Regjisorja nga Kosova, Blerta Basholli thotë se tri çmimet kryesore që i mori në festivalin “Sundance Film Festival” për filmin “Zgjoi”, i kanë hapur shumë rrugë dhe po planifikon që të angazhohet në projekte të ndryshme. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ajo kritikon institucionet e Kosovës që gjithmonë, siç thotë ajo, e lënë kulturën në fund të listës së prioriteteve. Sipas Bashollit, kinematografia e Kosovës gjendet në një pozitë të çuditshme dhe shton se duhen investime financiare më shumë në këtë fushë.
Radio Evropa e Lirë: Filmi “Zgjoi” me regji nga ju zonja Basholli, është thënë se ka bërë historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”. Si i keni pritur ju këto çmime?
Blerta Basholli: Për ne ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm kur jemi pranuar në festival, sepse për mua, ndoshta se kam studiuar në Amerikë, po “Sundance Film Festival”, gjithmonë ka qenë prioritet. Nëse më kanë pyetur, normalisht se ne e kemi edhe kompaninë që e bën shitjen e filmit dhe i bën marrëveshjet edhe me festivale, por vetëm për “Sundance Film Festival” kam dashur të përzgjidhem dhe u kam thënë se kam dëshirë të shkoj aty, e pastaj për të tjerët bëni strategji se kah mendoni të shkoni. Nuk është se kam pritur se do të marrim çmime, për të qenë e sinqertë, edhe pse pas premierës, pyetjet e audiencës edhe pse ka qenë online, më kanë bërë të ndiej se njerëzve filmi u ka pëlqyer dhe që u ka lënë një përshtypje në një mënyrë apo tjetër.
Mandej, pas premierës, na kanë thirrur dhe na kanë treguar se kemi marr çmimin e parë të regjisë. Ai ka qenë çmimi i regjisë më të mirë, që për mua ka qenë një çmim i jashtëzakonshëm dhe jam ndierë e nderuar dhe normalisht që jemi emocionuar shumë, se tash kur konkurron, ke një shpresë, por nuk kemi qenë të sigurt dhe as që kemi besuar se do të marrim çmimin. Të nesërmen pastaj na kanë treguar edhe për dy çmime të tjera. Në fillim nuk e kemi ditur se kemi bërë histori, për të qenë e sinqertë, sepse nuk është që e kam përcjellur ndonjëherë se kush sa çmime i ka marr në “Sundance”, por mandej kur i kemi parë lajmet, na është dukur edhe më mirë që një film nga Kosova, pak për shkak të temës, pak për shkak të vendit tonë, pak për shkak vetes, që përveç që i morëm çmimet dhe bëmë histori, besoj se kjo do të na ndihmojë shumë.
Radio Evropa e Lirë: A ju kanë hapur rrugë të reja këto çmime?
Blerta Basholli: Po, na kanë hapur shumë rrugë sepse kemi pasur shumë takime dhe ende vazhdojmë të kemi takime shumë, kryesisht me Amerikë, por jemi duke diskutuar edhe me disa kompani në Evropë. Momentalisht e kam bërë edhe ekipin rreth vetes, që e kam një menaxher dhe tre agjentë, të cilët tash do të merren me punë, të më gjejnë punë në filma dhe në seriale sepse dëshiroj që të orientohen pak edhe nga serialet. Unë më herët kam punuar, por kam punuar vetëm në seriale vendore. Tash po kam dëshirë të zhvilloj edhe diçka timen, por fillimisht ndoshta edhe të punojë në seriale të tjera, për të bërë përvojë ndërkombëtare, e më pas, me shpresë që ta zhvilloj edhe serialin tim.
Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, ku ndodhet sot kinematografia e Kosovës?
Blerta Basholli: Kinematografia e Kosovës është në një pozitë të çuditshme, do të thosha. Kjo për shkak se është bërë një hap shumë i mirë, një zhvillim shumë i mirë edhe nëse merret nga aspekti i Qendrës Kinematografike, siç janë përkrahur projektet, përzgjidhen projekte shumë të mira dhe atë nuk mund ta mohojë askush, sepse projektet që përzgjidhen nga Qendra Kinematografike, po kanë sukses secili, jo vetëm filmi “Zgjoi”, por pothuajse secili, sidomos po flas për filma të gjatë, se edhe filmat e shkurtër po kanë sukses, por sidomos filmat e gjatë, po shkojnë në një festival të madh dhe shpesh po sjellin edhe çmime, gjë që tregon se është duke u bërë një selektim i mirë dhe një mbështetje e mirë e projekteve.
Regjisorja Blerta Basholli gjatë xhirimeve të filmit “Zgjoi”.
Mirëpo, fondet që jepen nga Qendra Kinematorgafike nuk janë të mjaftueshme dhe kjo mendoj se është goxha problem. Kjo për shkak se për shembull, neve na i ka dhënë 140 mijë euro. Ju me 140 mijë euro, nuk je producent mjaftueshëm për të hyrë në ndonjë shtet tjetër që të punosh. Zvicra ka hyrë me ne në bashkëprodhim, mirëpo, Zvicra na i ka dhënë 100 mijë euro. Ata nuk kanë interes për të hyrë në bashkëprodhim, sepse faktikisht po janë të barabartë me ju në financa, nuk janë ata bashkëproducentë, por janë producentë.
