VOAL

VOAL

Historike: Kosova nË UEFA

May 3, 2016
blank

Komentet

blank

Intervista- Volker: Kosova të ulë tensionet, Perëndimi t’i kundërvihet nacionalizmit serb

VOA/Keida Kostreci

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker thotë se qeveria e Kosovës gaboi që veproi në Veri pa u këshilluar me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, por shton se Perëndimi nuk duhet të neglizhojë prirjet nacionaliste që ai thotë se po ndjek Serbia në rajon. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Volker, ekspert në Qendrën për Analizë të Politikave Evropiane, i bën thirrje qeverisë së Kosovës të marrë masa për të ulur tensionet, por thotë se edhe Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Evropian, duhet të angazhohen për të zmbrapsur përpjekjet që rrezikojnë gërryerjen e sovranitetit të Kosovës. Me zotin Volker bisedoi kolegia Keida Kostreci.

Zëri i Amerikës: Ambasador Volker, cili është mendimi juaj për tensionet e fundit në Veri të Kosovës dhe përshkallëzimet atje?

Kurt Volker: Së pari duhet të them se është një gjendje shumë e rrezikshme. Kemi parë shumë herë në të kaluarën se si nacionalizmi etnik ka shpërthyer në konflikt të hapur në Ballkan. Një gjë e tillë duhet parandaluar me çdo kusht. Duke pasur parasysh këtë, mendoj se veprimet e policisë së Kosovës ishin të tepruara. Ata duhet të kishin vepruar me më shumë maturi. Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë se arsyeja se pse filloi e gjitha, ishte veprimtaria disavjeçare nacionaliste e Serbisë në Kosovë, në Bosnje, në Mal të Zi dhe në vetë Serbinë dhe nuk ka patur përpjekje për ta frenuar atë. Mendoj se kjo krijoi një situatë ku Kosova pati ndjesinë se po gërryhej sovraniteti i saj. Refuzimi i komunitetit serb (në Kosovë) për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, përpjekjet për të krijuar Asociacionin e komunave me mbështetjen e Serbisë, të gjitha këto krijuan përshtypjen se Serbia po përpiqej të ndërhynte brenda Kosovës, gjë që natyrisht, ishte e papranueshme për autoritetet e Kosovës.

Në këto kushte, zgjidhja është më shumë angazhim nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, që duhet të zmbrapsin këto prirje nacionaliste dhe duhet t’i përqendrojnë përpjekjet tek krijimi i stabilitetit dhe rritjes dhe zhvillimit ekonomik për të gjithë.

Zëri i Amerikës: Sekretari amerikan i Shtetit, fajësoi direkt qeverinë e Kosovës për “hyrjen me forcë në komuna” duke theksuar se veprimet ishin marrë pa u këshilluar me Shtetet e Bashkuara. A mendoni se qeveria e Kosovës duhet të kishte qenë më e matur dhe të mendonte pasojat e mundshme, para se t’i ndërmerrte ato hapa?

Kurt Volker: Së pari, lidhja e ngushtë me Shtetet e Bashkuara është jetike për Kosovën. Prandaj ishte e nxituar dhe e pamatur nga ana e tyre që t’i ndërmerrnin këto veprime pa u konsultuar me Shtetet e Bashkuara. Dhe mendoj se kjo reflektohet në deklaratën e sekretarit Blinken. Në të njëjtën kohë, unë mendoj se deklarata anashkalon një pjesë të përgjegjësisë së SHBA-së dhe Bashkimit Evropian që dështuan të mbanin nën kontroll disa nga këto veprime nacionaliste serbe me kalimin e kohës, gjë që ishte edhe arsyeja që e nervozoi Kosovën.

Pra, nga perspektiva e Kosovës ishte një kombinim faktorësh. Megjithatë është e rëndësishme që Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet, të punojë me komunitetin ndërkombëtar, sepse nuk do të jetë në një situatë më të favorshme për t’i bërë ballë nacionalizmit serb duke vepruar e vetme, sesa po të punojë me komunitetin ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Megjithatë nga intervistat dhe deklaratat e Kryeministrit Albin Kurti, duket se ai nuk po bën një hap prapa, por po thekson se përballë një regjimi si ai i Serbisë, qeveria nuk do të zmbrapset dhe do të mbrojë demokracinë e saj. A janë konstruktive këto deklarata?

