VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

HOROSKKOPI JAVA 23-29 PRILL 2018

By | April 23, 2018

Komentet

Shqipëria e pesta në Evropë për shifrën e lartë të problemeve nga zemra

Të dhënat për vendet e BE-së dhe disa shtete të tjera jan nga Eurostat

Shqipëria u rendit e pesta në Europë sa i përket peshës së lartë të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut (zemra, tensioni), pas Bullgarisë, Rumanisë, Lituanisë dhe Letonisë.

Me zemër më të dobët në Europë janë bullgarët, ku 66% e totalit të vdekjeve erdhi nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, të ndjekur nga Rumania (58%),  Lituania (57%), Letonia (55%) dhe Shqipëria (53.7%). Pas Shqipërisë renditet Serbia me 51.9%.

Të dhënat për vendet e BE-së dhe disa shtete të tjera janë dhënë nga Eurostat, dhe i referohen vitit 2017, për Shqipërinë nga INSTAT, ndërsa përpunimi i shifrave të Eurostat dhe krahasimi është bërë nga “Monitor”.

Në vitin 2019, në Shqipëri, nga sëmundjet e qarkullmit të gjakut ndodhën 53.4% e vdekjeve, me një rënie fare të lehtë në raport me 2017-n.

Në Europë, peshën më të ulët të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut e kanë Danimarka (23.4%), Mbretëria e Bashkuar (25.1), Holanda (25.7).

Për vdekjet nga tumoret, Shqipëria, së bashku me Bullgarinë, renditet në fund, duke pasur peshën më të ulët, me rreth 16% të totalit të humbjeve të jetëve. Rekordin e mbajnë Slovenia dhe Holanda, me rreth 31-32%.

Sëmundjet respiratore janë shkaku i tretë i vdekjeve në Europë, por në Shqipëri ka nivelin më të ulët me 2.9% të totalit. Rekordin e mban Mbretëria e Bashkuar, me rreth 14%.

Qytetet me zemër më të dobët në vend, rriten vdekjet te meshkujt e rinj

Jeta sedentare, dieta e pakontrolluar dhe ekspozimi i lartë ndaj alkoolit dhe ndaj duhanit po i vret shqiptarët dhe më së shumti meshkujt që çdo vit e më shumë po humbasin jetën nga infarktet dhe goditjet në tru. Alarmante është ulja e moshës së vdekshmërisë nga kjo sëmundje për meshkujt nën moshën 50 vjeç.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se më 2019-n kanë humbur jetën nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut 32 persona në ditë.

Në total 11,704 persona kanë humbur jetën nga zemra ose tensioni, ose 53% e totalit të vdekjeve natyrale.

Meshkujt përbëjnë dhe përqindjen më të lartë të humbjes së jetëve nga kjo sëmundje, me 51.5%, përkundjet 50% të grave.

Në vitin 2019 është konstatuar një rritje e lartë e vdekshmërisë nga zemra dhe tensioni në grupmoshën e meshkujve 45-49 vjeç (+17%) dhe 55-59 vjeç (+4.6%)

46% e vdekjeve të meshkujve nga kjo sëmundje ishin të grupmoshës nga 40-59 vjeç, kundrejt 43% që ishte një vit më parë.

Mjekët pohojnë se vdekjet më të larta tek meshkujt i atribuohen stilit te jetesës më së shumti. Doktor P. Malaj thotë se, meshkujt janë të ekspozuar më shumë ndaj pirjes së duhanit, alkoolit, dietës së pa kontrolluar dhe punëve të rënda që rëndojnë sëmundshmërinë dhe sidomos sëmundjet e qarkullimit të gjakut.

Qarkullimi i Gjakut 

Në të gjithë vendin, në 2019-n kishte 4.1 vdekje për 1000 banorë, për sëmundjen e  aparatit të qarkullimit të gjakut, me një rritje të lehtë në raport me 4, që ishte ky tregues një vit më parë.

Sipas qarqeve, qyteti me vdekjet më të larta nga zemra dhe tensioni, në raport me popullsinë është Berati, me 5.3 vdekje për 1000 banorë, me rritje në raport me vitin e mëparshëm (shih grafikun).

Në vend të dytë ka kaluar Shkodra, e cila ka shënuar një rritje të lartë të humbjeve të jetës nga zemra dhe tensioni në 2019-n (+8%), me 77 jetë të humbura më shumë, duke u ngjitur në 5.3 vdekje për 1000 banorë, nga 4.8% që ishte ky tregues vitin e mëparshëm.

