VOAL

VOAL

Gëzuar 28 Nëntori Dita e Mvetësisë Kombëtare! – Nga BESIM NDREGJONI*

November 28, 2022

Komentet

Ditëlindja -64 apo 46?! – Nga Albert Habazaj 

20 Marsi është datëlindja ime
Që nis si ditë e rëndomtë pranverore,
Por, Universi i Mirësisë me urime
Më merr në fluturime princore.
.
Për mua, nuk është vetëm mosha
Që më bën të shpërfillshëm ndaj vetes,
Shpirtit me nipër e mbesa i mbushet shporta
E këto festa sikur më veniten e treten.
.
Pastaj, njeriu sado i fortë që të duket
Është në çaste të tilla qenie e brishtë,
Përkedhelja e prindit me fjalë nuk thuhet
Kur mungon, s’ka gjë më të trishtë…
.
Melankoli, mërzitje, mallëngjim
Hedh krahëve me pelerinën e moshës,
Kur vijnë mbesat e nipi me gëzim
Kam tortën më të ëmbël të botës.
.
Dhe i flak tutje pezmatimet
Si veten më bëjnë zogjtë e pranverës sot,
Shkallëve të bardha të jetës ngjitem
Dhe zemrën e bëj fole për zogjtë.
.
Po miqtë e mirë si bredha me frymë,
Si me magji ma hoqën tisin gri,
Dinjitetit të tyre u puth synë
Vijoj Udhëtimin krah tyre përsëri.
.
Bilbila të fjalës dhe këngës si ata
Janë thesar dhe fat që i kam si yje,
Shporta e shpirtit fjalët e mëdha
S’i mban dot, se ka urimet e tyre.
.
Po më skuq faqen Piro Bregu
Tek më nis ato fjalë me shtatë drita,
Po Hiqmet Mehmetaj për lirikat strategu
Po flamuri në furtunë Kristo Çipa?!
.
Sa shumë lule çelën  urimet e tyre
Po ashtu dhe një turbullim të ëmbël,
Sa shumë u mbush shporta me yje
Në datëlindjen time, si një ëndërr.

5 URIME NË NJË KËNGËZ- Nga Albert HABAZAJ

GËZUAR VITIN E RI!
Gëzuar Vitin e Ri
10 Shqiponjat e Tërbaçit,
Goja mjaltë, shpirti flori
Respektin hallall e paçi!
.
Gëzuar Vitin e Ri
O Tërbaçi ynë i dashur,
Na fal, o dritë në stuhi
Nëse nga ne ti je plakur…
.
Gëzuar Vitin e Ri
Vlorë, bekim Perëndie,
Kush bën lojë nervash me ty
Të mirës me shkelm i bie.
.
Gëzuar Vitin e Ri
O zemër e Shqipërisë,
Moj legjenda Labëri
Flamuri me gjak në shtizë!
.
Gëzuar Atdheu ynë
Me këngë të shërojmë plagët,
Me mall ty të puthim synë
Si shqiponja hapim krahët.
.
Vlorë, 31.12.2023

Gëzuar Vitin e Ri 2024- Nga Kujtim Mateli

Gëzuar

Vitin e Ri 2024
Ja dita, ora dhe minuta e fundit,
Fill pas saj,
Një fjogo e kaltër ditët e vitit mbështjell,
Ditë të mbushura me shqetësime
njerëzish,
Mbushur me shira, me fruta, me diell.
Ndihet një parfum vjeshte
në tavolinat tona,
Është tretur në ajër një zënkë e pak
çasteve më parë,
Një trishtim që na vinte rrotull është
tulatur diku,
Një gëzim i porsa lindur qoshen e
bisedës ka marrë.
Ndjejmë nevojën për të folur më shumë,
Diçka e pathënë merr udhë dhe bëhet
temë e bisedës.
Është çasti kur e duam
më pranë njëri-tjerin,
Pyesim më shumë për njëri-tjetrin,
Gëzohemi më shumë për njëri-tjetrin.
Ato që s`mundëm t`i bëjmë nuk janë pak,
Njeriu gjithmonë është i penduar,
Gjithmonë e ka patur një shteg
që s`e ka gjetur dot,
Ka patur një ftesë që s`e ka vlerësuar,
Në të njënjtin vend është rrotulluar kot.
Njeriu pendohet për çfarë nuk bëri mirë,
Po Viti i Ri na jep shpresë,
Na ndan nga e djeshmja si fëmijën
nga nëna dhe na thotë:
Është një yll që njeriut duhet t`i prij,
Gotat ngrejmë dhe vështrojmë
njëri-tjetrin:

A e ka gjetur secili yllin e tij?

