VOAL

VOAL

Gentjana Tafili , “Ambëlsia e kangës shkodrane”! Nga Linda Kavaja

June 3, 2022

Komentet

Arif Ejupi – Aforizma për jetën, shoqërinë dhe politikën

 

 

1 ) Po nuk i dole zot fjalës, mos e thuaj fare.
2 ) Ora mat kohën, e vitet matin moshën.
3 ) Zemra e lënduar lehtë shpërthen në lot.
4 ) Më lehtë shuhet zjarri, se sa bindet kokëkrisuri.
5 ) Pa familje s’ka lagjeje, e pa lagjeje s’ka katund.
6 ) Derisa të piqet thana, vjen dimri.
7 ) Kur shihni dallëndyshe dhe lejlekë, llogarisni në mot të mirë.
8 ) Mos i preni gonxhet se mbeteni pa lule.
9 ) Shelgun dhe plepin mbillni vetëm aty ku u vërshojnë lumenjtë.
10) Po ratë në duart e dhaskalit, do çaloni gjithë jetën.
11) Butakët s’kanë as intelekt, as memorie.
12) Kërriçin e ndjek fati i gomarit.
13 ) Kafsha nuk del dot nga soji i vet.
14 ) Të varfrit duan bukë e jo këshilla.
15) Mos u bëni dele se pastaj nuk guxoni me i denoncuar gjurmët e ujqve.
Gjenevë,15 maj 2025

Kënga “Zjerm” ndez skenën evropiane – Shqipëria në finalen e “Eurovisionit”  – Nga NEXHMIJE MEHMETAJ

Një sukses i shumëpritur për muzikën shqiptare në arenën ndërkombëtare. “Shkodra elektronike”, një dyshe artistësh të rinj që i përkasin diasporës shqiptare në Itali, ka ndezur skenën e “Eurovisionit” në Zvicër dhe i ka rikthyer Shqipërisë shpresën e një përfaqësimi të denjë në finalen e këtij festivali prestigjioz evropian.
Nga Shkodra në Bazel, me tinguj elektronikë dhe shpirt shqiptar. Dueti “Shkodra elektronike”, e përbërë nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, i ka siguruar Shqipërisë një vend në finalen e madhe të “Evrovizionit 2025”, që po mbahet në Zvicër.
Me këngën “Zjerm”, dy artistët shkodranë pushtuan skenën e “St. Jakobs” në Bazel, duke u kualifikuar mes dhjetë vendeve të para në gjysmëfinalen e parë. Performanca e tyre u veçua për energjinë, thjeshtësinë dhe origjinalitetin artistik. Me skenografi minimale, por me një koreografi dritargjendtë që pulsuan në kuqezi – ngjyrat që mbartën edhe veshjet e tyre – “Shkodra elektronike” solli një interpretim të denjë për skenën evropiane.
Kënga “Zjerm”, me muzikë dhe tekst të realizuar nga vetë artistët në bashkëpunim me Lekë Gjeloshin, ndërthur motive tradicionale shqiptare me elemente të muzikës elektronike, duke krijuar një identitet të veçantë që u pëlqye jo vetëm nga publiku shqiptar, por edhe nga audienca ndërkombëtare. Votimi në këtë fazë ishte ekskluzivisht në duart e publikut, çka tregon për përkrahjen e gjerë që mori kjo dyshe.
“Shkodra elektronike” u themelua më 2019 në Itali nga dy emigrantët e rinj, të cilët i bashkoi dashuria për muzikën dhe rrënjët shqiptare. Që nga debutimi i tyre në hapjen e Pavijonit të Kosovës dhe Shqipërisë në Bienalen e Venecias, ata kanë për formuar në një sërë eventesh kulturore në Shqipëri dhe jashtë saj. Në repertorin e tyre përfshihen rikrijime të këngëve të njohura shqiptare si dhe materiale origjinale e të pasura.
Përveç Shqipërisë, nga gjysmëfinalja e parë u kualifikuan edhe Norvegjia, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina.
Ky edicion i 69-të i “Eurovisionit”, i moderuar nga Hazel Brugger dhe Sandra Studer, po mbahet në Zvicër, pas fitores së artistit zviceran Nemo në vitin e kaluar me këngën “The Code”. Në këtë edicion marrin pjesë 37 shtete, mes tyre edhe Mali i Zi që është rikthyer pas dy vitesh. Pesë shtete të mëdha – Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja – shkojnë direkt në finale.
Interpretimi i “Shkodra elektronike” është vlerësuar si një pasqyrim me dinjitet i artit bashkëkohor shqiptar dhe identitetit kulturor. Në një deklaratë të shkurtër pas performancës, Beatriçe falënderoi publikun për përkrahjen. Festivali i këtij viti, sipas transmetuesit publik zviceran, simbolizon vlerat e Zvicrës: diversitetin, shumë-kulturat dhe ndjenjën e bashkësisë – vlera të cilat i mishëron edhe vetë ky duet shqiptar me rrënjë në Shkodër dhe rrugëtim artistik në Itali.
Finalja e madhe e “Evrovizion 2025” do të mbahet të shtunën mbrëma në Bazel. Sytë dhe zemrat shqiptare tashmë janë me këngën “Zjerm”!
Gjenevë,14.05. 2025                  Nexhmije Mehmetaj

Shqipëria në finalen e Eurovision, “Shkodra Elektronike” me “Zjerm” kualifikohet si më e votuara krahas 10 shteteve të tjera

Shqipëria është kualifikuar në natën finale të Eurovision 2025, ku “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” u kualifikua mes 10 shteteve fituese të natës së parë gjysmëfinale, e mbajtur në Bazel, Zvicër.

10 shtetet finaliste të gjysmëfinales së parë të Eurovision 2025, janë: Norvegjia, Shqipëria, Suedia, Islanda, Holanda, Poloni, San Marino, Estonia, Portugali, Ukraina.