Më pas renditen Korça e Gjirokastra (5.1 secili) , Vlora (4.9), Dibra (4.4).

Zemrën më të fortë e kanë tiranasit (3.5 vdekje për 1000 banorë), durrsakët (po 3.5) dhe elbasanllinjtë (3.4). Burimi:Monitor

Kush duhet ta marrë i pari vaksinën e koronavirusit?

Kush duhet ta marrë i pari vaksinën për COVID-19n? Autoritetet shëndetësore të SHBA shpresojnë që në fund të muajit të ardhshëm të kenë disa udhëzime se si t’i racionojnë dozat fillestare, por ky nuk do të jetë një vendim i lehtë.

“Jo të gjithëve do t’u pëlqejë përgjigjja,” tha Dr. Francis Collins, drejtor i Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë, para njërit prej grupeve këshilluese, ndihmën e të cilit ka kërkuar qeveria për të marrë një vendim.

“Do të ketë shumë njerëz që mendojnë se duhet të ishin në krye të listës,” tha Dr. Collins.

Tradicionalisht, në linjën e parë për të marrë vaksinën janë punonjësit shëndetësorë dhe njerëzit më të ekspozuar ndaj infeksionit.

Por Dr. Collins hodhi ide të reja: Sipas tij, duhet patur parasysh shpërndarja gjeografike dhe përparësi t’u jepet njerëzve në zonat që virusi ka goditur më shumë.

Nuk duhen harruar as ata vullnetarë që kanë marrë pjesë në fazën e fundit të testimit, por të cilëve u janë injektuar imitime vaksinash, për të bërë krahasimin me të tjerët që kanë marrë vaksinën e vërtetë.

“Ne ua kemi borxh atyre … është një përparësi e veçantë,” tha Dr. Collins.

Studime në shkallë të gjerë këtë verë synojnë të provojnë se cilat nga vaksinat eksperimentale janë të sigurta dhe efektive. Kompanitë Moderna Inc. dhe Pfizer Inc. filluan javën e kaluar testet që përfundimisht do të përfshijnë nga 30,000 vullnetarë secili; në muajt e ardhshëm do të ketë kërkesa po aq të mëdha për vullnetarë, për të testuar vaksinat e kompanive AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Novavax. Ndërkaq, disa vaksina të zhvilluara në Kinë janë në studime më të vogla të fazës së vonë në vendet e tjera.

Megjithë premtimet e zyrtarëve të SHBA se vendi do të ketë miliona doza, e vërteta është jo shumë e këndshme: Edhe nëse një vaksinë shpallet e sigurt dhe e efektshme, ajo nuk do të jetë e mjaftueshme për të gjithë ata që e dëshirojnë menjëherë, aq më tepër që vaksinat duhen bërë në dy doza.

Si do të vendoset se cila kategori duhet ta marrë vaksinën e para? Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve sugjerojnë: Së pari të vaksinohen 12 milion nga punonjësit më të ekspozuar shëndetësorë, ata të sigurisë kombëtare dhe punonjës të tjerë thelbësorë. Më pas, 110 milion njerëz në rrezik të lartë nga koronavirusi: ata mbi 65 vjeç që strehohen në institucionet e kujdesit afatgjatë, ose ata të çdo moshe që kanë shëndet të dobët. Popullata e përgjithshme vjen më vonë në renditje.

Përparësi duhet të jenë edhe popullatat e afrikano-amerikanëve dhe të latinoamerikanëve që janë goditur më tepër se sa të tjerat nga koronavirusi.

Një tjetër përparësi do të ishin të varfërit e qyteteve që jetojnë në kushtet e banesave me shumë njerëz dhe që kanë më pak mundësi për kujdes shëndetësor, apo që nuk mund të punojnë nga shtëpia si amerikanët më të privilegjuar, thotë Dr. Sharon Frey e Universitetit Saint Luois.

Ndërsa Dr. Henry Bernstein i firmës Northwell Health thotë se në këto raste do të ishte me vend vaksinimi i familjeve të tëra në vend që të veçohet një person i vetëm me rrezik të lartë në familje. zëri i amerikës

OBSH: Koronavirusi, një krizë shëndetësore që ndodh një herë në shekull

Lisa Schlein

Një komision i posaçëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për koronavirusin u mblodh për të diskutuar gjendjen aktuale të pandemisë. OBSH-ja po bën thirrje për solidaritet global në përpjekjet për ta vënë nën kontroll atë.

