VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Fatmir Limaj i përgjigjet Doruntinë Malokut për vrasësin e babait

By | May 13, 2016

Komentet

32 europarlamentarë i kërkojnë kancelares gjermane liberalizimin e vizave për Kosovën

Në një letër të përbashkët, 32 deputetë të Parlamentit Evropian i kërkuan kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm Horst Seehofer, që të vënë në rend dite çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Nga e mërkura Gjermania merr kryesimin e Bashkimit Evropian.

Në letrën e nënshkruar edhe nga raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, deputetët thanë se ka dy vjet që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.

“Aktualisht, Kosova është një nga vendet e pakta evropiane, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen pa viza. Sidoqoftë, kjo nuk varet më nga qytetarët e Kosovës. Procesi për të siguruar liberalizimin e vizave supozohet të mbështetet në kritere objektive, të cilat, siç njoftohet nga Komisioni Evropian, janë përmbushur në korrik të vitit 2018, saktësisht dy vjet më parë, dhe që atëherë vendi ka pritur vendimin përfundimtar të Këshillit për liberalizimin e vizave”, thuhet mes tjerash në letër.

Deputetët shfaqin shpresën se lidhjet historike dhe angazhimi i Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor mund të përdoren për të zgjidhur këtë çështje. Ata hedhin poshtë pretendimet se Kosova nuk mund të përfitojë për shkak të numrit të kërkesave të pabazuar për strehim dhe problemeve me krimin e organizuar.

“Kosova ka përmbushur standardet. Ajo i ka kryer detyrat e shtëpisë, tani është radha jonë të mos e thyejmë premtimin. Ne po humbasim besueshmërinë tonë kur një vend po bënë atë që ne kërkojmë, por ato nuk përfiton nga premitmet tona. Si mund të kërkojmë ndonjë reformë tjetër nga vendet në fqinjësi, kur ata nuk mund të jenë të sigurt se mund të përfitojnë ndonjë gjë nga puna e tyre?” theksohet në letër.

Letra u mirëprit nga ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi.

“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse ka si qëllim vetëm disa biznese. Përqendrimi i Shteteve të Bashkuara në normalizimin ekonomik ka motivuar evropianët të ndërmarrin veprime”, shkroi mes tjerash ambasadori Grenell.

Qytetarët e Kosovës të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Propozimi i parë për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh në parlamentin e Kosovës, por edhe jashtë tij, marrëveshja u ratifikua në mars të vitit 2018.

Në shtator të atij viti Parlamenti Evropian votoi në favor të liberalizimit, por Këshilli Evropian nuk arriti pajtim për përmbushjen e këtij synimi. zëri i amerikës

Elez Biberaj: Jam plotësisht i përkushtuar ndaj misionit të Zërit të Amerikës

Të nderuar kolegë,

E vlerësoj thellësisht mundësinë e pashembullt që më dha kreu i Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Michael Pack për të drejtuar në këtë periudhë kalimtare si Drejtor në Detyrë, Zërin e Amerikës, një institucion që e dua me gjithë zemër dhe të cilit i kam shërbyer për afro 40 vjet, pothuajse gjatë gjithë karrierës sime.

Unë u rrita duke dëgjuar Zërin e Amerikës dhe ashtu si shumë prej atyre për të cilët ne transmetojmë në gjithë botën, e fillova rrugëtimin tim si refugjat. Në vitin 1968, familja ime, që ishte arratisur për t’i shpëtuar shtypjes komuniste në Shqipëri, emigroi në Shtetet e Bashkuara, vendi i lirisë dhe i mundësive, ku unë pata fatin të merrja doktoraturën në shkenca politike në Universitetin “Columbia”. Mirënjohja ime për realizimin dhe përjetimin e ëndrrës amerikane është pa kufi dhe jam thellësisht i nderuar t’i shërbej misionit të Zërit të Amerikës mes profesionistësh që i respektoj jashtë mase.

Gjatë gjithë karrierës sime të gjatë në Zërin e Amerikës dhe udhëtimeve në gjithë botën, kam parë ndikimin e madh që kemi duke bërë një gazetari me vlerë të jashtëzakonshme, në mbështetje të lirisë dhe demokracisë; duke u bërë një rreze shprese; duke ndihmuar njerëzit nën regjime diktatoriale dhe autoritare, që të mos humbnin frymën e pavarësisë dhe të arrinin aspiratat e tyre demokratike; dhe duke shërbyer si një fanar dhe mishërim i standardit të së vërtetës dhe vlerave themelore amerikane.

Ndërsa marr detyrën për të drejtuar përkohësisht si gazetarët, edhe personelin teknik dhe administrativ jashtëzakonisht të talentuar, do të bëj maksimumin të nderoj Kartën dhe Misionin e Zërit të Amerikës dhe t’u përmbahem standardeve më të larta të gazetarisë dhe etikës. Cilido që ka punuar me mua e di që unë jam plotësisht i përkushtuar ndaj misionit të Zërit të Amerikës për të shërbyer si një burim i besueshëm lajmesh dhe informacioni të besueshëm, për të pasqyruar një gamë të balancuar dhe gjithëpërfshirëse të mendimit dhe instituconeve amerikane dhe për të paraqitur politikat e Shteteve të Bashkuara me qartësi dhe efektivitet. Misioni ynë është sot më i rëndësishëm se kurrë, dhe askush nuk mund të përçojë historinë frymëzuese të Amerikës, perspektivat amerikane dhe të shërbejë si model i lirsë së shtypit, si Zëri i Amerikës. Karta e Zëri të Amerikës parashikon pavarësi në mbulimin e lajmeve. Unë do të bëj të gjitha përpjekjet që Karta të respektohet, pa u cenuar nga ndërhyrje politike, ashtu siç presin audiencat tona.

