VOAL

VOAL

‘FC KOSOVA’ E ZYRIHUT – SONTE NE MUND TË SHKRUAJMË HISTORI

June 6, 2015

Komentet

Kujtime nga turnirët shkollorë të futbollit në Podujevë (vitet ’70–’80)- Nga ARIF EJUPI

 

Në vitet ’70 dhe në fillim të viteve ’80, kur fushat e shkollave në Podujevë shndërroheshin në arena të vogla sportive, futbolli ishte më tepër se lojë. Ishte festë, krenari dhe garë e ndershme mes bashkëmoshatarësh, nxënësish dhe arsimtarësh.

Turnirët që organizoheshin në fund të çdo viti shkollor mblidhnin nxënës, mësues dhe spektatorë të shumtë rreth një topi që rrotullohej në një terren të thjeshtë, por të mbushur me energji rinore.

Nga ajo periudhë kanë mbetur në kujtesën tonë jo vetëm rezultate dhe ndeshje, por edhe figura që lanë gjurmë në kujtesën kolektive. Emra që sot kujtohen me respekt, mall dhe mirënjohje për lojën e pastër që kultivuan.

Kolegë dhe ish-nxënës e kujtojnë me nostalgji dhe emocione z. Daut Ajvazi nga Sveçla e Podujevës, arsimtar i Edukatës Fizike në këtë fshat. Ai kishte nisur të luante në Klubin Futbollistik “Llapi” të Podujevës, por ishte paraqitur vetëm në dy-tri ndeshje zyrtare.

Ende mbetet e paqartë pse Dauti, me gjithë atë talent, e kishte braktisur futbollin e madh. Gjatë organizimit të turnirëve shkollorë, që zhvilloheshin në vigjilje të përfundimit të çdo viti akademik, Dauti shkëlqente me lojën e tij të bukur.

Veçmas, lojën e tij e karakterizonin driblimet dhe shpejtësia në stil atleti. Po ashtu, goditjet i kishte të sakta. Ishte e habitshme nga e merrte gjithë atë energji, sepse ishte shtatshkurtër dhe i hajthëm. Loja e tij, sidomos driblimet e bukura, merrnin duartrokitje nga shumë shikues të pranishëm në këto ndeshje.

Skuadra e shkollës së Sveçlës, e përbërë edhe nga arsimtarë të tjerë si: Islam Visoka, Mustafë Ajvazi, Osman Podvorica, Rrahman Bejtullahu, Sabri Podvorica, Kadri Tërholli, Nexhmi Balaj, Maliq Shaqiri, Lutfi Musolli, Ismail Vokrri, Zejnullah Zejnullahu, Ismet dhe Jahush Llugaliu, e përforcuar edhe nga nxënësit Ali Adem Ajeti dhe Skënder e Ali Kutleshi, ishte një ekip që vështirë mposhtej nga skuadrat e tjera të shkollave të Llapit.

Në turnirët festivë apo në ndeshjet e këmbimit shkollë më shkollë, formacioni i shkollës së Sveçlës i kënaqte të gjithë me lojën e shkëlqyeshme. Veçmas binin në sy Daut Ajvazi, Ali Ajeti dhe Skënder Kutleshi.

 

 

Mesfushën e mbante stabile dhe i furnizonte me topa bashkëlojtarët Ali Ajeti, dëshmor i kombit. Veç kësaj, Aliu kishte edhe gjuajtje jashtëzakonisht të forta. Ndërkaq, Dauti si qendërsulmues dhe Skënderi si sulmues i krahut të majtë ishin të pandalshëm.

Takime derbi konsideroheshin ato ndërmjet shkollës “Vëllazërim-Bashkim” të Podujevës, sot “Shaban Shala”, dhe shkollës “Danillo Vukiçeviq”, tani “Ali Ajeti”, të Sveçlës, si dhe ato ndërmjet shkollave “Meto Bajraktari” të Gllamnikut dhe shkollave të Llapashticës, Kërpimehut, Bajçinës e Dumnicës.

Kishte vullnet dhe disiplinë. Shumëkujt mund t’i duket e pabesueshme, por terreni i shkollës “Shaban Shala” mbushej me spektatorë në të katër anët. Tregohej korrektësi. Festohej qetë dhe pa provokime.

Në këta turnirë, që për kohën kishin rëndësi të veçantë, filloi të shfaqej edhe talenti i legjendës Fadil Vokrri, atëherë nxënës i shkollës tetëvjeçare “Shaban Shala” të Podujevës.

Fadili përfaqësonte skuadrën e kësaj shkolle së bashku me axhallarët e tij, Selatin Vokrri dhe Muhamet Vokrri, mësimdhënës në këtë çerdhe të njohur të arsimit llapjan.

Merita për mbarëvajtjen e këtyre turnirëve të futbollit të vogël kishin edhe gjyqtarët profesionistë e autoritativë: Bedri Muçolli, Enver Qosa, Rifat Raçi, vëllezërit Hashim e Bislim Aliu, Vehbi Bekteshi e të tjerë.

Ikona të këtij organizimi sportiv ishin edhe futbollistët Selatin, Muhamet dhe Fadil Vokrri, si dhe Sylejman Mehmeti, Fazli Llugaliu ,Ragip Çitaku, Shaqir Gashi dhe Ahmet Haxhiu.

Shquheshin edhe të tjerë si: Daut Ajvazi, Islam Visoka, Ali Ajeti, Skënder Kutleshi nga Sveçla; Hashim Aliu, Hilmi Syla, Hamdi Mustafa-Lala, Nexhmi Hoti, Nuhi dhe Bajram Osmani, Hazir Haziri-Zogu, si dhe nxënësit Murat Bislimi, portier, Sherif Shala dhe Skënder Feta nga shkolla e Gllamnikut.

