Në zhurmën e fushatës elektoral “Trupi dhe Shëndeti”, emisioni që ka si qëllim informimin dhe edukimin shëndetësor të shqiptarëve, i cili në datën 10 prill, mbushi plot 64 vjeç. Ndonjë i ri mund të pyes se çfarë ka të veçantë ky emision që iu dashka dedikuar një artikull, në një nga gazetat më të lexuara të vendit? “Trupi dhe Shëndeti” është shembull i përkushtimit, seriozitetit, besnikërisë, ndershmërisë dhe pasionit. Fjalë që nuk para i dëgjojmë shpesh në vendin tonë, apo jo? Në 64 vite janë ndërruar sistemet, kanë ardhur dhe kanë rënë nga pushteti parti, janë emëruar drejtorë të rinj të RTSH, janë hapur dhjetëra televizione private, interesat dhe mënyra e jetesës kanë ndryshuar, në fakt, pothuajse gjithçka, ka qenë në një proces transformimi, tranzicioni e megjithatë, emisioni mbeti po aty, në të njëjtin televizion, me të njëjtin qëllim. Një monument i gjallë ngritur në vitin 1961, i ruajtur me kujdes dhe dashuri deri më sot.
EMISIONI I REKORDEVE
“Trupi dhe Shëndeti” mban disa rekorde mbresëlënëse: është emisioni më jetëgjatë në Shqipëri dhe nga më jetëgjatët në botë. Madje, për sa u përket emisioneve me fokus mjekësinë, mban vendin e parë në të gjithë mediat botërore. Imagjinoni sa vite janë… Më shumë se gjysmë shekulli! 6 dekada! Një tjetër rekord i përket autorit dhe moderatorit të tij, dr.Flamur Topi, që më shumë se çdo koleg tjetër në botë ka mundur të drejtojë çdo javë, për 60 vite pa ndërprerje, të njëjtin emision, në të njëjtin kanal televiziv. Por më shumë se shifrat, është përmbajtja, ajo që u jep vlerë këtyre viteve.
Kur ka nisur “Trupi dhe Shëndeti”, burimet e informacionit nuk ishin kaq të shumta sa sot. Të informohesh për shëndetin përmes “Google” është një fenomen i viteve të fundit. Ndaj emisioni ka qenë një burim i pasur dijesh mjekësore për popullatën. Por edhe sot, në epokën digjitale, jo gjithçka që lexohet në ekranet e celularëve apo kompjuterave është shkencërisht e saktë, përkundrazi, shpeshherë jepen informacione të dëmshme për shëndetin. Prandaj një emision ku ftohen të flasin mjekët më të mirë të vendit dhe personalitete të mjekësisë botërore, i ndihmon njerëzit të dallojnë të vërtetat nga të dhënat e rreme
JO NJË RELIKE, POR NJË PRODUKT ENDE I VLEFSHËM
Dikush mund të mendojë se po shkruhet për një relike që i ka ardhur koha për t’u vënë në muze. Nga futja në treg e shumë televizioneve private dhe më pas e “Dr.Google”-it, mund të lindë pyetja “A e sheh ndokush këtë emision”? Në vendin tonë, pak flitet me evidence, por me përshtypje individuale, që bazohen në këndvështrime të ngushta dhe paragjykime të përhapura si: E reja është gjithmonë më e mirë se e vjetra, publiku i të rinjve është më i rëndësishëm se ai të moshuarve, gjithçka rrotullohet rreth Tiranës. Por kur bëhet fjalë për një emision shkencor, që ka të bëjë me jetën dhe shëndetin e njerëzve, përvoja dhe vazhdimësia janë një garanci besueshmërie.