E në njëfarë mënyre, ne kemi pasur fat, që kanë hyrë fonde zvicerane, por edhe televizioni. Në raste të tjera, nuk hynë shtete të tjera, për shembull Franca, Gjermania, nuk duan të dëgjojnë dhe tani ju e bëni filmin vetëm me shtete në rajon dhe e bëni me buxhet ultra të ulët, sepse buxhetet tona nuk quhen as buxhete të ulëta, por janë buxhete ultra të ulëta. Dhe njerëzit janë lodhur, do të thotë nuk po mundemi të formojmë ekip, nuk po mundemi ta formojmë industrinë e as kuadro. Njerëzit që kanë punuar me mua 4-5 vjet, sepse edhe unë kam punuar në gati të gjithë filmat që janë prodhuar pasi kam dëshirë të punoj në film, shumica e anëtarëve të ekipit tash ose kanë hyrë në televizion ose thjesht nuk duan të punojnë në filma, sepse nuk ka prodhim të mjaftueshëm, bëhet një film, më së shumti dy.
Radio Evropa e Lirë: Kjo pozita e çuditshme që thoni në kinematografinë e Kosovës, është për shkak të mungesës së buxhetit?
Blerta Basholli: Po sepse duhet të investohet. E çuditshme po them sepse është në pozitë të mirë, pasi po ka shumë suksese. Por, në anën tjetër, nuk është duke u zhvilluar, në kuptimin e industrisë. Unë punoj ndoshta që 10 vjet, jam kthyer në Kosovë dhe punoj në gati në çdo të dytin film dhe që 10 vjet, nuk po mundemi ta bëjmë ekipin, non-stop marrim njerëz nga Maqedonia e Veriut, nga Bullgaria, që i kemi kolegë dhe kalojmë shumë mirë me ta, sikurse edhe nga Shqipëria. Mirëpo, pse mos ta bëjmë edhe ne ekipin kur po bëhen kaq të mirë, kur ka regjisorë të mirë, aktorë të jashtëzakonshëm. Kemi njerëz të talentuar, problemi është se nuk ka stimulim që të prodhohet më shumë dhe që të zhvillohet industria. Industria nuk po zhvillohet, individualisht po kalojnë projektet, mirëpo industria dhe ekipi jo. E kam përshtypjen se ka stagnuar edhe pjesa tjetër sepse nuk vijnë më njerëzit për të punuar me entuziazëm, as unë nuk punoj më me entuziazëm. E kam bërë një film me entuziazëm, po nuk mundem më. Nuk mundem ta bëjë sepse është sakrificë e madhe, janë 5 vjet të jetës intensive, që ju ia kushton një projekti.
Radio Evropa e Lirë: A mund të nxirren më shumë rrëfime për filma nga lufta e Kosovës?
Blerta Basholli: Po, pa dyshim. Edhe si artist kur ta kërkojnë biografinë, kërkojnë që të kesh një histori dhe iu lë shumë më shumë përshtypje, kur ju keni kaluar në disa sfida të caktuara në jetë, në vendin ku jeni rritur dhe keni një kulturë … Unë mendoj se kemi shumë tema si të para luftës, si të luftës, normalisht edhe neve na duket që janë 20 vjet prejse u krye. Zakonisht për film thuhet – e nuk do të thotë se është ashtu sepse ajo është relative – se pas 50 vjetësh, del filmi i mirë se edhe dihen faktet realisht, se pak më shumë i distancuar prej asaj që ka ndodhur, në anën tjetër lindin ide më të mira. Mendoj se lufta, në kuptimin e filmave, të jep shumë mundësi dhe shpresoj të bëhen sa më shumë filma.
Fotografi nga xhirimet e filmit “Zgjoi”. Ky film, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes.
Radio Evropa e Lirë: A duhet vetëm lufta të sjellë filma apo ka edhe tregime tjera?
Blerta Basholli: Mendoj se kemi shumë tregime. Ne kemi tregime të paraluftës, të luftës, e të pasluftës dhe kemi tregime të ditëve të sotme. Pak e kam përshtypjen që jemi tekur me disa tema që lidhen me luftën, mirëpo në të njëjtën kohë, nuk janë bërë mjaftueshmë filma për luftën, që edhe të depërtojnë. Mirëpo, unë mendoj se ka tema dhe e mira është që po shoh se ka regjisorë të rinj, sepse jam edhe ligjëruese e jashtme në Fakultet të Arteve, dhe po shoh se studentët po kanë tema shumë më kreative. Dikush ka dëshirë të bëjë film horror, dikush ka dëshirë të bëjë dramë, komedi, e dikush edhe filma fantazi, e që normalisht, ata nuk kanë shumë shpresë sepse mund t’i bëjnë këtu. Unë sa po mundem po i motivoj, pasi mendoj që fillimisht mund të bëjnë diçka më të thjeshtë, të tregojnë se dijnë të bëjnë dhe pastaj të depërtojnë edhe me fonde të jashtme. Kështu që ka tema shumë dhe regjisorët e rinj kanë interes për të bërë filma.
Radio Evropa e Lirë: Sa është prezente Kosova në arenën ndërkombëtare me filma?