Kurt Volker: Unë e kuptoj këndvështrimin e tij, si edhe faktin që për të është politikisht e rëndësishme që të mos duket i dobët. Por në të njëjtën kohë, unë mendoj se ai dhe autoritetet e Kosovës në përgjithësi duhet të gjejnë një rrugë për të zbutur situatën, për t’u rikthyer tek bashkëpunim me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, duke këmbëngulur njëkohësisht që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë një rol më të fuqishëm se saj ka luajtur deri tani për zmbrapsjen e veprime nacionaliste.

Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që edhe Shtetet e Bashkuara të bëjnë përpjekje për uljen e shkallëzimeve, që situata të mos acarohet edhe më shumë.

Zëri i Amerikës: Amasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier tha se në përgjigje ndaj qëndrimit të Kosovës, NATO-ja anuloi pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen Defender 23. A mendoni se kjo ishte një kundërpërgjigje e përshtatshme?

Kurt Volker: Mendoj se është një çështje gjykimi. Është e qartë që qeveria e Shteteve të Bashkuara është e pakënaqur me qeverinë e Kosovës dhe ata deshën të bënin diçka për ta shprehur këtë pakënaqësi. Mendoj se për shkak të mënyrës se si veproi Kosova, pa u konsultuar drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara, SHBA po përpiqet të mbajë qëndrim. Personalisht unë mendoj se ne duhet të mbështesim pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, t’i këshillojmë ata që të bëjnë një hap pas, të qetësohen, të mos shkallëzojnë situatën dhe të mbajmë një qëndrim më të balancuar lidhur me rolin që po luan nacionalizmi në rajon në këto momente.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh se sa i ashpër ishte ky qëndrim amerikan, sa mendoni se është dëmtuar marrëdhënia mes dy vendeve që të dyja palët e kanë konsideruar të veçantë?

Kurt Volker: Mendoj se do ta karakterizoja situatën aktuale si zhgënjim dhe nervozizëm. Shpresoj që situata të hyjë në rrugë të mbarë përsëri.

blank

Albin Kurti: Çdo 31 maj përkujtojmë martirët e Poklekut të ri të Drenasit dhe Studimes së Vushtrrisë

Çdo 31 maj përkujtojmë martirët e Poklekut të ri të Drenasit dhe Studimes së Vushtrrisë.
25 vjet më parë, forcat e armatosura të Serbisë, vranë dhe zhdukën me forcë dhjetë civilë shqiptarë në Paklek të ri. Për fatin dhe vendodhjen e nëntë prej tyre nuk dihet ende.
Një vit me vonë, më 31 maj 1999, në Studime, forcat serbe masakruan 13 anëtarë të familjes Gërxhaliu. Në mesin e tyre, shtatë ishin fëmijë.
Këto masakra, vrasje e zhdukje me forcë, sikurse edhe të gjitha masakrat tjera në Kosovë, janë dëshmi e pamohueshme e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.
Trupi i Kosovës i gjithi është i mbushur me plagë, të cilat për t´u shëruar kanë nevojë për drejtësi. Drejtësia është i vetmi ilaç. Është themeli i qëndrueshëm për paqe.
U prehshin në paqe martirët dhe dëshmorët e Paklekut të Ri dhe Studimes!
Lavdi!
blank

Donika Gërvalla: Prokuroria ka ngritur një aktakuzë të sqaruar përfundimisht përpara dy vjetesh –

