Më pëlqeu kjo thënie e Umberto Ecos, natyrisht, duke e shtjelluar brenda vetes, sikurse bëjmë të gjithë ne në kontekstin e jetës sonë. Fjalët janë frymarrja jonë prej nga shfaqet dhe karakteri ynë. Secili i mbush ato me frymën e tij. (Për kontrast të vjen në mend romani i Gogolit “Frymë të vdekura”.) Nëse bombat të mbushura me Hidrogjen kërcënojnë njerëzimin, bombulat me oksigjen shërbejnë për punë të dobishme. Dioksidi i karbonit po bëhet fajtor për ngrohjen globale, përputhshëm me gojën e kthyer në jashtëqitje, e cila po qelb dynjanë, ja pse fjalët kanë nevojë për ajër të pastër. Mos të tilla mund t`i gjesh vetëm tek poetët baritorë, lirikët e romantikët?! Poema e Naim Frashërit “Bagëtia e bujqësia” është shembulli më ideal, ku fjalët janë të mbushura me “ajër të pastër”. Për t`u shëruar nga turbekulozi, thuhet se poeti erdhi të kurohej në bukuritë e natyrës së mëmëdheut, duke u larguar nga rrëmuja dhe rrëmiti i Stambollit. (Kur në botë flitet veçse për dronët, qielli tashmë u përket atyre, profesori im, Ilia Lëngu, ka zgjedhur ajrin e pastër të pyllit duke krijuar miqësi me zogjtë.) Kur Hamleti habitet me kast se Ofelisë i paska dhënë një dhuratë, ajo për ta bindur i thotë: “Po, im zot, duke m`i shoqëruar me fjalë të tillë, që m`i bënë ato edhe më të shtrenjta.” (Kur në modë doli parukja, sa keq duhet të jenë ndjerë ata, që kishin flokët e tyre?!)
Ato që stërthuheshin në të shkuarën, ishin shprehje si kjo: “fjalë pa bereqet” dhe ai që dallohej nëpër mbledhjet komplementohej: “fjalë me burmë”. Brumosja ishte i gjithë qëllimi i propagandës. Mbrëmë në një emison investigues në Top Channel “Buka-rreziku në tryezë”, bereqiti dhe brumi i kapitalizmit shqiptar na doli për faqe të zezë. Veç pisllëqeve të tjera, analizat zbulojnë arsenik në bukë. (Qëlloi të jepej ky emision, kur kryeministri falej në Vatikan për Shqipërinë. S`besoj se ka mërmëritur shprehjen e preferuar të Migjenit: “Bukën e përditshme falna zot”, po s`di a i ka shkuar në mendje se kjo bukë që po hamë ka lloj-lloj hilerash brenda? Dikur në Lushnje u bë një gjyq i bujshëm, gjoja se disa donin të helmonin depozitën e ujit dhe i burgosën pa mëshirë, po këta që na helmojnë gjithandej, që nga buka deri tek parlamenti, si i bëhet halli?) Jepja shqiptarëve bukën me arsenik, perimet e frutat me pesticide, mishin me hormone, shtoi në fund: ju bëfshin mirë, ama prishe gojën me liderët e partive, s`do ta kursejnë mallkimin: “Ti do vrarë me bukë në gojë!” Në gjithë këtë pisllëk, një i ngeshëm si unë, citon Umberto Econ, se fjalët kanë nevojë për “ajër të pastër”?!
Domethënë: llafos kot?!
Dëgjon shpesh të thonë: unë jam i pastër, kam dhe dëshminë e pastërtisë së figurës po deshe, por, ai që është mësuar me nikotinë, do t`i zgjatësh paketën, që të quajë burrë të mirë, ai me miell të bardhë s`do t`ia dijë del tym i bardhë apo i zi nga oxhaku i Vatikanit, vetëm po tha “narko-shteti”: kthjellohet. Ai që është mësuar të fusë dorën në xhepin tënd nuk e beson se ti s`e ke këtë huq. Ai që i thotë derrit dajë dhe zhdëpet me bërxolla derri, tallet nëse ti i thua se je vegjeterian. Në këtë tymnajë shpirtrash të mbushura me mllef, pëlqehet vetëm ai, që i mbush fjalët me zeher, me inate, me diabolizma dhe, nëse ti i mbush ato me “ajër të patër”, do i ngjash atij fëmijës së pastër, që kur shkonte në kopësht mbushej i pari me morra. Me ajër të pastër i ka mbushur fjalët dhe poeti Betim Muço, kur shkruan vargjet:
Nganjëherë të duket
Se shiu të kupton më mirë
Se miqtë e tu të gjallë.
Mos arsyeja duhet kërkuar tek “ajri i pastër” i fjalëve të tua, dalë tashmë jashtë mode?!