VOAL

VOAL

Ish-ministri i Brendshëm akuza të forta: Porti i Durrësit skemë për pastrim parash, qyteti s’ka nevojë të jetë Dubai i Mesdheut

November 23, 2022

Komentet

“Fëmijët janë djegur të gjallë nga serbët”, Osmani në KS të OKB: Kujtimet e luftës janë në mendjet dhe shpirtrat tone

Presidentja Vjosa Osmani fjalimin e saj në seancën e rregullt raportuese për situatën e sigurisë në gjashtëmujorin e fundit në Kosovë e nisi duke përmendur ndërhyrjen e NATO-s 25 vjet më parë në vend. Ajo tha se me këtë u shënua një moment historik në historinë moderne të njerëzimit dhe një kthesë për kosovarët që ishin në kërkim të lirisë.

“Sot, teksa qëndroj këtu duke përfaqësuar vendin tim, Republikën e Kosovës, më kujtohet ndikimi i thellë i bashkimit të demokracive për një qëllim të përbashkët. Ishte vetëm 25 vjet më parë, kur ndërhyrja e NATO-s së bashku me aspiratën e palëkundur të popullit tim për liri shënuan jo vetëm një kthesë vendimtare në historinë e vendit tonë, por edhe një moment historik vendimtar në historinë moderne të njerëzimit. Ajo ndërhyrje nuk kishte të bënte vetëm me ndërtimin e paqes, ishte kryesisht dhe më e rëndësishmja, për mbrojtjen e shenjtërisë së jetës njerëzore dhe të drejtën e të gjithë njerëzve për të jetuar të lirë nga frika e shkatërrimit dhe persekutimit. Ai zhvillim theksoi domosdoshmërinë që kur njëri prej nesh kërcënohet nga tirania, kjo është një kërcënim për të gjithë. Na kujtoi domosdoshmërinë e të vepruarit si një forcë e bashkuar përballë padrejtësisë së rëndë, duke mbrojtur me çdo kusht jetë njerëzore”, tha Osmani.

Osmani me vete sot në seancë mori edhe katër heroina të Kosovës: Elhame Muqollin, Vasfije Krasniqi-Goodmanin, Shyhrete Tahiri-Sylejmanin dhe Fahrije Hotin. E para e vendit përmendi Masakrën e Poklekut, pjesë e së cilës ishte Elhame Muqolli e që i shpëtoi kësaj masakre.

“Pesë ditë më parë, ne shënuam 25 vjetorin e njërës prej masakrave më mizore, më çnjerëzore të regjimit të Millosheviqit. Elhame Muqolli, që më shoqëron sot në takim, ishte vetëm 14 vjeçe kur shtëpia e saj u bastis nga forcat policore të Serbisë. Fillimisht u qëllua mbi 53 civilë, kryesisht fëmijë, pasi të gjithë ishin mbledhur në një dhomë. Ndërkohë që policia u largua për t’u furnizuar, Elhamja arriti të hidhej nga dritarja dhe të largohej me vrap, pavarësisht se ishte plagosur nga plumbat. Menjëherë pas kësaj, policia u kthye e pajisur me benzinë për t’i vënë flakën të gjithë 53 civilëve. Elhamja nuk do të mund të harrojë kurrë ulërimat shurdhuese të disa prej fëmijëve që ishin ende gjallë teksa po digjeshin. Dhe si të mos mjaftonte kjo, policia i vuri flakën vazhdimisht. Fëmijët e vegjël 6 dhe 10 muajsh u dogjën në përpjekje për t’i zhdukur nga faqja e dheut vetëm se ishin shqiptarë; vetëm sepse i përkisnin një etnie të ndryshme nga ajo e policëve dhe ushtrisë. Shkalla e djegies së trupave ishte aq e rëndë sa që anëtarëve të mbijetuar të familjes u mbeti aq pak nga më të dashurit e tyre sa të mund t’i vendosnin të gjitha 53 viktimat në një varr të vetëm. Një memorial u ndërtua në përkujtim të viktimave afër vendit ku ndodhi gjithçka, por asnjë politikan serb – asnjë i vetëm, nuk u gjunjëzua para varrit të atyre fëmijëve të vegjël. Dhe kur mendon se masakra të këtyre përmasave ndodhën pothuajse në çdo cep të vendit, me fëmijë të vegjël, gra, duke përfshirë edhe shtatzëna, të vrarë pa mëshirë, për shkak të mendësisë luftënxitëse që është ende e gjallë dhe ka nisur në Beograd”, tha Osmani.

