VOAL

VOAL

Familja e Artistit të Popullit Avni Mulaj pret ngushëllime

October 30, 2020

Komentet

Bardhi ynë i shenjtë – Një jetë virtyti, dashurie dhe dinjiteti- Nga Eduard M. Dilo

              Bardhyl  M. Dilo

                 17-4-1954 — 28-4-2026

Ikën gjithkush nga kjo jetë kalimtare pa marrë me vete asgjë. Pas lë kujtime, dashuri, mall, lot dhe dhimbje në zemrat e atyre që e deshën dhe që i deshi.

Sot, në 40-ditshin e ndarjes nga jeta, kujtojmë me dhimbje, dashuri, respekt, mall dhe mirënjohje vëllanë tonë të shenjtë Bardhyl, një njeri me virtyte dhe cilësi të larta njerëzore.

Sipas Aristotelit, njeriu me virtyte ka të harmonizuar në qenien e vet virtytin intelektual(Διανοητικές)dhe atë moral (ηθικές).

Këto dy dukuri ishin të mbrujtura në mënyrë ideale( në të mesmen e artë -na mëson Aristoteli) te vëllai ynë i shtrenjtë, te shenjtori ynë Bardhyl.

Prandaj ai dallonte kudo: në familje, në shkollë, në shoqëri, në punë dhe në krijimtari.

Ne qoftë se do shprehem me vlerësimin që i ka bërë familjes Dilo, poeti dhe studiuesi Agim Shehu, Bardhi është filizi i shëndetshëm i asaj peme gjigande që furtunat e kohës e përzhitën, por nuk mundën ta përkulnin.

Bardhi ishte fëmija i tretë ndër pesë fëmijët e Margarit Dilo dhe Viktoria (Xhamballo) Dilo.

Ndër pesë fëmijët, babai i tyre, Margariti – një njeri i paisur me kulturë të gjerë perëndimore, (kishte mbaruar Institutin Amerikan të Fullcit në Tiranë dhe Universitetin për Matematikë në Athine), vuri re se Bardhi kishte cilësi të veçanta në sjelljen e tij virtuoze dhe në karakterin e tij këmbëngulës për t’i përsosur këto virtue.

“Ky djalë”, thoshte ai, “në kushte normale do të ngjiste maja dhe do t’i jepte shumë njerëzimit.”

Por “rrufetë e kohës” nuk lejuan që  lastari i shëndetshëm i pemës Dilo të zhvillohej. Shokët dhe shoqet e shkollës së mesme deshën që ta kishin pranë në auditorët e universitetit …, por Bardhit i ishte mohuar kjo e drejtë.

Profesorët e tij shprehnin konsiderata të larta për ish-nxënësin e tyre të shquar, jo vetëm në mësime e sport, por edhe në fushën e artit e të studimeve. Ai pikturonte bukur dhe provonte të krijonte skulptura përmes gdhendjeve në gur.

Përherë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, fitoi respektin dhe dashurinë e të gjithë atyre që e njohën.

Pas përfundimit të shkollimit dhe specializimeve profesionale, punoi me përkushtim dhe profesionalizëm si kipist në Azotikun e Fierit, ku u vlerësua për korrektësinë dhe aftësitë e tij.

Më vonë, me ndryshimet politike që ndodhën në vendin tonë, mori së bashku me familjen rrugën e emigrimit dhe u vendos në Athinë. Edhe atje vazhdoi të dallohej për korrektësi, punë dhe dinjitet.

Jeta nuk qe e lehtë për të. Punoi me mish e me shpirt për familjen, duke sakrifikuar për gjithçka. 

Ëndërrën që kishte në jetë për të vazhduar studimet e larta, e realizoi në fëmijët e Tij: Dy vajzat i studioi në Universitet dhe studime pasuniversitare.

Vitet e fundit u përball me probleme të rënda shëndetësore, por asnjëherë nuk u ankua, nuk u dekurajua dhe nuk u dorëzua. Me kurajë dhe shpresë përpiqej të jetonte çdo ditë, duke besuar se gjithçka do të përmirësohej.

Fjalët e tij të zakonshme ishin:

“Jam mirë, do të bëhem mirë.”

Ai e donte jetën dhe dëshironte ta jetonte sa më gjatë.

