Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili është edhe kryetar i Komunës së Gjilanit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se rikonfigurimi i Kryesisë së Kuvendit dhe rikonfigurimi i strukturave të dialogut, është rruga më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirës për procese të rëndësishme për vendin, e me theks të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi. Haziri thotë se në rast se arrihet një marrëveshje për një Qeveri gjithëpërfshirës, LDK-së i bie që të udhëheqë me Qeverinë.
Radio Evropa e Lirë: Kemi dëgjuar disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës të flasin edhe për mundësinë e krijimit të një Qeverie gjithëpërfshirëse, e cila do të merrte përsipër disa prej proceseve aktuale politike, sidomos dialogun me Serbinë. Si e mendoni një Qeveri gjithëpërfshirëse?
Lutfi Haziri: Në fakt, është qëndrim i kryetarit të LDK-së (Isa Mustafa) dhe i Kryesisë së LDK-së në takimet që para dhjetë ditësh ne kemi organizuar me strukturat tona, është një hap përtej formulës legjitimiteti para dialogut. Duke parë që në kohën në të cilën po angazhohemi momentalisht dhe përafrimi i zgjedhjeve brenda BE-së, në fund të majit të këtij viti, po krijon një ambient jo të favorshëm për zgjedhje në Kosovë.
Legjitimiteti dhe dialogu është oferta e fundit që LDK-ja u ka bërë partive në qeverisje, sepse ata udhëheqin tri institucionet kryesore në vend dhe deri tani kanë arritur të prodhojnë vetëm zhurmë politike dhe të shkaktojnë një lloj frike politike lidhur me negociatat Kosovë-Serbi, sepse pritja e rezultateve është frikë te njerëzit, do të jetë e dëmshme për Kosovën. Legjitimiteti, ose përmes zgjedhjeve ose përmes marrëveshjes politike, nuk ka rrugë tjetër që mundet t’i jepet, sepse ne nuk mund t’ia falim legjitimitetin tonë askujt.
Rikonfigurimi i Qeverisë, rikonfigurimi i Kryesisë së Kuvendit, rikonfigurimi i strukturave të dialogut është ajo që ne e shohim në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse nga të gjitha partitë politike që janë në Kuvendin e Republikës, të gjitha partitë, pa përjashtim. Ne mendojmë se duhet të ndërtohet një kulturë e unifikimit për interes të Republikës në përmbylljen sidomos të proceseve të rënda, që tash po lidhen me pritjet për prodhimin e një dokumenti ligjërisht të obligueshëm mes Kosovës dhe Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Ju konsideroni që LDK-ja është përjashtuar prej këtij procesi sepse ka pasur oferta, ka pasur ftesa që LDK-ja të jetë pjesë e Ekipit negociator?
Lutfi Haziri: Ne, nga 24 maji i vitit të kaluar kemi qenë të hapur për bisedime. Kemi shkaktuar dialog të partive politike, tryeza të partive politike në parimin e rotacionit dhe gjetjes së çështjeve në interes të përbashkët. LDK-ja ka bërë ofertë të madhe për partitë në qeverisje në atë kohë, duke ofruar edhe legjitimitetin e vet politik në përmbylljen e problemeve të mëdha që ka ky vend.
U refuzua sepse ne nuk pamë asnjë përpjekje të partive në qeverisje, sa herë bisedonim për çështje që ndërlidhen për një konsensus më të gjerë. Natyrisht që prodhon një efekt sepse duhet të ketë një marrëveshje edhe për një datë më të hershme të zgjedhjeve dhe sa herë e kemi përmendur mundësinë e një date të hershme të zgjedhjeve, na janë përgjigjur me numra dhe në thirrjen që të organizojmë mocion mosbesimi.
Nuk ka qenë ky qëllimi ynë primar. Natyrisht që ne punojmë që ta rrëzojmë Qeverinë, por nuk ka qenë qëllimi ynë primar që ta sakatojmë Republikën tonë në agjendat e mëdha. Në anën tjetër, është harxhuar shumë energji në absorbimin e PSD-së, si grup i vetëm politik që është përafruar me partitë në Qeveri.
