestuar pjesëmarrësit aktivë në akte terroriste. Mbasi u morën të dhënat nga punonjësit e policisë që, kishin mundur të identifikonin pjesëmarrësit aktivë në akte kriminale, u hartua një listë, me rreth 80 emra dhe mbas orës 24.00, filloi gjetja dhe ndalimi i tyre në Degën e Punëve të Brendshme.
Atë natë dhe dy ditët pasardhëse, u gjetën shumica e të dyshuarve dhe u ndaluan. Por, pas hetimeve intensive, vetëm 30 prej tyre u arrestuan. Të akuzuarve, do t’u bëhej një gjyq i shpejtë, brenda muajit, dhe do të dënoheshin nga gjykata e rrethit, me heqje lirie, me masa që varionin, nga 1 vit, deri 25 vjet. Akuzat ishin për terror, diversion, sjellje e padenjë në shoqëri, grumbullim i paligjshëm etj. Është e çuditshme se, si shteti miop dhe i kalbur i Ramiz Alisë, edhe pasi kishte shpallur pluralizmin politik, i dënonte autorët e shkatërrimeve me nene politike, siç ishte diversioni, kur ata kishin shkelur shumë nene të tjerë… (faqe 46 Gj. Çela)
(Shënim im, T.M.: Më 13 dhjetor 1990, është folur për akte vandaliste, si: thyerja e disa vitrinave të disa dyqaneve në lagjen “Parrucë” në Shkodër. Duhet të kujtojmë se, Forcat Speciale që erdhën nga Tirana dhe tanket që erdhën nga Melgusha, e morën situatën nën kontroll. Thyerja e vitrinave të dyqaneve, është bërë për t’i dhënë protestës nota vandaliste e ordinere, ndërkohë, është folur që ato akte, janë ndërmarrë nga vetë Sigurimi i Shtetit. Të nesërmen, më 14 dhjetor, Arben Imami, përfaqësues i Partisë Demokratike të asaj kohe, doli në deklaratë, se; Partia Demokratike distancohet nga aktet vandaliste, pa bërë hetim, për të zbuluar të vërtetën).
…Pasi e njoftova për situatën, i thashë (Shënim T.M.: Kryetarit të Degës Çapajev Taçi) do të ishte mirë të na dërgonte disa policë me një megafon dhe 10 krehra fishekë automatiku…!
…U kërkova 3-4 policëve, të shkonin tek vend-ndodhja e megafonit dhe municionit, por ata ngrinin supet të hutuar dhe nuk folën…!
…Mendova se do të ishin vrarë policët apo ushtarët. Plaka e asaj shtëpie, më përcolli deri tek porta e oborrit dhe, pasi u përshëndeta me të, më tha: “Kjo është shtëpia e Tahir Kastratit” … (faqe 87m Gjek Çela)
… “Ky krim është i organizuar, është krim shtetëror”, kërkonte llogari dhe bënte presion mbi drejtësinë: “Përse nuk veprohet ndaj organeve të dhunës, që kanë qenë të ngujuar në zyrat e Komitetit të PPSH-së në Shkodër”?!…(faqe 100 Gjek Çela, për Neshat Tozaj)
…Ndoshta kjo ishte arsyeja që, unë e prita me indiferencë këshillën e një shokut dhe kolegut tim, oficerit të policisë R.K., i cili, në datën 18 prill, më tha: “Gjek, unë jam krejt i bindur se ti, je i pafajshëm, por mos i’u zër shumë besë këtyre, sepse, mund të bëjnë edhe veprime të kundërligjshme ndaj teje, pasi kanë si qëllim, të qetësojnë opozitën që s’pranon të shkojë në parlament”… (faqe 101, Gjek Çela).
…Kur e kaluam portën e atij institucioni, takova një hetues tjetër të asaj hetuesie, N.T. Ai ishte nga Puka dhe njihja prej disa vitesh. Më pyeti se, ku po shkoja dhe pastaj më tërhoqi veçmas e më tha: “Mos u zër shumë besë, por gjej një avokat dhe mos prano të pyetesh pa praninë e tij”… (faqe 103 Gj. Çela).