Komisioni i Emergjencës ra dakord njëzëri për herë të katërt se COVID-19 përbën një çështje urgjente të shëndetit publik me përmasa ndërkombëtare. Kur komisioni e bëri për herë të parë këtë deklaratë më 30 janar, kishte më pak se 100 raste dhe asnjë vdekje jashtë Kinës.

Tani pas gjashtë muajsh, Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton për mbi 17 milionë raste në shkallë globale dhe mbi 750 mijë vdekje. Më shumë se gjysma e rasteve të infektimit dhe vdekjeve kanë ndodhur në kontinentin amerikan.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus thotë se këto shifra janë një kujtesë e sfidës së jashtëzakonshme që paraqet kjo krizë.

“Pandemia është një krizë shëndetësore që ndodh një herë në shekull, efektet e së cilës do të ndjehen për dekada me radhë. Shumë vende që besonin se e kishin lënë pas fazën më të rëndë, po përballen tani me valë të reja”, tha ai.

Afro 35 ekspertë dhe këshilltarë që morën pjesë në takim virtualisht, kanë hartuar një sërë rekomandimesh për të orientuar përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar pandeminë. Një prej tyre është që të bashkërendohen angazhimet rajonale dhe globale për zhvillimin e vaksinave dhe mjekimeve.

Zoti Tedros tha se i kupton shpresat për gjetjen e një vaksime dhe mjekimeve për të trajtuar sëmundjen, megjithatë ai bën thirrje për një ulje të pritshmërive.

“Megjithëse zhvillimi i vaksinës po bëhet me shpejtësi, ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin dhe ta luftojmë me instrumentat që kemi”, tha ai.

Komisioni i Emergjencës thotë se shëndeti publik dhe masat e sjelljeve sociale janë disa nga mjetet më të mira që kanë komunitetet për të luftuar koronavirusin, përfshirë testimin, identifikimin, distancimin fizik dhe larjen e duarve.

Komisioni këshillon që shtetet të kenë sisteme vëzhgimi të koronavirusit me bazë në komunitete dhe u bën atyre thirrje që të ndajnë informacion për masat e udhëtimit, bazuar në vlerësimin e rrezikut në mënyrë që udhëtimi ndërkombëtar të rifillojë në mënyrë të sigurt.

Po ashtu i nxit shtetet që të luftojnë keqinformimin dhe informacionin e rremë për COVID-19-ën që minon përpjekjet për të luftuar pandeminë.

Shqipëri, 91 viktima në 30 ditët e fundit nga COVID 19

Në Shqipëri, situata e përhapjes dhe pasojave të COVID 19-ës vijon të përkeqësohet. Në 30 ditët e fundit janë shënuar 91 viktima nga COVID 19, ose 63 përqind e totalit të personave që kanë humbur jetën që nga fillimi i epidemisë në 9 mars.

Edhe 24 orët e fundit, rregjistruan sërish një numër të lartë vdekjesh. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se një 49 vjeçar nga Shkodra, një 54 vjeçar nga Mirdita, një 58 vjeçar nga Tirana, humbën jetën ndërsa nuk kishin patur sëmundje të tjera. Tre qytetarë të tjerë, të cilët po ashtu u ndanë nga jeta (një 56 vjeçar, një 68 vjeçar dhe një 76 vjeçare, nga Tirana) kishin sëmundje bashkëshoqëruese. Vetëm javën e fundit janë 31 viktima nga COVID 19, ndërkohë që java pararendëse kishte vetëm 18 persona që humbën jetën.