Blerta Basholli: Jo aq sa ka potencial në kuptimin artistik dhe intelektual të fjalës. Mirëpo, në aspektin e festivaleve, mendoj se jemi goxha të pranishëm edhe që kjo prani veç po rritet. E thash edhe më herët se secili film po udhëton në festivale dhe atë në festivale të mëdha e të rëndësishme të botës, dhe që është shumë e vështire të hysh aty ku konkurrojnë 10 mijë filma nga e gjithë bota. Kështu që në aspektin e festivaleve, goxha mirë po arrijnë, por mendoj se duhet një motor, e ai motor është financiar sepse nga financat rritet industria, nga industria rritet ekipi, pastaj rritet prodhimi, rritet prodhimi i zhanreve të ndryshme dhe filmat mund të depërtojnë. Nëse mbesim vetëm në atë nivelin ultra të ulët të buxhetit për film, nuk e di sa do të na mbajë kjo.
Radio Evropa e Lirë: A bëhet puna e duhur në institucionet e Kosovës për zhvillim e artit në Kosovës?
Blerta Basholli: Jo. Unë vet kam qenë drejtoreshë e kulturës në Komunën e Prishtinës për dy vjet dhe aq sa kam ditur, jam munduar të ndryshoj diçka. Mirëpo unë e kuptoj që Kosova ka shumë probleme në shëndetësi, në arsim, në ekonomi, mirëpo ne nuk mund të presim të zhvillohet shëndetësia, arsimi dhe ekonomia, e pastaj kultura. Mendoj se shteti duhet të zhvillohet paralelisht, e kush mundet më mirë sesa kultura ta promovojë shtetin. Edhe sporti, por me sport qëndrojmë më mirë edhe me investime dhe depërtim në botë. Te kultura edhe në ministri e drejtori, në çdo departament që ka të bëjë me kulturën, e kam përshtypjen që gjithmonë është në listën e fundit të prioriteteve deri tash të çdo qeverie. Unë mendoj se nuk bëhet mjaftueshëm, duhet të bëhet shumë e më shumë. Kemi nevojë të investojmë si në trashëgimi, kulturë si në të gjitha artet pamore dhe jo vetëm në film.
Këngëtari shkodran Alis ka rrëmbyer çmimin e parë të Festivalit të 64 të Këngës në RTSH më këngën “Nân”, duke fituar si zemrat e publikut, ashtu edhe vlerësimin maksimal të jurisë.
Ky sukses i siguron artistit të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2026, që do të zhvillohet në Vjenë, Austri.
Performanca e Alis u veçua për potencën vokale të jashtëzakonshme, interpretimin unik dhe një mesazh universal për dashurinë, duke e bërë këngën “Nân” të prekë publikun në mënyrë të veçantë. Emocioni dhe energjia që Alis transmetoi në skenë krijuan një moment të paharrueshëm të natës finale, i shoqëruar me ovacione dhe duartrokitje të gjata.
Alis grumbulloi 152 pikë nga kombinimi i votave të publikut dhe pikëve të jurisë.
Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me 102 pikë, ndërsa Sheila u pozicionua në vendin e tretë me 93 pikë.
Gruaja që u përfshi në skandalin e “kiss cam” të Coldplay ka thyer heshtjen e saj, disa muaj pas klipit 16-sekondësh që u bë viral dhe i “shkatërroi jetën”.
The Mirror shkruan se, polemika filloi në korrik të vitit 2025, kur një klip i shkurtër nga një shfaqje e Coldplay në Boston tregoi Cabot, atëherë drejtuese e Burimeve Njerëzore në kompaninë teknologjike Astronomer, në krahët e shefit dhe CEO-s së saj të atëhershëm, Andy Byron, në një “kamerë puthjeje” në stadium.
Rastësisht, vokalisti i grupit Chris Martin tha me shaka: “Ose po kanë një aferë ose janë thjesht shumë të turpshëm”. Sapo çifti pa veten në Jumbotron, të dy u larguan – por pamjet shpërthyen në mediat sociale.
Ajo që pasoi ishte një krizë e madhe në kompani, ku si CEO-ja ashtu edhe Cabot dhanë dorëheqjen nga rolet e tyre pasi u zbulua se ishin martuar. Prapa skenave, dy familje mbetën të tronditura nga momenti që bëri bujë në internet.
Ndërsa duket se Andy Bryron është ende i martuar me gruan e tij Megan Kerrigan, Cabot paraqiti kërkesë për divorc vetëm disa javë pas kësaj mosmarrëveshjeje.
Në intervistën e saj të parë që nga skandali, Cabot nuk hezitoi të pranonte rolin e saj në atë që ndodhi. Ajo tha se momenti ishte rezultat i pirjes së “disa High Noons” – një pije alkoolike – dhe vallëzimit me shefin e tyre, një zgjedhje që ajo tani e quan një “vendim të keq”.
“Mora një vendim të keq dhe pata disa momente të vështira… Mora përgjegjësi dhe hoqa dorë nga karriera ime për këtë. Ky është çmimi që zgjodha të paguaj”, tha ajo për The New York Times.
Pasojat ishin të menjëhershme. Cabot dha zyrtarisht dorëheqjen nga roli i saj në Astronomer më 24 korrik 2025, menjëherë pasi incidenti u bë viral dhe shkaktoi një hetim të brendshëm. Byron gjithashtu dha dorëheqjen si CEO pas kësaj polemike.
Duke pranuar me trishtim se ai moment ia kishte shkatërruar jetën, ajo shtoi me mosbesim: “Nuk jam ndonjë personazh i famshëm, jam thjesht një nënë nga New Hampshire. Edhe nëse kam pasur një aferë, nuk është puna e askujt.”
