Voal – Don Jeton Thaqi, përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook” i’u është kundërpërgjigjur, kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, i cili tha se Mërgim Mavaraj ka të drejtë që të mos e veshë fanellën me llogon e birrës.
Sipas Thaqit në Kosovë as myslimanë, as katolikë, as ateistë dhe as njëri i gjallë, siç thotë ai, s‘janë “terrorizuar” kurrën e kurrës nga birra.
Po ashtu Thaqi ka thënë se “stili i të jetuarit të një islami radikal, të cilit si duket i përket edhe Mavraj, është duke i kushtuar shumë Kosovës”.
Ky është postimi i plotë i Thaqit
“Për Shpend A. Ahmetin
Pasi që u shprehe si qytetar i thjeshtë i Kosovës, si i tillë po të përgjigjem edhe unë. Në rend të parë s‘po më pëlqen së në njërën anë po paraqitesh liberal e në tjetrën mbështet qëndrimet radikale.
Qëndrimet e Mavrajt, së paku për mendësinë tonë, për ambientin tonë shqiptar, janë pa mëdyshje tejet radikale.
Në Kosovë as myslimanët, as katolikët, as ateistët dhe as njëri i gjallë s‘janë “terrorizuar” kurrën e kurrës nga birra, dhe aq më pak nga birra Peja.
Problemi më i madh nuk është çështja e një reklame të refuzuar, por reklama shumë më e madhe që po i bëhet një fryme që nuk na shkon për shtati neve si shqiptarë, së paku në këtë kohë kur për këto qëndrime radikale dhe disa të ngjashme po përfundojmë në gazetat dhe revistat me renome botërore, sikurse ishte ajo e New York Times.
Për këtë frymë dhe mendësi nuk kemi nevojë përderisa shpëtimi na erdhi nga perëndimi e në perëndim po synojmë. Stili i të jetuarit të një islami radikal, të cilit si duket i përket edhe Mavraj, është duke i kushtuar shumë Kosovës dhe po rrezikon ta shndërrojë pamjen e tij, prej një vendi perëndimor, po shndërrohet në një vend të Lindjes.
Sipas disa dëshmive në Prishtinë dhe gjithandej janë më qindra lokale ku nuk shërbehet alkooli dhe u përngjajnë lokaleve të Sirisë e të Irakut.
Mirë, Shpend! Përfaqësuesit e kombëtares janë model dhe shembuj për fëmijët, për të rinjtë dhe për gjeneratat e ardhshme.
Pra, duket, Mavraj do të bëhet modeli kryesor edhe i rinisë sonë. Kjo pra do të jetë edhe e ardhmja jonë. Urime!”

Komentet