Madje në çdo ditë të punës sime kam qenë e ndërgjegjshme që duhet të jemi të përgatitur për rreziqe edhe shumë më të mëdha sesa fushatat denigruese.
Nënkryeministrja  dhe Ministra e Jashtme e Kosovës ka lëshuar këtë deklaratë në rrjetin social:
“Miq të dashur,
prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngritur aktakuzë ndaj meje për “mosdeklarim të pasurisë”. Çfarë rastësie!
Në fakt, kjo çështje është sqaruar përfundimisht që para dy vjetësh, pra në vitin 2021. Tani është aktualizuar nga prokurorë të caktuar, gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të Republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë.
Shpresoj që gjykata, e cila duhet të merret me këtë rast, të gjykojë bazuar mbi faktet objektive e jo interesat e prekura individuale të atyre, të cilët dëshirojnë me shantazhe dhe kërcënime të vijnë në krye të institucioneve të drejtësisë.
Qytetari i Republikës së Kosovës na njeh të gjithëve. Edhe neve, edhe ata. Na njeh kaq mirë, sa fushatat e tilla nuk pijnë ujë.
Që në fillim të marrjes së detyrës nuk kam pasur iluzione.
Të gjithë e kemi ditur që ata, të cilët humbën jo vetëm zgjedhjet, por edhe mundësinë për të zhvatur edhe më tej shtetin dhe paranë publike, nuk do të zgjedhin mjete në betejën e tyre për të ndalur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Madje në çdo ditë të punës sime kam qenë e ndërgjegjshme që duhet të jemi të përgatitur për rreziqe edhe shumë më të mëdha sesa fushatat denigruese.
Prandaj ballëhapur dhe me duar të pastra vazhdojmë punën për përfaqësimin dinjitoz të vendit, rritjen e mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve tanë, mbrojtjen e sovranitetit të Republikës, reformimin e institucioneve dhe vënien në vend të ligjshmërisë së shkelur në mënyrën më brutale për kaq vite me radhë.”
29 Maj 2023
blank

(Video) Kurti: Nuk mund t’i largoj kryetarët e komunave nga zyrat e tyre në veri të Kosovës

VOA

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të mërkurën se nuk do t’i largojë kryetart e komunave veriore nga zyrat e tyre, me gjithë kërkesat e diplomacisë perëndimore dhe protestat e grupeve serbe në veri, që u përshkuan me akte dhune ndaj forcave paqeruajtëse këtë javë.

“Kësaj bande fashiste, ne nuk ia dorëzojmë Republikën tonë demokratike. Nëse duan protestë paqësore me kërkesa për zgjedhje të parakohshme, e kanë një kryeministër që gjithë jetën ka qenë aktivist politik dhe është më se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta edhe të pajtohet me ta”, tha kryeministri Kurti.

Ai i bëri këto komente në një forum për sigurinë në Bratisllavë, ndërsa tensionet ne veri të Kosovës mbeten të larta dhe protestuesit kërkojnë largimin e kryetareve që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga serbët si dhe largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat e komunave

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë perëndimorë e kanë fajësuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve, duke thënë se përdorimi i forcës për të futur në zyra kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe, dëmtoi përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha mbrëmë se “kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre”.

“Kjo që po bëj është detyra ime. Ka struktura paralele në pjesën veriore të vendit tonë. Nëse tani do të urdhëroja kryetarët e komunave që t’i lënë ato zyra dhe të shkojnë në një zyrë diku tjetër, do të ishte sikur po angazhohem për të krijuar një lloj të një strukture paralele me strukturat paralele, duke kopjuar metodën e udhëheqësve të serbëve të Kosovës. Unë do t’i bashkohesha ilegalitetit të tyre. Unë nuk mund ta bëj këtë”, tha zoti Kurti.

Ai theksoi ndërkaq se në çdo ndërtesë komunale në Kosovë janë nga disa deri dhjetëra policë në kohë normale dhe pret që kështu të ndodhë edhe në komunat veriore.

“Por përderisa është kjo turmë e dhunshme jashtë ndërtesave që kërcënon me sulme, që bënë grafite me shkronjën ‘Z’ duke treguar admirim për presidentin despotik (Vladimir) Putin dhe për agresionin rus në Ukrainë, e disa prej tyre duke qenë policë në policinë e xhandarmërinë serbe, ne duhet të kemi njësitë speciale në ndërtesat komunale”, tha kryeministri Kurti.

Të martën ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri dhe ka krijuar një krizë të panevojshme, duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin. Dëshmia e parë e kësaj tha ai, është vendimi për të për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023″.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të mërkurën se autoritetet e Kosovës mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për trazirat të cilat janë rritur ndjeshëm që kur kryetarët shqiptarë të komunave morën detyrën në zonën veriore me shumicë serbe të vendit.

