VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gabove rëndë, o Tomor Alizoti… – Nga ADRIATIK DOSTI

By | October 23, 2021
blank

Komentet

blank

Marrëveshjet vetëm në letër midis Kosovës e Shqipërisë

Luljeta Krasniqi – Veseli

Pritjet në kufij, mosnjohjet e certifikatave fitosanitare dhe skanimi i produkteve janë vetëm disa nga pengesat, me të cilat përballet kompania për përpunimin e patates “Pestova”, kur eksporton mallin e saj nga Kosova në Shqipëri.

“Minimumi, çdo dokumentacion që lëshohet në terminalin në Kosovë… pse të mos pranohet në Shqipëri, por të pritet në kufi? Ne eksportojmë në shumë vende të Bashkimit Evropian, por më shumë ka pengesa kur eksportojmë në Shqipëri sesa në BE”, thotë Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie nga Kosova.

Kostoja e kalimit të një kamioni në skaner, për të kontrolluar mallin që ka brenda, është 22 euro.

Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të bërë vitin e kaluar, bizneset kosovare paguajnë rreth dy milionë euro në vit vetëm për skanimin e mallit, përpara se të hyjnë në Shqipëri.

Sipas GAP-it, autoritetet e Shqipërisë u kërkojnë bizneseve nga Kosova t’i noterizojnë edhe certifikatat fitosanitare të prodhimeve – gjë të cilën nuk e praktikojnë shtetet e tjera në rajon, e madje as ato të Bashkimit Evropian.

Për eliminimin e barrierave të tilla tregtare, Kosova dhe Shqipëria, ndër vite, kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje.

Mbi 90 të tilla që kanë në fokus përmirësimin e shkëmbimeve tregtare, janë nënshkruar në shtatë vjetët e kaluar.

Marrëveshje dhe zotime të ngjashme u bënë edhe në mbledhjen e fundit ndërmjet të dyja qeverive, që u mbajt më 26 nëntor.

Por përfaqësues të bizneseve thonë se marrëveshjet e tilla nuk kanë ndikim në terren.

“Autoritetet e të dyja shteteve ende mbajnë në fuqi barriera të ndryshme, që kanë kosto në tregtimin e mallrave”, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

“Është momenti i fundit që të hiqen këto kosto të panevojshme, të tilla si çështja me dokumentet fitosanitare, pastaj kostoja e skanerëve e të tjera”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, probleme të ngjashme iu paraqiten edhe bizneseve nga Shqipëria që eksportojnë në Kosovë.

Dhe barra është rritur edhe më shumë në vitin 2018, kur autoritetet e Shqipërisë e kanë bërë me pagesë autostradën “Rruga e Kombit”, e cila lidh dy vendet.

Pagesa për kamion është nga 17 deri në 23 euro, varësisht kapaciteteve që ka automjeti.

Në tetor të këtij viti, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) kanë matur qëndrimet e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, sa u përket marrëdhënieve mes dy qeverive.

Më shumë se 60 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive nuk kanë pasur ndonjë ndikim në jetën e përditshme.

Në mbledhjen e 26 nëntorit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nëse shikohen marrëveshjet një nga një, “disa prej tyre janë zbatuar plotësisht, disa janë në zbatim e disa kanë ngecur”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshjet e nënshkruara kanë ngecur, por shtoi se do të punohet në zbatimin e tyre.

Marrëveshjet që i nënshkruan ata më 26 nëntor, përfshijnë atë për lehtësime në procedura doganore dhe kontroll të mallrave. Dy kryeministrat thanë se ato do t’i eliminojnë barrierat për të cilat ankohen bizneset.

Ndër vite, Kosova dhe Shqipëria kanë investuar miliarda euro në infrastrukturën rrugore që i lidh dy shtetet.

Vlera e produkteve të shkëmbyera midis dy vendeve dallon. Në vitin 2020, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej afro 200 milionë eurosh, ndërsa Kosova në Shqipëri mallra në vlerë prej mbi 110 milionë eurosh.

blank

Lul, ndërro bravën e rrenave… Nga Agim Xhafka

 

Mbrëmë në “OPEN” nga Lulëzim Basha dëgjova aq rrena sa pandeha se e kishin të ftuar special të 1 prillit. Por deformimi i turpshëm se Berisha i paska thënë, nuk pyes për PD e për demokratët para vetes sime, ma transformoi atë emision si te dekori i atij lokali ku një gjuetar, me çiften në krah e kafen para u thoshte miqve rrotull:

-E, ja kështu. Te guva më doli ariu. E kisha dy metër pranë. Nuk kisha nevojë të merrja nishan se qe ngjitur me mua. E shkrepa çiften dhe ariu u rrëzua me zhurmë. Gjithë ai trup rrinte para meje tani me këmbët lart…

Atë çast i ra celulari. Pasi foli dy sekonda u tha të pranishmëve:

-E ku e lashë?

-Te këmbët lart,-e kujtuan ata.

-Po, sa ngriti këmbët lart unë s’kisha rrugë tjetër, i futa një seks të fortë. Edhe sot e kujtoj atë femër aq të bukur e të kolme.

Kështu dhe Basha. Foli ndryshe dje, ndryshe flet sot, me siguri ndryshe nesër.

Berisha, o i mjerë, deklaroi botërisht se nuk vendos asgjë para dinjitetit të tij dhe të familjes, por ky “gjuetari” mashtrues e transformon siç ia do mideja e ditës.

O Lul, mos ndërro bravën e derës në Fier se kot e ke. Ndërro bravën e rrenave të tua. Se kaq shumë ke thënë sa nuk do çuditet kush kur shumë shpejt të marrësh,ama me meritë të plotë, Medaljen “1-PRILLI”.

blank

Teatri “Migjeni” festoi 72-vjetorin e krijimit

Teatri Migjeni pati ditën e lindjes.

Trupa profesioniste e teatrit “Migjeni” u krijua me 24 Nëntor 1949, në zbatim të vendimit nr. 572 të Këshillit të Ministrave të asaj kohe.

Trupa përbëhej nga një regjisor Andre Skanjeti, tetë aktorë profesionistë Çezarina Çiftja, Antonjeta Fishta, Vitore Nino, Adem Kastrati, Ndoc Deda, Ndrek Prela, Paulin Lacaj dhe Tef Krroqi dhe 12 aktorë gjysmë profesionistë, Tinka Kurti, Bahrije Mani, Fadile Mustafa, Zef Jubani, Lin Gjoni, Enrik Prendushi, Gjovalin Çarkashija, Halim Kali, Kolec Tarfuku, Çesk Vuksani, Muhamet Ulqinaku.

Pjesë e trupës ishte një sufler Palok Kurti, një skenograf Pjetër Deda, dy marangozë Lec Prendi, Kin Marashi, një rekuizitjer Ndoc Bazhdari, një rrobaqepës Ejll Gjushi, një llogaritar Zef Jubani.

Premiera e parë u shfaq më 26 maj 1950. Gjatë 71 viteve, kjo trupë ka realizuar 220 premiera, me një mesatare prej 3.01 në vit. Nga këto 220 premiera ishin 133 drama, 64 komedi, 6 teatër poetik, 4 monodrama, 10 drama dhe 1 komedi për fëmijë.

Në 72 vite kanë interpretuar 92 aktorë profesionistë, nga këto 33 aktore femra dhe 282 aktorë amatorë.

