Ragip Hoti — shtathedhur, syshkabë,
flokëverdhë e azgan.
Kur pushtuesit në rrugët e Llapit
ngritën postblloqe e murana
dhe nisën në tokën tonë
me na mbërthyer me pranga,
pati thënë:
“Mos më quani burrë, por qyqar e të mjerë,
nëse lejoj zgjebanikët e Serbisë
turpshëm nga shtëpia me më nxjerr.”
Më 18 maj 1991 —
e shtunë, ditë tregu në Podujevë.
Ragipi, me të atin Muharremin
dhe kushërinj,
derisa po hipnin në minibus,
mbërrin një hordhi dushmanësh
të armatosur deri në dhëmbë.
Zbresin pasagjerët prej minibusi —
fyerje, shkelma, grushte mbi ta.
Muharremin e urdhërojnë
të kthehet në shtëpi.
Në Ragipin nisin dorë me çua,
por prerazi u thotë:
“Kujdes me mua!”
Shpejt nxjerr nga brezi
armën Beretta 92 —
pesëmbëdhjetë plumba
nën parzmore ia numëron
një gjakësori recidivist,
që Kosovën në ferr donte me kthye.
Kolegët e tij — shtogje pa zemër —
i kap lemeria
kur shohin logun me gjak.
Me megafona kërkojnë shpëtim.
Në ndihmë u vjen helikopteri
me policë e ushtarë,
që breshëri plumbash shtinë
mbi këtë burrë vigan,
që ra për të mos vdekur kurrë —
në fshatin Peran.
Aferim të qoftë, Ragip trimi,
që kriminelëve serbë u dhe plumb në ballë,
që donin me na caktua orar
kur në shtëpi me qëndrua
e kur në treg me dalë.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 20 shkurt 2026