Në fakt java që shkoi shënoi një rritje dhe të rasteve, me një mesatare prej 101 të infektuarish në ditë. Vetëm në 24 orët e fundit ka patur 117 të prekur nga të cilët, 63 raste në Tiranë, ndërsa të tjerët të shpërndarë në 23 qytete të ndryshme të vendit. Në total numri i të prekurve ka arritur në 4880 persona. Aktualisht 1991 janë aktivë, ku më shumë se gjysma, 1082 gjenden në kryeqytet

Ka pasur një rritje të ndjeshme dhe të shtrimeve në dy spitalet Covid. Situata paraqitet serioze pasi është rritur gjithashtu numri i pacientëve në terapi intensive dhe i atyre të intubuar”, deklaroi Rovena Daja e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas të dhënave të pasdites së sotme në të dy spitalet e kryeqytetit ku trajtohen personat e prekur nga COVID 19 rezultonin të ishin të shtruar 114 pacientë. Prej tyre 19 janë në terapi intensive dhe 3 pacientë janë të intubuar. zëri i amerikës

SHBA, nisin provat përfundimtare me vaksinën kundër COVID-19

Marrë nga Associated Press

Prova më e madhe klinike në botë me vaksinën kundër COVID-19 nisi të hënën me 27 korrik me vullnetaret e parë nga 30 mijë të planifikuar. Vaksina eksperimentale është prodhuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe kompania “Moderna Inc.”, dhe është një nga disa prej kandidateve të mundshme në garën botërore për prodhimin e një vaksine kundër virusit.

Nuk ka ende asnjë garanci se vaksina eksperimentale e zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe “Moderna Inc.”, do të garantojë mbrojtje nga COVID-19.

Vullnetarët nuk do ta dinë nëse po marrin injeksionin e vërtetë apo një imitim të vaksinës. Pas dy dozash shkencëtarët do të ndjekin nga afër se cili grup do të pësojë më shumë infeksione, ndërsa ato vazhdojnë me rutinën e tyre të përditshme, veçanërisht në ato zonat ku virusi po përhapet i pakontrolluar.

Kompania “Moderna” tha se vaksinimi nisi në Savanah të Xhorxhias mes më shumë se 12 vendeve të tjera ku po kryhen prova klinike në të gjithë vendin.

Në Binghamton të Nju Jorkut infermierja Melissa Harting tha se ajo ishte ofruar si vullnetare “për të bërë atë që i takon për të ndihmuar”. “Ndihem e ngazëllyer” tha zonja Harting përpara vaksinimit të hënën në mëngjes.

Disa vaksina të tjera eksperimentale të prodhuara nga Kina dhe nga universiteti i Oksfordit në Britani ndodhen në fazën përfundimtare të disa testime në shkallë të ulët që po kryen në Brazil dhe vende të tjera të goditura rëndë nga pandemia.

Por SHBA po kërkon të vendosë një standard të lartë për të gjitha testimet që do të kryejë për çdo vaksinë që mund të përdoret në vend. Çdo muaj, Rrjeti Parandalues i COVID-19, i financuar nga qeveria, do të kryeje një studim të ri të çdo vaksine që shihet si kandidate potenciale për përdorim masiv, secila me të 30 mijë vullnetarët e rekrutuar rishtazi. Studimet masive nuk janë thjesht për të provuar nëse të vaksinat funksionojnë, ato janë të nevojshme për të kontrolluar sigurinë e tyre. Ndjekja e rregullave të njëjta të studimit do t’u japë mundësinë shkencëtarëve të bëjnë krahasime mes të gjitha vaksinave.

Më pas në gusht, SHBA nis provën përfundimtare klinike me vaksinën e Oksfordit, që pritet të pasohet nga provat klinike të një vaksine të mundshme të prodhuar nga “Johnson & Johnson” në shtator dhe nga “Novavax” në Tetor, nëse gjithçka shkon sipas planeve.

Kompania “Pfizer Inc.” planifikon nisjen e studimit të saj me 30 mijë persona këtë verë. Ky konsiderohet një numër tejet i madh njerëzish të cilët do të përveshin mëngët në shërbim të shkencës. “Javët e fundit më shumë se 150 mijë amerikanë plotësuan një formular në internet ku shfaqnin interesin e tyre për të marrë pjesë në studim”, thotë doktor Larry Corey, virolog në Institutin e Kërkimeve për Kancerin “Fred Hutchinson” në Siatëll, i cili po ndihmon me mbikëqyrjen e vendeve ku po kryhen provat klinike.

Këto prova do të përfshijnë amerikanë të gjeneratave të ndryshme, ato do të jenë multietnike pasi duhet të pasqyrojnë shumëllojshmërinë e popullatës së Shteteve të Bashkuara“, tha zoti Corey gjatë një takimi mbi vaksinat javën e kaluar. Ai theksoi se është veçanërisht e rëndësishme të sigurohet një numër i mjaftueshëm vullnetarësh që i përkasin komunitetit afrikano-amerikan dhe atyre me origjinë nga amerika latine pasi siç tha ai këto janë komunitetet më të goditura nga COVID-19 në SHBA.