 

Një pemë për Krishtlindje- Nga Bashkim Saliasi

Unë e gruaja sot morëm një vendim,
për Krishtlindje mbollëm një limon,
e zgjodhëm bimën bashkërisht të dy,
një fidan të brishtë dhe me aromë.
.
Limoni do rritet, do rroj shumë vite,
plot lulëzim, gjallëri edhe bereqet,
për nipat e mbesat do të jetë simbol,
për mirësi, begati e lumturi në jetë!
.
Kush mbjell një pemë, natyrën zbukuron,
i jep jetës frymëmarrje edhe vazhdimësi,
kështu kanë nderuar jetën dhe të parët tanë,
kështu sot po dhurojmë jetë edhe ne të dy.
Tiranë 25.12.2023

Pse Poeti i Vlorës Hiqmet Meçaj hesht burrërisht dhembshur- Nga Albert Habazaj

Shkruesit e vargjeve shtohen pa rritur si shkurret
Poetët e paktë, si bredha të bukur, të lartë,
Lukunia e shkurreve qelqit digjital turret
S’ka më doganë të merret me shkrimin e artë.
.
Poeti ynë hesht burrërisht dhembshur
Për qytetin eshtragërryer në furtunë,
Për shtetin tonë liridashës çapaçul i shkulur
Për djalin e tij me universitet, poet e punë.
.
E… shpirti i tij pashfaqshëm çarë më dysh
Brenga mban sa mban barku i këtij dheu,
Ka të drejtë me pashë të na thotë: “Hiqmuni sysh!”.
Tek qartësonte imazhin tonë mjerisht të zbehur.
.
Ç’ qytetarë të përndritëruar jemi të qytetit,
mirë firmë e vulë, por nuk kemi as zë fare,
detashment me frymë drite për vendin e poetit
po s’u bëmë, na hëngrën krokodilët me kollare.
.
Mua më vjen turp të takoj Hiqmetin në Vlorë,
Dhe malin, dhe lumin sikur mbaj mbi supe,
Djali i tij pastron qytetin nga mbeturinat, kur ca të gjorë
Të paturpët hanë bukën e ditës me turpe…

LULISHTE E ËMBËL- Nga Albert HABAZAJ

Shqiptarit londinez, mikut tim, gjyshit Fatmir Terziu me princeshën Elize
Sa i pashë në foto bashkë të dy
Sinqerisht u bëra lëndinë me lule,
Ai gjysh mbretëror me mbesën,… ata sy
Nga kujtesa ime nuk mund të shkulen …
.
Rri e vështroj fotografinë, po s’ ngopem,
Hej, ç’mrekulli i fal Zoti njeriut!
Mbushem
me frymë, me shpirt i gëzohem
Dhuratës më të çmuar të Fatmir Terziut.
.
E kam mik, po mik me dritë të ngrohtë
Mësuesin, poetin, të mirin Fatmir,
Gjyshin më të lumtur në këtë botë
Që mban në krah një gonxhe erëmirë.
.
Unë nuk ha me sy, o gjysh Fatmiri,
Se jam syulli, po jam edhe gjysh,
Lumsi ti për atë mëllë floriri…
Para princeshës s’ka si e qysh!?…
.
E si mos të bëhem lulishte e bukur
Që të fluturojë mëngjesit mbi vesë,
Princesha Elize e ëndërrt si flutur
Si engjëllushe e agimeve me shpresë.
.
Ata sytë e saj, ajo buzëqeshje bujare
Që s’i pikturon dot asnjë piktor,
E kuptoni që gjysh Fatmirin e çmendin fare
E bëjnë këngëtar, e bëjnë kompozitor.
.
Në jetë ka dhembje koke nga shtërngatat
Tek mjalti i mjaltit gjejmë shërim,
Ty mirësia të shpërblehet me dhurata
Të ta falë zoti ëmbëlsirën, miku im!
.
Vlorë, Albania; e mërkurë, 08.10.2023

