VOAL

VOAL

Gazetarët e Radio Evropa e Lirë akuzojnë shefin e mbikëqyrjes për “ndërhyrje në pavarësi”

December 31, 2020

Komentet

Dy mijë vjet mësime dhe ende nuk kemi nxënë!- Nga Lutfi Dervishi

 

1. Përshtajta me natyrën

Kur romakët ndërtuan rrugën Egnatia, aty ku ishte e mundur, ndoqën rrjedhën e lumit dhe nuk tentuan ta përshtatnin Shkumbinin me projektin e tyre. Sot po bëjmë të kundërtën.

2. Porti historik i vendit

Grekët dhe romakët nuk e zgjodhën rastësisht Durrësin. Epidamni-Dyrrahu ishte port i rëndësishëm që nga shekulli VII p.e.s. dhe më vonë u bë pikënisja e rrugës Egnatia. Durrësi lindi e u rrit si qytet prá prej portit. Sot, ne po e çmontojmë atë.

3. Të moçmit ndërtonin në kodra

Mjafton të shohësh shpërndarjen historike të vendbanimeve: kodra, shpate, tarraca natyrore e vende të mbrojtura. Poshtë liheshin tokat pjellore dhe zonat që përmbyteshin. Në kodër ishe i mbrojtur, me ajrim të mirë e kullim natyror. Sot ku gjejmë shesh, bëjmë përshesh.

4. Lumit nuk i merrej prona

Fushat aluvionale janë krijuar pikërisht sepse lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe kanë depozituar sedimente gjatë shekujve. Kur i grabit pronën lumit, një ditë ai do ta marrë, pa të njoftuar dhe pa të paraqitur certifikatën e pronësisë.

5. Urat shekullore

Ura e Mesit mbi lumin Kir është shembull i shkëlqyer: 108 metra e gjatë, me 13 harqe. Harqet nuk ishin dekor; ato lejonin kalimin e lirë të ujit kur rriteshin prurjet. (Urat u ndërtuan pa tender!)

6. Qytetet e dinin çfarë ishte hija. Orientimi i ndërtesave, oborret, pemët, muret e trasha dhe materialet natyrore ishin përgjigja ndaj klimës përpara se të shpikeshin kondicionerët. Edhe kur planifikohej kryeqyteti në shekullin e kaluar, arkitektët kishin parasysh korridoret e ajrit dhe lëvizjen e Diellit. Sot kemi lagje që nuk shohin kurrë dritë, ku betoni po i merr frymën qytetit.

7. Toka si pasuri

Nga veriu në jug, toka bujqësore trajtohej si pasuri e rrallë, jo si territor ndërtimi. Pa ekskavatorë e pa betonarme, njerëzit vëzhgonin me kujdes ku kalonte lumi, ku rrëshqiste mali, nga frynte era dhe ku ishte toka më pjellore.

Sot kemi teknologji shumë më të zhvilluar se romakët, bizantinët e osmanët, por po shkatërrojmë të vetmen vatër që kemi për të jetuar.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës: Kapitulli V- Presidenti i Republikës së Kosovës

Me qëllim që publiku shqiptar të ketë një përfytyrim të saktë për rëndësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës, VOAL po sjell Kapitullin V të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që përcakton statusin, detyrat dhe kompetencat e Presidentit të Republikës së Kosovës:

 

Kapitulli V Presidenti i Republikës së Kosovës

Neni 83 [Statusi i Presidentit]
Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës.

Neni 84 [Kompetencat e Presidentit]
Presidenti i Republikës së Kosovës:
(1) përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë;
(2) garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë
Kushtetutë;
(3) shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë te tij;
(4) nxjerr dekrete në pajtim me këtë Kushtetutë;
(5) shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;
(6) ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë
të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë
komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një
herë;
(7) nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë;
(8) propozon amendamente për këtë Kushtetutë;
(9) mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese;
(10) udhëheq politikën e jashtme të vendit;
(11) pranon letrat kredenciale të shefave të misioneve diplomatike të akredituar në
Republikën e Kosovës;
(12) është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë të Kosovës;
(13) udhëheq Këshillin Konsultativ për Komunitete;
(14) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të
koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;
(15) emëron dhe shkarkon Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës me propozimin e
Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
(16) emëron dhe shkarkon gjyqtarët e Republikës së Kosovës me propozimin e Këshillit
Gjyqësor të Kosovës;
(17) emëron dhe shkarkon Kryeprokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës, me
propozimin e Këshillit Prokuroial të Kosovës;
(18) emëron dhe shkarkon prokurorët e Republikës së Kosovës, me propozimin të
Këshillit Prokurorial të Kosovës;
(19) emëron gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e Kuvendit;
(20) emëron Komandantin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, pas rekomandimit të
Kryeministrit;
(21) së bashku me Kryeministrin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e
Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë;
(22) vendos për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin;
(23) mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe i kryeson ato në
kohën e Gjendjes së Jashtëzakonshme;
(24) vendos për formimin e misioneve diplomatike e konsullare të Republikës së Kosovës,
në bazë të konsultimit me Kryeministrin;
(25) emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me
propozimin e Qeverisë;
(26) emëron Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
(27) emëron Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i cili shërben
edhe si Drejtor Menaxhues dhe emëron anëtarët e tjerë të Bordit të Bankës;
(28) jep medalje, mirënjohje dhe çmime, në pajtim me ligjin;
(29) shpall falje individuale, në pajtim me ligjin;
(30) sё paku një herë në vit i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me
fushëveprimtarinë e tij/saj.


Neni 85 [Kualifikimi për Zgjedhjen e Presidentit]
President i Republikës së Kosovës mund të zgjedhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës, i cili e
ka mbushur moshën tridhjetë e pesë (35) vjeçare.

Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]

1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30)
ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të
Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve
të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë
për President të Republikës së Kosovës.

4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para,
organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të
votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve,
zgjedhet President i Republikës së Kosovës.

6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës,
shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e
pesë (45) ditësh.

Neni 87 [Mandati dhe Betimi]

1. Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit
të Kosovës. Teksti i betimit rregullohet me ligjin.

2. Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet.

3. Pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjedhet vetëm edhe një herë.

Neni 88 [Papajtueshmëria]

1. Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik.

2. Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

Neni 89 [Imuniteti]
Presidenti i Republikës së Kosovës gëzon imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose
shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit të
Republikës së Kosovës.

Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit]

1. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur
përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit
të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri
i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe
kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së
Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë
përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së
Presidentit.

2. Në rast se nuk ka ndodhur kalimi vullnetar i përgjegjësive, Kuvendi i Republikës së Kosovës,
pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë
deputetëve vendos nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të
ushtruar përgjegjësitë e veta. Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i
detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës derisa ajo/ai të bëhet i aftë që të rifillojë
ushtrimin e përgjegjësive të Presidentit.

3. Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet
për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj.

Neni 91 [Shkarkimi i Presidentit]

1. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar
për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e
këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se
ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

2. Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e
treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet
për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë
mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Në rast se
peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet
menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga
marrja e peticionit.

3. Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse
Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë

përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese
konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë
Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij.

FOTO+VIDEO- ‘Flota e Hitlerit’ del në Danub, thatësira nxjerr në dritë anijet e mbytura naziste të Luftës së Dytë

Ulja e pazakontë e nivelit të ujit në lumin Danub ka nxjerrë në sipërfaqe mbetje të errëta të historisë së Evropës. Pas një periudhe të gjatë temperaturash të larta dhe thatësire, dhjetëra anije luftarake gjermane të fundosura gjatë Luftës së Dytë Botërore janë shfaqur sërish mbi ujë.