…Ndërkohë, hetuesi Bejko, hapi çantën, me duart që po i dridheshin, nxori prej asaj një dokument që ma zgjati përpara në tryezë. I hodha një vështrim dhe pashë se ishte vendimi i arrestimit tim, i firmosur në fund nga Bejko dhe i miratuar në krye, nga Prokurori i Përgjithshëm i shtetit, Rrapi Mino. Ishte një gjë e papritur dhe tronditëse për mua.
U ngrita menjëherë në këmbë dhe, duke i’u drejtuar hetuesit e prokurorit, iu thashë: “Ju, Rrapi Mino dhe Ramiz Alia, jeni kriminelë që kërkoni të burgosni njerëz të pafajshëm, për të qetësuar situatën politike, por, po ju them se, kështu s’do të arrini asgjë dhe do të dështoni me turp, sepse unë, do të jem në gjendje të vërtetoj pafajësinë time, në çdo kohë”. Hetuesi rrinte ulur dhe nuk fliste fare, ndërsa prokurori, m’u afrua me kujdes, gjoja për të më qetësuar, dhe me duart rreth belit tim, më afroi afër vetes, duke më thënë: “Qetësohu, nuk besoj të qëndrosh shumë, sa të kalojë kjo situatë”!
(Shënim T.M.: Më 26 Prill ’91, u realizua arrestimi i Gjek Çelaj. Më vonë, u arrestua dhe Xhemal Demylja, sekretar i parë i Komitetit të Partisë Shkodër, me cilësinë e Komandantit të Shtabit të Mbrojtjes së rrethit. Kjo akuzë, është absurde pasi, ishim në Pluralizëm dhe këto tituj, kishin rënë automatikisht. Në këtë kohë. në Shkodër me humor u tha: “I gjetën dy malokë nga Veriu, për t’i fajësuar, megjithëse Shkodra është 15 m. mbi nivelin e detit).
Pjesa e katërt
Refleksione: “Si e pashë, e dëgjova dhe e preka 2 prillin ’91 e, si e dëgjoj sot”!
2 Prilli i 1991, ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe e pranuar edhe sot nga të gjithë krahët e politikës, si një krim monstruoz e makabër, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën mbi 97 vetë, disa prej të cilëve mbetën invalidë të gjithë jetën, të gjithë të rinj e të reja (siç thotë Umberto Eço: “E vërteta dhe vetëm e vërteta do të na shpëtoi”). Shkaku për të shkruar këto refleksione është se, po dëgjojmë dhe lexojmë të deformuar me dashje ose pa dashje, historinë e ngjarjes së 2 prillit 1991. Për këto shënime, nuk më shtynë as urrejtja, as hakmarrja, as ambicia, as interesi, por vetëm ndërgjegjja për të thënë të vërtetën, publikisht, ashtu siç ka ndodhur.
Dëshmitë e Gjek Çelaj, ish-shefi i Policisë së Shkodrës
…Isha bërë 31 vjeç dhe nuk kisha parë asnjëherë të qante tim atë. Ai kishte qenë për mua gjithë jetën shembull i mirësisë, i karakterit të fortë dhe drejtësisë. Kur mbarova Akademinë e Rendit, në vitin 1983 dhe u nisa për të filluar karrierën si oficer policie në Pukë, ai më dha vetëm një porosi: “Kij kujdes, bir, – më tha, – ke një detyrë delikate, prandaj po të lë amanet të mos i bësh kujt keq, sidomos, mos i bjer njeriu në qafë”… (faqe 105-106 Gj. Çela)
…Hyrja jonë në sallë u prit me shumë zhurmë e britma individuale, që shoqëroheshin me gjithfarë fyerjesh në adresë të të pandehurve e, veçanërisht, ndaj Ç. Taçit. E kishin shumë inat, jo vetëm si ish-drejtues i Sigurimit të Shtetit për rrethin për tre vjet, por edhe për faktin se, gjatë asaj kohe, kishin ndodhur vrasja e disa personave në tentativë për të kaluar kufirin ilegalisht dhe dy prej trupave të vrarë në kufi, ishin shëtitur me makinë. Ky akt i ulët, kryer një vit më parë, kishte krijuar zemërim”…
…Më 2 prill 1993, ndërsa kryetari i shtetit shqiptar Sali Berisha, udhëtonte me eskortë drejt Shkodrës…, unë udhëtoja drejt Lezhës, për të marrë pjesë në varrimin e babait tim 56-vjeçar. Ai ishte i vetmi nga njerëzit e mi që vazhdonte të kishte besim absolut se, Gjykata e Lartë (Kasacioni) do t’i rrëzonte dy vendimet e para dhe do të më lironte nga burgu.