Arsimtarë dhe nxënës të skuadrës së shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Gllamnik të Podujevës, pjesëmarrës në garat e futbollit të vogël,  tregohen të suksesshëm edhe gjatë viteve 1974–1975.

Nga e djathta, në këmbë: Hashim Aliu, arsimtar i Edukatës Fizike; Fahri Breznica; Nexhip Zeneli; Osman Ejupi-Zijaça; Hilmi Musa; dhe Nexhmi Hoti, mësues dhe lojtar.

Nga e majta, rreshti ulur: Shaip Berisha; Ejup Murat Ejupi, portier; dhe Bajram Lahu.

Ndërkaq, nga shkolla “4 Korriku” e Llapashticës, me angazhim dhe lojë dalloheshin: Sylejman Mehmeti, portier në skuadrën e futbollit dhe hendbollit të Llapit; Ahmet Haxhiu, qendërsulmues i KF “Llapi”; vëllezërit Isak dhe Fuat Qosa; Islam Bashota; Muharrem Havolli; Shefqet Cakiqi-Llapashtica, portier në vitin 1978, ende nxënës i kësaj shkolle; dhe Murat Hodolli. Ndërsa nga shkolla “Emin Duraku” e Bajçinës dalloheshin Mustafë Gashi dhe Zenel Çitaku.

Kurse skuadra e shkollës së Dumnicës, “Vuk Karaxhiq”tani “ Lasgush Poradeci”, udhëhiqej nga Emin Ajvazi, futbollist aktiv i KF “Llapi” të Podujevës dhe mësimdhënës në këtë vatër të diturisë.

Edhe pse nga ajo periudhë kanë kaluar mbi pesë dekada, shpeshherë na parafytyrohen momente të paharrueshme, të cilat nuk arriti t’i shlyejë as lufta, as dhuna e vazhdueshme e pushtuesve serbo-sllavë.

Arif Ejupi
Gjenevë, 8 qershor 2026

P.S. Çdo riprodhim, shpërndarje, publikim ose shfrytëzim i paautorizuar i këtij materiali, në çfarëdo forme apo mënyre, përbën shkelje të të drejtave të autorit dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Shkelësit e këtyre të drejtave mund të përballen me masa ligjore përkatëse.

 

 

SHQIPËRIA NUK SHITET! Protesta në Konfederatën Helvetike Gjenevë, 11 Qershor, Bernë 13 Qershor dhe Zürich 15 Qershor

🇦🇱 SHQIPËRIA NUK SHITET!

Protesta në Konfederatën Helvetike

 

Gjenevë – 11 qershor, ora 18:00

Përpara Kombeve të Bashkuara

(e konfirmuar nga policia)

Bernë – 13 qershor, ora 16:00

Përpara Ambasadës Shqiptare në Bernë

(e konfirmuar nga policia dhe bashkia)

Zyrih – 15 qershor, ora 18:00

Në sheshin Europaplatz

📢 Njoftim i rëndësishëm për protestën e diasporës në Gjenevë!

Të dashur bashkëatdhetarë,

Zëri i diasporës shqiptare nuk mund dhe nuk do të heshtë kurrë kur bëhet fjalë për fatet e atdheut tonë. Kauza jonë është e drejtë, e pastër dhe jetike për të ardhmen e Shqipërisë!

🔴 NJOFTIM MBI VENDNDODHJEN

Për shkak të masave të rrepta të sigurisë dhe organizimit të Samitit të G7 në Gjenevë, autoritetet zvicerane, fatkeqësisht, nuk na kanë dhënë lejen për ta zhvilluar protestën përpara Misionit të Përhershëm të Shqipërisë.

Por kjo nuk na ndal! Kauza jonë zhvendoset në një pikë edhe më strategjike dhe ndërkombëtare:

📍 Vendi: Kombet e Bashkuara – Place des Nations, pranë “Broken Chair”, Gjenevë

📅 Data: E enjte, 11 qershor

🕕 Ora: 18:00 – 20:00

Toka është jona, e ardhmja është jona!

Ju mirëpresim në numër sa më të madh për të treguar forcën, unitetin dhe vendosmërinë e diasporës shqiptare në këtë kauzë të drejtë.

🇦🇱 Ejani me flamuj dhe me dinjitetin që na karakterizon!

📢 Ju lutemi, shpërndajeni këtë njoftim sa më gjerë

****

🇦🇱 ALBANIA IS NOT FOR SALE!

📢 Important Announcement Regarding the Albanian Diaspora Protest in Geneva

Dear fellow Albanians,

The voice of the Albanian diaspora cannot and will not remain silent when it comes to the future of our homeland. Our cause is just, sincere, and vital for the future of Albania.

🔴 LOCATION UPDATE

Due to the strict security measures and organizational requirements surrounding the G7 Summit in Geneva, the Swiss authorities have unfortunately not granted permission for the protest to take place in front of the Permanent Mission of Albania.

However, this will not stop us. Our cause is moving to an even more strategic and internationally significant location:

📍 Location: United Nations, Place des Nations, near the Broken Chair, Geneva📅 Date: Thursday, June 11🕕 Time: 6:00 PM – 8:00 PM

The land is ours. The future is ours.

We warmly invite you to join us in large numbers to demonstrate the strength, unity, and determination of the Albanian diaspora in support of this important cause.

🇦🇱 Bring your flags and the dignity that defines us!