Në kufirin mes Serbisë dhe Rumanisë, kanë dalë në sipërfaqe anije, të cilat në kushte normale duhet të ishin nën ujë. Disa prej mjeteve lundruese vijojnë të jenë pjesërisht të fundosura, ndërsa besohet se disa prej tyre mund të kenë ende armë dhe municione në bord.


Anijet besohet se janë pjesë e flotës së Gjermanisë naziste në Detin e Zi. Në vitin 1944, ndërsa Ushtria e Kuqe përparonte drejt perëndimit, forcat gjermane fundosën qëllimisht një numër të madh anijesh luftarake në përpjekje për të ngadalësuar avancimin sovjetik.

Sipas historianëve, deri në 200 anije luftarake gjermane u fundosën në këtë mënyrë në shtator të vitit 1944, rreth tetë muaj përpara kapitullimit të Gjermanisë naziste në maj të vitit 1945.

Nuk është hera e parë që rënia e nivelit të Danubit zbulon këto mbetje. Gjatë periudhave të mëparshme të thatësirës, disa prej anijeve janë shfaqur sërish, për t’u mbuluar nga uji pasi niveli i lumit është rritur.

Autoritetet serbe kanë ndërmarrë edhe më parë përpjekje për largimin e disa prej anijeve të fundosura. Megjithatë, operacionet janë të vështira dhe të rrezikshme, pasi disa prej tyre dyshohet se përmbajnë ende eksplozivë dhe municione. Panorama

Fatura e rëndë e sëmundjes- Shifrat tronditëse, si po masakrohen pacientët shqiptarë

Kur Gjergj Fishta shkoi në Paris për të mbrojtur Shqipërinë nga teza e armiqve se shqiptarët janë popull barbar, një nga argumentet më të fortë që përdori për të bindur Fuqitë e Mëdha ishte ai i kohezionit social.

“Pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten dhe ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie,” iu drejtua ati francceskan udhëheqësve të botës në Konferencën e Paqes. Kjo ishte më shumë se një shekull më parë.

Sot, vizioni i Rilindjes Kombëtare që kishte Fishta dhe sëra e burrave të ndritur të kombit është zëvendësuar me një Rilindje tjetër, ndërsa kohezioni social i shqiptarëve pa shtet i kanë lënë vendin babëzisë së atyre që shtetin e duan për ta placckitur. Dhe Shqipëria e sotme është shumë më barbare se Shqipqëria e para një shekulli.

Kryqëzimi i shifrave zyrtare që raportojnë organizatat ndërkombëtare nga njëra anë dhe qeveria shqiptare nga ana tjetër për mbështetjen financiare të shëndetësisë në Shqipëri nxjerr në pah një realitet tronditës. Pacientët shqiptarë po masakrohen financiarisht, teksa buxheti i shtetit nuk rimburson as 40 për qind të faturës së sëmundjes.

Ndërsa ata që vuajnë nga sëmundjet e rënda përballen me një fat edhe me tragjik. Shqipëria nuk kishte varr të vdekuri urie një shekull më parë, por nuk mund të thotë dot sot se nuk ka varre njerëzish që vdesin nga pamundësia financiare për t’u kuruar.

Jeta kushton pak
Globocan, databaza online e statistikave të tumoreve në shkallë globale, vlerëson se në Shqipëri prevalenca 5 vjeçare e pacietëve me tumor në mushkëri është rreth 2 mijë pacientë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, aktualisht qeveria shqiptare rimburson medikamentet për vetëm 430 pacientë që vuajnë nga tumori i mushkërisë, ose për vetëm një në pesë pacientë.

Këtu llogaritë janë dramatike. Sipas protokollit zyrtar të trajtimit që përdoret në Shqipëri, kostoja vjetore e medikamenteve për tumorin e mushkërisë është rreth 3300 euro për pacient. Për një vend ku të ardhurat mesatare për frymë janë më pak se 10 mijë euro, kjo kosto është rrënuese për shumë familje.

Me këtë mbulim rimbursimi, shteti këta pacientë i ka vendosur përpara dy zgjedhjeve. Ose të rrënohen financiarisht, ose të vdesin. Dhe fatkeqësisht shumica mund të ketë në dispozicion vetëm zgjedhjen e dytë. Ose të paktën, kjo është ajo që sinjalizojnë shifrat.

Në Shqipëri, humbasin jetën mbi 1200 vetë në vit nga tumori i mushkërisë. Kjo shifër është 3 herë më e lartë se sa pacientët që rimburson aktualisht shteti shqiptar për këtë sëmundje. Me pak fjalë, ky është një sistem shëndetësor që të dënon më vdekje, pa gjyq.

Situata është thuajse e njëjtë për të gjithë spektrin e 5 tumoreve me prevalencën më të lartë në vend. Shkalla e rimbursimit të ilacceve varion nga 20 për qind e të sëmurëve deri në 80 për qind në rastin më të mirë, që janë të sëmurët e tumorit të gjirit.

Mijëra pacientë që përballen me dramën e një sëmundje fatale, lihen jashtë skemës së mbështetjes. Dhe e gjitha kjo për një kosto vjetore jo më shumë se 8 milionë euro.

Rrënim familjesh
Federata Botërore e Diabetit raporton se Shqipëria ka aktualisht rreth 261.5 mijë të rritur të moshës 20-79 vjeç që jetojnë më diabet. Mbi bazën e këtyre të dhënave, Banka Botërore vlerëson se prevalenca e diabetit tek të rriturit në Shqipëri është 10.6%.

Ndër kategorinë e sëmundjeve me prevalencë të lartë, diabeti është një nga më të kushtueshmet. Aktualisht kostoja e barnave për trajtimin e një pacienti diabetik në Shqipëri, sipas protokolleve zyrtare vlerësohet mesatarisht në mbi 160 euro në vit. Për shumë familje, veçanërisht ato me të ardhura të ulëta, kjo është një faturë jo e vogël, ndaj shpresa e tyre mbetet buxheti i shtetit dhe skema publike e rimbursimit.

Por cili është realiteti i rimbursimeve në Shqipëri?
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, aktualisht qeveria shqiptare rimburson medikamentet për rreth 101 mijë e 500 pacientë diabetikë ose më pak se 40 për qind të totalit.

Pra, nga 261.5 mijë të sëmurë rimbursohen vetëm 101.5 mijë, ndërkohë që 160 mijë shqiptarë që vuajnë nga diabeti janë të detyruar t’i paguajnë nga xhepi i tyre kostot për ilaçet.

E megjithatë, diabeti është vetëm një nga sëmundjet me prevalencë të lartë, që gërryen buxhetet e familjeve shqiptare. Hipertensioni është një tjetër sëmundje me faturë jo të vogël.

Observatori Botëror i Zemrës vlerëson se aktualisht në Shqipëri ka rreth 760 mijë të rritur, të cilët vuajnë nga presioni i lartë arterial. Por qeveria shqiptare rimburson ilaçet vetëm për 244 mijë pacientë, ose rreth 32 për qind të totalit.

Mbi gjysmë milioni pacientë hipertensiv, saktësisht 516 mijë vetë, detyrohen të paguajnë nga buxhetet e tyre kostot e trajtimit sepse për shtetin ata nuk ekzistojnë, ose të paktën nuk ekzistojnë si të sëmurë.