Nata e parë e Eurovisionit u karakterizua nga energji dhe emocione, mes të cilëve edhe Shqipëria. “Zjerm” solli një kombinim të simbolet kombëtare dhe koncepti skenik i frymëzuar nga legjenda e Rozafës krijuan një moment magjik.

Artistët finalistë, përfshirë Shqipërinë, do të rikthehen në skenë më 17 maj, për të garuar për trofeun e Eurovision 2025. bw

Pritja mbaroi, Bazeli u laurua kampion i Zvicrës

 

Barazimi i Servette ua dha titullin rinasve

VOAL- Tetë vjet pas suksesit të fundit, Bazeli u bë kampion i Zvicrës për herë të 21-të. Rinasit, të cilët fituan mbrëmë në Cornaredo kundër Luganos, arritën të festonin falë barazimit të pathyeshëm të golave ​​midis Servette dhe YB. Gjenevasit tri ndeshje para mbarimit të kamionatit nuk mund ta mbushin më deficitin prej 11 pikësh. Nëse biseda për kampionatin është mbyllur tani, “Të Kuqtë” dhe “Blutë” mund t’i japin audiencës së tyre edhe Kupën, e cila është në lojë në Wankdorf më 1 qershor.

Për bazelasit, të cilët e ngritën trofeun për herë të fundit për fituesit e titullit në vitin 2017, është një sukses i nisur nga larg duke pasur parasysh vështirësitë e shfaqura në fillim të sezonit. Pika e kthesës erdhi në mesin e gushtit, me rikthimin në shtëpi të yllit Xherdan Shaqiri, golat dhe asistet e të cilit (për momentin 18, 20 respektivisht) padyshim i kanë tërhequr vëmendjen shokëve të skuadrës.RSI

A DO T’I TRAZOJË NDONJËHERË NDËRGJEGJIA LIDERËT PARTIAK TË KOSOVËS?!- Nga ARIF EJUPI

Një dekadë më parë e shkrova këtë shkrim me dhembje, pasi Kosova, edhe pse kishte përfunduar zgjedhjet, vazhdonte të mbetej pa Qeveri dhe pa Parlament për muaj të tërë.

Sot, më 10 maj 2025, historia është duke u përsëritur si farsë e zymtë. Zgjedhjet e rregullta u mbajtën më 9 shkurt, edhe pse jemi kah mesi i majit vendi ende nuk ka një Qeveri funksionale, as një Kuvend që punon për qytetarin.

Arsyeja? E njëjta: grindjet dhe mosmarrëveshjet për pushtet mes liderëve partiakë që Kosovën e shohin si pronë private. Në përpjekje për të ruajtur karriget e tyre dhe për të mbrojtur interesat e klaneve përreth, ata që morën votën e popullit po e mbajnë peng të ardhmen e vendit.

Kjo kastë politike, pothuajse e pandryshuar që nga paslufta, e ka zhytur Kosovën në krizë të vazhdueshme politike, ekonomike dhe morale.

E vetmja gjë që ka përparuar me shpejtësi marramendëse është pasurimi i tyre personal. Nga biçikletat dikur, në automobila luksozë sot. Nga fjalët boshe për idealizëm, në llogari bankare të fryra e vila përtej kufijve të Kosovës.

Ekonomia e Kosovës, e dobët dhe e pambështetur, mbahet vetëm nga remitencat e mërgatës dhe tregtia formale që po e gërryen çdo ditë sovranitetin ekonomik të vendit.

Papunësia është thelluar. Arsimi është në kolaps, dhe rinia po e sheh largimin nga Kosova jo si zgjedhje, por si domosdoshmëri.

Shëndetësia? Nën oksigjen artificial. Edhe pas 26 vjetëve çlirimi nga pushtuesit serbë, shumë pacientë nga Kosova vazhdojnë të kërkojnë shërim në Beograd e Shkup.

Drejtësia? E kontrolluar dhe, shpeshherë, e përdorur si mjet hakmarrjeje politike.

Kultura dhe arti? Pothuajse të harruara,përveç kur ndonjë figurë politike ka interes t’i instrumentalizojë për ndonjë ceremoni në shërbim të tij.

Institucionet që supozohet se mbrojnë të drejtat e qytetarëve si “Avokati i Popullit” apo KMDLNJ,janë të pafuqishme, të varura nga buxhetet e copëzuara dhe vullneti i politikanëve që, paradoksalisht, janë vetë burimi i padrejtësive që këto institucione duhet të sfidojnë.

Kurse procesi zgjedhor është me plotë deformime. Vota e lirë në Kosovë është ende në koma. Ajo blihet, shantazhohet apo manipulohet nga “parazitologët politikë” individë pa ideale, por me agjendë për të mbledhur ajkën për veten dhe familjet e tyre.

Si dikur, premtimet mbesin të njëjtat: rrugë pa baltë, shkolla me ngrohje dhe lumenj me qumësht. Por, realiteti është krejt ndryshe mijëra të rinj shkojnë çdo muaj në Perëndim, ndërsa këtu mbesin pleqtë që i shikojnë ekranet me shpresë se ndoshta këtë herë do të bëhet më mirë për ta.

Edhe Presidentja aktuale si ajo e dikurshmja Atifete Jahjaga duket se nuk do t’i shpëtojë etiketës së “produktit të kompromisit”, i dalë nga marrëveshjet në prapaskenë, e jo nga vullneti autentik i popullit.

Në këtë klimë, kur pushteti ndërtohet me pazare, dhe konsensusi nuk arrihet pa ndërhyrje nga jashtë, si mund të flasim për sovranitet të mirëfilltë? Liderët partiakë sillen si vasalë të interesave të ngushta dhe jo si burra që i bien tryezës dhe harrojnë interesin personal për hir të Kosovës.