Të moshuarit (750 mijë pensionistë), që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, kanë interesa të ndryshme nga të rinjtë. Ata janë më të lidhur me çështjet e shëndetit dhe shpesh më të shkëputur nga interneti. Për osteoporozën, gonartrozën, hipertensionin apo infarktin e miokardit nuk ka përse të ketë interes një 15 apo 20- vjeçar, por ky fakt nuk e zbeh rëndësinë e trajtimit të temave të tilla. Gjithçka nuk matet vetëm me audiencën e Tiranës. Emisioni shihet mjaft, përveç se në qendër edhe në periferi, në rrethe, në fshatra të humbura, ku pak televizione kanë mundur të shtrijnë sinjalin e tyre. Ndaj studimi i bërë nga Fakulteti i Gazetarisë vite më parë, drejtuar nga personalitete të shquara si Artan Fuga dhe Mark Marku, nuk më erdhi si surprizë. Në studim u mat shikueshmëria e Televizionit Publik Shqiptar dhe ajo dilte goxha e lartë. Rreth 30% e shqiptarëve e ndiqnin çdo ditë dhe në mes emisioneve të këtij televizioni, më i shikuari ishte “Trupi dhe Shëndeti”. Matësit e tjerë të audiencës janë kompani private dhe janë akuzuar se e matin shikueshmërinë në bazë të interesave të televizioneve private. RTSH fare padrejtësisht është nxjerrë sikur ka një audiencë të ulët se edhe televizionet lokale, aq sa dikur, dilte që finalja e Kampionatit Evropian të Futbollit, transmetuar asokohe nga RTSH, shihej nga një numër i papërfillshëm shikuesish e që shumica, gjoja, po shikonin një film të dorës së dytë në një televizion tjetër. Kam prirjen të besoj më shumë një punë të kryer nga Fakulteti i Gazetarisë se sa një kompani private që niset nga interesa të tjera.
EMISIONI SI NJË INSTITUCION MË VETE NË FUSHËN E SHËNDETIT PUBLIK
Të japësh informacion dhe të edukosh në të njëjtën kohë një numër mjaft të madh njerëzish, është e pamundur të bëhet me personel mjekësor dhe vullnetarë në terren. “Trupi dhe Shëndeti” ka folur për çdo lloj sëmundjeje, janë dhënë mesazhe mjaft të rëndësishme për shëndetin dhe jetën, është mbajtur publiku i informuar për teoritë dhe të dhënat më të fundit shkencore. Sa shoqata joqeveritare ka në Shqipëri që synojnë përkrahjen e grupeve më vulnerabël të shoqërisë? Përmes antenave të televizionit, informacioni u është përçuar të gjithëve pa dallime rajoni, arsimi, pasurie, etnie etj. dhe është dhënë në mënyrën më të thjeshtë e më të kuptueshme për të gjithë. Ndaj “Trupi dhe Shëndeti” ka bërë një punë që shoqatave do t’u duheshin fonde me miliona. Publiku nuk ka qenë gjithmonë marrës pasiv i informacionit.
Përmes rubrikës “Ju pyesni, ne përgjigjemi”, teleshikuesve u është dhënë mundësia të hyjnë drejtpërdrejtë në komunikim me mjekët përmes telefonatave, të cilat i solli për herë të parë si risi, pikërisht ky emision, që në sistemin e kaluar, në një kohë kur çdo program kontrollohej rreptësisht, ku edhe një shprehje e “papërshtatshme” mund të të kushtonte shumë. E si risi mund të listojmë edhe të tjera si edukimi seksual, edukimi shëndetësor për fëmijët, dokumentarë shkencorë mjekësorë, rubrika “Stres-antistres”, të reja nga mjekësia, aktualitet mjekësor etj., etj..
FLAMUR TOPI
Të drejtosh një emision për dekada me radhë kërkon një pasion të pashtershëm dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm. Ndaj do të kish qenë e pamundur që “Trupi dhe Shëndeti” të zgjaste kaq gjatë, nëse nuk do të qe puna vetëmohuese e dr.Flamur Topit, i cili si asnjë tjetër në botë, drejtoi pa ndërprerje një emision, çdo javë, për 6 dekada. Madje, emisioni nuk u ndërpre as në vitin e errët 1997, kur godina e televizionit qe braktisur edhe nga forcat e rendit, që e kishin për detyrë mbrojtjen e tij.
U BËFSH 100 VJEÇ!
Nuk do të mund të matet kurrë me saktësi, sa sëmundje janë parandaluar, sa njerëz janë shëruar, apo sa jetë janë shpëtuar falë këtij emisioni. Por jam i bindur se janë shumë. Parandalimi është thelbi i mjekësisë moderne. Siç thotë shpesh dr. Flamuri: “Të ndalosh dikë të hidhet nga shkëmbi, është më e rëndësishme se sa t’ia kurosh plagët pasi është hedhur – nëse mbijeton”. Sigurisht që jo gjithçka lidhet me informimin dhe edukimin. Ka njerëz që sado i paralajmëron për rreziqet, përsëri do të sillen pa kujdes, por çdokush bën pjesën e vet në luftën me sëmundjet dhe vdekjen. “Trupi dhe Shëndeti” e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë misionin e tij. Si në çdo përvjetor të shënuar, i uroj emisionit: Gëzuar 64- vjetorin e ditëlindjes, “Trupi dhe Shëndeti”, u bëfsh 100 vjeç!
Autor dhe moderator i emisionit “Trupi dhe Shëndeti” që nga viti 2022