VOAL

VOAL

Foto e ditës: Pandorën e vogël e ka marrë malli për gjysh Moikomin dhe shmallet me fotografinë

June 22, 2021

Komentet

Nga Banjska te rrugët e kontrabandës: Kush i kontrollon rrugët alternative në veri të Kosovës?

Sandra Cvetkoviq, Ibrahim Berisha

Baltë, terren i paasfaltuar dhe vështirë i kalueshëm, mes pyjeve.

Kështu duket një nga rrugët alternative në veri të Kosovës, përmes së cilës mund të kalohet ilegalisht nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, aktualisht janë të kalueshme dhjetëra rrugë të tilla, të cilat përdoren kryesisht për kontrabandimin e mallrave.

Një kamion duke lëvizur në njërën nga rrugët alternative.

Një kamion duke lëvizur në njërën nga rrugët alternative.

Materiale ndërtimore, produkte ushqimore, si pije, fruta, perime e mish, cigare, veshmbathje, stoli, parfume, pajisje elektrike dhe produkte farmaceutike hyjnë në Kosovë përmes këtyre rrugëve, duke shmangur pikat zyrtare kufitare dhe doganën.

Aksioni i fundit i madh i institucioneve të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave u zhvillua më 22 tetor, në disa lokacione në veri të Kosovës.

Gjatë tij, dhjetë persona u shoqëruan për intervistim, ndërsa u sekuestruan mallra në vlerë prej mbi 200 mijë eurosh.

Sipas autoriteteve të Kosovës, rrugë të tilla alternative janë përdorur edhe për të futur ilegalisht nga Serbia sasi të mëdha armësh, të cilat u përdorën në sulmin në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Kjo konfirmohet edhe në aktakuzën për këtë rast.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës që ka lidhje të ngushta me ish-pushtetin në Serbi.

Pas sulmit, Policia e Kosovës kishte deklaruar se kishte mbyllur më shumë se 20 rrugë alternative që lidhin Kosovën me Serbinë.

Por, më shumë se tre vjet pas sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të kalueshme së paku 64 rrugë ilegale, që çojnë drejt vendbanimeve kufitare në Serbi, në zonat e Novi Pazarit dhe Rashkës.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë Veton Elshani, ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i cili tani drejton Policinë Kufitare.

Sipas tij, është e pamundur të mbyllen të gjitha këto rrugë, pasi vazhdimisht hapen të reja.

Kjo ngre pyetjen se çfarë ka ndryshuar konkretisht në terren pas sulmit në Banjskë, sa i përket përdorimit të rrugëve alternative që shmangin pikat zyrtare kufitare.

“Nuk mund të ndërtojmë një mur kinez në kufirin me Serbinë”, thotë Elshani, duke shpjeguar përse institucionet përgjegjëse të sigurisë nuk arrijnë t’i mbyllin këto rrugë.

Veton Elshani, shef i Policisë Kufitare në Kosovë.

Veton Elshani, shef i Policisë Kufitare në Kosovë.

Përveçse u përdorën për sulmin në Banjskë, këto rrugë shërbyen edhe për tërheqjen e grupit të armatosur prej rreth 45 personash.

Shumica e tyre, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë në liri.

Deri më tani, drejtësia e Kosovës ka dënuar tre serbë lidhur me këtë rast.

Dy prej tyre, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, u arrestuan gjatë sulmit në Banjskë, ndërsa i treti, Dushan Maksimoviq, u arrestua më vonë.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës për vlerësimin e kërcënimit nga krimi i organizuar, të vitit 2025, rrugë alternative ose ilegale që përdoren për kontrabandë, ekzistojnë edhe pranë kufijve me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Megjithatë, raporti thekson se zona kufitare në veri të Kosovës ka qenë gjithmonë problematike sa i përket kontrabandës.

Përveç mallrave, përmes saj janë kontrabanduar edhe armë e drogë, si dhe është zhvilluar trafikim i qenieve njerëzore.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke kontrolluar automjete pranë kufirit me Serbinë.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke kontrolluar automjete pranë kufirit me Serbinë.

Sidoqoftë, sipas raportit, këto forma të kontrabandës janë më të kufizuara krahasuar me vitet e mëparshme.

Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se rrugët alternative që çojnë drejt kalimeve ilegale kufitare me Serbinë, duhet të mbyllen, duke pasur parasysh përpjekjet e mëparshme për destabilizim.

Sipas tij, mbyllja e tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë e Kosovës.

“Këtu nevojitet bashkëpunim, ndër të tjera, edhe me KFOR-in, pasi Policia e Kosovës mund të mos ketë kapacitete të mjaftueshme për t’i mbyllur të gjitha këto rrugë. Prandaj, edhe KFOR-i duhet të ofrojë ndihmë dhe ndoshta duhet të kërkohet mbështetje edhe nga institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë”, thotë ai.

Kush i kontrollon rrugët alternative?

Policia e Kosovës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se rrugët alternative në veri të Kosovës “identifikohen dhe vlerësohen vazhdimisht”.

Kosova dhe Serbia kanë një vijë kufitare rreth 350 kilometra të gjatë, mbi 60 për qind e së cilës shtrihet në komunat veriore të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe.

“Mbyllja e tyre kërkon masa fizike dhe operative, ndërsa ndryshimet në terren dhe hapja e rrugëve të reja e bëjnë të domosdoshme mbikëqyrjen e vazhdueshme”, thotë Policia.

Një veturë e Policisë së Kosovës duke qarkulluar në njërën nga rrugët alternative.

Një veturë e Policisë së Kosovës duke qarkulluar në njërën nga rrugët alternative.

Sipas saj, Policia Kufitare dhe KFOR-i, i cili është përgjegjës për sigurinë e kufirit të Kosovës me Serbinë, bashkëpunojnë dhe koordinojnë aktivitetet në terren, në përputhje me mandatet dhe përgjegjësitë e tyre.

KFOR-i, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se është në dijeni të ekzistencës së rrugëve alternative në zonat pranë vijës kufitare, por thekson se vetëm fakti që një rrugë ekziston ose është e kalueshme, nuk do të thotë se ajo përdoret për veprimtari të paligjshme.

“Policia e Kosovës ka përgjegjësinë kryesore për zbatimin e ligjit dhe hetimin e aktiviteteve të dyshuara kriminale. KFOR-i e monitoron situatën e sigurisë përmes një sërë aktivitetesh dhe bashkëpunon ngushtë me institucionet përkatëse të sigurisë”, thuhet në përgjigje.

KFOR-i thekson, gjithashtu, se misioni i tij mbështetet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pengesa betoni në vend të kalimeve kufitare

Pengesat prej betoni, të cilat autoritetet e Kosovës nisën t’i vendosnin në kalimet ilegale kufitare pas sulmit në Banjskë, mund të shihen edhe sot në urën mbi Liqenin e Ujmanit, në Bërnjak të Zubin Potokut.

Kjo urë ndodhet në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk është pikë zyrtare e kalimit kufitar.

Ura mbi Ujman, në Bërnjak.

Ura mbi Ujman, në Bërnjak.

Policia e Kosovës i lejon automjetet të kalojnë aty, duke anashkaluar pengesat, por nën kontroll të shtuar.

Një banor i zonës, i cili pranoi të fliste për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, kundërshton mbylljen e rrugëve alternative drejt Serbisë, pasi, sipas tij, një gjë e tillë ua vështirëson lëvizjen banorëve.

Ai shpjegon se banorët nuk janë kundër luftimit të kontrabandës, por kontrollet e shtuara policore u shkaktojnë frikë, pasi nuk kanë besim të mjaftueshëm tek autoritetet e Kosovës.

“Këtu askush nuk merret me kontrabandë apo me ndonjë veprimtari të paligjshme. Kanë mbetur njerëz të moshuar, të pafuqishëm dhe pak fëmijë në shkollë. Kur vjen policia, fëmijët frikësohen, sepse ka pasur kontrolle dhe arrestime. Njerëzit janë shumë të frikësuar”, thotë ai për REL-in.

Ai, personalisht, nuk ka ankesa për sjelljen e policisë, por shpreson që pengesat prej betonit të hiqen nga ura në Bërnjak.

Pengesat e betonit para urës.

Pengesat e betonit para urës.

Elshani, nga Policia e Kosovës, thekson se pikërisht në këtë urë i kishte anashkaluar pengesat edhe një kamion që u kap gjatë një aksioni kundër kontrabandës.

Ai thotë se mallrat e kontrabanduara nuk mbeten vetëm në veri të Kosovës, por shpërndahen edhe në tregjet në jug të lumit Ibër.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë i tha Radios Evropa e Lirë se nga janari i vitit 2024 deri në tetor të vitit 2026 ka trajtuar gjithsej 106 raste të kontrabandës së mallrave.

Prej tyre, 81 raste kanë marrë një epilog: në dy janë pushuar hetimet, ndërsa në të gjitha rastet e tjera janë ngritur aktakuza.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Prokurorisë Speciale të Kosovës për të mësuar nëse është identifikuar ndonjë grup apo rrjet i organizuar kriminal, që merret me kontrabandë përmes rrugëve në veri të vendit, por nuk mori përgjigje.

Si është situata e sigurisë pas sulmit në Banjskë?

Misioni i KFOR-it vlerëson se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është përmirësuar që nga sulmi i armatosur në Banjskë, në vitin 2023.

Si rezultat i këtij përmirësimi, KFOR-i ka paralajmëruar nisjen e procesit të riorganizimit të pranisë së forcave të tij.