Llogaritë financiare janë të ashpra. Vetëm barnat e diabetit dhe ato të hipertensionit u marrin familjeve shqiptare rreth 50 milionë euro në vit nga buxhetet e tyre, një shumë e cila normalisht do të duhet të mbulohej nga fondi publik i shëndetësisë.

Prioriteti që nuk është
Vitin e kaluar qeveria shqiptare shpenzoi përmes buxhetit publik të shëndetësisë mesatarisht 330 euro për banor. Kjo shifër është 5 herë më e ulët se sa vendet e ngjashme të rajonit dhe 10 herë më pak se sa mesatarja e Bashkimit Europian.

Në termat e Prodhimit të Brendshëm, Shqipëria shpenzon aktualisht 2.9 për qind të GDP për sektorin e shëndetësisë. Edhe këtu llogaritë me vendet e ngjashme dhe ato të Bashkimit Europian janë në të njëjtin raport. Shqipëria shpenzon nga 2 deri në 5 herë më pak nga buxheti publik për të mbështetur shëndetësinë.

Shpenzimet publike per shendetesine
Shqipëria nënfinacon prej një kohe të gjatë tashmë shëndetësinë. Por teksa popullsia po plaket dhe prevalenca e sëmundjeve vazhdon të rritet, kjo situatë është bërë e paqëndrueshme.

Tashmë financat publike janë në një gjendje më të mirë për të mbështetur më shumë, qoftë shëndetësinë ashtu edhe arsimin. Por qeveria bën të kundërtën. Sipas programit buxhetor afatamesëm, fondet publike për shëndetësinë pritet të ulen në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Dhe këtu pyetja shtrohet seriozisht. A është shëndetësia me të vërtetë një prioritet për qeverinë? / Kapitali

Largimi i Ramës që po shet çdo mundesi zhvillimi të Shqipërisë është emergjencë kombëtare- Nga ARBEN MALAJ

Largimi i Ramës që po shet çdo mundesi zhvillimi të Shqipërisë është emergjencë kombëtare.
Për asnjë motiv,
për asnjë ambicie dhe
si përherë
kam qenë dhe jam kundër çdo opsioni ogurzi për vendin tim, që analistë të ndryshëm e shfaqin si teori konspirative
Jo revolucion që del jashtë kontrollit,
por vetëm mosbindje civile, paqësore por rezultative, kundër qeverisë dhe oligarkisë hajdute.

Letra e shkruar nga Elsa Demo drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme dhe Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar

Letra e shkruar nga Elsa Demo drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme dhe Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, është një prej atyre letrave që nuk duhet humbur kurrsesi. Elsa Demo shkruan….

Zakonin e letrave të hapura me “i/e nderuar” apo “të nderuar” nuk po e ndjek, sepse nuk e di në është dikush në krahun e marrësit. Nuk ka kod komunikimi mes nesh, mes meje si bashkëpunëtore e jashtme dhe drejtorisë së Radio Televizionit Shqiptar. Që prej viti 2019, kur nisa programin “Artes” në ekranin shtetëror, janë ndërruar gjashtë drejtorë të përgjithshëm me gjithë stafin përkatës në nivel të ngushtë. Çdo sezon, një epror i ri, një kokëçarje e përsëritur, një mur shurdhac, që është më poshtërues sesa kërcënimi ekonomik.

Nuk di çfarë rezervon fati, as kërkoj parashikime, por kam të drejtë të di çfarë gatit për mua burokrati i RTSh-së. Rasti im nuk ka si të jetë i veçuar nga një sistem mediatik ku vendimmarrja arbitrare, si Mërkuri në retrograd, thyen edhe copat e fundit të një konfiguracioni të ndërtuar në vite.

Borxhi dhe heshtja

“Paratë janë bërë hi, prandaj honoraret nuk janë derdhur”, më thanë në ditët e para të qershorit. “Kërkojmë mirëkuptimin tuaj.” Aty për aty, m’u dhimbs e shkuara e këtij vendi, teatri në ekran që kam ndjekur si fëmijë, arkiva zanore dhe vizuale që nuk ka princ ta zgjojë, përdorimi nga skuadronet politike të majta e të djathta; më erdhi keq për dritaret gjithë dritë që nuk puthiten, me persianet prej druri, të vjetra sa vetë objekti i Radio Televizionit, që është nga gjurmët e fundit të një arkitekture njerëzore në Tiranë; më erdhi keq për ata që kanë ngjyer bukën në djersë dhe kanë lënë një emër të mirë, për të tjerë që lënë një emër të mirë në këtë fabrikë të vjedhur, të tallur, po edhe dembelët e hileqarët e RTSh-së m’u dhimbsën. Keqardhja nuk bën dallim, kur punët janë zhytur në mjerim. Më erdhi keq për sinqeritetin, mirësjelljen dhe delikatesën që stafi i ri po më tregonte në takimin e parë. Dhe qafa e zgjatur nuk pritet. I mirëkuptoja për honoraret të papaguara prej muajit prill (rroga ime mujore) dhe përjetoja një kthim prapa tek skenarët e kompanive mediatike të Kokëdhimës, Frangajt e së fundi, edhe të Hysenbelliut. Kështu ka ndodhur gjithmonë tek ne: e shkuara bëhet e ardhme në regres. Prandaj, në kushtet kur i ke duart të lidhura, të paktën të kesh gjuhën të lirë.

Në fund të qershorit, Radio Televizioni Shqiptar hapi thirrjen për projekte. Futa letrat, si çdo vit, CV-në dhe projekt-idenë, duke përshtatur kërkesat për sezonin e ri. Aplikimi u mbyll më 5 korrik. Sot duhet të isha në transmetim, dhe, me sa di, nuk është asnjë nga programet që realizohen nga bashkëpunëtorët e jashtëm. Kërkova dy herë takim me drejtoreshën e përgjithshme, edhe pse “nuk pret” më kishin thënë. Nuk ka përgjigje as stafi i saj.

Ç’të bëj tani? Të shpik një plan punësimi në bisht të shtatorit, kur njerëzit kthehen të përtërirë për të kapur ku e kanë lënë rutinën profesionale dhe mediat private e kanë mbyllur programimin e sezonit 2025-‘26? Në muajt në vazhdim, ç’të bëj? Ajo qafa e drejtuesve të rinj, që më ishte dukur prekëse e delikate, tani më shfaqet në formë zvarraniku përvjedhës. Di që në këtë pikë ka filluar abuzimi dhe RTSh-së mund t’i fal arkën e zbrazur, por jo mungesën e informacionit, arrogancën e heshtjes dhe kërcënimin me pasoja financiare që vjen prej kësaj, për të të hequr, qoftë për disa muaj, të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe për të të këputur lidhjet e komunikimit me publikun.

Kontrata

Sado në një raport të rregulluar me ligj, për sa kohë nënshkruajnë një marrëveshje, bashkëpunëtori i jashtëm si punëmarrës është në pozita të brishta. Ai bën pjesë në hapësirën e jorrogëtarëve, i nënshtrohet kontraktimit të përkohshëm, 8-9 muaj. Kontrata rifreskohet me fillimin e vitit të ri financiar, por pikërisht atëherë, në mes të rrugëtimit, mund edhe të të ndërpritet. Marrëdhënie e palogjikshme kjo për një program gazetaresk që, për të funksionuar, i duhet vazhdimësia, qëndrueshmëria dhe pavarësia. Më ka shqetësuar prej fillimit kjo, sepse sapo kisha ardhur nga një përvojë e hidhur në një televizion privat, ku vendimi për të më larguar nga puna, sikur po donin të hiqnin një lebroz, u zbatua brenda dy ditësh.