Të gjithë kolegëve brenda dhe jashtë vendit, që punojnë me aq përkushtim për të respektuar dhe çuar më tej misionin e jashtëzakonshëm të Zërit të Amerikës: Ju falenderoj që kam nderin të punoj me ju për të vazhduar traditën e Zërit të Amerikës që nga viti 1942, për një gazetari që i shërben me besnikëri idealeve amerikane të lirisë dhe demokracisë. Tranzicionet gjithmonë sjellin një shkallë ankthi dhe nervozizmi, por ju lutem të jeni të sigurt se unë do të bëj gjithçka për të siguruar që Zëri i Amerikës të vazhdojë të kryejë rolin e tij të rëndësishëm, ashtu siç kemi bërë për shumë vjet. Unë do ta bëj një gjë të tillë me besimin më të madh se Zëri i Amerikës dhe punjësit e tij të zotë dhe të përkushtuar janë në lartësinë e duhur në çdo drejtim sot dhe gjithmonë. zëri i amerikës

ELEZ BIBERAJ EMËROHET DREJTOR I PËRGJITHSHËM I ZËRIT TË AMERIKËS – Nga Frank Shkreli

Disa ditë më parë, Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj kryesore, Sandra Sugawara, dhanë dorëheqjen duke thënë se, Michael Pack, shefi ekzekutiv i sapo miratuar i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), që mbikqyr ndër të tjera edhe Zërin e Amerikës, gëzon të drejtën t’i zëvendësojë ato me ekipin e zgjedhur prej tij.

 

Sot, ditën e martë, Z. Michael Pack bëri pikërisht këtë, duke njoftuar zyrtarisht emërat e zyrtarëve të lartë që do të zevëndësojnë shefat e mëparshëm të 5 enteve të transmetimeve civile ndërkombëtare amerikane, përfshirë edhe atë të Zërit të Amerikës. Me kënaqësinë më të madhe mësova se njëri prej këtyre zevëndësimeve, ishte miku im i ngushtë dhe kolegu i ditëve të mira dhe të vështira për pothuaj 50-vitet e kaluara Dr. Elez Biberaj i cili u emërua në krye të Zërit të Amerikës, si Drejtor i Përgjithshëm në detyrë i VOA-s.

Në njoftimin e emërimeve, Shefi Ekzekutiv I emëruar nga Presidenti Trump dhe i sapo miratuar nga Senati i SHBA-ave, i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Z. Pack, u shpreh se, “Përvoja e këtyre burrave dhe grave të talentuar, njohuria e tyre e veprimtarisë dhe misionit të tyre ndaj këtyre enteve si dhe angazhimi i tyre ndaj standardeve të gazetarisë, do na e bëjë të mundur hapjen e një kapitull të ri në agjencinë tonë.  Dr. Biberaj, Z. Shapiro, Z, Ponnudurai dhe Zonjat Sullivan dhe Sindelar do të luajnë role kritike në postet e tyre duke bërë të mundur që entet tona të shënojnë një performancë më të lartë, me qëllim që tu shërbejmë më mirë audiencave tona.  I falënderoj nga zemra për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në këtë ndërmarrje tonën dhe jam shumë i kënaqur të punojë hap për hap me ta dhe me të gjithë ju”, thuhet në njoftimin që Z. Michael Pack i drejtoi stafit të Zërit të Amerikës dhe enteve të tjera të transmetimeve civile ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.  Në një koment në pritje të emërimeve të reja, portali amerikan i lajmeve, VOX u shpreh për emërimin e Dr. Biberaj duke thënë se, Z. Biberaj gëzon një reputacion shumë të mirë si një njeri serioz dhe profesionist i disiplinuar. Ai është dhënë me gjithë shpirt ndaj përhapjes së lirë të lajmeve dhe informacionit në vendet dhe kontinentet ku kjo liri u mohohet njerëzve, thuhet në komentin e portalit amerikan të lajmeve VOX.

 

Disa të dhëna, shkurtimisht, mbi karierën e Dr. Elez Biberaj.  Elez Biberajn, bota shqiptare e ka njohur për pothuaj një gjysëm shekulli — jo vetëm nepërmjet komenteve prej eksperti mbi gjëndjen në Shqipëri, në Kosovë dhe në Ballkan, gjatë viteve si dhe për intervistat e shumëta në valët e Zërit të Amerikës — por edhe nepërmjet shkrimeve të shumta si autor librash dhe dyzina artikujsh në anglisht, të botuara në gazetat amerikane dhe në shqip në median shqiptare si dhe në diasporë.