“Qëllimi i këtij procesi është të sigurojë që KFOR-i të mbetet i përgatitur siç duhet për përmbushjen e detyrave të tij. Procesi është në vazhdim dhe po zbatohet gradualisht e me kujdes. Ai bazohet në kushtet në terren dhe mund të rishikohet ose të anulohet nëse zhvillimet e sigurisë e arsyetojnë një gjë të tillë, veçanërisht nëse ato mund të ndikojnë negativisht në sigurinë afatgjatë të Kosovës dhe në stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, KFOR-i thekson se situata në veri të Kosovës dhe në zonat pranë pikave kufitare me Serbinë vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e vlerësimeve të tij për sigurinë.

Një automjet i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Një automjet i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Për këtë arsye, misioni zhvillon rregullisht patrullime, vendos pika kontrolli dhe mban dialog me të gjitha komunitetet lokale.

Duke komentuar konkretisht ekzistencën e rrugëve alternative, KFOR-i thotë se “çdo vlerësim i ndryshimeve në rreziqet që lidhen me to, duhet të bazohet në informacione të verifikuara”.

“KFOR-i e vlerëson vazhdimisht situatën e sigurisë dhe koordinohet me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Ne ruajmë kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme”, thekson misioni.

A ka Policia e Kosovës kapacitete për t’i kontrolluar kalimet ilegale kufitare?

Eksperti i sigurisë, Mentor Vrajolli, vlerëson se kalimet ilegale kufitare dhe rrugët alternative paraqesin rrezik për destabilizimin e sërishëm të Kosovës.

“Prandaj, këto rrugë duhet të mbyllen – para së gjithash për të parandaluar kontrabandimin e armëve”, thotë ai.

Kështu dukej njëra nga rrugët alternative në fllim të nëntorit.

Kështu dukej njëra nga rrugët alternative në fllim të nëntorit.

Sipas Vrajollit, para largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në vitin 2022, policia në veri ishte “më besnike ndaj bandave kriminale dhe strukturave paralele të Serbisë”.

Për pasojë, thotë ai, parandalimit të veprimtarive të paligjshme nuk i ishte kushtuar vëmendja e duhur.

“Tani ka një nivel më të lartë përgjegjësie të policisë në këtë pjesë të vendit. Gjithashtu, gjatë punësimit të policëve të rinj, kujdes i kushtohet besnikërisë së tyre ndaj institucioneve, sepse ata duhet të jenë besnikë ndaj qytetarëve, sigurinë e të cilëve e garantojnë”, thotë ai.

Policia e Kosovës duke kryer një kontroll rutinor.

Policia e Kosovës duke kryer një kontroll rutinor.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Elshani nga Policia e Kosovës.

“Banjska është rast i veçantë. Ndodhi sepse nuk kishte kush t’i ndalte”, thotë ai, mes tjerash.

Vrajolli vlerëson se rreziku për sigurinë që paraqesin rrugët alternative në veri të Kosovës mund të eliminohet, nëse normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për këtë nevojitet udhëheqje në Serbi”, thotë ai.

Sipas vlerësimit të tij, Kosova ka bërë shumë për uljen e tensioneve. Megjithatë, ai thotë se pjesëtarët e komunitetit serb vazhdojnë të refuzojnë integrimin dhe pranimin e institucioneve të Kosovës, për shkak të presionit nga Beogradi zyrtar.

Përgatiti: Valona Tela

“Rikthim në Mine Peza: Si arrestohet një gazetar” U shoqërua nga policia gjatë protestës, gazetari holandez rrëfen përvojën në komisariat, nga firmosja e letrave, tek intimidimi, çfarë ndodhi gjatë 5 orëve

 

Iluastrimi marrë nga poster në Instagram

Gazetari dhe shkrimtari holandez Vincent Yūsui van Gerven Oei ka rrëfyer përvojën e tij pas shoqërimit në polici gjatë protestës së fundit në Tiranë, duke përshkruar në detaje pesë orët që kaloi në ambientet e Komisariatit nr. 3, në rrugën Mine Peza.

Në një shkrim të titulluar “Rikthim në Mine Pezë: Si arrestohet një gazetar”, ai sjell dëshminë personale për mënyrën se si u ndalua nga efektivët, përdorimin e sprejit djegës, prangosjen, mungesën e informacionit mbi arsyet e shoqërimit dhe atë që e cilëson si intimidim nga punonjësit e policisë.

Van Gerven Oei e nis rrëfimin me një kthim pas në kohë, në vitin 2010, kur kishte vizituar për herë të parë Komisariatin nr. 3 për të aplikuar për leje qëndrimi në Shqipëri. Ai e përdor këtë përvojë si një alegori për ndryshimin dhe, sipas tij, për regresin e institucioneve shqiptare ndër vite.

Gazetari kujton gjithashtu protestat e 21 janarit 2011, të cilat shënuan fillimin e angazhimit të tij si gazetar që mbulon zhvillimet në Shqipëri. Duke bërë një paralelizëm me situatën aktuale politike dhe protestat e fundit, ai përshkruan atmosferën e tensionuar përpara Ministrisë së Arsimit, përplasjet mes grupeve të ndryshme protestuese dhe ndërhyrjen e policisë.

Sipas dëshmisë së tij, teksa po largohej nga zona e protestës pranë Parkut Rinia, rreth pesë efektivë policie e ndaluan. Mes tyre pati debate nëse duhej ta shoqëronin apo ta linin të lirë, pa i dhënë një arsye konkrete për ndalimin.

ARTIKULLI
Alegoria
Stacioni i Policisë nr. 3, në rrugën Mine Peza, ishte zyra e parë e policisë që vizitova kur u shpërngula në Shqipëri në vitin 2010. Në atë kohë, aty funksiononte Zyra e Migracionit dhe Policisë Kufitare dhe unë shkova për të aplikuar për lejen time të parë njëvjeçare të qëndrimit. Kisha përgatitur të gjithë dokumentacionin, ose të paktën kështu mendoja, dhe hyra në ambientin e pritjes, disi të errët dhe të amortizuar, pranë godinës së paraburgimit. Pas sportelit nuk kishte askënd; punonjësit po pinin kafe. Kur njëri prej efektivëve u kthye – nuk më kujtohet cili, ai “i miri” apo “i keqi” – më priti me një vështrim të habitur dhe kureshtar. Kështu nisi udhëtimi im i parë i gjatë nëpër institucionet shtetërore shqiptare: Ministria e Punës, Dhoma e Tregtisë, Zyra e Tatimeve, Bashkia e Tiranës, në kërkim të dokumenteve të duhura.
Disa vite më vonë, Edi Rama kishte ardhur në pushtet dhe zyra e migracionit ishte zhvendosur në një ambient krejt të ri në Laprakë, me punonjës që dukej qartë se ishin trajnuar me fondet e Bashkimit Evropian. Jo vetëm ambientet dhe punonjësit ishin më profesionalë, por edhe e gjithë procedura ishte më e centralizuar dhe më e thjeshtë. Edhe pse më detyruan të kthehesha disa herë, kishte një listë të rregullt dokumentesh, orare të besueshme pune, një sallë pritjeje dhe shumë emigrantë të tjerë përreth meje që po dorëzonin dokumentacionin e tyre. Ende më duhej të këmbëngulja herë pas here dhe të merrja me vete një “mik”, por, në përgjithësi, përvoja ishte disi më pak aventureske se më parë. Shqipëria po hapej ndaj botës dhe kishte dëshirë të bashkohej me BE-në.

Kohët e fundit, zyra e migracionit është zhvendosur në periferi të Tiranës, në Sharrë, në ambientet stërvitore të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Zyra është e hapur vetëm për një interval të shkurtër, nga ora 12:00 deri në 14:00. Kur mbërrita atje në mes të verës, një grup i madh punëtorësh migrantë nga Filipinet qëndronin të grumbulluar në hijen e pakët që ofronte porta. Disa nomadë dixhitalë të humbur qëndronin matanë rrugës me pluhur, të pasigurt nëse ky ishte vërtet institucioni i migracionit. Nuk kishte asnjë tabelë. Vetë “zyra”, nëse e meriton këtë emër, përbëhej nga dy dhoma pa asnjë shenjë identifikuese dhe pothuajse të pambushura me mobilie, me disa karrige jashtë, ku mund të dëgjoje të shtënat e stërvitjes pranë kazermave të policisë, nën diellin përvëlues të mesditës. Megjithëse kisha përgatitur të gjitha dokumentet e listuara në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në çdo vizitë më dilnin kërkesa të reja, të bërtitura nga punonjës gjithnjë e më armiqësorë dhe të paaftë. Mendova t’i korruptoja, por ndonjëherë thjesht nuk e meritojnë paratë e tua.

E gjithë kjo më kaloi nëpër mendje teksa mbrëmjen e djeshme u ktheva në Stacionin e Policisë nr. 3, në rrugën Mine Peza, në pjesën e pasme të një makine policie, i prangosur me Jonin, një kamerier nga Librazhdi[1], dhe me sytë e verbuar nga një dozë e freskët gazi lotsjellës në formë spreji. Në fakt, këto mendime nuk më erdhën në kokë deri më vonë, kur ndodhesha në qelinë e ndalimit, sepse kur sytë të janë mbushur me sprej djegës, mund vetëm të bërtasësh nga dhimbja dhe zemërimi, ndërsa truri praktikisht ndalon së kryeri çdo funksion të nivelit më të lartë, siç është të menduarit për një alegori të zyrave të migracionit.
2011
Protestat e 21 janarit 2011, të thirrura nga Partia Socialiste e Ramës kundër qeverisë së koalicionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, pas një skandali të madh korrupsioni që përfshinte ryshfete të paguara për Metën, janë pikënisja e karrierës sime si gazetar që shkruan për Shqipërinë.