Po ashtu Osmani tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, asnjëherë nuk ka kërkuar falje për masakrat që janë bërë nga Serbia në Kosovë.

“Pra, zonja dhe zotërinj, ju mund të dëgjoni propagandën e Vuçiqit dhe ta lini atë të shtyjë revizionizmin e historisë së tij bazuar në librin e lojërave të Rusisë, por e vetmja e vërtetë për regjimin e Vuçiqit është ajo që është një mohim i vazhdueshëm dhe duke mos pranuar kurrë përgjegjësinë për këto krime të tmerrshme; duke mos kërkuar falje asnjëherë apo duke treguar një shenjë pendimi. Kurrë. Masakra e Poklekut, si të gjitha masakrat nëpër Kosovë, tregoi se Millosheviqi dhe ministri i tij i atëhershëm i propagandës, sot ulur në karrigen e një presidenti, jo vetëm që kërkonin të fshinin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut, por edhe të shkatërronin provat në tërësi dhe të mos linin asnjë dëshmitar. Megjithatë, ata dështuan, pa pushim. Derisa Elhamja ulet me mua sot këtu, duke kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësisë, Vuçiqi, i ulur atje, ende ofron strehim, mbrojtje dhe promovim, për njësitë speciale të policisë dhe brigadën e ushtrisë që kreu krimet kundër familjes së Elhames”, tha ajo.bw

Osmani: Serbët e Kosovës janë nën presion të Qeverisë së Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se serbët e Kosovës janë nën presion të Qeverisë së Serbisë, dhe jo asaj të Kosovës.

“Tashmë janë të qarta përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të penguar procesin e integrimit të serbëve në Kosovë, duke përdorur taktika kriminale dhe terroriste për të fituar kontroll dhe për të përhapur frikë, dhe kështu, njëkohësisht duke minuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të organizuar për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Osmani ka thënë se serbët e integruar në institucionet e Kosovës janë detyruar të japin dorëheqje për shkak të presionit të kryer prej strukturave ilegale serbe, sulmeve në pronat e tyre, shkatërrimin dhe rrezikimin e jetëve të tyre, me vetëm një qëllim: t’i detyrojnë ata të ikin.

“Vetëm imagjinojeni një politikan serb që ka vendosur lule para varrit të një vajze shtatëvjeçare gjatë kohës së luftës, i cili është arrestuar menjëherë dhe është torturuar në burgjet e Serbisë”.

Ky, sipas saj, është fati i çdo serbi që nuk është në linjë me qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Nikolla Sandulloviq nga Serbia, është arrestuar më 3 janar të vitit 2024, pak kohë pasi pati publikuar fotografi nga kompleksi memorial në Prekaz, Kosovë.

Ai është arrestuar nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.

Ndërkohë ai është liruar, por i është konfiskuar pasaporta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se ai është keqtrajtuar pasi ka kërkuar falje për krimet e Serbisë.

Kur ka folur për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Osmani ka thënë se serbët në Kosovë duhet ta falënderojnë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pse kryetarët shqiptarë janë ende në ato pozita.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, e ka bojkotuar procesin e votimit për largim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, më 21 prill, dhe ua ka kërkuar të njëjtën edhe banorëve serbë.

Kjo parti ka pretenduar se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa për largim ose jo të kryetarëve ka dështuar, pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues.

Kjo nënkupton se kryetarët aktualë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do t’i vazhdojnë mandatet e tyre.