Ata absorbuan atë grup politik, ndërtuan një stabilitet të rrejshëm, krijuan në shumicë gjoja të qëndrueshme, por është derë e vogël për hyrje-dalje për partitë që janë në qeverisje dhe assesi nuk mund të flasim për një stabilitet institucional, sepse po shohim edhe agjenda e Qeverisë edhe agjenda e Kuvendit, janë në një gjendje kaotike.
Selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës
Radio Evropa e Lirë: Me çfarë kushte apo kritere hyn LDK-ja në një Qeveri të tillë që do të formohej eventualisht në të ardhmen, do të thotë Qeveri gjithëpërfshirëse?
Lutfi Haziri: Për ne është interes i madh pjesëmarrja e të gjitha partive politike. Le të themi, nuk është detyrimisht një kusht që ne mund ta përmendim, por ne mendojmë, jemi të bindur se pjesëmarrja e të gjitha partive politike në Kuvend – këta që kanë mandat politik – riorganizimi i Kryesisë së Kuvendit dhe rishikimi i strukturave të dialogut, krijon një mundësi që të gjithë të marrin përgjegjësinë e vet deri në përmbylljen (e procesit të dialogut). Po ashtu, detyrimisht duhet të ketë një marrëveshje parimore për zgjedhje të hershme.
Radio Evropa e Lirë: Po Qeverinë gjithëpërfshirëse si e mendoni?
Lutfi Haziri: Rikonfigurimi i bie sipas fuqisë politike, natyrisht. Nuk ka (kushte), nuk mund të spekuloj, as në këtë nivel që janë tash sepse mandej po na përkthehet kërkesa jonë, oferta jonë për stabilitet, po përkthehet si aspiratë për pushtet. Jo.
LDK-ja e sheh rolin e vet në udhëheqje të Qeverisë vetëm përmes zgjedhjeve. Ne besojmë që legjitimiteti i vetëm që na jep mandatin e Qeverisë janë zgjedhjet.
Një Qeveri e unitetit, një marrëveshje e unitetit për t’i përballuar problemet e mëdha që ka ky vend është vetëm ofertë për ta rikonfiguruar totalisht edhe Qeverinë edhe Kryesinë e Kuvendit.
Radio Evropa e Lirë: Me çka do të ishte e kënaqur, me këtë forcë që e ka LDK-ja tash…
Lutfi Haziri: Ne do të ishim të kënaqur nëse të gjithë marrin pjesë. Mandej është çështja e marrëveshjeve politike. Marrëveshjet politike do të determinonin rolin e secilit, por natyrisht i bie prijëse LDK-së detyra e ekzekutivit, aty ku ka qenë para pak vitesh. Ne në mënyrë të padrejtë na u organizua mocioni, në mënyrë tinëzare dhe besojmë shumë që një rol i LDK-së në qeverisje, çfarë ka qenë deri para dy vjetësh, është treguesi më i mirë që proceset mund të shkojnë mbarë.
Radio Evropa e Lirë: A ka konsensus brenda LDK-së për t’u përfshirë në një koalicion të ri me partitë në pushtet?
Lutfi Haziri: Ne, të them të drejtën, kemi konsensus për platformën tonë. Platforma jonë nuk është e negociueshme, është një dokument që ka marrë miratimin e të gjitha strukturave. Për ne është interes jetik, prioritet numër një, dy dhe tre është ruajtja e unitetit tonë. Kështu që, ne nuk e rrezikojmë këtë unitet me asnjë formulë tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Po, përfshirja në qeverisje?
Lutfi Haziri: Vetëm në mundësinë e pjesëmarrjes së të gjitha partive politike.
Radio Evropa e Lirë: Po nëse një Qeveri e tillë nuk formohet, çfarë pozicioni do të mbajë LDK-ja karshi dialogut dhe Ekipit negociator i cili po funksionon?