Më është dashur ta kujtoj shpesh këtë ngjarje teksa kam ndjekur përshkallëzimin e Revolucionit të Flamingove gjatë javëve të fundit: dhunën masive, pa dallim dhe të paligjshme të policisë; talljen e Kryeministrit përballë vuajtjeve të popullit shqiptar dhe deklaratat e tij publike gjithnjë e më të pakontrolluara dhe të çrregullta; si dhe indiferencën e llogaritur të Komisionit Evropian.

Ja disa nga gjërat që shkrova atë ditë, në vitin 2011:
[…] U nisa nga shtëpia rreth orës 14:30 dhe, kur mbërrita pas zyrës së Kryeministrisë, takova disa miq në rrugë, të cilët thanë se ishte një “grusht shteti”, “njësoj si në ’97-ën”. U drejtuam së bashku drejt bulevardit kryesor, por na u desh të ktheheshim për shkak të gazit lotsjellës, i cili, i shtyrë drejt nesh nga era, na digjte fytin dhe sytë. U ngjita në Piramidë për të pasur një pamje të përgjithshme të situatës dhe brenda gjysmë ore pashë pesë makina që u përfshinë nga flakët. Njerëzit në sheshin përpara Piramidës shkatërruan pllakat e trotuarit për të hedhur gurë drejt Policisë Ushtarake që ruante Kryeministrinë. Dëgjoheshin disa shpërthime. […]

Pas rreth një ore me hedhje gurësh dhe shkatërrimit të dy furgonëve të policisë pranë Kryeministrisë, protestuesit nisën një sulm të plotë ndaj Policisë Ushtarake, rreth orës 15:30, duke i detyruar efektivët të tërhiqeshin brenda portës së Kryeministrisë. Dy furgonët e policisë u dogjën. Më pas policia nisi të qëllonte, me sa duket me plumba gome, por në atë moment u detyrova të largohesha nga pozicioni im në Piramidë. Teksa po ecja për t’u takuar me disa miq në një kafene, dëgjova të shtëna armësh (gjysmëautomatike) që vinin nga drejtimi i bulevardit kryesor. Në televizorin e kafenesë pashë se protestuesit kishin çarë njërën prej portave të Kryeministrisë.

Në këtë moment (ora 17:30), protesta duket pak a shumë e përfunduar. Sipas 24 News, bulevardi është pastruar nga protestuesit, por godinat e “Twin Towers” duket se janë plaçkitur. […] Plus ça change! (Sa pak ndryshon gjithçka!)
2026
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, dje u nisa sërish nga shtëpia rreth orës 14:30 për t’u bashkuar me disa miq në protestën përpara Ministrisë së Arsimit. Ishte një pamje e trishtueshme. Disa mbështetës të Partisë Demokratike u drejtonin thirrje përçmuese anëtarëve të Lëvizjes Bashkë, duke brohoritur “Rama në burg, Qori në burg” dhe “Poshtë komunistat”, ndërsa studentët përpiqeshin t’i mbulonin thirrjet e tyre me sloganin origjinal “Rama në burg, Berisha në burg”.

Grupet nacionaliste dhe protofashiste brohorisnin “Shqipëria për shqiptarët, poshtë tradhtarët”, ndërsa studentët përgjigjeshin me thirrjen “Ne jemi opozita”. Pas gjithë këtyre muajve, protesta në thelb po protestonte kundër vetvetes, përpara godinës së zbrazët dhe të rrënuar të ministrisë. Të gjithë po prisnin. Prisnin diçka. “Rama dorëhiqu!”

Në një moment, disa protestues të maskuar të të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” sollën disa kazanë mbeturinash në vijën e parë, të mbushur me mbetje të djegshme, dhe u vunë flakën në mënyrë ceremoniale. Policia u përgjigj me breshërinë e parë të topave të ujit. E gjithë skena ishte çuditërisht ritualistike, sikur të ndiqte një skenar të provuar dhe përsosur gjatë një periudhe të gjatë kohore. Disa granata me gaz lotsjellës mjaftuan për t’i shtyrë protestuesit nga rruga e Durrësit drejt Katedrales Ortodokse. Prej aty, turma vazhdoi rreth cepit të hyrjes së nxirë të Ministrisë së Mjedisit, drejt Bulevardit të Dëshmorëve të Kombit dhe Kryeministrisë, ku e prisnin disa topa të tjerë uji dhe forca policore të armatosura.

Nuk ndodhi ndonjë gjë e veçantë teksa muzgu ra mbi Tiranë. Të njëjtët të rinj të maskuar mblidhnin gurë dhe i hidhnin drejt policisë. Disa kokteje molotov u hodhën drejt autobotit të ujit, të parkuar në anë të Kryeministrisë. Asgjë nga këto nuk dukej se kishte ndonjë rëndësi të madhe, ndërsa grupe të vogla protestuesish takoheshin dhe bisedonin në bulevard. U gëzova kur dallova disa miq të vjetër, të cilët nuk i kisha parë prej kohësh, si dhe studentë të cilëve dikur u jepja mësim për Alain Badiou-n, por që tashmë ishin rritur dhe ishin bërë aktivistë politikë.

Të njëjtët të rinj të maskuar që kishin qenë më parë, tani po përpiqeshin ta zhvendosnin turmën drejt një pozicioni mes Parkut Rinia dhe Bankës Kombëtare. Disa njerëz përreth meje komentuan se ishte një kurth dhe një diversion, dhe se askush nuk ishte i sigurt nëse këta të rinj ishin vërtet pjesë e protestës apo persona të infiltruar nga qeveria. Por, sapo një turmë nis të lëvizë, nuk ka më si ta ndalosh, ndaj përfundova bashkë me miqtë e mi në trotuarin pranë Parkut Rinia. Po bëhej vonë dhe askush nuk dukej se po lëvizte.

Një mik u largua për të ngrënë darkë, pastaj një tjetër. Pikërisht kur po bëhesha gati të largohesha për takimin tim të darkës, policia nisi të afrohej me autobotët e ujit, ndërsa efektivët ndërhynin nga të gjitha anët, duke kaluar përmes Parkut Rinia. Teksa po ecja drejt shatërvanit, u përballa me rreth pesë efektivë policie të armatosur, të cilët më ndaluan dhe më shoqëruan. Për njëfarë kohe ata debatuan nëse duhej të më arrestonin apo jo. Disa donin të më linin të lirë, të tjerë kërkonin të më merrnin me vete. Askush prej tyre nuk mund të më jepte ndonjë arsye konkrete. Në fund, dy prej tyre më shoqëruan drejt një furgoni policie. Një gazetare tjetër pa që po arrestohesha dhe nisi të bërtiste emrin tim dhe të më filmonte teksa po më largonin. Efektivi në të majtën time e spërkati me forcë me sprej djegës, ndërsa më dha edhe mua një dozë. U verbova menjëherë.

Më shtynë brenda furgonit të policisë dhe më kontrolluan trupin dhe sendet personale. U identifikova, por, natyrisht, një shkrimtar holandezo-kinez që shkruan për Shqipërinë është një objektiv i lehtë për t’u tallur. “Edhe unë kam shkruar një libër!”, më bërtiti njëri prej tyre. “A do të shkruash edhe për ne?” Njëri prej efektivëve, ndoshta pak më i vetëdijshëm për situatën, u tha të tjerëve të pushonin. Më nxorën nga furgoni dhe më futën në një makinë policie, ku më prangosën me Jonin dhe u nisëm. Nga lëvizjet e makinës arrita të kuptoja se po shkonim drejt Stacionit të Policisë nr. 3, në rrugën Mine Peza.

Kur hyra në komisariat, ende nuk shihja dhe ndieja dhimbje të padurueshme. Brenda kërkova ndihmë mjekësore nga kushdo që ndodhej aty, pasi kjo ishte një nga të drejtat e mia. Më lejuan ta laja shkurtimisht fytyrën me ujë të rrjedhshëm, por ende mezi shihja. Askush nuk më lexoi të drejtat dhe as nuk më informoi për arsyen e arrestimit. Më vendosën në një qeli ndalimi. Dhimbja therëse dhe verbimi i shkaktuar nga spreji djegës nisën gradualisht të zbeheshin dhe të shndërroheshin në një dhimbje koke të mpirë dhe të përziera. Por të paktën arrita të shihja sërish.

Shumë shpejt kuptova se bëhej fjalë për një lloj qelie “luksoze”, që më ishte rezervuar për shkak të pasaportës sime të huaj. Disa efektivë hynë brenda për të bërë shaka me “televizorin” (natyrisht, nuk kishte asnjë).

Më vizituan efektivë të gradave të ndryshme, me uniformë dhe pa uniformë, të cilët në asnjë rast nuk mbanin ndonjë shenjë identifikimi. Ata më kërkonin të dhënat personale. Shkrova emrin e babait, të nënës dhe emrin tim në letra ngjitëse, copa të grisura letre dhe shënime në telefon. Një efektiv hyri brenda duke më bërtitur se kishin pamje filmike ku unë hidhja gurë drejt policisë dhe se “shefi” (duke treguar tavanin) do të vendoste për fatin tim. Kërkova të telefonoja ambasadën holandeze, por kërkesa m’u refuzua. Edhe pas disa orësh, ende nuk më kishin lexuar të drejtat dhe as nuk më kishin informuar për veprën penale që pretendohej se kisha kryer.

Më në fund, një efektiv hyri me një fletë në dorë: dokumentin e të drejtave të mia. Ai nuk kishte datë dhe as orën kur më ishin komunikuar këto të drejta. Pa dyshim, ato do të plotësoheshin më vonë, në mënyrë që të përputheshin me çfarëdo ore që do të shënonin si orë të regjistrimit tim. E firmosa. Dhimbja më kishte marrë çdo forcë për të luftuar dhe çdo ndjenjë drejtësie që mund të kisha pasur për t’i rezistuar padrejtësisë. Në vend të tyre kishte ardhur një ndjenjë tjetër: një ndjenjë e tmerrshme.