“Ka qenë si një letër e kuqe e ndezur; njerëzit fshinë gjithçka që kisha arritur në jetën time dhe në karrierën time. Kjo nuk mund të jetë fjala e fundit.”
Ajo që filloi si një moment i sikletshëm, por i shkurtër, shpejt u përshkallëzua në një rrëmujë globale me pasoja në botën reale. Cabot tha se ajo dhe familja e saj u përballën me ngacmime të forta në internet, duke përfshirë kërcënime me vdekje dhe doxxing, me disa javë që sollën qindra telefonata të padëshiruara çdo ditë dhe paparacët jashtë shtëpisë së saj.
Ajo zbuloi se shqyrtimi publik ndikoi edhe te fëmijët e saj, të cilët ngurronin të shiheshin me të në publik dhe kishin frikë për sigurinë e tyre. Cabot tha se një mesazh zanor – një mesazh kërcënues që fëmijët e saj adoleshentë e dëgjuan rastësisht – shënoi një pikë kthese dhe “atëherë rrotat ranë nga karroca”.
Duke pranuar se ishte në një “vend shumë të errët” për t’u bërë prind, Cabot shkoi në një Airbnb në malet e New Hampshire për disa ditë. Ajo tha: “U bëra një meme, menaxherja më e përgojuar e Burimeve Njerëzore në historinë e Burimeve Njerëzore. Mendoj se si grua, siç bëjnë gjithmonë gratë, pranova pjesën më të madhe të abuzimit. Njerëzit thoshin gjëra të tilla si isha një ‘kërkuese ari’ ose ‘flija deri në majë’, të cilat thjesht nuk mund të ishin më larg realitetit.”
Tani, muaj më vonë, pasi i thanë se është ‘e papunë’, ajo i tha Times se kjo përvojë nuk ka mbaruar. Përveç punës, ajo ka humbur edhe miq, dhe fëmijët e saj janë shumë të turpëruar që ajo t’i çojë në shkollë ose në ngjarje sportive. Ajo tha: “Ata janë të zemëruar me mua. Dhe mund të jenë të zemëruar me mua për gjithë jetën e tyre – duhet ta duroj këtë .”
Përtej kërcënimeve, Cabot ka folur edhe për natyrën gjinore të reagimit – duke ndjerë se ajo mbajti një pjesë disproporcionale të dënimit publik dhe fyerjeve seksiste krahasuar me homologun e saj mashkull, pavarësisht se të dy ishin në një situatë të ngjashme.
Përveç abuzimit të tmerrshëm në internet, ajo tha se nënat ende bëjnë thashetheme për të te porta e shkollës – dhe të huajt bërtasin abuzime të shëmtuara në rrugë.
Cabot kishte kërkuar divorc nga bashkëshorti i saj disa javë pas incidentit, të cilin ajo tha se nuk kishte qenë “asgjë tjetër veçse një zotëri” pas gjithçkaje që kishte ndodhur.
Ajo shpjegoi se ajo dhe Andy zbuluan rreth një muaj para koncertit, tashmë famëkeq, se ishin ndarë nga partnerët e tyre – Kristin nga bashkëshorti i saj Andrew, drejtor ekzekutiv i një distilerie familjare, Privateer Rum, dhe Andrew nga gruaja e tij, Megan, një mësuese shkolle.
Cabot pranoi: “Të kesh dikë tjetër që po e kalonte këtë në të njëjtën kohë me të cilin mund të flasësh ishte një mbështetje e jashtëzakonshme.”
Ajo zbuloi se ndjenjat e saj ndaj shefit të saj shpejt u shndërruan në “një dashuri të madhe dhe të lumtur” – dhe kur shoqet e saj i ofruan dy bileta falas për të parë Coldplay, ajo ia ofroi tjetrën atij.
Ajo zbuloi gjithashtu se natën në fjalë, vajza e saj 14-vjeçare i kishte dërguar një mesazh për ta njoftuar se edhe bashkëshorti i saj i dytë, Andrew, do të ishte atje – duke zbuluar më vonë nga një shoqe se ai ishte atje në një takim të parë.
Kristin vendosi mes pasojave të menjëhershme se donte që fëmijët e saj ta dinin para të tjerëve, por tha se vajza e saj “shpërtheu në lot, duke thënë: ‘Mendoj se kjo do të thotë që vërtet po divorcohesh atëherë ‘”. Ndërsa djali i saj u përpoq ta bindte se e gjithë kjo rrëmujë “ndoshta do të zhdukej”.
Duke përshkruar marrëdhënien e saj në zhvillim e sipër me Byron-in, nëna thotë se kontakti i tyre është zvogëluar që atëherë, pasi ato ranë dakord se komunikimi i kufizuar ishte më i shëndetshëm për të gjithë të përfshirët.
Pavarësisht pengesës profesionale dhe talljes globale, Cabot tha se shpreson që përvoja e saj të shërbejë si një moment mësimor, veçanërisht për fëmijët e saj.
Nëna tha se dëshiron që ata ta kuptojnë se, ndërsa “mund të bësh gabime dhe të gabosh vërtet”, njerëzit nuk duhet të përballen me kërcënime me vdekje ose kërcënime për sigurinë e familjeve të tyre për ato gabime.