Kontrata e bashkëpunëtorit të jashtëm me televizionin shtetëror është e një tipi që ushqen barazitizmin. Nuk njihet gazetari si profesionist i një kategorie të caktuar, njihet prezantuesi, i cili rëndom thirret “moderator”. Gjatë këtyre viteve kam nënshkruar një kontratë si moderatore dhe skenariste, kur në thelb puna ime është gazetareske: nis në terren dhe mbyllet në ekran. Me ish-drejtues që kanë pasur përvojë gazetari, e kam ngritur shqetësimin, me praninë e juristit të RTSh-së, për mosnjohjen e nocionit “gazetar”. Eprorëve, ky fakt, përveçse u kujtonte diçka nga e shkuara e vet profesionale, i linte indiferentë.

Bashkëpunëtori i jashtëm nuk mbrohet dhe as dëmshpërblehet nga pasojat e forcave madhore, megjithëse i mbahet vlera 15% e tatimit mbi të ardhurat, pa i llogaritur dhe pa i mbajtur kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Në periudhën e pandemisë Covid-19, me pezullimin e programit, natyrisht që u ndërpre pagesa, ndërsa drejtoria nguli gozhdën e fundit: në mes të sezonit, pa më vënë në dijeni, shkurtoi honorarin.

Edhe përdorimi i të drejtave të autorit është i kufizuar. E kam pasur të vështirë të tërheq kopje të emisioneve të mia nga Arkivi, kur më janë dashur apo kërkuar për qëllime dokumentimi, reference apo shfaqje në auditor. E kam fjalën për emisionet e viteve 2019-2021, të cilat janë hequr nga publikimi në platformën youtube, pas bllokimit të kanalit për shkak të konfliktit të RTSh-së me Agjencinë e Administrimit Kolektiv e të Drejtave të Artistëve Interpretues/Ekzekutues. Në letrat dhe raportet e vazhdueshme për stafet drejtuese, një rrugë që e kam ndjekur gjithmonë, kam shprehur kërkesën për rikthimin në qarkullim të kësaj pune dyvjeçare. Për ta ishte si t’u kërkoje kallëza në dëborë.

Me mbylljen e sezonit televiziv për çdo qershor, vjen faza e pritjes deri në shtator a tetor, për të marrë vesh në do të lidhet kontrata me institucionin apo jo. Zakonisht, sezoni nis kur e gjykon të arsyeshme drejtoria, e cila mund ta zhvendosë programin tënd në një kanal tjetër, në ditë dhe orar tjetër, duke copëtuar lidhjen e mezikrijuar me audiencën. Kujtoj drejtorin e komanduar në korridor, me pamjen e kambistit në tregun e zi të valutës që sfidonte nga trotuari përballë Bankën e Shqipërisë, në mes të viteve ‘90. Duke dredhur një zinxhir në dorë, do më thoshte se kot e kundërshtoja kalimin në kanalin 2, “se në të parin, kam qejf më shumë spektakël”.

Çdo fillim sezoni, bashkë me kaosin dhe trajtimin e pabarabartë, programit i diktohen video wall-et, teknologjia e vjetëruar – nëse ditën e xhirimit, mikrofonët kanë qenë pa zhurmë, ke pasur ditë pune më fat – imponohen kamerat robotike me formulën vizuale “dy karrige, një ekran për sfond, plan-kundërplan, plan dysh”, pa përpunuar kurrëfarë kërkese estetike për secilin program. Edhe po t’i kesh punuar disa koncepte për dizajnin grafik të backgroundit me artistë shumë të mirë të artit bashkëkohor shqiptar pjesë e RTSh-së, drejtoria i shkatërron dhe fut në mes të sezonit ekranet e rrjepur të Agon Channel të dhjetë viteve më parë, që s’ka Grabockë t’i kamuflojë. Në studion grafike kanë punuar dy artistë shumë të talentuar, njërin e detyruan të largohet, tjetri është në ikje. Thuhet se drejtuesja e re planifikon kontraktimin e një studioje të jashtme grafike për krijimin e imazhit të ri të televizionit, ndërkaq departamenti i brendshëm i grafikës ka mbetur pezull për shkak të ngrirjes së programeve. Është ky lloj menaxhimi që nuk njeh kapacitetet e punonjësve të vet, që i largon nga puna duke shkelur rregullat dhe punëson individë të cilët, diku tjetër paguhen me rrogë, pra që nuk jetojnë me gazetari, por e përdorin këtë mundësi si frut pas buke apo për ca kredi për status më të ngritur social, e, pse marrin një emision me tavolinë treqind e gjashtëdhjetëgradëshe dhe një podcast përsipër, pra dy rroga, qarr e kanë. Po të mos ishte kështu, përse pikërisht bashkëpunëtorët e jashtëm ka bllokuar drejtoria e re?

Do thotë dikush pas kësaj, edhe shtëpitë më të mira kanë nevojtoret e tyre. I kanë. Pretendimi për t’i mbajtur nevojtoret po aq mirë sa shtëpitë, duhet të llogaritë edhe fantazmat në dhomat e kyçura, fantazmat e lirisë, çështja e fundit që dua të prek.

Liria

Duke punuar gjatë verës me koleksionet e shtypit të përditshëm dhe periodik në Bibliotekën Kombëtare, për periudhën e parë dhe të dytë të tranzicionit shqiptar, vura re varësinë helmatisëse nga politika dhe pornografia. Varësia nga politika mbetet, kurse pornografia jeton në ekzibicionin e intimitetit në publik, i mirëpranuar si kod liberal i shprehjes së mënyrës së jetesës. E megjithatë, në gazetat “Koha Jonë” dhe “Shekulli” kanë pasur vëmendje temat për shtypin dhe televizionin, për ligjet dhe rregullat për profesionin e gazetarit. Televizioni Shqiptar, për kushtet akoma jo pluraliste të tregut mediatik, ka qenë në qendër të vëmendjes.

Sot, gazetari bëhet lajm kur kryeministri i injoron pyetjen apo i kundërpërgjigjet me fyt të tharë, duke i përmendur gazetarit pronarin, me të cilin kryeministri ka ndarë jo vetëm bukën. Skena si këto po certifikohen si kriter disidence në gazetari. Fabula e thjeshtë, spektakolare dhe që bëhet shpejt virale është për organizatat e gazetarëve dhe të shoqërisë civile një subjekt për kauzë që fiton vëmendje. Madje, kanë rikthyer rëndshëm peticionet si në mesin e viteve ‘90, kur kjo modë vinte paketë me grevën e urisë. Por nuk diskutohen të drejtat e gazetarit në termat e praktikës së përditshme të profesionit, se çfarë efektesh kanë rrymat e ajrit dhe shtrëngatat që provokohen në redaksitë e informacioit, nga rrahja e krahëve të fluturës në oborrin e qeverisë.

Pyetja në vazhdim është: sa e ushtron të drejtën e lirisë së fjalës dhe të kritikës gazetari në median shtetërore? I ngulitur në ndërgjegjen e njerëzve si megafon i partisë në pushtet, Radio Televizioni Shqiptar ka pasur vitet e fundit një periudhë të shkurtër, por të mirë profesionalizmi dhe paanësie, kur Gëllçi drejtoi institucionin dhe programin politik në orarin kryesor të mbrëmjes e kishte Lutfi Dervishi (që më mungon).

