(Dy cilësime që shpërthejnë nga brumosja ideologjike e Ramës për shqiptarët në BE-në e grupkapitujve)
Brenda një dite, më 11 Maj, 2026 kryeministri për rilindësit në këtë fazë të tranzicionit, shqiptarët kundërshtarë të politikave të tij i vë epitetin specie sikurse edhe ata të fillimeve të tranzicionit i përforcon gjatë një ceremonie hua për t’i cilësuar si “njerëz me bisht”. Të dy përcaktimet brenda një dite vijnë nga dy veprimtari të ndryshme ku në qendër është Evropa jo ashtu siç është, por ashtu siç fryma përjashtuese ideologjike dhe gjuha e urrejtjes së Ramës e do edhe Evropën.
Shqiptarët si specie, janë opozita ose ata rreth 600 mijë shtetas që e votuan kundër një vit më parë e ca më shumë të tjerë që çdo ditë po e kritikojnë drejtimin e një qeverisje të korruptuar që nuk ka fund me skandalet në çdo drejtim të jetës. Ndërsa shqiptarët si njerëz me bisht, vjen nga një huazim sa racist aq edhe dashakeqës që prej shtet formimit dhe shpien Ramën bashkë me verbërinë e propagandës së tij në faqet e ATSH-s që të njëjtat ngjarje, të përmbledhura si lajme zyrtare të qeverisë të lexohen ndryshe nga shqipfolësit, anglisht dhe franko folësit (dy gjuhët e huaja në të cilat ATSH i publikon lajmet). Pra shtirja dhe standardi i nënshtrimit përpara të vërtetës me të huajt. Ndryshe nga dëshira për t’i vënë në lojë vend e pa vend kundërshtarët e tanishëm politik, pasi ata të artit dhe të sportit e kanë lënë kryeministrin në delirin e ekspozitave ndërkombëtare dhe stilimin me këpucë të lehta, shpesh herë ai shpërthen me gjuhën e urrejtjes nga Kuvendi i Shqipërisë, në fjalimet e asambleve politike, në programet e sociale vetë prodhuara, e deri tek ndeshja me median duke i etiketuar ato pafundësisht duke mbledhur së bashku mllefin* e një njeriu që nuk e kontrollon dot më pushtetin e kalbur nga korrupsioni.
Edhe humor sikur të duash të eksperimentosh nga bëmat e çdo dite nga propaganda e parti shtetit e ke të pamundur zgjedhjen sepse padyshim do të ndeshesh me ngurtësimin e administratës shtetërore, me bllokun e ligjvënësve socialist në Kuvendin e Shqipërisë, sikurse edhe në të gjitha mediat e anuara apo të blera nga qeveria për të mos lejuar dallimin e disa nuancave shumë të holla që e zhveshin pushtetin e rilindësve.
Çfarë vendi do të zinte në një veprimtari ku artisti Tedi Papavrami që po nderohej me një dekoratë të lartë shtetërore duhej ta merrte atë në thjeshtësinë e ‘Parkut të Eden-it’ brenda ndërtesës së kryeministrisë, ku “spontanisht artistë”, qeveritarë, akademikë dhe përfaqësues ambasadash, ishin ulur në shkallët e instalacionit prej 3.7 milion € të cilit vazhdimisht i shtohen fonde. Por nuk qendron vetëm këtu thjeshtë vështrimi kritik sikur mezi presim të gjejmë kleçka. Vështrimi kritik qendron tek fryma e urdhrave që parti shteti jep dhe kontrollon në gjithshka. Një gjë e tillë sikurse në anglisht është shprehja “stole the show”. Pra të bëhesh qendra e vëmendjes dhe t’ua marrësh të tjerëve shkëlqimin. Dhe si e tillë kjo u pa tek formulimi propagandistik dhe i pa sqarueshëm i ATSH-s që në krye të lajmit shkruan:-“Kryeministri Edi Rama dekoroi sot muzikantin dhe instrumentistin virtuoz Tedi Papavrami me ‘Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës’, në emër të Presidentit të Republikës.”
A ka vend ku të rrijë kjo?
O kryeministër, lëre Tedin të flasë!
Sigurisht që përvetësimi i shfaqjes pa e lënë një talent të bërë vetë si Tedi të flasë diçka që përse u bë ai që është, Rama me huanë e dekoratës së Begajt ka rastin e mirë të vemendjes dhe të shkëlqimit bashkë për veten e tij. Ai e bën audiencën të qeshë e të gëlltisë njëkohësisht cilësimin se “shqiptarët janë njerëz me bisht”. Një shprehje mbi 100 vjeçare e vjetër e atyre qarqeve politike e diplomatike që Shqipërinë e shihnin si një tokë për t’u copëtuar të destinuar për t’u shpërbërë si komb nga asimilimi i popullsisë, e cila as e ka vendin sot për t’u thënë dhe as për të bërë krahasimin e zhvillimeve të Shqipërisë afër me Evropën sidomos në vitin e parë të mandatit të katërt. Pra plot pas 13 vitesh.