Pyetja që bëra para 10 vitesh, sot është më e fortë se kurrë: A do t’i trazojë ndonjëherë ndërgjegjja liderët partiakë të Kosovës? Apo do të vazhdojnë kështu, “lojën me shtetin” derisa populli të fundoset edhe më thellë në humnerën e dëshpërimit?

ARIF EJUPI
Gjenevë, 10 maj 2025

Shqipëria në Eurovision 2025 në Zvicër – “Zjerm” nga Shkodra Elektronike ndez emocionin dhe krenarinë kombëtare- Nga NEXHMIJE MEHMETAJ

Këtë pranverë, qyteti i Basel-it do të mirëpresë Eurovision Song Contest 2025, një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Europë. E veçanta për shqiptarët është se këtë vit Shqipëria përfaqësohet nga një projekt krejtësisht i pazakontë dhe thellësisht emocionues: kënga “Zjerm” e interpretuar nga grupi Shkodra Elektronike, fituesit e Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH.
Kjo pjesëmarrje nuk është vetëm një garë artistike, por një ngjarje kulturore që lidh brezat dhe shpërfaq potencialin krijues të diasporës shqiptare, pikërisht në një vend ku jetojnë dhe kontribuojnë mijëra shqiptarë – në Zvicër.
Muzika që lidh rrënjët me të tashmen
“Zjerm” nuk është një këngë si gjithë të tjerat. Ajo është një rikrijim modern i këngëve tradicionale shkodrane, që ka prekur zemrat e të rinjve në të gjithë botën shqiptare, sidomos në diasporë.
Përmes tingujve elektronikë bashkëkohorë, Shkodra Elektronike ka bërë të mundur që zëri i së shkuarës – ai i gjyshes, i kujtesës familjare dhe i këngës së vjetër – të ringjallet me forcë dhe emocion.
“Të rinj që nuk kishin dëgjuar kurrë më parë këngët popullore na shkruanin: ‘Këto janë këngët e gjyshes sime. Tani mund t’i dëgjoj në mënyrë moderne dhe t’i këndoj vetë,’” – tregojnë anëtarët e grupit, Bea dhe Kola.
Një mesazh për komunitetin shqiptar në Zvicër
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Eurovision këtë vit ka një domethënie të veçantë për shqiptarët që jetojnë në Zvicër. Kënga që do të përfaqësojë vendin vjen nga diaspora dhe do të interpretohet në zemër të Zvicrës. Kjo është një ftesë për bashkim, për përkrahje dhe për afirmim të identitetit tonë kulturor.
Datat që duhet të mbani mend:
  • Gjysmëfinalja e parë: 13 maj
  • Gjysmëfinalja e dytë: 15 maj
  • Nata finale: 17 maj
Le ta kthejmë këtë moment në një festë të komunitetit tonë! Të gjithë së bashku të votojmë për “Zjerm” dhe të ndihmojmë që Shqipëria të renditet sa më lart në këtë festival prestigjioz.
“Kur njeh rrënjët, je më i plotësuar”
Në një intervistë për RTSH, Beatriçe, një nga zërat e rinj të projektit, ndau këtë reflektim prekës:
“Jam rritur jashtë vendit. E di çfarë do të thotë të ndihesh pak italian, pak shqiptar, pak europian… Por kur ke gjërat e tua, rrënjët, je një njeri më i plotësuar. Kjo na pëlqen.”
Shqiptarë të Zvicrës, ky është momenti ynë. Le të dëgjojmë, përjetojmë dhe votojmë “Zjerm” – këngën tonë, zërin tonë, krenarinë tonë!
Gjenevë, 08.05. 2025                      Nexhmije Mehmetaj

Nga Kosova në Zvicër për bamirësi- Nga Iliriana Pylla – Prishtinë

 

Në Zürich do të mbahet edicioni i 7-të i aktivitetit filantropik “Save a Life“, organizuar nga Action for
Mothers and Children. Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Rina Spahija ka thënë për Voice for
Albanians se ngjarja kulturore do të mbahet më 23 maj dhe ka për qëllim që të shpëtojë më shumë jetë
dhe të përmirësojë shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë. “Secili ndihet mirë kur dhuron, dhe në
momentin kur dhuron për një kauzë kaq të rëndësishme të shtetit tonë, i cili ende ka nevojë për ndihmë
sidomos në sistemin tonë shëndetësor, ku shpesh mungojnë medikamente jetike, atëherë vërtetë të
gjithë ndihemi më mirë”, ka thënë ajo.
Synimi i këtij organizimi i cili përmban pika artistike është që të mbledh fonde për të siguruar
medikamente e produkte të cilat mungojnë në Kosovë e të cilat në shumë raste edhe kushtojnë, e që
familjarët dhe shteti shpesh nuk kanë mundësi t’i sigurojnë.
“Është një shkëmbim përvojash, një mundësi e dyfishtë ku ne i japim mundësi bizneseve të kontribuojnë
për një kauzë për të cilën edhe ata janë të interesuar. Në anën tjetër ne marrim ndihmë financiare për
realizim të projekteve shëndetësore përmes të cilave mbështesim gratë shtatzëna, blerjen e
inkubatorëve për spitalet regjionale dhe për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, trajnime të
ndryshme për mjek neonatolog dhe infermiere të neonatologjisë. Po ashtu ne përmes këtyre fondeve
sigurojmë donacionin e sulfatatit i cili është një medikament i cili ndihmon në zhvillimin e mushkërive të
foshnjave të lindura para kohe”, ka thënë Spahija.
Ajo ka shtuar se janë të përkushtuar ndaj shpëtimit të jetëve dhe përmirësimit të shëndetit të nënave
dhe fëmijëve në Kosovë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor dhe duke siguruar qasje të barabartë në
kujdes shëndetësor cilësor për çdo grua dhe fëmijë, pavarësisht prejardhjes apo vendndodhjes.
“ Synojmë të ulim sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e nënave dhe foshnjave, unë po besoj se çdo
kompani do të kishte dashur të dhurojë e ndoshta edhe të investojë në një ndryshim të sistemit
shëndetësor në Kosovë. Ne nuk dhurojmë në një familje ose individ, ne dhurojmë ose investojmë në
sistemin shëndetësor publik. Bashkëatdhetarët tanë më së miri e dinë se si janë ndërtuar sistemet
perëndimore shëndetësore, prandaj po na duhet që edhe ne të bëhemi patriot dhe të ndihmojmë në
ndërtimin e sistemeve tona”, ka theksuar ajo.
Përndryshe nga donacionet e siguruara në vitin 2024, 10 fëmijë me diabet morën pompa insulin, 5,000+
gra përfituan PaP teste falas, 6,000 gra dhe vajza morën mbështetje në Klasat për Nëna, 4,300 prindër u
informuan mbi vaksinën HPV, 6 qendra të mjekësisë familjare u furnizuan me pajisje mjekësore. Ka ende
nëna dhe fëmijë që kanë nevojë për kujdes urgjent, andaj po kërkohet kontributi i bashkëatdhetarëve ku
çdo biletë e blerë nuk është thjesht një donacion por është një akt që shpëton jetë dhe jep shpresë për
një të nesërme më të mirë.
Aktiviteti kulturor filantropik “Save a Life” do të mbahet më 23 maj në ora 19:30 në Zürich, hotel Five,
Döltschiweg 234, 8055. Do të përcillet me një program të pasur dhe emocionalisht të fuqishëm: fjalime
frymëzuese, mundësi rrjetëzimi me individë të përkushtuar, koktej mikpritës dhe darkë e kuruar me
kujdes, e shoqëruar me muzikë live nga grupi String String.

