VOAL

VOAL

Ish-ministri Tahiri angazhon kompani amerikane lobimi

February 3, 2020

Komentet

“Protesta është kthyer në agjent ndryshimi”- Lubonja: Organizimi qytetar na tregoi se qeverisemi nga “Padrino” i krimit. Nëse humb pushtetin, Rama humb gjithçka

Analisti Fatos Lubonja e cilëson protestën si një agjent të rëndësishëm ndryshimi, që sipas tij ka arritur të nxjerrë në pah përmasat e pakënaqësisë qytetare dhe nevojën për ndryshime të thella në vend. Lubonja argumenton se, në një sistem demokratik, një protestë e tillë do të duhej të sillte një reagim politik, ndërsa mungesa e tij, sipas analistit, tregon për një situatë ku protesta e vetme nuk mjafton për të ndryshuar pushtetin.

Ai thotë se sfida e radhës është rritja e pjesëmarrjes dhe organizimi i mëtejshëm i aksionit qytetar, duke e cilësuar këtë si fazën më të vështirë të protestës. Sipas Lubonjës, protesta ka dhënë tashmë mesazhin e saj, por përballë një pushteti që ai e konsideron të fortë dhe të mbështetur nga struktura të tjera, kërkohet një organizim më i madh shoqëror dhe politik.

 

“Protesta ka qenë shumë e suksesshme në misionin e saj dhe vuri në dukje një pakënaqësi shumë të madhe popullore.
Protesta tregoi se duhet të ndryshojë shumëçka në këtë vend. Në një vend demokratik protesta mund të ishte mbyllur sepse mesazhi është dhënë sepse partia do të kishte ndryshuar kryeministrin.
Kjo protestë në këtë aspekt e ka kryer këtë mision dhe tregoi se ka regjim, se qeveria ka ardhur me krimin dhe qëndron për krimin. Nuk kanë frikë nga zgjedhjet sepse thonë që kanë krimin me vete.
Jemi në një regjim ku nuk mjafton protesta.

Banda kriminale thotë që nuk e lë dot pushtetin. Kanë krijuar përçarje dhe kanë infiltruar njerëz, në këtë situatë mendoj se protesta ndodhet para një pikëpyetjeje sesi do të organizohet, si do të shtohet numri. Këto janë sfida dhe pas fazës së parë më të vështira.

Shtimi i pjesëmarrjes është shumë i rëndësishëm, ka munguar përshkallëzimi sepse është tentuar që të flasë numri dhe jo aksionet e forta, sepse jemi para një regjimi që ka në dorë gjithçka edhe policinë.
Kudo në botë ku ka aksione force ka sindikata të organizuara dhe bllokohen rrugët apo fabrikat, Shqipëria s’ka organizma të tillë. Ky numër njerëzish ka treguar se sundohemi nga e keqja.

Rama është përgjegjësi kryesor i kësaj pune është “Padrino” gjithçka e bën për të mbrojtur veten dhe bandën sepse po i ra pushteti i bie gjithçka.
Në Tiranë taksat e ndërtimit që tregojnë sesa do betonizohet Tirana janë 5 herë më shumë se vitin e kaluar. Pastruesit e parave i kanë bërë pazaret dhe ai është i detyruar ta ruajë këtë sistem.
Mashtron ndërkombëarët dhe po tenton të përçajë protetsën.

Protesta ëshët bërë agjent ndryshimi, drejtësia dhe faktori ndërkombëtar që ka marrë përsipër të na drejtojë. Po ashtu edhe partitë politike si PD apo të tjerat, mund të ketë dhe agjentë ndryshimi brenda PS por nuk e shoh”, tha Lubonja. bw

86 ditë revoltë kundër qeverisë – Qytetarët protestë para SPAK-ut, i rikujtojnë dosjet e pahetuara dhe miliona euro abuzime

Protestat kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit qeveritar kanë hyrë sot në ditën e tyre të 86-të, teksa një grup qytetarësh është grumbulluar përpara godinës së SPAK-ut për t’i rikujtuar këtij institucioni dosjet e pahetuara.

Përmes një mesazhi publik të shpërndarë nga protestuesit, nënvizohet se ky tubim nuk zhvillohet thjesht përballë godinës së SPAK-ut, por përballë çdo padrejtësie që ka cenuar besimin e qytetarëve te ligji.

Ata kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë në vend.