Ai tha në një konferencë për shtyp në Bratislavë se shpreson që bashkë më kancelarin gjerman Olaf Scholz të takohet me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë më vonë këtë javë, duke ju referuar takimit të Radhës së Komunitetit Politik Evropian që mbahet në Moldavi.

“Ne u kemi treguar shumë qartë autoriteteve të Kosovës se ishte gabim që të shkohej më tutje me këto zgjedhje në këtë lloj konteksti, që është pothuajse një mospjesëmarrje e plotë”, tha presidenti Macron.

Qindra serbë u mblodhën sërish të mërkurën para ndërtesave të komunave në veri, dy ditë pas përplasjeve që lanë pas vetes 30 të plagosur nga radhët e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dhe rreth 50 serbë.

Trazirat nxitën shqetësimin për ripërtëritjen e konflikteve në rajon dhe NATO-ja vendosi shtimin e trupave në Kosovë.

Beogradi i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës, vendosi javën e kaluar ngritjen e shkallës së gatishmërisë ushtarake dhe urdhëroi trupat të vendosen pranë kufirit me Kosovën.

Sekretari Blinken tha mbrëmë se presidenti Serb Aleksandar Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’u bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme”.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropianm Josep Borrell, i cili të mërkurën u takua me kryeministrin Kurti në Bratisllavë, tha të martën se është vënë në përpjekje për të organizuar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri.

Kryeministri Kurti tha sot se është i gatshëm të takohet me presidentin serb për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së arritur në muajin mars me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

blank

Kurti: Nuk dua të krijoj struktura paralele në veri të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale.

Një gjë e tillë është kërkesë e protestuesve serbë që i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, por edhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili thotë se ky veprim do t’i ulte tensionet.

“Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele”, tha Kurti, duke iu referuar strukturave paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës që nga paslufta.

“Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë”, tha Kurti gjatë një adresimi nga Bratisllava, ku po merr pjesë në një forum për sigurinë.

Kjo është një përgjigje direkte e kryeministrit ndaj kërkesave që Shtetet e Bashkuara i drejtuan Qeverisë së Kosovës një ditë më parë.

Këto kërkesa, të bëra përmes ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier janë që Qeveria: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale dhe t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat e komunave në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha Hovenier, duke kujtuar se kryetarët e komunave në fjalë janë betuar në lokacione alternative.

Kurti gjithashtu i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

“Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë”, tha Kurti në një adresim nga Bratisllava.

Ai e përsëriti këtë qëndrim përkundër reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se instalimi me forcë i kryetarëve shqiptarë “është i papranueshëm”.

“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta”, tha po ashtu Kurti.

Kurti tha se është “i brengosur shumicën e kohës, por asnjëherë i frikësuar”.

Sipas tij, gjetja e një zgjidhjeje për situatën e krijuar i ka dy trajektore:

“E para të dalim nga kjo krizë në veri: që do të thotë sundim i ligjit, bandat ose të kthehet prapa në Serbi ose të jenë në burg në Kosovë, si dhe, të zvogëlojmë numrin e Policëve në objektet komunale dhe të normalizojmë situatën. E dyta rrugë është zbatimi i menjëhershëm dhe pa kushte i marrëveshjes bazë me të cilën jemi pajtuar me Serbinë”, tha ai.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Po këtë ditë, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe “i ka përshkallëzuar tensionet pa nevojë”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet ‘Defender Europe 2023’ kanë marrë fund, për të”.

Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.

Më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

blank

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës: Serbia mbetet faktor destabilizues në Ballkan

RFE/RL

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka shprehur brengë për situatën e krijuar në veri të vendit duke thënë se ajo është rezultat i “politikave pro-ruse që ndjek mbështetësi dhe frymëzuesi i bandave kriminale, Beogradi zyrtar dhe presidenti [Aleksandar] Vuçiq”.

Përmes një komunikate të lëshuar për media, ASHAK ka thënë se Serbia mbetet faktor destabilizues në rajon dhe dënoi aktet e dhunës në veri të vendit prej ku mbetën të plagosur 30 ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, është tensionuar, prej kur Kosova instaloi me dhunë kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, më 26 maj.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

ASHAK thotë se është e domosdoshme që institucionet e Kosovës të përballojnë situatat e rrezikshme “në bashkëpunim dhe bashkërendim me aleatët”, për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe të paqes e të sigurisë në rajon.

