VOAL

VOAL

Indianët e Nju Jorkut mbidhen së bashku në festivalin ‘Pow Wow’

August 3, 2015

Komentet

A është Perëndimi i drejtë ndaj Kosovës?

Qasja e Francës dhe e Gjermanisë përmes kushtëzimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) me hedhjen e hapave drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është për t’u admiruar, sidomos për faktin se ato janë të bindura se Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj organizate, se ato janë vende të QUINT-it, dhe se flasin me plot gojën në mbështetje të Kosovës – kështu vlerëson Engjëllushe Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ajo pohon se njoftimi i Kosovës se po përgatit një draft-statut për themelimin e “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, duhet të jetë argument i mjaftueshëm për Perëndimin, sepse, sipas saj, tregon gatishmërinë e Kosovës për t’i adresuar brengat rreth komunitetit serb.

“Secila lëvizje, sado e vogël të jetë, në drejtim të formimit të Asociacionit, do të mjaftojë në këto momente”, thotë Morina për REL-in. Sipas saj, ky është momenti kur duhet të përkrahet Kosova, pasi anëtarësimi në Këshill – organizatën lidere për të drejta të njeriut – do të sillte shumë përfitime për qytetarët e këtij vendi, përfshirë minoritetet.

Por, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, nuk është optimist.

“Jam skeptik, duke marrë parasysh se refuzimi i Qeverisë së [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të prezantuar draftin e vet, ka shtyrë [të dërguarin evropian për dialog, Mirosllav] Lajçakun dhe QUINT-in të hartojnë propozimin e tyre, dhe për faktin që Prishtina po kërkon nga Berlini, Parisi dhe Roma të votojnë këtë javë për diçka që do të mund ta shohin më vonë”.

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës do të mblidhet më 16 dhe më 17 maj. Kosova nuk është në agjendë, dhe ka pak mundësi të futet.

I pyetur nëse vendimi i Kosovës për të hartuar një draft-statut për Asociacionin do ta bindë Francën dhe Gjermaninë, Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet thotë për Radion Evropa e Lirë se diplomacia ka të bëjë me argumentim, ndonëse, sipas tij, letra që Kosova ia ka shkruar Këshillit të Evropës për hapat drejt Asociacionit, ka ardhur pak me vonesë.

“Kosovës i nevojiten argumente të forta, ajo i ka ato… I takon Qeverisë së Kosovës që t’i bindë të gjithë se është serioze, se ka qenë serioze në muajt e fundit”, pohon Knaus, i cili beson se Asambleja Parlamentare e KiE-së e ka thënë fjalën e vet, kur më 16 prill e ka mbështetur raportin e deputetes greke, Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

“Nëse Komiteti i Ministrave nuk e respekton rekomandimin e Asamblesë Parlamentare, atëherë kemi një krizë. Nuk është krizë për Kosovën, është krizë për institucionin”, vlerëson Knaus.

Ndërtesa e Këshillit të Evropës. (Foto: Reuters)

Ndërtesa e Këshillit të Evropës. (Foto: Reuters)

Pse kjo qasje e Perëndimit ndaj Kosovës?

Analisti Weber beson se Perëndimi ka pasur në vazhdimësi qasje të padrejtë ndaj Kosovës në vitet e fundit, dhe, sipas tij, kjo qasje bazën e ka te “dialogu i dështuar” Kosovë-Serbi.

Dy arsyet kryesore, sipas tij, janë:

  • Distancimi prej kornizës fillestare për negocimin e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse, për një marrëveshje të ndërmjetme, sikurse ajo Bazë dhe ajo e Ohrit, pa një strategji afatgjate; dhe
  • Qasja e Perëndimit, që nuk i përcakton vetë rregullat, por e ledhaton dhe e pyet Serbinë se çfarë është në gjendje të pranojë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe diplomatë evropianë në njërin prej rundeve të dialogut në Bruksel. (Foto: Bashkimi Evropian)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe diplomatë evropianë në njërin prej rundeve të dialogut në Bruksel. (Foto: Bashkimi Evropian)

“Nuk është hera e parë”

Gjithë diskutimet nëse Kosova do të mund të anëtarësohet ose jo këtë javë në Këshillin e Evropës, nuk përbëjnë diçka të padëgjuar më parë për Weberin.

Ai rikujton se ngjashëm ka ndodhur edhe në të kaluarën, duke përmendur shembullin e mosanëtarësimit të Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL).

Sipas analistit gjerman, diçka e tillë ka ndodhur dhe mund të ndodhë prapë në të ardhmen, jo pse do të ketë kundërshtime prej vendeve mosnjohëse, por sepse Kosova nuk koordinohet si duhet me aleatët e saj.

Përveç kushteve lidhur me anëtarësimin nëpër organizata ndërkombëtare, Weber e sheh si të padrejtë qasjen e Perëndimit ndaj Kosovës edhe me vënien e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës për tensionet në veri, në maj të 2023-tës, teksa nuk e ka ndëshkuar Serbinë për sulmin e armatosur në Kosovë, në fshatin Banjskë, po atë vit – për të cilin Beogradi e mohon përfshirjen – apo për mënyrën se si janë mbajtur zgjedhjet e dhjetorit në Serbi.

Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Weber i var shpresat te përbërja e re diplomatike pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, pasi, tani për tani, Prishtina nuk ka shumë për të bërë.

“Shpresoj që do të krijohet një mundësi e re për të shtyrë Perëndimin që të ndryshojë qasjen në dialog, dhe të pranojë se qasja aktuale nuk është duke funksionuar, dhe se ekziston nevoja për një strategji të re”, thotë Weber.

Morina vlerëson se duhet të rishikohet procesi i dialogut, “…për të parë se sa mund të sjellë benefite ky proces i dizajnuar kësisoj, apo nëse duhet të ridizajnohet komplet. Këtu, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë kontributin e vet dhe duhet të angazhohet për të treguar se si e paramendon Kosova zgjidhjen e Asociacionit përmes procesit të dialogut”.

Tema e Asociacionit aktualizohet shpesh në Kosovë, qysh prej vitit 2013, atëherë kur vendi e ka arritur një marrëveshje me Serbinë për formimin e tij.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia ngulmon që Kosova t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar disa herë kundër një asociacioni njëetnik.

”Tryezat e Ambasadorit” për Shqipërinë, Ish-ambasadori italian, Paolo Foresti rrëfen rolin si negociator

 

Paolo Foresti, ambasadori italian në Shqipëri deri në vitin e mbrapshtë 1997, është rikthyer në Tiranë, tashmë jo më si diplomat, por për të sjellë në shqip kujtimet dhe takimet para e pas konfliktikt të armatosur në vend.

‘’97-ta ishte një histori për tu shkruar. Mund të them se gjeta shumë bashkëpunim nga liderat politikë.

Kujtoj se së bashku punuam edhe fundjavave edhe në mbrëmje për ta arritur zgjidhjen që i krijuan mundësinë Shqipërisë që të ecte përpara ‘’, tha Foresti.