Organizatorët e protestës u shprehën të vendosur për të vazhduar tubimet e tyre, duke theksuar se kur qytetarët kërkojnë llogari, zëri i tyre duhet të dëgjohet deri në fund. bw

“Rama e ka vendin te 313-ta”, aktivisti Edison Lika: Nuk largohemi nga sheshi pa dorëheqje! Do ta lëshojë Ballukun në shtator, por ne s’mjaftohemi me kaq

Aktivisti Edison Lika theksoi se nuk do të largohen nga sheshi përpara Kryeministrisë derisa Edi Rama të japë dorëheqjen.

Teksa mori fjalën në protestë, aktivisti i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet ndaj kryeministrit dhe ta arrestojë.

Sipas tij, kryeministri do ta lëshojë Belinda Ballukun në shtator, por ai tha se protestuesit nuk mjaftohen me kaq, pasi ata kërkojnë dorëheqjen e të gjithë kabinetit të tij qeveritar.

“Nuk na ka zënë monotonia, sepse po bëjmë histori. Ne nuk jemi të qetë pas 83 ditësh se jemi të revoltuar si ditën e parë. Nuk largohemi nga sheshi për sa kohë është kryeministri i këtij vendi. E kemi kërkuar prej ditësh së parë dhe do ta kërkojmë deri në ditën e fundit, dorëheqje.

Hetoni Ramën. Rama e ka vendin në qelitë e 313-ës. Ka bërë gati ta lëshojë Belinda Ballukun në shtator, po a mjaftoheni ne me kaq. Jo. Ne do të jemi këtu jo vetëm që të dorëhiqet dhe të heqë dorë nga mandati Balluku, por do të jemi derisa të dorëhiqet e gjithë qeveria me në krye Edi Ramën.”, tha ai. gsh

Himni maqedonas po, ai shqiptar jo – Shqipëria kritikon aktivitetin ku mori pjesë Mickoski

Aktiviteti i mbajtur në Pustec të Korçës, ku mori pjesë kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.

 

Jetmira Delia-Kaci

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka kritikuar mosekzekutimin e himnit shqiptar në një aktivitet në Pustec të Korçës, ku mori pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se e gjithë kjo situatë është “parodi”.

Ministria e Jashtme e cilësoi mosekzekutimin e himnit si një “mungesë serioze” dhe “shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit”.

“Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Aktiviteti u zhvillua të enjten në Pustec dhe ishte i përqendruar te kultura maqedonase. Në të mori pjesë Mickoski, si dhe kryetari i Bashkisë së Pustecit dhe përfaqësues të tjerë lokalë.

Gjatë aktivitetit u ekzekutua Himni Kombëtar i Maqedonisë së Veriut, por jo ai i Shqipërisë.

Ministria shqiptare tha se, ndonëse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe e të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension publik.

Lidhur me ngjarjen në Pustec reagoi edhe Rama, duke theksuar se për Shqipërinë, minoritetet nuk janë statistikë, por “pasuri kombëtare”.

Së voni, Rama ka pretenduar se ka ndërhyrje të faktorëve nga jashtë në zhvillimet e brendshme të Shqipërisë.

Gjatë protestave antiqeveritare, që po zgjasin që rreth tre muaj, e që nisën si kundërshti ndaj një projekti në Zvërnec, Rama ka thënë se në këto protesta kishte një “përzierje të hatashme ndërkombëtare”, duke përmendur persona që, sipas tij, vinin nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për të “shpëtuar” Shqipërinë në emër të shqiptarëve.

Ai vendosi edhe ngjarjen e Pustecit brenda një debati më të gjerë për ndërhyrjet dhe nacionalizmin në rajon, duke kritikuar atë që e quajti “cirkun e nacional-folklorizmit ballkanik” dhe duke argumentuar se Shqipëria nuk duhet t’i përgjigjet këtyre episodeve me të njëjtën gjuhë nacionaliste.

Pusteci është e vetmja bashki në Shqipëri ku komuniteti maqedonas përbën shumicën e popullsisë. Ajo shtrihet në qarkun e Korçës, në juglindje të Shqipërisë.

Mickoski ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga vizita e tij në Pustec dhe takimet me komunitetin maqedonas, por nuk ka reaguar publikisht deri tani për mosekzekutimin e himnit shqiptar dhe as për deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Ai i cilësoi maqedonasit në Shqipëri si pjesë të “indit kombëtar”, duke bërë thirrje për bashkim rreth interesave kombëtare, të ardhmes së fëmijëve dhe respektit për historinë dhe dinjitetin e popullit.