“Ne mbështesim fuqishëm aleancën e popullit të Kosovës me Perëndimin dhe aleatët e saj natyrorë, të përcaktuar për anën e drejtë të historisë”, thuhet në komunikatë.

ASHAK i kundërpërgjigjet SANU-së

ASHAK-u, po ashtu iu kundërpërgjigj deklaratave të një dite më parë të bëra nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë (SANU), e cila i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “sa më shpejt të ndërmarrë hapa për të garantuar të drejtat themelore demokratike dhe njerëzore të popullit serb” në Kosovë, si dhe për të “siguruar paqen, sigurinë dhe jetë normale për të gjithë njerëzit që jetojnë atje”.

Bordi Ekzekutiv i SANU-së, të martën e 30 majit tha se “ata të cilëve u është besuar nga Kombet e Bashkuara të kujdesen në mënyrë të paanshme për paqen e të gjithë qytetarëve në Kosovë kanë marrë pjesë në dhunën ndaj qytetarëve të kombësisë serbe”.

“Me këtë rast shprehim keqardhjen tonë të thellë që Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve (SANU), hartuese e ‘Memorandumit’ dhe ideatore e ‘botës serbe’, paraqitet sërish në publik me deklaratat e saj të zakonshme nacionaliste, duke e nxitur konfliktin dhe duke i quajtur zhvillimet në veriun e Kosovës dhe sulmet e bandave kriminale serbe mbi ushtarët e KFOR-it si ‘dhunë mbi popullin serb’”, tha ASHAK.

Paradigma “bota serbe”, që është ekuivalente me “botën ruse” e ka burimin tek ideologjia nacionaliste serbe, e cila synonte krijimin e një shteti serb me përfshirje të të grithe serbëve në Ballkan.

Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, të cilit i referohet ASHAK-u, i hartuar në vitin 1986, është vlerësuar si dokumenti më i rëndësishëm për të vënë në lëvizje idenë e “botës serbe”, e cila iu ofrua si koncept ideologjik Sllobodan Millosheviqit, mbi parimin se të gjithë serbët duhet të merren nën mbrojtje dhe se ku ka serbë, është Serbi.

“Akademia Serbe do të duhej të ndalojë të ‘prodhojë ide’ dhe të hartojë politika që destabilizojnë Kosovën dhe mbarë hapësirën ballkanike”, thuhet në reagimin e ASHAK.

Ky institucion shprehu mirënjohje për ushtarët paqeruajtës të KFOR-it dhe për vendimin për shtimin e kontingjentit me 700 trupa të reja në Kosovë.

blank

Kurti: Fillimisht tërheqja e huliganëve, pastaj ulja e numrit të policëve dhe normalizimi i veriut

Kryeministri Albin Kurti tha se rrugëdaljen nga tensionet në veri e sheh në një “rrugë të drejtë me dy shirita”.

Sipas tij, fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri, dhe në të njëjtën kohë të avancohet me implementimin e marrëveshjes.

“Po punojmë shumë të gjejmë rrugëdaljen. S’duhet të jetë rrugë e lakuar, por me dy vija. E para, të dilet nga kriza me sundim të ligjit, huliganët në Serbi ose në burg në Kosovë, e më pas ulja e numrit të policisë dhe normalizim të situatës dhe implementim i shpejtë, i plotë, pa shtyrje e pa kushte i marrëveshjes së Brukselit”, tha Kurti në Forumin e Bratislavës.

Kurti e bëri të qartë se misioni i NATO-s është i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit të Kosovës.

Në Forumin e Sigurisë në Sllovaki, Kurti tha se ka koordinim e komunikim me NATO-n, por kjo sipas tij, nuk do të thotë se pajtohen me çdo gjë.

“Siç e dini, ne e kemi NATO-n në Kosovë që nga gjenocidi dhe e konsiderojmë të pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen. Jemi në kontakt të rregullt me NATO-n. Ka koordinim e komunikim, por jo që pajtohemi gjithmonë në çdo gjë. Sikur në këtë rast. Ndërtesat u takojnë Republikës. E kuptoj se s’duhet të ketë shumë policë brenda, por s’duhet të ketë paraprakisht dhunë jashtë. Patë njerëzit duke sulmuar KFOR-in e policët tanë. 30 të lënduar, ka dhjetëra përgjegjës, por s’janë në burg. Ata duhet të burgosen”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale.