Deri sot, Dr Elez Biberaj ka drejtuar Divizionin e Euro-Azisë të Zërit të Amerikës që nga viti 2006. Ai ishte përgjegjës për programimin multimedial të Zërit të Amerikës drejtuar Rusisë, Ukrainës, Armenisë, Gjeorgjisë dhe vendeve të Ballkanit, përfshir Shqipërinë.  Z. Biberaj filloi punën tek Zëri i Amerikës në vitin1980 si një transmetues ndërkombëtar në Shërbimin Shqip të kësaj radioje. Nga viti 1982 deri në vitin 1986, ai punoi në Divizionin e Shtypit të ish Agjencisë së Informacionit të Sh.B.A-së si shkrimtar/redaktor i specializuar në çështjet sovjetike dhe të Evropës Lindore.  Dr. Biberaj u kthye në Zërin e Amerikës si shef i Shërbimit Shqip në vitin 1986 dhe për 18 vite me radhë ka shërbyer si Shef i Seksionit shqip VOA-s, duke e shëndërruar shërbimin shqip në një prej enteve më të suksesshme të të të gjitha transmetimeve të Zërit të Amerikës.  Për një kohë të gjatë, ai shërbeu në një kapacitet të dyfishtë si shef i Shërbimit Shqip dhe drejtor i shkrimtarëve dhe studiuesve të Divizionit Evropian të Zërit të Amerikës.  Dr. Biberaj u emërua Redaktor/ Menaxhues i Divizionit të Euro-Azisë në 2004, u bë shef në detyrë si Drejtor i Divizionit Euro-aziatik në vitin tjetër dhe u emërua përfundimisht Drejtor i Divizionit me 2006.  Ai ka doktoraturën (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010”.

 

Dr. Biberaj njihet si ekspert në fushën e transmetimeve radio-televizive ndërkombëtare, gazetar i shquar dhe autor librash dhe artikujsh të shumtë akademikë, ndër të tjera edhe si njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Shqipërisë, Kosovës dhe Rusisë.  Dr. Biberaj ka vizituar shpesh shtetet dhe zonat ku fliten gjuhët në të cilat transmeton Zëri i Amerikës programet e veta, veçanërisht në Evropë, Rusi e gjetkë.  Si njëri prej vëzhguesve dhe analistëve më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe në Kosovë.”, siç e ka cilësuar atë miku ynë i përbashkët Profesor Nikola Pano, dhe si eskpert i njohur gjatë karjerës së tij në Washington, Dr. Biberaj është ftuar dhe ftohet shpesh për të folur nga pikëpamja e një eksperti — për situatat në zonën e Euro-Azisë, në Ballkanin Perëndimor dhe mbi Rusinë – qoftë nga ente të ndryshme të qeverisë federale amerikane, qoftë nga organizata mediatike, jo-qeveritare dhe akademike.

 

Elez Biberaj, Ph.D.

Me emërimin e tij në postin e Drejtorit të Përgjithshëm në detyrë të Zërit të Amerikës, Dr. Biberaj ka arritur–të pakën deri tashti – kulmin e karierës së tij të shkëlqyer, një sukses ky për të cilin ai vet dhe familja e tij duhet të jenë krenarë, por edhe të gjithë ata që e njohin — për së afërmi e për së largu – përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave modestë – si një shok i ngushtë, mik i familjes dhe bashkpuntorë i pa ndarë në rrugëtimin e përbashkët e të gjatë prej gjysëm shekulli në përpjekjet për liri e demokraci, jo vetëm në trojet tona shqiptare, por edhe anë e mbanë botës.

 

Tashti Zotit Biberaj i është besuar një përgjegjësi e madhe nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.  Unë jam pensionuar 15 vjetë më parë nga Zëri i Amerikës (pikërisht nga posti që mbajti deri tani Elezi), por duke e njohur – mbrenda dhe jashtë VOA-s — shumë mirë Elez Biberajn,  për aftësitë, përgatitjen, përvojën dhe përkushtimin e tij ndaj VOA-s, për të cilën foli edhe Michael Pack –respektin e tij për dëgjuesi, shikuesit, lexuesit si dhe ndaj misionit të Zërit të Amerikës.  Mision ky i përcaktuar me ligj nga Kongresi amerikan, për të raportuar të vërtetën anë e mbanë botës, në kohë të mira dhe në kohë të vështira – lajme të mira ose të këqia — do tu themi të vërtetën — ishte dhe është motoja e VOA-s, ç’prej fillimit, të cilën Z. Biberaj e ka zbatuar me përpikëmëri të një profesionisti të rrallë në gazetarinë shqiptare dhe amerikane.  Unë jam i bindur se autoritetet amerikane, nuk mund të kishin gjetur njeri më të përshtatëshëm, më të përsosur, më të aftë dhe më të zotin për këtë detyrë që i kanë besuar, sidomos në këtë kohë dhe nën këto rrethana në këtë vend dhe në botë.

 

Për lexuesin që ndoshta nuk e njeh mirë Zërin e Amerikës dhe për çfarë do të jetë përgjegjës Elez Biberaj që në ditën e parë në krye të detyrës të këtij enti me famë botërore dhe me rëndësi strategjike nga pikëpamja e politikës amerikane, ja vlen të sjellë, shkurtimisht, disa të dhëna për Zërin e Amerikës, këtë organizatë mediatike amerikane, reputacioni i të cilës njihet edhe botërisht.