Përgjatë fjalimit të saj, Osmani ka folur edhe për gratë që ka qenë pjesë e delegacionit të saj në takim, të mbijetuara të masakrave të kryera nga forcat jugosllave në Kosovë, gra që kanë familjarë të zhdukur në luftë, si dhe të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Vuçiq është ankuar pse ato gra kanë marrë pjesë në takim, duke thënë se ato nuk janë pjesë e stafit diplomatik, dhe pse është diskutuar për të kaluarën, sidomos për kohën e luftës, duke pretenduar se në kohën e luftës ka pasur edhe gra serbe të dhunuara seksualisht në Kosovë.

Osmani, në anën tjetër, ka thënë se gratë pjesëmarrëse janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Robert Wood, e ka kritikuar Serbinë që nuk ka marrë ende asnjë veprim për të dënuar personat e përfshirë në sulmin në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar, duke përmendur në mënyrë specifike Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryeje të sulmit.

Ai aktualisht besohet se është në Serbi.

Wood ka shprehur shqetësim edhe për ndalimin që u është bërë kosovarëve ditë më parë, teksa kanë kaluar nëpër territorin e Serbisë për në Kosovë.

Serbia i ka arsyetuar vonesat me rritje të kontrolleve kufitare.

Wood e ka përsëritur edhe në këtë takim se SHBA-ja beson që misioni i UNMIK-ut në Kosovë e ka kryer punën e vet dhe që duhet të përmbyllet.

Vuçiq: Numri i votuesve shqiptarë u rrit artificialisht në veri të Kosovës, bojkoti i Listës Serbe i arsyeshëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën në Nju Jork, se serbët në Kosovë po vazhdojnë të përballen me ngacmime dhe forma të ndryshme të dhunës nga autoritetet, por pa ofruar dëshmi.

Vuçiq i ka quajtur farsë deklaratat e Kosovës si lidere në fushën e demokracisë në Ballkanin Perëndimor, dhe ka shprehur keqardhje që raporti i OKB-së nuk ka ofruar të dhëna të mjaftueshme për të kundërtën.

Përgjatë fjalimit të tij, presidenti serb e ka përmendur nënshkrimin e marrëveshjeje me Kosovën, me ndërmjetësim të BE-së, më 2013, dhe sipas tij, janë bërë “11 vjet të premtimeve të pambajtura dhe arsyetimeve, dhe paaftësisë së BE-së për t’i lëvizur gjërat”.

Kur ka folur për çështjen e dinarit, presidenti serb ka thënë se vendimi i Prishtinës zyrtare ua ka vështirësuar përditshmërinë serbëve dhe minoriteteve tjera në Kosovë.

Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur së zbatuar një rregullore të re e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, komunitetit serb në Kosovë i është pamundësuar përdorimi i dinarit, valutës serbe.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, dhe ua paguan atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Sa u përket votimeve për largim ose jo të kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, ai ka thënë se rritja e numrit të votuesve shqiptarë është rritur artificialisht në muajt e fundit në komunat veriore, prandaj, sipas tij, është i kuptueshmëm bojkotimi i votimit të 21 prillit nga ana e serbëve lokalë.

Asnjë anëtar i misioneve diplomatike në Kosovë, dhe as monitorues ndërkombëtarë të zgjedhjeve në Kosovë, nuk i kanë konfirmuar supozimet e Vuçiqit për rritje artificiale të numrit të votuesve.

Ziadeh: Pak përparim në normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi në muajt e fundit

Shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka shprehur të hënën pakënaqësinë e saj për mungesën e përparimit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit, drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ajo i ka bërë këto deklarata në Nju Jork, në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa e ka prezantuar raportin për Kosovën.

Ziadeh ka raportuar për zhvillimet në Kosovë për periudhën 19 shtator 2023 deri më 15 mars 2024.