Një gjë e tillë është kërkesë e protestuesve serbë që i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, por edhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili thotë se ky veprim do t’i ulte tensionet.

“Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele”, tha Kurti, duke iu referuar strukturave paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës që nga paslufta.

“Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë”, tha Kurti syri.net

blank

Kurti flet nga Bratislava për tensionet në Veri: Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria duhet të zbatohen. Kryetarët duhet të jenë në ndërtesa komunale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në konferencën globale të sigurisë Globsec në Bratislavë, ku ka folur për të ardhmen e Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve, Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje por se mbetet vetëm zbatimi i saj.

“Kemi marrëveshje me Serbinë vetëm se duhet ta zbatojmë. Implementimi mungon sepse Beogradi nuk dëshiron ta bëjë atë”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se katër kryetarët e komunave në veri japin dorëheqje sepse Beogradi u kërkoj atyre.
“Në Kosovë kemi pluralizëm politik. Nuk dua të besoj se mund të ketë demokraci pa pluralizëm politik, pa të drejtat e njeriut. Kjo parti e i shqelmoj të gjithë jashtë garës dhe në fund i bojkotuan zgjedhjet.

Ne i shtymë zgjedhjet për katër muaj. Kandidatët shqiptarë fituan katër prej tyre. Ata janë kryetar me K të vogël jo të madhe, sepse pjesëmarrja ishte e vogël dhe nuk mund të konsideroj se ata kanë legjitimitet të plotë politik, por ligjshmëria dhe kushtetutshmëria duhet të zbatohen, ata janë kryetarë”, tha Kurti.

“Nuk duhet të ketë shumë policë brenda, por përpara kësaj nuk duhet të ketë kriminelë jashtë ndërtesave dhe ju i keni parë këta njerëz të dhunshëm duke goditur policinë, gazetarët dhe për këtë arsye anëtarë të KFOR-it janë të plagosur, por autorët nuk janë në burg.
Të tilla krime nuk duhet të përsëriten. Jam dakord që duhet të kemi komunikim dhe koordinim. Unë nuk mund të ulem në zyrën time si kryeministër dhe t’iu them këtyre kryetarëve të komunave se nuk mund të qëndrojnë në zyrat e tyre. Unë e kuptoj se mund të qëndrojnë për një kohë më të shkurtër në detyrë sepse janë administratorë teknikë, por ministri i Financave duhet të bashkëpunojë me kryetarët e komunave sepse asnjë nga komunat e Kosovës nuk janë me vetëfinancim dhe kanë nevojë për qeverinë dhe kanë nevojë për funksionalitet dhe pse me një nivel të ulët pjesëmarrjeje në zgjedhje”, deklaroi kryeministri i Kosovës.bw

blank

Kurti në Bratisllavë, takon Borrellin e Lajçakun

Fotografi nga një takim i mëparshëm i kryeministrit ë Kosovës, Albin Kurti me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të mërkurën në Bratisllavë të Sllovakisë.

Takimi ka ndodhur para pjesëmarrjes së Kurtit në një diskutim për të ardhmen e Kosovës në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë.

“Po, kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë. Ndër tjerash, atje do të takojë përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, dhe emisarin e BE-së, Lajçak, si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit. Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, më herët gjatë 31 majit.

Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Të dy liderët ishin të ftuar në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Bratisllavë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.

Vuçiq, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Po këtë ditë, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe “i ka përshkallëzuar tensionet pa nevojë”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet ‘Defender Europe 2023’ kanë marrë fund, për të”.

Më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.

Opozita në Kosovë ka reaguar duke e bërë Kurtin fajtor për tensionim me aletatët, sidomos SHBA-të. Përfaqësuesit opozitarë i kanë bërë thirrje kryeministrit që të tregojë maturi politike, të ndryshojë qasjen dhe të zgjedh të ardhmen dhe rrugën euroatlantike të Kosovës.

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, dhe kanë thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.