Vizita e Mickoskit në Pustec erdhi në një kohë kur përbërja dhe identiteti i komuniteteve maqedonase dhe bullgare në Shqipëri janë bërë temë debati, veçanërisht pas regjistrimit të popullsisë të vitit 2023.

Regjistrimi evidentoi 2.281 persona që u vetëdeklaruan maqedonas, një rënie prej 59 për qind krahasuar me rreth një dekadë më parë.

Në të njëjtin regjistrim, për herë të parë u regjistruan 7.057 persona që u vetëdeklaruan bullgarë. Komuniteti bullgar u njoh zyrtarisht në Shqipëri në vitin 2017.

Rezultati shkaktoi debat mes përfaqësuesve të dy komuniteteve mbi identitetin e popullsive sllave në Shqipëri.

Përfaqësuesit maqedonas nuk e pranuan rezultatin si pasqyrim real të madhësisë së komunitetit të tyre.

Ata pretenduan se një pjesë e personave që tradicionalisht identifikoheshin si maqedonas ishin regjistruar si bullgarë, duke e lidhur këtë me politikat e Bullgarisë për dhënien e pasaportave bullgare dhe, sipas tyre, me presione mbi banorët.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit bullgarë e konsideruan rezultatin një konfirmim të rëndësishëm të pranisë së komunitetit të tyre në Shqipëri.

U kafshua nga gjarpri në Valbonë, turistja australiane rrëfen aventurën në Shqipëri: Telefonova dy herë 112, nuk mora përgjigje! Babai njoftoi Interpolin! Spitali pa kushte, s’kishte as letër higjienike

 

Një aventurë në malet e Valbonës u kthye në një situatë jetë a vdekjeje për vrapuesen australiane të shtigjeve, Amy Lecons, e cila më 22 qershor 2026 u kafshua nga një gjarpër helmues teksa po kryente një vrapim në një nga shtigjet e zonës.

Lecons, e cila jeton në Zelandën e Re, ndodhej në Valbonë dhe kishte planifikuar një vrapim rreth 90-minutësh. Por 90 minutat u kthyen në 3 ditë plot ankth dhe fikë, pasi u pickua nga një gjarpër helmues.

Lecon e gjeti veten të bllokuar në një shteg të largët, pa shpresë për shpëtim pasi sipas saj, nuk mund të kontaktonte urgjencën në numrin 112.

“E kuptova menjëherë se më kishte kafshuar një gjarpër, ndërsa ndjeva një dhimbje të fortë në kyçin e majtë të këmbës. Sikur në një film të ngadaltë, pashë gjarprin poshtë këmbëve të mia ndërsa u përplasa sipër dhe ngadalësova derisa u ndala.”– tha ajo në një intervistë për median britanike “Truth Times”.

Lecons arriti ta filmonte gjarprin me telefon, me shpresën që pamjet do të ndihmonin në identifikimin e tij. Më pas u ul në shteg dhe u përpoq të qëndronte sa më e palëvizshme.

Dy telefonata në 112 përfunduan pa zgjidhje

Në orën 10:20, Lecons telefonoi numrin shqiptar të emergjencës 112.

“Telefonata zgjati më pak se një minutë para se të më mbyllnin telefonin”, tregon ajo. Sipas saj, kërkoi të komunikonte me dikë që fliste anglisht, por nuk arriti të kuptonte se çfarë po i thuhej dhe telefonata përfundoi.

Vetëm dy minuta më vonë, në orën 10:22, ajo telefonoi të atin në Australi përmes ËhatsApp.

Babai i saj, Robert Lecons, është mjek familjeje në një zonë rurale të Australisë së Jugut. Ai e udhëzoi vajzën se çfarë duhet të bëntë në ato kushte. Amy i dërgoi gjithashtu vendndodhjen e saktë përmes aplikacionit Ëhat3Ëords.

Më pas babai kontaktoi shërbimet australiane të emergjencës, ndërsa Amy provoi sërish të telefononte 112. Edhe telefonata e dytë, sipas saj, përfundoi pas 53 sekondash.