 

Zëri i Amerikës (VOA) është transmetuesi më i madh ndërkombëtar amerikan, që ofron lajme dhe informacione në më shumë se 45 gjuhë, për një audiencë të përjavshme javore prej qindra miliona dëgjues dhe shikues.  Zëri i Amerikës përgatit materiale për platforma dixhitale, televizive dhe radio.  Programet e VOA-s mund të lexohen/dëgjohen dhe të shikohen përmes telefonit celular dhe mediave sociale. Materialet në gjuhë të ndryshme gjithashtu shpërndahen me satelit, kabllo, FM dhe valë të mesme (MW), valë të shkurtëra në disa raste, ndërkohë që programet e VOA-s shpërndahen edhe në një rrjet prej më shumë se 2.500 stacionesh, bazuar në marrëveshje bashkëpunimi në shumë vende të botës.  Që nga krijimi në vitin 1942, Zëri i Amerikës është angazhuar të ofrojë një përmbledhje të lajmeve të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirse, duke bërë të pamundurën për të raportuar të vërtetën anë e mbanë botës.  Si gjatë Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Ftohtë, luftës kundër terrorizmit global,  lugftërave ballkanike ashtu edhe sot në përpjekjet për liri, demokraci  dhe të drejta të  njeriut anë e mbanë globi, në punën e saj të përditshme, Zëri i Amerikës pasqyron dhe njëkohësisht është edhe shembull i parimeve të një shtypi të lirë e demokratik.

 

 

Dr. Elez Biberaj në detyrën e re si Drejtor i Përgjithëshëm në detyrë i Zërit të Amerikës i raporton, Z. Michael Pack — i emëruari i Presidentit Trump dhe i posa miratuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara – shef i ri ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) që përfshin Zërin e Amerikës dhe disa rrjete të tjera mediatike ndërkombëtare të financuara po ashtu nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.

 

Për ne shqiptarët në Amerikë ekziston shprehja se të jesh shqiptar i mirë duhet të jesh edhe amerikan i mirë.  Familja Biberaj pasqyron më së miri këtë thënje.  Dr Elez Biberaj rrjedh nga në familje anti-komuniste nga Tropoja.  E ardhur në Amerikë para 52 vjetëve, familja Biberaj në përgjithësi është një tregim suksesi, si familje në terësi, ndërkohë që si antarë individual të kësaj familje të ngushtë e tradicionale shqiptaro-amerikane, secili prej 4 vëllëzërve e 4 motrave, është një tregim suksesi në vetvete, në fusha të ndryshme të veprimtarisë së tyre, si biznesmenë, avokate e  prokurore, politikë dhe pasuri të patundur (real estate) ndërkohë që brezi më i ri i familjes Biberaj dallohet gjithashtu edhe ai në fushat e jetës së përditëshme ku jetojnë e punojnë në komunitetin shqiptare-amerikan dhe më gjërë në shoqërinë amerikane.  Në çdo fushë veprimi, Dr. Elez Biberaj dhe familja e tij dallohen për dashurinë për Shqipërinë, e sidomos për Kosovën dhe për shqiptarët kudo, por ata dallohen gjithashtu edhe për dashurinë ndaj vendit që i ka marrë nën strehim – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aty ku të gjithë ne gjetëm demokracinë dhe lirinë që kërkonim, realizimin e vërtetë të “ëndrrës amerikane” dhe mundësitë për të shkuar përpara, në fushë veprimet e preferuara tonat si shqiptare dhe shqiptaro-amerikanë.

 

Për veprimtarinë e tij pranë Zërit të Amerikës, gjatë dekadave Dr. Elez Biberaj është dekoruar dhe shpërblyer nga Zëri i Amerikës si dhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për punën e tij në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë, të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës, si dhe për punën e tij në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar.  Elez Biberaj i ka pranuar gjithmonë me përvujtëni shpërblimet dhe dekoratat e ndryshme gjatë viteve duke falënderuar gjithmonë bashkpuntorët e tij për suksesin që të gjithë së bashku kanë arritur gjatë viteve dhe mbi të gjitha është treguar mirënjohës ndaj Zërit të Amerikës që i ka ofruar mundësinë të arrijë nivelet më të larta të VOA-s, si “Një bir i denjë i Shqipërisë”, siç e pat cilësuar me një rast Z. Biberaj ish-Drejtori i Përgjithëshëm i VOA’s, Z. David Ensor.  Elezi vazhdon me vrull të pandalshëm veprimtarinë e vet duke korrur suksese dhe miratime në qarqet më të larta dhe më të dalluara të profesionit të tij të botës amerikane dhe asaj shqiptare, po se po.

 

Këtij biri, vërtetë të denjë të shqiptarisë, tani i është besuar posti kryesor dhe i merituar si Drejtor i Përgjithëshëm në detyrë i Zërit të Amerikës.  Për ketë është krenare familja e tij, jemi krenarë të gjithë ne që e njohim dhe që kemi punuar me ‘të gjatë viteve, ndërkohë që i urojmë sukses në detyrën e re, për sado kohë që ta ushtrojë!  Shokut dhe mikut tim të ngusht prej 5-dekadash, i cili nderon familjen dhe shokët e tij, emrin shqiptar dhe komunitetin tonë shqiptaro-amerikan, i shfaqi — bashkë me përgëzimet e mia më të thella për detyrën e re – edhe admirimin tem.

 

Autori me Dr. Elez Biberaj në zyrën e Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, në vitet e 1990-ave.

Kurti në tubimin e VV: Sot iu jemi mirënjohës NATO-s dhe SHBA-së

Lideri i Lëvizjes Vetvëndosje, Albin Kurti, ka marrë fjalën i fundit në tubimin e partisë së tij për nder për 15-vjetorin e themelimit të LVV’së. Kurti ka folur edhe për 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Kurti fillimisht numëroi të arriturat që, sipas tij, i ka pasur Vetëvendosje në 15 vjetët e ekzistencës së saj, pastaj foli për Ditën e Çlirimit të Kosovës.