Ajo pranoi me lot në sy në intervistën e fuqishme se ka një dëshirë për të ardhmen: “Duhet të jemi më të sjellshëm me njëri-tjetrin, jo ta shkatërrojmë vazhdimisht njëri-tjetrin”. bw
Ata ndërtuan ura në Shqipërinë e pasluftës por u ekzekutuan për një kënetë. Historia megjithatë ende u referohet si sabotatorë dhe meritë për këtë ka propaganda komuniste që në ditët tona përhapet ende përmes filmave.
Një takim mbi filmin “Vitet e para” vuri përballë faktet e propagandën. Filmat e ish-Kinostudios vijojnë të përballen me kritika sa i takon propagandës komuniste që përçojnë.
Klubi i Filmit “Mësojmë nga e kaluara” i ngritur nga Autoriteti i Dosjeve, shfaqi filmin “Vitet e para” dhe diskutoi me të rinjtë manipulimin historik që përcjell përmes përbaltjes së inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, që cilësohen ende si sabotatorë. Për Autoritetin filmat përballen me dokumentet.
Ndërsa u lexua një kumtesë e studiueses Sonila Boçi, që argumentonte se dënimi i inxhinierëve të Maliqit qe pjesë e justifikimeve për dështimet e regjimit komunist, nipi i inxhinierit Abdyl Sharra, kërkoi shfaqjen e filmave me një sqarim që ndalon përbaltjen e akuzimin e inxhinierëve si tradhtarë të vendit.
Ai renditi urat që kanë ndërtuar inxhinierët që u ekzekutuan si tradhtarë e sabotatore nga regjimi komunist.
Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Vasil Mano dhe Zyrika Mano qenë inxhinierët e angazhuar me tharjen e Kënetës së Maliqit. Pas një gjyqi pak ditor, të kryesuar nga një nënkolonel dhe dy kapitenë ushtarakë, një vendim 4 faqesh, pa argumente juridikë, I dënoi ata me vdekje pse nuk thahej këneta.
Klubi i filmit shfaqi dokumente arkivore dhe analiza të studiuesve të historisë dhe të artit duke sjellë këndvështrimet e tyre mbi ideologjinë artin e kinemasë. bw
Të them të drejtën, u çudita mjaft, madje gati m’u fut “llapa mren”, kur çova kanalin tek RTSH për të ndjekur Festivalin e Këngës. Se këta të TVSH së bëjnë edhe të pamundurën për të të çuditur.
-Vezë doni?
-Meqë është gjella më operative dhe me kalori…
Fillimisht mendova se kisha ngatërruar frekuencën. Sepse m’u krijua ideja fikse se po shihja “Portokallinë”. Mënyra e të folurit, lloji i humorit, lëvizjet dhe ritmi, gjithçka më dukej e huaj për një mbrëmje që, të paktën në kujtesën kolektive, kishte qenë gjithmonë diçka tjetër.
-Ç’ne “Portokallia në mesjavë?”, mendova. Jo si shaka pa formë, por si një pavëmendje e hutueshme. Është, – pak a shumë, – si të hysh në një godinë publike dhe të gjesh të varur një tabelë private: Këtu jepen rrogat e traktoristëve.
-Rrusht Mezini…
-Këtu… Unë jam Rrusht Mezini.
-Jeni lodhur shoku Jorgo.
-Epo nuk i thonë shaka. Paraja është punë me përgjegjësi…
Këto janë batuta filmash. Por në realitet është ai çast kur kupton se problemi nuk është më forma, por identiteti.
– Mirë atëherë, konferencier i koncertit të jetë Agimi i cirkut, – sugjeronte Andi këngëtari Sotirin, që ishte drejtori i Pallatit të Kulturës.
-Agimi… ai karagjozi? – u pataks Sotiri.
– Kurrë! Unë në skenë dua seriozitet.
Batutat janë shkëputur nga filmi i njohur i regjisorit Bujar Kapexhiu, “Edhe ashtu, edhe kështu”, por që nuk di pse m’u dukën shumë të volitshme për këtë rast.
Sepse Festivali i Këngës nuk është thjesht një spektakël argëtimi. Është një ritual televiziv, një ngjarje me gravitet kulturor, me kodet dhe solemnitetin e vet. Ose të paktën kështu ka qenë. Kur ky ritual fillon të flasë me gjuhën e varietesë, kur humori i shpejtë zë vendin e heshtjes solemne dhe improvizimi televiziv zëvendëson peshën artistike, atëherë nuk kemi më një risi, por një zhvendosje.
Dhe kjo zhvendosje nuk është faji i atyre që vijnë nga jashtë. Ata bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Faji është i një televizioni publik që nuk di më të dallojë mes roleve, mes skenave, mes zhanreve. Që ngatërron festivalin me “show” n, trashëgiminë me audiencën, identitetin me klikimin.
Dhe kështu vazhdon të huazojë. Një herë Arbanën, një herë Salsanon. Nesër, pse jo, me siguri TVSH do të ofertojë edhe Ledionin.
– Ec e na jep një dorë në malore.
Jo sepse ata nuk janë profesionistë, por sepse TVSH sillet si një institucion që ka hequr dorë nga vetja.
– Përpara ca kohësh shoku Lelo na solli një yll të ri nga Durrësi. Pastaj një tjetër nga periferia e Fierit. Tani ylli i ri na erdhi nga fshati.