📢 Please share this announcement widely

Protestat kundër qeverisë dhe Ramës në Zvicër, studentja shqiptare në News24: Rinia ka gjetur shpresën! Do organizojmë një tjetër tubim

Vala e protestave anti-qeveritare që ka përfshirë Tiranën po gjen një mbështetje gjithnjë e më të gjerë edhe në radhët e diasporës shqiptare në Europë. Pasi shqiptarët u ngritën në disa kryeqytete evropiane, komuniteti shqiptar në Zvicër ka organizuar tubimin e tij të parë, ndërsa ka paralajmëruar se protesta e radhës do të zhvillohet më datë 11 qershor.

 

Rei, një studente shqiptare që jeton në Zvicër dhe është pjesë e organizimit, ka rrëfyer prapaskenat e kësaj lëvizjeje dhe arsyet që i shtynë të rinjtë jashtë vendit t’i bashkohen kauzës së bashkëmoshatarëve të tyre në Shqipëri.

Studentja u shpreh se dëshira e tyre kryesore ishte të bëheshin pjesë e lëvizjes së të rinjve në vendlindje, pasi ndajnë të njëjtat ide me ta. Ajo theksoi se arsyet pse ata kanë emigruar për një të ardhme më të mirë janë pikërisht ato problematika që po ngrihen sot nga rinia që ka dalë në sheshet e Tiranës dhe se adrenalina dhe qëndresa e tyre u ka dhënë një pozitivitet dhe motivim të madh për të luftuar së bashku për të njëjtin qëllim.

Sipas saj, ashtu si të rinjtë në Shqipëri kanë rolin e tyre në ndërtimin e së ardhmes, edhe ata që ndodhen jashtë vendit kanë një mision të rëndësishëm, pasi mund të informojnë organizatat ndërkombëtare për situatën. Ajo shtoi se përmes këtyre protestave, emigrantët mund të tregojnë historitë dhe mesazhet e tyre, duke shprehur hapur mallin për Shqipërinë dhe vështirësitë që i detyruan të largoheshin.

Përveç solidarizimit të plotë me Tiranën, komuniteti në Zvicër ka edhe disa kërkesa profesionale që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Duam të tregojmë mesazhet për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, natyrës. Nuk jemi kundër zhvillimit, por kërkojmë transparencë për çdo investim të huaj dhe shqiptar që ndodh në Shqipëri. Duam respektin e qytetarëve, dialogje të hapura dhe të bashkohemi sa më shumë e të mos përçahemi,” deklaroi studentja.

Rei zbuloi gjithashtu se i gjithë ky organizim i madh nisi në mënyrë krejtësisht spontane nga një grup i thjeshtë në rrjetin social WhatsApp. Aty u shtuan gradualisht të gjithë shqiptarët që njihnin, duke arritur shpejt në 160 veta. Ajo tregoi se pavarësisht se janë studentë dhe ndodhen në mes të sezonit të provimeve, po përpiqen të investojnë sa më shumë kohë në këtë kauzë.

Shumica e tyre janë njohur me njëri-tjetrin pikërisht gjatë protestës në diasporë. Tashmë ata po koordinohen për të dërguar letra informuese në çdo shoqatë të mundshme jashtë vendit. Studentja e mbylli mesazhin e saj me një thirrje të fortë për të ruajtur frymën paqësore të kësaj lëvizjeje:

“Dua të them se me në fund ne si rini kemi gjetur njëri-tjetrin, shpresë e dashamirësi dhe kjo sikur na ka shëruar. Kjo është lëvizje qytetare, ju lutem mos e përçani, të ruajmë paqen, pozitivitetin dhe iniciativa që është marrë nga çdo qytetar për të arritur këtu dhe për të ardhmen.”bw

Diaspora në këmbë kundër Ramës! Shqiptarët e Gjenevës protestë masive: Jep dorëheqjen! (FOTOT + VIDEO)

Shqiptarë të diasporës janë ngritur në protestë në disa shtete të ndryshme, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projekteve të qeverisë shqiptare, përfshirë edhe ato që lidhen me zhvillimet në zonën e Zvërnecit.

Protesta janë raportuar në qytete të ndryshme si Milano dhe qytete të tjera në Itali, në Londër si dhe në New York, ku pjesëmarrësit kanë dalë në rrugë për të shprehur shqetësimet e tyre mbi vendimmarrjen dhe ndikimin e projekteve në mjedis dhe pasuritë natyrore.

Ndërkohë, reagim të fortë ka pasur dhe nga shqiptarët në Zvicër, të cilët janë mbledhur para Konsullatës shqiptare në Gjenevë, ndërsa lëshuan thirrje kundër qeverisë. Përmes thirrjeve dhe pankartave, shqiptarët në Zvicër protestuan për dorëheqjen e Ramës. bw

  • foto galeri
  • foto galeri

 

  • foto galeri

 

  • foto galeri

 

  • foto galeri

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

 

SKËNDER MUHARREM HOXHA – MËSUES, ATDHETAR DHE MODEL I BREZAVE- Nga ARIF EJUPI

 

(Në shenjë nderimi dhe respekti, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së mësuesit dhe instrumentistit llapjan Skënder M. Hoxha)

 

 

Disa njerëz të paepur, pa zhurmë, bëjnë punë me vlerë të jashtëzakonshme për shoqërinë.

Ata nuk kërkojnë mirënjohje publike, por jetojnë me ndershmëri dhe përkushtim, duke dhënë gjithçka për të tjerët.

Kësaj kategorie i përket edhe Skënder Muharrem Hoxha, mësues i devotshëm, atdhetar i heshtur dhe model për brezat që u rritën në kohë të vështira.

Në klasat e tij nuk mësohej vetëm shkrimi dhe leximi, por edhe dashuria për dijen, për vendin dhe për njeriun. Skënderi ishte ndër ata mësues që nuk e ndante profesionin nga misioni, sepse për të, arsimi ishte rruga më e sigurt drejt dinjitetit dhe lirisë.

