Momenti i së vërtetës po vjen
Protesta e 9 janarit pritet të jetë më masive se herëve të tjera
Më e rëndësishme se çdo pozicion politik, se çdo pozitë shtetërore, është jeta e qytetarëve të vendit
Më duket se është e vështirë për të dhënë përgjigje të saktë në mënyrë hipotetike për atë se çfarë do të ndodhë në protestën e paralajmëruar nga opozita e bashkuar (VV, AAK, NISMA) të 9 janarit 2016. Megjithatë, disa gjëra mund të konstatohen qysh tani.
Protesta e 9 janarit pritet të jetë më masive se herëve të tjera, për shkak të evoluimit të situatës pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi shkeljet e Kushtetutës në marrëveshjen e Brukselit të 25 gushtit në hiç më pak se në 22 raste (nene dhe akte nënligjore).
Edhe përkundër vendimit të Kushtetueses, liderët shtetërorë (Thaçi e Mustafa) akoma po vazhdojnë me injorimin e një vendimi të tillë, për çka kanë irrituar në masë të madhe të gjithë qytetarët e vendit tonë.
Jo arrestime të opozitës
Edhe përkundër faktit se Gjykata Kushtetuese nuk i obligon, mosreflektimi pozitiv i Thaçit e Mustafës, që i bie paraqitja e dorëheqjeve si akt moral ndaj shkeljeve të Kushtetutës së vendit, është një motiv shtesë për pjesëmarrje masive të qytetarëve të vendit në protestën e 9 janarit.
Edhe pse në secilin vend demokratik, thyerja e masës së arrestit shtëpiak është e papranueshme dhe e dënueshme njëkohësisht, pjesëmarrja e deputetëve të opozitës nën masën e arrestit shtëpiak në protestë, në asnjë rrethanë nuk do të duhej marrë si shkas nga pushtetarët për arrestimin e tyre gjatë protestimit. Janë masat juridike të mëpastajme që e rregullojnë një gjë tillë.
Skenari i mundshëm i pozitës, i pushtetit në këtë rast, për arrestimin e deputetëve nën masën e arrestit shtëpiak gjatë një proteste paqësore, do të ishte skenari më i keq dhe më fatal për vendin, ngase eskalimi i situatës kësaj radhe mund të prodhojë dhunë të paparashikuar dhe dëme enorme të pronës publike dhe shtetërore.
Thënë ndryshe, mbarëvajtja e protestës së paralajmëruar paqësore, edhe pse është detyrim i organizatorëve, në këtë rast i opozitës së bashkuar, në masë të madhe varet nga reagimi i pushtetarëve dhe reflektimi pozitiv i qeveritarëve.
Çfarë dua të them me këtë?
Është fakti se qeveritarët, në këtë rast dy drejtuesit e Qeverisë, Thaçi e Mustafa, si nënshkrues të marrëveshjeve të dëmshme për vendin (19 prill 2013 dhe 25 gusht 2015), pas evidentimit të shkeljeve në 22 raste të Kushtetutës, duhet të tregojnë nivel të lartë të përgjegjësisë shtetërore, morale dhe juridike.
Liderët duhet të heqin dorë nga kryeneçësia e tyre
Tërheqja e tyre nga pozitat shtetërore dhe tërheqja formale e nënshkrimeve nga marrëveshjet fatkeqe të Brukselit, së largu deri në orën 12.00 të 9 janarit 2016, jo vetëm që do ta parandalonte protestën, por do të ishte vendimi më i mençur, më i arsyeshëm për shpëtimin e vendit nga trazirat dhe situata anarkike e bllokadës në institucionin më të lartë në vend-Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Në të kundërtën, kryeneçësia e drejtuesve qeveritarë do të përfundojë me një çmim tepër të lartë për vendin, pasojat e të cilit në radhë të parë do t’i vuajnë qytetarët e varfër të vendit tonë, ngase edhe për një kohë të gjatë do të mbesin të izoluar dhe të pashpresë në vendin e tyre.
Përfundimisht, dëshiroj të konstatoj se më e rëndësishme se çdo pozicion politik, se çdo pozitë shtetërore, është jeta e qytetarëve të vendit. Andaj, këtë fakt duhet ta kenë parasysh të gjithë faktorët politikë në vend, pushtet dhe opozitë.
Prandaj, Isë dhe Hashim, reflektoni para orës 12.00 të 9 janarit 2016,më pas akrepat e orës, për ju, mund të numërohen mbrapsht!
Komentet