Sulmi ndaj të riut Belgin Jashari është i papranueshëm, por jo arsye për politizim- Nga ARIF EJUPI

 

Më 21 prill 2025, gjatë ndeshjes ndërmjet SHF. Arsenal dhe SHF. Fushë-Kosova (rezultat
1:1), ndodhi një incident i papritur dhe i dënueshëm. Në terren u shfaq Januz Faniqi, prind i
një lojtari vendas, i cili e goditi me shqelm në vithe sulmuesin e djathtë të skuadrës juniore të
SHF.Fushë-Kosova, Belgin Jashari, pandonjë arsye.
Këtij incidenti i parapriu një mosmarrëveshje mes disa lojtarëve vendas dhe mysafirë, ku
Belgin Jashari, minoritar ashkali dhe njëherësh golashënuesi më i mirë i skuadrës U-15 të
SHF, Fushë-Kosova, ndërhyri me qëllim që ta shuante tensionin.
Për habinë e të gjithëve, në vend se të vlerësohej sjellja e tij paqësore, ai u bë viktimë e një
veprimi të dhunshëm nga një prind i papërmbajtur.
Ky veprim, megjithëse i kryer në afekt, është në kundërshtim të plotë me parimet e sportit dhe
me normat bazë të edukatës qytetare. Dhuna ndaj një fëmije, sidomos në një fushë futbolli që
duhet të jetë arenë gëzimi dhe miqësie, është e patolerueshme dhe duhet dënuar moralisht dhe
juridikisht.
Fatkeqësisht, disa media, duke përfshirë edhe televizionin Klan Kosova, filluan ta
stërmadhojnë rastin dhe t’i japin ngjyrime politike. Në njërën nga studiot e këtij televizioni u
ftua z. Veton Berisha, minoritar egjiptian, ndonëse rasti nuk kishte të bënte aspak me
komunitetin e tij. Ky interpretim i gabuar vetëm sa nxit tensione artificiale.
Kurse, prindi i Belginit z. Nijazi Jashari, dha një shembull të maturisë qytetare: ai përshkroi
rastin pa hiperbolizime, duke apeluar për tolerancë dhe mosdhunë në sport.
Nijaziu në fund të prononcimit të tij deklaroi : “Nëse vazhdohet me dhunë dhe ofendime,
edhe nëse janë në pyetje milionët, unë djalin tim do ta tërheq nga futbolli.”
Ky incident i izoluar nuk duhet të politizohet. Ai nuk është reflektim i ndonjë qëndrimi
shoqëror apo politik ndaj minoriteteve, por veprim i një individi të papërgjegjshëm.
Klubi, trajnerët dhe bashkëlojtarët e Belgin Jasharit dëshmuan respekt dhe dashuri ndaj tij,
duke e përkrahur fuqimisht si pjesë të pandashme të SHF. Fushë-Kosova.
Kosova ka shembuj të shkëlqyer të bashkëjetesës dhe respektit ndëretnik në sport. Mjafton të
përmendim mbrojtësin e djathtë të KF Llapit, Nezir Halili, minoritar ashkali, që për më shumë
se dy dekada u adhurua nga shikuesit llapjanë pa asnjë dallim.
Po ashtu, një minoritar tjetër ashkali ishte i ngarkuar me mirëmbajtjen dhe pastrimin e
lokaleve dhe pajisjeve të klubit,Llapi. Ai ishte pavarësisht përkatësisë së tij etnike ishte i
barabartë me të tjerët.
Përgjithësimi i gabimeve individuale nuk i shërben as sportit, as integrimit, as frymës së
paqes. Është thelbësore të kuptohet se traumat dhe reagimet impulsive të individëve nuk
mund të justifikojnë as urrejtjen, as përgjegjësinë kolektive.
Skena të ngjashme dhe të pakëndshme ndodhin edhe në futbollin evropian e botëror, ku
ofendime dhe fyerje bëhen nga tifozë të pakulturuar. Por këto raste trajtohen si veprime të
izoluara të individëve, jo si tipare të shoqërive të tyre.
Sot, më shumë se kurrë kemi nevojë t’i edukojmë fëmijët tanë në frymën e bashkëjetesës së
ndërtuar me shumë sakrifica. Sepse edhe ne, shqiptarët, për dekada të tëra kemi qenë viktima
të diskriminimit dhe urrejtjes nga serbo-sllavët.
Prandaj, është jo vetëm gabim, por edhe e rrezikshme, që një rast i izoluar si ky të politizohet
ose të përdoret për t’i fajësuar kolektivisht shqiptarët e Kosovës.
ARIF EJUPI