Lutfi Haziri: Po funksionon, por është i pafuqishëm. Është i pafuqishëm karshi ndërmjetësit ndërkombëtar, është i pafuqishëm karshi popullatës për shkak të legjitimitetit dhe do të jetë i pafuqishëm që të arrijë një marrëveshje finale.
Ky është hendikepi më i madh i tyre. Ne do të vazhdojmë të jemi gardianë të shtetit, të Republikës, demokracisë që e kemi, me mjete politike dhe vetëm me mjete politike do të vazhdojmë të kundërshtojmë çdo tendencë që deformojnë këto qëllime në Kuvendin e Republikës. Kjo është dera jonë , institucioni dhe roli ynë në të ardhmen.
Radio Evropa e Lirë: Cila do të duhej të ishte oferta e Kosovës në dialogun me Serbinë, ka shumë opsione, që nga korrigjimi apo ndryshimi i kufirit, shkëmbimet e territoreve e deri te njohja reciproke?
Lutfi Haziri: Unë, besoj se Kosova duhet të shkojë me një platformë politike, e cila jep zgjidhje finale problemeve. Nuk mund ta injorojmë problemin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë në parimin e reciprocitetit apo të shprehjes së vullnetit të tyre tash më të lirë me referendumin e vitit 1992.
Ata, delegacioni, duhet ta kenë parasysh këtë vullnet të tyre dhe natyrisht që nuk mund t’i lënë të jetojnë në këtë status që e kanë atje.
Kosova nuk ka çka jep shumë, nuk ka çka ofron shumë, definitivisht. Kosova duhet t’i mbyllë çështjet e hapura me Serbinë që lidhen me luftën e fundit.
Radio Evropa e Lirë: Nëse thoni se edhe Presheva e pjesë të tjera të asaj ane të jenë pjesë e Kosovës, mendoni se Serbia do të pajtohet, pa marrë edhe ajo diçka nga Kosova?
Lutfi Haziri: Po krijohet një disponim që duhet të definohet një kufi mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan. Në Serbi është duke u ndërtuar një vendim te vendimmarrësit që duhet një kufi në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan dhe që i bie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për konceptin e serbëve në kulturën e serbëve, ata e shohin më shumë si shqiptarë dhe serbë, sepse për ta, është shumë e dhimbshme republika e dytë e shqiptarëve në Ballkan, gati se e papërballueshme, kurse për ne është e shenjtë. Kjo rritje është e shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë deri në fund.
Asetet kombëtare si Ujmani, Trepça, korridori i dhjetë, një segment i korridorit të dhjetë ndërkombëtar që kalon përmes Preshevës e Bujanocit, janë gjeografikisht të pandara prej territorit të Republikës së Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Në veri të Kosovës kufiri aty ku është tani?
Lutfi Haziri: Nuk e shoh larg as ai që është sot. Korrigjimi për mua si Lutfi Haziri në këtë rast, sepse LDK-ja e kundërshton çdo prekje të kufirit të Kosovës të vitit 1974, për mua si Lutfi Haziri, korrigjimi do të jetë shumë i vogël me disa fshatra të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe këtu përfundon gjithçka.
Radio Evropa e Lirë: Pra, ju mendoni se një pjesë e territorit aktual të Kosovës do të preket në rast të ndonjë marrëveshje?
Lutfi Haziri: Definitivisht kërkesa e tyre është pjesa e veriore dhe pjesa jugore të merret në veri, sepse ata nuk janë të gatshëm ta japin as Preshevën e as Bujanocin.
Ata janë të detyruar ta japin, po plani serb është që Morava dhe Ibri të jenë kufijtë natyrorë që i ndajnë shqiptarët dhe serbët në të ardhmen.
Profesori amerikan, Edward Joseph, në një intervistë për Kallxo.com, ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale është jashtëzakonisht shqetësues dhe sipas tij të krijon përshtypjen se ka hedhur në baltë gjithë atë që ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve 90-tave, shkruan Express.
