Në vitin 2015, Shqipëria miratoi ligjin “Për Investimet Strategjike”, me qëllimin e deklaruar për të tërhequr investime të mëdha, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të hapur vende të reja pune.
Ligji u prezantua si i përkohshëm. Por, vit pas viti, ai është shtyrë disa herë dhe aktualisht është lënë në fuqi deri në vitin 2027.
Ajo që nisi si mekanizëm për të lehtësuar investimet, është kthyer në një nga instrumentet më të debatueshme të zhvillimit në Shqipëri. Në teori, ligji synonte të përshpejtonte procedurat administrative për projekte me rëndësi ekonomike. Në praktikë, statusi i “investitorit strategjik” krijoi një sistem privilegjesh që u dha kompanive private akses të veçantë në tokë publike, bregdet, plazhe, zona turistike, ishuj dhe pasuri me interes publik.
Në disa raste, ky status ka përfshirë edhe mundësinë e përdorimit të pronës publike, qira simbolike, shtyrje afatesh, ndryshime kontratash dhe procedura të negociuara drejtpërdrejt me shtetin. Për këtë arsye, ligji ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën, konkurrencën e ndershme dhe trajtimin e barabartë para ligjit.
Si lidhet kjo me Zvërnecin?
Ajo që po ndodh sot në Zvërnec nuk mund të lexohet e shkëputur nga mënyra se si është trajtuar territori gjatë viteve të fundit.
Hapat e parë për t’i hapur rrugë projekteve të mëdha në zona të ndjeshme nisën me tkurrjen e zonave të mbrojtura. Në janar 2022, përmes dy vendimeve të Këshillit të Ministrave, qeveria hoqi mijëra hektarë nga rrjeti i zonave të mbrojtura, duke reduktuar me rreth 20% sipërfaqen e tyre.
Pas këtyre ndryshimeve, zona të tëra në bregdet humbën statusin e mëparshëm të mbrojtjes. Kjo i hapi rrugë investimeve në hapësira si zona urbane e Ksamilit, plazhi i Manastirit, Pasqyrat, Pulëbardhat, Gjiri i Hartës, Gjiri i Marinës dhe Gjiri i Pemës së Thatë.
Në vitin 2024, ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura e çuan më tej këtë proces. Nën argumentin e zhvillimit të turizmit, u zgjeruan mundësitë për ndërhyrje dhe ndërtime në territore që më parë konsideroheshin të paprekshme ose me mbrojtje më të fortë.
Ndërlidhja mes ligjit për Investimet Strategjike dhe ligjit për Zonat e Mbrojtura është parë prej vitesh nga ekspertët e mjedisit dhe ekonomisë si një nga pikat më problematike të modelit të zhvillimit. Që në vitin 2021, nga 17 projekte të miratuara si investime strategjike, katër ndodheshin brenda ose pranë zonave të mbrojtura natyrore.
Një prej rasteve ishte Kepi i Stillos, poshtë fushës së Butrintit, ku parashikohej zhvillimi i një resorti luksoz me 636 vila. Një tjetër rast është Gjiri i Manastirit, i cili, ndonëse u minimizua publikisht si “një pikë e vogël”, po kthehet në një zonë të rënduar nga ndërtimi.
Në këtë kuptim, Zvërneci nuk është një rast i izoluar. Ai është pjesë e një modeli më të gjerë ku zonat me vlerë natyrore, publike dhe turistike trajtohen si hapësira të hapura për projekte zhvillimi, shpesh pa transparencë të plotë për publikun.
Mungesa e transparencës
Në vitin 2023, Citizens.al raportoi se ligji për investimet strategjike kishte shërbyer kryesisht për betonizimin e bregdetit, duke u dhënë investitorëve rreth 5.8 milionë metra katrorë tokë në të gjithë vendin.
Vetëm në bregdetin e jugut, rreth 1.6 milionë metra katrorë sipërfaqe u ishin dhënë investitorëve strategjikë përmes këtij ligji. Edhe pse ligji u miratua me argumentin e tërheqjes së investitorëve të huaj, deri në vitin 2023 vetëm 2 nga 44 projektet e miratuara rezultonin investime tërësisht të huaja.
Vitet e fundit, pasuri të rëndësishme natyrore dhe ekonomike, si Porti i Durrësit, Sazani dhe Zvërneci, janë futur në logjikën e investimeve të mëdha strategjike. Por këto procese janë shoqëruar nga mungesë transparence, informim i vonuar publik dhe paqartësi mbi përfitimin real të qytetarëve.
Rasti i Portit të Durrësit është një nga më domethënësit. Publiku nisi të njihej me planet për transformimin e portit vetëm pasi në rrjetet sociale qarkulluan pamje nga restoranti “Nusret” në Dubai, ku shfaqeshin zyrtarë të lartë shqiptarë me biznesmenin Mohamed Alabbar, themeluesin e Eagle Hills.
Në të njëjtën linjë, edhe projektet në Sazan dhe Zvërnec u bënë fillimisht të njohura për publikun përmes mediave ndërkombëtare. Në mars 2024, Bloomberg dhe The New York Times raportuan për planet e Jared Kushner në Shqipëri, përfshirë zhvillime turistike në Sazan dhe në zonën e Zvërnecit.
Edhe sot, paqartësia vazhdon të shoqërojë debatin për Zvërnecin. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas projektit qëndron Katari, ndërsa emrat realë të investitorëve mbeten të paqartë për publikun. Zona u rrethua me tela me gjemba, ndërsa autoritetet e paraqitën rrethimin si pjesë të punimeve përgatitore për rrugë dhe infrastrukturë.
Nga njëra anë flitet për investitorë strategjikë dhe negociata. Nga ana tjetër, vetë kryeministri ka pranuar se “nuk ka projekt” të miratuar, duke e përdorur këtë argument për të thënë se nuk mund të pranohet kërkesa e protestuesve për anulimin e tij.
Kjo ngre pyetjen kryesore: si mund të negociohet transformimi i një zone të mbrojtur, kur publiku ende nuk ka parë një projekt të qartë, dokumente të plota dhe vendimmarrje transparente?
Shqetësime për ligjin e investimeve strategjike nuk janë ngritur vetëm nga organizata apo aktivistë në Shqipëri. Kritika kanë ardhur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka theksuar se pjesa dërrmuese e projekteve u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit. Sipas raportit, kjo ka krijuar perceptimin se përfitues janë kryesisht kompani me lidhje të forta politike, më shumë sesa investitorë të huaj.
Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka deklaruar se procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit.
Problemi nuk është vetëm te një projekt, një resort apo një gardh. Problemi është te një model ku zhvillimi trajtohet si justifikim për të negociuar tokën publike, bregdetin, zonat e mbrojtura dhe pasuritë natyrore pa transparencë të mjaftueshme.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit. Citizens.al