Sikur të mos mjaftonte një individ si Tedi, talenti i Ramës zbuloi gjatë paradites së 11 Majit edhe një tjetër “grep të ngecur”, kur gjatë një konference për shtyp “Shqipëria, ecuri pozitive në fushën e prokurimeve publike” edhe pse ai po përpiqej të sqaronte rreth një ligji të ri për resortet turistike dhe portet private, shqetësimi doli vetiu tek roli i opozitës dhe cilësimi i saj një lloj “specieje”. Ngado që ta sjellësh, mos përgatitja e këtij ligji jo vetëm gjatë 12 viteve të tre mandateve të Rilindjes Socialiste, por edhe në ato të njëpasnjëshmet e rritjes së numrit të turistëve me mbi 10 milion çdo vit sipas shifrave të qeverisë, i bie të kuptosh se thelbi i çështjeve të pronësisë në raport me korrupsionin dhe klientelizmin e partneritetit publik-privat janë disi më të dobëta sot pas goditjeve që prokuroria speciale dhe drejtësia kanë ndërmarrë. Titulli i ATSH-s në një konferencë shtypi kryesisht për ekonominë dhe prokurimet publike në vend që t’i përmbahet shpjegimeve të kësaj rëndësie për lexuesin dhe publikun, del me “argumentin” se:-“Rama: Ne kemi një specie që lutet në Evropë që Shqipëria të mos anëtarësohet në BE”.
Cilado që të ketë qenë pyetja, marrja në konsideratë e fjalëve të Ramës se paskemi një opozitë që e pengon anëtarësimin në BE, vjen më pas se sa kritikat dhe tërheqja e vemendjes së institucioneve ndërkombëtare mbi mjedisin. Po të kujtonim fundin e vitit 2022 kur ndërtimi i aeroportit në Lagunën e Nartës u cilësua “në mungesë të dukshme të respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare”, çështja aty ishte pikërisht për speciet, llojet e gjallesës së florës dhe faunës më të pasur në Evropë në natyrën shqiptare që u kërcënua nga korrupsioni dhe etja e fitimeve të partneritetit publik-privat të qeverisë së Ramës. Ndërsa sot pas katër vitesh, janë jo vetëm bregdeti me portet, por edhe zhdukja me fuqinë e kartonit në Kuvendin e Shqipërisë të Zonave të Mbrojtura, Agroturizmi, Paketa e Maleve etj. si këto që kanë larguar banorët e zonave përmes falimentimit ekonomik duke sjellë shpopullimin, emigracionin, mungesën e investimeve dhe erozionin e natyrës bashkë me kërcënimin e gjallesës dhe me të vërtetë të atyre specieve të rralla të natyrës shqiptare. Le ta shohim nga ky këndvështrim vlerësues për gjallesën “llojin e species” që shqetëson sot Ramën. Një Aeroport në Vlorë, në zemër të Lagunës së Nartës, që ka filluar edhe të përmbytet sa herë që bien rreshje të vrullshme jo vetëm që ka prishur deri tani ekosistemin, por në rastin e fillimit të fluturimit të avionëve ajo larmi gjallese aty do të kërcënohet deri në shfarosje.
Nga këta dy shembuj vetëm brenda një dite, pa ndihmën e propagandës dhe pa mbështetjen e saj nga mediat e kapura dhe të blera prej qeverisë, shtetasit shqiptarë e kanë fare të lehtë të kuptojnë se kush vuan sot për protagonizëm, kush e merr shkëlqimin nga arritjet e shqiptarëve për të mbuluar korrupsionin dhe së fundmi se kush po mashtron se po e çon në BE Shqipërinë, përpara se ta copëtojë dhe ja hequr pasuritë nga duart pronarëve të ligjshëm dhe “dhuruar” investitorëve strategjikë.
Pas gjithë këtij shikimi duke lënë me një anë propagandën mund të thuhet se në fare pak vend mediat i kushtuan vend gjuhës fyese të kryeministrit dhe cilësimeve të tij për shqiptarët. Në të dyja rastet qoftë Kuvendi i Shqipërisë dhe qoftë media përmes normave të etikës dhe komisioneve përkatëse, duhet të mbajnë qëndrim të fortë kritik dhe masa administrative (me gjobë), për rastet e përsëritura.
Në qoftë se këto nuk bëhen atëherë edhe ATSH-ja le ta jetojë larg së vërtetës dhe brenda hipokrizisë kryeministrore, kur në të njëjtën kohë ka çelur në kryeqytet një ekspozitë të titulluar “Një rrugëtim në historinë e lajmit” që ka tërhequr interesin e vizitorëve vendas dhe turistëve të shumtë sipas citimit të propagandës shtetërore.
_____________
11 Maj, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)