Ai ka thënë se gjyqtari do të duhej të merret parasysh praktikat e ndjekura nga Gjykata Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë dhe të ishte në dijeni për atë se çfarë krimet kanë kryer serbët.
“Është për të ardhur keq, unë isha mjaftë i habitur me lartësinë e këtyre dënimeve”, ka thënë Joseph.
Megjithatë ai e gjen si mjaftë pozitive faktin që gjykata nuk i gjeti fajtor asnjërin prej të akuzuarve për aktakuzën për krime kundër njerëzimit.
“Kjo nuk është thjeshtë hollësi teknike. Krimet kundër njerëzimit janë shumë më serioze” ka shtuar tutje Joseph.
Ai ka thënë se zyrtarët në Kosovë duhet ta përsërisin një gjë të tillë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të shtunën se është konfirmuar identiteti i tri viktimave pas zhvarrimit të mbetjeve mortore të zbuluara në varreza masive në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës.
Kurti shkroi në Facebook se raportet e ADN-së kanë konfirmuar se tri viktimat i përkasin grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.
Grupi prej 23 “intelektualëve” ishte një grup shqiptarësh, mes tyre veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën në zonën e Zubin Potokut më 19 prill të 1999-ës.
Kryeministri nuk tregoi me emër dhe mbiemër se kush ishin viktimat, por tha se familjet e tri viktimave të identifikuara janë njoftuar qysh sot.
Njoftimi i tij vjen gati dy muaj pasi u zbuluan tri varre masive në këtë komunë në veri të vendit, ku u gjetën mbetje mortore të së paku 23 njerëzve.
Në fund të muajit të kaluar, autoritetet kosovare i dërguan në Hagë të Holandës mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Kurti tha se Kosova pret t’i pranojë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së “në ditët dhe javët në vijim”.
“Me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh. Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, tha Kurti.
Varrezat në Zbuin Potok u zbuluan rreth dy muaj më parë pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte, sipas autoriteteve kosovare.
Prokuroria Speciale e Kosovës po i heton për këtë rast katër persona, J.R., M.J., R.K dhe M.B., të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Që të katër ndodhen në paraburgim.
Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.
Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.
Kurti, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se do t’iu kërkojë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, ta shtojnë trysninë ndaj Serbisë për t’i zbatuar zotimet për hapjen e arkivave, për të ndihmuar në gjetjen e vendndodhjes së njerëzve të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Në emër të Partisë Guxo dhe si Kryetar i saj, më duhet të them dy fjalë pas protestës së sotme.
UÇK ka qenë dhe mbetet e krejt kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet simbol e vlerë e këtij populli dhe kështu do të mbetet përjetësisht.
Protesta është shenjë civilizimi dhe e drejtë e garantuar në demokraci. Si të tillë, ne e respektojmë. Mirëpo, çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e Donika Jusuf Gërvallës me anën e manifestimeve të tilla, do të merr kundërshtimin tonë me të ashpër.
Në historinë tonë të gjatë të sakrificës për liri, familja e saj dhe vetë Donika Gërvalla paraqesin një kapitull të rëndësishëm dhe të ndritshëm (njëra nga Brigadat e UÇK-së është quajtur “Jusuf Gërvalla”) dhe është udhërrëfyes e manual se si jetohet e vdiset për atdhe.
Këtë nuk e harrojmë dhe këtë nuk GUXOjmë ta harrojmë!
Njëzet e gjashtë vjet më parë, Prishtina humbi një prej njerëzve që kishte menduar gjatë dhe seriozisht për të ardhmen e saj.
Më 11 shtator 2000, arkitekti dhe urbanisti Rexhep Luci u vra në hyrje të banesës së tij në Prishtinë. Në atë kohë, ai drejtonte planifikimin hapësinor në Komunën e Prishtinës.
Rexhep Luci ishte pjesë e brezit të parë të urbanistëve të Kosovës, punoi në planifikimin e lagjeve që sot janë pjesë e identitetit të kryeqytetit dhe këmbënguli që Prishtina të zhvillohej me plan, me hapësira publike, me gjelbërim dhe duke pasur parasysh njerëzit që jetojnë në të.