Normalisht duhen vite për prodhimin e një vaksinë të re nga e para, por kësaj here shkencëtarët po vendosin rekorde shpejtësie, duke e parë vaksinën si shpresën më efikase kundër pandemisë.

Deri përpara fundit të muajit dhjetor koronavirusi nuk dihej që ekzistonte. Prodhuesit e vaksinave hynë në veprim më 10 janar, kur Kina shpërndau sekuencën gjenetike të virusit.

Vetëm 65 ditë më vonë në mars, vaksina e prodhuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë u testua tek njerëzit. Vullnetari i parë inkurajoi të tjerë t’i bashkohen provave klinike.

Aktualisht të gjithë ndihemi shumë të pafuqishëm. Mund të bëjmë shumë pak për të luftuar këtë virus. Të jesh në gjendje të marrësh pjesë në këtë provë më ka mësuar se unë po bëj diçka“, thotë Jennifer Haller nga Siatëll për agjencinë “AP”. “Përgatituni për shumë pyetje nga miqtë e familjarët se si po shkon si dhe shumë falenderime“, thotë ajo.

Studimi në fazën e parë të tij ku morri pjesë edhe Jennifer Hallerin si dhe 44 vullnetarë të tjerë, tregoi se injeksionet stimuluan sistemit imunitar të vullnetarëve në atë mënyrë që sipas shkencëtarëve do të garantojë mbrojtje, me disa efekte anësore të vogla siç janë temperatura për një kohë të shkurtër, të dridhura e dhimbje të trupit.

Gjermani, qentë e ushtrisë stërviten për nuhatjen e koronavirusit

Gara për prodhimin e një vaksine efektive kundër koronavirusit po vazhdon. Ekspertët pajtohen se derisa të prodhohet një vaksinë, masat më të mira kundër koronovirusit mbeten distancimi fizik, përdorimi i maskave dhe larja e shpeshtë e duarve. Zbulimi i hershëm mund të ndihmojë në vendosjen nën kontroll të përhapjes së Covid-19, dhe trupat gjermane tashmë kanë filluar të trajnojnë qentë për këtë çështje.

Kohët e fundit në këtë akademi në Ulmen të Gjermanisë, trajnerët e ushtrisë testuan një armë të re në luftën kundër koronavirusit. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer tha se ky program për trajnimin e qenve është i pari i këtij lloji.

“Kjo shkollë është unike për ushtrinë, por edhe në një kontekst ndërkombëtar, është një gjë e veçantë që mund të ofrojmë. Në këtë shkollë nuk stërviten vetëm njerëzit, por qentë dhe njerëzit trajnohen së bashku”, tha ajo.

Qentë nuk mund të nuhasin virusin aktual, por ata mund të diktojnë ndryshimet bio-kimike që ai shkaktonë në pështymë. Këta qen japin rezultate me mostra të vogla deri në 0.1 mililitra.

“Ne thjeshtë po hetojmë nëse qentë e ushtrisë mund të përdoren për të zbuluar Covid-19. Jo sepse ata mund të nuhasin vetë virusin, por ata mund të nuhasin proceset bio-kimike dhe ndryshimet e shkaktuara nga virusi.”

Ministrja Kramp-Karrenbauer thotë se ndërsa testet janë inkurajuese, studimet janë ende duke vazhduar.

“Dua ta bëj të qartë se hapat e ardhshëm, si për shembull aftësia për të bërë dallimin mes koronavirusit dhe gripit ose për të dalluar një bartës aktiv të Covid-19 janë pyetje për të cilat ende nuk kemi përgjigje, kështu që do të na duhen shumë muaj të tjerë për të qenë në gjendje të ofrojmë rezultate të qarta.”