“Jam shumë i shqetësuar nga mënyra se si u trajtuan telefonatat e Amy-t në 112. Ia kishin mbyllur telefonin dy herë”, tha Robert Lecons.

Pa pasur furnizime të duhura mjekësore në dispozicion, ajo improvizoi.

“Pa fashot e duhura kompresive, hoqa çorapet dhe bluzën pa mëngë dhe i lidha rreth zonës së kafshimit sa më mirë që munda për të imobilizuar gjymtyrën.”

Një tjetër problem që turistja shpreh është se në shtegun ku ishte bllokuar, ishte krejt e vetme.

“Gjatë gjithë kohës, kërkoja ndihmë nëpër luginë, por askush nuk më përgjigj dhe as nuk më gjeti në shteg.”

Kontakti me Interpolin

Pas rreth 15 minutash, ajo vendosi që një kontakt lokal mund të ishte më efektiv sesa linja e emergjencës dhe telefonoi pronarin e hotelit në Shkodër, ku kishte qëndruar së fundmi.

“Ai u përgjigj menjëherë, e kuptoi ashpërsinë e situatës dhe filloi të telefononte përreth. Nuk e kuptova deri disa javë më vonë se ishte ai që kishte njoftuar Klinikën Verore të Valbonës, pasi shërbimet australiane të emergjencës po lidheshin gjithashtu me Interpolin në të njëjtën kohë.”- tha ajo.

Sipas Lecons, një ambulancë u dërgua rreth 25 minuta pas kafshimit. Meqenëse ajo ndodhej në një shteg të largët, ekipit të ndihmës iu deshën edhe 30 minuta të tjera për ta arritur, të ndjekura nga një orë tjetër përpara se ajo të arrinte në spitalin në Bajram Curri, ku iu dha anti-helmi.

Kushtet ne spital

Lecons u ndal të fliste edhe për kushtet e spitalit në Bajram Curri, ku sipas saj kishte disa probleme.

“Siç u përmend në videot e mia, kaloi një ditë para se të më jepnin letër higjienike, pasi ata pretenduan se nuk kishin në dispozicion. Ditën e dytë, stafi tha se duhej të gjeja dikë që të më blinte furnizimin tim me akull, pasi spitalit i kishte mbaruar edhe ky furnizim”, tha ajo, duke vënë në dukje se spitali ndodhej në një qytet me qasje të lehtë në dyqane.

“Më duhej të bëja nevojat në shtrat. Nuk prisja të merrja të njëjtin trajtim si ai në Australi apo Zelandën e Re, por spitalet duhet të jenë në gjendje të ofrojnë një shërbim të përshtatshëm dhe sigurisht, përpara se të nxjerrim një përfundim se sa i mirë ishte trajtimi që mora, duhet të ketë një diskutim rreth asaj pse spitaleve u mungojnë këto gjëra.”- shton më tej ajo.

Si u pasqyrua lajmi?

Më tej Lecons ndalet tek mbulimi që iu bë historisë së saj në mediat shqiptare, që sipas saj kanë raportuar mbi ngjarjen por pa e kontaktuar atë vetë.

“Ajo që më shqetësoi ishte se media kishte marrë fragmente nga pjesët më të mira të historisë sime dhe i kishte përdorur ato për të krijuar një narrativë shumë të plotë pa trajtuar disa nga çështjet e rëndësishme që ekzistojnë në sistemin e kujdesit shëndetësor.”- shprehet ajo.

Ajo vuri në dukje se Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ndau historinë e saj, duke e përshkruar atë si një person që po shërohej plotësisht.

“Për fat të mirë, tani jam shëruar mrekullisht, por në atë kohë nuk isha në gjendje të ecja dhe e ardhmja ishte e paqartë pasi nuk më ishte dhënë asnjë këshillë shëndetësore kur dola nga spitali.”- tha ajo.

Mesazhi i turistes

Ajo e lidhi mbulimin e ngjarjeve me momentin më të gjerë politik të Shqipërisë. “Aktualisht, në të gjithë Shqipërinë po zhvillohen protesta të vazhdueshme për qëndrueshmëri, anti-korrupsion dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve. Pasi zhvillova biseda me njerëzit përreth meje, mësova se mënyra më e mirë për të ndihmuar popullin e Shqipërisë nuk ishte thjesht të theksoja mikpritjen e shqiptarëve, por në fakt të thoja të vërtetën e përvojës sime në sistemin e kujdesit shëndetësor si turist.” Ajo shtoi: “Një vend nuk mund t’i mbështesë turistët nëse nuk mund t’i mbështesë më parë njerëzit e vet.”