Ushtrimi i lirisë nuk është një formulë që zbatohet pa e ndjerë dhe pa ia njohur vlerën. Këtu më vjen për argument historia e Tespit nga teatri i lashtë grek, siç e tregon Augusto Boal në “Teatrin e të shtypurve”. Një ditë, Soloni shkoi në teatër ku luante edhe Tespi, poet e pijanec. Ky e nisi interpretimin modestisht, por duke dalë nga kori, nuk po dinte të përmbahej dhe filloi të flasë për qytetin, politikën dhe ligjet. Deri në atë moment, askush nga kori nuk e kishte kuptuar që, liria për të thënë atë që mendon, ishte e mundur. Kështu hyri protagonisti në historinë e teatrit. Pas shfaqjes, Soloni përgëzoi korin dhe iu kthye Tespit: “Njerëzit mund të ndikohen nga kjo loja jote dhe kjo mund të ndotë kulturën tonë. Nuk ka rëndësi se çfarë the e çfarë fjalësh përdore. Rëndësi ka që, ti sot tregove që gjërat mund të thuhen. U tregove njerëzve se është e mundur të flitet, se secili mund të mendojë me kokën e vet, të zgjedhë fjalët e veta. Kjo jep një shembull të keq. Unë e di që ata munden, por kjo nuk duhet të merret vesh… Mos e bëj më!”

Sipas kësaj fabule, individi nuk ka vetëm liri profesionale, ka një liri të brendshme, ka dhe një liri qytetare, të cilat mund t’i shprehë nëpërmjet profesionit. Çështja është “si” dhe te kjo “si” përmbyllet identiteti i gazetarit.

Gjatë këtyre viteve disa drejtues më janë shprehur dretpërdrejt “po ke pakënaqësi ndaj pushtetit, dil në shesh me PD-në, jo në ekranin e Televizionit Shqiptar”; “nuk mund të kritikosh rilindjen urbane”, ose nëpërmjet drejtorëve të tjerë në varësi “thuaji asaj të bëjë kujdes”. Gjesti i fundit i drejtoreshës në ikje ishte heqja e fotografisë së Edi Ramës para tasit me spaghetti, pjesë e siglës së programit “Artes”, për shkak se në një nga emisionet kishte qenë subjekt diskutimi. Cilado të ketë qenë arsyeja, u hoq pa më pyetur. E megjithatë, ekrani i Radio Televizionit Shqiptar është hapësirë e pakrahasueshme për mua. Qytetarët paguajnë për të, natyrisht, jo me vullnetin e tyre dhe sfida që nuk marrin përsipër drejtuesit, e që është thelbi i problemit, është si ta bësh publik ekranin e shtetit.

Për mua, ka një arsye pse dikush zgjedh t’i rrijë besnik një njeriu, një ideje, një shije, një ekrani, një publiku, siç ka arsye ai që kërcen degë më degë, për një rrogë shumë herë më të mirë, për një ekran më të mëndafshtë. Falë profesionit dikush ia del të marrë distancë nga realiteti dhe të ushqejë kërkesa që nuk janë thjesht nevoja natyrale për gjumë, seks, ushqim, riprodhim, për të kuptuar se jeta zgjerohet në mister dhe liria është një nga misteret. Dhe misteret nuk janë në eter të shkëputura nga çfarë bën, mbron dhe lufton njeriu përditë.

Ndryshe nga ç’mendon shumica për atë ekran dhe damkat që i vënë, unë jam për mbrojtjen dhe mëkëmbjen e këtij institucioni publik që është një histori e kulturës sonë kombëtare, sado e mpleksur me ideologjinë e regjimit të shkuar, sado i korruptuar dhe i palirë në demokraci. Ai mund të ndryshojë veten dhe perceptimin e të tjerëve për të, në sajë të vetëdijes për lirinë profesionale të individëve drejtues dhe të atyre që punojnë brenda sistemit. Secili mund të kontribuojë për ndryshimin, jo duke e parë profesionin në raport varësie me institucionin, por në raport me cilësinë e punës që bën si profesionist. Në këtë proces, gazetari e ka më të vështirë të administrojë jo aq kontrollin politik, por një mentalitet të tërë shoqëror e kulturor i strukturuar sipas spirales së frikës dhe heshtjes, që natyrisht edhe kjo është e lidhur me kontrollin politik. Është kjo vështirësia kryesore që kam në përditshmërinë time për realizimin e programit, është mentaliteti i djeshëm dhe i sotëm që pengon guximin e njerëzve për të shprehur publikisht atë që mendojnë.

Një nga herët më dështoi emisioni për sindikalizmin në art. Kisha bërë fillimisht një bisedë të gjatë me Sekretarin e Përgjithshëm të Sindikatave të Artistëve, dhe një ditë para xhirimit ai nuk u përgjigj. Është nëpunës në shtet, është vartës i Ministrisë së Kulturës dhe i Bashkisë. E marr me mend hallin e tij. Janë të panumërt njerëzit me të cilët më lidh puna gjatë vitit, në institucione, ngjarje, grupime, rrugë dhe që duan të jenë të padukshëm, anonimë, larg çdo gjëje që i vë para përgjegjësisë publike, sepse edhe përgjegjësinë publike e shohin si diçka që të inkriminon politikisht. Nga ana tjetër, janë forcuar ndjeshëm dhomat e Marrëdhënieve me Publikun, qoftë në institucionet shtetërore, po edhe në frontin privat të “industrisë kulturore”, duke ofruar vetëm një lloj pamjeje, atë që skena dëshiron të shohë e të dëgjojë. Edhe kjo është kufizim i lirisë kolektive të shoqërisë, po aq sa i lirisë individuale të gazetarit. Janë këto hallet profesionale që i bluaj përditë sepse nuk të jepet kurrë mundësia t’i ndash me publikun, sepse puna ime është publiku.

Janë zhgënjyese qëndrimet e shoqatave të gazetarëve që reagojnë vetëm për vënie gjobash e çështje pagesash, siç ishte së fundi ajo dy gisht letër për të larë gojën për “bashkëpunëtorët e jashtëm” të Radio Televizionit Shqiptar. Dhe nuk merrej vesh, për kë e kishin fjalën, për gazetarë apo për zjarrëfikës.

Një gazetari me të ardhurat që merr sot i duhet të sforcohet pa t’i dalë llogaria për të mbajtur familjen dhe shëndetin në normalitet, për të udhëtuar e pushuar. Si çdo qytetar. Si shumica e qytetarëve. Me ndryshimin se, një gazetar është për shoqërinë parakusht për ruajtjen e një ndërgjegje të lirë. Nëse një popull nuk ngrihet për poshtërsitë që i bëhen, është gazetari që e bën në emër të popullit, dhe për këtë ata janë pasuri publike.

Atëherë, ç’praktikë të ndjekësh për të krijuar një burim lirie në këtë vend ku edhe pellgu i thellë thahet/ edhe guri i fortë çahet?

Praktika ime është kjo:

-Shmang propagandën, reklamën, konfliktin e interesit dhe llojin e informacionit të prodhur virtualisht, pa kontakt me realitetin;

-Vëmendje për tema si arti dhe politika, roli i intelektualit, politikat e establishmentit përballë këndvështrimit të krijuesve që punojnë në margjinat e sistemit;

-publikim i rasteve kur kultura nëpërkëmbet, cënohet, kompromentohet;

-jo qëndrim restaurues ndaj trashëgimisë shpirtërore, asaj filmike apo letrare, sepse ka rëndësi të rishikohen dhe krahasohen epokat dhe jo të konsolidohen stampat e klishetë. Në këto raste, provokimi është qëndrim i shëndetshëm për shoqërinë, e cila, për të ruajtur vlerën e qëndrueshme të produktit kulturor të së shkuarës duhet të vazhdojë ta testojë e ta marrë në pyetje atë;

-të shqetësohesh për atë që duhet përmirësuar, por edhe të mos u dorëzohesh, për hir të numrave, shijeve aty për aty të publikut;

-Studioja është vendi ku realiteti gjen një skenë dhe jo skena ku prodhohet një realitet.