Por Rexhep Luci duhet kujtuar edhe për integritetin me të cilin e ushtroi detyrën publike dhe për refuzimin për t’u tërhequr përballë interesave që kërkonin ta ndërtonin qytetin pa rregulla.
Vrasja e Rexhep Lucit mbetet e pazbardhur dhe pa autorë të vënë para drejtësisë. Edhe kjo është pjesë e përgjegjësisë që kemi ndaj kujtimit të tij.
Sot e kujtojmë Rexhep Lucin me respekt për punën, profesionalizmin dhe vizionin që pati për Prishtinën. Një Prishtinë që zhvillohet me rend e me përgjegjësi dhe që mendohet për njerëzit e saj dhe për brezat që vijnë. (fb)
Kurti dhe Hamza diskutuan për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas aktgjykimit, ku në takim u theksua edhe mundësia që vendimi të ndryshojë në shkallën e apelit.
KOSOVA- Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë ditën e sotme në Kuvend propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kjo nisëm, vjen menjëherë pas vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës e cila dënoi me 81 vite burg në total katër ish-krerët e UÇK-së. Gjithashtu vjen edhe në kohën kur janë shtuar diskutimet politike rreth funksionimit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara.
Pas vendimit të Hagës, PDK-ja ka zhvilluar diskutime për hapat që do të ndërmerren lidhur me Dhomat e Specializuara, ndërsa një ditë pas vendimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Kurti dhe Hamza diskutuan për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas aktgjykimit, ku në takim u theksua edhe mundësia që vendimi të ndryshojë në shkallën e apelit. Dhomat e Specializuara janë themeluar pas ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Kuvendi i Kosovës.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, shpallën Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin fajtorë për krime lufte dhe i dënuan me nga 13 deri në 25 vjet burg. Gjykatësit argumentuan se katër të akuzuarit kontribuuan ndjeshëm në një qëllim të përbashkët kriminal për shënjestrimin e personave të perceptuar si kundërshtarë të synimeve politike ose ushtarake të UÇK-së./Dosja.al
Sot përcjellja e Flora Brovinës, aktivistes së shquar, mjekes humaniste, poeteshës, të burgosurës politike, deputetes së Parlamentit të Kosovës dhe veprimtares së pandalur.
Botuesit e Voal.ch i shprehin ngushëllimet Familjes dhe gjithë Kosovës mbarë, duke e kujtuar Flora Brovinën me vargjet e saj. Tash Flora asht bashku me shokun e jetës Ajri Begun dhe të gjithë ata që kujton përmallshëm në këtë poezi:
Ka reaguar në rrjetin social familja e Haki Imerit në rrjetin social si më poshtë:
“Miq,
– Gjykata Speciale foli ,
-Gjykata Speciale e dha verdiktin ..
-Parlamenti i Kosoves e ka themeluar , dhe kur e keni themeluar eshte dasht ta kuptoni se kjo dite nje dite do te vie ..
-Pra ata qe dhane verdiktin nuk jane rus as serbe por jane SHBA-ja dhe BE-ja.
-Klithmat per dhune nuk u ndihmojne te pandehureve e sidomos nuk i ndihmojne Thaçit .
-Mos u besoni ‘miqve’ te Grenellit se ata nuk mund t’i ndihmojne askujt ne kete proces ..
-Mos e degjoni Richard Grenellin se ai nuk u kryen pune shqiptareve , ai i kryen pune veq Vuçiqit..
-Dhe ata qe jane miq te tij ata po ashtu kane kontribuar ne ndertimin e nje atmosfere te rreme se Thaçi nuk do te denohet se ate do ta shpetoj Grenelli ..
-Grenelli duhet te shpallet non grata ne Kosove ai eshte kunder shtetit te Kosoves , ate ne SHBA -nuk e respekton as do njeri me peshe..
