Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha gjatë konferencës për media se sonte, më 04.03.2026, nuk do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Haxhiu ka deklaruar se deri më tani në adresë të saj është dorëzuar vetëm një kandidaturë për president të Kosovës.
Në një konferencë për media, ajo tha se kjo situatë po ndodh në një moment vendimtar, kur – sipas saj – përgjegjësia institucionale dhe respektimi i afateve kushtetuese janë thelbësore.
“Kjo konferencë po mbahet në një moment vendimtar, kur përgjegjësia institucionale dhe respektimi i afateve kushtetuese janë thelbësore. Në cilësinë e kryetares së Kuvendit, deri më tash kam pranuar vetëm një kandidaturë për president nga 30 deputetë nënshkrues. Një pjesë e deputetëve të LVV-së dhe disa deputetë nga grupi multietnik kanë nominuar Glauk Konjufcën” – ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se bazuar në Kushtetutën e Kosovës, procedura për zgjedhjen e presidentit kërkon që në proces të jenë së paku dy kandidatë të vlefshëm.
“Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, procedura për zgjedhjen e presidentit të Kosovës kërkon që në proces të jenë së paku dy kandidatë të vlefshëm. Procesi i votimit nuk mund të fillojë pa u plotësuar ky kusht procedural. Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë, unë nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit” – ka shtuar ajo./Kallxo.com