Sepse në momentin kur pashë efektivët e policisë që po më afroheshin përpara Tajvanit, e dija: do të shkruaj për këtë. Tani e di se si do ta përfundoj librin tim – në burg. Që nga ai moment, pavarësisht dhimbjes, i vetmi interes që kisha ishte të mbaja mend detajet, sa më shumë detaje të ishte e mundur: talljet e efektivëve të policisë; ndjesinë e këmbës së Jonit kundër këmbës sime, teksa makina e policisë i binte borisë për të çarë trafikun; shkallët e vogla për të hyrë në komisariat; pesë palët e çizmeve që pashë kur munda të hapja sërish sytë; drurin e stolit në qeli, i cili ishte bërë me të njëjtat dërrasa që përdoren për tarracat e kafeneve; derën e gdhendur me emra vendesh (Dibra, Kukësi, Has), pseudonime dhe një svastikë; telat elektrikë të ekspozuar; guaskën e tualetit të mbushur me bishta cigaresh; tavolinën në korridorin jashtë qelisë sime, ku dy efektivë, njëri ende i veshur me pajisjet mbrojtëse, plotësonin dokumentet e mia me shkrim dore të ngathët, pa pasur asnjë kompjuter përpara; çantën time dhe shishen e ujit në dysheme, helmetën e bardhë dhe maskën kundër gazit mbi tavolinë; rripin e Jonit; mbështjellësen e çokollatës Milka që kisha ngrënë përpara Ministrisë; shishet e ndryshme të ujit të kthyera në tavëll cigaresh; një televizor pa lidhje, ku shfaqej menuja e kanaleve dixhitale.

Disa efektivë më fotografuan në momente të ndryshme, gjithmonë me telefonat e tyre personalë dhe në poza të ndryshme, me dhe pa maskën time kundër gazit. Por në atë moment nuk kisha më asnjë interes për drejtësinë, as për veten dhe as për dikë tjetër. Mendoja vetëm për një gjë: si ta shkruaja paragrafin e parë të këtij teksti. Psikoterapisti im dikur më kishte ndihmuar të kuptoja se të shkruarit ishte një strategji për të përballuar situata të vështira. Dhe dukej se kjo strategji kishte hyrë në veprim me të gjithë forcën e saj, teksa ecja në rrathë të vegjël brenda qelisë sime VIP.

Në një moment, risia e mbërritjes sime kishte kaluar dhe kisha firmosur një mori dokumentesh, ndaj të cilave çdo avokat i aftë, pa dyshim, do të kishte kundërshtime. Gjatë orëve të mëvonshme të pritjes pa ndonjë aktivitet (ata mund të më mbanin deri në pesë orë), u përpoqa të nisja një bisedë me efektivin e ri që më ruante, të cilin po e quajmë Bledi.

Bledi ishte në fillim të të njëzetave dhe vinte nga jugu i vendit. Ishte bërë pjesë e forcave të policisë vetëm dy muaj më parë dhe e kishin transferuar në Tiranë kur nisën protestat studentore. Bisedat tona ndërpriteshin shpesh nga efektivë të tjerë që hynin në korridor, por sapo ai mbetej sërish vetëm, tregonte mirësi dhe ishte i gatshëm të bisedonte. Po bëhej vonë dhe ai ishte drejt fundit të një turni që, në thelb, kishte zgjatur 24 orë. Të hënën mund të kthehej në shtëpi për dy javë.

Pas hekurave të derës së qelisë sime u shfaq një fytyrë tjetër, ajo e Albës, një punonjëse e Policisë Gjyqësore që fliste anglisht. Ajo do të merrte deklaratën time. Alba më pyeti nëse dëshiroja një avokat dhe unë i thashë se doja të telefonoja ambasadën holandeze. Kjo i shkaktoi një shprehje të lehtë paniku në sy. Meqë në atë orë nuk arritën të lidhen me ambasadën, në fund më lejuan të përdorja telefonin tim për të kontaktuar drejtpërdrejt sekretaren e ambasadës. Kjo duket se pati njëfarë ndikimi dhe më në fund u lejova të jepja deklaratën.

Ndiqja Bledin lart, ku në fund të korridorit një dritare e madhe lejonte të hynte ajër i freskët i mbrëmjes. Ndalova për ta thithur atë ajër. “Qëndro larg dritares”, më tha Bledi. “Herën e fundit, një reper u arratis nga aty dhe, nëse arratisesh ti, ndoshta duhet të hidhem edhe unë.”

Tavolina e Albës ishte e mbushur me dokumente të shënuara “sekret” dhe “konfidenciale”. Lidhja e saj me internetin nuk funksiononte. Tavolina ngjitur ishte e mbushur me shishe me solucion për shpëlarjen e syve.

“Do të më duhej vërtet njëra prej tyre”, bëra shaka.

“Të sekuestruara nga protestuesit”, më tha ajo.

Kush sekuestron pajisje mjekësore? Për të provuar çfarë?

Në mur ishte varur një punim në dru i stilit të realizmit socialist, që paraqiste një banor të maleve të Shqipërisë së Veriut duke gdhendur lule rreth një ylli komunist.

“Të pëlqen kjo gjë?”, më pyeti ajo kur vuri re se po e shikoja.

“Kam shkruar një libër për monumentet komuniste”, i rrëfeva.

Pasi përfundoi dokumentacioni zyrtar, avokatja e caktuar nga shteti më pyeti, ndërkohë që efektivët e policisë ishin ende në dhomë, se çfarë mendoja për protestat.

“Mos u shqetëso”, tha ajo, “ajo e ka përfunduar shkrimin. Mund të flasim lirshëm”.

“Nuk do të të pëlqejë kjo pjesa e fundit”, më tha Alba.

Telefoni im do të sekuestrohej si “provë”.

“Qetësohu pak”, më tha avokatja. “Nuk ke çfarë të bësh. Thjesht firmosi dokumentet.”

Isha i fundit atë natë dhe Alba ishte e lumtur që më në fund mund të shkonte në shtëpi, pas dy muajsh leje mjekësore pa pagesë.

“Tani je i lirë të largohesh.”

Nuk mora asnjë kopje të dokumentit të të drejtave, pa datë, që kisha firmosur më herët, të procesverbalit apo të ndonjë dokumenti tjetër që lidhej me sekuestrimin e telefonit tim celular. Por kisha një letër ngjitëse me numrin e telefonit të avokates. Sigurisht, mund të isha përpjekur të kontaktoja një avokat më të aftë. Por isha i lodhur, i uritur dhe doja të shkoja në shtëpi. Trupat tanë gjithmonë na tradhtojnë.

Bledi më shoqëroi sërish poshtë. Më lejoi të ulesha në korridor, në vend që të kthehesha në qeli.

“Po tani?”, e pyeta.

“Tani presim.”

“Çfarë presim?”

“Që të të lejojnë të largohesh, në mënyrë që unë të shkoj në shtëpi.”

Joni na u bashkua për një cigare. Atij i kishin vendosur një gjobë prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugës.

“A mund të lexosh çfarë shkruan këtu?”, më pyeti.

Babai i tij po e priste tashmë jashtë.

Herë pas here, efektivë të ndryshëm hynin dhe dilnin. Njëri prej tyre, që me sa duket kishte trajtuar çështjen e Jonit, i tregoi këtij të fundit në mënyrë kërcënuese të gjithë dokumentacionin, përfshirë fotografi bardhezi me rezolucion të lartë nga protestat.

“Kemi pamje filmike vërtet të mira”, e ngacmoi ai.

“I keni marrë me dron?”, pyeta.

“Diçka e tillë, afër një droni!”

Efektivi vazhdoi ta intimidonte Jonin në korridor.

“A i ke harruar të gjitha gjërat që Edi Rama ka përmirësuar për ne? Rrugët më të mira, pagat më të larta, arsimin më të mirë? I ke harruar të gjitha këto? Ti vetëm bërtet ‘Rama ik!’ pas gjithë atyre që ka bërë për ty! Madje as vetë nuk e di çfarë kërkon!”

Joni nuk u ndikua.

“Unë dua vetëm të ndryshojë qeveria.”

Efektivi u kthye nga unë.

“Ti, shkrimtar, a nuk kam të drejtë?”

“Pyetja vërtet interesante”, iu përgjigja, “është pse kaq shumë njerëz duket se i kanë harruar të gjitha gjërat e mira që Rama, me sa duket, ka bërë për ta. Pse mendon se ndodh kjo?”

Pak më vonë, kur mbetëm sërish vetëm, e pyeta Bledin:

“Ke qenë edhe jashtë, apo vetëm në zyrë?”

“Sigurisht”, u përgjigj ai, “në fakt, kjo është dita ime e parë brenda.”

“Si ishte të ishe në anën tjetër?”

“Adrenalinë. Shumë adrenalinë.”

Ai bëri një pauzë.

“Çfarë mendon se do të ndodhë më pas?”

Nuk ishte i pari që ma bënte këtë pyetje atë natë.

Askush nuk mund ta përballojë për një kohë të gjatë këtë nivel dhune, as protestuesit dhe as policia. Të gjithë, në çdo krah, janë të rraskapitur. Ende nuk ka asnjë perspektivë bashkëpunimi politik që do të mund të thyente kontrollin e hekurt të Partisë Socialiste mbi pushtetin.

“Nuk ka alternativë”, thonë ndërkombëtarët, teksa pajtohen me “stabilitetin” që ofron Rama. Dhe kanë të drejtë: nuk ka asnjë alternativë të besueshme. Nuk ka asnjë person apo parti që dikush beson se është në gjendje të marrë drejtimin e kësaj përbindëshi shtetëror, të kësaj organizate gjigante mafioze, çdo fije dhe kapilar i së cilës është i ngjyrosur nga trafiku, korrupsioni dhe intimidimi.