Ai lindi më 6 qershor 1946 në Pakashticë të Poshtme të Podujevës. Që herët u përfshi në lëvizjen kombëtare dhe u bë një ndër mësuesit e parë të shkollës 8-vjeçare “Meto Bajraktari” në Gllamnik të Llapit.

Kisha nderin ta kem arsimtar të Muzikës gjatë viteve 1971–1972. Shquhej për butësi, maturi dhe mirësjellje ndaj nxënësve. Pozita e volitshme gjeografike e fshatit bënte që kjo shkollë të mblidhte ajkën e mësuesve dhe arsimtarëve të komunës së Podujevës.

Në kujtesën time kanë mbetur shumë figura të ndritura të asaj kohe si: Raif Ramë Shala, Muhamet Behrami, Hilmi Kastrati, Nefi Rexhepi, Shemsi Raçi, Hashim Aliu, Rasim Ibrahimi, Selim dhe Rexhep Syla, Kadri Kadriu (gjeograf i diplomuar), Shemsi Ramë Lushaku, Ymer Duriqi, Avdi Jusufi, Bislim Qamil Ejupi, Arif Rrustem Abdullahu, Hamdi Mustafa – Lala, Ismet Ali Veliu, Fehmi Rasim Ejupi, Nuhi Tahir Osmani, Hazir Haziri – Zogu, Osman Rexhepi, e të tjerë.

Mbresa të pashlyeshme la tek unë, veçanërisht, mësuesi i klasës III dhe IV, Sabri Raçi, të cilit i detyrohemi deri në frymën e fundit. Ai kurrë nuk çoi dorë ndaj nxënësve. Me këshilla prindërore na motivonte për mësime dhe na kultivonte respektin dhe solidaritetin ndaj njëri-tjetrit.

Ishte pedagog i mirëfilltë, që krijonte dashuri për jetën dhe dijen. Kjo armatë mësuesish la gjurmë të thella suksesi edhe në shkollat e qytetit të Podujevës.

Skënder Muharrem Hoxha, asokohe 22-vjeçar, ishte ndër organizatorët e demonstratave të 27 Nëntorit 1968 në Podujevë. Si pretekst u mor kjo veprimtari kombëtare dhe ai u dënua me një muaj burgim, bashkë me disa shokë, nga regjimi komunist i Jugosllavisë.

Skënderi kishte provuar prangat edhe më herët. Më 4 gusht 1967, përmes një telegrami, kishte dashur ta ftonte një mik nga Caraviku i Klinës në një aheng familjar. Telegrami ishte shkruar në gjuhën shqipe.

Në sportelin e Postës së Podujevës, me pllaka panel që gjendej afër Stacionit të sotëm të Policisë, nëpunësi serb Pavle Millanoviq, refuzoi ta pranonte ftesën vetëm pse ishte në gjuhën amtare. Jo vetëm kaq – ai e denoncoi Skënderin në polici.

Ky rast u përdor si pretekst për ta ndëshkuar. Skënder Hoxha, atëherë student i Shkollës së Lartë në Prizren, u dënua për kundërvajtje me arsyetimin absurd se kishte cenuar rendin kushtetues të Jugosllavisë, duke mos njohur gjuhën serbe si të vetmen gjuhë zyrtare.

Ajo që regjimi e quante “provokim”, për ne ishte dinjitet. Skënderi atdhedashurinë e mbolli edhe te ne, nxënësit, në kohën kur filluam të formojmë bindjet tona për Atdheun, traditat, kulturën dhe gjuhën.

Ai nuk ligjëronte vetëm lëndën e muzikës, por na mësonte të dëgjonim edhe zërin e ndërgjegjes.

Krahas arsimit, Skënderi kontribuoi edhe në jetën kulturore të qytetit. Ai ishte një ndër instrumentistët e parë të shoqërisë kulturore-argëtuese “Josip Rela” në Llap. Fryt i punës së tij të pareshtur ishte edhe këngëtari ynë i mirënjohur Ismet Bogujevci.

Mësuesit si ai nuk maten me tituj, por me ndikimin që lënë. Ata, për punën e tyre të mirë, do të kujtohen ndër breza.

Skënder Muharrem Hoxhës dhe gjithë atyre që na orientuan në udhën e shkronjave shqipe, që paskan qenë “ferrë në sy” për Pavle Millanoviqin dhe sojin e tij – u jemi përjetësisht mirënjohës!

ARIF EJUPI

Jo vetëm SHBA, Gjermania, Italia e Britania! Shqiptarët e Zvicrës protestë masive: Rama të japë dorëheqjen! (FOTOT)

Shqiptarë të diasporës janë ngritur në protestë në disa shtete të ndryshme, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projekteve të qeverisë shqiptare, përfshirë edhe ato që lidhen me zhvillimet në zonën e Zvërnecit.

Protesta janë raportuar në qytete të ndryshme si Milano dhe qytete të tjera në Itali, në Londër si dhe në New York, ku pjesëmarrësit kanë dalë në rrugë për të shprehur shqetësimet e tyre mbi vendimmarrjen dhe ndikimin e projekteve në mjedis dhe pasuritë natyrore.

Ndërkohë, reagim të fortë ka pasur dhe nga shqiptarët në Zvicër, të cilët janë mbledhur para Konsullatës shqiptare, ndërsa lëshuan thirrje kundër qeverisë. Përmes thirrjeve dhe pankartave, shqiptarët në Zvicër protestuan për dorëheqjen e Ramës. bw

  • foto galeri

 

 

  • foto galeri

 

  • foto galeri

Harresa ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit është mëkat i pafalshëm- Nga ARIF EJUPI

 

Harresa, apo heshtja e qëllimshme ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës nga pushtimi shekullor serb, është një nga mëkatet më të rënda që mund t’i bëhet kujtesës sonë kombëtare.