Sipas saj, disa herë gjatë kësaj periudhe është shënuar kthim mbrapa në normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke përmendur incidentin në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Mes tjerash, ajo e ka shprehur shqetësimin e saj edhe për mënyrën e zbatimit të rregullores së re të BQK-së për dinarin,

Ajo e ka përgëzuar Kosovën për finalizim të procesit të regjistrimit të 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, sipas një vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marrë më 2016.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e këtij vendimi, me arsyetimin se diçka e tillë është kyçe për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës. REL

Dështimi i votimit në veri, Osmani: Vuçiçi shkeli fjalën, masat ndaj Kosovës të hiqen menjëherë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas dështimit të votimit në veri për largimin e kryetarëve shqiptarë.

Përmes një shkrimi në Facebook, ajo thotë se qytetarët nuk e shfrytëzuan këtë mundësi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale.

“Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë. Por Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin”.

Ajo kërkon nga BE heqjen e masave ndëshkuese që i janë vënë Kosovës.

“Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, tha Osmani.

(Balkanweb)

Albin Kurti: Më 21 prill 1999, në Dragaqinë të Therandës, forcat serbe torturuan 11 civilë shqiptarë. Pastaj i hodhën në pus

11 burra shqiptarë, pasi i torturuan, i hodhën të gjallë në pus. Më i riu ishte 49 vjeç e më i moshuari 91 vjeç.
Më 21 prill 1999, në fshatin Dragaqinë të Therandës, forcat e armatosura të Serbisë torturuan 11 civilë shqiptarë. Pastaj i hodhën në pus. Pusin e mbushën me mbetje ndërtimore.
Trupat e tyre u gjetën pas luftës, rastësisht, kur pronari i pusit kishte filluar të pastroj pusin.
Kjo është edhe një dëshmi që policët dhe ushtarët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe e plan të detajuar për të kryer krime kundër shqiptarëve, dhe për t’i fshehur ato. Preokupimin më të madh e kanë pasur si t’i zhdukin trupat. Hedhja në puse, djegiet, zhdukjet, rrëmbimi i kufomave, e forma të tjera ҫnjerëzore të dëmtimit dhe zhdukjes së trupave, e faktojnë këtë.
I përkujtojmë sot martirët e Dragaqinës.
E kujtojmë përditë sakrificën dhe dhembjen që përjetoi populli ynë për lirinë që e gëzojmë.

Albin Kurti: 16 burrat dhe djemtë e familjes Mirena më 21 prill 1999 i rrëmbeu dhe i zhduku Serbia

16 burrat dhe djemtë e familjes Mirena, policia dhe paraushtarakët e Serbisë i ndanë nga familjarët e tyre. Për herë të fundit u panë më 21 prill 1999, me duart e lidhura pas shpine, gjersa nën kërcenime e dhunë, ecnin drejt kamionit i cili po priste matanë shinave të trenit.
Familjet jetuan në ankthin e pritjes, pa ditur për fatin e tyre për shtatë vite. Në vitin 2006, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit (nga e cila u zhvarrosën gjithsej 744 shqiptarë të Kosovës).
Hetimet për masakrën në Nakaradë i kishte filluar UNMIK-u në vitin 2000. Në vitin 2008, dosja i ishte dorëzuar EULEX-it, ndërsa në 2018 çështja u dërgua në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ende nuk janë dënuar autorët e as urdhërdhënësit e kësaj masakre.
Bëjmë thirrje edhe njëherë që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë me ngulm, për të sjellur drejtësi për Nakaradën dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Lavdi për martirët e Nakaradës!
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

Kievi mirëpret ndihmën e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kanë mirëpritur vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara që miratoi paketën e ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 61 miliardë dollarësh, e cila tani duhet të miratohet nga Senati para se presidenti amerikan, Joe Biden, ta nënshkruajë që të hyjë në fuqi.

Furnizimet për Ukrainën do të përfshijnë municione dhe mbrojtje ajrore dhe janë pjesë e një pakete në vlerë prej 95 miliardë dollarësh që përfshin ndihmën për Izraelin dhe aleatët e tjerë të SHBA-së, sikurse Tajvani, i cili përballet me kërcënime potenciale nga Kina.