Në 220 premierat kanë kontribuar 70 dramaturgë shqiptarë, nga këto 1 grua, 43 regjisorë nga këto 5 regjisore, 45 skenografë nga këto 2 skenografe, 5 koreografë, 9 kostumografë, nga këto 7 kostumografe.

Sipas teatrit “Migjeni” ky numër është më i madh në realitet, por para viteve ’90 kostumet i kanë dizenjuar skenografët dhe nuk janë shënuar në posterat e shfaqjeve.

Në vitin 2019 teatri “Migjeni” u vlerësua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

blank

Grimcë – Mes të Shejtës dhe të Zakonshmes Nga Denata Rroji

Ishte viti 1963, kur mamën time të sapodiplomume për mësuesi, e caktun me punë në Troshan, një fshat i dëgjum për ateherë ky, i ndodhun në kufi të Shkodrës dhe Lezhës, si me dasht me qenë lidhësi i këtyre dy qendrave të hershme urbane. Shkolla e fshatit ishte vendosë në një ambient të kishës, e ndërsa mësuesit, gjithsejt gjashtë vetë dhe pothuajse të një moshe, pra të sapo shkollum e hedhë në jetë, për me bujtë ishin rregullu po ashtu në një pjesë të qelës së priftit.

Banorët e kësaj zone të nënShkodrës, apo Zadrimës siç thirret ma së shumti ky vend i bekum prej zotit me të mira, ishin mjaft arsimdashës, e pikërisht prej këndej vinte dhe i shumkulturuari Patër Gjergj Fishta.

Mbas jo pak vështirësish e situatash të sikletëshme për të si bijë e një ish familjeje tregtarësh e pronarë tokash, mama arrin me u diplomu, dhe menjiherë edhe me u emru, si duket “falë zotit ma shumë se robit”, me punë në profesonin e vet, të andërrum që në fmininë e saj. Them kjo mrekulli për të erdh falë “zotit”, jo si besimtare që jam a s’jam, por për faktin se shumë shpejt andrra do t’i ndërpritej sa pa fillu me u ba e vërtetë, e mësuesinë nuk do ta linin ta ushtronte ma deri pas viteve 90.

Kisha shkollë apo shkolla kishë e këtij fshati, kishte një hapësirë përqark saj, një si minifermë,me gjedh, shpend e bagëti si dhe disa parcela të punueme me tepër kujdes, mbjellë me lloj-lloj zarzavatesh e perimesh, e anash tyre dru frutorë, hardhi rrushi si dhe plot peme për hije, bukuri e ajër të pastër. Të gjitha këto ishin mbjellë e mbaheshin me shumë përkushtim nga vetë prifti, Patër Filip Mazreku, një klerik ky shumë i njohun e i nderum – (kishte dhanë dikur mësim në kolegjin e juzeitëvë) , por po aq dhe i sulmumë e i dënum ma vonë prej të pafeve, duke mbartë mbi shpinë jo pak por pesë vite të egërta burgu.

Orët e “punës së dorës” zhilloheshin hareshëm jashtë klasës, pikërisht në këtë eden natyror, të lakmueshëm prej të gjithëve ne që rasti na kishte bashku, të mëdhejve e të vegjëlve. Mama mezi çpriste edhe ajo ta drejtonte klasën e saj me katundarë vocrrakë në pastrimin e barnave të këqia, madje edhe me prashitë, por gëzimi ma i madh ishte momenti kur vinte koha me vjelë prodhimet, të tanë bashkë me në krye padër Filipin.

Nuk kishte kalu shumë kohë nga shkuarja e mamës sime si mësuese rishtare në këtë shkollë kishë dhe prifti, Padër Filipi fton të gjithë kolektivin e mesuesve “kojshi” për një vizitë në pjesën tjetër të qelës, apo në hapësirat ku ai banonte. Në dhomën ku mysafirët u ulën, e gjithë faqja përballë derës sa hyje ishte zaptu nga një pikturë e madhe, realizu me bojna uji direkt në mur. Në atë peisazh panoramë dallohej menjëherë nji urë e gjatë dhe e harkume, e ndame në dy pjesë, të cilat ma shumë se pjesë të urës ishin dy periudha jete të vetë patër Filipit, e para e shkollimit të tij për teologji dhe e dyta e ushtrimit të urdhërit t’ shërbyesit të zotit. Numrat e viteve shoqnoheshin përbri me fjalë jetshkrime. Po të afroheshe syni të rrokte ndër to edhe emra nxanësish të dikurshëm të Padër Filipit, të cilëve dikur u kishte mësu muzikë si Zadeja , Daija, Kapedani, etj.

Pasi na sajdisi me fruta të bollshme për atë stinë – tregon mama – për me ba gëzuar na hapi ndër sy nji shishe ven, e cila që nga pamja dukej se ishte shumë e vjetër, le ma kur e provum.

Fillum të prezantoheshim simas radhës së rastit, me emra dhe mbiemra familjesh. U vu re qart se u ndal së pyetmi ma gjatë nji shoqen tonë, e quajtun Hire Mjeda, për të cilën edhe ne vet aty e morëm vesht se ishte e bija e Kolë Mjedës, deputetit të Shkodrës në parlamentin e 1921. Mbasi unë fola dy fjalë për vedin, menjëherë, gati si me dashtë me m’ ndërpre, Padër Filipi më pyeti direkt:- Mbiemni asht shumë i njoftun për mu, a keni t’ bajn me Ruzhdi Beg Bushatin?

Ndërkohe mama ime ishte vet mbesa e tij. Qetë, por me sytë që i morën menjëherë nji xixllim, Ai u shpreh me nji normalitet të habitshëm, se kishin vuajt denimin bashkë dhe për nji kohë madje kishin nda bashkë të njëjten qeli burgu. Kaq dhe nuk foli ma gjatë me mu. Në kohën në vazhdim, e ndjeva dukshëm përkujdesin e veçantë të tij për mua- tregon mama. Më mbante afër, shpesh me ftonte veçant, me pyeste gjanë e gjat՞ e kishte qejf me nda me mu diçka nga e kaluemja. Dija pak për axhën tem n’ at kohë, ndofta ngaqë kishte vdek pak kohë mbasi kishte dalë nga burgu. Dhe siduket, nga bisedat e Padër Filipit për të, axha m’u ba ma i plotë dhe Padër Filipi ma i afërt, saqë ndonjiherë me duket se ishin ba nji, axhapader.

Vjeshta kaloi e bukur në këtë parajsë ku bashkëjetonim njerëz, kafshë e bimsi. Fillun shinat dhe përnjiherë i ftohti u shtru ranshëm. Gjatë dimnit duke mos mujt me shku pranë familjeve tona, ai vend na u ba shpi e dytë.
Mesnatën e Krishtlindjes, Padër Filipi na ftoi me e prit n’ kishë. Ne si grup të rinjsh na vendosi në hapsinën e vogël të katit të dytë, aty nga ku rroknim të gjithë sallën dhe njerëzit që hynin n’kishë. Mesha filloi madhështore, dhe si nji situatë jo aq familjare për disa nga ne, na bani shumë përshtypje , shoqnu kjo me ekzaltime të zashme apo komente mes nesh. Dhe rrallë, përnjiherë edhe me ikje nga situata, zhurmushëm në muhabete për qejfin tonë. Këtë gja e kuptum vetëm atëherë kur pamë se kokat e njerëzve të drejtum nga ne u ngritën disa herë.