Historia nuk ndërtohet vetëm me emrat që përmenden shpesh në tubime, libra, akademi përkujtimore apo pllaka memoriale.

Ajo ndërtohet edhe me emrat e heshtur, me njerëzit që u gjendën në çastet më të vështira, që nuk matën rrezikun, që nuk pyetën se cilës parti, fisi apo krahu i përkisnin viktimat, por vepruan sipas ndërgjegjes njerëzore dhe atdhetare.

Një ndër këta emra është Isak Hajdini – Xhaka nga Shtedimi i Podujevës, i cili përmendet rrallë, për të mos thënë fare, ndonëse akti i tij meriton respekt, dritë dhe vend të denjë në kujtesën historike të Llapit dhe të Kosovës.

Më 30 maj 1989, në Shtedim të Podujevës, në një përballje të rëndë me forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, u plagos rëndë Ali Ajeti, i cili ra për të mos vdekur kurrë. Në atë çast të rrezikshëm, kur frika mund ta stepte secilin njeri, Isak Hajdini – Xhaka shkoi në vendngjarje dhe u përpoq t’i dilte në ndihmë Aliut.

Ky ishte një veprim i jashtëzakonshëm njerëzor dhe burrëror. Isaku nuk u largua nga rreziku. Nuk zgjodhi heshtjen. Nuk qëndroi mënjanë si spektator i tragjedisë. Ai iu afrua vendit ku gjaku i një shqiptari po derdhej nga plumbat e pushtuesit. Pikërisht aty, duke u përpjekur të ndihmonte Aliun, ai u kap nga policët serbë dhe u rrah egërsisht.

Si pasojë e plagëve të marra nga ajo dhunë çnjerëzore, Isak Hajdini – Xhaka, atëherë rreth 50-vjeçar, ndërroi jetë më 4 qershor 1989 në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.

Kjo vdekje nuk ishte vdekje e zakonshme. Ajo ishte pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës së pushtetit serb ndaj një njeriu që kishte guxuar të tregonte solidaritet, trimëri dhe ndjenjë të lartë njerëzore në një moment dramatik.

Familja Ajeti, me të drejtë dhe me nder, vazhdimisht e ka kujtuar dhe e kujton aktin heroik të Isak Hajdinit – Xhakës. Ky kujtim nuk është vetëm mirënjohje familjare. Është dëshmi se ndërgjegjja popullore shpesh di të ruajë të vërteta që institucionet, botimet e mangëta apo kronikat selektive i lënë në harresë.

Prandaj, ngjarje të tilla nuk duhet të mbeten vetëm në kujtesën gojore, as vetëm në rrëfimet familjare. Ato duhet të trajtohen me seriozitet, me dokumente, me dëshmi dhe me përgjegjësi shkencore.

Historia e Kosovës ka nevojë për historianë që shkruajnë drejt, pa emocione të tepruara, pa anime partiake, pa interesa klanore dhe pa përzgjedhje të qëllimshme të figurave.

Vetëm kështu thuhet e vërteta. Ka ardhur koha që për periudhat e rënda të rezistencës shqiptare të shkruhen botime cilësore, të mbështetura në fakte dhe dëshmi të verifikueshme.

Nuk na duhen më pirgje librash që mjegullojnë realitetin, që lartësojnë disa duke harruar të tjerët, apo që shërbejnë për interesa individësh, grupesh e klanesh të caktuara.

E vërteta historike nuk duhet të ketë pronarë. Ajo u takon të gjithë atyre që vuajtën, rezistuan, ranë, u plagosën, u torturuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës.

Në këtë kuptim, emri i Isak Hajdinit – Xhakës meriton të përmendet me respekt të veçantë.

Ai nuk ishte vetëm dëshmitar i një ngjarjeje të rëndë. Ai ishte pjesë e saj. Ai ishte njeriu që, në vend se të largohej nga rreziku, iu afrua plagës së atdheut.

Një popull që harron njerëz të tillë, rrezikon të varfërojë jo vetëm historinë, por edhe ndërgjegjen e vet.

Lavdi martirit të demokracisë, Ali Ajeti!
Nderim i përjetshëm aktit heroik të Isak Hajdinit – Xhakës!

ARIF EJUPI

Zvicër: Dy shoqata kundërshtojnë: NXITJETË QËLLIMKQIJA ME PRAPAVI PËR URIMET E FESTËS PËR BAJRAM NË PRIZREN

Prizren ka qenë dhe është qendër me rëndësi historike dhe kulturore për të gjithë shqiptarët në hapësirat e trojeve etnike shqiptare të lira, gjysmë të lira dhe nënë pushtimin e pushtuesve serbo sllavë e grek.

Veprimtaria e organizuar politike dhe ushtarake e Lidhjes Shqiptare të Prizreni, për liri e pavarësi të trojeve shqiptare ka bashkuar shqiptarët e tri besimeve.

Serbët e frymzuar nga mësimet e Bosgosllavisë në Prizren e lejuar nga pushteti i Perandorisë Osmane, përgatitnin popa që shpërndanin propogandë dhe urrejtje ndaj shqiptarëve dhe përgatitnin serb për të kryer vepra të liga tinez,e për t’ua lënë siç thuhet kopilin te dera shqiptarëve për të krijuar ndarje dhe përçarje mes shqiptarëve të besimit islam dhe të besimit -katolik.

Hudhja e kokës së derrit në Xhamin e Prizrenit dhe në Xhamin e katunit Smolicë afër Gjakovës nga serbët e përgatitur sipas këshillave dhe udhëzimeve të KOS- Bogosllavisë dhe lajmërimi tek pushteti Turkë se gjëja këto veprime i kanë kryer shqiptarët e besimit katolik.