Votimi i 20 prillit u arrit me mbështetjen e demokratëve dhe republikanëve të moderuar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendimi i SHBA-së “do të shpëtojë mijëra e mijëra jetë”.

“Ne shpresojmë që projektligji do të mbështetet në Senat dhe do t’i dërgohet presidentit Biden.

Faleminderit Amerikë. Demokracia dhe liria gjithmonë do të ketë rëndësi botërore dhe kurrë nuk do të dështojë për aq kohë sa Amerika ndihmon në mbrojtjen e tyre”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.

Kremlini u përgjigj duke thënë se lëvizja e SHBA-së do të kushtojë me më shumë jetë të ukrainasve “për shkak të regjimit të Kievit”. Ai sugjeroi se mbështetja amerikane ka për synim të “pasurojë” SHBA-në dhe të “rrënojë edhe më tej” Ukrainën, shtet që veçse ishte duke luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014, para se Rusia të niste pushtimin e plotë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Projektligji – gjashtë muaj pasi u prezantua – kaloi me 311 vota për dhe 112 kundër, me 101 republikanë që votuan për dhe 112 kundër.

Kritikët thanë se vonesat në miratimin e kësaj ndihme, lejuan Rusinë që të marrë momentumin në luftime.

Senati pritet të miratojë pakon e ndihmës më 23 prill, para se të nënshkruhet nga Bideni, në mënyrë që Pentagoni të nisë dërgesat e ndihmës me shpejtësi.

Biden tha se paketa do të “dërgojë ndihmë thelbësore për Izraelin dhe Ukrainën, do të ofrojë ndihmën e nevojshme humanitare për Gazën, Sudanin, Haitin dhe lokacione të tjera dhe do të rrisë sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Indo-Paqësor”.

Kryeministri polak, Donald Tusk, duke komentuar vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve tha se “më mirë vonë se kurrë”, duke shtuar se “shpresoj që nuk është shumë vonë për Ukrainën”.

Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se vota amerikane “i dërgon mesazh të qartë Kremlinit: Ata që besojnë në liri dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe popullin e saj”.

Muajve të fundit, Kievi është përballur me presion të madh rus në fushëbetejë, pasi forcat ukrainase po përballen me mungesë të furnizimeve të artilerisë dhe mbrojtjes ajrore.REL

Dhoma e Përfaqësuesve miraton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe Izraelin

Kryetari i Dhomës së Përfaqësueve, Mike Johnson, flet me gazetarët më 20 prill, 2024.

Dhoma e Përfaqësuesve Kongresit amerikan miratoi të shtunën me mbështetje të gjerë dypartiake ndihmën ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, mes kundërshtimeve të republikanëve të vijës së ashpër, raporton Zëri i Amerikës, duke cituar agjencionin Associated Press.

Legjislacioni tani kalon në Senatin me shumicë demokrate, i cili miratoi një projekt-ligj të ngjashëm më shumë se dy muaj më parë.

Udhëheqësit amerikanë që nga presidenti demokrat Joe Biden e deri tek kreu i republikanëve në Senat Mitch McConnell, i kishin kërkuar prej kohësh kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ta hidhte atë në votim.

Demokratët dhe republikanët bashkuan votat për të mbështetur projekt-ligjin, pas një beteje disamujore lidhur me pjesën e ndihmës ushtarake shtesë për Ukrainën, ndërsa ajo vazhdon përpjekjet për të zmbrapsur agresionin rus.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi pjesën e ndihmës për Ukrainën prej 61 miliardë dollarësh, me një mbështetje dërrmuese, në një demonstrim të fortë të mbështetjes amerikane.

Edhe ndihma prej 26 miliardë dollarësh që ndihmon Izraelin dhe ofron ndihmë humanitare për banorët e Gazës, u miratua lehtësisht.