Shqipëria është një Titanik i krimit që ende po kërkon ajsbergun me të cilin do të përplaset.

Më në fund, saktësisht pesë orë pasi isha regjistruar në komisariat, u lirova. Më pritën miqtë e mi, të cilët kishin sjellë ushqimet e mbetura nga darka festive që kisha humbur dhe një shishe të madhe me ujin tim të preferuar. Së bashku u kthyem në “Taverna e Kasapit” për të përfunduar ëmbëlsirën.

“Demonstratat studentore, një nga sfidat më të vështira për Edi Ramën”- Media italiane: Të rinjtë protestojnë kundër korrupsionit qeveritar

Protestat në Tiranë vazhdojnë të marrin vëmendjen e mediave të huaja. Kështu media e njohur italiane Sky tg24, shkruan se lëvizja studentore përbën një nga sfidat më të vështira politike të kryeministrit Edi Rama.

Më tej në artikull përshkruhet situata, duke argumentuar se “grupe protestuesish me fytyrat e mbuluara janë përplasur me forcat e rendit, duke bllokuar rrugët dhe hedhur mjete piroteknike në qendër të kryeqytetit”.

Ndërkohë Policia ka ndërhyrë duke përdorur autobotët me ujë për të shpërndarë protestuesit dhe për të zhbllokuar akset rrugore.

Protestat, të cilat drejtohen kryesisht nga studentët dhe nisën në mesin e muajit tetor, janë organizuar kundër korrupsionit në qeveri, mungesës së vendeve të punës dhe reformave në sistemin arsimor.

“Lëvizja protestuese përbën një nga sfidat më të vështira politike për kryeministrin Edi Rama”, thuhet në shkrimin e medias italiane.

Kulla deri në 27 kate në Himarë, kush janë biznesmenët pas projektit Himara Light House?

Një kompleks i madh rezidencial dhe turistik, me ndërtesa që arrijnë deri në 27 kate, është projektuar të ndërtohet në Bashkinë e Himarës. Pas investimit qëndron shoqëria “Himara Light House”, e krijuar vetëm në shkurt të vitit 2026, me një kapital fillestar prej 100 mijë lekësh, ndërsa struktura e pronësisë së saj përfshin disa kompani dhe emra të njohur në sektorin e biznesit dhe ndërtimit.

Projekti është përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), më 30 korrik 2026, duke parashikuar zhvillimin e një kompleksi me funksione rezidenciale, apart-hotel dhe shërbime.

Sipas dokumentacionit të publikuar, projekti përfshin ndërtesa me lartësi të ndryshme, përkatësisht 1, 14, 15, 16, 20, 21, 23, 24, 26 dhe 27 kate, si dhe katër nivele nëntokësore parkimi.


Përmasat e projektit e vendosin atë ndër zhvillimet e rëndësishme të propozuara për zonën bregdetare të Himarës, ku investimet në turizëm dhe pasuri të paluajtshme kanë marrë një peshë gjithnjë e më të madhe.

Megjithatë, nga dokumentacioni publik i shqyrtuar nuk rezulton ende i konfirmuar vendimi përfundimtar i miratimit të lejes së ndërtimit. Gjithsesi, në përgjithësi KKTU, ato vendime që i ka refuzuar i ka zbardhur tashmë si të tilla në faqen e saj zyrtare, ndaj me gjasë ky projekt duhet të jetë miratuar.

Kush qëndron pas Himara Light House?

Nga të dhënat e regjistrit tregtar, të shqyrtuara nga ekofin.al, rezulton se shoqëria “Himara Light House”, me NIPT M61531018I, është themeluar më 11 shkurt 2026.

Shoqëria ka një strukturë pronësie të ndarë mes tre kompanive: EDF – Construction & Management, me 50% të pjesëmarrjes; TREMA TECH, me 30%; si edhe BLUE GALAXY, me 20%.

Administratorë të shoqërisë janë Eduan Baolli dhe Ilir Trebicka.

Struktura e ortakërisë tregon se pas projektit qëndrojnë disa sipërmarrës, të cilët marrin pjesë drejtpërdrejt ose përmes kompanive të tjera.

Aksionerja kryesore, EDF – Construction & Management, është një shoqëri e krijuar më 20 janar 2025, me kapital fillestar prej 500 mijë lekësh.

Në strukturën e pronësisë së saj përfshihen Curri Group, me 37.5%, BONDES Holding, me 37.5%, dhe Flogert Lila, me 25%.

Curri Group lidhet me sipërmarrësin Eduard Curraj, ndërsa BONDES Holding me Dorian Sadikun, të dy biznesmenë të farmaceutikës në Delta Pharma. Ndërsa Flogert Lila rezulton njëkohësisht edhe administrator i EDF – Construction & Management.

Kjo do të thotë se, përmes pjesëmarrjes së EDF-së në Himara Light House, Eduard Curraj dhe Dorian Sadiku zotërojnë secili indirekt nga 18.75% të projektit, ndërsa Flogert Lila 12.5%.

Ilir Trebicka dhe TREMA TECH, 30% e projektit

Një tjetër pjesëmarrëse e rëndësishme në projekt është shoqëria TREMA TECH, e cila zotëron 30% të Himara Light House.

Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, TREMA TECH është themeluar më 8 janar 2008 dhe kontrollohet nga Ilir Trebicka, me 80% të kapitalit, dhe Bledar Trebicka, me 20%.

Trebicka është biznesmen i shumëpërfolur në fushën e ndërtimit, së fundmi edhe i përfshirë në hetimet e SPAK.

Pjesëmarrja e saj prej 30% në Himara Light House përkthehet në një interes ekonomik indirekt prej 24% për Ilir Trebickën dhe 6% për Bledar Trebickën.

BLUE GALAXY dhe pjesëmarrja e Dhimitër Kondakçiut

Kompania e tretë në strukturën e pronësisë është BLUE GALAXY, me 20% të pjesëmarrjes në Himara Light House.

Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, kjo shoqëri është në pronësi të Dhimitër Kondakçiut, i cili, përmes saj, rezulton të ketë një pjesëmarrje ekonomike indirekte prej 20% në projekt.

Në këtë mënyrë, nga zinxhiri i ortakërisë, interesat ekonomike të llogaritura në Himara Light House ndahen mes Ilir Trebickës me 24%, Dhimitër Kondakçiut me 20%, Eduard Currajt dhe Dorian Sadikut me nga 18.75%, Flogert Lilës me 12.5% dhe Bledar Trebickës me 6%.

Një projekt i madh, por sa është vlera e investimit?

Një nga elementet që tërheq vëmendjen është fakti se Himara Light House është krijuar vetëm pak muaj përpara paraqitjes së projektit në KKTU.

Shoqëria ka një kapital fillestar prej 100 mijë lekësh, ndërsa aksionerja e saj kryesore, EDF – Construction & Management, është themeluar në janar 2025, me kapital fillestar prej 500 mijë lekësh.

Një nga çështjet që ngre pikëpyetje është pikërisht vlera totale e investimit dhe mënyra e financimit të tij.

Në dokumentacionin e shqyrtuar nuk është identifikuar një vlerë e konfirmuar e investimit, sipërfaqja totale e ndërtimit apo një plan financiar i projektit.

Pikëpyetje edhe për pronësinë e truallit

Përveç dimensionit ekonomik, projekti është bërë objekt diskutimesh edhe për çështje që lidhen me pronësinë e tokës.

Këshilltarët bashkiakë, të kontaktuar nga ekofin.al, ngritën shqetësime për zhvillimin urbanistik të zonës dhe pretendime për lidhjen e truallit me prona historike të familjes Spiromilio.

Për të përcaktuar statusin juridik të tokës nevojiten dokumentet e pronësisë, numrat e pasurive, historiku i regjistrimeve kadastrale dhe marrëveshjet që i japin shoqërisë zhvilluese të drejtën për të ndërtuar.

Himara përballë zhvillimeve të reja në lartësi

Projekti Himara Light House ngre edhe një diskutim më të gjerë mbi modelin e zhvillimit turistik dhe urbanistik të bregdetit shqiptar.

Ndërtimi i komplekseve me lartësi deri në 27 kate përfaqëson një ndërhyrje të konsiderueshme në peizazhin urban dhe bregdetar, duke sjellë në vëmendje çështje që lidhen me infrastrukturën, furnizimin me ujë, kanalizimet, qarkullimin rrugor dhe kapacitetet e shërbimeve publike.

Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë merr transparenca e procedurave të miratimit, e dokumentacionit urbanistik dhe e të drejtave të pronësisë.

Për Himara Light House, mbeten ende për t’u konfirmuar publikisht vendimi përfundimtar i KKTU-së, sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit, vlera e investimit dhe statusi i plotë juridik i truallit.

Përtej emrave të biznesmenëve dhe kompanive që qëndrojnë pas projektit, këto janë të dhënat që do të përcaktojnë më qartë përmasën, ligjshmërinë dhe ndikimin ekonomik e urbanistik të një prej zhvillimeve të propozuara me lartësinë më të madhe në Himarë. /ekofin.al

Plani amerikan për sigurinë e Evropës: Çfarë mund të ndryshojë për Kosovën?

Valona Tela

Prania e NATO-s në Kosovë nuk pritet të ndikohet drejtpërdrejt nga ndryshimet e mundshme në sigurinë evropiane. Perspektiva e Kosovës për anëtarësim në Aleancë dhe marrëdhëniet e saj të sigurisë me Shtetet e Bashkuara, megjithatë, mund të përballen me sfida të reja.