Pas meshës, kur u mblodhëm në dhomën e ndenjës të ftum prej Padër Filipit, ishim të gjithë si të mpimë. Entuziasmi na kishte ra e prisnim tan zor për ndonji qortim. Ndërkohe, si me na lexu fund e kry, ai njeri sa autoritar po aq dhe i butë, veshun ngri me veladonin e ceremonisë dhe rrethu prej veglash muzikore, të cilat na I kishte provu herë mas here se i binte mrekullisht të tanave, zuni vend në piano dhe filloi me këndu si nji i ri, të famshmen kanconetë italiane “ la campagnola bella “ . Të gjith u gjallnum si me buton se kanga ishte familjare për ne, e ma se shumti kjo e lumturoi Hiren, që e interpretoi kangen si nji profesioniste me e pase zili të tanë. Kaq u desht, dhe nata e fillueme me solemnitet me u mbyll në të zbardh me hare dhe gëzim për jetën.
Denata

blank

Për një korpus elektronik të hapur të gjuhës shqipe – Nga Rami Memushaj

 

 

Në faqen e internetit të Akademisë sonë të Shkencave është hedhur për diskutim një material prej 43 faqesh me titull “Kuvendi i studimeve albanologjike”, me shënimin “koncept paraprak për diskutim”. Në këtë material, që mendojmë se ka nevojë për plotësime e saktësime, të bien në sy edhe disa vlerësime e pohime që nuk i qëndrojnë së vërtetës, të cilat duhen saktësuar. Duke marrë shkas nga ftesa për diskutim, po ndalemi në një prej këtyre pohimeve që gjendet në faqen 14 të dokumentit,  në pjesën ku flitet për përpunimin kompjuterik të materialit gjuhësor të shqipes. Lidhur me korpuset elektronike, aty thuhet: “Një nga korpuset më të pasur (duhet: të pasura!), me mbi 200 milionë fjalë dhe forma të shqipes, arkivuar në rrugë elektronike dhe me kërkime në terren, është krijuar nga studiues të Akademisë së Shkencave të Rusisë. Studiuesit shqiptarë në Universitetin e Kalabrisë dhe në atë të Sicilisë F. Altimari e M. Mandalà, kanë krijuar korpusin e arbërishtes së folur e të shkruar. Korpuse të ngjashme janë krijuar edhe nga studiues që punojnë individualisht, si B. Kabashi (Gjermani).”

Në këtë fragment nuk përmendet korpusi i autorëve të vjetër, nga Buzuku e deri në shek. XVIII, që është përgatitur nga një grup studiuesish nën udhëheqjen e prof. B. Demirajt në Universitetin “Ludwig Maximilians” të Mynihut.

Së dyti, pohimi se korpusi rus ka “200 milionë fjalë dhe forma të shqipes”, nuk është i saktë. Autori i pjesës së cituar më sipër, para se ta hidhte në letër këtë pohim të dëgjuar nga kush di  sekush, duhet ta verifikonte në internet. Aty, që në krye të faqes kryesore të “National Albanian Corpus” (Korpusi Kombëtar i Shqipes) do të mësonte të vërtetën. Në paragrafin e parë të kësaj faqeje thuhet: “Kjo është faqja kryesore e Ueb-it ku ndodhet Korpusi Kombëtar i Shqipes me 31,12 milion fjalë” (This is the main page of the website where the Albanian National Corpus (ANC) with 31.12 million words is located). Dhe këto janë të dhëna të ditëve të fundit, pasi faqja e korpusit përditësohet rregullisht. Pra, jo 200 milionë, por 31 milionë fjalëforma!

Me këtë vërejtje për madhësinë e korpusit rus nuk duam aspak të mohojmë vlerën e tij. Ai është korpusi i parë dhe i vetëm i hapur i shqipes, që vjen si një ndihmesë shumë e çmuar e studiuesve të Akademisë së Shkencave të Rusisë, të cilët e kanë hedhur në internet për t’u shfrytëzuar nga kushdo që merret me studimin e gjuhës shqipe. Jo vetëm kaq, por gjuhëtarët rusë kanë demonstruar me studime të vetat edhe se si mund të shfrytëzohet ky korpus për studime leksikore, semantike, morfologjike e sintaksore. Në kushtet kur kartoteka e Institutit të Gjuhësisë në Tiranë jo vetëm që është e varfër, me vetëm rreth 5,5 milionë skeda (dmth. fjalëforma), po edhe praktikisht e pashfrytëzyeshme, korpusi rus mbetet, tani për tani, e vetmja “kartotekë” elektronike e shqipes dhe shumë më e pasur se kartoteka jonë. Veçse gjuhëtarëve shqiptarë u duhet të mësojnë se si ta shfrytëzojnë këtë burim të pasur të dhënash për studimet e tyre.

Korpus me rreth 200 milionë fjalëforma (që tani po shkon në rreth 250 milionë) është ai i krijuar nga dr. Besim Kabashi (i ndihmuar me tekste kryesisht letrare nga autori i këtij shkrimi), specialist i gjuhësisë kompjuterike në katedrën e korpuseve dhe të gjuhësisë kompjuterike të Universitetit “Friedrich-Alexander” të Erlangen-Nyrenbergut në Gjermani. Por edhe ky korpus, ashtu si korpusi i arbërishtes së shkruar e të folur dhe korpuse të tjera të shqipes të krijuara nga shqiptarë ose të huaj, është i mundshëm për t’u përdorur vetëm nga një rreth shumë i ngushtë specialistësh. Ndryshe nga korpusi rus, që ka vetëm analizues morfologjik (që tregon se ç’pjesë ligjërate është një fjalë e fjalisë dhe kuptimet e saj gramatikore), korpusi i dr. Kabashit ka edhe analizues sintaksor (që tregon edhe se ç’gjymtyrë fjalie është një fjalë), gjë që e bën më të pasur me informacion dhe më bashkëkohor.

Akademitë tona të Shkencave dhe institutet e gjuhësisë nuk mund të mburren me miell hua. As fjalorë nuk mund të bëhen duke u mbështetur në një korpus me 30 milionë fjalë. Edhe për të hartuar një fjalor të mesëm të shqipes nevojitet një korpus shumë më i madh. P.sh., autorët e fjalorit “Collins Cobuild English Language Dictionary” (1987), që është fjalori i parë i anglishtes i mbështetur në një korpus elektronik, në librin që shoqëron botimin e parë të këtij fjalori me rreth 40-45 mijë fjalë, thonë se për hartimin e të cilit u shfrytëzua një korpus prej 200 milionësh fjalësh.

Pra, nevoja për një korpus kombëtar të shqipes, të shfrytëzueshëm prej kujtdo e ngado dhe të bërë nga shqiptarët e në trevat shqiptare, është bërë urdhëruese. Për këtë duhet një bërthamë shkencore me gjuhëtarë e informatikanë. Përvoja ruse tregon se për krijimin e korpusit të shqipes kanë bashkëpunuar 12 specialistë. Meqenëse tek ne asnjë institucion nuk i ka forcat për një sipërmarrje të tillë, këtij qëllimi mund t’i arrihet nëpërmjet bashkëpunimit të forcave shkencore që merren me gjuhën shqipe, kudo që të jenë ato.