-Prisni apelin me durim, dhe mos paragjykoni , se nese beni ‘gallate’ sepse Apeli jo veq e zbret denimin por mund ta rrisnin denimin po ashtu, nese…”
Kush është Haki Imeri
Haki Imeri ka qenë një intelektual, mësues nga fshati Vojnik i Skënderajt dhe aktivist i shquar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ai u bë i njohur për opinionin publik për shkak të vrasjes së tij me motive të dyshuara politike menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Rrëmbimi dhe Vrasja: Më 2 nëntor 1999, Haki Imeri u mor nga tre persona të dyshuar si pjesëtarë të policisë ushtarake të UÇK-së (pa emblema) në Vojnik dhe u gjet i vrarë po atë ditë në fshatin Aqarevë.
Prapavija Politike: Familja e tij ka akuzuar vazhdimisht Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) dhe krerët e asaj kohe të Qeverisë së Përkohshme për urdhërimin e kësaj vrasjeje.
Gykata Speciale në Hagë: Rasti i tij ka qenë pjesë e diskutimeve dhe hetimeve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku vëllai i tij, Imer Imeri, ka dëshmuar si dëshmitar i mbrojtur/prokurorisë në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Veton Surroi kujton Flora Brovinën në rrjetin social me dy fotografi të kohës së aktivizmit të Elitës, e cila do të përcillet në banesën ku do të prehet duke bërë kalimin e fundit në Prishtinë:
“Sot bën kalimin e fundit nëpër qytet Flora Brovina.
Në Varrimin e Dhunës më 1991 u vu ë ballë të procesionit së bashku me Ajriun, bashkëshortin. Edhe atë ditë shprehte sensin e saj të ndjeshmërisë poetike, rezistencën ndaj padrejtësisë, antifashizmin…
Në kujtesën kolektive të këtij vendi do të hyjnë këto, buzëqeshja, përkushtimi për më të brishtët e shoqërisë, trimëria e qetë e të ballafaquarit me të keqen”
Një protestues në rrugë pranë objektit të EULEX-it në Prishtinë, gjuan në drejtim të objektit gjatë protestës kundër dënimin me burgim të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, 16 shtator.
Radio Evropa e Lirë
Një pjesë të objektit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, në Prishtinë e përfshiu zjarri të mërkurën vonë, pasi demonstruesit e sulmuan me mjete piroteknike, teksa protestonin kundër dënimit me burgim për krime të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale e vendit në Hagë, njoftoi policia.
Qindra njerëz ishin mbledhur në kryeqytet qysh të mërkurën në mëngjes për ta përcjellë në ekran shqiptimin e aktgjykimit kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Trupi gjykues i shpalli fajtorë ata për krime lufte dhe i dënoi Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim secilin, ndërsa Veselin me 18 dhe Selimin me 13.
Qytetarë të pakënaqur me aktgjykimin protestuan dy herë pranë objektit të EULEX-it.
Policia tha se rreth orës 22:30, një numër i caktuar i protestuesve, të cilët kishin qenë duke protestuar pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, kishin lëvizur sërish në drejtim të bazës së EULEX-it në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.
Ata e bllokuan rrugën pranë hyrjes në kompleksin e EULEX-it dhe filluan të hidhnin gjësendeve të ndryshme, “mjeteve të forta dhe mjeteve piroteknike, ku si pasojë e këtyre të fundit, një pjesë e objektit është kapluar nga një zjarr i vogël”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia tha se zjarri u shua menjëherë. Nuk pati të lënduar.
EULEX-i ka rol mbështetës ndaj Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilave u ofron mbështetje logjistike dhe operacionale, ndërsa BE-ja është financuesja kryesore e tyre.
Protesta përfundoi pak pas mesnatës dhe kaloi ka ndonjë incident të madh dhe pa lëndime, theksoi policia.
“Zyrtarët policor në vazhdimësi kanë biseduar me protestuesit dhe kanë kërkuar që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos hedhin gjësende dhe mjete të rrezikshme drejt objekteve shtetërore”, thuhet në njoftim.