“Balluku rrezikon mbi 30 vite burg, paratë e vjedhura janë transferuar jashtë” – Poli Hoxha: Ka ardhur koha që Edi Rama të thirret nga drejtësia

Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në studion e News24, ka analizuar zhvillimet e fundit rreth hetimeve të SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë, duke u ndalur veçanërisht te dosja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe implikimi i mundshëm i kryeministrit Edi Rama.

Hoxha theksoi se akuza fillestare për pabarazi në tendera ishte vetëm maja e ajsbergut për të çmontuar të gjithë “rrjetën e merimangës”.

Sipas tij, përveç akuzave shtesë për lotet e rrugëve, SPAK e ka zgjeruar hetimin për korrupsion, pastrim parash dhe organizatë kriminale. Gazetari u shpreh se nëse mblidhen të gjitha akuzat e ngritura nga prokurorët e posaçëm, dënimi për Ballukun mund të shkojë deri në 36 vite burg.

Më tej, Poli Hoxha zbuloi se dosja përmban një numër të madh letër-porosish ndërkombëtare për të gjurmuar lëvizjet financiare dhe tjetërsimin e parave të vjedhura në prona e llogari bankare jashtë vendit.

Ai nënvizoi se linjat e shumë hetimeve çojnë në mënyrë të natyrshme te kryeministri Edi Rama, emri i të cilit, sipas tij, del në shumë dokumente. Hoxha deklaroi se ka ardhur koha që Rama të thirret zyrtarisht në SPAK për të dhënë shpjegime, pavarësisht rezistencës dhe përpjekjeve politike për të penguar e bllokuar procedurat e drejtësisë.

“Në shtator do jetë “flakë””, Poli Hoxha: Protesta kërkon largimin e Ramës, qeveri teknike dhe rregulla të reja loje!

Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në studion e “News24”, ka analizuar qëndresën qytetare kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, e cila vijon prej më shumë se 80 ditësh radhazi.

Hoxha u shpreh se kjo lëvizje tejkaloi parashikimet e atyre që pretendonin se populli nuk do të dilte në shesh për shkak të konformizmit, largimeve jashtë vendit apo dështimeve të opozitës. Sipas tij, mashtrimet e qeverisë dhe perceptimi se kasta politike bëhet bashkë kur vjen puna te mirëqenia e qytetarëve, çuan në derdhjen e pikës së fundit të ujit.

Ai nënvizoi se protesta lindi “pa kokë” dhe është kthyer tashmë në një gjendje mendore për shumicën e shqiptarëve. Pavarësisht nëse temperaturat e larta ulin numrin e njerëzve në shesh, mbështetja mbetet masive në çdo shtëpi, punë e lagje.

Gazetari denoncoi përpjekjet e shumta për delegjitimimin e lëvizjes – që nga propaganda për t’i cilësuar protestuesit si “iranianë”, deri te futja e policëve me civilë, grupeve të interesit dhe incidenteve për të nxitur përçarje e debate gjatë marshimeve. Megjithatë, ai theksoi se 90% e pjesëmarrësve janë të qartë në kauzën e tyre dhe se protesta po piqet e po vetëpastrohet. Hoxha paralajmëroi se shtatori parashikohet “flakë”, jo vetëm nga rikthimi i njerëzve nga pushimet, por edhe nga ndërgjegjësimi në rritje.

Sipas Poli Hoxhës, kërkesat e protestuesve janë të qarta: dorëheqja e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike jo-partiake me mandat 12-mujor. Kjo qeveri do të merret me hartimin e rregullave të reja të lojës, përfshirë ndryshimin e kodit zgjedhor, ligjin për financimin e partive, kufizimin e mandateve të kryeministrit dhe rikthimin e referendumeve, për të thyer status quo-në ku 100 nga 140 deputetë emërohen drejtpërdrejt nga Rama dhe Berisha.

Në përfundim, ai theksoi se largimi i pushtetit lidhet me trinomim: protesta në mes, ndërkombëtarët në krah dhe veprimet e SPAK-ut. Ai vlerësoi se SPAK ka asistuar këtë lëvizje që nga dita e tretë me hetimet për Zvërnecin dhe sekuestrimin e mbi 1.5 milionë metrave katrorë pronash, kullash e resortesh të miratuara me firmën e kryeministrit, duke i treguar popullit se pushteti nuk po lëshohet vetë si në një vend normal.