I ndodhur në qytetin e Shëngjinit, së bashku me vëllanë tim të vogël, ai pësoi infarkt të miokardit, sapo një njeri i pafajshëm, i kumtoi në rrugë lajmin e Radio Tiranës, për lënien në fuqi të dënimit tim, me 15 vjet heqje lirie.
Mbas dy ditësh, pra me 2 prill, unë mora pjesë në varrimin e tij, falë guximit dhe ndershmërisë së drejtorit të Burgut 313-të, z. Tanush Mileti, i cili e mori përsipër dërgimin tim, në kundërshtim me mendimin e drejtuesve të Ministrisë së Rendit, nga varej institucioni i Riedukimit, të cilit i kishin thënë: “Si të dalë vajzë, si të dalë djalë, ti do ta mbash. Ne nuk të themi ta lejosh të shkojë në varrim” … (faqe 275 Gj. Çela)
Për këtë ngjarje, ja si shkruan A. Shyti (faqe 275):
“Është meritë e Tanush Miletit, drejtorit të burgut, që Gjeka e përcolli babanë në banesën e fundit. Pas nisjes së Gjekës për në Lezhë, Tanushi, më takoi dhe më tha se drejtuesit në Drejtorinë e Burgjeve (Shënim im, T.M.: jo të burgjeve por Ministri e më lart), kishin nguruar të jepnin leje.
Pas këmbënguljes së tij, ata i kishin thënë ta merrte vendimin vetë. Tanushin e pata njohur në takimin e bërë, me drejtuesit e Sindikatës së Pavarur në Shkodër. Ishte një nga drejtuesit e Sindikatës. Kishte burrëri Tanushi dhe e besova plotësisht për ato që më tha. Ishte i vetëdijshëm se, po merrte një risk për vete.
Mbas 30 vjetësh, duhet thënë e vërteta. Merita e insistimit tim ishte kërkesa për implementimin e rregulloreve dhe legjislacionit evropian, për të Drejtat e Njeriut, mbështetur se Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, prevalon mbi legjislacionin shqiptar. Në atë kohë, presidenti Berisha, ishte angazhuar në respektimin e Konventave para BE-së dhe Departamentit të Shtetit Amerikan.
Por mendoj se, kryesorja është se, unë pata fat që punoje me një ministër si Bashkim Kopliku, shumë i përgatitur e i kulturuar, i pa korruptuar, i cili nuk kishte nevojë për përkthyes. Nëse do e quaja përplasje, problemin e kam patur me këshilltarët e drejtuesve të shtetit, si: juristët, prokurorët, ushtarakët, etj., që vinin nga shkollat e indoktrinuara të komunizmit. Duhet të kujtojmë se historikisht, të burgosurit edhe gjatë Luftës, edhe në kohë të Zogut, edhe në kohë të Turqisë, kanë marrë pjesë në këto ceremoni për gëzime e hidhërime.
Gjek Çela, nuk u shoqërua me eskortë. Respektoi lejen. Gjeka ndryshoi mentalitetin e kuadrove të larta dhe u bë shkak që, reforma të ecte më shpejt dhe pa pengesa. Për këtë dhe të tjera, morëm falënderime nga Strasburgu dhe u citua në Progres-Raportin e Shqipërisë. Me ikjen e ministrit Bashkim Kopliku, reforma filloi të frenohej.
Fatkeqësia e Gjek Çelës, ishte që u ndodh në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar, në atë detyrë shumë të vështirë për kohën, kur sistemi komunist ishte kalbur dhe nuk mund të mbahej më. Ishte vetëm çështje kohë, rrëzimi i atij regjimi. Sipas informacioneve që kisha unë, Gjeka, ka qenë student model në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mori një profesion të imponuar nga pushteti, të cilin nuk e kishte dashur. Tregoi karakter dhe ishte burrëror.
Aredin Shyti, ishte me një karrierë të gjatë në Polici, duke filluar nga poshtë, e deri në shkallën më të lartë të drejtimit. Në librin e tij (faqe 184), Aredin Shyti, shkruan se, kur u emërua zëvendës i Gramoz Ruçit, disa nga shokët e tij e bashkëpunëtore si, Neshat Tozaj, Estref Myftari e Miltiadh Muçi e kishin këshilluar që, të jepte dorëheqjen, të dorëzonte çelësat e të distancohej nga politika tradicionale e PPSH-së.