Jemi shprehur disa herë në shtypin shkencor për ngritjen pranë ndonjërit prej instituteve të gjuhësisë apo akademive e një bërthame kërkimore me gjuhëtarë e informatikanë, të pajisur me bazën e nevojshme kompjuterike, të cilët, nën drejtimin e një specialisti të gjuhësisë kompjuterike, do të punonin për krijimin e një korpusi të hapur të gjuhës shqipe. Ky do të ishte një investim me vlerë të pallogaritshme për të ardhmen e gjuhësisë shqiptare.

blank

Artistja e madhe Fifi, Vëllai i Madh dhe “shtrigat” e vogla Nga Laureta Petoshati

Në jetën time nuk më kanë pëlqyer kurrë Reality shows, sidomos ato që kanë të bëjnë me takimet, apo njohjet për lidhje dashurore.

Dhe në këtë pikë i kam dhënë të drejtë publicistes polemiste Elona Caslli, sepse sipas meje dashuria kalon nga shpirti dhe vetëm me shpirtin nuk bëhen eksperimente.

Gjithsesi në ditët e mia përpara kompjuterit , ndërsa unë shkruaj më shoqëron muzika dhe një këngë shqiptare para një viti e ca më goditi.

Ishte kënga “Marova”,e kënduar nga Fifi. Mbas kësaj kënge, Fifi u fut në këngëtaret e mia të pëlqyera pa ndonjë ekzagjerim dhe pa më interesuar të dija më shumë për të. Këtë muajin e fundit, ndërsa televizionet tona gjëmojnë nga politika e sidomos nga fenomeni “Foltore”, u ndesha me një titull: “Fifi kompozon një këngë të re brenda në BBV”.

Pra Fifi nuk ishte thjesht këngëtarja me zërin e bukur, por dhe poete e kompozitore, me një fjalë kantautore! Më dha një ndjesi të madhe krenarie, nuk e di pse Fifi m’u duk me një Adelë shqiptare.

U bëra dashamirësja e saj, pra ndjekëse e saj, kur në fakt duhet ta bëja këtë gjë për Donaldin, nipin e shoferit të hershëm Musa Veshaj, sepse ai është vlonjat si unë, aq më tepër e mbaj mend bashkë me binjakun e tij me patina që bënin gara përgjatë shetitores dhe që vjen nga një familje shumë e mirë dhe me tradita në Vlorë.

Madje Donaldi është njësoj si Fifi, se rrugën e jetës e ka çarë me krahët e tij dhe pa ndihmën e askujt. Zgjodha Fifin se vetë jam poete dhe kush më mirë se unë do ta kuptonte atë! Fifi është më zemërbardha, më e sinqerta dhe më punëtorja në BBV! Fifi është artiste shumëdimensionale: është jo vetëm kantautore, por dhe regjizore dhe aktore.

Pra ajo nuk është si këngëtaret, apo VIP-at e tjera aty: është më e ndjeshme sepse truri i saj punon në shumë anë dhe kjo gjë e lodh shumë emocionalisht. Fifi nuk është si të tjerat aty, sepse ajo në moshë shumë të vogël ka përjetuar nëse jo drejpërsedrejti, emocionet e luftës, ku familja e saj mund të ketë pasur dhe të vdekur prej saj.

A e keni parë si i këndon Fifi këngët për Adem Jasharin, apo këngët e Kosovës?! Me lot në sy. Ajo po aq e ndjeshme është dhe për mirëqenien e djemve nga Kosova, të cilët ajo i quan “të mitë”, sepse dhe ata janë të moshës së saj dhe kanë përjetuar dhe ndjerë të njëjtat gjëra.

Këtë lloj soilidariteti njerëzor ne vlonjatët e ndjejmë sepse historia e Luftës së Vlorës dhe shfarrosja e mbi 600 djemve vlonjatë në kampet e përqëndrimit nazist, ende kanë shenjën e dhimbjes, por dhe të solidaritetit njerëzor, sepse sot e kësaj ditë e quajmë njëri-tjetrin vëlla apo motër.

Para pak ditësh PM, DJ i futur aty së fundmi, tregoi një episod tronditës. Ai ishte ende fëmijë kur forcat paramilitare serbe hapnin me tokmakun e pushkës dyert e shqiptarëve dhe ai ishte ndodhur te dera. Ky episod dhe mërzitja, që i shkaktoi atij qëndrimi i luhatur i Sarës, e cila nuk është aq artiste dhe aq e hapur sa Fifi, e shqetësuan Fifin dhe ajo shpërtheu. Por ndaj Fifit u zbraz një bateri fjalësh nga opinionistja, të cilës nuk dua t’ia përmend emrin.

Ajo mund të jetë opinioniste, apo njeri i ndjeshëm, por pa takt. Sepse dhe ajo donte të tregonte “trimëri” ndaj Fifit, sepse këtë gjë nuk e bënte dot me Semin, se mos mërziteshin karvani i të njohurve të saj të përbashkët jashtë.

Nuk e bënte dot me Beniadën kur i tha Monikës “katile”, sepse Beniada ka mbiemrin “Nishani” dhe është familje ish presidentësh, po ashtu nuk mund ta bënte me Enxhi Shkirën, vajzën e piktorit të dëgjuar se nuk i dihej se çfarë lidhjesh do të dilnin. Si iu duk sjellja e Enxhit me fjalët ndaj Monikës? Por lista është e gjatë. Njerëzit që nuk janë artistë në shpirt dhe që për më tepër i kanë gjetur dhe ca gjëra të gatshme në jetë, nuk mund ta kuptojnë një njeri artist të vërtetë.

Nëse i duhet ti thuheshin gjëra Fifit, i duheshin thënë me takt, jo me tendencë. Në ato çaste m’u kujtuan fjalët e poetes së madhe amerikane Maya Angelou që thotë: “njerëzit mund të harrojnë atë që ke thënë, mund të harrojnë atë që ke bërë, por nuk mund të të harrojnë kurrë se si i ke bërë të ndihen”.

Si mund të jetë ndjerë Fifi kur i thuhet se “ndërhyrjen mes Sarës e Pajtimit po e bën për vëmendje.” Natyrisht që nuk është ndjerë aspak mirë. Ka pësuar çrregullimi akut të stresit, që të çon në gjendje të fikti, apo të vjen për të vjellë menjëherë.

Këtë gjë e ka pasur dhe Emily Dickinson e shumë poetë të tjerë dhe është e lidhur me njerëzit krijues, të cilët sipas neuroshkencëtares Nancy Andreasen, “mund të kenë probleme me filtrimin ose mbylljen e stimujve të shumtë që rrjedhin në tru”.

E meqë kemi të bëjmë me artistë, pra me njerëz jashtë formatit të zakonshëm, aty duhet që të jenë opinionistë njerëz psikologë e sociologë si Gëzim Tushi, Denada Toçe, Nora Malaj, etj. Pra, ju “shtriga” të vogla që jepni dhe opinione nëpër studjo të ndryshme, mjaft u morët me një artiste, merruni me veten tuaj, merruni me silikonin, me zbrazëtinë, me fjalët tuaja në shqipen “Esperanto sallatë mikse”, me bullizmin! Mjaft e bëtë të sëmurë Fifin, o ju njerëz të një shoqërie të sëmurë, që jepni mend për atë që nuk jeni dhe që nuk ndjeni!

Ajo është Fifi, e mira, e bukura në shpirt, që simbolizon Kosovën e dalë nga lufta, që edhe me plagë të shumta di të ringrihet, të këndojë, të bashkojë!

blank

Ballkani i Hapur – Kapen 500 kg drogë në Nish, MUPi serb thotë se erdhi nga Shqipëria nëpërmjet Kosovës

Një aksion i policisë serbe në Nish ka rezultuar me sekuestrimin e 520 kilogramëve marihuanë, të ndara në 134 qese, të cilat raportohet se janë gjetur në një automjet mallrash.