Trajnuesit ushtarakë të qenve dhe Universiteti i Hanoverit aktualisht janë duke punuar me specie të ndryshme të qenve në një sistem të bazuar në shpërblime, sipas të cilit qenve u jepen ushqime të posaçme për identifikimin e saktë të pështymës së njollosur. zëri i amerikës

LETRA E MARTIN CAMAJT – Nga XHAHID BUSHATI

-Nxjerrë nga arkivi im dhe mban datën 25 korrik 1991-
Na transferuan në Radion e re. Mbaja po të njëjtin pozicion, si në radion e vjetër, atë të redaktorit të emisioneve artistike.
Ishte fillim korriku. Viti 1991. Papritur më kërkon të më takojë një njeri që thjesht e njihja si Nika i Kinemasë. Një burrë me trup djaloshi dhe shumë fisnik. Nika më thotë: “Xhahid, unë kam një dajë. Dhe ai banon në Gjermani. Shkruan vjersha. Sikur të bëje një emission, sa do të gëzohej.” “E pyes: – Nik, si quhet daja?” Nika më përgjigjet: “Martin Camaj”. I them: “Që të jem i sinqertë me ty: – Nuk e njoh dhe as nuk ia kam dëgjuar zërin dhe emrin, ndonëse po më bëhen një jetë që merrem me libra, lexime dhe studime. Të lutem, më sill ndonjë libër, që të njihem më mirë.”
Nika nuk vonoi dhe më solli tre libra, që të tre të panjohur për mua. I lexova. I rilexova. M’u duk vetja i vogël para madhështisë së talentit të tij. I vogël… Pyeta veten: “Përse kjo panjohje? Përse kjo heshtje? Çdo poezi ishte një amanet për Shqipërinë dhe tokën që e lindi dhe e dashuroi deri në frymën e fundit. Poezitë – ishin një mrekulli…” Kaq mendova atëhere dhe kaq shënova në fletën e arkivit tim, që e ruaj si sytë e ballit.
Të nesërmen, e fillova punën duke takuar aktorët më të mirë të Teatrit “Migjeni”. E pranuan propozimin tim për të bërë një montazh muziko-letrar me poezitë e Martin Camajt. Kisha punuar pothuajse gjithë natën dhe ia kisha dalë mbanë.
Dua të them, në atë montazh muziko-letrar pashë një dashuri dhe zemër të madhe të interpretimit të aktorëve, pashë një dritë që nuk e kisha parë ndonjëherë, siç duket, dhe kjo ishte e vërteta, vinte nga drita hyjnore e poezive të Camajt. E kujtoj dhe tani forcën emocionale dhe dimensionin aktoresk të Bruno Shllakut.
E përfunduam emisionin. E dhamë. Bëra dhe një kasetë për Nikën, ku i shkrova dhe ca fjalë Martinit. Fjalët janë këto: “Më zgjate jetën me kurorat vezulluese të poezive të tua. Thitha shumë ajër Shqipërie. Unë të pres në Shkodër. Je miku im! Të përshëndes dhe të them: – Shumë faleminderit!”
Pas ca ditësh, u thirra në zyrë nga drejtori im. Ashtu idhnak siç ishte, më kërcënoi me gisht, duke më thënë: “Duhet të më pyesje mua!” E kuptova se ai ende jetonte me frikë, ndonëse hiqej si demokrat. Nga natyra kam qenë kokëfortë dhe nuk largohem nga e imja. Këtë parim e kam edhe sot. Iu përgjigja: “E kam bërë me koshiencë. Mbaj përgjegjësi vetëm unë. Martin Camaj duhet nderuar. Është turp për ne që e kemi lënë në harresë.”
Pas ca ditësh, erdhi, përsëri, Nika. I shkëlqenin sytë. Nuk dinte si të më falenderonte. Ai më dha një letër që ma dërgonte Martin Camaj. Mbante datën 25 korrik 1991. Po e jap në fb. (disa fragmente) për herë të parë.
I dashur Z. Bushati
Kam marrë letrën e shiritin dhe të falënderoj Z. Bushati (Xhahid) e të gjithë ata që kanë marrë pjesë në përgatitjen e emisionit (në Radio Shkodra), Ka fort përzemërsi mbrendë që e shkëmbej edhe sot si edhe më parë. Shumicën e jetës në Shqipni e kam kalue ne Shkodër. Përmbi Shkodrën kam një dramë të pabotueme, në të cilën herë mbas here punoj tash 25 vjet.
Vjet qesh në Kosovë sepse ishin keq. Po ngjan kështu se, sidomos sot “familja ime” u ba tepër e madhe dhe ndjej përgjegjësi jo vetëm për familjen e ngushtë që jeni ju. Deri sa të më mbajnë fuqitë, nuk do të kursehem, sidomos të mbetem zëdhënës për hallet e popullit tonë kudo gjindet.
I jueji
Martin Camaj
*
Në arkivin tim, gjeta, gjithashtu, edhe këtë telegram:
Shkoder Shkoder 2111 20 29/3 10
(kopju 29/3 10 30 firma)
z. xhahid bushati
radio shkodra
vllaznit e martin camajt presin ngushllime datë 1/4/92 në familjen camaj temal
familja camaj
kl 1/4/92
Shënimi im: Në pamundësi për të shkuar, në shenjë respekti mendova t’iu bëj një telegram ngushëllimi. Mjerisht për disa ditë me radhë nuk punuan linjat. Megjithatë jo për fajin tim, por mua më mbeti peng në zemër…

