Gjurma më unike, që na e la si trashëgimi të vyer, mjeshtri dhe dijetari, Fatos Kola, është skulptura, një dëshmi e gjallë modelimi, konceptualiteti dhe materializimi estetik. Një përvojë nga më të spikaturat, të figurave të skalitura, mjeshtërisht nga skultptiri, në bashkëkohësinë e arteve figurative. Mjafton të sjellësh në vëmendjen punën e përkryer, të titulluar “Pena Budi”, pasojë e një densiteti figurimi dhe ngjizje të përveçme, për të ndjerë nga afër trasfigurimin e gjetur, që kishte në objektiv, për të kuptuar sadopak, aktin përlindës të personazheve të shndërruar në figura të përpunuara nga duart e artistit. Po ashtu arti i figurës, që shkon gjer në magji, është konceptimi, krejt i veçantë i kokës së figurave, që natyrshëm përmbledh përvojën dhe fuqinë shprehëse, të sendërgjimit estetik, nga ana e skulptorit mjeshtër, që njihte si pak të tjerë, vlerat e krijuara në artin egjyptian, në qytetërimin greko-romak, si dhe të gjithë epokave të mëvonshme. Figura e Kostandin Kristoforidhit, e gjuhëtarit të rrallë të gjuhës shqipe, e cila në syrin tim përfaqëson një punë të përkryer, një tranfigurim estetik i pazakontë, njëherit mishëron personazhin, por edhe frymën mjeshtërore të skulptorit, që punimin e kokës e shpërndërroi në magji, në mjeshtri që shpesh herë rrok përsosjen. Po në këtë nivel shprehës, madje me një denduri të shtuar emocionaliteti, për shkak të miqësisë së pa të dytë që pati me muzikologun dhe mendimtarin e ndrituar, vjen figura e Ramadan Sokolit, mikut, mentarit, udhëheqësit shpirtëror të Tosit, e të sa të tjerëve, në shtegtimin për te rrënjët e kulturës dhe të qytetërimit arbnor. Në këtë dimension, të shenjimit të përveçëm estetik vjen edhe figura e Rinush Idrizit, poetit dhe studiuesit të letërsisë së bashkëkohësisë, gjithnjë duke kapur karakterin, njëherit duke përçuar respektin dhe adhurimin për secilin nga këto pika reference, të historisë dhe kulturës sonë.
Mbi aftësinë e pazakontë për realizimin e skulpturave, të mjeshtërisë së endjes së kokave, po flas vetëm si njohës i punëve të mëdha në lëmin e skulpturës, pa guxuar të hyj te interpretim, por vetëm si një akt i përshtypjes dhe mbresave që më ka krijuar magjia e tij, për ta shprehur botën e madhe, me anë të skulptures, artit më madhor të arteve figurative. Mendoj se ky sukses, në punët e mbaruar, në realizimin e kaq shumë skulpturave, në mënyrë të posaçme, më së shumti lidhet me dy aspekte, tejet të rëndësishme:
E para, njohja e thellë, e gjithë përvojës botërore, në lëmin e sendërgjimit të skulpturave, madje edhe në nivelin e interpretimit të saj, jo vetëm si pedagogë, por më tepër si një bashkëbisedues mendjehapur, pra duke u lidhur ngushtësisht me dijen dhe vetëdijen e shenjave që vijnë nga klasiciteti dhe në gjithëkohësinë ekzistenciale të skulpturës.
E dyta, pasioni i pakarahsueshëm për ngjyrat, për gurin dhe baltën, për të endur magji të përveçme në majën e artit të figurës, siç edhe shihet nga artistët, shpalimi i vlerave nëpërmjet skulpturës.
Pra, kuptohet se njohja e thellë e historisë së skulpturës, adhurimi i mjeshtrave të gjithë kohërave dhe pasioni prej artisti të lindur, mundësuan që të realizonte vepra kualitative, madje kryevepra të përveçme në skulpturën bashkëkohore, duke mbetur një rast model, për artistët dhe për studentët. Në fakt, këto dy anë, të artistit të figurës, të mjeshtrit të skulpturave, të njohësit të përvojës botërore dhe shqiptare, shpesh shpërfaqen edhe në dialogimin për estetikën e arteve figurative, duke përvijuar njërin nga mendjet e ndrituar në betejën e pandërpreme me realizmin socialist, në artet figurative, por edhe në letërsi. Bisedat mbi këtë temë, kanë qenë të shpeshta dhe të thella, në kërkim të alternativave për të dalë nga tuneli i socrealizmit, ose siç e pati formuluar Tosi, “E bukura në gijotinë”. Trajtimet e bëra, me nota të qarta polemizuese, e diçka më tepër me qasje të holla estetike, madje mirëfilli teorike, shpesh herë bëri që të zgjoheshin “djajtë” që notojnë dhe ndjehen mirë në kënetën e socrealizmit. Skulptura, si magji artisti, si dhe dija dhe kultura mbi të, u bë vatra e formësimit të një dijetari, të një personaliteti me dije të gjera, tejet të thella, duke u shpërndërruar në modelim, të një mjeshtri të rrallë, në këto kohë, kur “ustallarët” e socrealizmit zënë fronet, ekranet e televizoneve.