Në këtë përballje të vështirë nuk ishte kurrë vetëm. Dy vëllezërit e mëdhenj iu gjendën pranë në çdo kohë, duke mos kursyer asgjë. Kujdesi, dashuria dhe përkushtimi ndaj tij nuk munguan asnjëherë.

Që kur ishim te vegjël, u rritëm në një mjedis familjar ku dashuria vëllazërore dhe dashuria për motrën ishte gjithmonë shtylla themelore. Kemi qenë gjithmonë shumë të lidhur. Ashtu u rritëm, ashtu u edukuam, ashtu na e lanë amanet prindërit tanë: të duam dhe të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në çdo rrethanë.

Babai na la herët, por u rritëm nën kujdesin e nënës, hallës dhe të afërmve tanë. Kaluam vështirësi, punuam që të vegjël për të siguruar jetesën, u ngjitëm maleve për të mbledhur bimë medicinale dhe mbijetuam me të ardhurat që siguronim prej tyre. Ndamë bashkë çdo hall e çdo gëzim.

Nuk u ndamë kurrë në vështirësi. Dhimbja e njërit ishte dhimbja e të gjithëve.

Bardhi ishte gjithmonë i pakursyer, i palodhur dhe i gatshëm të ndihmonte. Shquhej për shkathtësi, korrektësi, sinqeritet, ndershmëri dhe dashuri për njerëzit. Në dukje serioz, por me zemër të ngrohtë dhe humor të hollë, dinte të sillte buzëqeshje edhe në çastet më të vështira.

Më 28 prill 2026, vetëm pak ditë pasi kishte mbushur 72 vjeç, Bardhi mbylli sytë përgjithmonë në Athinë.

Vdekja e ndau nga ne, nga familja, të afërmit dhe shoqëria, Bardhin tonë të shtrenjtë. Ndarja e tij nga jeta ndodhi qetësisht, por la një boshllëk të madh në zemrat tona.

Trupi i tij prehet në Fier, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Aty, më 1 maj 2026, iu dha lamtumira e fundit mes familjarëve, miqve dhe dashamirësve të shumtë që erdhën për ta nderuar dhe për të ndarë dhimbjen me ne.

Shpirti i tij, shpirti i Bardhit tonë, i Bardhit të të gjithë njerëzve të mirë, në formën e një engjëlli kujdeset për ne.

Nuk mund të lë pa përmendur dedikimin kushtuar atij:

BARDHIT

Ty,

Që jeta të dhuroi

Kurorën

Me gjemba shumë…

Krahë thyera Shqiponjë

Fluturove në furtunë.

Ma jep krahun, vëllai im,

Bashkë ngjitemi në male.

Ti,

Shenjt i zbritur në tokë,

O ikonë legjendare.

Lamtumirë, Bardhi ynë!

Dhimbja për ty do të pushojë vetëm kur të vijmë pranë teje.

Kanë kaluar 40 ditë, por mungesa e tij ndihet çdo ditë. Mëngjeset vijnë si më parë, por nuk janë më të njejtë . Bardhi ynë I shenjtë mungon në radhët tona. Është këputur një hallkë e zinxhirit të vëllazërisë.

Ne dhe motra kemi sot një vëlla më pak; kemi humbur një pjesë të zemrës sonë.

Sytë lotojnë sa herë kujtojmë ditët e fëmijërisë, jetesën në Sheper, në Fier, bisedat, punët, sakrificat dhe çastet e bukura që ndamë bashkë. 

Kujtojmë dashurinë e tij për familjen, përkushtimin në punë dhe shpresën që nuk e humbi kurrë, edhe kur sëmundja e rëndonte çdo ditë.

Nga pema jonë me pesë lastarë  Bardhi ynë i shenjtë u largua nga radhet tona, por kujtimi i tij do të mbetet përherë i gjallë.

Besojmë se atje ku prehet tani, Bardhi ka gjetur qetësinë dhe paqen që i munguan në vitet e fundit të jetës.

I dashur vëlla, mungesa jote është e madhe dhe dhimbja e ndarjes nuk shuhet. Por bashkë me dhimbjen jeton edhe mirënjohja që patëm fatin të të kishim mes nesh.

Do të kujtojmë gjithmonë mirësinë tënde, punën tënde, buzëqeshjen, humorin dhe dashurinë që na fale.

Përherë i paharruar do të mbetesh në zemrat tona.