Pushteti i Perandoris Osmane, merr masa për dëbimin e të gjitha familjeve shqiptare të besimit të krishter-katolik që të dërgohen në Azi- Jemen. Në Bazhdarhane ku kanë qenë kazermat ushtarake i kanë tubuar familjet shqiptare të besimit katolik për t’i dërguar në Azi.

Një plakë e vjetër serbe kur shef grumbullimin e familjeve, pyet një ushtarak turk, se pse po i grumbullojnë këto familje dhe kah po i dërgojn. Ushtaraku i tregon: se shqiptarët katolik naten e Bajramit kanë hudhur kryet e derrit në xhami. Plaka serbe kur e mëson arsyen e din se cili serb e ka kryer këtë vepër të ndyrë dhe i thot. A bënë me folur unë me komandantin tuaj se unë e di kush e ka ba këtë punë me emën. Athere ushtaraku e lajmëron komandantin dhe komandanti pranon të bisedonme plakën serbe. Plaka serbe i tregon se cili serb këtë e ka bërë për t’ua lënë fajin shqiptarëve katolik. Ktheni njerëzit nëpër shtëpia se nuk janë fajtor këta. Kështu komandanti jep urdhër dhe familjet lirohen dhe kthehen nëpër shtëpit e tyre.

Pas viti 2000 në veçanti në vazhdimsi nëpër disa xhamia të Prizrenit ligjëratat e disa hoxhallarëve haptas kanë mohuar e fyer Flamurin kombëtar që dihen me emër e mbiemer, është fye hapur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e Nënë Tereza dhe askush për aegjë s’ka dhënë kurrëfarë përgjegjësie po as organet e hetuesisë dhe Drejtësisë s’kanë bërë asnjë veprim në këtë drejtim.

Para disa kohe në Priren, shtatorja e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut koka e përkrenarja dhe shpata u ngjyrosen me ngjyrë të arit, dihet qëllimi dhe prapavija askush s’ka dhënë kurrfarë përgjegjësie e as Komuna si përgjegjëse e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së monumenteve s’ka bërë gjë në këtë drejtim e nga organet e hetuesisë s’kanë dhënë se deri ku kanë shkuar hetimet. Të kryet një veprim ditëm drekë siç thuhet e të mos dihet se kush e kreu këtë veprim të shëmtuar, lenë shumë për të dyshuar në hetime dhe në përgjegjësitë e Komunës.

Po tani çfarë Ju desht që mbi Shtatoren e Skënderbeut me vendos mbulesen gjëja për Urimet e Festës së Bajramit, kur ka pasur mbi tridhjet xhamia me minare të larta dhe Urimet e mbulesat e tilla të vendosen në to e jo në Shtatoren e Skënderbeut.

Po na del i njeti qëllim sikur Serbët me koken e derrit hudhur naten e Bajrimt nëpër xhami, për të krijuar ndarje e përçarje mes shqiptarëve. Serbet e kanë bërë tinez e pas shpines tani Këshilli i Bashkësisë Islame për diten me Diell haptas vepron e nxisit ndarje e përçarje ndërshqiptare. Islami Politik në veprim haptas, por organet përgjegjëse të Komunes të e hetuesisë dhe Drejtësisë duhet me vepru pa u vonu si deri më tani. Është koha e fundit për t’i parandalu e ndëshku këto veprime qëllim këqija të organizuara dhe jetësuara më qëllime të caktuara, që krijonë ndarje dhe përçarje mes shqiptarëve.

Gjergj Fishata»Vërtet ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë.»

PROTESTA PËR GJUHËN SHQIPE NË SHKUP- NJË ALARM QË DUHET TA DEGJOJNË TIRANA DHE PRISHTINA Nga Nexhmije Mehmetaj

Nga rrugët e Shkupit këtë të hënë u ngrit edhe njëherë zëri i mijëra studentëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, të cilët marshuan për mbrojtjen e Gjuhës Shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Protesta, e dyta pas organizimit të 6 prillit, nisi me kërkesën konkrete që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën amtare, por mesazhi i saj ishte shumë më i thellë: shqiptarët nuk pranojnë më nënvlerësimin institucional të gjuhës dhe identitetit të tyre.

Marshimi nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë nuk ishte vetëm një protestë studentore. Ai ishte një thirrje qytetare dhe kombëtare për dinjitet, barazi dhe respekt kushtetues. Kur një popull detyrohet të protestojë për të drejtën e përdorimit të gjuhës së vet në institucione shtetërore, atëherë problemi nuk është vetëm administrativ, por politik dhe kombëtar.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë qenë faktor shtetformues dhe kanë paguar shtrenjtë për të drejtat e tyre. Shumë nga këto të drejta janë fituar me sakrificë, me rezistencë politike dhe me luftë. Pikërisht për këtë arsye, çdo cenim apo relativizim i tyre duhet të alarmojë jo vetëm shqiptarët atje, por edhe Tiranën dhe Prishtinën zyrtare.

Sot shtrohet me të drejtë pyetja: ku janë institucionet shqiptare? Ku është reagimi i Shqipërisë dhe Kosovës përballë zhvillimeve që prekin drejtpërdrejt shqiptarët në Maqedoninë e Veriut? A mjaftojnë vetëm deklaratat diplomatike dhe heshtja politike përballë një pakënaqësie kaq të madhe qytetare?

Është shqetësuese që studentët po ndihen të vetëm në mbrojtjen e një të drejte elementare, ndërkohë që Tirana dhe Prishtina shpesh tregohen të vonuara ose indiferente ndaj proceseve që zhvillohen në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë. Heshtja institucionale krijon përshtypjen sikur çështjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut trajtohen vetëm si problem lokal, kur në fakt ato janë çështje kombëtare.

