“Lavdia e të parëve âsht drita e pasardhësve”.
At Gjergj Fishta
“Sa ka dhënë Malësia trima
Nuk kanë dhënë disa krahina.”
Panteoni ynë kombëtar njeh figura të shquara, të cilët, pas një jete përkushtuese e intensive atdhetare e të rrallë, plot luftë e përpjekje për çështjen e shtrenjtë të mbrojtjes së trojeve tona, në kohën zgrip të perëndimit “të të sëmurit të Bosforit”, Perandorisë Osmane e sundimit të saj të gjatë pesëshekullor dhe sulmeve grabitqare e hegjemoniste të fqinjëve tanë që synonin të shkitnin copëra të mëdha Shqipërie në sintoni me osmanlinjtë e vjetër e të rinj e të pabesë, flijuan dhe jetën e tyre për çështjen e madhe të lirisë e të pavarësisë sonë kombëtare e të shtetit shqiptar. Siç thoshte At Gjergj Fishta “Lavdia e të parëve âsht drita e pasardhësve”. Ata janë lavdia dhe drita jonë e pashuar!
Vargjet “Sa ka dhënë Malësia trima/ Nuk kanë dhënë disa krahina”, që i vumë në krye të kësaj parathënie për librin “Heronjtë e pushkës dhe të fjalës burrërore” të autorit Gani Qarri, mbase, si asnjë libri tjetër hisoriko-publicistik të kësaj natyre që evokon figurat më të ndritura të kombit tonë, nuk do t’i shkonte kjo e vërtetë e pamohueshme, të cilën poeti popullor e ka lartësuar si një hakë historike e obelisk në këto dy vargje lapidare e konkludive të pashoqe, assesi si një mburrëri krahinore, po si një realitet i pashembullt historik, pjesë e krenarisë legjitime e të dritës që i përndrit brez pas brezi malësorët. Vetë ky libër me densitetin e pazakontë të ngjarjeve historike, me dramacitetin e tragjizmin e përleshjeve dhe betejave të pashoqe e legjendare kundër osmanllinjve të vjetër e xhonturqve të pabesë dhe barbarisë së hegjemonistëve fqinjë, që mezi kishin pritur rrethanat e reja historike për t’iu vërsulur kafshërisht trupit të drobitur të atdheut tonë e për t’i shkëputur atij pjesë të tëra, që ua kishin “dhuruar” bujarët e kancelarive evropiane, është dëshmia më sinjifikative që autori na e sjell gjithë pathos nga ajo epokë e trimave legjendarë, shpeshherë në kufijtë e të pabesueshmes, jo vetëm me aktin e rrallë vetëflijues të Mic Sokolit, akt i cili do të përsëritej më vonë por në rrethana të tjera dhe historinë më të re të Kosovës, me vetëflijimin e Adem Jasharit dhe Familjes së tij.
Ky libër i Gani Qarrit, është një përmbledhje mjaft e realizuar dhe e domosdoshme për kohën në të cilën jetojmë me artikuj të autorit, kushtuar dhjetë prej figurave më të njohura të historisë sonë kombëtare në Veri dhe Kosovë, si Binak Alia, Mic Sokoli, Ali Ibra, Abdullah Hoxha, Shaban Binaku, Haxhi Zeka, Dedë Gjon Luli, Mehmet Shpendi ose “Shaljani i tetë”, Zeqir Halili dhe Bajram Curri. Themi libër i domosdoshëm pasi, për fat të keq, vërejmë se në dekadat e fundit edukimi atdhetar qoftë në Shqipëri e në Kosovë, sa vjen e po tangetohet e po bëhet shpeshherë në mënyrë të sipërfaqshme, amatoreske sa për sy e faqe, duke e thjeshtëzuar çështjen në tundje flamujsh kombëtarë, në tatu e deri në të brendshmet e jo për t’u thelluar mandej, jo për të depërtuar në thelbin e mesazheve që na vijnë prej jetëve, luftërave e përpjekjeve legjendare të këtyre heronjve të kombit tonë dhe si burim frymëzimi për një atdhedashuri më të madhe e një kohezion kombëtar të fortë si dhe për vepra të mira në dobi të kombit. Aq më keq, kur vihen re raste, që për të zhvatur medoemos duartrokitje nga publiku mediokër nga trutë, guxohet dhe bëhet edhe i ashtuquajtur humor me këto figura tempullare e të paprekshme, të kombit.
Tonet madhore të kësaj vepre të rëndësishme, do të dëshiroja t’i sinkronizoj (si një intermexo, të cilën s’e anashkalon kurrësesi) me përshtypjet vetjake të një kohe jo shumë të largët, të adoleshencës dhe rinisë sime te hershme, aty ku zënë fill jo njohja ime me këto trima legjendarë, por një episod, që s’do ta harroj kurrë në jetën time.