Urim me mjaltin e shpirtit: Elitë e shkollës “Elita”- Nga Albert Habazaj 

– vjershëz urimi për mbesën time të parë Perla Habazaj, që mbaroi klasën e parë dhe sot mbushi 7- vjeçe –
Ndër galaktikat me yje
Që kemi parë a dëgjuar,
Më të bukurën e tyre
Zoti na e ka dhuruar.
I tha Nikut edhe Edës
Ju meritoni shpërblim,
Edhe fati prapa derës
Erdhi i mbarë, plot gëzim.
Zemrat tona lulëzim
Shpërthyen ujëvara mali,
Yjësinë më me shkëlqim
Porsi një princeshë na fali.
Tre korriku ne na bëri
Më të pasurit në botë,
Para 7 vjetësh zëri
Kumboi ëmbël, kaltër, ngrohtë.
Nuk qe zanë, as yjësi
Nga ato ç’ka unë përmenda,
Perëndia vetë e di
Pse mua më gufon zemra.
Kur na dërgoi thesarin
E bekoi dhe na vështron,
3 korriku bën beharin
Stinë për në medaljon.
Vajza me emrin e çmuar
Perla se është perlë vërtet,
Çdo ditë, duke princëruar
Rritet e denjë në jetë.
E mbylli klasën e parë
Shembullore në çdo lëndë,
Ajo ndrin e ne krenarë
Jemi e i thurim këngë:
Pupurushe, moj Pupurushe
Moj më e mira në klasë
O gjerdan i artë për gushe
Se ti shoqet i le pas.
Ti je krenari e shkollës
Je elitë te “Elita”,
Po ti dhe shkronjat e dorës
I shkruan aq bukur, si drita.
Ti Purushe je e madhe
Sa shumë e do Amin motër,
Për të ti je kujdestare
Po ndonjëherë e quan lodër…
Kur vjen komandant i vogël
Mares gazmor takon motrat,
Ç’gjuhë flet mosha me moshën
Një botë e tërë te lodrat.
Të lumtur jemi vërtet
Mbushur mjaltë na ngjan shtëpia,
Presim të na bëhen çetë
Nga Tirana, Italia…
Ju, kështu gufon gëzimi
Më shumë si gjyshër  ç’kërkojmë?!
Qetësi e edukimit
Na jep krahë të fluturojmë…
Perla shkon në klasë të dytë
Dhe  ne gëzojmë sa deti
Ju duam sa të dy sytë
Gjyshe Mejua, gjysh Alberti.
Vlorë, e hënë, 03.07.2023

Profesori dhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, me prirje edhe në poezi !

 

Z. Fatmir Sejdiu, përveç që ka qenë profesor i dalluar universitar dhe udhëheqës i suksesshëm i vendit, është shquar edhe për mirësjellje dhe afrimitet me prindërit, motrat, vëllezërit dhe gjithë farefisin.

.
Ai po ashtu ishte dhe mbetet prind dhe gjysh shembullor.

.
Me rastin e njëvjetorit të lindjes së nipit të tij Fatmirit (junior) ai nxjerr në pah edhe pasionin për poezinë.

.
Gëzimin dhe dashurinë e papërshkruar ndaj nipit të Tij, tani 5-vjeç e pati shprehur nëpërmjet këtyre vargjeve:

.
Ti një vjet unë gjashtëdhjetetetë,
Të njëjtën datë erdhëm në këtë jetë,
Unë në kohë të rënda – në robëri,
Ti në ditë gëzimesh – në Liri
Ti Fatmir e unë Fatmir,
Ec e shtyhemi cili më i mirë,
Që në fillim unë e humb këtë garë,
Kohë e jotja tash ka ardhë.
Shumë ditëlindje vijnë e shkojnë,
Shtatin tënd do ta burrërojnë,
Mendje kthjelltë e plotë gjallëri,
Kështu të do gjyshi ty!
Paç shumë gëzime Nipi im,
U rritsh pa brenga, burrë e trim,
Këso vargjesh për të gjithë Ju, gjithmonë radhita,
Me dashni gjyshi për mbesa e nipa!

.
Prishtinë,23 tetor 2019

Gëzuar 28 Nëntori Dita e Mvetësisë Kombëtare! – Nga BESIM NDREGJONI*

 

Bashkombasit e mi!
Gëzuar 110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë!

Le të 🙏e përulemi me venerimin më të madh ndaj etërve të pamvarsisë në këtë ditë të shënuar që diktatura komuniste i pushkatoi dhe ju zhduki kufomat.Lutemi dhe shpresojmë për ditë më të mira për Kombin tonë.Urime!