JAKUP HALIMI- NJË JETË NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES SHQIPTARE- Nga ARIF EJUPI

Rrëfimi i Jakup Halimit paraqet një dëshmi me rëndësi të veçantë për historinë e rezistencës
shqiptare në diasporë. Ai dokumenton me saktësi përvojat personale të një veprimtari të
hershëm, i cili me përkushtim të pandërprerë ka kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar
dhe përpjekjet për çlirim.
Ky artikull është përpiluar mbi bazën e një bisede të drejtpërdrejtë me z. Halimi, duke ruajtur
autenticitetin e rrëfimit të tij. Qëllimi kryesor i këtij shkrimi është që të ndihmojë në
dokumentimin e një pjese të rëndësishme të historisë së mërgatës shqiptare në Zvicër dhe të
kontributit të saj në çështjen kombëtare.
Më 20 shkurt 2025, në orën 15:35, më telefonoi z. Jakup Halimi nga Skifteraj i komunës së
Vitisë, i cili prej vitesh jeton në Gjenevë. E takova para hyrjes së Migrosit në Villereuse dhe
së bashku shkuam në banesën time.
Deri në orën 19:30, kur u kthye në banesën e tij, ai më rrëfeu jetën dhe angazhimin e tij të
palëkundur për çështjen shqiptare. Ishte një rrëfim i ndjerë, i mbushur me dhembje, sfida dhe
vendosmëri.
Jakup Halimi u rrit në një kohë kur shqiptarët e Kosovës përballeshin me represionin e
vazhdueshëm të pushtetit jugosllav. Ai kreu katër klasë të shkollës fillore në fshatin e tij të
lindjes, por kur nisi klasën e pestë e cila atëherë njihej si progjimnaz, arriti të përfundonte
vetëm gjysmën e semestrit të parë.
Pushteti i dominuar nga serbët dhe malazezët e mbylli shkollën, duke lënë qindra fëmijë
shqiptarë pa mundësi arsimimi. Si shumë moshatarë të tij, edhe Jakupi u detyrua të merrej me
ruajtjen e bagëtive, një realitet i dhimbshëm për shumë të rinj shqiptarë, të cilët ëndërronin një
jetë ndryshe.
Gjendja e rëndë ekonomike e familjes e detyroi që, ende pa i mbushur 16 vjet, të largohej nga
shtëpia për të kërkuar punë në Kikindë të Vojvodinës. Ai u përball me vështirësi të shumta, e
mbi të gjitha, me punë të rëndë fizike që i dëmtoi shëndetin. Një infeksion veshi e detyroi të
shtrohej në spital, por as kjo nuk i ndali përpjekjet e tij për të luftuar me tërë qenien varfërinë
dhe padrejtësinë.
Në vitet 1965–1966, Jakup Halimi kreu shërbimin ushtarak në një fshat pranë Vipavës, në
Slloveni, ku u caktua nga eprorët përgjegjës në sektorin e inxhinierisë civile.
Për një shqiptar nga Kosova, shërbimi ushtarak në Jugosllavinë e asaj kohe nuk ishte thjesht
një detyrim, por një përvojë e hidhur ku çdo moment ndodhte diskriminimi dhe pasiguria për
jetën.
Kjo ishte një periudhë tepër e tensionuar politike, pasi përkonte me rrëzimin e Aleksandër
Rankoviqit, njërit prej figurave më famëkeqe të shtypjes së shqiptarëve. Pikërisht në këtë
periudhë, Halimi filloi të kuptonte se çlirimi i Kosovës nga zgjedha sllave nuk do të vinte nga
politika zyrtare, por nga organizimi i shqiptarëve në Lëvizje të strukturuara mirë kombëtare.
Frymëzimin për këtë angazhim e mori nga Fazli Abdullahu, i fshatit Shurdhan të Gjilanit,
mësues në Preshevë, i cili kishte përjetuar persekutimin e regjimit jugosllav.
Abdullahu dhe vëllezërit e tij ishin burgosur për veprimtari patriotike. Ky ishte një moment
kyç në jetën e Jakup Halimit, pasi kuptoi se çështja kombëtare kërkonte sakrifica të mëdha,
nuk vonoi dhe ai u bë pjesë e rezistencës shqiptare në diasporë.
Halimi u organizua në një celulë të përbashkët ilegale me figura të njohura të Lëvizjes
kombëtare si Hydajet Hyseni, Kadri Abdullahu dhe Kadri Zeka (ky i fundit i njohur në
ilegalitet si “Zeqa”).
Jakup Halimi, në këtë rreth, vepronte me emrin konspirativ “Hamiti”. Në prill të vitit 1981,
kur shpërthyen demonstratat studentore në Kosovë, jehona e tyre u ndje edhe në diasporë. Në