Nëse sot nuk reagohet për gjuhën, nesër mund të vihet në pikëpyetje vetë pozita politike dhe kushtetuese e shqiptarëve atje. Prandaj protestat e studentëve nuk duhen parë si një revoltë e zakonshme rinore, por si një sinjal serioz se barazia e premtuar ende nuk është bërë realitet.

Tirana dhe Prishtina duhet të flasin qartë. Duhet të kërkojnë respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve, zbatimin pa diskutueshëm të statusit të Gjuhës Shqipe dhe trajtimin e shqiptarëve si popull shtet formues në Maqedoninë e Veriut. Diplomacia shqiptare nuk mund të jetë spektatore kur cenohen të drejtat kombëtare.

Studentët në Shkup treguan se vetëdija kombëtare nuk është shuar. Ata ngritën zërin për gjuhën, identitetin dhe dinjitetin. Tani është radha e Tiranës dhe Prishtinës të dëshmojnë nëse do të jenë në anën e këtij zëri apo do të vazhdojnë heshtjen.

Gjenevë, 19.05.2026                       Nexhmije Mehmetaj

Skandale të panevojshme- Nga ARIF EJUPI

 

Rasti i dhunës i raportuar mbrëmë në komunën e Skenderajt është një tjetër sinjal shqetësues për nivelin e kulturës politike dhe demokratike në shoqërinë tonë. Ngjarje të tilla nuk duhet të trajtohen si incidente të zakonshme apo si pasojë e emocioneve momentale, por si tregues të një klime të rrezikshme intolerance që, fatkeqësisht, po vazhdon të ushqehet nga vetë diskursi politik.

Në një sistem pluralist, mendimi ndryshe nuk është kërcënim, por vlerë themelore e demokracisë. Pikërisht aftësia për të pranuar kundërshtarin politik dhe për të respektuar të drejtën e secilit për të menduar ndryshe e dallon një shoqëri demokratike nga një shoqëri e dominuar nga frika, presioni dhe mentaliteti autoritar.

Ata që dikur luftuan për lirinë dhe çlirimin e Kosovës kanë përgjegjësi edhe më të madhe morale e historike për të dhënë shembull tolerance, qytetarie dhe maturie politike.

Nëse lufta është bërë për lirinë e të gjithëve, atëherë kjo liri duhet të vlejë njësoj për çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike apo ideologjike.

Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë atë si pronë personale apo partiake. Mentaliteti i përjashtimit dhe arroganca politike janë në kundërshtim të plotë me frymën demokratike mbi të cilën duhet të ndërtohet shteti.

Veçanërisht shqetësues mbetet fakti kur liderë politikë apo përfaqësues institucionalë dalin publikisht dhe relativizojnë ose justifikojnë dhunën. Në atë moment nuk kemi më të bëjmë me konkurrencë demokratike, por me legjitimim të mosdurimit dhe të logjikës së forcës.

Deklaratat e pamatura dhe reagimet emocionale jo vetëm që dëmtojnë klimën politike, por njollosin edhe vetë kontributin e atyre që në periudhat më të vështira u vunë në mbrojtje të Kosovës.

Po aq problematike është edhe ndërhyrja në punën e organeve të rendit dhe sigurisë. Në çdo shtet demokratik, policia dhe institucionet e sigurisë kanë për detyrë ruajtjen e rendit publik dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Kjo është praktikë universale. Edhe në vendet me traditë të gjatë demokratike, si Zvicra, askush nuk e vë në dyshim të drejtën dhe detyrën e policisë për të patrulluar dhe për të garantuar rendin në qytet apo në fshat.

E kaluara jonë politike ka lënë plagë të thella. Shoqëria kosovare ka përjetuar edhe raste tragjike ku, gjatë fushatave zgjedhore, janë vrarë pjesëtarë të partive kundërshtare si pasojë e urrejtjes politike dhe e përpjekjeve për ta deformuar vullnetin qytetar.

Pikërisht për këtë arsye, çdo tolerim i gjuhës së urrejtjes apo i dhunës duhet të konsiderohet alarm serioz për demokracinë.

Fatkeqësisht, dhuna verbale dhe mosdurimi politik shpesh ushqehen nga vetë liderët partiakë. Në publik ata paraqiten si kundërshtarë të ashpër, ndërsa prapa skenës bashkohen rreth interesave personale, ekonomike apo klanore. Në këtë realitet të deformuar, humbësi më i madh mbetet qytetari i zakonshëm, i cili, i nxitur nga retorika përçarëse, shkon deri te konfliktet personale me militantët e partive rivale.

Përkundër deklarimeve për maturi dhe standarde demokratike, shumë prej fushatave zgjedhore në Kosovë dhe Shqipëri vazhdojnë të dominohen nga skandalet, polarizimi dhe propaganda agresive.

Demokracia nuk ndërtohet mbi frikën, manipulimin dhe mobilizimin militant, por mbi besimin qytetar dhe integritetin moral të përfaqësuesve politikë.

Një fenomen tjetër shqetësues mbetet lëvizja e shpeshtë e individëve nga një parti në tjetrën, shpesh jo për shkak të bindjeve politike, por për interesa personale dhe klanore. Kjo krijon mosbesim te qytetarët dhe e zbeh seriozitetin e vetë sistemit politik.

Edhe një pjesë e mediave, në vend që të kontribuojnë në qartësimin e opinionit publik me profesionalizëm dhe paanshmëri, shpesh bien pre e sensacionalizmit, anshmërisë politike dhe gjykimeve të parakohshme, duke marrë rolin e institucioneve të drejtësisë.