I njohur për rolin e ndërmjetësit mes partive dhe figurave politike të kohës, ai rrëfen takimet dhe bisedeimet e zhvilluara me ta.

Libri autobiografik “Tryezat e Amasadorit”  shoqërohet me fotografi vendesh e personazhesh, risi është edhe përshkrimi i menusë që shoqëronte këto tryeza.

27 vite më pas ai tregon me detaje edhe disa prej këtyre takiemve që pasuan rikthimin  e qetësisë në vend.

‘’Si ambasador i një vendi mik ndjeja detyrimin që të vija përballë idetë dhe opinionet dhe kërkoja zgjidhjen nëse e kam bërë mirë apo jo, kushdo mund të ketë mendimin e tij.

E rëndësishme ishte që ta luaja atë rol në mënyrë të ndershme’’, tha Foresti.

Në prezantimin e kesaj vepre kanë marrë pjesë politikanë dhe figura të njohura te ekranit.

‘’Jo vetëm dashuria kalon përmes stomakut por edhe politika kalon përmes stomakut.

Tryezat e ambasadorit ishin jo vetëm logu ku konsumoheshin ushqim pork u lindnin marrëveshjet e rëndësishme politike.

Ai zgjodhi të bënte diplomacy përkundër dëshirës së babait sepse Foresti nuk zgjodhi ti shërbente biznesit të familjes por zgjodhi pasionin e tij’’, tha gazetarja Beti Njuma.

Diplomati Foresti gjithashtu eshte edhe ideatori i operacionit të ndihmës Pelikan qe i perket shtatorit të vitit 1991.

Por këto kujtime per Shqiperine ka vendosur mos ti ndaj me publikun, të paktën për momentin.

Ish Ambasadori Foresti  ka pasur detyra të rëndësishme edhe në Beograd, në vendet e Lindjes së Mesme ,gjithashtu ai ka qen edhe si këshilltar diplomatik i tre ministrave për politikat komunitare. Ora News

Vizita e Ramës në Athinë- Burimi: I kërkoi mëshirë Greqisë

Gazetari i Radio France, Genc Burimi e ka cilësuar viztën e kryeministrit Rama në Athinë si kërkesë mëshire e tij ndaj Greqisë për të mos i bllokuar hapjen e negociatave BE-Shqipëri.

Burimi tha për Task Force me Sonila Meçon në Syri Tv se Rama, vitet e tij të qeverisjes dëshiron ti mbyllë me një arritje, dhe sipas tij negociatat janë e vetmja rrugëzgjidhje.

“Rama sot është frustruar sepse që prej vitit 2028 po i vjen rrotull e rrotull temës së hapjes së negociatave BE-Shqipëri. Për Ramën kjo është e vetmja arritje që ai mund të ketë në aktivin e tij. Berisha ka 2 arritje, NATO-n dhe heqjen e vizave, ky nuk ka asgjë.

2018-2019 Macroni ja prishi sepse kërkoi një riformatim të procesit. Erdhi 2020, që erdhi më pas covid-i, pastaj u bënë zgjedhjet, pastaj u bllokua Maqedonia nga Bullgaria. Më në fund Macroni ja hapi negociatat Shqipërisë në 30 qershor 2022.

Në atë moment u tha që do të ketë 1 vit screening të Shqipërisë përpara se të hapet kapitulli i parë i negociatave. Po bëhen 2 vite e nuk është hapur asnjë kapitull sepse në momentin kur Rama ishte kaq afër qëllimit ndodhi ajo që ndodhi me Belerin  dhe ndodhi bllokimi që ia bëri Greqia Shqipërisë. Rama shkon në Greqi dhe i thotë ‘mos më bllokoni të vetmen arritje që mund të kem, hapjen e negociatave’.”

Populizmi, Propaganda, Përndjekja; 3 PPP-të e reja të qeverisjes socialiste – Nga ALBA KEPI

Deri dje i mjaftoi t’u mbushte xhepat e të mbante me ushqim idealistët, fanatikëvt socialistë, militantët, politikanët, sipërmarrësit, profesionistët, influencuesit e mendimit intelektual e botës elitare shqiptare.

3 P e para joshën e manipuluan votat e shqiptarëve për interesat personale e përfituese të të përzgjedhurve në Partneritetin Publik Privat.
Sot këto 3 P nuk u janë të mjaftueshme.

Sistemi socialist është ftohtësisht i trembur pas skandaleve që kanë mbushur dosje prokurorish shumica të përcjella nga Antimafia Italiane e nga shërbimet investigative Europiane, mbi emra drejtorësh, ministrash, funksionarësh, deputetësh në lidhje me banda e krimin e organizuar, mbi pasuri e prona prestanomesh të lavatricizuara në Shqipëri e botë, mbi biseda Skyecc e platafaorma të kriptuara ku lagje Tirane, territore shqiptare, pasuri kombëtare monopolizohen sic kanë bërë me cdo sektorë ekonomie.

Sot janë të trembur nga soji i tyre e nga revolta e të fortë ve dhe burgjeve.

Qeverisja socialiste ka vënë në akt 3 PPP e reja ideologjike;
Propaganda, Populizmi, Përndjekja,

Pëërndjekja është qartësisht e lexueshme sa fjala e fundit para trupit gjykues së Byrosë Komuniste në Shqipërinë Socialiste.
Në vend të shpalljes “armik i popullit”, lexohet “armik i votës”, me akuzën “dorëhiqu para se të të fusim në burg e të lëjmë pa ushqim gjithë jetën”.

Shembulli më i qartë “dorëheqja” e drejtorit të teatrit të Fierit që tha me zë e figurë se mbreti është lakuriq.

Pas konsumit të ideologjisë propagandistike sot u duhet Propaganda ideologjike, që flet për qytete të gjelbërta me pemët e mbjella mes kullave të qelbit, për plehra të vëzhguara me raketa në kozmos ndërsa “digjen” në inceneratorë të paekzistueshëm që vjedhin cdo ditë shqiptarë, për ushqime bio ndërsa në nëntokë groposin plehra, për bregdet turistik kur në det derdhin fekale, për shkollat e reja me banjo pa ujë, klasa pa ngrohje, e banka pa nxënës se prindërit e tyre vendosën të emigrojnë diku.
Ikin nga ky konsum komunizmi modern e nga kjo jetesë dittature primitive.

E populizmi?
U shërben të ekzaltojnë frustime, ndjenja kolektive e popullore sic ndodhi me emigrantët e Greqisë.

3PPP e reja u nevojiten për të mbrojtur Partneritetin Publik Privat e Partiak, si dhe të gjitha P bashkë për të manipuluar dhe një herë tjetër votën e shqiptarëve. Mosbindja civile e revolucioni qytetar është e vetmja rrugë për të cliruar Shqipërinë nga shteti i PPP!

UKRAINA DHE PASIGURITË TONA- Nga ANGELO PANEBIANCO- Përktheu Eugjen Merlika

 

Të pjekur mirë e të gatshëm për t’u shërbyer në tavolinë. Është kjo që, me gjasë Vladimir Putini mendon për ne ndërsa vëren lëvizjet tona. Përballë belegëve ndërkombëtarë demokracitë nuk mund të bëjnë asgjë nëse nuk kanë mbas veti, të lidhur ose pothuajse, opinionet publikë. Dhe atë lidhje Putini, sigurisht, nuk e sheh. Me fjalë, në Perëndim është vetëdija se sa katastrofike do të ishte, jo vetëm për ukrainasit, një fitore ruse në Ukrainë.Me fjalë.

Faktet thonë tjetër gjë. Faktet thonë se qeveritë perëndimore kanë shumë vështirësi të mbajnë një front të përbashkët mbi krizën ukrainase, sepse opinionet e tyre publikë janë të ndara. Ndërsa lufta shkon keq për Ukrainën perëndimorët lëshojnë sinjale kundërthënëse edhe se në përputhje me traditat kombëtare përkatëse. Nëse Emmanuel Macroni thekson se nëse gjërat do të shkonin vërtetë keq, perëndimorët do të duhej të ndërhynin drejtpërsëdrejti në Ukrainë, qeveri të tjera evropiane (gjermanë e italianë në krye) qëndrojnë larg, e përgënjeshtrojnë: armë po, ushtarë në terren jo, kurrë. Veç faktit që këto ndarje bëjnë të kuptohet se sa utopi ka në aq biseda të bukura mbi mbrojtjen e përbashkët evropiane, si mendohet që kundërshti të këtyre përmasave mund të ndërpretohen nga strategët e Kremlinit? Me që ra fjala, vetë pohimet e Macronit nxjerrin lakuriq dobësinë perëndimore. Duke mos qenë frut i një qëndrimi të NATO-s, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuar e të bashkëndarë nga qeveri të tjera evropiane, në sytë e rusëve quhen si vetëmburrje (të përqeshura si të tilla), e jo shënja force.

Në dëshmi të faktit se sa peshojnë trashëgimitë kombëtare në drejtimin e opinioneve publike e pra të qeverive, përceptohet mirë edhe në luftën ukrainase, ndryshimi i përçapjeve të britanikëve e francezëve në një anë e të gjermanëve e italianëve në tjetrën. Në çdo rast, është një lloj mrekullie fakti që deri tani nuk ka patur shmangie, që asnjë qeveri evropiane nuk e ka thyer frontin, të ketë pushuar të mbështesë Ukrainën. Duke mbajtur parasysh faktin që, në brendësi të tyre, janë të pranishme rryma të fuqishme të opinionit që, n’emër të paqes, do të dëshironin t’i a dhuronin Ukrainën Putinit; duke besuar ose duke u shtirë se besojnë se, mbas ngrënies së Ukrainës, Rusia më së fundi do t’ishte e ngopur, nuk do të kishte më oreks, në këtë kuadër mund të thuhet se për rusët lufta e Gazës ka qenë një bekim sepse huton e ndan opinionet publike perëndimore. Është qumësht dallandysheje për ta mobilizimi studentor në veprim në të gjithë Perëndimin për Palestinën. Ndihmon në coptimin e opinioneve publike e largimin e vëmëndjes të shumëve nga ajo që ndodh në Ukrainë.

Në përgjithësi mendohet, e përvoja historike e vërteton, se tiranët priren të nënvlerësojnë fuqinë e demokracive, i quajnë shumë më të thyeshëm se sa janë në të vërtetë. Në çastin e rrezikut demokracitë – kështu ka ndodhur në të shkuarën – janë në gjëndje të arrijnë të shfrytëzojnë rezerva, lëndore e morale, që tiranitë nuk i kanë. Por ajo që ka qenë e vërtetë në kohë të tjera mund të mos jetë më sot, për shumë arsye. Duke filluar nga rrethana fatlume e tetëdhjetë viteve të pandërprera paqeje që kanë gëzuar evropianët perëndimorë. Peshon edhe fakti që shoqëritë e pasura, të ngopura e të plakura (ka mjaft raste të shkuar historikë), shpesh nuk janë kundërpëgjigjur me energjinë e nevojshme përballë gjallësisë e agresivitetit të grupeve njerëzorë, stili i jetës së të cilëve ka qenë gjithmonë shumë më pak i rehatshëm.

Peshojnë barazpesha ndërkombëtare e nyjëtime politiko-diplomatike. Është diçka e zakonshme të thuhet se periudha e jonë është një kohë shumëpolëshe me një shumësi fuqish në beleg me njëra tjetrën. Vetëm se nuk duket e qartë për të gjithë se çfarë do të thotë kjo për demokracitë. Moshë shumëpolëshe do të thotë se nuk ka, siç kishte në kohët e Luftës së Ftohtë, një rrezik të vetëm. Atëherë opinionet publikë e kishin të qartë se ku ishte e kush ishte armiku. Tashmë belegë e kërcënime vijnë nga të gjitha anët. Mjaft të mendohet se çfarë përfaqëson për mirëqënien perëndimore zgjedhja e Hutëve (e mbështetësve të tyre iranianë) për të bllokuar, me sulmet anijeve në Detin e Kuq, një arterie jetike të tregëtisë ndërkombëtare. Është e vërtetë që ndërmjet këtyre krizave ka ndërvartësi. Rusët janë aleatë të ngushtë të Iranit e të Hamasit. E kinezët mbështesin rusët e iranianët kundër perëndimorëve. Përballë sfidave të shumta opinionet publikë perëndimorë çoroditen. E qeveritë e demokracive, për pasojë, vështirë se arrijnë të mbajnë lidhjen e njënjësinë e synimeve.

Nuk dijmë si do të mbarojë lufta në Ukrainë e as nëse armët do të heshtin shpejt në Palestinë, dhe as cila do të jetë sfida e ardhëshme që do të paraqitet n’Evropë e në Lindjen e Mesme që duhet të përballohet nga perëndimorët. Por e dijmë se pa mbështetjen e opinioneve publikë, qeveritë e demokracive janë gjeneralë pa ushtri, nuk shkojnë n’asnji kah.

Votime evropiane, votime amerikane. Në një farë drejtimi stuhia e përsosur. Në se demokracitë, në provën zgjedhore që i presin, do t’i qëndrojnë sirenave të skajshmërive, ndoshta do të krijohet mundësia për të sqaruar mirë opinionet publikë se cilat janë përparësitë. Ndërkaq, nuk mund të lodhemi së kujtuari votuesve se ukrainasit janë duke luftuar edhe për neve.

Duke lënë mënjanë retorikën politike, do t’i pëlqente të gjithëve një Evropë e fuqishme, e aftë të vetëmbrohet, e të mbronte demokracitë e saj. Por sot mundet vetëm të kërkohet të pakësohen skajshmërisht dëmet.

“Corriere della Sera”, 4 maj 2024 Përktheu Eugjen Merlika

BIRN- ‘E ardhmja është e zymtë’: Emigracioni përgjysmon nxënësit në qarkun e Kukësit

Bashkitë e qarkut të Kukësit kanë kyçur dhjetra shkolla dhe kanë humbur mijëra nxënës si pasojë e emigrimit të vazhdueshëm, që i ka zbrazur zonat rurale duke krijuar fshatra të shkretuar.

Nga Bashkim Shala, BIRN

Në Letaj të Hasit, në kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë,  drejtori i shkollës 9-vjeçare të fshatit, Gëzim Koka thotë me dëshpërim se gjashtë nxënës të tjerë u larguan me familjet e tyre në emigrim këtë vit.

Dikur e mbushur me qindra fëmijë, sot shkolla e fshatit Letaj ka vetëm 79 nxënës dhe humbet çdo vit nxënës të rinj prej emigracionit. Mësuesi i vjetër në profesion thotë se prej kohësh klasat fillore bëjnë mësim me orë kolektive, ndërsa numri në rënie i regjistrimeve nuk premton ndonjë ndryshim në të ardhmen.

“E ardhmja është e zymtë. Nuk mund të bëjmë dot një skuadër futbolli për të luajtur,” thotë me dëshpërim Koka.

Kjo zonë njihet për emigracionion e lartë drejt Anglisë, por vitet e fundit, ata që nuk kanë mundur të kalojnë detin që ndan ishullin Britanik me Europën, kanë qëndruar në Francë, Gjermani apo edhe në Hungari.

Situata në Letaj, një fshat i minuar gjatë Luftës së Kosovës, nuk është e izoluar.

Të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se në të gjithë qarkun e Kukësit, 48 shkolla u mbyllën në dekadën e fundit, ndërsa numri i nxënësve është thuajse përgjysmuar.

Rënie drastike

Goditjen më të rëndë për shkak të emigracionit në këtë qark duket se e ka Njësia Administrative e Shishtavecit në bashkinë e Kukësit. Këtu emigracioni drejt vendeve të Bashkimit Europian apo edhe më tej në Britani, u lehtësua pas shpalljes së zonës si minoritet bullgar në vitin 2017. Prej këtej, qindra banorë u pajisën me pasaporta bullgare dhe e patën më të lehtë lëvizjen dhe punësimin në Perëndim.

Rënia demografike pasqyrohet qartë edhe nga numri i lindjeve në shtatë fshatrat e kësaj njësie me 4716 banorë të regjistruar.

“Përgjatë viteve 2019-2023 në shtatë fshatrat e kësaj njësie janë regjistruar vetëm 11 lindje,” thotë Qerim Disha, punonjës i zyrës së gjendjes civile në Shishtavec.

Disha thotë se lindjet në fshat zënë vetëm 5% të numrit të lindjeve të regjistruara nga banorët e këtyre fshatrave jashtë vendit. “Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 205  lindje jashtë shtetit nga banorë të këtyre fshatrave,” thotë ai.

Disha tregon se numri i lindjeve pësoi rënie drastike në vitin 2019, kur nuk u regjistrua asnjë e tillë brenda vendit.

Për pasojë, në këtë Njësi Administrative ka një renie drastike të numrit të nxënësve.

Në bazë të të dhënave të Zyrës Arsimore Kukës,  rezulton se trendi i rënies së numrit të nxënësve në Shishtavec ka filluar pas vitit 2014, për të pësuar rënien më të madhe në vitin 2023.

Në vitin 2005 në shkollën e Shishtavecit numëroheshin 176 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe 140 nxënës të arsimit të mesëm, ndërsa në vitin 2014 janë regjistruar 96 nxënës të arsimit 9 vjeçar dhe 117 të arsimit të mesëm.

Në vitin 2023 në shkollën e Shishtavecit numërohen vetëm 23 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe 68 nxënës të shollës së mesme, sipas përgjigjes së Zyrës Arsimore Kukës.

Psikologu Nebi Shyti nuk ka shumë shpresë se të larguarit nga Shishtaveci do të kthehen një ditë, ndërsa thotë se komuniteti është i plakur masivisht.

“Shumica e familjeve  këtu në Shishtavec janë nga dy banorë në shtëpi, të moshës  diku rreth 50 vjeç e lart, ku shumica janë në të 60-at. Pra kanë mbetur krejt nga dy,” thotë ai duke iu referuar çifteve të të moshuarve që gjenden ende në fshat.

Shyti tregon se një numër i madh i të rinjve që u larguan nga fshati në moshë të re, nuk kanë as nostalgji dhe as lidhje me vendlindjen, ndërsa janë martuar e kanë krijuar familje jashtë vendit.

Por për veteranin e arsimit të zonës, studiuesin dhe shkrimtarin nga Shishtaveci, Zejnullah Bala, shkaktar i boshatisjes së kësaj zone nuk është vetëm varfëria, por edhe mundësia për marrjen e një pasaporte bullgare.

“Mediat kanë paraqitur varfërinë, por në fakt varfëria ka qenë njëra nga arsyet. Një arsye tjetër që media nuk e ka zbuluar apo nuk e ka thënë për boshatisjen e zonës së Shishtavecit, ku tashmë në  ketë fshat kanë mbetur vetëm pleqtë, është mundësia për marrjen e një pasaporte të një vendi anëtar të Bashkimit Europian siç është Bullgaria me të cilën mund të udhëtosh edhe në Angli dhe mund të punësohesh më lehtë në vendet Perëndimore”, thotë ai.

Bala jeton prej vitesh vetëm me bashkëshorten, ndërsa djemtë i ka në Britani. Ai thotë se të dy ishin me arsim të lartë, por në Shqipëri nuk gjetën punë.

“Unë vetë nuk jam fare i kënaqur se kam mbetur vetë i dyti vetëm në shtëpi, unë me gruan, çfarë të bëjmë ne. Hiç nuk kam kënaqësi,” thotë Zejnullah Bala.

Emigrimi kultivohet në shkollë

Ndonëse vuan rënien më të madhe të numrit të fëmijëve, Shishtaveci nuk është i vetmi. Emigracioni ka prekur edhe njësitë e tjera administrative, por edhe vetë qytetin e Kukësit.

Të dhënat e marra nga Zyrat Arsimore në Kukës, Tropojë e Has tregojnë se numri i nxënësve dhe vetë numri i shkollave është në tkurrje të vazhdueshme.

Sipas këtyre të dhënave, dhjetë vjet më parë në shkollat e qarkut kishin 18 mijë nxënës, por në vitin 2023 numri i fëmijëve në shkolla 9-vjeçare dhe në gjimnaze ka rënë 10 mijë. Rënien më të madhe ndër të tre bashkitë e ka ajo e Kukësit, që ka humbur gati gjysmën e fëmijëve.

“Në vitin 2014 numri i nxënësve të arsimit 9 vjeçar ka qenë 7996 nxënës dhe 2733 nxënës të shkollave të mesme. Ndërsa në vitin 2023 numërohen 5037 nxënës të shkollave 9-vjeçare  dhe 1543 nxënës të shkollave të mesme”, thuhet në njoftimin e Zyrës Arsimore të Kukësit.

Ish-drejtues lokalë thonë se emigracioni është ai që ka ndikuar më shumë në rënien e numrit të banorëve të zonës dhe po ashtu edhe të nxënësve.

“Në Njësinë administrative të Bushtricës mund të  thuhet  se 95% e familjeve janë të prekura nga fenomeni i emigracionit. Përfundimisht vetëm ato që s’kanë djem të moshës mbi 20 vjeç nuk janë prekë. Të tjerët janë prekur të gjithë,” thotë Ramazan Tota, banor i fshatit, ish-administrator i Njësisë Administrative të Bushtricës në Bashkinë e Kukësit.

Mynir Sula, drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar të Bushtricës i tha BIRN se emigracioni është një ide që kultivohet që në shkollë. Ai thotë se të paktën deri në vitin 2017, ky ishte një refren që dëgjohej rëndom, ku fëmijët planifikonin të largoheshin sapo të mbaronin shkollën e mesme.

“Ndoshta edhe sot ka mendime të tilla, por është frenuar, është frenuar goxha dhe sikur po i japin një rëndësi shkollës,” thotë Sula.

Mësuesi bën një diferencë gjinore mes atyre që planifikojnë të arsimohen më tej dhe atyre që ikin sapo mbyllin gjimnazin. Ai thotë se vajzat janë për të përkushtuara në mësime, ndërsa djemtë në shumicë planifikojnë largimin.

Situata i ka rënduar banorët e mbetur të zonës. Ata e shohin ndarjen e familjeve prej emigracionit si një plagë dhe situatë dëshpëruese.

”Unë si prind dua familjen. Pra, kurrë nuk e kam dashur dhe nuk e kemi menduar që fëmija do të na largohen. Dhe të merr malli për fëminë. Sado, ndoshta edhe me pak të ardhura, ndoshta edhe me një ekonomi sido që të jetë, më e lodhshme të jetë, dëshira është vetëm të kesh familjen”, thotë Ramadan Drazhi, banor i Njësisë Administrative të Bushtricës, njëherësh edhe përgjegjës i Zyrës Postare Bushtricë.

Burri thotë se ai dhe bashkëshortja prej vitesh jetojnë vetëm. Ata kanë më shumë mundësi ekonomike dhe jetojnë një jetë normale, por në mungesë të fëmijëve asgjë nuk i kënaq.

“Jetoj normal, por nuk më hyn në sy asgjë. Emigrimi e ka goditë shumë shoqërinë shqiptare duke shpërbërë familjen,” thotë Drazhi.

Ndërkohë, aktivisti i shoqërisë civile në Kukës Lavdrim Shehu ngre shqetësimin se përtej emigracionit masiv që ka prekur këtë zonë, të rinjtë kanë rënë viktimë e modeleve të këqija duke u përfshirë në veprimtari të paligjshme.

“Ka patur një nxitje të vazhdueshme këtë periudhën e fundit nga modele jo pozitive, ku të rinj të veçantë kanë  shkuar  dhe janë përballur, apo kanë përfituar nga sisteme të caktuara në Angli duke u marrë me aktivitet kriminal dhe duke vënë para e pasuri”, thotë Shehu.

Ai thotë se është shqetësuese që ky lloj emigracioni është pranuar nga shoqëria, pasi sipas Shehut prindërit e dinë shumë mirë se me çfarë pune merret fëmija dhe e kanë toleruar këtë. “Ky është një shqetësim në aspektet sociologjike të zhvillimit të një shoqërie,” përfundon Shehu.

Shpresa e tretur në zhgënjim- Nga DITMIR BUSHATI

Ashtu siç pritej zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut rikthyen në pushtet partinë konservatore VMRO-DPMNE. Ajo siguroi thuajse shumicën e vendeve të nevojshme në parlament për të qeverisur vendin. Po kështu, kandidatja e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova u bë presidentja e parë grua, duke fituar bindshëm ndaj rivalit social-demokrat, Stevo Pendarovski.

Në fjalimin e fitores, presidentja e zgjedhur, përcaktoi si përparësi për vendin “fillimisht Ballkanin, pastaj Europën”, duke lënë shijen e hidhur të rikthimit në retorikën e dikurshme nacionaliste. Në ceremoninë e betimit të saj si presidente, në përputhje me zotimin publik të fushatës zgjedhore, ajo nuk iu referua emrit kushtetues “Maqedonia e Veriut”, të njohur si të tillë ndërkombëtarisht qysh prej Marrëveshjes së Prespës të vitit 2018, që i dha fund mosmarrëveshjes disa vjeçare me Greqinë.

Në shkëmbimet e para të mesazheve të urimit me homologë të vendeve të rajonit në platformën sociale X, me presidenten e Kosovës ra në sy mospërmendja e Kosovës si shtet dhe mospërdorimi i simboleve të saj. Presidentja u mjaftua me përdorimin e gjuhës shqipe, duke vendosur theksin tek “sinergjia femërore”, për shkak të pozitave kyçe të grave në rajonin tonë dhe tek “e ardhmja e përbashkët europiane”.

Humbja e social-demokratëve ishte e pritshme po aq sa edhe fitorja e konservatorëve. Por duhet theksuar se ato pësuan një humbje dërrmuese, më të rëndën në historinë e tyre, si në zgjedhjet presidenciale ashtu dhe në ato parlamentare. Për herë të parë, social-demokratët e gjejnë veten si forcë e tretë parlamentare. Megjithëse morën më shumë vota se koalicioni “Fronti Europian” i udhëhequr nga BDI, për shkak të sistemit zgjedhor, social-demokratët kanë një deputet më pak se koalicioni i BDI-së.

Lëvizja e re politike ZNAM, drejtuar nga kryetari i komunës së Kumanovës, fillesat politike të të cilit i gjejmë tek partia social-demokrate, shënoi një rezultat surprizë, duke marrë një numër të barabartë mandatesh me partinë e majtë Levica. ZNAM pritet të jetë pjesë e qeverisë së re.

Zgjedhjet parlamentare shënuan një garë më të fortë mes partive shqiptare: koalicionit të udhëhequr nga BDI nga njëra anë, dhe partive të koalicionit opozitar VLEN, nga ana tjetër. Koalicioni opozitar VLEN siguroi një numër rekord votash, por nuk mundi të tejkalojë numrin e votave të BDI-së, për shkak të koalicionit të kësaj të fundit me partitë që përfaqësojnë minoritetet e ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Megjithëse numri i deputetëve me kombësi shqiptare në parlamentin e ardhshëm është i madh, influenca në vendimmarrje do të jetë më e kufizuar krahasuar me të shkuarën, çka e bën të domosdoshme nevojën për bashkërendim mes shqiptarëve në qeveri dhe opozitë. Ndërkohë që BDI shkon në opozitë, pas shumë vitesh qeverisje me partnerët maqedonas të të gjitha ngjyrimeve politike, VLEN pritet të ketë më pak pushtet se BDI-ja, dhe më pak mundësi influencimi në koalicion, nëse analizojmë numrin e deputetëve të VMRO-DPMNE dhe ZNAM.

Pas gjashtëmbëdhjetë vitesh, me daljen e BDI-së në opozitë, do të kemi një ndryshim të plotë të pushtetit në Maqedoninë e Veriut. Ndryshe nga qeveritë e udhëhequra nga social-demokratët, qeveria që pritet të krijohet pas zgjedhjeve të 8 majit nuk do të varet nga partnerët në koalicion. BDI-ja arriti të dominojë hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut duke u bërë partner i pazëvendësueshëm i partive maqedonase në bashkëqeverisje.

Partitë e grupuara në VLEN janë përballë një sfide të trefishtë. Së pari, duhet të dëshmojnë kohezion dhe unitet mes tyre për çështje që janë në interes të shqiptarëve dhe vendit duke moslejuar përçarjen.

Së dyti, partitë e VLEN duhet të përballojnë një partner koalicioni si VMRO-DPMNE, e cila, ka kritikuar vazhdimisht pozicionin dominues të BDI-së në qeverisjen e vendit përtej peshës dhe numrit të votave. Gjithashtu, është fakt i njohur se VMRO-DPMNE, ka qenë një kritike e zëshme e platformës politike të partive shqiptare të vitit 2017, zbatimi i pjesshëm i të cilës solli një përmirësim të ndjeshëm të të drejtave dhe përfaqësimit të shqiptarëve si komunitet shtet-formues në Maqedoninë e Veriut.

Së treti, partitë e VLEN duhet të përqendrohen në jetësimin e agjendës europiane të vendit, të marrin pjesë aktivisht në proceset që çimentojnë fqinjësinë e mirë dhe mbi të gjitha të kujdesen për përparimin e të drejtave dhe statusit të shqiptarëve si komunitet shtet-formues, duke mos lejuar rikthimin e Maqedonisë së Veriut në skutat e errëta të nacionalizmit.

Rikthimi i VMRO-DPMNE, sidomos me këtë rezultat, deri para pak kohësh mund të mos mendohej. Rrëzimi nga pushteti i kësaj partie në vitin 2017 erdhi si pasojë e një lëvizjeje të gjerë politike e qytetare kundër abuzimit me pushtetin të qeverisë së Nikola Gruevskit, duke i dhënë fund një krize politike dyvjeçare dhe duke siguruar një frymëmarrje politike për vendin, që u kurorëzua më anëtarësimin në NATO dhe adresimin e mosmarrëveshjeve bilaterale me fqinjët.

Arsyet e rikthimit të bujshëm të VMRO-DPMNE janë komplekse. Ato kanë të bëjnë pjesërisht me dështimin e qeverisë në ikje për të jetësuar zotimin për një qeverisje më të ndershme dhe efektive, një zotim kyç që mobilizoi qytetarët në protestat kundër qeverisë Gruevski dhe që solli social-demokratët në pushtet.

Nëse Nikola Gruevski përdorte nacionalizmin për të mbuluar qeverisjen e keqe, në mënyrë ironike, qeveria në ikje, gjatë viteve të fundit, e ka përdorur rrëfimin europian për të njëjtin qëllim. Në njëfarë mënyre rrëfimi europian u kthye përmbys.

Kapitali politik i investuar në Marrëveshjen e Prespës që i dha fund mosmarrëveshjeve me Greqinë dhe që siguroi anëtarësimin në NATO, për fat të keq nuk u shpërblye nga BE-ja. Qytetarët në Maqedeoninë e Veriut humbën besimin tek BE-ja dhe klasa politike humbi pronësinë mbi procesin e reformave.

Eksperienca e vendit fqinj na mëson se nuk mjafton të zgjidhësh çështje dypalëshe për të qenë pro-europian. Duhet gjithashtu të qeverisësh ndershëm dhe në mënyrë efektive, të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe jo të bashkëjetosh me to. Përndryshe, shpresa popullore kthehet në zhgënjim.

A ka nxjerrë mësime VMRO-DPMNE nga situata e krijuar? Po nga eksperienca e hidhur në qeverisje? VMRO-DPMNE arriti të kanalizojë me sukses zhgënjimin e qytetarëve në një mandat popullor për të. Por mënyra se si do të ndërtohet qeveria dhe cilësia e qeverisjes janë testi i pjekurisë së kësaj force politike.

Së pari, pavarësisht retorikës që shoqëroi fushatën zgjedhore dhe sulmeve ndaj BDI-së, garantimi i pakthyeshmërisë së proceseve politike të trupëzuara në kushtetutën e vendit që synojnë barazi të plotë ndërmjet dy komuniteteve kryesore shtet-formuese përbën parakusht për stabilitet dhe legjitimitet qeverisës. Shqipëria, si një fqinj i mirë i Maqedonisë së Veriut, nuk duhet të ngurojë ta përcjell këtë mesazh, pasi çelësi i suksesit të marrëdhënieve të konsoliduara fqinjësore qëndron pikërisht tek respektimi i marrëdhënieve ndër-etnike, ku shqiptarët janë forcë lëvizëse dhe garantuese e përkatësisë euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.

Së dyti, nevojitet një qasje pragmatiste në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, ashtu siç bëri Demokracia e Re kur erdhi në pushtet në Greqi në vitin 2019, pavarësisht se e kishte kundërshtuar këtë marrëveshje dhe nuk e kishte votuar kur ishte në opozitë, mbi bazën e parimit të njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare pacta sunt servanda.

Së treti, po me të njejtën qasje pragmatise, duhet siguruar një proces dhe votat e nevojshme në parlament për kalimin e ndryshimeve kushtetuese, që do të mundësonin heqjen e vetos bullgare nga rruga europiane e Maqedonisë së Veriut.

Megjithëse në planin afatshkurtër është më e lehtë për të krijuar një rrëmujë më të madhe sesa për të adresuar “tiraninë e të çastësishmes”, ndërmarrja e hapave të mësipërme, do të dëshmonte se VMRO-DPMNE ka nxjerr mësimet e duhura nga e kaluara dhe se për të stabiliteti demokratik rajonal, fqinjësia e mirë dhe anëtarësimi i vendit në BE janë objektiva plotësisht të arritshëm.

Apeli rrëqethës i 5-vjeçares që po i shembet banesa: Edi Rama, vëre dorën në zemër, po jetoj në garazh

Në një kohë kur sot është parashikuar që të shemben disa banesa në Bërxullë, në kuadër të projektit për autostradën Thumanë-Kashar, disa familje po protestojnë.

Siç shihet nga pamjet e siguruara nga SYRI TV, disa zonja shfaqen me shishe plastike të mbushura me benzinë, ndërsa kërcënojnë se do t’i vënë flakën vetes nëse nis shembja e banesave.

Ata sqarojnë se nuk do të pranojnë që të shemben banesat e tyre, pasi nuk janë përfshirë në skemën e dëmshpërblimit.

Mes personave që kërcënojnë me aktin ekstrem, ka edhe të mitur.

Njëra prej tyre, një vogëlushe 5-vjeçare, i ka bërë apel kryeministrit Edi Rama të mos ia shembë banesën.

Ajo i kërkon që të vërë dorën në zemër, pasi ajo po jeton në garazh.

Banesat e tyre preken nga projekti Thumanë-Kashar, familjarët hipin në tarracat e shtëpive me benzinë me vete

Gjashtë familje janë ngritur në protesta kundër vendimit për shembjen e shtëpive të tyre që preken nga projekti Thumanë-Kashar.

Raportohet se 6 familjet, që kanë në përbërje 32 anëtarë në total, nuk janë në skemën e dëmshpërblimit.
Disa prej familjareve kanë hipur tarracën e njërës prej shtëpive dhe kërcënojnë me hapa ekstreme.

Ata kanë kërcënuar se do të’ vendosin flakën vetes me benzinë nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

Ndërkohë IKMT ka mbërritur pranë banesave të tyre dhe është në pritje.sn

Një vizitë turistike në Jugun e Shqipërisë: “Too much shit my friend” – Nga AURON TARE

Javen e shkuar ishte per nje vizite turistike ne Jugun e Shqiperise nje familje britanike e cila per gati 30 vjet ka qene nje nga miqte tane te vertete te Butrintit.
Ndonje here tjeter do te shkruaj per keta njerez qe ndihmuan shqiptare ne ditet shume te veshtira dhe ku vila e tyre ne Korfuz ishte nje oaz i promovimit te kultures shqiptare.
Por te kthehem tek vizita e javen e shkuar. Me vete kishin edhe disa miq te vjeter qe vinin per here te pare ne Shqiperi.
Shkuan mes te tjerash edhe ne Benje apo ne nje nga pikat turistike te njohura te Jugut.
Benja dikur ka qene nje oaz i vertete natyre. Me nje rruge te ruajtur me kalldrem qe gjarperonte midis pemetoreve te gjelberuara permetare. Pa mbritur tek Banjat e famshme, eshte apo me mire te them ishte Mulliri I famshem i Mato Grudes se filmit te njohur.
Kur mbrije ne Benje menjehere te bie ne sy Ura e bukur Otomane qe ende nuk I eshte vene ndonje dore restaurimi. Vite me pare ishte nje vend i qete ku banoret e zones vinin per tu lare apo per piknik. Nje vend idilik i paster dhe nga me te bukurit ne Jugun shqiptar.
Vitet e fundit Benja ka pasur disa nderhyrje estetike “per hir te turizmit”
Rruga e bukur me kaldrem u mbulua nga asfalti. Ne hyrje te banjave vendi u zgjerua dhe u ndertuan parking per Kamperet e turisteve.
U prishen nja dy barake druri te cilat ne menyre modeste te jepnin mundesine te ndroheshe perpara se te laheshe dhe te merja nje kafe.
Keto barake druri jane zevendesuar me disa godina alpine te cilat qe kur u ndertuan nuk jane hapur asnje here. Se perse moda alpine e sjelle ne Benje vetem ata qe kane hedhur parate e dine. Nderkohe kamperat e huaj pjekin mish derri te sjelle nga supermarket e Gjermanise dhe pine birre Holandeze qe e kane sjelle me vete.
Asnje, dmth 0 ndikim ekonomik ne zone nuk ka pasur kjo nderhyrje disa million euroshe e cila e ka kthyer dikur oazin idilik te Benjes ne nje Disni land ku me mijra te huaj dhe vendas gjate veres futen ne banjat termale si derkucet ne lluce.
Qe mos zgjatem, i pyes miqte e mij se si ju duk vizita ne Benje. “Too much shit my friend” me tha njeri prej tyre duke qeshur.
Urdhero I thashe se nuk po e kuptoja. Shkuam me tha dhe donin te laheshim nuk kishte se ku te ndroheshim. U detyruam te futemi neper shkurre per tu ndruar. Pas shkurreve ishte nje llahtar dukej se te gjithe qe shkonin ne Benje dhisnin neper shkure se nuk kishte nje banje.
Nuk qeshja dot. Zoteria qe me pershkroi viziten e tij ne Benje kishte qene Field Marshal i Britanise.

Shkopinjtë nën rrota të BE-së ndaj Kosovës- Nga SKËNDER MULLIQI

Presidenti i Serbisë, është ai që vazhdimisht po prodhon kriza .Ky kriminel lufte po i përbinë fjalët e veta sa herë që është nevoja.Këtë retorikë rrenash serbet e kan treshëgim nga Dobroca Qosiq.Po mashtron botën perëndimore qysh po i teket atij.Vuqiqi po iu imponon politikën fashiste BE-së , së është faktor paqe dhe stabiliteti në botën serbe.Ne anën tjetër miqësinë e verëtetë e ka më Rusiën cariste dhe më Kinën.Vuqiqi po lobon kunder Kosovës, edhe përkunder së ka firmosur marrveshje në Bruksel, për mos lobim.Ai në krye të grupit ka emëruar Ministrin e Punëve të Jashtme , Ivica Daciqin, për tia pamundësuar Kosovës inkuadrimin në Këshillin e Evropës.Si duket Serbia edhe gjeti aleatin që Kosovës tia pamundëson këtë rrugëtim në një organizem të rëndësishem ndërkombëtar.Presidenti Vuqiqi, para pakë kohë kishte vizituar Francën, dhe kishte deklaruar , së presidenti Makron, i ka premtuar që Kosovës ti vihet kushti paraprak për implementimin e Asociacionit.Duket së kjo vizitë edhe do të rezulton pro lobimit serb.Ka pararlajmërime së do të këtë veto nga Gjermania, Franca dhe Italia, që është kunder proceseve pozitive për paqë dhe prosperitet në Ballkan.Një perkrahje e tillë karshi serbomadhit, dhe kriminelit të luftës, Aleksander Vuqiq, do ti shërben atij mirë në rrugëtimin për realizimin e idesë, të gjithën serbët në një shtet. Ky stopim i Kosovës , nuk ka së si të kuptohet ndryshe, veq përkrahje e hapur Serbisë putiniste, dhe anashkalim të Kosovës proevropiane .Vuarje e shkopinjve nën rrota nuk është dashamirësi dhe as miqësi ndaj Kosovës së vogël.Po hidhën poshte deklarimet e Bokojanis së” Kosova është shtet parlamentar dhe demokraci funsionale,ku pranimi në Këshillin e Evropës, do të ishte etapë në procesin e integrimeve të Kosovës në strukturat evropiane.Bokojanis gjithashtu kishte thënë së Kosova ka arritur përparime edhe kur bëhët jaltë për luftën kunder krimit dhe korrupcionit , si edhe kur bëhët fjalë për të drejtat elementare njerëzore.Me mos pranim të Kosovës do të shkelën parimet bazë të 46 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Nga këto shtete pavarasinë nuk e kan njohur 12 prej tyre, dhe si duket edhe ky element ka ndikuar që të merret vendim kaq i padrejtë për mos pranim të Kosovës .Si duket në lobim të Serbisë të Vuqiqit, është inkuadruar edhe hungarezi, Viktor Orban, i cili do të tënton të binde Italinë pro Serbisë, kur dihet së disa parlamentarë më deklarimet e tyre kan dalë kunder Kosovës. Liderët perëndimor gjatë kishin besuar së Beogradi është qelësi i stabilitetit rajonal, edhe vitëve të 90-ta kur në pushtet, ishte autokrati , Sllobodan Millosheviq.Rezultati i gjithë kësaj dihet.Millosheviqi fillojë luftën pushtuese ndaj republikave të tjera, duke lënë mbrapa mijëra viktima të gjenocidit serb në Bosnje dhe në Kosovë.Në fund për të shpetuar këta popujë kishte intervenuar NATO. Duket së të njetin gabim, bota përendimore do ta përseritë edhe tash, më presidentin Vuqiq në krye të Serbisë.Dhe, gabimi i mundshem i përseritur nga faktori ndërkombtar, do të dërgonte popujtë e rajonit pas 30 vitesh, në një luftë edhe më të tmershme , se ajo më rastin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.Duket së këto lëshime ndaj Serbisë të pareformuar, po bëhën edhe nga interesat e reja të Evropës , por edhe të Amerikës në rajon.Së a do të jetë kështu apo do të mbetet më shumë spekulim , do të tregojë koha.

Pamfleti: Fazli Haxhiu krye-sekretar i UDB e OZNA në Prishtinë; i biri Baton Haxhiu, spiun i MUP e BIA serbe dhe këshilltar i Thaçit e Ramës

Pas publikimit të dëshmive të spiunit serb Baton Haxhiu në gjyqin e Sllobodan Milosheviçit, tel “Pamfleti” ka ardhur një informacion, që thotë se Baton Fazli Haxhiu, shtetas i Kosovës, i lindur më 24 shkurt 1965 në fshatin Paklek të Drenicës, është rekrutuar që në moshën 20-vjeçare, më 18 qershor 1985 nga Drejtoria e Rekrutimeve në Ministrinë e Brendshme të Serbisë (DMUP).

Rekomandimin për angazhimin e Batonit, shërbimeve sekrete Serbe ia kishte bërë babai Fazli Haxhiu, rezident i mirënjohur aktiv i këtij shërbimi në Kosovë, i cili kundrejt financimeve serbe, kishte krijuar një rrjet prej 320 informatorësh në zonën e tij Drenicë e deri në Prishtinë.

Në gjyqin e Hagës, Miloshevici i tha: – “Ti Baton ke qenë dhe je bashkëpunëtor i shërbimeve tona sekrete”; fakt që dëshmon, se gjersa rolin e tij e dinte Milosheviçi, do të thotë se Batoni ka qenë në elitën e spiunazhit serb në Kosovë.

Por dhe babai i tij, Fazli Haxhiu, ka qenë spiun me vlerë për 3 shërbimet sekrete serbe, dhe i shfaqur publikisht, kur banorët e fshatit Paklek, të Drenasit e krejt zonës së Drenicës, i përzunë familjarisht me damkën si shërbëtorë të Serbisë e armiq të shqiptarëve

Shërbimet e familjes “Haxhiu”, janë ushtruar nga stërgjyshi i Baton Haxhiut, i cili ka qenë mik i ngushtë i Krajlekvinës Serbe. Më pas nga gjyshi tij që ishte mik i Aleksandër Rankoviçit në atë kohë Ministër i Brendshëm i Serbisë, i njohur si “Përbindëshi Leka”.

Misioni familjar si spiunë, vazhdoi nga Fazli Haxhiu, babai i Baton Haxhiut, i cili ka qenë paralelisht spiun e shef spiunësh për shërbimet sekrete të Serbisë në Kosovë: UDB-ës; i Kundërzbulimit Sekret të Ushtrisë Jugosllave “KUSJ”; i Shërbimit Informativ Serb “BIA” dhe i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore të Ushtrisë Serbe “OZNA”, që faktikisht ishte organizatë terroriste e përndjekjes, torturave, vrasjeve e zhdukjes së shqiptarëve që kërkonin sovranitet.

Në arkivën e organizatës “OZNA”, një ndër kontributet e mëdha të Fazli Haxhiut në drejtimin e xhelatit Aleksandër Rankoviç; është informacioni që i dha shërbimeve sekrete serbe, për shqiptarët e armatosur që do ngriheshin kundër pushtetit serb në vitet 1955-1956.

Falë spiunimeve të Fazli Haxhiut e rrjetit të tij, atëherë kur u burgosën dhe u masakruan 410 shqiptarë, mbi të cilët ushtroi tortura dhe babai i Baton Haxhiut.

Si karrierë të lartë për shërbimet e kryera, Fazli Haxhiu ka pasur tre detyra: Drejtues i rekrutimeve në organizatës terroriste shtetërore serbe “OZNA”, shef spiunësh serbë në Kosovë dhe Krye-sekretar i UDB-ës e Ministrisë së Brendshme në Prishtinë.

Ndërsa si shpërblim, përveç parave, Fazli Haxhiut i dhuruan kompleks banese luksoze në Prishtinë dhe mbrojtje policore për të e familjen, pasi e përzunë nga fshati Paklek e Drenica.

Prej 39 vitesh, që nga mosha 20-vjeçare, aktivitetin familjar në shërbim të agjencive sekrete serbe në Kosovë, po e vazhdon Baton Haxhiu; fillimisht si spiun i zakonshëm deri në vitin 1997 kur u desantua në mediat dhe politikën shqiptare të Kosovës, nëpërmjet Zoran Stijoviç, Drejtor i Rekrutimeve dhe Operacioneve të UDB në Kosovë e shefit të madh Jovica Stanishiq.

Madje, një nga detyrat kryesore të Baton Haxhiut gjatë luftës, ishte depërtimi dhe mbledhja e informatave brenda komandës së UÇK; dhe ia arriti qëllimit, duke u bërë gjoja zëdhënës mediatik i Hashim Thaçit e drejtuesve të tjerë, ku merrte informacione dhe natën i raportonte direkt te  shefi i UDB në Kosovën, Jovica Stanishiq.

Aq shërbime të vlefshme bëri Batoni për UDB-ën, sa Jovica Stanishiq e bëri anëtar të Komitetit të Posaçëm Serb “Patkoi” me objektiv projektin “Kosova tokë e djegur”.

Pas luftës në Kosovë, Baton Haxhiu u bë këshilltar i Hashim Thaçit kur ishte kryeministër e President, ndërsa në janar 2014, u bë këshilltar i kryeministrit Edi Rama për çështjet Kosovë-Serbi, ku si kontribut i njihet propaganda për ndarjen e veriut të Kosovës dhe promovimi  e mbrojtja e interesave serbe në Kosovë e Shqipëri. (Faktet do të vijojnë)

https://pamfleti.net/english/anti-mafia/fazli-haxhiu-krye-sekretar-i-udb-e-ozna-ne-prishtine-i-biri-baton-hax-i227168


Send this to a friend