-Bashkëbisedimi në studio ndërtohet jo mbi qejfbërjen ndaj të ftuarit. Para se njerëzit të bien dakord, duhet të ezaurojnë argumentet e tyre;

Nga ana tjetër, “Artes” përpiqet të identifikojë në terren individë apo grupime të vogla, që kanë gjetur forma jo thjesht për të mbijetuar, por kushtet e reja të komunikimit me publikun po i përdorin në favor të gjuhës së arteve. Këto burime spontane, zakonisht nuk tërheqin vëmendjen mediatike, nuk kanë joshjen dhe agresivitetin komercial, e që ndoshta nuk do të bëhen kurrë “kulturë zyrtare” dhe e afirmuar. Aq më mirë nëse përvijohen si antikulturë. E pikërisht edhe për këtë, besoj se është detyrë e gazetarit ta gjejë kulturën dhe artin edhe aty ku ndodh sinqerisht dhe sipas fuqive të gjithsecilit, jo vetëm aty ku shfaqet e gatshme për t’u ekspozuar me mbështetje të mëdha financiare e mediatike. Në fund të fundit, në hapësirën e një kuture pa treg, këto dy botë, brenda dhe jashtë institucionit shtetëror, ndërveprojnë pa e ditur, në mënyrë joformale dhe përbëjnë fytyrën e kulturës dhe artit shqiptar bashkëkohor.

Në këtë pikë ndahemi me drejtuesit që kërkojnë populizëm, pëlqim me çdo kusht dhe numra.

Nuk do t’ia thosha të gjitha këto drejtoreshës, po ta takoja. Një pjesë e ka të shkruar në projektin që kam dorëzuar. Shqetësimet me natyrë juridike dhe teknike, ato po, duke dashur të besoj se, modeli i saj i administrimit nuk do të bjerë në matricën e shefit që e drejton institucionin nga shala e kalit. Po të kishte kohë, do t’i thosha edhe diçka. Në fillim të gushtit, kur këmbëngulja për një përgjigje për sezonin e ri, shoh të reklamuar në rrjetet sociale të Televizionit Shqiptar një intervistë të gruas së kryeministrit, shoqëruar me një foto që retushonte moshën pa u dridhur dora. Të njëjtën reklamë, do ta ndeshja në pikat e shitjes së aboneve. M’u duk e pavënd dhe servile, që në hapësirat për produktet publike të RTSh-së, të reklamohet një interviste që zonja nuk e ka dhënë për mediat e RTSh-së, e për më tepër ku ajo, nga ana e saj, reklamon në titull mallin më të shtrenjtë që ka: Liria është pushteti im, thoshte. Kjo puna e lirisë së gruas së kryeministrit, i vetmi person që ai njeh për opozitë në këtë vend, është si të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit.

Së fundi, duke hedhur këto radhë, jam e vetëdijshme për çfarë thotë Orhan Pamuk-u: “Të shkruash, domethënë të zemërosh dikë”. Në kontekstin shqiptar, domethënë të nxitësh armiq dhe hakmarrje.

“Ka ardhur koha që Rama të largohet!” – Protesta në ditën e 70, profesori i njohur amerikan Steve Hanke: Shqiptarët vijojnë revoltën kundër korrupsionit

Profesori i njohur amerikan, Steve Hanke, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat masive që po zhvillohen në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Hanke, i cili mban titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” në Shqipëri, ka mbështetur hapur reagimin qytetar dhe ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta lidhur me projektet e investimeve luksoze në vend.

“Për të 69-tën ditë, mijëra shqiptarë u mblodhën në Tiranë. Protestuesit akuzuan kryeministrin Rama dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, për KORRUPSION. Si Kavalier i Urdhrit të Flamurit të Shqipërisë, është koha që Shqipëria ta braktisë projektin e luksit të Kushnerit dhe që kryeministri Rama të marrë derën e daljes,” shkruan Hanke.

Përmes këtij deklarimi, ekonomisti i njohur ndërkombëtarisht thekson se reagimi i qytetarëve në shesh është një sinjal i qartë se projekti turistik luksoz duhet të anulohet menjëherë, ndërsa kërkon dorëheqjen e kreut të ekzekutivit shqiptar. bw

Korridori 8 ka përfunduar… në letër- Nga Lutfi Dervishi

 

Dje u hapën 7.5 kilometrat e parë të aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII. Lajm i shkëlqyer, por  edhe një rast i mirë për të parë kalendarin e punimeve dhe zotimet që u dhanë publikisht.

Punimet nisën, katër vite më parë, në dhjetor 2022 dhe aksi u nda në tetë faza.

Faza e parë u kontraktua më 5 dhjetor 2022. Afati i punimeve ishte 18 muaj. Sipas kontratës, duhej të përfundonte në qershor 2024.

Faza e dytë u kontraktua në qershor 2023, me afat 24 muaj. Duhej të përfundonte në qershor 2025.

Fazat e tretë dhe të katërt u kontraktuan në dhjetor 2023, përsëri me afat 24 muaj. Duhej të përfundonin në dhjetor 2025.

Katër fazat e fundit, V, VI, VII dhe VIII, u kontraktuan në korrik 2024. Të katërta me afat 24 muaj.

Duhej të përfundonin para një jave.

Jemi në gusht 2026. Afati fillestar i të tetë kontratave ka kaluar.

Në letër, pra, Korridori VIII në aksin Elbasan-Qafë Thanë duhej të ishte sot i kryer.
Portalet dhe rrjetet sociale janë mbushur me “lajmin” e prodhuar nga ministria Infrastrukturës se “janë hapur 7.5 kilometrat e parë”.

Sikur edhe punimet të ecnin me ritmin e postimeve në Facebook, tani jo vetëm do të kishim mbërritur në Qafë Thanë, por do të ishim në Detin e Zi.

Nga Florian Binaj te Blendi Salaj, VIP-at që frymëzojnë prej 70 ditësh në protestë! Mesazhi i Dea Vierit

Protestat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama kanë hyrë në ditën e 70, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje në bulevard, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe hetimin e tij nga SPAK. Prej 70 ditësh, protestuesit kanë shprehur vendosmërinë për të vijuar aksionin qytetar, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në dorëheqjen e Edi Ramës.

Ndër sloganet që pritet të dëgjohen janë: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Atdheu nuk shitet” dhe “Bashkimi bën fuqinë”. Protestuesit kanë paralajmëruar gjithashtu përshkallëzim të aksionit, përfshirë bllokimin e rrugëve, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë. E mes tyre, si çdo natë tashmë ka edhe të famshëm, të famshmë që kanë zgjedhur të reagojnë, kanë zgjedhur të rreshtohen publikisht krah protestuesve.

FLORIAN BINAJ

Duket thuajse e pamundur, që kur bëhet fjalë për një reagim qytetar, Binaj të mos jetë pjesë aktive. Dhe prej më shumë sesa 20 ditësh, Binaj jo vetëm që ka qenë pjesë e marshimit, por ka marrë edhe mikrofonin, duke folur përpara protestuesve. Paparaci ynë e ka fotografuar ku duket se bashku me bashkëshorten e tij, gjithnjë mes protestuesve të tjerë. Jemi të sigurt, që ashtu si qindra mijëra qytetar të tjerë, edhe për aktorin e moderatorin kjo është një kauzë shumë e rëndësishme, ndaj edhe ai nuk ka sesi të mungojë në shesh. Me një dëshirë për të qenë disi më i tërhequr nga mikrofoni, duket se Flori nuk ka dashur të bëjë protagonistin në këtë protestë.