“15 vjet janë shumë për jetën e një njeriu, por janë pak për të gjithë këto të arritura të Levizjes Vetvëvendosje”.

Kurti kujtoi ndërhyrjen e NATO’s dhe hyrjen e forcave këmbësore në qershor të vitit 1999.

“Para 21 vjetve, këmbësoria e NATO’s hyri në Kosovë duke shënuar fundin e luftës dhe çlirimin e Kosovës. Sot e festojmë me gjakun e dëshmorëve, me luftën e UCK’së. Sot e kujtojmë edhe gjenocidin, vrasjen e civilëve dhe zhdukjen e tyre, përdhunimin, dëmtimin e pronës e infrastrukturës”, tha lideri i VV’së.

“Sot i jemi mirënjohës NATO’së dhe SHBA’së për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme për ndërtimin e një shoqërie demokratike”, ka shtuar Kurti.

Pas çlirimit nga okupatori i jashtëm, filloi sundimi nga brenda”, tha Kurti, duke përmendur fillimisht administrimin e UNMIK’ut e më pas kastën politike që mori pushtetin.

Duke folur për nismën e VV’së, Kurti kujtoi parullën “Jo negociata, Vetëvendosje”.

Ai kujtoi protestat e LVV’së përgjatë viteve dhe aktivistët, që vdiqën.

“Kanë rrahur e maltretuar shumë prej nesh. Kanë vrarë disa prej nesh, sikurse Mon Balajn e Arbenin në 2007, e Astrit Deharin që e mbyten në burg”, tha Kurti. /Express/

FOTOT – Ka nisur tubimi i Lëvizjes Vetëvendosje për nder të 15 vjetorit të themelimit të partisë

Ka nisur tubimi i Lëvizjes Vetëvendosje për nder të 15 vjetorit të themelimit të partisë.

Derisa të pranishmit që po marrin pjesë në tubim në duart e tyre po mbajnë flamurin kuq e zi dhe flamuj të shteteve të tjera .

Ky tubim i VV’së vjen vetëm pak ditë pas rrëzimit të Kurtit, i cili drejtoi institucionet e Republikës për vetëm 120 ditë.

Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne për nder të Ditës së Çlirimit

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, duke kujtuar kontribuesit e lirisë dhe pavarësisë së vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë seancë për shkak të pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19) nuk kanë marrë pjesë shumë mysafirë vendorë e të huaj, familjarë të dëshmorëve e familjarë të të zhdukurve në luftë, veteranë të luftës, ish-deputetë, e mysafirë të huaj që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës.

Për shkak të pamundësisë për pjesëmarrje në seancë janë emetuar para deputetëve video me mesazhe urimi nga miq të jashtëm dhe kontribues të lirisë së Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se koronavirusi ka pamundësuar të marrin pjesë në këtë seancë gjithashtu edhe trupa e Misionit të Forcave Paqeruajtëse në Kosovë (KFOR). Osmani tha se ishin aleancat e Kosovës me shtetet tjera, ato që luajtën rol të rëndësishëm në liri.

“Aleancat historike të ndërtuara ndër vite ishin bazë e fortë që në orët e liga në të cilat kaloi Kosova, të luajnë jo vetëm rol historik por edhe ta rinisin jetën. Këto aleanca na shpëtuan nga zhbërja, prandaj sot jemi këtu në këtë përvjetor edhe falë tyre dhe u përulemi me pietet”, tha ajo.

Në përvjetorin e 21-të të kësaj dite, Osmani ka kujtuar në mënyrë të veçantë fëmijët e rënë në luftën e fundit në Kosovë.

“Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë e të masakruar në raport me numrin e banorëve krahasuar me gjithë luftërat tjerë në territorin e ish-Jugosllavisë. Prandaj dua sot që ta kthejmë vëmendjen nga këta 1.133 fëmijë, shumë prej tyre foshnje vetëm disa muajshe, disa javëshe në fakt”, tha Osmani e cila më pas solli shembuj konkret të fateve të tyre, për të cilët tha se do të “jenë peng i yni” përderisa aktorët e këtyre vrasjeve nuk do të përballen me drejtësinë.

Pas seancës solemne, deputetët së bashku mbollën në oborrin e Kuvendit disa lule kushtuar 1.133 fëmijëve të vrarë në Kosovë gjatë luftës.

Kujtojmë se më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe nga vendi. Sot, 21 vjet pas zbarkimit historik të NATO-s, rreth 5.000 trupa të tyre vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë.

Shkëmbimi i territoreve Kosovë – Serbi, Wesley Clark: Ka pasur thashetheme që më 1999, por NATO nuk e mori asnjëherë në konsideratë

Gjenerali i NATO-s Wesley Clark deklaroi në emisionin “Real Story” në “News 24” se shkëmbimi i territoreve ka qenë një ide e hedhur që në kohën e luftës së Kosovës, por shtoi se NATO nuk ka qenë dakord.

“Ka pasur thashetheme përpara bombardimeve se Milloshevic do tërhiqej dhe do jepte pjesën jugore të Kosovës, nëse merrte Veriun.