Ca e çuditshme kjo, apo jo? – shprehte pakënaqësinë e tij një si punë drejtor kuadri në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, pikërisht tek filmi “Shkëlqim i përkohshëm” i regjisorit Albet Xholi, ku Dane mavriu mori rolin e portierit të ekipit, që qytetarët e provincës nisën ta quanin me shaka “Zenga i ekipit”.
-S’ka asgjë për t’u çuditur. Puna për kompletimin e ekipit vazhdon, – u justifikua Leloja, që ishte kompetent, si trajneri i sportklubit të madh të futbollit me emrin “Fitorja” dhe që donte të sillte në qytet të fejuarin katundar të mbesës infermiere.
TVSH, si një institucion mediatik që ka me qindra punonjës, dekada histori, arkivë të pamasë, që është shkollë dhe përvojë, tanimë nuk arrin të prodhojë dot as folës lajmesh me profil të qëndrueshëm, as moderatorë spektaklesh me peshë publike.
Si konkluzion, më rezulton se TVSH është një institucion i “thym n’mes”. Një trup gjigant që nuk mbytet nga stuhitë e mëdha, por nga një pikë uji e vetme, e përditshme, gërryese. Televizioni publik, ai që mbahet me taksat tona dhe që, teorikisht, duhet të jetë streha e prodhimit kombëtar, vazhdon prej vitesh të jetë i paralizuar, i mbytur jo nga mungesa e fondeve, por nga mungesa e vizionit.
Spektakli më i madh i vitit në ekranin publik, që duhet të jetë vitrina e kapaciteteve të vetë institucionit, në edicionin e 64 të saj, bashkëdrejtohet nga Salsano i “Portokallisë”. Një zgjedhje që nuk është thjesht një emër, por një simptomë. Sepse pyetja nuk është: pse Salsano? Por pse gjithmonë dikush nga jashtë.
Ky huazim i përhershëm është në fakt pranim dështimi. Është dëshmi se televizioni publik nuk investon më në njerëzit e tij, nuk ndërton figura, nuk krijon identitet. Ai funksionon si një sallë pritjeje, ku vijnë të ftuar nga televizione private për të mbushur boshllëkun që vetë institucioni ka krijuar.
Ndërkohë, TVSH vazhdon të jetë në fund të rreshtit edhe në programacion. Një film ose e sheh një herë në tri ditë, ose dy herë në të njëjtën ditë, sikur koha të ishte e palëvizshme dhe publiku pa kujtesë. Arkivi, pasuria më e madhe e këtij institucioni, qëndron ende i pluhurosur. Platforma “Teatri në ekran” vazhdon të jetflejë në bobinat e viteve ‘70, të padigjitalizuara, të padukshme për brezat e rinj, sikur këto regjistrime të ishin një relike muzeale dhe jo një detyrim publik.
TVSH nuk është më në krizë. Kriza presupozon një përpjekje për të dalë prej saj. TVSH është në një gjendje inerte, ku çdo vit përsërit të njëjtën skemë dhe çdo vit e quan “normalitet”.
Kjo është TVSH ja sot. Dhe me sa duket, nëse nuk ndryshon mënyra e të menduarit dhe jo thjesht emrat në ekran, kjo do të mbetet TVSH ja edhe nesër: një organizëm i madh, i lodhur, që mbytet nga një pikë uji, sepse ka harruar si të notojë vetë.
Tani është zyrtare që vendet që do të marrin pjesë në Eurovision 2026 , i cili do të mbahet në Vjenë, pas tërheqjeve që ndodhën për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit në konkurs, janë 35. Ky është numri më i ulët i pjesëmarrjeve në historinë e këtij konkursi muzikor.
Sipas postimit në faqen zyrtare të Eurovision në Instagram, vendet janë: Shqipëria, Armenia, Australia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Izraeli, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, San Marino, Serbia, Suedia, Zvicra, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.
Eventi i 70-vjetorit do të zhvillohet në maj. Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet më 12 maj, gjysmëfinalja e dytë më 14 maj dhe finalja e madhe do të mbahet më 16 maj. gsh
Në dasmat në Drenicë dhe Llapushë, Behlul (Karaçica) Lahuta kur këndonte me lahutën e tij,në shenjë nderimi,grukëholla i fikte të gjitha llambat në odën e burrave
Rapsodi i njohur Behlul (Karaçica) Lahuta erdhi në shekullin e kaluar nga fshati Karaçicë në Sankofc të Drenicës dhe,me dy djemtë e tij Danin dhe Banushi,e nisi jetën në bujqësi e blegëtori rrëzë Galeshit.
Plaku Behlul Karaçica me veti kishte sjellë lahutën me dhjetëra këngë të frymës së historisë shqiptare, që, përmes një teli të kësaj vegle muzikore kordofone, u bë i njohur në Drenicë dhe Llapushë.
Në dasmat e gëzimit,rapsodi i lahutës këndonte falas dhe,në shenjë nderimi për këngët dhe melodinë e akorduar me mjeshtri të rrallë,në Drenicë, filluan të thërrisnin me zërin e një ,,akordi,,të burrërirë,Behlul Lahuta i Sankofcit…! Këngët e kënduara me lahutë, Behlul Lahuta bëri emër për të mirë në odën e burrave të dasmës shqiptare.