Kujtimi i njerëzve të dashur jeton përmes dashurisë, respektit dhe fjalëve që u kushtojmë. Bardhi ynë ka lënë pas jo vetëm mall e dhimbje, por edhe një trashëgimi mirësie, dinjiteti, dashurie prindërore dhe vëllazërore.

Pushofsh në paqe, Bardhi ynë i dashur.

Dritë pastë shpirti yt në përjetësi.

Lokomotiva e Mërgatës- Rrëfim për Hafiz Gagicën- Nga Neki Lulaj

 

Viti 1992 ishte ende i freskët në kujtesën time. Kisha vetëm pak javë që kisha mbërritur në Gjermani. Ishte një kohë e vështirë për ne shqiptarët e Kosovës. Atdheu ynë gjendej nën okupim, ndërsa ne, të shpërndarë nëpër Evropë, përpiqeshim të gjenim njëri-tjetrin, të organizoheshim dhe të mbanim gjallë shpresën për liri.

Një ditë, disa mërgimtarë më treguan për një adresë në Stuttgart. Më thanë se në Königstraße 23 ndodhej Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Gjermani dhe Evropë. Më thanë gjithashtu se aty vepronte një burrë që gëzonte respekt të madh në mesin e shqiptarëve, një njeri që jetën ia kishte kushtuar çështjes kombëtare.

— Quhet Hafiz Gagica, — më thanë.

Emri i tij më mbeti në mendje.

Pas pak ditësh, së bashku me një mikun tim, vendosëm ta takonim. Nuk kishim paralajmëruar askënd. As telefon, as takim të caktuar. Kishim vetëm adresën e shkruar në një copë letër dhe dëshirën për të njohur njerëzit që po mbanin gjallë organizimin shqiptar në mërgim.

Udhëtimi me tren zgjati disa orë. Për ne, që sapo kishim ardhur në Gjermani dhe nuk dinim pothuajse asnjë fjalë gjermanisht, gjithçka dukej e madhe dhe e panjohur. Kur zbritëm në Stuttgart, mbajtëm letrën në dorë dhe nisëm të pyesnim kalimtarët.

Disa ngrinin supet dhe vazhdonin rrugën. Të tjerë ndaleshin dhe përpiqeshin të na ndihmonin. Pas shumë pyetjesh, kthesash dhe kërkimesh, më në fund arritëm në Königstraße.

Kur pamë numrin që kërkonim, zemra na rrahu më fort.

Për herë të parë, në mes të Gjermanisë, po hynim në një vend ku flitej shqip dhe ku rrihte zemra e organizimit shqiptar.

Shtypëm zilen.

Pas pak sekondash u dëgjua një zë që na ftoi të hynim.

U ngjitëm me nxitim shkallëve dhe në katin e dytë gjetëm një derë të hapur. Aty na priti Sali Çekaj. Përshëndetja e tij ishte aq e ngrohtë, sa menjëherë u ndjemë sikur kishim hyrë në një shtëpi shqiptare.

Brenda pamë Donika Gërvallën dhe Zymer Lulajn. Të dy na pritën me buzëqeshje dhe respekt. Në zyrë mbretëronte një atmosferë pune, por edhe një frymë familjare që rrallë e gjeje nëpër institucione.

Ndërsa po pinim kafenë që na ofruan, dera e një zyre tjetër u hap.

Një burrë shtatlartë, me fytyrë të qeshur dhe me një shikim të qetë e të mençur u afrua drejt nesh.

Na shtrëngoi duart me ngrohtësi.

— Mirë se keni ardhur! Unë jam Hafiz Gagica.

Në ato çaste nuk po shihja thjesht një drejtues politik.

Po shihja një njeri që rrezatonte besim.

Një njeri që të bënte menjëherë për vete me thjeshtësinë e tij.

U ul pranë nesh dhe filloi të bisedonte sikur të njiheshim prej vitesh. Nuk pyeti vetëm kush ishim. Ai donte të dinte si jetonim, çfarë punonim, çfarë mendonim për Kosovën dhe çfarë mund të bënim për të.

Ai fliste me qetësi, por në çdo fjali ndjeje forcën e bindjes së tij.

Kur fliste për Kosovën, sytë i ndizeshin.

Kur fliste për Presidentin Ibrahim Rugova, ndihej respekti i thellë që kishte për të.

Kur fliste për lirinë, dukej sikur ajo ishte një realitet që e shihte tashmë përpara vetes.

Atë ditë mësova shumë më tepër sesa kisha pritur.