QUINT-i përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes vete të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

blank

Tensionet në Veri, reagon presidenti kroat: Kosova shtet i pavarur! Koha që Serbia të pranojë realitetin

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka reaguar në lidhje me tensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës.

Ai ka deklaruar se Kosova është tashmë shtet i pavarur dhe se këtë realitet duhet ta pranojë edhe Serbia.

“Serbia duhet të kuptojë dhe të pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht, kjo nuk është pranuar nga disa anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian”, tha Milanoviç.

Ai tha se në samitin e kaluar të NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës, ishte i vetmi që u bëri thirrje vendeve evropiane, të cilat ende nuk e kanë bërë, që të njohin Kosovën.

“Por kjo është si të flasësh me një mur. Disa vende nuk e kanë njohur sepse kanë frikë nga precedentë që përfundimisht, në një moment krize, në një rënie të imunitetit, mund të zbatohen në vendet e tyre dhe t’u merret diçka”, tha Milanoviç.

Kosova ende nuk është njohur nga pesë anëtarë të Bashkimit Evropian – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.BW

blank

Të dhënat e OKB-së: Në vitin 2100, Shqipëria pritet të ketë popullsinë më të plakur në botë

Shqipëria është ende sot një nga popullsitë më të reja në Europë, me një moshë mediane (mesorja që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta) prej 38.2 vjeç, por pas disa dekadash pritet që të jetë popullsia më e plakur, jo vetëm në Europë, por në të gjithë globin.

Llogaritjet janë bërë nga njësia e përpunimit të të dhënave “Visual Capitalist”, që ka analizuar të dhënat e divizionit të popullsisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Sipas parashikimeve, 49% e popullsisë së Shqipërisë do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2100, pesha më e lartë në botë dhe dyfishi i mesatares globale deri në atë vit.

Grafiku i publikuar nga Visual Capitalist (shiko në fund) përdor të dhëna nga parashikimet e Popullsisë Globale nga Kombet e Bashkuara për të dhënë rritjen e popullsisë së moshuar në botë.

Në vitin 2022, sipas raportit, kishte 771 milionë njerëz të moshës 65+ vjeç në të gjithë botën, që përbënin pothuajse 10% të popullsisë botërore.

Ky segment është rritur me një ritëm të madh dhe pritet të arrijë në 16% në vitin 2050, dhe përfundimisht në 24% deri në vitin 2100. Grafiku tregon se parashikohet të duket, për çdo vend dhe territor.

Disa nga vendet me përqindje të lartë të të moshuarve sot, përfshijnë vende me të ardhura të larta si Japonia (30%), Italia (24%) dhe Finlanda (23%).

Përqindjet më të ulëta janë të përqendruara në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Shumë vende kanë vetëm 2% të popullsisë së tyre të moshës 65 vjeç e lart, si Katari, Uganda dhe Afganistani.

Por me kalimin e kohës, pothuajse të gjitha vendet pritet të përjetojnë rritje në segmentet e popullsisë më të vjetër. Në vetëm tre dekada, vlerësohet se një në katër banorë europianë, amerikano-veriorë dhe aziatikë, do të jenë mbi 65 vjeç.

Deri në vitin 2100, një sërë vendesh aziatike dhe kombesh ishullore, që përballen me rritje të ulët të popullsisë, pritet të kenë më shumë se një të tretën e popullsisë së tyre në moshën 65 vjeç ose më të vjetër, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Xhamajkën, me 44%.

Por, thekson “Visual Capitalist”, nivelin më të lartë në botë pritet ta arrijë Shqipëria, që do të ketë 49% të popullsisë mbi 65 vjeç në vitin 2100.

Sipas grafikut, pesha e popullsisë mbi 65 vjeç në Shqipëri pritet të rritet me shpejtësi, nga 16.7%, që është sot.

Sfida e një popullsie në plakje, thekson raporti, do të ndikojë në të gjithë sektorët e shoqërisë, duke përfshirë tregun e punës dhe financiar, kërkesën për strehim dhe transport, dhe veçanërisht strukturat familjare dhe lidhjet midis brezave.

