Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj, komentoi në Edicionin e Pasdites me gazetaren Armela Ferko në Syri Tv rikthimin e atentateve mafioze në një kohë kur jo më larg se mbrëmjen e kaluar, një 37-vjeçar u qëllua për vdekje në autostradën Tiranë-Durrës.
Hajdarmataj tha se në dy rastet e fundit, duke iu referuar ngjarjes së Elbasanit ku u plagos Nuredin Dumani dhe atentatit të mbrëmjes së kaluar, policia nuk ka parandaluar krimin. Sipas zyrtarit të policisë, individët e përfshirë nuk kanë ndjenjën e frikës se po bien në duart e policisë pasi janë të fuqizuar.
“Aryseja tjetër është se elementët e botës së krimit kanë lidhje deri në rangun e informatorëve në segmente të caktuara të Policisë së Shtetit që ju jep siguri dhe ju krijon shtigje të lehta që mos të bien në dorën e autoriteteve.
Sa i përket postoblloqeve nuk jam shumë dakord, nuk duhet të priret policia nga puna e fushatave pas ngjarjeve.
Duhet të priren nga puna inteligjente dhe proaktive e Policisë së Shtetit për marrjen e informacionit që më pas të parandalojë ngjarjen kriminale.”-tha Hajdarmataj.
Sa i përket atentatit të mbrëmjes së kaluar, ku mbeti i vdekur Iljaz Çali, zyrtari i policisë tha se fikja e dritave ka favorizuar autorët për të kryer vrasjen.
“Në rastin e mbrëmjes së kaluar kemi një viktimë që kishte marrë një mjet me qira. Automjeti ka qenë me GPS, janë të ruajtura lëvizjet çka mendoj se policia mund të shikojë lëvizjet dhe kamerat e ambienteve ku ka kaluar.
Kjo mund të bëjë të mundur se me kë ka pasur kontakte fizike deri në momentin që u vra. Ka dy pista, ajo e kromit dhe ajo e drogës, psita që çojnë në konflikte. Nëse viktima ka qenë i identifikuar nga policia në këto dy lidhje, duhet të kishte një mbikqyrje policore.
Polici përgjegjëse në zonë duhet të marrë informacione për konfliktet e mundshme të objektivit. Policia nuk është në gjendje praktike të bëjë këtë punë.“-tha Hajdarmataj.
Për ngjarjen e Elbasanit pak ditë më parë ku u plagos Nuredin Dumani dhe më pas u arrestua për llogari të autoriteteve, zyrtari tha se kemi të bëjmë me një person me rekorde të theksuara kriminale që s’duhet të ishte jashtë vëmendjes së policisë.
Hajdarmataj tha se ku flitet për grupin kundërshtar, fatmirësisht Dumani nuk humbi jetën por kemi një palë që policia duhet të bëjë një mbikëqyrje për informacionin.
“Objekt në kuptimin që ta gjurmojë, siç mund të ketë një procedim penal. Ata janë në kërkim. Policinë e Shteti e kap rutinizmi, praktikë që duhet të luftohet.
Të gjitha dosjet, ose vrasjet e fundit pa autor ka një historik negativ në lidhjet kriminale, por shkon dosja, shkon në prokurori, i kalon policisë, futet në një sirtar dhe nuk merret njeri me këtë punë.
Vrasje të tipit mafioz, me sniper, me silenciator, vrasje pa autor, tregon një fuqizim të grupeve kriminale. Fuqizimi i tyre po ecën me hapa shumë të shpejtë krahasuar me përgjigjet e autoriteteve.”-tha Hajdarmataj.
Komentet