 

Dilema e mjekimit: plazh apo llixha?

Argjend Tafaj, reumatolog pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’

Dua të ndalem pak te një pyetje që ma bëjnë shpesh të sëmurët, vijnë që tani dhe pyesin: a të shkoj në plazh, a të shkoj në llixha? Shumë mirë bëjnë që pyesin, janë pyetje shumë me vend. Të sëmurëve me artrit reumatoid, plazhi nuk iu këshillohet, ndërsa banjo dielli mund të bëjnë vetëm në orët e mëngjesit dhe pasdites, kur dielli nuk është shumë i fuqishëm.

E nxehta, ato praktikat e mbulimit me rërë të nxehtë, nuk janë të këshilluara, janë shumë të rrezikshme, nxisin inflamacionin, rëndojnë gjendjen.

Po ashtu edhe vajtja në llixha, në ujërat e nxehta nuk këshillohet. Ka gjithashtu edhe disa vende ku ka ujë të ftohtë, as ajo nuk këshillohet. Se një i sëmurë që vuan nga zemra, për shembull, nuk mund të futet në ujëra aq të ftohta. E për më tepër, nuk mund të futet pa kontroll mjekësor.

Do t’u këshilloja të sëmurëve që mbi artikulacionet e pezmatuara, të inflamuara, ku ka nxehtësi lokale, janë të ënjtur, të vënë kompresa me akull. Dhe kur nuk kanë nxehtësi lokale, janë të qetë por kanë ato kërcitjet, gjithmonë duke u këshilluar me mjekun, mund të vënë kompresa të ngrohta, jo të nxehta.

Të mos sforcohen, të kryejnë aktivitet fizik dhe kinezoterapi, që do të thotë terapi me atë të lëvizjes nën ndjekjen e specialistëve mjekësorë./ Shendeti.com.al

Vapa e madhe – Gusht përvëlues me temperatura mbi 40 Gradë Celcius

Pjesa e parë e gushtit, sipas ekspertëve, do të jetë pa lagështira, me një mot të pastër dhe stabël ndërsa në vijim, mërkuri në termometër nuk do të ndalet së ngrituri.

I nxehti afrikan po vjen. Do të pushtojë Evropën ditët e ardhshme dhe na pret një gusht përvëlues me temperatura mbi 40 gradë celcius.

Sipas meteorologëve, trazirat po largohen dhe pas një pjese të parë të verës, të pranueshme, kjo e fundit tani do të shpalosë më të mirën e mundshme të saj; po vjen vapa e madhe.

Deri tani në fakt, në pjesë të ndryshme të kontinentit, është regjistruar një verë pak a shumë normale, me alternime mes fazave të kohës së bukur dhe të freskët dhe stuhive të shpejta që janë parë në disa rajone në Italinë e veriut apo edhe në vende të tjera përreth.

Por tani, ekspertët flasin për një valë të nxehti afrikan që po vjen ndërkohë që java e parë e gushtit do të jetë e zjarrtë.

E kjo konfirmohet nga modelet matematikore më të besueshme. Ai më i preri, modeli amerikan GSF (Global Forecast System) tregon ardhjen e një mase ajri saharian rreth 4-5 gushtit.

Pjesa e parë e gushtit, sipas ekspertëve, do të jetë pa lagështira, me një mot të pastër dhe stabël ndërsa në vijim, mërkuri në termometër nuk do të ndalet së ngrituri.