Qeveria ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës

Qeveria ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke argumentuar se shoqëria koncesionare ka dështuar të përmbushë detyrimet dhe afatet e përcaktuara në kontratë.

Sipas shkresës që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka dërguar shoqërisë Vlora International Airport, ortakëve të saj dhe financuesit të projektit, Bankës Kombëtare Tregtare, vendimi mbështetet në një sërë shkeljesh kontraktore.

“Janë konstatuar një sërë shkeljesh kontraktore dhe problematikash, që lidhen me mosrealizimin e objektit të koncesionit brenda afateve kontraktore dhe me mospërmbushjen e detyrimeve nga Shoqëria Koncesionare”, thuhet në dokumentin e publikuar nga Kapitali.

Qeveria i referohet nenit 15.4 të kontratës, i cili i jep Autoritetit Kontraktues të drejtën për zgjidhjen e parakohshme të saj nëse aeroporti nuk vihet në operim brenda 90 ditëve nga data e përcaktuar.

Afati fillestar për nisjen e operimit ishte 20 shkurt 2026, ndërsa periudha shtesë 90-ditore përfundoi më 20 maj. Aeroporti nuk ishte vënë në funksion as pas këtij afati.

Sipas Ministrisë, koncesionari ka ndryshuar vazhdimisht parashikimet për përfundimin e projektit: fillimisht afati u shty për në gusht 2026, më pas për 1 mars 2027 dhe, së fundmi, është paraqitur një periudhë zbatimi prej tetë muajsh pa një datë konkrete përfundimi.

“Ky ndryshim i vazhdueshëm i afateve dëshmon qartë pamundësinë e Shoqërisë Koncesionare për të deklaruar një afat të qëndrueshëm dhe të mbështetur për vënien në operim”, argumenton MIE.
Një nga shkaqet kryesore të ngërçit, sipas qeverisë, janë edhe konfliktet mes ortakëve të koncesionit, të cilat kanë përfunduar në përplasje gjyqësore dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e punimeve.

Në shkresë përmenden gjithashtu mosmarrëveshjet për transferimin e kuotave dhe marrëveshjen e huasë, përfshirë kredinë prej 100 milionë eurosh të marrë nga Mabco, të cilat, sipas Ministrisë, kanë krijuar “pengesa konkrete dhe të pakapërcyeshme” në funksionimin e shoqërisë.

Pas përpjekjeve për t’u dhënë ortakëve kohë për të zgjidhur konfliktet dhe për të garantuar vazhdimin e projektit, Ministria thotë se situata nuk është zgjidhur. Për këtë arsye, ajo vlerëson se zgjidhja e kontratës së koncesionit është tashmë e nevojshme për mbrojtjen e interesave të shtetit.

Procedura shënon praktikisht dështimin e deritanishëm të projektit koncesionar të Aeroportit të Vlorës, i cili duhej të kishte hyrë në operim që në shkurt të këtij viti. gsh

Shteti bektashi në shtator? Media franceze: Do të ketë pasaportat dhe paranë e vet

TIRANË- Mediat franceze duke zbuluar detaje nga negociatat për krijimin e shtetit Bektashi në Shqipëri shprehen se gjithçka do të jetë gati në shtator. Madje ndër të tjera theksohet se urdhri do të ketë pasaportën dhe paranë e emërtuar BEK. Gjithashtu për realizimin e gjithë procesit janë ngarkuar tre negociatorët kryesorë.

Dy vite pas hedhjes së idesë së krijimit të shtetit Bektashi në Shqipëri, palët duket se kanë nisur një fazë të re. Nga ideja në shkresa ku baza do të jetë krijimi i statutit, por dhe e pasaportave të veçanta e më tej dhe të parasë që  në shkrim raportohet se do të quhet BEK.

Lajmin e ka dhënë media prestigjioze franceze Intelligence online, ku saktësohet se Kreshnik Grezda mban rolin e ambasadorit të përgjithshëm në përfaqësimin ndërkombëtar, ndërsa përfaqësuesi për Shtetet e Bashkuara është Christopher Hyland, themelues i një kompanie tekstilesh luksoze me bazë në Nju Jork.