BLENDI SALAJ

Vështirë të themi nëse Blendi Salaj ka munguar një ditë në këto protesta. Gazetari i mirënjohur ka qenë ndër emrat e parë që e ka mbështetur këtë protestë, madje dhe në studio televizive. E kur kanë kaluar 70 ditë, ai ende nuk ka hequr dorë, por përkundrazi, vijon me të njëjtën këmbngulje. Paparaci ynë ka mundur t’i shkrepë këtë foto, duke sjellë një ndër imazhet e tij të vetme, ku shfaqet në protestë. Kjo për faktin se Blendi nuk është nga ata personazhe që do protagonizmin, të paktën në një protestë të tillë. Ashtu si edhe ai vetë e ka thënë në ditët e para të kësaj proteste, ky është marshimi i njerëzve të lirë. Jemi të sigurt, që edhe në ditët në vijim, figura e tij nuk do të mungojë, duke sjellë një shembull mes VIP-ave.

SONILA MECO DHE REZARTA REIMANN

Gazetarja është padyshim ndër emrat, e cila që në ditët e para të protestës u listua në mbështetje të kësaj kauze. Si një penë e mprehtë, ajo ka reaguar shpeshherë në ekran, por edhe në rrjetet e saj sociale. Megjithatë, angazhimin si qytetare, Sonila e ka vijuar edhe në shesh. Këtë herë nuk ka qenë vetëm. Së bashku me të motrën e saj, Rezarta Reimann ato kanë dalë në protestë. Rezarta është një emër mjaft i njohur edhe në politikën europiane. Motra e gazetares dhe moderatores së njohur shqiptare, Sonila Meço, ka kandiduar si anëtare e Këshillit Bashkiak në Nurnberg të Gjermanisë. Ajo është shqiptarja e parë në Gjermani që ka mbajtur postin e këshilltares bashkiake.

RIZARTA HOXHA

E kemi parë që me politikën nuk është se ka ndonjë marrëdhënie të mirë. Ama, kur vendi ngrihet për një kauzë kaq të rëndësishme, edhe Rizarta Hoxha nuk ka sesi të mos bëhet pjesë. Prej disa kohësh edhe blogerja është parë në shesh, teksa zgjedhë që të protestojë për një vend më të mirë për të jetuar. Si një e re që jeton dhe investon në Shqipëri, ajo nuk ka sesi mos të jetë prezente, dhe ti bashkohet qindra mijërave shqiptarve që çdo ditë janë në shesh. Ndonëse pak ka zgjedhur që të ndajë në llogarinë e saj në Instagram, duket se pasditen tashmë ajo e kalon në shesh, aty ku për më shumë se dy muaj shqiptarët po tregojnë një model të ri qytetërimi.

DEA VIERI

Që në ditët e para të nisjes së protestës, Dea nuk ka munguar në shesh. Herë pas here ajo ka shpërndarë edhe copëza nga kjo protestë në rrjetet sociale, duke spikatur edhe me pankartat që mban. Edhe këtë herë, shoëgirli është parë me një pankartë në duar që lexonte “Metamorfoza nuk është të bëhesh insekt, është kur policia i shërben krimit, jo qytetarëve”. Mesa duket, Dea do të vijojë të jetë pjesë aktive e protestës, derisa kërkesat e tyre të plotësohen. Duhet thënë se kjo nuk është hera e parë që shohim Dea kaq aktive apo me pankarta në duar. Mesa duket edhe blogerja është ndër emrat që prej ditësh nuk heq dorë nga kjo kauzë dhe përpiqet të sjellë dhe pankarta ironizuese herë pas here.

Lubonja për gazetën franceze: Rama si Putin. Krimi i organizuar është integruar në qeveri, BE mbyll sytë

“Revolucioni i flamingove” vazhdon në Shqipëri për të protestuar kundër një projekti imobiliar të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trumpit. Një tjetër protestë është parashikuar në Tiranë këtë të shtunë, më 8 gusht. Sipas historianit shqiptar Fatos Lubonjës, popullsia po shpreh kundërshtimin ndaj regjimit kleptokratik që është në pushtet.

 

 

Nga Martin Eteve, LA CROIX

Që prej fundit të majit, Shqipëria po përjeton një valë të gjerë protestash kundër një projekti turistik luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, në lagunën e mbrojtur të Nartës, në jugperëndim të vendit. Përtej vetë projektit, protestuesit tashmë po kundërshtojnë edhe sistemin politik të mishëruar nga kryeministri Edi Rama, në pushtet që prej vitit 2013.

Si duhet lexuar “Revolucioni i flamingove”, që prej dy muajsh po trondit pushtetin shqiptar?

Ajo që i shkaktoi të gjitha këto protesta ishte një video ku shfaqej një protestues duke u dhunuar në Nartë, pikërisht përballë ishullit të Sazanit, ku është parashikuar projekti i Kushnerit. Në video shihet se ai tërhiqet zvarrë në tokë jo nga policia shqiptare, por nga një grup sigurie private, ndërsa policia zyrtare qëndronte në heshtje dhe nuk ndërhynte. Ky simbol, i një shteti bashkëpunëtor me organizata jo transparente, është shumë domethënës.

Nuk bëhet fjalë vetëm për një mobilizim ekologjik. Është një lëvizje që kundërshton një sistem të vendosur në Shqipëri prej 35 vitesh, që nga rënia e komunizmit.

Para vitit 1992, Shqipëria ishte vendi më radikal komunist. Nga pikëpamja ekonomike, ishte një vend tërësisht i kolektivizuar. Por bëhej fjalë për një kolektivizim të imponuar, pa socializëm.

Pas rënies së komunizmit, regjimi që u ndërtua ishte ai i glorifikimit të individualizmit. Shoqëria nuk ekziston, ekzistojnë vetëm individët. Shqipëria erdhi të mishërojë neoliberalizmin në formën e tij më ekstreme. Një neoliberalizëm në të cilin më të fuqishmit nuk vijnë nga meritokracia, por janë njerëz të afërt me pushtetin dhe pjesëtarë të krimit të organizuar.

Që nga vitet ’90, pushteti është sofistikuar disi, ka gjetur metoda më të holla për shfrytëzimin e të tjerëve dhe për mashtrimin, por pa treguar konsideratë për çështjen sociale.

Cilat janë shtyllat mbi të cilat mbështetet pushteti i Edi Ramës?

Edi Rama ka arritur atë që paraardhësit e tij nuk mundën ta bënin: të bashkojë oligarkët rreth vetes. Këta kontrollojnë shumicën e mediave, në një sistem që i ngjan në njëfarë mënyre atij të Putinit.

Nga ana tjetër, ai e ka integruar krimin e organizuar në sistemin e tij. Ka lejuar pastrimin e parave të këtij sektori përmes ndërtimit të pasurive të paluajtshme në bregdet, i cili, sipas tij, është tërësisht nën kontrollin e bandave kriminale. Pikërisht ky sistem është vënë drejtpërdrejt në pikëpyetje nga çështja e Kushnerit.

Por Rama e merr legjitimitetin e tij edhe nga partneritetet me atë që unë e quaj “perandoria perëndimore”, Shtetet e Bashkuara dhe Europa.