Ne atë kohe, ne vlerësuam se nuk ishte një ide e mirë. NATO nuk e mori asnjëherë në konsideratë. Duket se është një ide që vijon të jetë e pranishme”, tha Clark.

VV-ja sot del në shesh, paralajmëron mbledhjen e mbi 15 mijë personave

Lëvizja Vetëvendosje sot nga ora 17:00 ka paralajmëruar se do të mblidhet në shesh të Prishtinës, raporton Gazeta Express.

Sipas partisë që udhëhiqet nga Albin Kurti, sot, me anë të këtij tubimi në shesh, do të festojnë Ditën e Çlirimit dhe të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

LVV-ja ka bërë të ditur se në shesh ka paraparë të dalin mbi 15 mijë persona.

“Me 12 qershor, në ditën e çlirimit të Kosovës, festojmë edhe ditëlindjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në 21 vjetorin e çlirimit dhe 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes do të mblidhemi së bashku në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu”, në orën 17:00, gjithnjë në përputhje me rekomandimet duke ruajtur distancën fizike”, kanë thënë LVV-ja.

Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, ditë më parë tha se në tubimin e sotëm do ta respektojnë distancën.

“Tubim publik paqësor, të premten, në sheshin “Skënderbeu”, në ora 17:00, për të shënuar 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës e 15 vjetorin e formimit të VETËVENDOSJE!-s”, shkroi Kurti në Facebook.

Kreu i LVV-së ka theksuar se krahas tubimit do të vazhdojnë edhe me mbledhjen e nënshkrimeve të peticionit “Duam Zgjedhje” anembanë Kosovës. /GazetaExpress/

NATO kujton 21 vjetorin e ndërhyrjes së KFOR-it: Kosova hyri në një periudhë të re të paqes dhe zhvillimit

Kosova sot është duke shënuar 21 vjetorin e çlirimit që erdhi falë ndërhyrjes së NATO-së përmes forcave të KFOR-it, të cilat zbarkuan në Kosovë në orët e para të 12 qershorit.

Në një komunikatë të lëshuar për media nga NATO, thuhet se pas 12 qershorit Kosova hyri në një fazë të re të paqes dhe zhvillimit.

“Në orët e para të 12 qershorit 1999, kontingjentet nga shumë shtete hynë në Kosovë nën shenjën e KFOR-it dhe filluan misionin e udhëhequr nga NATO-ja, që sot shënon përvjetorin e 21-të.

Kosova hyri në një periudhë të re të paqes dhe zhvillimit, gjithashtu falë kontributit të KFOR-it për mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se përimrësimi i gjendjes së sigurisë në Kosovë ka bërë që numri i trupave të KFOR-it të zvogëlohet nga 55 mijë trupa sa ishin në vitin 1999 në vetëm 3 mijë e 500 sa janë tani.

“Përmirësimi dramatik i sigurisë në terren ka çuar në zvogëlim progresiv të KFOR-it nga 55,000 trupa sa ishin në vitin 1999 në rreth 3.500 trupa tani.

Ushtarët nga njëzet e shtatë shtete nën komandën e Gjeneralmajorit Italian Michele Risi përbëjnë një forcë të fortë, të besueshme dhe parandaluese të cilët e shfaqin të njëjtën frymë, angazhim dhe entuziazëm sikurse pararendësit e tyre”, shton komunikata.

Misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar ndërsa KFOR-i mbetet një faktor i domosdoshëm i stabilizimit për të ardhmen e Kosovës dhe për sigurinë rajonale.

“Besoj fuqishëm se situata stabël nga perspektiva e sigurisë është kusht i domosdoshëm për dialog dhe për bashkëpunim. KFOR-i do të vazhdojë ta japë kontributin e tij për ta kapërcyer situatën drejt një të ardhmeje më të ndritshme për gjeneratat më të reja të Kosovës”, ka deklaruar gjeneral Risi me rastin e përvjetorit të KFOR-it./Express/

Vjosa Osmani: Nuk jam ftuar të marr pjesë në mbledhjet e Kryesisë së LDK-së që nga fillimi i marsit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se partia e saj nuk po e fton atë në mbledhje.

Osmani, kandidate për kryeministre të vendit nga radhët e LDK’së në zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, ka thënë se nuk ka marrë pjesë që disa muaj në mbledhjet e kryesisë së ngushtë të partisë.

Ajo ka bërë të ditur se ka qenë rregullisht e pranishme në takimet e Kryesisë së partisë “deri në fillim të marsit”.

“Pastaj përnjëherë nuk ftohesha më, as kur diskutohej për tarifën, as për reciprocitetin, as për mocionin e mosbesimit”, është shprehur ajo në RTK.

Osmani ka thënë se një gjë e tillë po ndodh për shkak të qëndrimeve të saj të ndryshme me partinë.

“Nuk mund ta eliminosh dikë nga takimi vetëm pse ia di qëndrimet”, ka deklaruar Osmani. /Express/

Linçimi i Vjosa Osmanit, në funksion të agjendave politike

Vjosa Osmani në një tubim parazgjedhor në shtator të vitit 2019.

Shkëlqim Hysenaj

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është personi i dytë më i votuar në Kosovë.

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar, Osmani ka marrë gjithsej 176 mijë vota.

Por, krahas fuqisë së saj politike, javëve të fundit ajo është duke u përballur me një fushatë linçuese.

Në rrjete sociale dhe media online fillimisht u publikua një fotografi e dy personave në uniformë të policisë serbe, njëri prej të cilëve u tha se ishte babai i Vjosa Osmanit.