Sipas MUP’it serb, kjo sasi droge fillimisht kishte mbërritur në Kosovë përmes Shqipërisë, e më pas është transportuar në Serbi, ku ka qenë e destinuar të shitej, transmeton Gazeta Express.

Të arrestuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ai do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Nish, raporton televizioni publik serb.

Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin, pas këtij aksioni policor u paraqit në një takim me drejtuesit e policisë serbe, duke marrë merita për “luftën e ashpër të MUP’it kundër drogës”.

Kalimi pa pengesa nëpër pikat kufitare është njëra nga pikat themelore të marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në kuadër të iniciativës së quajtur “Ballkani i Hapur”, të cilën e bashkëthemeluan këto tri vende.

blank

AMERIKA FESTON DITËN E FALENDERIMEVE – THANKSGIVING DAY

Voal.ch – „Thanksgiving Day” – „Dita e Falenderimeve“ është ndër festat  më popullore , për të mos thënë më popullorja   në Amerike dhe është bërë  zakon te  festohet  të ejten e katërt  të muajit nëntor, pra sot..

Është historia e një dite të ftohtë në fund të vjeshtës në vitin 1621, kur rreth 50 kolonë anglezë të quajtur pelegrinë të cilët kishin mbijetuar me vështirësi pas dimrit të parë në Botën e Re, ndërsa 50 të tjerë vdiqën morën pjesë në një festë për të korrat me fqinjët e tyre indianët e fisit Wampanoag.

Kjo traditë, me origjinë fetare, opr që sot konsiderohet sekolare, jen prej vitit 1620. Pas të vjelave të vitit 1623, William Bradford, Governatori i Kolonisë themeluar nga baballarët pelegrinë në Plymouth, të Massachusettes, shpalli :

« Të gjithë ju Pelegrinë, me gratë e të vegjlit tuaj, ju ftojmë të vini e të bashkoheni me ne në Pallatin e Parlamentit mbi kodrinë për të degjuar pastorin që t’i thurë lavde e falenderime Zotit të Plotfuqishëm për mrekullitë e tij. ».

Aty ku pelegrinët dhe indianët shënuan të korrat mbi 300 vjet më parë, historia e Falenderimeve është e mbushur me mithe dhe teprime. Për shembull, ngjarja ka mundësi të ketë ndodhur në tetor, më pranë kohës së korrjes së misrit, rreth 90 burra vendas u mblodhën dhe hëngrën me Pelegrinët për tre ditë me radhë.

Pelegrinët ishin separatistë fetarë, një degë që ishte shkëputur nga një sekt strikt i quajtur puritanët, që paraqiten si një grup i ngurtë dhe jo shumë i prirur për festa.

Ata ishin njerëz shumë besimtarë në kohëra shumë fetare. Megjithatë ata vinin nga Anglia e vjetër dhe e bujshme. Ishte pjesë e jetës së tyre që të pinin, hanin dhe të festonin. Nuk diskutohet që ata nuk ishin krejtësisht njerëz që nuk dinin ç’ishte gëzimi”

Në dokumentat e pakta të vitit 1621 thuhet se në tryezë ishin shtruar shpezë, ka mundësi që të ishin rosa dhe pata dhe pa dyshim që nuk ishin gjela deti të shëndoshë që familjet amerikane mbushin dhe pjekin sot. As ilustrimet e tavolinave të gjata të ditës së parë të falenderimeve plot me bukë, kek me kunguj dhe salcë boronicash.

Anglezët i njihnin boronicat. Dhe anëtarët e fisit Wampanoag i hanin. Por ata nuk kishin aq sheqer sa të bënin salcë. Kunguj kishte, por nuk besojhej se mund të bënin kek me kunguj, pasi nuk kishte miell gruri dhe furrën për ta pjekur.

Ka plot  rrëfenja nga koha e të korrave në vitin 1621. Thuhet se Wampanoagët gjuajtën pesë drerë për festën. Por ndryshe nga ç’thuhet në legjendë, ata nuk sollën kokoshka, një lloj misri që nuk ekzistonte në Masaçusets. Ata gjithashtu nuk vishnin kapele me pupla si ato të Indianëve të tjerë. Veshjet e tyre ishin të thjeshta dhe praktike. Pra nuk kishte një fantazi edhe më të madhe të Falenderimeve.

Sipas mitit të krijuar, indianët i mirëpritën anglezët në tokën e tyre, hëngrën gjel deti dhe që atëherë jetuan së bashku në harmoni dhe se bëhej fjalë për festën e parë të Falenderimeve, e para e pasuar nga shumë të tjera më pas. Ideja është që vendasit e pranuan kolonizimin me dëshirë gjë që nuk është e vërtetë.

Aleanca mes Pelegrinëve dhe Wampanoagëve zgjatën vetëm 50 vjet para se traktatet e shkelura sollën si rezultat luftimet dhe gjakderdhjen.

Ka edhe një imazh tjetër të Festës së Falenderimeve që është shumë larg realitetit. Nëpër skica, burrat shfaqen me kostume pelegrinësh: pallto luksoze, këpucë me shkëlqim dhe kapele me rripa me tokëza. Në shekullin e 17-të vetëm të pasurit visheshin me aq ceremoni. Pelegrinët e varfër visheshin me pallto me lëkurë dreri. Pas vitit të vështirë që kishin kaluar, ata me siguri ishin mirënjohës edhe për ato veshje dhe që kishin shpëtuar gjallë. 

Falja Presienciale

Disa ditë para Ditës të Falenderimeve në Shtëpinë e Bardhë zhvillohet ceremonia ku Presidenti fal dy gjela deti. KJo traditë vjen prej kohë të presidentit John F.Kennedy më 1963. Prej vitit 2003, qytetarët amerikanë zgjedhin duke votuar online dy emrat e gjelave që do të falë presidenti. Në vititn 2009 Obama fali gjelin me emrin “Courage”. Në vitin 2010 Presidenti Obama fali gjelat me emrat “Apple” dhe “Cider”, ndërsa për vitin 2011 dy gjelat që fali Presidenti Obama quheshin “Liri” dhe “Paqe”. Më 2012: Presidenti Obama fali Cobbler dhe Gobbler, dy gjela nga shteti i Virxhinias. 2013: Presidenti Obama pardoned Popcorn, (17 kg) turkey nga Minessota dhe Caramel,nga Virxhinia.

blank

Presidentët amerikanë kanë filluar traditën e faljes të gjelave që nga vitet 1800, si pjesë e festës kombëtare të Ditës të Falenderimeve.

 

 

blank

Balloons are paraded down 7th avenue during the 83rd Macy’s Thanksgiving day parade in New York November 26, 2009. REUTERS/Brendan McDermid (UNITED STATES SOCIETY)

 

Dreka tradicionale

Dreka e Ditës të falenderimeve është shumë e famshme, kjo ditë është pushim në gjithë Ameirkën. Pjata kryesore padyshim që është gjeli i detit. Për Ditën e Falenderimeve në SHBA konsumohen rreth 40 milionë gjela deti.

Gjeli i detit gatuhet në mënyra të ndryshme. Në Bregun Lindor gjeli i detit mbushet me midhje, në Jug shoqërohet me kuleçë prej misri, në Veri me Oriz të Egër, tipik amerikan.