Qytetthi ynë, Lezha, ku banoja atëbotë, kishte një kinema. “Drini” quhej. Fillimisht prej dërrasash, pastaj një ndërtesë prej të vërteti. Ishte pak a shumë si “Cinema “Paradiso” (1988) të Xhuzepe Tornatore me atë intimitetin e “provincës” dhe pati një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin tim e të ortës sime. Ajo ishte bota jonë e madhe, me të cilën do të viheshim në kontakt.
Para dhe në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar e mandej, kur ende vendi s’ishte shkëputur nga influenca e rëndë dhe e gjithanshme ruso-sovjektike e pas Luftës së Dytë Botërore, na ishin bërë si të shtëpisë, ose si reklamat televizive sot, disa filma si “Çapajevi”. Po fjalën, më konkretisht e kam për njërin prej tyre “Aleksandër Matrazov”. Java shtatë dhe ata tetë, veç, kur shfaqeshin, ne një ricklim gati torturues, pasi bënin xhirot e rregullta në kinematë e qyteteve e te qyettheve të Shqipërisë të asaj kohe apo fshtrave me autokinematë. Drejtori i kinemasë, thuajse njëjtësisht, nuk harronte, të shënonte mbi reklamën e filmave të tillë, që afishonte në hyrje të “Paradisos” tonë, shënimin “Film luftarak”. Bashkëqytetarët e mi, të njohur për sensin e tyre të humorit, kishin improvizuar një dialog të tillë, i cili ka mbërritur edhe sot e kësaj dite te autoktonët. – Salo (Zusi), është film i bukur?- e pyesnin gjoja sikur s’e kishin parë ndonjëherë, ose edhe për ndonjë film të tillë, “të ri”, të ardhur rishtaz, po me Çapajeva e Matrazovë. Dhe ai përgjigjej saora: Oo, film i bukur luftarak! I ka pelqyer edhe shokut Dulaq! Shoku Dulaq ishte nënkryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit. Dhe, bashkëqytetarët e mi, sa herë që evokojnë ato “kohëra luftarake”, shijet, apo duan të stigmatizojnë diçka të ngjashme, përsëritin pezshëm shprehjen “Film i bukur luftarak! I ka pelqyer edhe shokut Dulaq! Eh, shoku Dulaq, sa mirë e njihte Shkodra e pasluftës, po sidomos e pas viteve ’90, kur janë çelur arkivat dhe goja e bashkëkohësve!…”.
Pas kësaj ekspozeje që përvijova përkitazi, ende s’kam mbërritur te thelbi i episodit, që do të më gjëmonte si këmbanë në veshët e mi dhe s’do ta harroja kurrë në jetën time. Një mbrëmje, pasi qemë kthyer nga “Paradiso”, për herë të parë, pashë reagimin e tim eti pak të pazakontë për kohën, faqe nesh, kur në mes të tjerash, na tha ne djemve (pesë): Dijet, pervojat, heroizmat, gjithçka e vlefshme e njerëzimit është dhe e imja, jona e të gjithëve. Kjo është një ligjësi universale qysh se është krijuar bota dhe ne s’bëjmë përjashtim e keshtu do te jete pergjithmone. Por na mërziten “këta” (i quante njerëzit e pushtetit, si gjithë shkodranët e tjerë e, në përgjithësi populli, si për t’u distancuar) megjithë Matrazovët e tyre (dhe ai në LDB i kishte pasë vënë gjoksin mitralozit nazisto-fashist, porse e nderonte aktin e tij heroik), kur ne kemi heroin tonë me plis, Mic Sokolin. Për herë të parë po dëgjoja emrin e tij, betejat dhe heroizmin e tij të pashoq.
Ndërkohë në qytetthin tonë e rrethinat ne shtetin amë, për shkak të represionit barbar serb, kishin nisur të vinin, për të jetuar, punuar (e mbikqyrur dhe…dënuar ndonjëri syresh nga nomenklatura e shokut Dulaq…) bijtë e Kosovës martire, vëllëzërit tanë, të cilët me mbiemrat e tyre, si Vokshi (Rrustem), Ferizaj (Ibrahim), Kaçaniku (Shefqet), Kelmendi (Shefqet), Myftari (Esat), Zeqiraj (Idriz) etj, etj., po përplotësonin në vetëdijen tonë hartën e copëtuar të Shqipërisë, po ndikonin aq shumë për zgjerimin e njhohurive tona të pakta për Kosovën e historinë e saj të lavdishme, të cilat nëpër tekste ishin me pikatore dhe “shkolla” bazë e njeriut, familja, nuk ia plotësonte dot etj.