Gjenevë u përhap lajmi se ishte vrarë Hyrije Hyseni, motra e Hydajet Hysenit.
Ky lajm më vonë doli i rremë, por mbeti e paqartë se kush e kishte përhapur dhe me çfarë
qëllimi. OMLK (Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës) mbajti një tubim të rëndësishëm
në Bernë të Zvicrës, ku u vendos për strategjinë e mëtejshme të lëvizjes.
Në këtë periudhë, Kadri Zeka shkoi në Bruksel për të koordinuar protestat me aktivistët atje.
Veprimtarët e atjeshëm kishin paralajmëruar se nuk do të lejonin flamurin me shqiponjën
dykrenore dhe yllin pesëcepësh.
Sipas z. Jakup Halimi, për shkak të mospajtimeve ideologjike, demonstruesit u ndanë në dy
grupe: pjesa dërrmuese protestoi në Bruksel, ndërsa një grup tjetër prej disa vetave, me në
krye Hajrullah Terpezën, protestoi në Paris të Francës.
Jakupi thotë se ai dhe shokët e tij nga Gjeneva, në demonstratën e Brukselit, për herë të parë u
njohën me Enver Hadrin, veprimtar të njohur të çështjes shqiptare, i cili u vra më 25 shkurt
1990 në Belgjikë nga UDB-ja jugosllave.
Halimi mendon se demonstratat e vitit 1981 ishin shprehje e pakënaqësive të shumta të
popullit shqiptar të Kosovës. Si pasojë e kësaj pakënaqësie, edhe pse në rrethana tepër
delikate, krahas Prishtinës, u demonstrua pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës. Këtë
pakënaqësi të popullit shqiptar Jugosllavia komuniste, veçanërisht Serbia, e shtypi me dhunë,
duke vrarë dhe burgosur mijëra të rinj, kryesisht studentë dhe profesorë të Universitetit të
Kosovës.
Andaj, rrëfimi i Bacës Jakup nuk është thjesht historia e një njeriu, por një pasqyrë e
sakrificave që shqiptarët kanë bërë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Në vitet e errëta të
shtypjes, ai ishte ndër ata që guxuan të ngrinin zërin dhe të vepronin, duke vënë në rrezik
gjithçka për të drejtat e popullit shqiptar.
Jakup Halimi, për shkak të përkushtimit të tij atdhetar, u burgos nga UDB-ja, jugosllave dhe u
dënua me 5 vjet burgim të rëndë. Pas daljes nga burgu, ai u vendos sërish në Gjenevë të
Zvicrës, duke mos hequr dorë për asnjë çast nga ideali i tij kombëtar.
Dera e banesës së tij gjithmonë mbeti e hapur për të gjithë veprimtarët e ndjekur nga regjimet
diktatoriale të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë. Jakup Halimi, me një vullnet të çeliktë dhe me një
dëshirë të jashtëzakonshme për të ndihmuar në çlirimin e Kosovës nga Serbia, mbështeti të
gjitha organizimet e shqiptarëve të mërguar në Gjenevë.
Ai, vite të tëra, kontribuoi në baza vullnetare në LAPSH, Këshilli në Gjenevë, ku me përpikëri
kreu detyrën e arkëtarit. Jakup Halimi, i angazhuar si shtëpiak nga miku i madh i çështjes
shqiptare, z. Ueli Leuenberger, themelues i Universitetit Popullor Shqiptar, me mirësjellje dhe
butësi punoi në këtë çerdhe integrimi deri më 2007, kur edhe doli në pension.
Baca Jakup, siç e quajnë me respekt të gjithë bashkatdhetarët në Gjenevë, edhe pse në moshë
të thyer, ndihmoi me të holla dhe mjete logjistike edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ai, si askush tjetër, iu gëzua formimit të institucioneve të Kosovës, të cilat me vendosmëri
luftuan pushtimin serb.
Baca Jakup, sot në një moshë të shtyrë, jeton në Gjenevë, por mendja dhe zemra e tij mbeten
gjithmonë në Kosovë, në tokën që e deshi dhe për të cilën sakrifikoi gjithçka.
Shënim i autorit:
Ky artikull është hartuar mbi bazën e dëshmisë së drejtpërdrejtë të z.
Jakup Halimi dhe para publikimit është verifikuar me të.
Të gjitha vlerësimet, qëndrimet dhe interpretimet e paraqitura në tekst përfaqësojnë
pikëpamjet e tij personale dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin e autorit
.
ARIF EJUPI
Gjenevë,23 shkurt 2025