Tipike për Drekën e Falenderimeve është edhe salca me boronica. Ëmbëlsirë tradicionale e Thanksgiving Day janë edhe patatet e ëmbla me sheqer, erëza dhe gjalpë, që quhet Yam dhe torta me kungull.

Dita e Falenderimeve ndiqet nga e premtja që njihet si Black Friday, e Premtja e Zezë e që në  SHBA hap sezonin e blerjeve për Krishtlindje./Elida Buçpapaj

 

blank

I arratisur tri herë nga burgjet Evropiane dhe i akuzuar për vrasje, media amerikane flet për Dritan Rexhepin. Si e organizon ‘bosi’ shqiptar shpërndarjen e drogës nga burgu i Ekuadorit

Media prestigjioze amerikane, The Wall Street Journal, i ka kushtuar një artikull të zgjeruar narko-trafikantit shqiptar, Dritan Rexhepi, i cili thuhet se ndodhet i strehuar në një burg në Ekuador.

Rexhepi, është cilësuar si një nga trafikantët më të rrezikshëm në Amerikën e Jugut dhe si personi që me anë të lidhjeve të tij, mbushi pjesën më të madhe të Evropës me drogë. Sipas medias, trafikanti shqiptar e porosiste drogën në Kolumbi dhe nga andej, e fshihte dhe e transportonte në kontejnerë derisa mbërrinte në vende Evropiane, kryesisht, Itali, Belgjikë dhe Holandë.

Policia ka dyshime të forta, se Rexhepi, një pjesë të mirë të porosive i ka kryer nga brenda mureve të burgut dhe këtë e bënte me anë të një telefoni celular.

Operacioni për rrëzimin e rrjetit të tij, i udhëhequr nga Komisionerja e Policisë së Firences, Erminia Del Prete dhe që përfshin prokurorë dhe kolegë vendas në të gjithë Europën, ishte një sukses i dukshëm për autoritetet në kontinent, të cilët po luftojnë për të ndërprerë fluksin. Autoritetet Evropiane të sigurisë, thonë se rrjeti kriminal që drejtonte Rexhepi, i njohur si Kompania Bello, ishte një nga më të mëdhenjtë dhe kjo për ta bënte habit ë madhe, sepse tregonte se si një trafikant nga Shqipëria, një vend i vogël në Ballkan të kishte lidhje kaq të forta.
“Grupet shqiptare janë vërtet të forta,” thotë Francesco Messina, drejtor antikriminal i policisë së Shtetit të Italisë. “Ata kanë pushtuar tregun e kokainës aq shumë sa që tani janë ndër grupet më të forta kundër të cilave duhet të luftojmë.”
Hetimi gjashtëvjeçar përfundoi shtatorin e vitit të kaluar duke shënuar më shumë se 100 arrestime në 10 vende për trafik ndërkombëtar droge dhe sulme. Italia i ka kërkuar Ekuadorit ekstradimin e Rexhepit me akuzën e krijimit dhe drejtimit të një shoqate kriminale transnacionale të angazhuar në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Rexhepi, 44 vjeç, nuk mund të kontaktohej për koment. Avokati i tij në Ekuador u qëllua dhe u vra në prill. Një avokat që e ka përfaqësuar së fundmi në Shqipëri nuk pranoi të komentojë.

Operacioni që çoi më pas në arrestimin e rexhepit nisi në vitin 2014, kur policia ndaloi disa shqiptarë që po konfliktonin për biznesin e prostitucionit. Nga hetimet e atëhershme dhe marrja në pyetje e tyre, u mësua se si funskiononte rrjeti i trafikimit të drogës, i konsideruar si një nga më të fuqishmet.
Ishte viti 2016 ku policia ra në gjurmët e 44-vjeçarit. Ata nuk e kishin dijeni mbi identifikimin e tij, por e zbuluan se ndodhej në Ekuador, nëpërmjet disa bisedave të çuditshme.

blank

blank

“Po dal për ajrosje”, shkroi ai në një mesazh. “Më duhet të fsheh telefonin tim,” tha ai në një tjetër.
Kur në një bisedë tjetër ai përmendi një dënim, zonja Del Prete thotë se ai ishte pas hekurave dhe policia shpejt e identifikoi Rexhepin.
Rexhepi, akuzohet edhe për vrasje. Në vitin 1999, mendohet se ai ka qëlluar me breshëri kallashnikovi një polic, brenda një lokali. Ai ishte paguar për këtë atentat, mirëpo plumbat e lëshuar nga arma e tij vranë edhe dikë tjetër.

Policia e arrestoi Rexhepin vetëm në janar 2006 në kryeqytet, Tiranë.
Po atë mbrëmje, Rexhepi u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje pasi hapi me gisht një bravë me defekt dhe i tha një roje që policia kishte mbaruar punë me të. Një gjykatë më vonë e dënoi në mungesë për vrasje.

Ky ishte i pari nga tri arratisjet nga burgu pasi policia europiane e ndoqi në të gjithë kontinentin për trafik droge dhe akuza të tjera. Në Itali, ai sharroi hekurat e qelisë dhe u arratis. Në Belgjikë, ai shpëtoi duke u ngjitur mbi një mur.
Rexhepi ishte i ndjeshëm dhe ndaj bashkatdhetarëve të tij. Në vitin 2016, kur ai zbuloi se tre shqiptarë ishin arratisur nga një burg i Romës, ai porositi një gomone që t’i priste në bregdetin jugor të Italisë, e prej atje, të shkonin në Shqipëri.
Rexhepi lëvizi para përtej Atlantikut duke përdorur sistemin kinez, ose “paratë fluturuese”, ku paratë e depozituara te një agjent në një vend mund të tërhiqen nga dikush në një vend tjetër, kryesisht pa lënë gjurmë. Ai gjithashtu kursente para në komisione duke përdorur korrierët e tij.

blank

Kultura e kapur nuk është kulturë – Nga Dom Gjergj Meta

Niveli kulturor në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar. Ngarendja pas jetës së përditshme dhe sidomos logjika efiçentiste e jetës, bën që edhe dija e marrë në shkolla të jetë e copëzuar.

Tashmë edhe vetë Universiteti prej shumë dekadash e mban këtë titull në mënyrë abuzive, pasi nuk garanton atë universitas dijesh për të cilat është krijuar. Në fakt, edhe ai është kthyer në as më shumë e as më pak se një shkollë profesionale, në kuptimin që përgatit profesionistë, por jo domosdoshmërisht njerëz të dijshëm; përgatit teknikë të fushave të ndryshme, por jo njerëz të aftë për dijen dhe zhvillimin e saj; plagë kjo që ka prekur universitetet jo vetëm te ne, por edhe në Evropë dhe Amerikë.

Në lashtësi, simboli i diturisë ishte bufi, që gjendej i gdhendur në bibliotekën françeskane në Gjuhadol, i cili ka aftësinë ta rrotullojë kokën 360 gradë dhe po ashtu e nis fluturimin e tij në muzg, çka do të thotë se e di mirë drejtimin që duhet të marrë. Rrotullimi 360 gradë është simboli i universitas-it, i shumësisë së dijeve dhe pikërisht kjo sintezë dijesh mungon te pjesa më e madhe e elitës intelektuale.

Në Shqipëri po ndodh edhe një “fenomen”, sipas mendimit tim shumë shkatërrues për kulturën: rekrutimi i “ekselencës” për llogari të politikës apo biznesit, ndonëse termi “ekselencë” është term që nuk thotë asgjë dhe veç të tjerash është edhe diskriminues.