Për sa i takon fundjavës, meteorologët thonë se trazirat që kanë kaluar ditët e fundit në pjesën veriore të Iitalisë, tani do të zhvendosen shpejt drejt Ballkanit për ti lënë vendin, javën e ardhshme, masave të presionit të lartë nga Afrika e Veriut që do të sjellin ditë me diell por shumë të nxehta në të gjithë zonën përreth Mesdheut./Marrë nga Javanews

Studiuesit shumë afër mjekimit që do të ndryshojë rrjedhën e Covid-19

Firma bioteknologjike me bazë në Sothhampton, Synairgen ka përdorur një proteine të quajtur interferon beta, të cilën trupi i njeriut e prodhon kur preket nga një infeksion viral.

Rezultatet paraprake të testeve klinike të trajtimit të ri kundër Covid-19 janë befasuese: mjekimi e ka ulur në mënyrë drastike numrin e pacientëve të shtruar në terapi intensive sipas kompanisë britanike që e ka prodhuar.

Firma bioteknologjike me bazë në Sothhampton, Synairgen ka përdorur një proteine të quajtur interferon beta, të cilën trupi i njeriut e prodhon kur preket nga një infeksion viral.

Proteina thithet direkt në mushkëri nga pacientët me koronavirus përmes aerosolit dhe duket se stimulon tek ata një reagim imunitar.

Gjetjet fillestare tregojnë se trajtimi i ka reduktuar me 79% gjasat që të prekurit nga Covid, të sëmuren rëndë.

Pacientët, të cilëve iu administrua mjekimi i ri kishin tre herë më shumë mundësi ta merrnin veten deri në pikën që sëmundja të mos i cënonte aktivitetet e tyre të përditshme.

Testet sipas firmes prodhuese, treguan gjithashtu se mjekimi i ri e reduktonte në mënyrë të ndjeshme vështirësinë në frymëmarrje që përjetojnë një pjesë e pacientëve.

Në testimin e këtij ilaci morën pjesë 101 vullnetarë të shtruar me Covid në nëntë spitale britanike.

Rezultatet e tij, sipas Synairgen, janë një hap i jashtëzakonshëm përpara sa i takon trajtimit të koronavirusit.

Interferon beta është pjesë e linjës së parë mbrojtëse të trupit kundër virusit dhe e paralajmëron organizmin për sulmin viral, duke nxitur reagimin e tij.

Koronavirusi duket se e suprimon prodhimin e kesaj proteine si pjesë e strategjisë së tij për të bllokuar sistemin imunitar./Burimi:TopChannel

Humb betejën me COVID-19 biznesmeni i njohur, pronar i fabrikës së vajit të ullirit në Ndroq

Gazetare: Klevisa GJIKA

Biznesmeni i njohur Lai Pasmaciu ka humbur betejën me virusin famëkeq SARS COV-2.

Ai ndodhej në luftë me koronavirusin prej ditësh, por për fat të keq nuk arriti të mbijetojë. Pasmaciu ishte i shtruar prej ditësh në spital dhe bazuar në disa shkrime të bëra në facebook nga miqtë e tij, pas ndarjes së tij nga jeta, mësohet se biznesmeni u infektua në një spital teksa shoqëronte bashkëshorten për të bërë disa analiza.

Pasmaciu ishte pronar i fabrikës “Tre miqtë”, e cila njihet për prodhimin e tre varieteteve të vajit të ullirit.

COVID-19 mund të infektojë njerëzit 26 hapa larg njëri-tjetrit, në mot të ftohtë dhe me erë

Gazetare: Klevisa GJIKA

Koronavirusi është i aftë të udhëtojë 26 hapa ose rreth 8 metra në kohë të ftohta, kur temperaturat janë të ulëta dhe era fryn. Kështu shprehen kërkues të qendrës së Helmholtz pas një studimi në një thertore në Rheda-Wiedenbrueck, ku u infektuan 1500 punonjës.

Nga hulumtimet e bëra u konstatua një person i vetëm pozitiv që infektoi dhjetëra të tjera, edhe pse rreth 8 metra larg. Sipas ekspertëve, kjo justifikohet me temperaturat e ulëta dhe ajrin në lëvizje.

Në rrethana të njëjta janë edhe situata të tjera të ngjashme nëpër botë, mes të cilave Mbretëria e Bashkuar që numëron 5 vatra infeksioni të inicuara pandërgjegjshmërisht në këtë mënyrë.

Dihet se me ftohjen e motit virusi bëhet më agresiv, nisur nga fakti se nuk është i ekspozuar në diell, gjë që rrit rrezikun për një infektim më të madh dhe më të gjerë në kushte të tilla. / Daily Mail