Më është gdhendur në kujtesë, një ngjarje e pazakontë, para viteve ’90, kur në një ekspozitë të arteve figurative, në qytetin e Burrelit, Fatosi kishte vendosur veprën Pena Budi, një kenceptim skulpturor befasues. Pati shumë zhurmë atëbotë, nga hienat e komunizmit, për atë punimim mjeshtëror, si koncept dhe realizim, e parë si një punim që kishte deformuar parimet e realizmit socialist, sepse me “gjasë” kishte rënë preh e dekadentizmit. Si tani e mbaj mend, kur hyra në ekspozitë, pikërisht puna e Fatosit, Pena Budi, më tërhoqi veçmas nga pikturat dhe skulpturat e paraqitura, madje gati më përthithi, si një gjetje e veçantë, si një simbolikë që lidhte fjalën e poetit dhe prozatorit të parë të letrave shqipe, Pjetër Budit. Më kujtohet që në atë gjendje mrekullimi, kam pëshpëritur, me tepër me vete “një punë magjike”, në konceptualitet dhe mishërimin estetik, të simbolikës së penës. Mbas atij momenti, kur gjeja kohë, shkoja për ta takuar në atelie, ku gjithmonë kishte punë të shumta, gati në përfundim, në mesin e tyre, ose fillesa të një boceti të një pune që ishte në kokën e mjeshtrit të skulpturës, Fatos Kola. Punimet në skulpturë të tij, me krijonin një ndjesi të veçantë, sa shpesh më fanitej si një poezi që flet me imazh, sidomos me kokën e protagonistëve, që vinte në qendër të zbërthimit etik dhe estetik. Edhe sot e gjithë ditën, kur ndeshem me punët e tij, vetvetiu kam një grimë kohë stepje, një ofkamë që tanimë më thërret nga amshimi. Fati i artistit, përveç shpirtit që endet në pambarim, lë gjurmë të një kujtese të pashmangshme, që herëdokurë e ndesh diku. Gjurma e frymimit, e ekzistimit edhe në amshim, me gjasë kryegjurma, është skulptura, pasqyra që na sjell pranë mjeshtrin, dhe kur duam të shmallemi, vizitojmë punët e bukura, që mbaroi, anipse pengjet janë më të mëdha, pengjet e pranisë në hapësirat e qyteteve të punëve të tij.
Kuptohet më në fund që skulptura është vetëmse maja e piramidës njerëzore dhe artistike, por njëherit është edhe një kamer këndshikimi për të parë, ndjerë pranë përmasat e shumta të magjistarit të skulpturës. Pranë mjeshtrit të imazhit, ishte njeriu me zemër të madhe, miku, vëllai, shoku i derteve dhe gëzimeve, njeriu mentar që sa herë flet, të shtang me gjykimin, që po kaq dinte të dëgjonte logjikën dhe argumentin, e kujtdo, madje edhe kundërshtarëve, që ia zunë udhën shpesh. Jo rrallë, në mes miqësh, kam dëgjuar të thuhet, lum ai që e ka mik Tosin, e mjerë ai që i del kundërshtar, i vihet përballë, sepse nuk ka shans të shpëtojë pa e marrë përgjigjen e merituar. Njeriu, shfaqej në të dy anët e medaljes, si humanist dhe i brishtë në ndjesi, si i paepur në mbrojtjen e ideve dhe bindjeve të veta. Në fakt ishte vështirë të ishe mik i Tosit, ama pasi të bënte mik, ishe mik për kokë, mik i përjetshëm, që nuk të ndërronte për asnjë shkak. Arti i skulpturës e kishte bërë njeri të fortë dhe të lire, një burrë të mençur dhe fisnik.
Si njeri i lirë, si artist pa asnjë kompromis, e shumë pranë tyre, tanimë vjen në fokus përmasa e intelektualit, që mbi të gjitha ka dinjitetin dhe larminë, syçeltinë dhe vendosmërinë e pashoqe. Personaliteti i fortë, karakteri i paepur, për çudi u shpërfaq në të dy kohët. Në monizëm, për shkak të artit, kundër rrjedhës së realizmit socialist, në mënyrën më habitore të mundshme, e ndalojnë të ushtrojë magjinë e skulpturës, sepse e caktuan të punonte si lulishtar, një sprovë unike, e cila për shumëkënd duket si legjendare, në fakt kemi të bëjmë me ndodhi reale, të shekullit të njëzet. Mjerisht, edhe në kohën e demokracisë, me gjasë të demokraturës, që nuk po shkëputet nga mendësia e përjashtimit të tjetrit, të mendimit ndryshe, sërish erdhi ndëshkimi. Ishte pedagog në Universitetin e Arteve dhe në vitin 2010, propozon një platformë të plotë të shkollimit në degën e skulpturës. Jo vetëm që ra në veshë të shurdhër, por idetë e platformës, u bënë shkak të largonin nga puna, në mënuyrë më të mbrapshtë. Jemi në këto vite, kur shkolla ka rënë në mjerim, kur akademizmi, më tepër udhëton krenar në shtegun e analfabetizmit funksional.
E lënduan si njeri, e fyen si pedagog, ama artin, fuqinë e lirisë së tij, magjinë e skulpturës nuk e prekën dot. Magjia e artit dhe liria është aty, ku janë vënë punët e tij, në dosjet e punëve të lëna, në kujtesën e miqëve dhe studentëve. Po vrisja mendjen, se mos në këto vite i kanë bërë ndonjë vlerësim, gjë që në mes kolegëve nuk ka munguar, mos e kanë veçuar me ndonjë dekoratë…Nuk ndesha gjëkund, por artisti i lirë, njeriu dijetar, intelektuali pa kompromis, nga kundërshtarët e lirisë, nuk e pranojnë si model. Më erdhi në mend shprehja e Balzakut: “Kush i kërkon dekoratat nuk meriton. Ai që i meriton nuk ka nevojë për to.”, e cila jam i bindur se i rri për shtati Fatos Kolës, artistit, njeriut dhe intelektualit të pazakontë.