Një pjesë e paketës ligjore mbi sigurinë kombëtare, si edhe një tjetër për ndihmën për aleatët e Shteteve të Bashkuara në Indo-Paqësor, u miratuan me shpejtësi.

Legjislacioni shkon tani në Senat, ku miratimi i tij në ditët në vijim është thuajse i siguruar.

Presidenti Joe Biden i bëri thirrje Senatit të votojë me shpejtësi dhe ta dërgojë atë në Shtëpinë e Bardhë, në mënyrë që ai ta nënshkruajë, duke e kthyer në ligj.

“Sytë e botës janë drejtuar ndaj nesh dhe historia do të gjykojë se çfarë po bëjmë sot”, tha kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, republikani, Michael McCaul.

Veprimi i ligjvënësve këtë fundjavë ishte në kontrast me muaj të tërë ngërçi dhe bllokimesh, shkaktuar nga republikanët, të cilët përbëjnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por që janë thellësisht të përçarë rreth ndihmës së huaj, sidomos për Ukrainën ndërsa ajo lufton agresionin rus.

Kryetari Johnson, duke vënë në rrezik postin e tij, u mbështet tek votat e demokratëve këtë javë për të futur në rendin e ditës disa votime për tre projekt-ligje për ndihmat, si edhe një të katërt me disa propozime të tjera për politikën e jashtme

“Ky është moment historik”, tha ligjvënësi nga Nju Jorku, Gregory Meeks, demokrati kryesor në Komisionin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve heq pengesën më të madhe ndaj kërkesës për ndihmën të Presidentit Biden, që fillimisht u bë në tetor kur pajisjet ushtarake të Ukrainës po shkonin drejt fundit.

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane, skeptike për vazhdimin e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, pati për muaj të tërë mosmarrëveshje për këtë aspekt të projekt-ligjit.

Arritja deri në pikën e votimit ka qenë një rrugë e vështirë për zotin Johnson dhe ky proces ka vënë në provë edhe vendosmërinë e tij edhe mbështetjen për të mes republikanëve, një pjesë e vogël e të cilëve por që po shtohet në numër, po kërkojnë haptazi largimin e tij nga detyra.

Megjithatë, udhëheqësit e kongresit i hodhën votat në një pikë kthese në histori, në një moment kur aleatët e SHBA-së përballen me luftëra dhe kërcënime, nga Evropa në Lindjen e Mesme dhe në Azi.REL

Vuçiçi e shkarkon kryetarin e komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi: Regjimi serb dhe antishqiptar po vazhdon traditën e Millosheviçit

Shqiprim Arifi, i cili deri dje shërbente si kryetar i komunës së Preshevës është shprehur përmes një reagimi në rrjetet sociale se është shkarkuar nga ky post mbrëmjen e kaluar pa asnjë procedurë ligjore nga regjimi serb dhe antishqiptar.

Arifi u shpreh se ka disa kohë që Vuçiç kërcënon publikisht shqiptarët e Preshevës, ndërsa tha se pas këtij veprimi ai ka njoftuar partnerët ndërkombëtare SHBA dhe BE.

Reagimi i plotë:

Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90ta, në mënyrë të dhunshme më SHKARKUAN nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës.

Njëkohësisht, ky regjim antishqiptar dhunshëm instaloi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme. Ka disa kohë që Vuçiq kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës. SHKARKIMI i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedur ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor.

Me këto veprime raciste antishqiptare që janë trashëgimi e politikave të regjimit të Millosheviqit, Serbia e sotshme e Vuçiqit dëshmon tani më 3 dekada e më shumë, se shqiptarët nuk i konsideron si qenie njerëzore dhe asesi qyetatarë të barabartë në Serbi. Diskriminimi ndaj shqiptarëve është agjend e pandërprerë e politikave të Vuçiqit dhe Serbisë së tij pro-ruse.