Dhuna, intoleranca dhe sidomos justifikimi publik i tyre janë rrugë e rrezikshme që mund ta çojnë një shoqëri drejt destabilizimit institucional dhe anarkisë. Demokracia nuk mbrohet me forcë, por me kulturë politike, me institucione të pavarura dhe me respekt të ndërsjellë.

ARIF EJUPI

Lamtumirë, miku i madh i shqiptarëve, Prof.Dr. Basil Schader Nga Nexhmije Mehmetaj

Prof. Dr. Basil Schader (1951–2026) ishte një ndër personalitetet më të shquara evropiane që kontribuoi në studimin, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, veçanërisht në fushën e arsimit plotësues në diasporë.

Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Basil Schader, pedagogut, studiuesit dhe mikut të madh të shqiptarëve. Ikja e tij e papritur, pas një sëmundjeje të rëndë në spitalin e Cyrihut, përbën një humbje të madhe jo vetëm për botën akademike shqiptare e zvicerane, por edhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër përkushtimin, urtësinë dhe dashamirësinë e tij të pashoqe ndaj gjuhës, kulturës dhe arsimit shqiptar.

Në çaste të tilla dhimbjeje, fjala duket e pamjaftueshme për të shprehur pikëllimin që ndiejmë. Megjithatë, krahas dhimbjes së thellë, kemi edhe detyrimin moral e intelektual të kujtojmë dhe të vlerësojmë veprën e vyer të profesor Schader-it, i cili me përkushtim të rrallë iu kushtua çështjes shqiptare, veçanërisht ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në diasporë.

Në mesin e studiuesve me prejardhje joshqiptare që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën dhe arsimin shqip, emri i Basil Schader-it zë një vend të veçantë. Ai jo vetëm që e mësoi dhe e zotëroi gjuhën shqipe në mënyrë shembullore, por e studioi atë me seriozitet shkencor dhe ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës mbrojtjes, promovimit dhe zhvillimit të saj. Për profesor Schader-in, gjuha shqipe nuk ishte thjesht objekt studimi akademik, por një pasuri shpirtërore dhe identitare që duhej ruajtur e transmetuar brez pas brezi.

Mesazhi i tij shkencor dhe njerëzor drejtuar shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve amtare ishte i qartë dhe i vazhdueshëm: gjuha shqipe duhet folur në familje, në jetën e përditshme dhe t’u trashëgohet fëmijëve si vlera më e çmuar identitare. Ai ishte i bindur se vetëm përmes përdorimit aktiv dhe shkrimit të saj, shqipja mund të mbijetojë dhe të zhvillohet në kushtet e migrimit dhe të shumëgjuhësisë.

Kontributi i tij në fushën e arsimit plotësues në diasporë ishte shumëdimensional. Në vitin 1996, në bashkëpunim me mësuesin Femzi Braha, botoi librin “Shqip”, ndërsa së bashku me Fadil Rexhepi hartoi librin shkollor “Ura e Fjalëve”, si dhe fjalorin shkollor gjermanisht-shqip. Një ndër veprat më të rëndësishme shkencore të tij mbetet studimi “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër”, me të cilin mbrojti doktoraturën e dytë në Universitetin e Tiranës, botuar në vitin 2005. Ky studim përfaqëson një kontribut të

rëndësishëm në fushën e sociolinguistikës dhe të dygjuhësisë shqiptare në diasporë.

Përveç botimeve dhe përkthimeve të shumta nga shqipja në gjermanisht dhe anasjelltas, profesor Schader u dallua edhe për angazhimin e tij në ngritjen profesionale të mësimdhënësve shqiptarë. Ai bashkëudhëhoqi seminare, konferenca dhe projekte të rëndësishme arsimore për mësuesit e shkollave shqipe në diasporë, në Kosovë dhe më gjerë, duke kontribuar në avancimin e metodologjisë së mësimdhënies dhe të didaktikës bashkëkohore.

Veçanërisht i rëndësishëm ishte bashkëpunimi ndërmjet Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, ku ai vepronte si docent, dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës për hartimin dhe botimin e teksteve të mësimit plotësues në diasporë. Në kuadër të këtyre angazhimeve, profesor Schader udhëhoqi projekte ndërkombëtare për didaktikën e mësimdhënies, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në profesionalizimin e mësuesve të gjuhës shqipe jashtë atdheut.

Për veprimtarinë e tij të çmuar në shërbim të arsimit dhe kulturës shqiptare, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër e shpalli anëtar nderi në mars të vitit 2003. Ndërsa në vitin 2017, për kontributin e tij shumëdimensional në favor të mërgatës shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithësi, ai u nderua me “Çmimin e Nderit” nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Figura e Prof. Dr. Dr. Basil Schader-it do të mbetet e paharruar në kujtesën e mësuesve, studiuesve dhe të gjithë shqiptarëve që panë tek ai një mik të sinqertë dhe një mbrojtës të palodhur të gjuhës shqipe. Ai ishte një urë lidhëse mes kulturave, një zë i fuqishëm në mbështetje të arsimit shqip në diasporë dhe një shembull i rrallë i humanizmit akademik.

Lamtumira ndaj tij është e rëndë, por vepra dhe mesazhi që la pas do të jetojnë gjatë. Emri i Basil Schader-it do të mbetet i shkruar me respekt e mirënjohje në historinë e arsimit dhe të albanologjisë shqiptare. Ndërsa kujtimi për të do të mbetet frymëzim për brezat që do të vazhdojnë misionin e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit shqiptar kudo në botë.

Gjenevë, 14, 05. 2026 Nexhmije Mehmetaj


Send this to a friend