Kemi parë rëndom se si politika dhe biznesi shohin tek studentët ekselentë një burim për të ardhmen e tyre, por jo për të ardhmen e kulturës apo të vetë individëve. Subjektet që dallohen përgjatë kurrikulumit të tyre akademik, shenjohen menjëherë nga “agjencitë” propagandistike për t’u rekrutuar si ushtarë në fushata elektorale.

Një nga zhgënjimet më të mëdha personale ka qenë kur kam gjetur njerëz, të cilët i vlerësoj për mendjen e tyre, të angazhuar në mënyrë militante nëpër parti politike, duke mbledhur vota ose duke punuar nëpër bodrumet virtuale të partive politike si anonimë perfektë. Ç’trishtim!

Kultura, që do të thotë, gjithnjë sipas meje, kultivimi i mendjes dhe i shpirtit, nuk mund të jetë për përdorim konsumi politik apo propagandistik. Ajo ka një status të vetin autonom, nuk i përkulet asgjëje që dëshiron ta blejë apo më keq ta manipulojë atë. Ky status e bën kulturën shpirtin e një shoqërie, e cila i rri përballë logjikave manipuluese për interesa të vogla të momentit apo një logjike “lobimi” në interes të grupeve ekonomike e politike.

T’i kthesh kulturës statusin e saj si lokomotivë e ndryshimeve domethënëse të shoqërisë, do të thotë të mos e lidhësh atë për fyti me lakun e efiçencës apo më keq akoma, të interesave të ngushta të momentit, por ta lësh të lirë të zhvillohet. Vetëm kështu njerëzit e kulturës do të jenë motori i zhvillimit të shoqërisë./FlasShqip

blank

Koha e Dëshmisë… (Mbi vëllamërinë dhe vuajtjen e Dhélindjes) – Nga REX KASUMAJ

Nëntor 2021, Berlin

 

1.
Krishtërimi është një religjion femëror.

Në fakt, autori i kësaj fjale kishte përherë një distancë përçmuese ndaj botës femnore.

Por ç’do të ketë menduar, vallë, për feminitetin e fesë së krishterë? E flashkët?
Zotmashtruese? E pazonja? Pasionmbytëse?

Megjithatë, Niçe do të mësonte thellë prej saj. “Unë jam dritë, shkruante, dhe kjo është fatkeqësia ime”!

Po a nuk thosh dhe Bibla, qyshkur para tij, se “sa më shumë dije, aq më shumë dhimbje”?

2.
Tani a mund të transponohet në Arenën politike ky çelës i librit të vjetër dhe i mendtarit të madh?

Çdo popull ka kohën e vet të Provës dhe Dëshmisë. Të provës së rëndë dhe dëshmisë për elan vital, e pra për aftësinë e kulturuar të mbijetesës.

Veçse, ka sprova që zgjasin lodhshëm, ikin, pastaj duket se kaluan përgjithmonë e kthehen prapë të egra si kurrë më parë.

Do të lexoja diku se kush zgjohet vonë do vrapojë tërë ditën…

Pikërisht kështu: tek i vonëzgjuari do të trokasë sërish prova ekzistenciale e dëshmisë!

Dhe e gjitha ngjan të ketë lidhje nyjëtuese me një ndjenjë të lartë: dashurinë deri në flijim për atë copë Dhéu të ndarë me uratën e Qiellit!

Më ngjan se Mësimi i interferon krejt natyrshëm me atdhetarinë. Rrjedhimisht pra, sa më shumë atdhédashje, aq më shumë dhimbje!

S’mund t’a besoj, shkruante De Gol (Libri “Kujtime”), se si ndodhi që populli im të harronte aq lehtë vuajtjet e okupimit, gjakut dhe vdekjes, për t’iu dhënë përhumbshëm shfrenisë së jetës.

E, ndaj, dhimbje për zbraztinë, turrin e kamjes, shpesh hajnore, keqvajtjen, indiferencën e, ndryshe nga njeriu francez, dhe për sytë përgjues të trathtisë.

Ndërkaq, s’mund të jetë ndryshe kur Mëmëdashësi rrethohet nga të pabesë e Mefisto të cilët, ngado që të shkojë, i dalin në shteg. Aty ku, tashmë, gjendet në pritë armiku i njëjtë: armiku i tij dhe armiku i tyre!

3.
E, kështu, koha e provës dhe dëshmisë shqiptare vijon ende: përmanente e, poaq, tehmprehtë si thikë e mortit.

Pothuajse çdo dhjetë vjet Koha i thërret Asaj. Dhe ajo, si një cikël negativ i energjisë kozmike, vjen shpejt për të marrë tagrin e vet.

Thënë saktë, atë e thërrasin shqiptarët vetë. Jo të vegjëlit a dertarët e këputur. Por shqiptarët e fronit dhe zhgani i tyre që, si arixhinjë, bëjnë hallakamë për të shuar zërin e mirë të së Drejtës. E që, në vend të tij, të kumbojë deri në shurdhim jehona kujdestare serbe, tek mallkon humbjen dhe bluan revansh të dytë.

Ndonjë tyresh, i
naltëhipur, për ironi, thonë t’mos jetë fare shqiptar. E pse, aherë, të vuaj dramën shqiptare?

Ndaj dhe koha e sprovës dhe dëshmisë, ka një përhershmëri të tillë!

Kushedi, mbase Ai pret t’i thuret dhe një këngë rapsodie. Për bëmat. Heroizmin negativ. Për vëllamërinë epike me vrasësin që, me të përdore, kthehet prapë në vendin e krimit…

Dhe kënga nuk do vonojë. Këtë nder i siguron historia. Deliri i saj arbnor.

S’ka aspak rëndësi nga sazet e Ohrit apo elegjitë e Veriut. Do këndohet një stinë moti deri në vëllamërinë e Re a sprovën tjetër të Dëshmisë!

R.

blank

A po e nxit Kremlini krizën energjetike të Evropës?

Jamie Dettmer

Situata e paprecedentë e energjisë në Evropë do të përkeqësohet gjatë këtij dimri në hemisferën veriore, duke rritur gjasat e racionimit të energjisë dhe ndërprerjes së punës së termocentraleve, paralajmërojnë analistët e kësaj industrie.

Me rritjen e çmimeve të gazit natyror, që i ka bërë prodhuesit dhe familjet të përballen me fatura në rritje, disa janë të shqetësuar se sistemi i integruar energjetik i Bashkimit Evropian mund të kolapsojë, me shtetet anëtare të bllokut që mundohen të mbajnë për vete sasinë e furnizimeve që kanë, duke shkaktuar një tjetër grindje të shëmtuar politike brenda BE-së.

Thierry Bros, nprofesor në Institutin Sciences Po në Paris dhe ish-ekspert i naftës dhe gazit në Ministrinë franceze të Ekonomisë, dyshon se kjo situatë mund të jetë e lidhur me qëndrimin e Kremlinit për të mos shpërndarë furnizimet shtesë të gazit natyror për klientët e BE-së. Ai thotë gjithashtu se zyrtarët rusë po kërkojnë të provokojnë mosmarrëveshje politike midis 27 vendeve anëtare të bllokut mbi furnizimin me energji dhe prodhimin e energjisë.

“Unë mendoj se kjo është ndoshta arsyeja pse Kremlini po e nxit pak më shumë këtë krizë energjetike,” tha ai në një podcast për Natural Gas World, një faqe interneti e pavarur kushtuar çështjeve globale të gazit. “Ne kemi një mekanizëm të bashkuar brenda BE-së, kështu që jemi në gjendje të mbyllim industritë diku për t’u siguruar që banorët të jenë të ngrohtë në shtëpitë e tyre diku tjetër,” tha ai.

