Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ku pjesë është edhe Monika Kryemadhi dhe tre të pandehur të tjerë.
Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli javën e kaluar shqyrtimin e dosjes, pas një procesi 8-mujor, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Ajo ka rrëzuar të gjitha kërkesat e të pandehurve për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave, ndërsa tani është tërhequr për vendim nëse do kalojë apo jo për gjykim dosjen në ngarkim të Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të pandehurve të tjerë.
Kujtojmë që SPAK mbylli hetimet për dosjen Meta-Kryemadhi më 28 korrik të vitit të kaluar dhe në fund të gushtit e dërgoi çështjen në gjykatë. Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Nga pesë të pandehurit, i vetmi që ndodhet në burg është Ilir Meta, i arrestuar në tetor të vitit 2024.