Pra, në boshtin shoqëror të Serbisë dhe në edukimin filozofiko-politik të Serbisë, ky shtet mbetet në thelb një regjim autokrat i cili nacionalizmin ekstrem serb e përdor kundrejt të gjithëve, në veçanti të shqiptarëve e sidomos ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

SHKARKIMIN tim të dhunshëm, nuk kishte mundur ta realizoj pa ndihmën e pakursyer të shqipfolësve serbofil siç janë: Ragmi Mustafa, Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Argjend Sherifi si dhe disa kompani lokale mafioze që bashkëpunojnë me qarqet e errëta në Serbi. Kjo klasë politike bashkëpunuese besnik të regjimit serb me dekada, janë bërë vegël e lehtë për Vuçiqin dhe serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginë të Preshevës.

Prandaj edhe kryetari i organit të dhunshëm që u vendos në mesnatën e djeshme nga Vucic, është Ragmi Mustafa i cili para 1 dekade i ka dhuruar pikërisht Vucicit “ZAHVALLNICËN – Mirënjohje ” menjëherë pasi e hoqi Vucic lapidarin me emrat e dëshmorëve të UÇPMB-së.

Për SHKARKIMIN tim të dhunshëm dhe për gjithë akterët të lartcekur, që në vazhdimësi po ndihmojnë Serbinë për të dëmtuar shqiptarët, kam njoftuar partnerët tanë ndërkombëtar SHBA dhe BE.

Me këtë SHKARKIM të dhunshëm nga regjimi serb i jap FUND politikës aktive në Luginë të Preshevës, por në anën tjetër dhe njëherë më shumë më ka motivuar që luftën ndaj padrejtësisë, diskriminimit, pasivizimit dhe luftën për të drejta elementare dhe avokimin e të drejtave të popullit tim, për shqiptarët autokton të këtyre trojeve, ta ngriti në një nivel më të lartë! bw

Osmani, Kurti dhe Konjufca- Zbardhet pasuria e liderëve kryesorë të Kosovës

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar të dhënat e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët publikë për vitin 2024.

Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar bashkë me bashkëshortin një banesë të blerë mbi 59 mijë euro, një garazh 6,000 euro, një shtëpi 170 mijë euro, tokë 35 mijë euro, dy banime në varg – njëra e përbashkët në vlerë 190 mijë euro dhe tjetra 510 mijë euro.

Ajo ka deklaruar po ashtu një veturë në vlerë 10 mijë euro në pronësi të bashkëshortit. Ndërsa, edhe dy kredi, një 40 mijë euro dhe tjetra 65 mijë euro.

Paga neto vjetore e saj është 33,070 euro, kurse e bashkëshortit 17,173 euro.

Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar nëntë prona, tri prej të cilave të trashëguara (tokë), pesë të blera – tri banesa, një depo, një parking – e një shtëpi e ndërtuar. Megjithatë, vetëm tri nga këto i ka deklaruar në pronësi të veten. Gjashtë të tjerat të prindërve.

Konjufca e ka të deklaruar edhe një veturë në vlerë 3,000 euro në pronësi të bashkëshortes.

Po ashtu, ka të deklaruar mbi 61 mijë euro kredi.

Paga neto vjetore e tij është 27,555 euro.

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti e ka deklaruar si pasuri të paluajtshme një banesë në pronësi të bashkëshortes, në vlerë prej 400,000 eurosh dhe të blerë me kredi.

Në bankë ka deklaruar para të gatshme rreth 1,500 euro nga paga dhe në llogarinë e bashkëshortes 2,500 euro.

Ndërsa, pagë neto vjetore 19,043 euro. SN

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, Albin Kurti në Berlin më 25 prill, zbardhet axhenda

Kryeministri i Kosovë s Albin Kurti do të vizitojë më 25 prill Berlinin.

Gazetari gjerman  Michael Martens, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të jetë në një organizim të fondacionit Bertelsmann Stiftung në një ngjarje të Bundestagut.