Siç duket e mund të kuptohet, shkrimet e librit “Heronjtë e pushkës dhe të fjalës burrërore” , duke marrë shkas nga përvjetorë të ndryshëm, si të rënieve heroike etj, kanë frymëzuar Gani Qarrin për t’i përjetësuar ata; janë të publikuara më parë në mediat e shkruara dhe në rrjetet sociale, kanë njohur mirëpritjen e meritueshme të lexuesve të etur dhe suksesin në aula të ndryshme, ku janë mbajtur mbase edhe si ligjërata, tanimë i kemi në një libër që prushon nga atdhetarizmi e nderimi i merituar për veprën e tyre që do t’u përcillet brezave, si një drite e pashuar.
Qoftë libri në tërësi, apo dhe në veçanti; çdo shkrim veçmas shquhen për frymëzimin e patosin patriotik, për portretizimin realist të protagonistëve të librit e të kuadrit historik, kur ata kanë bërë historinë, duke shfrytëzuar racionalisht gjithçka që është publikuar deri më sot rreth këtyre figurave çka i ka dhënë mundësinë autorit që përmes fakteve, detajeve e përsiatjeve të tij, të nxjerrë në pah madhështinë e tyre, si anët e përbashkëta të këtyre luftëtarëve të shquar, që populli i ka futur në Panteonin e tij, ashtu dhe veçantitë e secilës prej këtyre figurave të shquara, të cilët të impresionojnë aq sa të duket se Ciklit të Kreshnikëve, heronjve të tij, u kanë vënë emrat realë, ose kemi të bëjmë me një Cikël të dytë të Kreshnikëve…
Është për t’u vënë në spikamë, se veç vërtetësisë dhe saktësisë historike të bëmave të njohura të protagonistëve të librit dhe përpjekja serioze e autorit për t’i parë në këndvështrimin origjinal dhe pasuruar me tej me faktologji te konsultuar këtë yllësi të pashuar në historinë e kombit tonë, të cilët vunë jetën e tyre e të familjeve, – si vatra të zjarrta të patriotizmit, – në themel të lirisë e të pavarësisë sonë kombëtare e të formimit të shtetit amë.
S’do te doja te ndotja keto shenime me bashkudhetare çibanë ne trupin e atdheut; me besepreret, tradhetaret, vrasesit, spiunët, bashkepunetoret (a kolaboracionsitet) e pushtuesve turq e te fqinjeve grabitqare, qe i paten ata ne krah, ose iu prine armiqve kunder bashkatdhetareve dhe vete atdheut te tyre. Mallkimi i Nenes Shqiperi i ka zene tashmë. U eshte harruar dhe iu harrofte ne jete te jeteve emri dhe turpi i tyre. Emrat e tyre ne liber jane te gjithe. Do te zhgenjehesha vertet dhe do te me therte thelle e ne zemer si mallkim kombëtar, sikur gjate shpoalosjes se historise permes ketij libri, ndonje lexues dhe njohes i mire i fiseve shqiptare, te “zbulonte”, qofte dhe nje rast te vetem se akcili (i dkriminalizuar apo jo gjenetikisht) te thoshte: “Po ky eshte nipi i drejteperderejt i filanit, me tuje turku, serbi, malazezi dhe paskesh rene jo nen dardhe, po nen pellgun e ndotur te tradhetise. Sidomos ne politike, po dhe kudo gjetke!…
Libri i Gani Qarrit si një FJALËS I SHKURTËR PATRIOTIK i ardhur në kohë, që besoj se do të mirëpritet nga lexuesi mbarë dhe jo vetëm nga ato treva prej nga doli kjo yllësi e pashuar patriotike apo zhvilloi aktivitetin e betejat heroike për liri e pavarësi, gjykoj se mund e duhet të shërbejë masivisht në gjithë arealin shqiptar në shkolla, institucione e media, jo thjesht si botimi me i fundit, serioz dhe i kompletuar, por për të ngritur më lart e thelluar nivelin e edukimit patriotik duke shmangur veprimtarite përkujtimore tradicionale stererotipike (disa herë formale, të rëndomta, pa fantazi) në depërtimin e mesazheve aktuale të jetës e veprimtarisë së protagonistëve si “dritë e pashuar per ne pasardhesit”, në mes të të cilëve do të veçoja në këtë sens atë të Binak Alisë dhe të elitës së tij historike trashëguese familjare, një rast thuajse unikal në këto përmasa e shembull i shkëlqyer i vazhdimësisë së traditës gjenetike në një familje “në za”, çka do të përbënte një shtysë për autorin për t’u thelluar në këtë linjë, ashtu siç dhe mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për ndihmesën e familjes së tij, Qarri, që modestisht veç sa ceket në libër, sidomos në marrëdhëniet me Heroin e Popullit, Bajram Curri.
Kujtim Dashi
Tiranë, Qershor 2015
Komentet