Intelligence Online e përshkruan atë si një sipërmarrës aktiv në Ballkan, i cili në vitin 1992 ka qenë këshilltar i fushatës presidenciale të Bill Clintonit dhe zëvendësdrejtor kombëtar politik për elektoratet etnike.

Për Francën dhe Belgjikën, përfaqësues është emëruar Hazis Vardar, një sipërmarrës belg me origjinë shqiptare dhe aktiv në sektorin e kulturës.

Sipas Intelligence Online, projekti i shtetit bektashi nuk po kufizohet vetëm te krijimi i një statusi të veçantë territorial në Tiranë, duke e përshkruar dhe si një Vatikan mysliman dhe një shtet që pritet të jetë më i vogli në botë në një shtrirje prej 11 hektarësh.

Më tej theksohet se bisedimet po shoqërohen edhe me përgatitjen e strukturave simbolike, diplomatike dhe të përfaqësimit ndërkombëtar.

Gjithashtu edhe burimet pranë kryegjyshit botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj shtojnë se puna ka vijuar dhe se procesi ka hyrë në një tjetër etapë edhe pse miratimi në shtator i këtij shteti shihet me skepticizëm prej tyre.

Ndërkaq Intelligence Online thekson se Urdhri Bektashi promovon një formë të moderuar të Islamit dhe dialogun ndërfetar./Dosja.al

Protesta kundër Ramës- “Zuzari, ç’i sheh syri i do për vete”, Lush Susaj: Ambasadori i SHBA që do të vijë në Shqipëri, të na ndihmojë të rikthejmë demokracinë

Profesori Lush Susaj, në protestën e 80-të para kryeministrisë, tha se qytetarët duhet të reagojnë ndaj asaj që e konsideron padrejtësi, ndërsa e cilësoi protestën si një “shkollë politike” dhe si një betejë për rikthimin e pluralizmit.

Ai gjithashtu, kërkoi ndihmoi nga ambasadori që do vijë në Shqipëri.

“Faik Konica thotë që zuzari çfarë i sheh syri, i do për vete. Respekt për secilin protestues. Nëse nuk reagojmë, jemi qyqarë. Kjo protestë është shkollë politike, na bën krenarë dhe na heq qafe zuzarët. Mbahuni sepse jemi në të drejtën tonë të historisë. Le të rikthejmë pluralizmin. Ambasadori i SHBA që do vijë në Shqipëri, le të na ndihmojë të rikthejmë demokracinë. Ambasador, jemi Shqipëria që krijoi president Willsoni. Ne i themi keq-bërësve që na provokojnë, ndaloni. Këta kanë marrë fund. Uroj që mos të na dërgojë te skenari i Mianmarit”, u shpreh ai. SH

“Demokracia s’ka nevojë për heronj, por për qytetarë që kërkojnë llogari” – Thirrja e aktivistit Gent Progni: Ejani në shesh! Ndryshimi i pushtetit fillon kur nuk heshtim

Aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni iu bëri thirrje qytetarëve që të dalin të gjithë në shesh për të kërkuar largimin e Edi Ramës.

 

Në mesazhin e tij, aktivisti theksoi se emancipimi i një shoqërie tregohet atëherë kur qytetarët nuk kanë më frikë dhe kanë kurajon që të mos ulin kokën përballë padrejtësive që iu janë bërë ndër vite nga pushteti.

Progni theksoi gjithashtu se ndryshimi i pushtetit nis nga qytetarët, kur ata thyejnë heshtjen dhe frikën për të kërkuar llogari nga tyre.

Emancipimi i një shoqërie nuk matet me kullat që ndërton, kullat që lyen apo propagandën që prodhon. Matet sesa qytetarë kanë kurajon të mos ulin kokën përballë padrejtësisë. Për shumë vite na kanë mësuar të përsërisim të njëjtat fjali, çfarë do të ndryshojë, të gjithë janë njësoj, shiko punën tënde.

Dhe këtu fillon problemi. Sepse një shoqëri nuk mbahet peng nga ata që abuzojnë me pushtetin, mbahet peng edhe nga momenti kur njerëzit e mirë binden se nuk ia vlen të reagojnë, ndaj kjo protestë duhet të jetë më shumë sesa zemërim, por rizgjim kombëtar, Shqipëria po shitet. Të kërkosh institucione që të shërbejnë, drejtësi që të mos vonojë, shëndetësi ku nuk duhet të njihësh dikë, polici që të mbrojë, arsim ku fiton ai që meriton, një shtet ku ligji nuk ndryshon sipas emrit që ke. Këto nuk janë kërkesa luksi, por minimumi i një repblike normale.