Ai tha se temë diskutimi do të jetë anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Europës.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po vjen në Berlin të enjten (25 prill) për të folur në fondacionin Bertelsmann Stiftung në një event në Bundestagun gjerman dhe bashkëbiseduesve të tjerë. Tema: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rruga përpara. Prisni zhvillime”, ka shkruar ai.bw

Albin Kurti: Më 19 prill 1999 Serbia masakroi grupin e intelektualëve të Mitrovicës dhe ua zhduku trupat

Grupi i intelektualëve të Mitrovicës për herë të fundit u pa më 19 prill 1999 në Dreth të Zubin Potokut. Derisa po largoheshin për në Mal të Zi, nga forcat e ushtrisë jugosllave u ndaluan: Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu. Pas vrasjes, në përpjekje të zhdukjes së gjurmëve të krimit, iu zhdukën trupat.
Bashkë me mohimin e krimeve gjenocidale, Serbia vazhdon t’ua mohojë familjeve të drejtën për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Në të njejtën ditë, më 19 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë kryen masakër në Hallaq të Vogël dhe Rufc të Ri të Lipjanit.
Në përvjetorin e zhdukjes, përkujtojmë grupin me 23 doktorë, profesorë e veprimtarë të çështjes kombëtare e të të drejtave të njeriut nga Mitrovica. I përkujtojmë sot 21 të vrarët në masakrën e 19 prillit në fshatrat e Lipjanit.
Nuk harrojmë asnjëherë sakrificën e madhe për lirinë e Kosovës.

Shefi i NATO-s u kërkon aleatëve t’i japin Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bëri presion vendeve anëtare që t’i japin Ukrainës sistemet e mbrojtjes ajrore, duke thënë se ky është një investim për sigurinë tonë”.

Të premten, Stoltenberg u bëri presion vendeve anëtare që t’i japin Ukrainës më shumë sisteme raketore Patriot, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelenskyy përsëriti kërkesat pothuajse të përditshme të Kievit për më shumë pajisje të mbrojtjes ajrore perëndimore.

“NATO ka hartuar aftësitë ekzistuese në të gjithë aleancën dhe ka sisteme që mund të vihen në dispozicion të Ukrainës”, u tha Stoltenberg gazetarëve pas një takimi në internet të ministrave të mbrojtjes nga aleanca 32-vendesh, në të cilën Zelenskyy mori pjesë nga distanca.

Forcat ajrore të Rusisë janë shumë më të fuqishme se ato të Ukrainës, por sistemet e sofistikuara të raketave të ofruara nga partnerët perëndimorë të Kievit janë një kërcënim i madh për aviacionin rus pasi forcat e Kremlinit ecin ngadalë përpara përgjatë vijës së frontit prej rreth 1000 kilometrash në luftë.

Kievi po kërkon të paktën shtatë bateri Patriot. Stoltenberg nuk pranoi të thoshte se cilat shtete të NATO-s kanë sisteme të mbrojtjes ajrore ose sa mund të jenë në dispozicion, duke thënë se ky është informacion i klasifikuar, por ai këmbënguli se ai pret që vendet të bëjnë së shpejti njoftime të reja për mbështetje, jo vetëm për Patriot-ët.

“Aleatët duhet të gërmojnë thellë në inventarët e tyre dhe të përshpejtojnë shpërndarjen e raketave, artilerisë dhe municioneve. Ukraina po përdor armët që ne i ofrojmë për të shkatërruar aftësitë luftarake ruse. Kjo na bën të gjithëve më të sigurt”, tha ai.

“Mbështetja për Ukrainën nuk është bamirësi. Është një investim në sigurinë tonë”, shtoi Stoltenberg.

Bateritë e raketave Patriot mund të zgjasin dy vjet për t’u bërë, kështu që vendet që i kanë ato mund të hezitojnë për arsye sigurie që të ekspozohen. Gjermania kishte gjithsej 12, por po furnizon me tre,  Ukrainën. Polonia, e cila kufizohet me Ukrainën, ka vetëm dy dhe i duhen për mbrojtjen e saj.sn


Send this to a friend