Kështu vlerëson ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, për Radion Evropa e Lirë, në kohën kur Uashingtoni ka propozuar një kornizë më të gjerë për sigurinë e Evropës, krahas përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Sipas tij, dy çështje mund të kenë rëndësi të veçantë për Kosovën: përpjekjet e Rusisë për të penguar zgjerimin e NATO-s dhe ato për të kufizuar praninë ushtarake amerikane në Evropë.

Propozimi amerikan, i paraqitur më 5 nëntor nga Jared Kushner, i dërguari i presidentit Donald Trump, synon të forcojë konsultimet për sigurinë, komunikimin në raste krizash dhe transparencën ushtarake, si dhe të krijojë mekanizma për uljen e rrezikut të përshkallëzimit të tensioneve.

Nisma vjen në prag të bisedimeve të planifikuara ndërmjet SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, më 10 dhe 11 nëntor, në Abu Dabi.

Trump ka lënë të kuptohet se përpjekjet diplomatike mund t’i hapin rrugë një marrëveshjeje që shtrihet përtej Ukrainës dhe përfshin sigurinë e Evropës.

Kushner, ndërkaq, ka theksuar se NATO-ja duhet të mbetet në qendër të mbrojtjes kolektive evropiane dhe se asnjë shtet nuk duhet të ketë të drejtë vetoje mbi zgjedhjet e sigurisë apo aleancat e një vendi tjetër.

Ende nuk dihet se çfarë do të përfshinte një marrëveshje e tillë, ndërsa nuk ka informacione publike se Kosova dhe KFOR-i janë pjesë e diskutimeve.

Pse KFOR-i nuk pritet të ndikohet?

Për Shean, KFOR-i nuk pritet të preket nga ndryshimet e mundshme në sigurinë evropiane, për shkak të mandatit dhe natyrës së tij paqeruajtëse.

“Nuk do të mendoja se po”, thotë ai, i pyetur nëse këto ndryshime mund të kenë pasoja për misionin e NATO-s në Kosovë.

KFOR-i vepron në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 1999 edhe me votën e Rusisë.

“Moska e vlerëson faktin që KFOR-i është atje kryesisht për të mbrojtur komunitetin serb të Kosovës”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Rusia synon të kufizojë praninë e forcave të NATO-s me armatim të rëndë në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërsa KFOR-i, si mision paqeruajtës, nuk bën pjesë në këtë kategori.

I vendosur në Kosovë pas përfundimit të luftës, KFOR-i ka për detyrë të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet.

Misioni numëron rreth 4.700 ushtarë, pas përforcimit të pranisë në vitin 2023, si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës.

Përmirësimi i situatës së sigurisë, sipas vlerësimit të NATO-s, ka hapur rrugën për një përshtatje graduale të numrit të trupave.

Në qershor të këtij viti, Aleanca paralajmëroi synimin për t’iu kthyer niveleve të mëparshme, në varësi të kushteve në terren.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përmendur si objektiv një prani prej rreth 3.000 deri në 3.500 ushtarësh.

NATO-ja ka theksuar se procesi është i kthyeshëm dhe e ka lidhur atë me vlerësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Nëse Kosova apo KFOR-i janë përfshirë në diskutimet e fundit për sigurinë evropiane, mbetet e paqartë.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, NATO-ja nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë çështje.

Zëdhënësja Allison Hart konfirmoi se përfaqësues të NATO-s, SHBA-së, Ukrainës, vendeve evropiane dhe Bashkimit Evropian u takuan më 5 nëntor në Bruksel, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

E pyetur sërish nëse Kosova ose KFOR-i ishin pjesë e diskutimeve, NATO-ja tha se nuk ka informacione të tjera për të ndarë.

A mund të pengohet anëtarësimi i Kosovës në NATO?

Nëse KFOR-i nuk pritet të preket drejtpërdrejt, zgjerimi i NATO-s është një çështje ku Shea sheh pasoja të mundshme për Kosovën.

Rusia e kundërshton prej kohësh zgjerimin e Aleancës.

Në dhjetor të vitit 2021, para pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, Moska kërkoi garanci që NATO-ja të mos pranonte anëtarë të rinj dhe të kufizonte praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore.

Kërkesa e Moskës për kufizimin e pranisë ushtarake të NATO-s në nivelet e para vitit 1997 është rikthyer në vëmendje, mes raportimeve se Rusia mund ta shtrojë sërish gjatë negociatave për sigurinë evropiane.

Sipas Sheas, Rusia do të përpiqet të pengojë zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s, me Ukrainën si shqetësimin kryesor. Një kufizim i tillë, thotë ai, do të kishte pasoja edhe për aspiratat e Kosovës.

“Kjo do t’i pengonte mundësitë e Kosovës për t’u anëtarësuar një ditë në NATO”, thotë Shea.

Rruga e Kosovës drejt Aleancës, sidoqoftë, është e ndërlikuar edhe pa kërkesat ruse.

Katër vende anëtare – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – nuk e njohin pavarësinë e saj, ndërsa pranimi i anëtarëve të rinj kërkon konsensusin e të gjithë aleatëve.

NATO-ja vazhdon të mbështesë politikën e dyerve të hapura. Edhe propozimi amerikan thekson se asnjë shtet nuk duhet të ketë të drejtë vetoje mbi zgjedhjet e sigurisë apo aleancat e një vendi tjetër.

Kështu, ndalimi i zgjerimit të NATO-s mbetet kërkesë e Moskës, jo pjesë e qëndrimit të shpallur amerikan.

Përveç anëtarësimeve të reja, Shea vlerëson se Rusia mund të përpiqet të pengojë edhe vendosjen e forcave shtesë të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, Moska mund të shqetësohet veçanërisht nëse ndryshimet politike në Serbi e afrojnë Beogradin me Aleancën.

Megjithatë, thekson se Ballkani Perëndimor nuk është ndër përparësitë kryesore ushtarake të Rusisë.

Vëmendja e Moskës, sipas tij, është e përqendruar më shumë në rajonin e Detit të Zi, Poloni, shtetet baltike dhe veriun e Evropës – zona më pranë kufijve rusë.

Çfarë mund të ndryshojë në angazhimin amerikan?

Përtej zgjerimit të NATO-s, një tjetër çështje me rëndësi për Kosovën është e ardhmja e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

Shea kujton se Rusia ka kërkuar edhe më herët tërheqjen e forcave amerikane nga kontinenti.

“Një masë e tillë mund të ndikojë në Kosovë, e cila ka kultivuar gjithmonë marrëdhënie të ngushta të sigurisë me SHBA-në”, thotë ai.

Uashingtoni tashmë po rishikon angazhimet ushtarake në Evropë, duke kërkuar që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit.

Në Kosovë, prania amerikane është zvogëluar gradualisht që nga përfundimi i luftës, më 1999. Nga mijëra ushtarë në vitet e para të misionit, kontingjenti amerikan në KFOR numëron sot rreth 600 pjesëtarë.

Në qershor, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (EUCOM) konfirmoi për REL-in se do ta përshtaste kontributin amerikan në KFOR në faza, në përputhje me planet e NATO-s dhe vlerësimet e sigurisë.

Ajo theksoi se SHBA-ja vazhdon ta konsiderojë KFOR-in një komponent kyç të stabilitetit rajonal, pa dhënë hollësi për përmasën e ndryshimeve.

Një tjetër zhvillim u shënua më 12 tetor, kur Garda Kombëtare e Floridës ua dorëzoi komandën e KFOR-it për Rajonin Lindor njësive aktive të Ushtrisë amerikane, në kampin Bondsteel.

Ky ndryshim, i pari i këtij lloji pas më shumë se një dekade, përbën riorganizim të njësive dhe nuk është shoqëruar me njoftim për tërheqje nga Kosova.

Nëse rishikimi më i gjerë i angazhimeve amerikane në Evropë do të ndikojë në të ardhmen e pranisë së tyre në Kosovë, mbetet e paqartë.

Radio Evropa e Lirë pyeti Pentagonin nëse propozimi për sigurinë evropiane mund të ketë pasoja për KFOR-in, trupat amerikane në Kosovë apo angazhimet e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.

Pentagoni e udhëzoi REL-in t’i drejtohej Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në përgatitjen e këtij artikulli.

Sipas Sheas, zvogëlimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë ka nisur pavarësisht negociatave me Rusinë.

Ai vlerëson se përbërja e re e Kongresit amerikan mund t’ia vështirësojë administratës Trump reduktimin e mëtejshëm të forcave.

Kosova përballë një roli më të madh të Evropës

Ndërsa Uashingtoni shqyrton një kornizë më të gjerë të sigurisë, vendet evropiane kërkojnë të kenë rol në vendimet që prekin të ardhmen e kontinentit.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka theksuar se Evropa tashmë ka një arkitekturë të sigurisë, por se Rusia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet mbi të cilat ajo mbështetet.

Kallas ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka të drejtë vetoje mbi sigurinë evropiane dhe se BE-ja duhet të përfshihet në negociatat për çdo marrëveshje paqeje për Ukrainën.

Kërkesa për përfshirje u përforcua më 8 nëntor, kur ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, konfirmoi se përfaqësues evropianë do të marrin pjesë në diskutimet e planifikuara në Abu Dabi.

Propozimi amerikan, ndërkohë, mbetet në fazën e diskutimeve dhe nuk ka ndonjë marrëveshje për ndryshimin e arkitekturës së sigurisë evropiane.

Shea thotë se Kosova duhet të përgatitet për një rol më të madh të vendeve evropiane në sigurinë e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht rezultatit të negociatave aktuale.

Sipas tij, evropianët tashmë kanë marrë pjesën më të madhe të përgjegjësisë për sigurinë e rajonit, ndërsa Kosova duhet t’i forcojë marrëdhëniet me ta dhe me Bashkimin Evropian, në vend që të mbështetet së tepërmi tek Uashingtoni.