Me respekt
Besim Ndregjoni
President i Unioni Mbarkombëtar Integrimit
të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të
Shqipërisë.

Dy trëndafilë të bukur… – Nga ALBERT HABAZAJ

Për fejesën e djalit të vogël

Kushtuar zogjve tanë Ariel Habazaj dhe Elona Alidemiraj ditën e bekimit të dashurisë së tyre

Si shpirt i çelur bukur ajo ditë
M’u duk, kur hovshëm e purpurta e ndezur
U spërkat aq ëmbël në kaltrinë,
Dhe natyra me dashuri ka qeshur.

Kur djali i vogël ma mbushi zemrën
Kur me nusen shkëmbyen unazat si diej,
Kur ullinjtë dhe shegët ma mbajtën këngën,
Kur zogjtë gëzimtarë e ngjitën në qiej.

Shkëmbimi i nishaneve të fejesës
Siç quhet me gjuhën etnografike,
Është vula me dritë e besës për jetën,
Burimi i thellë që hardhia harliset.

Kush është prind e ka fëmijë të rritur
Më kupton pse unë sot ndihem mbret,
Këtë çast të bekuar sa e kam pritur,
Me Flotën detare në det të qetë.

Kur në sytë e Arielit dhe Elonës
Shikoja portat e hapura të zemrave
Dhe gjithë ngjyrat e ngrohta të botës,
Bekimin e Perëndisë dhe të nënave.

Mbushur trëndafila të njomë e lule mjalti
Pashë në sytë e çiftit të lumtur
Tek ajo puthje – ura e lidhjes së fatit
Si princi me princeshën më të bukur.

Përshëndes Presidentin e Republikës z.Ilir Meta për titullin e merituar “Nderi i Kombit” autorit Ndriçim Kulla Nga Nadire Buzo

Ju përshëndes të gjithëve, në veçanti, Presidentin e Republikës, Z. Ilir Meta, i cili ka në vemendjen dhe konseguencën e tij të nderojë shkrimtarët dhe artistët. Në këtë rast shkrimtarin studiuesin dhe qytetarin e angazhuar z. Ndriçim Kulla. Për punën, vullnetin, guximin dhe realizimin e këtyre veprave me mjaft vlerë për kujtesën e Kombit.

Me Ndriçimin jemi miq të Kauzës Kadare dhe ndihem mirë që jam këtu për të shprehur me pak fjalë punën e tij të madhe. Është një kërkues i etur gjatë gjithë punës së tij, me tema të veçanta që bëjnë historinë e këtij vendi të lashtë, për njohjen e personaliteteve ta larta në të gjitha kohët dhe fushat e jetës..

Është problem filozofik themelor ai i fatit njerëzor. Kultura është civilizimi i secilit, apo vendi i njeriut në botë, i cili karakterizohet nga ndërgjegjja dhe origjinaliteti i tij. Njeriun e bën të pavdekshëm vepra që lë pas. Dhe Ndriçim Kulla, do të mbetet i tillë, në ndriçimin e veprës së këtyre përsonaliteteve, që kontribuan me gjithçka mundën, duke ju përkushtuar tërë jëtën atdheut tone.

Në Shqipërinë tonë të dashur, është e vështirë dhe gati e pa mundur të bësh karierë apo kanalizosh veprën në hierarkinë akademike. Për të mos humbur kohë në rrëzimin e murrit burokratik të botës akademike, Ndriçimi, punon fort, për të ndriçuar veprën e tij, e cila flet vetë. Duke bërë kështu, një punë të madhe titanike për vlerësimin e mendimit akademik shqiptar. Një punë e madhe që dikujt tjetër do ti duheshin vite dhe një staf i tërë. Ai e ka arritur këtë falë vullnetit dhe punës së trij krijuese, duke kombinuar punën kërkimore, me qëllim, evidentimin e vepres se kollosëve të Mendimit Shqiptar. Duke e parë atë në dy aspekte të rëndësishme, së pari si studiues, autor dhe promovues i këtyre veprave, me një origjinalitet të admirueshëm. Një nga arritjet e mëdha të këtij autorri, është libri i madh voluminoz,“Ylli i Shkrimtarit”. Studimi, analiza e thellë me fakte dhe dëshmi të pakundërshtueshme, mbi mardhëniet e shkrimtarit tonë Universal Ismail KADARE, në përballjen me diktatorin dhe diktaturën komuniste. Vepra voluminoze e përkthyer tashmë edhe në gjuhën angleze, është një dëshmi e gjallë e vuajtjeve dhe labirintheve nga kaloi jeta dhe vepra e një gjeniu në një epokë komuniste, i cili lartësoi vlerat e nëpërkembura të atdheut të tij..

Personalitetet janë njerëzit që shohin përtej vetes. Natyrshmëria e të shkruarit apo të shkruarit e natyrshëm, nuk imitohet sado të përpiqesh, atë çdo njeri e ka brenda vetes. Ku secili duhet të ecë drejt përsosjes, me dhuntinë e krijimit artistik dhe humanizmit. Një tjetër arritje e rëndësishme e studiuesit dhe botuesit Kulla, është, shpluhurosja prej harrimit të veprës së At Giuzepe ( Zef) Valentini. E sjellë me një metodologji të mirfilltë akademike, të dorëshkrimeve dhe materialit burimor historik, e kulturor. Duke i mbledhur materialet nëpër arkiva, biblioteka, gazeta dhe revista, brenda dhe jashte vendit. Vetëm kështu autori botoi, serinë e 32 veprave të albanologut të madh me famë botërore At Giuzepet ( Zef) Valentinit.

Një kontribut tjetër me vlera të mëdha ishte mbledhja botimi dhe transkriptimi e më pas zbërthimi i veprave të shkrimtarëve të përsekutuar e burgosur nga komunizmi, si ; Astrit Delvina. Me këmbëngulje për t’i deshifruar dorëshkrimet e vështira të shkruara fshehurazi nëpër burgjet e ferrit komunist. Janë rreth 40 vepra, në gjini të ndryshme, që mbajnë autorsinë e autorit Ndriçim Kulla, i cili mban sot titullin e meritur “ Nderi Kombit”.

Vepra si“Antologjia e mendimit shqiptar”, Mardhëniet “Shqiptaro Amerikane”, Enciklopedia e Mendimit Shqiptar”, “Neoshqiptarizma një Model i Braktisur”. Vepra të cilat janë shfrytësuar nga student, pedagogë e studiues të ndryshëm për të mbrojtur tema, e fituar tituj të rëndësishme akademik. Paradoksi qëndron se vetë autori i kytyre veprave madhore nuk mban asnjë titull shkencor. Megjithëse prej vitit 2012: është nderuar si “Mjeshtri i madh”, titull i akorduar nga Presidenti Bamir Topi.

Ne shkruajmë jo që të lavdërohemi nga njerzit, por kjo është pjesë e qënies sonë, pa të cilën nuk jetojmë dot. Të lexosh dhe të shkruash,do të thotë të udhëtosh në kohë. Sepse, koha kalon por faktet dhe kujtimet mbeten.

Jeta dhe fati nuk e kanë përkëdhelur autorin, ka punuar në të gjitha rethanat nga më të vështirat, si minator në minierën e Valiasit, për 10 vite, aty ku nisën lëvisjet demokratike. Më pas botues, gazetar, mësues dhe pedagog, dhe së fundmi botues dhe drejtues i shtepive botuese, Phoenix” dhe “Plejad”, me botimet filozofike albanologjike, botime të elitës se ndaluar shqiptare të kohës së komunizmit.

Koha flet përmes Letërsisë. Atje ku dora, mendja dhe zemra janë bashkë. Letërsia krijon në shpirt një kompesim për gjithato sfida që humbasim apo duhet të durrojmë në jetën tonë. Ndaj, është tepër aktiv në shtypin e përditshëm, rreth probleve të rëndësishme që shqetësojnë vendin, duke qënë koherent me zhvillimet, politike, shoqërore dhe kulturore të vendit, me një stil illuminist dhe të kulturuar.

Së shpejti ne do të kemi në duar librin e vlerë, “Mentaliteti Juridik Shqiptar si pasaporta e aftësisë të tij qeverisëse” dhe me po atë interes presim Biografinë e themeluesit dhe kryetarit të shtetit të parë shqiptar Ismail Qemali.

Urime dhe suksese Nderi Kombit, Ndriçim Kulla, e gëzofsh titullin. Je një shembull i lartë për të gjithë ne në njohjen dhe zbulimin dhe përhapjen e vlerave. Urime dhe sukseseee për të gjithë Ju! Faleminderit!
Përgatiti
Nadire Buzo

Një gërshet shkronjor për ditën e bukur të lindjes – Nga Namik Selmani

Më i nderuar i të nderuarëve Neki Lulaj

Unë e dua këtë ditë Neki. E duaaa se është dita jote, dita ime,

Këtu po bie borë. Borë dhe diell. Kështu është dhe jeta. Ah, të mundja tani të vrapoja në rrugë pa rrugë, në oqeane e detet të kisha vetë një avion që të çante tej reve për të ardhur tek ti!

Për të gëzuar në atë dritëzimë që merr njeriu në fytyrë kur e përkëdhelin me fjalët e bukura, me ca duar të malluara që këndojnë me mollëzat e tyre, që i drejton zemra,

Të vija e të thoja se jam i lumtur. Shumë. Shumëëë. Ah, bota, sa e prapë që është!

Nganjëherë që nuk ka masë te peshojë lumturinë

Peshon domatet, djathin, thasët, parfumet, ilaçet me miligram, elefantë e derra të egër, peshq të mëdhenj që kapen në rrjeta, peshon libra e pula të pjekura, peshon avionët e rinj po atë që njeriu e ëndërron që e prek rrallë që e do që ta ketë çdo ditë, nuk e peshon dot.

Nuk ka gjë. Të flasë për të zemra. Ajo nuk gabon kurrë në atë që zgjedh e sheh. Ç’të të them më parë! Jam pjesa e pengut të largët

Të vija në udhët e jetës tënde që të kujtonim librat, gëzimet, trishtimet, pengjet, ndarjet.

Të bëhesha pasqyrë e bukur ku ti të shiheshe duke kënduar. Të kujtosh zilet e shkollës. E prapë të vrapoja në rrugë të thoja: Gëzuarrrrr Neki

Jashtë bie bore Bëj ç’të duash, o borë bostoniane

Sot brenda zemrës sime kanë çelur lulet e urimit që nuk i than dot as ti as ngrica e dimrit polar.

Do doja ta fshija sot lotin e gëzimit po dhe të dhimbjes që jemi larg.

Në cilin zarf malli ta sjell buzëqeshjen

Në cilin zarf malli ta sjell përqafimin?

Jetoje jetën e bashkë me të më sill dhe mua ca rreze të shpirtit tënd të madh

Ti jeton tre jetë brenda vetes dhe në to dhe unë marr ca tinguj të bukur simfonie, të një këngë napolitane malli, vlonjate, labovite, të një dasme çame, të trëndafiltë me aromën e tyre. Tingujt e bukur të Kosovës.

Zoti të jepka një dhuratë që ti do të doje ta përkëdhelje për ditë për natë

Edhe kjo ditë është dhuratë e shkuar dhuratës

Është pak të thuash gëzuar. Pak, shumë pak se kudo dua ta vë një tollumbace, të ndez një prozhektor, të ngrej një shatërvan, të bëj lule me shkronjat e mia të gazta që sot i kanë dëbuar gjithë dhimbjet në honet detare Si Titanikët e rinj që dalin nga portet mes urimeve e brohorimave.

Në këtë ditë të bekuar të lindjes suaj ti vjen nga larg si dhuratë zemre. E unë vij e bëhem frymë. Po nuk jam manekin apo fantazmë. Ah, vetëm ta dish se si rreh zemra kur zgjedh fjalët.

Atje në atë qytet të largët mes librave bëhem vetë këmbanar. Ti vetëm dëgjo. Ti vetëm medito! Ti vetëm gëzo! Mbase edhe me mua t’I biem.

Sot, në ditën tënde të lindjes dua të ndez dritat në shandanë për sytë e ty që sot kanë harruar dhimbjet, ndarjet e kanë vënë para vetes një gotë mbase dhe një për mua

Qënkam cicëroni i ndjesive që vitet i zgjon Qënkam varkëtari mes valëve në muzg e agim

Qënkam vazua ku trëndafili përherë lulëzon. Për ditëlindjen tënde do më mbesë një fjalë e pathënë. E do të më falësh si di ti

Sa bukur kur jeta merr aromë manushaqeje

Gëzuar e të tjera çaste të bukura të futen në jetën tuaj

Me dashuri vëllazërisht  Namiku


Send this to a friend