Si po ulet dhe plaket popullsia e Shqipërisë
Që nga viti 1950, kur raportohen dhe të dhënat më të hershme nga Kombet e Bashkuara (OKB), Shqipëria njohu një rritje të shpejtë të popullsisë, që kulmoi në 1991-n, me 3.3 milionë persona, sipas informacionit të përpunuar nga Monitor nga database e OKB-së.

Në vitin 1990, sipas INSTAT, në vend kishte 82 mijë lindje, ndërsa në 2022 vetëm 23.5 mijë (shiko grafikun Lindjet 1990-2022). Më pas numri i lindjeve filloi të binte me shpejtësi, duke reflektuar si emigracionin e lartë, ashtu dhe ndryshimin e stilit të jetesës dhe plakjen graduale të popullsisë.

Ndërsa Shqipëria sot ende po merr “përfitimet” e numrit të lartë të të lindurve në vitet ’90 , projeksionet e Kombeve të Bashkuara janë që popullsia e Shqipërisë do të bjerë në mënyrë drastike në vitet që vijnë, e ndikuar nga rënia e lindshmërisë dhe emigracioni.

Kombet e Bashkuara presin që popullsia totale banuese në vend, në vitin 2100, sipas variantit mesatar, do të zbresë në 1.1 milionë banorë (shiko grafikun: Popullsia e Shqipërisë 1990-2021 dhe projeksioni 2022-2100).

Ne vitin 1950 mosha mediane e popullsisë ishte 19.2 vjeç, ndërsa në 2022 arriti në 38.2 vjeç, sipas INSTAT. OKB parashikon që në vitin 2100, mosha mediane do të arrijë në 63.3 vjeç, që do të thotë që gjysma e popullsisë në vend do të jetë mbi 63 vjeç. (shiko grafikun: Mosha mediane, Shqipëria, 1950-2100).

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT në 1 janar 2022 popullsia banuese në Shqipëri ishte 2,793,592 banorë. Ndonëse ka kaluar afati në kalendarin e publikuar nga INSTAT, nuk është bërë ende publike popullsia në 1 janar 2023.

Të dhënat indirekte tregojnë se tkurrja mund të jetë e fortë për dy arsye. Së pari shtesa natyrore në vitin 2022 ishte vetëm 690 lindje më shumë se vdekje.

Së dyti, emigracioni është rritur ndjeshëm në 2022, teksa vetëm kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar ishin rreth 32 mijë, niveli më i lartë që nga viti 2015.BW

blank

VIDEO- Kurti: Kemi shtuar komunikimin me partnerët, qetësimi i situatës, qëllim i përbashkët

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një fjalë për qytetarët është shprehur se institucionet kanë shtuar komunikimin me ndërkombëtarët e se qetësimi i situatës në veri të vendit është qëllim i përbashkët.

Ai ka theksuar se Policia e KFOR-i në veri janë ‘kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore’.

‘Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta’.


Kurti ka thënë se kryetarët e zgjedhur, përkundër daljes së ultë në zgjedhje, janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave dhe në shërbim të qytetarëve.

Reagimi i Kurtit vjen pas deklaratave të ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili tha se Kosovës i anulohet pjesëmarrja në stërvitjet ‘Defender Europe 2023’, e se SHBA-ja ka pak entuziazëm që të angazhohet për Kosovën me shtetet mosnjohëse dhe avancimin në rrugën euroatlantike.

Hovenier ka deklaruar se kryetarët e komunave në veri nuk janë të detyruar të punojnë në objektet komunale, por se mund të shfrytëzojnë lokacione alternative.

Megjithëse, Kurti nuk ka përmendur Hovenierin në deklaratën e tij, ai ka mbrojtur qëndrimin se kryetarët duhet të jenë në objektet komunale.

‘Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve. Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë’.

Duke mos përmendur as shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili tha se Kosova duhet t’i pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri, Kurti ka thënë se ‘demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim’.

‘E dje, na u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë. Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti’.

Kryeministri Kurti ka shtuar tutje se janë emra të përveçëm ata që po shtyjnë banorët të dalin në protesta të dhunshme.

‘Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq’.

Ai ka thënë se protestat po bëhen për pushtet, e jo për objekte komunale, dhe se pushteti merret me zgjedhje jo me dhunë.

‘Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor. Por protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim’.


Send this to a friend