Për Shean, kjo nevojë shkon përtej negociatave me Rusinë dhe lidhet me ndryshimet afatgjata në rolin ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Kosova nuk ka nevojë për axhenda të huaja- Vështrim nga Skënder MULLIQI

Shqiptarët e  dinë sa  me gjak  u pagua  liria jonë nga një okupator shekullor si Serbia.Dhe, në mes të këtyre trazirave që po trondisin botën, nuk është lehtë të ruhet stabiliteti dhe siguria e një shteti.  Politikanët janë atë që  krijojnë kaos në mungesë të pa fuqisë të tyre politike.E vetmja gjë që është legjitime dhe demokratike , janë zgjedhjet e ndershme parlamentare dhe locale.Natyrisht së në demokraci nuk përjashtohet  mos degjueshmeria qytetare atëherë kur deformohet demokracia.Shpesh politikanët në mungesë të argumentit politik shërbehen më metoda jo demokratike për të marrë pushtetin. Nuk bëhet asnjë zgjedhje mjetesh! Po shohim , se  inatet janë bërë të mëdha   dhe shumë të dëmshme për proceset në të cilat po kalojmë.Po harrohen normat demokratike të sjelljës, normat kushtetuese dhe ligjet .Pushteti në sistemin shumë partak pluralist merrët me mjete legjitime.Le të jemi serioz!Nuk kemi nevojë për asnjë kopje të trazirave në rrugët e metropoleve evropiane.Ne jemi shtet i ri dhe kemi nevojë për stabilitet të përgjithshem.Kemi nevojë për zhvillim dhe mirëqenje.Kemi nevojë për punë dhe  durim.Nuk kemi nevojë për agjenda të huaja .Ne duhet të kemi një kokërr kripë në  kokë  që mos të destabilizojmë vendin duke krijuar iluzionin e një krize.Nuk thëmë që nuk ka korrupcion dhe krim të organizuar, por që duhet ruajtur sovranitetin e shtetit është prioritet mbi prioritete , kur dihet së e kemi për fqinj një Serbi, e cila përditë po fshikullon  kamgjikun për pushtimin e veriut të Kosovës.Edhe nga regjimi i ri  që do të formohet nga Lista Studentore, nuk duhet pritur  diqka  më ndryshe në krahasim  nga  regjimi i shovenistit, Aleksander Vuqiq. Ne jemi për fqinjësi të mirë më të gjithë , por a do të janë serbët  shtrohet pyetja?Zor të presim ndonjë katarsis pozitiv të tyre. Dihet së kemi ende shumë probleme të jetesës dhe probleme zhvillimore.Por, duhet të largohemi nga fokusi i  trazirave të mundshme për qëllime politike.Kushdo që dëshiron të punojë në Kosovë, më duket së mund të gjejë një punë, por është një fakt i njohur mirë ,se në çdo vend ka një përqindje të caktuar të të papunëve  që thjeshtë nuk duan të punojnë , ose jetojnë ende në kurriz të prindërve të tyre.Unë  kam kritikuar  çdo pushtet  më të vetmin motiv që të punohet më mirë në shtetndërtim dhe mirëqenje.E kam kritikuar dhe  do ta kritikojë edhe pushtetin actual që të punojë mirë, duke i pru në suaza të normalitetit  dukurit negative në shoqëri dhe mirëqenjën  e përgjthshme.Një shtet nuk mund të funksionojë normalisht pa funksionuar  mirë  të gjitha sistemet .Nuk pajtohem më ata analistë  të cilët nuk po i kontribuojnë në mënyrën e duhur unitetit dhe stabilitetit politik  shumë të nevojshem  në këtë krizë globale, e cila sipas disave  nuk përjashtohet mundësia e Luftës së Tretë Botërore.Është lehtë të krijohen situata të pa qena dhe konfliktuoze  , të cilat dëmtojnë shumë Kosovën  si shtet dhe të ardhmën e  saj evroatlantike…

Ndryshim i mentalitetit qeverisës, jo i emrave në qeveri!- Nga Florim Zeqa

 

Jo çdo shok mbetët shok për tërë jetën, pasi njerëzit ndryshojnë, përmirësohen apo gabojnë si produkt i ambicieve personale. Politika jo vetëm që i ka përçarë dhe i ka ndarë shqiptarët, i ka përçarë familjet mes tyre, i ka ndarë anëtarët e së njëjtës familje! Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur në një familje katër anëtarëshe futen pesë parti! Kjo ka bërë që anëtarët e së njëjtës familje të përçahen aq keq sa të hyjnë në konflikte verbale dhe fizike mes tyre!

 

Pa homogjenizimin e vlerave kombëtare nuk kemi ardhmëri

 

Partitë politike aq shumë dhe aq keq e kanë politizuar dhe polarizuar shoqërinë kosovare, saqë gjithçka është kthyer në urrejtje vëllazërore dhe hakmarrje primitive mes liderëve të subjekteve politike.

Vetëm një subjekt i ri politik mund ta bëjë homogjenizimin e vlerave të pastra kombëtare, mund t’ia kthejë nderin dhe dinjitetin bërthamës së shtetit-Familjes Shqiptare, të ndarë dhe përqarë pamëshirshëm nga të gjitha subjektet politike, të cilat shoqërinë kosovare e përdorin vetëm si numra në prag të fushatave zgjedhore, duke iu premtuar të gjitha mrekullitë e botës derisa t’ua grabisin voten, për t’i harruar më pas deri në zgjedhjet e radhës!

Morali, sinqeriteti dhe mbajtja e fjalës janë tre nga shumë elemente tjerë që e bejnë individin të jetë patriot i mirë. Përfshirja e këtyre elementeve dhe të tjerave si: humanizmi, solidariteti, besa, guximi, durimi, vendosmëria, burrëria, qëndresa, dashuria ndaj atdheut e bëjnë njeriun të jetë i atdhetarë i dinjitetshëm.

Ata që i posedojnë vetitë e sipërcekura me siguri e duan ndryshimin dhe atë do ta arrijnë përmes alternativës së re politike, kurse ata që e duan vazhdimësinë do të mbeten edhe më tutje peng i kusarëve politikë që rropën e ç’rropën çdo gjë në Kosovën e pasluftës.

Me një fjalë, ata që e duan ndryshimin do ta arrijnë përmes alternativës së re politike, kurse ata që e duan vazhdimësinë do të mbetën akoma pengje të mashtruesve ordinerë, që ua premtuan dritën, kurse në vend të saj ua sollën errësirën!

Andaj, qytetar të dashur të vendit tim, në vend të errësirës zgjedhne dritën, në vend të mashtrimit zgjedhne fjalën e dhënë dhe besën shqiptare deri në fitoren e madhe dhe epokale kundër kësaj klase kusarësh politik që ua bën jetën ferr në vendin më të bukur dhe më të pasur në rajon.

Mos u besoni edhe më tutje atyre që ua dhatë votën verbërisht, e të cilët, në vend të mirëqenjes së premtuar, ua sollën zhgënjimin e madh duke i punësuar nëpër institucione publike dhe shtetërore vetëm familjarët e tyre, dajët dhe tezet, miqët dhe farefisin e gjërë, militantët partiak dhe dashnoret e tyre në qeveri dhe staf diplomatik.

Vrasjet makabre brenda shoqërisë sonë nuk janë të reja dhe as të rastësishme, ato tashmë janë kthyer një përditshmëri e hidhur dhe nuk do të ndalen asnjëherë me lutje dhe protesta, por me ndryshimin e mentalitetit qeverisës, forcimin e sistemit të drejtësisë dhe përmirësimit të sistemit edukativo-arsimor!

 

Populli i nderon dhe i çmon shumë veprimtarët e të gjitha periudhave historike, luftëtarët e lirisë, ata që i dhanë gjymtyrët e trupit. Me pietet të lartë i kujton të gjithë dëshmorët dhe martirët, i kujton dhe nuk i harron asnjëherë të vrarët e të zhdukurit gjatë luftës, që tashmë janë bërë gurëthemel i fortë i lirisë sonë. Por, populli ynë di t’i nderojë dhe çmojë lartë edhe udhëheqësit e mirë, të përgjegjshëm dhe të dinjitetshëm që punojnë për të mirën e tij!

 

Florim Zeqa, analist i pavarur politik

Protestuesi përballet me forcën e topit me ujë në rrugën e Durrrësit (fotot)

Protestuesi përballet me forcën e topit me ujë në rrugën e Durrrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, gjatë protestës studentore, 7 nëntor 2026. Foto:LSA

 

Protestën nuk e dal as shiu/ Kërkojnë dorëheqjen e Ramës, qytetarët nuk braktisin sheshin para Kryeministrisë

Qytetarët e Tiranës janë mbledhur sërish pasditen e sotme para Kryeministrisë në protestën e çdo ditshme kundër qeverisë Rama.

Pas revoltës kombëtare ditën e djeshme ku pati dhe përplasje me policinë, studentë, të rinj dhe qytetarë dolën përsëri sot në ora 18:30 para Kryeministrisë.

Ata janë tëpatundur në kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Nga ana tjetër, qytetarët janë kundër edhe klasës së vjetër politike, pra që përbashkohet nga dyshja Rama-Berisha.

Sakaq, studentët kanë refuzuar dialogun e kërkuar me ngulm nga Rama, pasi nuk gjejnë asnjë arsye që të bisedojnë me një kryeministër të korruptuar dhe që i dhunon me anë të policisë në shesh.

© Panorama.al

“Rama po sillet si Lukashenko”- Aktivisti Mirjan Aliaj: Po riciklon idetë e vjetra, prodhon vetëm propagandë! Ky do të jetë “Nëntori i tretë”

Aktivisti Mirjan Aliaj foli në lidhje direkte për News24 nga sheshi ku po zhvillohet protesta e qytetarëve pa u ndalur për 6 muaj para Kryeministrisë.

Ai u shpreh se masat e policisë janë të paligjshme pasi protesta është njoftuar për policinë dhe se arrestimet janë të paligjshme.

Aliaj krahasoi sjelljen e Ramës me atë të liderit bjellorus Lukashenko, që shtypi me dhunë policore protestën studentore në 2020 në Bjellorusi.

Aktivisti shton se ky muaj duhet të bëhet “Nëntori i tretë” me largimin e Ramës, Berishës dhe gjithë klasës së vjetër politike.

Mirjan Aliaj: Jemi në muajin 6 të protestave. Vazhdojnë çdo ditë pa ndalin. Askush nuk mund të thotë me saktësi si do vazhdojë. Është fryma qytetare që e ka diktuar. Kjo protestë ka njohur forma të ndryshme, ka artikuluar disa kërkesa. E para që nuk tërhiqemi dorëheqja e Edi Ramës dhe qeveri teknike që do bëj ndryshimet ligjore për demokraci funksionale.

Në dijeninë time policia është njoftuar por këto janë masa dhe metoda që Rama i ka huazuar nga Lukashenko. Në 2020 kishte protestat të ngjashme në Bjellorusi dhe të njëjtën represion përdori Lukashenko për të shuar. GJK ka dalë me vendim, pasi në GJK është çuar nga disa qytetarë çështja për të drejtën e protestës. GJK e ka zbardhur vendimin dhe e ka përcaktuar se nuk ka nevojë për leje, por mjafton njoftim. Disa nga shokët që janë përndjekur nga protesta, gjykata i ka shpallur të paligjshme arrestimet. Ka thënë që nuk ka protestë të paligjshme. Fakti që policia merr masa në vende të caktuar do të thotë që policia është në dijeni. Ata që i kanë ankimuar besoj se gjykata do i hedhë poshtë.

Këta shfrytëzojnë momentin që ka pak protestues dhe dalin me megafon dhe blloqe që të frikësojnë qytetarët. Fakti që jemi në muajin e gjashtë, shuarja e protestës është mision i pamundur për qeverinë.

Nuk e di të them me saktësi se çdo ndodhë në 28 nëntor. Është festa jonë kombëtare, dita e flamurit, dita e Pavarësisë dhe mendoj se meriton ta bëjmë nëntorin e tretë për ta rrëzuar këtë regjim të Edi Ramës dhe klasën politike për mënyrën si na kanë qeverisur 36 vjet. Pas rrëzimit të qeverisë mos vazhdohet të qeveriset me këtë mënyrë.

Kjo protestë nuk është se ka lindur se është rritur çmimi i naftës dhe tani qytetarët do largohen. Edi Rama ka qenë shumë i aftë që të prodhojë propagandë. Në 2014 krijoi platformën Shqipëria që duam. Thjeshtë po riciklon platformat e vjetra. Nuk frymëzon më. Ne si shqiptarë e dimë mirë se çfarë do që të bëjë koha e qeverisjes së tij ka mbaruar. Duhet dhënë fund dhe kësaj qeverisje. Jemi për të rrëzuar një të keqe të madhe.

© Panorama.al

U gjobit 5 milionë lekë nga policia, flet 17-vjeçari: Nëna më ka ndërruar jetë! Familja ime jeton me kemp, nuk kam goditur me gurë! Do vijoj të protestoj

Një 17-vjeçar, i gjobitur me 5 milionë lekë pas protestës së së shtunës, ka rrëfyer vështirësitë ekonomike me të cilat përballet familja e tij, duke deklaruar se nuk ka mundësi të paguajë masën administrative.

Në një prononcim për News24 nga protesta e sotme, i riu tha se familja jeton me ndihmën ekonomike dhe pensionin e invaliditetit KEMP, ndërsa theksoi se prej vitesh është pa nënën.

Ai pretendon se në momentin e protestës ishte duke luajtur dhe nuk ishte pjesë e tubimit. Sipas tij, nuk e ka njoftuar as të atin për gjobën, pasi nuk ka mundësi të përballojë pagesën prej 5 mijë eurosh brenda 10 ditësh.

17-vjeçari u shpreh se gjendja e vështirë ekonomike nuk do ta ndalojë të kërkojë atë që i konsideron të drejtat e tij, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të marrë pjesë në protesta deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesi: Unë isha duke luajtur, nuk kam qenë pjesë e protestës.
Babin nuk e kam lajmëruar, sepse nuk mund të paguaj dot 5 mijë eurot për 10 ditë. Nëna më ka vdekur, më ka ndërruar jetë ka shumë vite. Me kemp kam familjarët, që marrin në total 240 mijë lekë.

Nuk na del aspak. Unë kam punuar në mobileri, merrja 360 mijë lekë, nuk del për asgjë. Unë kam dalë për të drejtat e mia dhe të drejtat e Shqipërisë. Shteti asgjë nuk më jep për vdekjen e nënës, vetëm në shkollë marr një bursë.

Nuk kam ku t’i gjej lekët. Në protestë do marr pjesë derisa të japë dorëheqjen Rama. Nuk më frikëson asgjë.

© Panorama.al

E bujshme- SPAK nis hetimet për pasurinë e Vlora Hysenit, dyshohet për pasuri të fshehura deri në Gjermani

Prokuroria e posaçme SPAK, ka hapur një hetim pasuror ndaj Vlora Hysenit, ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shqiptar dhe familjarëve të saj, me shpresën e gjetjes së pasurive të fshehura prej saj në Tiranë, Gjermani dhe Kosovë.

Hetimi po zhvillohet paralelisht me çështjen penale Nr.20/1 kundër Vlora Hysenit që lidhet me dy akuzat e “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Nxjerjes së sekretit hetimor”. Ndërkohë hetimet vijojnë edhe për dyshimet në përfshirjen e saj në akuzën e korrupsionit, fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave.

Verifikimet janë duke u kryer nga dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani, Bledar Maksuti dhe 6 oficerëve të BKH-së, të cilët pasi kanë konstatuar një tentativë transferte bankare prej 450 mijë euro nga llogaria e kompanisë së Orest Sotës “Fortis Beton” në drejtim të një kompanie gjermane që është e rregjistruar në emër të vëllait të Vlora Hysenit, Izet Hyseni alias Dingler, kanë vendosur të realizojnë një hetim pasuror ndaj ish-funksionares së lartë të SHISH, Vlora Hyseni.

Prokurorët që po ndjekin rastin e parave të fituara në tenderat e AKSHI-t, kanë ngritur dyshime të forta se një pjesë e shumave financiare që fitoheshin nga AKSHI, janë kanalizuar në llogaritë bankare të kompanisë së mikut të Ergys Agasit, Orest Sota dhe më pas prej “Fortis Beton”, dërgoheshin tek njerëz shumë të afërt të Vlora Hysenit.

Njëri nga këta njerëz të afërt të Hysenit, është Izet Hyseni alias Dingler, që sipas mediave italiane rezulton të jetë ndaluar në vitin 2020 gjatë një operacioni antidrogë të koduar “Karaburun”, duke çuar në arrestimin e 90 personave mes të cilëve 27 shtetasve Kosovarë.

Por tashmë emri i Izet Dingler, ka dalë në një çështje tjerë në prokurorinë e Posaçme SPAK, të cilët në kuadër të verifikimeve kanë dërguar dy letërporosi në Gjermani dhe Kosovë, për të mësuar transfertat bankare, pasuritë e Dingler dhe motrës së tij, Vlora Hyseni në këto dy shtete.

Përmes disa pyetjeve të renditura në letërporosi, SPAK ka kërkuar nga autoritet e Drejtësisë Gjermane të mbledhin informacion për shtetasin Izet Dingler dhe mundësojnë marjen në pyetje të tij.

Të lokalizojnë dhe venë në dispozicion bilancet financiare të kompanisë së tij në Gjermani dhe çdo aktivitet tregtar dhe pronësor që ai ka kryer dhe zotëron në këtë shtet.

Të njëjtat pyetje i janë dërguar dhe autoriteteve të Kosovës, ku i është kërkuar informacion për Vlora Hysenin, familjarëve të saj dhe vëllain, Izet Dingler.

Siç mësohet nga gazetari Elton Qyno, transfertë prej 450 mijë eurosh nga shoqëria e Orest Sotës “Fortis Beton”, është anuluar më 27 shkurt 2024. Kjo transfertë bankare kishte si destinacion shoqërinë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH” me adrresë “Landsberger” Str. 183, D-80687 München.

Ky transaksion sipas SPAK, nuk është kryer por në faturën bankare që do realizohej ishte përshkruar konkretisht “Pagesë për kotratë huaje”, që tregon se shuma nga Orest Sota do jepej në formë huaje (Borxhi) tek vëllai i Vlora Hysenit në Gjermani, shtetasi Izet Dingler alias Hyseni.

Mirëpo edhe pse ky transaksion nuk është kryer, për prokurorinë e posaçme SPAK ka mjaftuar si indicie kryesore për të nisur një hetim pasuror ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, e cila tashmë është vendosur në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Lidhur me këtë pyetje mësohet të jetë marë në pyetje Orest Sota dhe dy persona të tjerë Ardit Sota dhe Genci Shima, ku dy persona e fundit kanë treguar se nuk kanë pasur dijeni për këtë tentativë transaksioni nga llogaria e kompanisë “Fortis Beton” në drejtim të llogarisë së “Erd & Tiefbau Dingler GmbH” në Mynih.

Aktualisht prej 1 Dhjetorit 2025, kompania “Fortis Beton” e Orest Sotës është shitur kundrejt 30 mijë euro tek kompania “Forever Construction” në pronësi të Vangjel Lilës./SYRI.net


Send this to a friend