Reflektim mbi ndarjen historike dhe shpresën për bashkim përmes artit dhe kujtesës kolektive- Nga Nexhmije Mehmetaj

Dokumentari “Kufiri i kuq – T’huej mes t’vetve!” është një vepër kinematografike me vlera të veçanta dokumentare dhe historike, që ri sjell në vëmendje një të vërtetë të dhimbshme të së kaluarës sonë të afërt – ndarjen tragjike të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës gjatë regjimit totalitar komunist. Më shumë se një kronikë e së kaluarës, ky dokumentar është një akt kujtese, një thirrje për reflektim dhe një homazh për ata që guxuan të krijonin nën trysninë e përndjekjes dhe izolimit.
Me skenar të Admirina Peçit dhe regji të Rezart Shehut, dokumentari është një vepër që ndërthur ndjeshmërinë artistike me thellësinë historike, duke shpalosur një prej plagëve më të rënda të historisë së popullit shqiptar.
Në thelb, “Kufiri i kuq…” dëshmon për 45 vite shkëputje të dhunshme të komunikimit kulturor ndërmjet shqiptarëve në dy anët e kufirit, ndarjen e tij ideologjike dhe shpirtërore ndërmjet Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës dhe Kosovës së nënshtruar regjimit jugosllave të Titos. Ky izolim, i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ishte vetëm politik e gjeografik, por edhe shpirtëror e krijues. Ai ndau lexuesin nga autori, aktorin nga skena, mendimin nga fjala, dhe shqiptarët nga vetvetja.
Dokumentari sjell dëshmi të vyera nga shkrimtarë, studiues e botues që kanë përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë pasojat e kësaj ndarjeje. Poeti Primo Shllaku thekson se me mbylljen e kufirit u ndal edhe historia e përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa Nazmi Rrahmani, shkrimtar dhe botues nga Kosova, rikujton mungesën e qasjes së ndërsjellë në letërsinë shqipe, që krijoi një boshllëk kulturor me pasoja të thella.
Studiuesi Behar Gjoka e vë theksin tek rezistenca krijuese e autorëve kosovarë, të cilët, edhe nën robërinë politike, arritën të sjellin prurje të rëndësishme në letrat shqipe. Një ndër ta ishte Anton Pashku, një prej figurave më emblematike të letërsisë moderne kosovare, i ndaluar dhe i përçmuar nga regjimi komunist shqiptar si “armik i realizmit socialist”. Krijimtaria e tij hermetike dhe jashtë normave ideologjike u konsiderua kërcënim për rendin e vendosur dhe për këtë arsye mbeti e ndaluar në Shqipëri.
Vetë titulli “T’huej mes t’vetve” është një shprehje e hidhur e realitetit absurd që shqiptarët e Kosovës përjetonin kur vizitonin Shqipërinë dhe anasjelltas – një ndjesi përjashtimi që mbeti e gjallë për dekada të tëra. Admirina Peçi, autorja e skenarit, nënvizon se ndarja ishte aq e thellë sa shqiptarët, në vend të përjetonin ndjenjën e atdheut, ndiheshin të huaj edhe mes të vetëve.
Përtej analizave dhe dëshmive historike, dokumentari nuk lë jashtë as aspektin njerëzor dhe emocional. Rrëfen histori arratisjesh, përndjekjesh, kampesh internimi dhe akuzash absurde ndaj shqiptarëve të Kosovës që, pasi
vinin në Shqipëri, detyroheshin të “pranonin” se ishin agjentë të huaj – një tjetër fytyrë e errët e paranojës së regjimit komunist.
“Kufiri i kuq – T’huej mes t’vetve!” nuk është thjesht një dokumentar mbi të shkuarën – ai është një akt i fuqishëm i rikthimit të së vërtetës në diskursin publik dhe kulturor shqiptar. Është një ftesë për reflektim të thellë mbi plagët që ndarja dhe diktatura kanë lënë mbi kombin, dhe një dëshmi për qëndrueshmërinë e shpirtit krijues shqiptar që, edhe kur ndodhej i ndarë, nuk reshti kurrë së kërkuari bashkimin përmes artit, fjalës dhe kujtesës.
Dokumentari përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e një narrative të ndershme dhe të përbashkët shqiptare. Ai u shërben jo vetëm studiuesve dhe njerëzve të artit, por mbarë shoqërisë shqiptare që kërkon të kuptojë veten, të pranojë të kaluarën dhe të projektojë një të ardhme më të bashkuar.
Gjenevë, 24.04. 2025      Nexhmije Mehmetaj

Kur propaganda komuniste depërtonte deri në shtratin e fëmijëve të sëmurë: Letra e vitit 1980 për Titon- Nga ARIF EJUPI

 

Më 22 janar 1980, gazeta “Rilindja për fëmijë” botoi një letër të shkruar me dorë, thuhet nga fëmijë të sëmurë të shtruar në Repartin e Pediatrisë në Prishtinë. Letra i drejtohej shokut Tito, atëherë udhëheqësit suprem të Jugosllavisë, me tone të mbushura me adhurim, dhe bindje të verbër dhe ndjenja të sforcuara, të cilat në të vërtetë nuk ishin të fëmijëve, por të sistemit.
Në pamje të parë, letra mund të duket si një “shprehje dashurie naive e fëmijëve për një lider”. Por në të vërtetë, ajo është një dëshmi e qartë e mënyrës së rafinuar se si regjimi komunist e përdorte propagandën për të ndërtuar kultin e individit, duke e futur atë deri në shtretërit e fëmijëve të sëmurë dhe të pafajshëm.

Në këtë letër ndër të tjera thuhet:
“Sytë tanë janë bashkë me ty, mendjet tona janë me ty, i dashuri Tito. Dëshirojmë të na shërohesh – për lumturinë tonë…”
Fëmijët në gjendje të brishtë, që do të duhej të kujdeseshin për shëndetin e tyre dhe të merrnin dashuri të pastër, përdoren për të ndërtuar një imazh të liderit si shërues, mbrojtës, burim i jetës e gëzimit, një figurë thuajse hyjnore që gjendet në çdo ndjenjë, frymë e mendim të tyre.
Në të vërtetë, fëmijët mësoheshin që:
ta adhurojnë udhëheqësin si figurë atësore, të pazëvendësueshme, që duhej dashur pa kushte;
të harrojnë vetveten, edhe në shtrat të sëmundjes, për t’iu përkushtuar “të dashurit Tito”;
të flasin në kor, duke humbur individualitetin, mendimin kritik dhe spontanitetin që e karakterizon fëmijërinë e vërtetë.

Indoktrinim i butë, por me pasoja
Letra e vitit 1980 është simbol i edukimit ideologjik, i cili nuk lejonte hapësirë për dyshim, alternativë apo individualizëm. Përkundrazi, ai synonte të ndërtonte breza që besonin se lumturia e tyre personale buronte nga një figurë politike, e jo nga familja, shoqëria apo dashuria natyrale që duhet t’u jepet fëmijëve.
Regjimi e dinte mirë se fëmija i programuar herët, bëhet qytetar i bindur më vonë.

Sot, si ta shohim këtë letër?

Ky dokument nuk duhet parë si kujtim nostalgjik, por si një pasqyrë që na tregon sa thellë mund të depërtojë ideologjia në psikologjinë dhe botën e brendshme të fëmijëve, madje edhe kur ata janë të pambrojtur.
Sot, të tilla letra duhet:
ruajtur si dokumente historike, por jo si shembuj për t’u përsëritur;
lexuar me sy kritik, për të kuptuar gabimet që nuk duhet të na ndodhin më;
dhe mbi të gjitha, të na shërbejnë si thirrje që fëmijët të mos preken më kurrë nga propaganda, cilado qoftë ajo.

ARIF EJUPI
Gjenevë,21 prill 2025

Shaqirit i rikthehet shkëlqimi në Bazel

Xherdan Shaqiri i Zvicrës feston pasi shënoi golin e parë të ekipit të tij gjatë ndeshjes së futbollit të grupit G të Kupës së Botës midis Serbisë dhe Zvicrës, në Doha, Katar, 2 dhjetor 2022.

