Protesta e banorëve të Rrjollit për mbrojtjen e pronave të tyre ka hyrë në ditën e 34-të, ndërsa rezistenca në terren vijon pa ndërprerje.
Banorët janë mbledhur sërish në zonë, duke shprehur vendosmërinë për të mos u tërhequr nga qëndrimi i tyre dhe deklarojnë se janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për të mbrojtur pronën që, sipas tyre, u takon prej brezash. “Nuk e lëshojmë pronën, Ulaj ka ardhur me dhunë Gati të sakrifikojmë edhe jetën për pronën”, shprehet banori.
Gjatë protestës, banorët i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit që të tërhiqet nga zona dhe të shmangë përplasjet, duke kërkuar që situata të zgjidhet përmes dialogut dhe respektimit të të drejtave të tyre. Ata theksojnë se do të vazhdojnë qëndresën deri në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e pronave në këtë zonë, duke mbajtur të lartë qëllimin e mbrojtjes së tokave që u përkasin.
Punimet për ndërtimin e kompleksit “Blu Borgo” në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, të nisura nga botuesi Bashkim Ulaj në fillim të shkurtit pas marrjes së lejes së ndërtimit, kanë nxitur tensionin. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ndërsa zhvilluesi i tij është shoqëria “ABA Blue Borgo” me statusin e investitorit strategjik./JOQ