Vetë Osmani i denoncoi këto publikime, duke i quajtur tendencë për linçim.

“Përkrahësit e tregtarëve të kufijve paskan gjetur një fotografi të dy policëve serbë dhe pa fije turpi gënjejnë se njëri nga ta në foto është babai im, Raif Osmani. Natyrisht që në atë foto nuk është babai im, e natyrisht që edhe gënjeshtra se ai ka punuar për serbët është shpifje e radhës e atyre që sot e kthyen Kosovën në varësi të Beogradit”, ka shkruar Osmani më 7 qershor në Facebook.

Në këtë reagim, Osmani e drejtoi gishtin kah presidenti Hashim Thaçi, i cili, sipas saj, ishte promovues i idesë për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 9 qershor, në emisionin “Rubikon” në Televizionin Klan Kosova, presidenti Thaçi i akuzoi familjarët e Vjosa Osmanit për bashkëpunim me regjimin serb.

Presidenti tha se do të ofrojë fakte në rast se Osmani do të guxonte të fliste edhe një herë për pretendimet e saj se Thaçi ka promovuar idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Projektet e mija kanë qenë gjithmonë për t’u përballur me Serbinë dhe e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë. Dhe, nëse ndokush nga Osmani i ka shërbyer në atë kohë Serbisë, unë e kam luftuar Serbinë në atë kohë. E di zonja Osmani shumë mirë”, deklaroi presidenti Thaçi.

Beteja e kundërshtimeve politike mes Hashim Thaçit dhe Vjosa Osmanit daton vite më parë, por është ashpërsuar pas rrëzimit të qeverisë së koalicionit midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së Osmanit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Koalicioni u prish më 25 mars, kur Kuvendi i Kosovës votoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, të iniciuar vetë LDK-ja.

Osmani e vetme kundër linçimeve

Ndonëse ishte kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, Osmani e kundërshtoi prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen, si dhe u deklarua kundër formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti, bashkëpartiak i saj.

Përveç fushatës online dhe akuzave nga presidenti Thaçi, Osmani u përball me akuza dhe kërkesa për largim nga partia edhe nga disa zyrtarë të LDK-së.

Disa prej tyre madje kërkuan edhe përjashtimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja për shkak se, sipas tyre, ajo nuk mund t’i kundërshtonte vendimet e partisë.

Por, përkundër mosmarrëveshjeve brenda LDK-së ku Osmani ushtron postin e nënkryetares, kryetari i këtij subjekti politik, Isa Mustafa, kundërshtoi linçimin e Vjosa Osmanit dhe familjarëve të saj.

Muhaxhiri: Linçimet kanë për qëllim mjegullimin e situatës

Ligjëruesi universitar në Prishtinë, Artan Muhaxhiri, beson se bërja e akuzave të tilla që janë të karakterit personal, kanë për qëllim që të mjegullojnë realitetin politik.

“Këto akuza tentojnë ta zhvendosin vëmendjen e opinionit politik, duke e relativizuar dhe mjegulluar realitetin politik, sepse temat e rëndësishme i bëjnë të parëndësishme, ndërsa të parëndësishmet i bëjnë të rëndësishme. Pra, debatet për ndonjë gjë që është e rëndësishme për shtetin, zhvendosen në debate personale e familjare. Pra, është një tendencë tejet negative, e cila i bën dëm shoqërisë, u bën dëm institucioneve dhe qytetarëve”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Sa i takon përfshirjes së presidentit në akuzat ndaj Vjosa Osmanit, Muhaxhiri thotë se Thaçi po vepron sikur të ishte në opozitë dhe jo president shteti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Është në stilin politik të presidentit Thaçi që ai të jetë i ashpër, që ai të përdorë një diskurs, i cili është jashtëzakonisht kritikues ndaj oponentëve të tij politikë dhe duket se kjo nuk ka ndryshuar as tash kur është president i Kosovës”, thotë Muhaxhiri.

Qytetarët shprehen kundër linçimit

Qytetarët besojnë se sulmet ndaj Osmanit vijnë nga një klasë e vjetër politike që me çdo kusht dëshiron mbetjen në pushtet.

Sulejman Fetahu nga Prishtina beson se presidenti Thaçi po bën akuza ndaj kryetares së Kuvendit për shkak se kjo e fundit është kritikuesja më e madhe e politikave të tij.

“Kryetarit i ka hyrë pak frikë se mos po çohet populli dhe po e largon nga pozita e ky pushtetin nuk mund ta lëshojë. Për këtë, ai (presidenti Hashim Thaçi) është duke i akuzuar krejt politikanët tjerë. Vjosa është kundër tij, e kush është kundër tij është i papranueshëm për të”, thotë Fetahu.

Ramadan Ruhani, banor i Prishtinës, thotë se Osmani është deklaruar në mbrojtje të interesave të qytetarëve, duke kundërshtuar së pari partinë e vet, LDK-në, e pastaj presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Përgjegjës për fushatën denigruese ndaj Vjosa Osamnit, Ruhani bën kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, dhe presidentin Thaçi.

“Ia kanë bërë të padrejtë Vjosës, sepse ata janë mësuar që të bëjnë këso dallaveresh që nuk duhen bërë. Vjosa nuk po i lejon ashtu, për këtë po ndodhin sulmet”, thotë Ruhani.

Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon ndaljen e fushatës linçuese

Pas sulmeve që iu bënë ditëve të fundit Vjosa Osmanit reagoi edhe Rrejti i Grave të Kosovës.

Kjo organizatë kërkoi ndaljen e fushatave linçuese ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës.

“Osmani është figurë publike dhe është e angazhuar në politikë tash e një kohë të gjatë, andaj puna dhe performanca e saj duhen vlerësuar mbi kritere të jetës publike dhe institucionale dhe asnjëherë duke u nisur nga një mendësi patriarkale dhe një diskurs që në qendër ka familjen”, u tha në reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Ambasadorët kërkojnë debat pa fyerje e kërcënime

Përmes një reagimi, shtetet e Quint-it kanë kërkuar nga udhëheqësit politikë në Kosovë që të diskutojnë “pa fyerje dhe kërcënime”.

“Çdo formë e gjuhës nxitëse, e në veçanti sulmet personale që synojnë promovimin e objektivave politike, mund të kontribuojnë në një atmosferë që inkurajon akte dhune. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë”, thuhet në reagimin e përbashkët të ambasadorit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Në reagim po ashtu thuhet se “e ardhmja demokratike e Kosovës varet nga zgjuarsia e udhëheqësve të saj për të vënë një shembull pozitiv të diskursit shoqëror dhe respektimit të lirisë së shprehjes”.

BERZH: Pse Ekonomia Shqiptare do të ketë rënien më të madhe në rajon

Drejtuesi i BERZH për Shqipërinë tha se duhet të krijohen kushtet për një model më gjithëpërfshirës të zhvillimit ekonomik.

Borxhi publik, relativisht i lartë, si dhe likuiditeti i ulët me të cilin po përballej Shqipëria në fillim të krizës nuk e ka ndihmuar atë të ofrojë një paketë ndihme, si në nivelet rajonale, tha Matteo Colangeli, Drejtori i zyrës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Tiranë.

Colangeli shtoi se arsyet pse Shqipëria parashikohet nga BERZH të blerë me 9% lidhen me varësinë e saj nga turizmi, por dhe nga faktorë të tjerë si informaliteti, pritshmëria për dërgesat e emigrantëve, pasojat e tërmetit, si dhe fakti që Shqipëria hyri në krizë me një ekonomi tashmë të ngadalësuar.

Ai sugjeroi se vendi ynë është para mundësive të reja, teksa zinxhirët e furnizimit global po shkurtohen dhe prodhuesit europianë po shikojnë mënyra për ta afruar prodhimin në shtëpi, Shqipëria mund të jetë në një pozitë të fortë për të tërhequr investime.

Colangeli tha se përtej mbështetjes afatshkurtër të likuiditetit, mendon se do të jetë e rëndësishme të krijohen kushtet për një model më gjithëpërfshirës të zhvillimit ekonomik, në të cilin një grup më i larmishëm i industrive, rajoneve dhe grupeve sociale të kontribuojnë dhe përfitojnë nga rritja gjatë periudhës së rimëkëmbjes.

BERZH parashikoi që ekonomia shqiptare do të tkurrej me 9% gjatë 2020-s, më e larta në rajon dhe pothuajse dyfish në raport me FMN-në dhe Bankën Botërore. Pse ky pesimizëm?

Parashikimet ekonomike janë veçanërisht të pasigurta në situatën aktuale, pasi ato varen në një masë të madhe nga ecuria e COVID-19 dhe çfarë masash do të marrin qeveritë për ta frenuar atë.

Shkalla në të cilën do të ndikohen vendet individuale varet nga shumë faktorë, duke përfshirë rëndësinë relative të disa sektorëve në Prodhimin e Brendshëm Bruto, integrimin e tyre në zinxhirin global të vlerave, vendndodhjen gjeografike dhe partnerët kyç tregtarë, po ashtu dhe kushtet specifike që mbizotëronin përpara se të fillonte kriza. Shqipëria rezulton të jetë veçanërisht e ndikuar për shkak të një kombinimi të pafavorshëm të disa prej këtyre faktorëve.

Së pari, rëndësia e konsiderueshme e turizmit në ekonominë e tij, i cili duke përfshirë kontributet direkte dhe indirekte vlerësohet se zë mbi 20% të Produktit të Brendshëm Bruto. Duke pasur parasysh që kjo është përqendruar në një sezon relativisht të shkurtër veror, mund të presim që kufizimet e udhëtimit të përkthehen në një numër të reduktuar të vizitorëve të huaj dhe të ardhurave nga turizmi në vitin 2020.

Së dyti, lidhjet e ngushta tregtare me Italinë, një nga vendet më të prekura të Europës, ka të ngjarë të pësojnë ndërprerje, që do të ndikojnë në reduktimin e aktivitetit në sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, siç është industria ‘fason’.

Së treti, konsumi i brendshëm mund të tkurret më shumë se në vendet e tjera, si rezultat i karakteristikave të caktuara të ekonomisë shqiptare, siç është pesha e madhe e punësimit informal, i cili është veçanërisht i prekshëm gjatë një krize, si dhe nga rëndësia ende e lartë e dërgesave të emigrantëve, të cilat ka të ngjarë të bien. Së katërti, Shqipëria hyri në këtë krizë pas tërmetit të nëntorit të kaluar, me një ekonomi, e cila kishte filluar tashmë të ngadalësohej./Monitor