 

Radio Evropa e Lirë

Associated Press

Rilindja e Xherdan Shaqirit pas largimit nga Chicago Fire dhe rikthimit te Basel këtë sezon – si dhe golat e tij me bollëk në pranverë – kanë bërë që skuadra zvicerane të marshojë drejt titullit të parë në ligën elitare zvicerane pas tetë vjetësh.

Statusi i Shaqirit si lojtar kyç në klubin e tij të qytetit ku është rritur – të cilin e kishte lënë në vitin 2012 për t’iu bashkuar gjigantit gjerman Bayern Munich – u bë i qartë me dy gola mbresëlënës fundjavën e kaluar në fitoren 4:0 ndaj rivalit tradicional, Zurich.

Xherdan Shaqiri gjatë një ndeshjeje për Baselin kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, në mars të vitit 2012.

Xherdan Shaqiri gjatë një ndeshjeje për Baselin kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, në mars të vitit 2012.

“Shikoni rezultatin, nuk ka nevojë për fjalë të tjera”, tha kapiteni 33-vjeçar për fitoren që i ndihmoi Baselit ta sigurojë një epërsi prej gjashtë pikësh në një garë të ngushtë me gjashtë ekipe.

Me të majtën e tij të famshme, Shaqiri e goditi topin fort duke e dërguar në një hapësirë të ngushtë mes shtyllës pingule dhe traversës, dhe në fund në rrjetën e portës. Ai pastaj e shënoi golin e dytë nga gjuajtja e lirë.

Tani, me 13 gola, Shaqiri është golashënuesi më i mirë në Superligën zvicerane, që është rekord personal, si dhe ka 14 asistime në vetëm 28 ndeshje.

Nëse e shënon një gol kur Baseli ta mirëpret skuadrën Yverdon të hënën, Shaqiri do ta barazojë numrin e golave që kishte shënuar gjatë dy vjetëve e gjysmë në MLS me Chicago Fire.

Jo shumë argëtim në Chicago

Chicago përfundoi me bilanc negativ në secilin nga tri sezonet e Shaqirit atje dhe nuk ka arritur të kualifikohet në fazën play-off që nga viti 2017 – po atë vit kur përfundoi edhe seria e Baselit si kampion i tetëfishtë radhazi në Zvicër.

Ajo seri nisi në sezonin debutues të Shaqirit, 2009-2010, i cili përfundoi me pjesëmarrjen e tij të parë në një Kupë Bote, si një talent 18-vjeçar.

Ai nuk shënoi gol në Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut, por e bëri këtë në tre Botërorët pasues, si dhe në tri Kampionate Evropiane nga viti 2016 deri në vitin 2024.

Xherdan Shaqiri në një ndeshje për Chicago Fire kundër New York Red Bulls, në MLS, prill 2024.

Xherdan Shaqiri në një ndeshje për Chicago Fire kundër New York Red Bulls, në MLS, prill 2024.

Një gol të paparë ndaj Skocisë në qershorin e kaluar Shaqiri e shënoi në ndeshjen e vetme ku ai luajti titullar në pesë ndeshje në Euro 2024, pasi e kishte humbur vendin e padiskutueshëm në një Zvicër shumë mbresëlënëse, që u eliminua në çerekfinale nga Anglia, pas penalltive.

Shaqiri realizoi penalltinë e tij, pasi hyri në lojë si zëvendësues në kohën shtesë, në atë që ishte paraqitja e tij e fundit me përfaqësuesen në ndeshjen e tij të 125-të.

Ai u pensionua nga kombëtarja pas turneut dhe, një muaj më vonë, u pajtua ta prishë kontratën me Chicago Fire, në një vendim që klubi e përshkroi si “në interesin më të mirë të të gjitha palëve”.

Rikthimi në ekipin e fëmijërisë

Shaqiri – i lindur në Kosovë – u rikthye menjëherë te Basel, klub me të cilin kishte nisur karrierën në moshën 8-vjeçare dhe me të cilin kishte fituar ligën zvicerane në secilin prej tri sezoneve të tij të para.

Pas largimit nga Basel për herë të parë, kur u zëvendësua nga një Mohamed Salah i ri, Shaqiri e fitoi një medalje të Ligës së Kampionëve me Bayernin në sezonin e parë. Ai fitoi një tjetër në vitin 2019 me Liverpoolin – si shok skuadre i Salahut – edhe pse nuk luajti në asnjërën finale.

Xherdan Shaqiri i Zvicrës feston golin e barazimit të skuadrës së tij gjatë një ndeshjeje të Grupit A midis Skocisë dhe Zvicrës në turneun e futbollit Euro 2024 në Këln, Gjermani, të mërkurën, 19 qershor 2024.

Xherdan Shaqiri i Zvicrës feston golin e barazimit të skuadrës së tij gjatë një ndeshjeje të Grupit A midis Skocisë dhe Zvicrës në turneun e futbollit Euro 2024 në Këln, Gjermani, të mërkurën, 19 qershor 2024.

Baseli ka luajtur për herë të fundit në Ligën e Kampionëve në vitin 2018 dhe do të marrë pjesë në rundet kualifikuese në gusht, nëse ekipi i Shaqirit arrin ta ruajë epërsinë prej gjashtë pikëve ndaj Servette kur kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ndeshje.

Pa barrën e udhëtimeve të gjata nga Shtetet e Bashkuara për të luajtur për kombëtaren, Shaqiri e ka menaxhuar më mirë gjendjen fizike përgjatë këtij sezoni zviceran, i cili do të përfundojë me ndarjen e ligës në një grup kampionati mes gjysmës së sipërme të 12 ekipeve.

“Ne po e vendosim ritmin”, tha Shaqiri duke folur për një seri prej katër fitoresh ku ka shënuar katër gola.

“Të shohim çfarë do të bëjnë të tjerët”, përfundoi ai.


Send this to a friend