FILE - Russian President Vladimir Putin gestures while speaking at the plenary session of the Russian Energy Week in Moscow, Russia, Oct. 13, 2021.

FILE – Russian President Vladimir Putin gestures while speaking at the plenary session of the Russian Energy Week in Moscow, Russia, Oct. 13, 2021.

Në kohë normale gjithçka funksionon pa probleme me mekanizmin e përbashkët energjetik të BE-së, i cili i jep përparësi familjeve mbi prodhuesit, thotë zoti Bros, i cili përfaqësoi Francën në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, ose IEA. Megjithatë, ai paralajmëron se gjatë muajve të ftohtë të ardhshëm, “mund të shohim një zbatim shumë të vështirë të këtij mekanizmi të përbashkët”. Si shembull, ai pyet: “A do të mbyllim disa industri franceze për të ngrohur gjermanët? Apo do të mbyllim disa industri gjermane për të ngrohur francezët?”

Gjigandi energjetik i kontrolluar nga shteti rus, Gazprom, është akuzuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe ligjvënësit evropianë se nuk kanë bërë qëllimisht sa duhet për të rritur furnizimet me gaz natyror në Evropë. Në një postim në Twitter të marten, zoti Bros vuri në dukje, “Për nëntorin, eksportet ditore të gazit nga tubacionet ruse në Evropë janë deri më tani në rënie me 14% kundrejt tetorit”, që në vetvete ishte një muaj rekord i ulët.

FILE - The Lakhta Center, the 87-story skyscraper, headquarters of Russian gas monopoly Gazprom, in St. Petersburg, Russia, June 25, 2021.

FILE – The Lakhta Center, the 87-story skyscraper, headquarters of Russian gas monopoly Gazprom, in St. Petersburg, Russia, June 25, 2021.

Gazprom thotë se po përmbush të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj klientëve të BE-së. Por zyrtarët amerikanë i janë bashkuar disa politikanëve evropianë duke i bërë thirrje Moskës të rrisë eksportet e gazit në Evropë. “Realiteti është se ka tubacione me kapacitet të mjaftueshëm përmes Ukrainës për të furnizuar Evropën. Rusia ka thënë vazhdimisht se ka furnizim të mjaftueshëm me gaz për të mundur ta bëjë këtë, kështu që nëse kjo është e vërtetë, atëherë ata duhet dhe duhet ta bëjnë atë shpejt përmes Ukrainës. ”, tha së fundmi Amos Hochstein, një këshilltar i lartë për sigurinë e energjisë në Departamentin e Shtetit të SHBA.

“Rusia ka deklaruar se ka furnizim të mjaftueshëm me gaz për të përmbushur nevojat evropiane për energji,” i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i Departamentit të Shtetit. “Ajo mund dhe duhet të sigurojë furnizime shtesë përmes rrjetit ekzistues të tubacioneve, duke përfshirë Ukrainën. Dështimi për ta bërë këtë kërcënon sigurinë evropiane të energjisë dhe vë në pikëpyetje motivet ruse për ndalimin e këtyre furnizimeve”.

“Ne jemi të shqetësuar se furnizimi është i ulët dhe tregu është i pamjaftueshëm në krahasim me vitet e mëparshme,” shtoi zyrtari. “Nivelet më të ulëta se normale të depozitimit të gazit ilustrojnë rëndësinë e furnizimeve të diversifikuara të energjisë për të përmbushur objektivat e sigurisë energjetike të Evropës. Ne po angazhohemi aktivisht për të rritur sigurinë energjetike të partnerëve dhe aleatëve tanë evropianë.”

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë i ka bërë gjithashtu thirrje Rusisë që të rrisë eksportet e gazit. “IEA-ja beson se Rusia mund të bëjë më shumë për të rritur furnizimet e gazit në Evropë dhe për të siguruar që magazinimi të arrijë në nivelet e duhura në përgatitje për sezonin e ardhshëm të dimërit,” tha ajo në një deklaratë të fundit.

Rritjet e mëdha të çmimeve të gazit natyror po shkaktohen kryesisht nga një rritje e kërkesës për shkak të pandemisë në Azi dhe furnizimet e ulëta në Evropë, e cila në një moment muajin e kaluar pa një çmim të ri rekord të vendosur kur kontratat e shitjes me shumicë për gazin natyror në nëntor u rritën pothuajse 400 për qind që nga fillimi i vitit. Çmimet e energjisë elektrike po rriten gjithashtu sepse gazi natyror përdoret në të gjithë kontinentin për të prodhuar një përqindje të konsiderueshme të energjisë elektrike.

Disa politikanë evropianë argumentojnë se Kremlini po e përkeqëson qëllimisht krizën energjetike të Evropës si një taktikë për t’i bërë presion BE-së për të përshpejtuar çertifikimin e gazsjellësit të sapo përfunduar Nord Stream 2, i cili anashkalon Ukrainën dhe kalon nga Rusia në Gjermani nën Detin Baltik. Uashingtoni ka paralajmëruar prej kohësh se gazsjellësi Nord Stream 2 do ta bëjë BE-në edhe më të varur për nevojat e saj energjetike nga Rusia.

Por analistë të tjerë ndajnë dyshimin e zotit Bros se Kremlini po teston situatën për të parë nëse mund të krijojë rrethanat për një grindje politike mes vendeve anëtare të BE-së mbi furnizimet me energji. Ata shqetësohen se shtetet anëtare do të refuzojnë të mbyllin industritë e tyre në mënyrë që të sigurojnë që familjet në një vend tjetër të kenë energji për ngrohje.

Pavarësisht Moskës, Evropa ende do të përballet me një krizë të çmimeve të energjisë falë kërkesës globale dhe prodhimit më të ulët se sa pritej të energjisë diellore dhe të erës. Në Britani, më shumë se gjashtë furnizues të gazit natyror kanë falimentuar në dy muajt e fundit, si pasojë e rritjes së çmimeve të gazit dhe një kufizimi qeveritar mbi atë se sa mund ta kalojnë këtë rritje tek konsumatorët. Konsumatorët britanikë do të përballen me rritje të çmimeve deri në disa qindra dollarë për familje. Zyrtarët britanikë po shqyrtojnë t’u japin disa prej kompanive më të mëdha britanike të shitjes me pakicë të energjisë hua të mbështetura nga shteti për t’i ndihmuar të kapërcejnë krizën e çmimeve.

Vendet anëtare të BE-së janë të ndara se cila duhet të jetë përgjigja e tyre kolektive ndaj rritjes së çmimeve të energjisë, me disa vende që duan një rregullim rrënjësor rregullator dhe të tjerët që e kundërshtojnë fuqishëm një gjë të tillë.

Spanja ka mbrojtur reforma të gjera. Ministrja e Energjisë e vendit, Sara Aagesen Muñoz, ka bërë thirrje për një “përgjigje evropiane”. Të tjerë besojnë se shtetet anëtare duhet të krijojnë mjetet e tyre juridike të brendshme. Më shumë se 20 shtete anëtare kanë, ose po planifikojnë, mbështetje të drejtpërdrejtë të të ardhurave, ndihmë shtetërore dhe ulje të taksave për të ndihmuar bizneset dhe familjet e tyre t’i mbijetojnë stuhisë së çmimeve dhe mungesës së furnizimit.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend