TIRANA– Ish-presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, është paraqitur sot në SPAK për të dhënë dëshmi lidhur me ngjarjet e 21 Janarit. Meta është pyetur në cilësinë e personit që kishte dijeni për rrethanat, duke qenë se në atë periudhë ushtronte detyrën e zv/kryeministrit të dorëhequr në qeverinë “Berisha”.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka bërë publike disa elemente nga deklarimet e Metës përpara oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas Cakranit, Meta ka pohuar se përpara zhvillimit të protestës ishte informuar në mënyrë konfidenciale nga shërbime të huaja që vepronin në Shqipëri, të cilat paralajmëronin për një demonstratë të dhunshme, me rrezik për përplasje serioze dhe madje edhe humbje jete.
Avokati ka theksuar se të njëjtat informacione, sipas Metës, u ishin përcjellë edhe kryeministrit dhe presidentit të kohës.
“Shërbimet amerikane më informuan se protesta do të ishte e dhunshme dhe do mbyllej me vrasje. Unë kam dhënë dorëheqjen se më është kërkuar nga ata sepse e dinin qe do ketë skenar dhune dhe për të zbutur përplasjet dhashë dorëheqjen. Këto informacione i janë dhënë shërbimit tonë sekret edhe presidencës”, mësohet të ketë thënë Meta.
Çështja “21 janari”
Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.
Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg./Dosja.al