Kënga e rapsodit Behlul Lahuta dhe zëri i tij me vokalin epik të kohës me telin e lahutës, në Drenicë dhe LLapushë, thuhej se kur këndonte këngët me motive për trimërinë e Kosovës, grykëholla i fikte të gjitha llambat në odën e dasmave!
Behlul Lahuta i Sankofcit mbeti në kronikat e kohës si lahutar i parë për këngët e historisë shqiptare dhe rapsodi i vetëm si mjeshtër i kësaj vegle të traditës së folklorit edhe në Drenicë.
Fryma, akordimi, vokali i këngëve të Eposit të Kreshnikëve dhe historia shqiptare në lahutën e rapsodit Behlul (Karaçica) Lahuta nga Sankofci i Drenicës, ka zënë vend në ruajtjen e trashëgimisë shqiptare të UNESCO-s.
Katy Perry ka ndarë fotot e para me Justin Trudeau në Instagram nga udhëtimi i tyre në Japoni, vetëm disa ditë pas daljes së tyre të parë zyrtarisht si çift.
Dyshja u takua me ish-kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, dhe bashkëshorten e tij, Yuko, gjatë një dreke zyrtare.
Këngëtarja publikoi disa foto dhe video nga vizita në Tokio, ku shfaqet së bashku me ish-kryeministrin e Kanadasë, të cilin e shoqëroi me mbishkrimin: “Momente nga turneu në Tokio dhe më shumë”.
Në fund të tetorit, çifti bëri publike lidhjen e tyre, pasi u shfaqën së bashku duke dalë nga kabareja “Le Crazy Horse” në Paris, ku festuan ditëlindjen e Perry-t.
Këngëtarja kishte njoftuar më herët ndarjen nga aktori britanik Orlando Bloom, me të cilin ka një vajzë pesëvjeçare, Daisy Dove Bloom, më 4 korrik.
Nga ana tjetër, Trudeau kishte bërë të ditur ndarjen nga bashkëshortja e tij prej 18 vitesh, ish-modelja dhe moderatorja Sophie Grégoire, në gusht të vitit 2023. Çifti ishte martuar në vitin 2005 dhe kanë tre fëmijë. gsh
Pas muajsh mospajtime, shumica e anëtarëve të Unionit të Transmetuesve Evropianë (EBU) u pajtuan që të ndryshojnë rregullat e votimit, që do t’i mundësojnë Izraelit të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës, Eurovision në maj.
Kjo nënkupton se të gjitha shtetet që duan të marrin pjesë në garën muzikore mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Pas këtij vendimi, organizatat transmetuese nga Spanja, Irlanda, Holanda dhe Sllovenia njoftuan më 4 dhjetor se do ta bojkotojnë këtë ngjarje.
Transmetuesi spanjoll, RTVE është një nga pesë financuesit kryesorë të ngjarjes. Ndërsa, Avrotos nga Holanda tha se vendimi ishte “rezultat i një procesi të kujdesshëm”.
Sllovenia tha se vendimin e mori për shkak se “nuk marrin pjesë në Eurovision nëse Izraeli merr pjesë. Në emër të 20 mijë fëmijëve që vdiqën në Gazë”, tha kryetarja e bordit të transmetuesit publik slloven, Natalija Gorscak.
EBU dhe ORF e Austrisë, si transmetues mikpritës, kanë zhvilluar diskutime të shumta javëve të fundit për të parandaluar bojkotin.
Një nga mesazhet kryesore ishte se spektakli më i madh muzikor në botë është një ngjarje e organizuar nga transmetues publikë dhe kjo ngjarje nuk duhet të jetë politike.
EBU gjithashtu kishte ndryshuar rregullat për votimin në Eurovision.
Tani publiku ka më pak ndikim, ndërsa roli i jurisë në dy gjysmëfinalet dhe në finale është forcuar.
Ndryshimet erdhën si reagim ndaj rezultatit të Eurovisionit që u mbajt në Bazel, ku këngëtarja izraelite, Yuval Raphael doli e dyta falë numrit jashtëzakonisht të lartë të votave nga publiku.
Dyshohej se votimi ishte bazuar në një mobilizim strategjik të shikuesve në favor të Izraelit.
Një Wolfgang Amadeus Mozart 4-vjeçar ulet në një tavolinë, zhyt me ngathtësi stilolapsin në bojën e shkrimit dhe kompozon një koncert për piano. Babai i tij shqyrton kompozimin dhe shpërthen në lot për shkak të aftësisë së djalit të tij.
Kjo skenë përshkruhet në një letër nga një mik i familjes Mozart, një nga 12 letrat që “Fondacioni Ndërkombëtar Mozarteum” në Salzburg i mori si dhuratë nga një familje koleksionistësh në Këln t[ë Gjermanisë.
“Nuk do të kishim mundur ta blinim këtë koleksion”, tha Ulrich Leisinger, drejtor akademik i “Fondacionit Mozarteum”.
Dokumentet nga familja Mozart, nga koleksioni i Hans Joachim Eggers, përbëjnë shtesën më të rëndësishme për “Mozarteum” në 100 vitet e fundit. Eggers, një virolog që vdiq në vitin 2016, kishte kaluar 30 vite duke ndërtuar koleksionin më të rëndësishëm privat të Mozartit në Gjermani.
Trashëgimtarët e tij tani kanë përmbushur dëshirën e tij për t’i kaluar këto vepra tek fondacioni.