Mos prisni gjithmonë që dikush tjetër të dalë përpara. Një demokraci e shëndetshme nuk ka nevojë për heronj, por ka nevojë për qytetarë që kërkojnë llogari, që nuk shitet, që nuk tremben nga pushteti. Sot thirrja ime është për atë që në dëgjon e shikon, ti je ndryshimi. Një protestë e madhe bëhet kur secili prej nesh vendos, sot do të jem edhe unë aty.

Ejani jo për mua. Ejani për veten tuaj, familjet, fëmijët tuaj, e dinjitetin tuaj. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për ndryshim pushteti, por ndryshim të standardit që ne qytetarët pranojmë nga pushteti. Ai ndryshim fillon nga ne, kur nuk heshtim, kur nuk kemi frikë të kërkojmë llogari. Fillon me secilin prej nesh.”, tha ai. Panorama

“Pozita e Ballukut është rënduar, po kqyren 53 celularë të tjerë” – Gazetarja Lala: Priten zhvillime për dosjen ‘Aruba’! Një ish ministre e PS po verifikohet për rolin e saj në organizatën e Shpëtim Aliut

Gazetarja Klodiana Lala ka analizuar ecurinë e disa dosjeve më të rëndësishme që po hetohen nga SPAK, duke nisur hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish ministres Belinda Balluku, afera e AKSHI-t, dhe dosja Aruba.

Gazetarja tha se pozita e Ballukut është rënduar për shkak se tashmë është marrë e pandehur për të gjitha lotet e tjera të Unazës së madhe, krahas Tunelit të Llogarasë, ndërsa po dyshohet gjithashtu për korrupsion e pastrim parash.

Në kuadër të hetimeve, janë ushtruar kontrolle në disa vila në jug të vendit si dhe te kompania “Atelier 4”, e cila dyshohet se ka dizenjuar këto vila që mund të jenë pasuri të fshehura të saj.

Po ashtu, ajo bëri me dije se gjykata ka autorizuar kontrolle edhe në 53 telefona të tjerë, krahas të tjerëve që u kontrolluan më herët.

“Është rënduar ndjeshëm pozita e saj në raport me ligjin për shkak se nuk është më e pandehur vetëm për tunelin e Llogarasë, por janë ngritur akuza edhe për lotet e tjera të Unazës së Madhe. Ka pasur kontrolle, disa vila në jug të vendit, kompania që dyshohet se ka bërë dizajnin e brendshëm të këtyre vilave, që sipas prokurorëve ka dyshime se janë pasuri të fshehura të Ballukut. Nëse provohet dhe nëse shkohet drejt një sekuestrimi të mundshëm, kjo e rëndon ndjeshëm pozitën e saj. Po hetohet edhe për korrupsion dhe pastrim parash. Kontrollet e reja janë bërë edhe në një arkitekt në Vlorë dhe që duhet parë se çfarë janë të dhënat e reja. Janë  marrë  celularë, janë marrë dëshmitarë. Janë edhe 53 celularë që po kqyren aktualisht nga 80 e ca. Gjykata ka miratuar edhe pjesën tjetër të celularëve për kontroll.”, tha ajo.

Sa i përket dosjes Aruba ajo bëri me dije se priten zhvillime të tjera.

“Mendoj se dhe dosja Aruba do të ketë zhvillime se janë bërë vetëm goditjet e para. Bëhet fjalë për një sërë takimesh jo vetëm në Aruba, por edhe në Majorca e vende të tjera.”, shtoi gazetarja.

Ndërkohë sa i përket hetimeve për organizatën e Shpëtim Aliut, gazetarja tha se po verifikohet roli i një ish ministreje të PS-së në lidhje me disa transferta jashtë vendit.

“Në organizatën e Shpëtim Aliut, edhe aty po vijojnë hetimet për pastrim parash. Në radhët e zyrtarëve të lartë është një ish ministre e PS që po shikohet roli i saj për disa transferta jashtë vendit. Por për sa kohë nuk ka rezultat konkret ende nuk mund të flas me emër.”, shtoi Lala. Panorama


Send this to a friend