Policia tha se do t’i vazhdojë praninë dhe patrullimet në terren për të garantuar rend kushtetues dhe siguri publike në gjithë vendin.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i gjykatës.
Dënimi me burgim i ish-krerëve të UÇK-së, të cilët pritet të ankohen në Apel, u kritikua ashpër në Kosovë, ku ata shihen si heronj kombëtarë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi aktgjykimin si padrejtësi të papranueshme.
“Edhe pse aktgjykimi mund të jetë shpallur formalisht në emër të popullit të Kosovës, kjo formulë boshe nuk duhet të ngatërrohet me vullnetin e popullit”, tha Kurti në një deklaratë.
Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Kjo gjykatë është jopopullore në vend dhe kundër saj ka pasur protesta të vazhdueshme qëkurse katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan më 2020.
Gjykata Speciale në Hagë ka dhënë ditën e djeshme vendimin për dënimin me 81 vite burg të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në video është rikthyer në vëmendje një fjalim i kryeministrit Albin Kurti, në kohën kur Lëvizja Vetëvendosja ishte në opozitë. Kurti paralajmëronte se VV nuk e njeh Gjykatën Speciale ndaj edhe nuk do të dërgonte në Gjykatë luftëtarët e UÇK.
“Kur Vetëvendosja të jetë në qeverisje nesër, është subjekti në qeveri që nuk ju dorëzon në Gjykatën Speciale, sepse ne nuk e njohim atë gjykatë. Edhe PDK ju dorëzon, ne jo. Veçse për krime zhvatje e plaçkitje pas luftës, ne nuk ju mbrojmë e as ju ndihmojmë, por sa për gjykatën speciale, nuk e njohim. Edhe ju keni interes që ne të vijmë në pushtet për këtë gjë. E keni vështirë ta kuptoni dhe ta pranoni por do të vijë dita”, shprehej ai. bw
Protestat e shqitparëve të Kosovës kanë vijuar edhe gjatë orëve të mbrëmjes pas zhgënjimit me vendimin e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë e cila dënoi me 81 vite burg në total katër ish krerët e UÇK-së.
Një pjesë e protestuesve, rreth orës 22:30, të 16 shtatorit, kanë lëvizur në drejtim të bazës së EULEX-it, pranë tregut të gjelbër në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.
Sipas Policisë, me të arritur pranë hyrjes së objektit të EULEX-it, protestuesit kanë bllokuar rrugën dhe kanë nisur të hedhin gjësende të ndryshme, mjete të forta dhe mjete piroteknike.
Si pasojë e mjeteve piroteknike, një pjesë e objektit, çatia e objektit, është përfshirë nga një zjarr i vogël, i cili, sipas Policisë, është shuar menjëherë.
Zyrtarët policorë kanë komunikuar vazhdimisht me protestuesit dhe u kanë kërkuar që protestat t’i zhvillojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin gjësende apo mjete të rrezikshme në drejtim të objekteve shtetërore.
Policia ka bërë të ditur se ka menaxhuar mbarëvajtjen e tubimeve dhe protestave, të cilat, sipas saj, kanë kaluar pa incidente madhore dhe pa të lënduar në mesin e protestuesve apo zyrtarëve policorë.
Protesta përfundoi pas mesnatës, rreth orës 00:20.
Edhe gjatë ditës protestuesit nga sheshi në këmbë shkuan tek objekti i EULEX-it, të cilin gjuajtën me gurë, e më pas u kthyen sërish në shesh.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim. Dënim i njëjtë iu shqiptua edhe Jakup Krasniqit, kurse Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13.
KOSOVA– Situata e protestës kundër vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së vijon të mbetet e tensionuar. Disa qytetarë kanë qëlluar me gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në qendër të Prishtinës.
Qytetarët të indinjuar vepruan njësoj edhe në protestën e organizuar përballë selisë së EULEX-it, ku u godit godina e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit./Dosja.al
Komentet