Fondacioni zotëron koleksionin më të madh në botë të dokumenteve origjinale të Mozartit. Ai përbëhet nga më shumë se gjysma e të gjitha dokumenteve të njohura të familjes Mozart, duke përfshirë rreth 200 letra origjinale nga vetë Mozarti.
Dokumentet e reja do të jenë në ekspozitë në shtëpinë e kompozitorit të madh në qytetin austriak deri më 1 shkurt.
I lindur në Salzburg në vitin 1756, Mozart konsiderohet si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të periudhës klasike. bw
Të nderuar kryeministra, ministra, drejtorë institucionesh, federacione futbollesh, media audio-vizive, organizatorë koncertesh, eventesh, banketesh, regjistrimesh, artistë që luani në rrugë, apo në kisha dhe salla të tjera etj., etj., etj.,
Kur përdorni në të gjithë botën muzikën e Feim Ibrahimit, jeni të lutur t’i drejtoheni fondacionit kulturor “Feim Ibrahimi”, për të marrë lejen e përdorimit të saj!
Nuk është pronë e juaja, por është pronë e këtij fondacioni!
Nuk keni asnjë të drejtë përdorimi, pa lejen e shkruar të fondacionit dhe pa paguar tarifën përkatëse për përdorimin e kësaj muzike!
E vetmja organizatë që mund të japë leje për përdorimin e saj (me, ose pa pagesë, si ta shikojë të arsyeshme drejtuesi i kësaj organizate), është pikërisht fondacioni “Feim Ibrahimi” dhe vetëm ai ka të drejtë t’ju autorizojë, si drejtpërdrejt, ashtu edhe nëpërmjet agjencisë së administrimit kolektiv “Albautor”, për ta interpretuar atë, duke specifikuar në çdo publikim tuajin, autorësinë e saj!
Edhe në rastet kur muzika e Feim Ibrahimit është pjesë e koncerteve me vepra të autorëve të ndryshëm, jeni të detyruar, përveç se të merrni autorizimin e fondacionit, të plotësoni gjithashtu formularët e posaçëm dhe të paguani detyrimin ekonomik, për t’u pajisur nga SUADA me autorizimin për përdorimin e muzikës në koncerte, apo evente të çdo lloji.
Jeni të lutur të zbatoni ligjin shekullor të së drejtës së autorit!
Me zërin që i dridhej dhe lotët që nuk i pushonin, këngëtarja Big Mama ka mbajtur një fjalim lamtumire në ceremoninë mortore për Shpat Kasapin, i cili u nda nga jeta papritur në moshën 40-vjeçare.
Në mesazhin e saj, artistja nga Tetova tha se “Shpat Kasapi nuk ka vdekur”, pasi ajo që ka lënë pas do të jetojë përgjithmonë.
“Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”, tha Big Mama mes lotësh.
Ajo kujtoi edhe fillimet e jetës artistike me Shpat Kasapin, që kur ishin fëmijë. “Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk qenë vetëm, skenë, ka qenë vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë, si artistë. Kemi ndarë ëndrra, frikë dhe gëzim. Këtu kemi rritur, talentin, shpresat dhe miqësinë tonë. Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk ka qenë thjesht skenë, por vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë”, deklaroi Big Mama.
Më tej ajo u shpreh: “Sot nuk kam fjalë për ta përshkruar boshllëkun që na ka lënë. Na ike shumë herët, shumë padrejtësisht, por kujtimi i tij do të rrojë në zemrat tona në cdo melodi që ai këndoi, në cdo buzëqeshje që na dhuroi dhe në cdo skenë, emri i tij do të përmendet gjithmonë. Shpat, miku im, kemi nisur bashkë prej këtu dhe sot prej këtu po të them lamtumirë. Do të na mungosh në cdo hap, në çdo moment e kujtim. Por ti nuk ke vdekur kurrë, zëri yt, shpirti yt, e gjithë dashuria që ke lënë pas do të jetojë përgjithmonë. Sot nga kjo skenë ku nisëm si fëmijë, po të lëshoj me lot, por të mbaj me shpirt. Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”.
Këngëtari Shpat Kasapi u përcoll me duartrokitje nga Pallati i Kulturës në Tetovë, ndërsa arkivoli me trupin e pa jete ishte i mbuluar me flamurin shqiptar. gsh
TETOVË- Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u zhvillua sot ceremonia mortore për këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 40-vjeçare. Qysh në orët e para të mëngjesit, familjarë, miq, bashkëpunëtorë të afërt dhe adhurues të muzikës së tij u mblodhën për t’i bërë nderimet e fundit artistit.
Atmosfera ishte e rënduar, ndërsa dhjetëra persona u panë me lot në sy teksa kalonin pranë arkivolit për të përshëndetur për herë të fundit këngëtarin që shoqëroi me muzikën e tij një brez të tërë shqiptarësh.
Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe emra të njohur të skenës, si Blero, Adelina Tahiri, Big Mama dhe Dafina Zeqiri, të cilët u bashkuan me familjen e Kasapit për të nderuar karrierën dhe kontributin e tij në muzikën moderne shqiptare.
Pas homazheve në Pallatin e Kulturës, trupi i Shpat Kasapit pritet të përcillet për në banesën e fundit, ndërsa qyteti i Tetovës është mbuluar nga një atmosferë zie për humbjen e artistit të dashur.
Komentet