Kjo nuk është diçka e re: fati i Shqipërisë është përcaktuar historikisht nga vartësia ndaj perandorive. Ishte Perandoria Osmane deri në shekullin XIX, Italia në pjesën e parë të shekullit XX, dhe më pas Bashkimi Sovjetik e Kina gjatë periudhës komuniste.

Rama është ai që ka ditur të përfitojë më shumë nga marrëdhëniet e tij me liderët perëndimorë. Duke u shfaqur përkrah Macronit, Hollandës apo Melonit, ai ka fituar një kapital të madh politik.

Kjo sot materializohet në hapjen e vendit ndaj investimeve perëndimore dhe në praninë ushtarake. Në këmbim, duhej të ndërtohej një shtet i së drejtës.

Në letër, jemi në rregull. Kemi një lloj pluralizmi politik, kemi media, kemi pak a shumë një treg të lirë dhe një shoqëri civile deri diku funksionale. Por realiteti është ndryshe.

Si shpjegohet mbështetja e ripërtërirë e Perëndimit për Edi Ramën, pavarësisht këtyre mangësive?

Perëndimi nuk ka pasur si objektiv ndërtimin e një shteti të së drejtës në Shqipëri. Ai e ka dashur Shqipërinë si një shtet vartës, për arsyet e veta gjeopolitike.

Dhe Rama e ka kuptuar shumë mirë këtë. Ai është ofruar për të pritur kampet e emigrantëve të kërkuara nga Italia, ka inauguruar një bazë të NATO-s dhe ka pritur kundërshtarë iranianë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Bashkimi Europian toleron gjëra që nuk do t’i toleronte diku tjetër.

Ajo që ka bërë Rama në Shqipëri është deri diku e ngjashme me atë që ka bërë Orbáni në Hungari, nëse lëmë mënjanë qëndrimet kundër emigracionit.

Dhe ndërsa presidenti hungarez është sanksionuar disa herë, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është vënë në pikëpyetje.

Sistemi Rama është pasqyrim i një tendence që po shohim të shfaqet edhe në Perëndim: personalizimi i politikës, mënyra menaxheriale e qeverisjes dhe vënia në pikëpyetje e demokracisë.

Situata në Shqipëri është rezultat i sëmundjes së modelit perëndimor, e cila prek një vend me një sistem imunitar demokratik shumë të cenueshëm.

gsh

Romani britanik që parashikoi “Revolucionin e Flamingove” në Shqipëri

Dy vjet përpara se protestat për Lagunën e Nartës të pushtonin Shqipërinë, shkrimtari britanik Matt Haig botoi një roman që përshkruan një konflikt thuajse identik: një komunitet që ngrihet kundër një projekti luksoz që kërcënon natyrën. A është thjesht një rastësi letrare, apo një histori që pasqyron një realitet gjithnjë e më të zakonshëm?

Si një lexuese e rregullt e veprës së shkrimtarit Matt Haig – me “Biblioteka e Mesnatës” që mbetet libri im i preferuar – ishte krejt e natyrshme të lexoja edhe romanin e tij më të ri, The Life Impossible (Jetë e pamundur).

Botuar në vitin 2024, romani rrëfen historinë e Grace Winters, një mësuese matematike në pension, jeta e së cilës ndryshon papritur pasi trashëgon një shtëpi në Ibiza nga një ish-kolege.

Në përpjekje për të zbuluar misterin e vdekjes së saj të supozuar, Grace përfshihet në një rrëfim ku ndërthuren misteri, fantazia dhe lufta për mbrojtjen e natyrës. Si në shumë prej veprave të Haig, edhe këtu elementi fantastik luan një rol qendror.

Grace zbulon se ish-pronarja e shtëpisë kishte aftësi të mbinatyrshme dhe, pas kontaktit me një forcë misterioze të quajtur “La Presencia”, fillon të përjetojë të njëjtat fuqi.

Megjithatë përtej fantazisë, romani trajton një konflikt shumë real: një projekt luksoz ndërtimi që kërcënon ekosistemin e Es Vedrà-s në Ibiza. Aktivistët përballen me interesa të mëdha ekonomike dhe me politikanë që kanë braktisur premtimet e tyre për mbrojtjen e mjedisit.

Në këtë pikë, ngjashmëritë me Shqipërinë bëhen të pamohueshme. Një investim i madh që rrezikon një zonë të mbrojtur. Leje të posaçme të dhëna nga autoritetet. Akuza për mungesë transparence. Dhe mbi të gjitha, një komunitet që refuzon të heshtë.

“Revolucioni i Flamingove”

Prej muajsh, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Shqipërisë për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz pranë Lagunës së Nartës, një nga habitatet më të rëndësishme të flamingove në Mesdhe.

Projekti, i lidhur me investitorë ndërkombëtarë, mes tyre edhe Jared Kushner, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”, pavarësisht kundërshtimeve të ambientalistëve dhe ekspertëve.

Që nga maji, protestat janë shndërruar nga një lëvizje për mbrojtjen e mjedisit në një mobilizim më të gjerë qytetar. Pankarta me mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Larg duart nga Narta” janë bërë simbol i rezistencës.

Për shumë protestues, çështja nuk lidhet më vetëm me mbrojtjen e një lagune, por edhe me transparencën, mënyrën e vendimmarrjes dhe kufijtë që duhet të ketë zhvillimi ekonomik.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka argumentuar se projekti do të sjellë investime dhe vende pune, kundërshtarët vazhdojnë të këmbëngulin se përfitimet ekonomike nuk mund të justifikojnë dëmtimin e një ekosistemi të pazëvendësueshëm.

Kur letërsia i afrohet realitetit

Kur e lexova “Jetë e Pamundur” në fillim të këtij viti, fundi i romanit më dukej tepër fantastik. Në kulmin e historisë, natyra vetë ngrihet kundër shkatërrimit: kafshë të të gjitha llojeve bashkohen për të ndalur projektin që kërcënon ishullin.

Në atë moment, skena më dukej më shumë simbolike sesa e besueshme. Por ndoshta pikërisht ky ishte mesazhi që Haig dëshironte të përcillte. Përballë interesave të mëdha ekonomike, fuqia e një komuniteti të bashkuar mund të jetë më e madhe sesa duket.

Në Shqipëri nuk ka magji dhe as forca të mbinatyrshme. Ka qytetarë që organizohen, protestojnë dhe kërkojnë të mbrojnë atë që e konsiderojnë pasuri të përbashkët. Ndoshta Matt Haig nuk parashikoi “Revolucionin e Flamingove”.

Por përmes letërsisë, ai arriti të tregojë një histori që po përsëritet në vende të ndryshme të botës: përplasjen mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës. Dhe në këtë kuptim, romani i tij tingëllon sot më aktual se kurrë./ “London Daily”

gsh

FOTOT- Protesta e 69 kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes! Mesazhi në Bulevard për Prokurorinë e Posaçme: SPAK, çfarë pret?

Në ditën e 69-të të protestës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë përcjellë një tjetër mesazh nga sheshi, duke shkruar një mesazh me një thirrje drejtuar Prokurorisë së Posaçme.

Mesazhi lidhet me kërkesat e protestuesve për veprime hetimore ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, ndërsa tubimi vijon prej javësh me akuza për korrupsion dhe keqqeverisje.

  • foto galeri

 

  • foto galeri

 

  • foto galeri

Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu që SPAK të ndërhyjë ndaj zyrtarëve që janë nën hetim për çështje të ndryshme, duke përfshirë edhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila po hetohet për akuza të lidhura me korrupsionin. bw


Send this to a friend