Ndër të tjera, Neshati i kishte thënë: “Zotësinë, guximin, aftësitë policore, nuk duhet ta shfrytëzojë udhëheqja e sotme e PPSH-së. Ai që ke në krye, nuk dallon nga ata që kanë qenë”.
Edhe pas 30 vjetësh demokraci, ne vazhdojmë themi se; fajin e ka Sigurimi i Shtetit, si “dora, veshi, syri i Partisë” e “shpata”. Harrojmë se Sigurimi, ka punuar me një platformë, të aprovuar nga Byroja Politike e PPSH-së.
Për këtë, ISKPK me botimin “Platformat e fshehta të Punës Operative të MPB-së”, përgatitur nga Kastriot Dervishi, (viti i botimit 2022, nga faqja 133-155, kreu VII), te pjesa ku jepet “Platforma e Punës Operative e vitit 1985”, datë 12 Shkurt, ku kanë diskutuar Enver Hoxha, Hekuran Isaj, Simon Stefani, Foto Çami, Pëllumb Kapo, Ramiz Alia, Pali Miska, Rita Marko, etj., të cilët e miratuan njëzëri Platformën “tepër sekret”, ku shprehimisht shkruhet:
“Gjithë urdhrat, udhëzimet dhe rregulloret që rregullojnë aspekte të veçanta të procesit të punës operative, dalin në bazë dhe për zbatim të kësaj platforme. Sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha”. (AQSH/AP, F. 14 ou, V.1985, D.9/1, fleta 44-76)
Në vazhdim të zbërthimit të Platformës, kanë dale: “Masat që duhen ndërmarrë ndaj elementëve me rrezikshmëri të theksuar”, (me Nr. 90, datë 17.04.1987, Ekzemplar 27, sekret i rëndësisë së veçantë, 12 faqe), ku flitet ndër të tjera për Listat Nr. 1 e Nr. 2, që sot quhen “Listat e vdekjes”.
Kjo vërteton katërcipërisht se, Byroja Politike, ishte një grup kriminal, i strukturuar, terrorist; parti e paligjshme, e paregjistruar sipas Kushtetutës. (Memoria 1, viti 2021, botim i ISKK, Dr. Çelo Hoxha, Prof. As. Afrim Krasniqi). J. P. Sartre, ka të drejtë, kur thotë: “ne jemi veprat tona”. Këto ishin “veprat e Partisë”.
Për 45 vite, komunizmi me parullën: “Partia mbi të gjitha”, Byroja Politike, në mënyrë të paligjshme, në kundërshtim me Kushtetutën, ka urdhëruar pushtetin ekzekutiv. Gjatë 30 viteve post-komunizëm, në qoftë se dje, urdhëronte partia mbi policinë, sot, forca e pushtetit urdhëron “Policinë e Shtetit”, që do të thotë se, sa herë do të ndërrohet pushteti, duhet të ndërrojmë të gjithë kupolën dhe drejtuesit e policisë.
2 Prilli, u përsërit pas 20 vitesh, më 21 Janar 2011, në formë arkaike, ku u vranë katër demonstrues në bulevard. 2 Prillin e bënë gjimnazistët dhe populli i Shkodrës, ndërsa 20 Janarin, partia opozitare.
Paqja, Demokracia dhe Liria, nuk mund të bashkëjetojnë pa shtetin e së drejtës. Me parullat: “me ne fitojnë të gjithë”, “e mira më e madhe, numrit më të madh” dhe “kap ça të kapësh”, nuk do të ndërtojmë kurrë shtet të së drejtës dhe rrezikojmë lirinë e paqen.
Protagonistët e ngjarjeve të 14 Janarit 1991, 13 Dhjetorit ‘91, e 2 Prillit ’92, duhet të mbesin në kujtesën historike jo vetëm për popullin e Shkodrës, por të të gjithë Shqipërisë. Në Shkodër u hoq për herë të parë busti i Stalinit, Enverit, Leninit, bashkë me të dhe komunizmi. Nder e Lavdi këtyre heronjve!/Memorie.al