Mësova se mërgata nuk ishte vetëm një bashkësi njerëzish larg vendlindjes.

Ishte një front i tërë pune.

Një ushtri pa armë.

Një organizim që jetonte me idealin e lirisë.

Kur u larguam nga ajo zyrë, nuk ishim më të njëjtët njerëz që kishim hyrë aty disa orë më parë.

Kishim marrë me vete frymëzim.

Kishim marrë përgjegjësi.

Kishim marrë besim.

Pak javë më vonë themeluam Aktivin e LDK-së në qytetin ku jetonim. Brenda një kohe të shkurtër, mbi njëqind bashkatdhetarë iu bashkuan aktivitetit tonë.

Dhe në çdo hap të atij organizimi ndihej ndikimi i Hafiz Gagicës.

Vitet kalonin.

Takoheshim në tubime, në mbledhje, në veprimtari kombëtare dhe kulturore.

Por me kalimin e kohës marrëdhënia jonë nuk mbeti vetëm në kuadër të aktivitetit politik.

U bëmë miq.

Miq të sinqertë.

Ai ishte i pranishëm edhe në orët letrare që organizonim në Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani.

Shpesh vinte në shtëpinë tonë bashkë me bashkëshorten.

Bisedat me të zgjasnin me orë.

Fliste pak për veten.

Shumë për Kosovën.

Edhe më shumë për njerëzit.

Një ditë, gjatë një dreke familjare, tha me buzëqeshjen e tij karakteristike:

— Sa do të doja të bëhesha një ditë kumbar i shtëpisë suaj.

Askush nuk e dinte atëherë se koha nuk do t’ia plotësonte atë dëshirë.

Vitet sollën sprova.

Një kohë u gjenda në spital për shkak të sëmundjes.

Pikërisht atëherë mësova se edhe Hafizi po luftonte me një sëmundje të rëndë.

Për një kohë vazhduam të flisnim në telefon.

Zëri i tij mbeti po ai.

I qetë.

I matur.

Optimist.

Por dita-ditës sëmundja po fitonte terren.

Kur mora lajmin e largimit të tij nga kjo botë, ndjeva një boshllëk që nuk mbushet lehtë.

I thashë bashkëshortes sime:

— Lale, sot paskemi humbur edhe një mik të madh.

Dhe vërtet ashtu ishte.

Nuk ishte larguar vetëm një mik.

Ishte larguar një epokë.

Një njeri që për dekada kishte qenë shtyllë e organizimit shqiptar në Evropë.

Një njeri që kishte mbajtur hapur derën e shpresës për mijëra bashkatdhetarë.

Një njeri që kishte ditur të bashkonte, jo të përçante.

Sot, sa herë kujtoj ato shkallë në Königstraße 23, më del përpara fytyra e tij.

Buzëqeshja e tij.

Shtrëngimi i dorës.

Zëri i tij i qetë.

Dhe bindja e palëkundur se Kosova do të bëhej e lirë.

Për shumë njerëz, Hafiz Gagica ishte veprimtar.

Për të tjerë, organizator.

Për mua, ai mbeti lokomotiva e mërgatës shqiptare.

Një burrë që ecën përpara kohës së vet dhe që la pas gjurmë që nuk i fshin as harresa, as vitet.

Sepse njerëzit e tillë nuk jetojnë vetëm në histori.

Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e atyre që patën fatin t’i njohin.

Betimi i një guerili- Nga ARIF EJUPI

 

(Kushtuar Ali A. Ajetit,
vrarë më 30 maj 1989 në Shtedim të Podujevës,
në dyluftim me forcat pushtuese të Serbisë.)

Betohem se do të lëshoj rrënjë,
si rrapi shekullor i Dyzit.

Nuk do ta marr malin,
as s’do ta lëkund qerpikun.

Nuk do ta turpëroj familjen,
as farefisin.

Do të qëndroj,
edhe po u bëra pluhur e hi,
këtu ku lindën e jetuan
të parët e mi.

Nuk do t’i kënaq
shovinistët serbo-sllavë
me frikë e nënshtrim.

Do të luftoj për Llapin
dhe Gallapin tim.

Krisma e armës sime do të jehojë
në Shalë të Bajgorës,
në Drenicë,
në Karadak,
në Kaçanik,
në Dukagjin
e në Podguri.

Vdekjen dua ta bëj si burri,
ashtu siç e bënë:

Isa Boletini,
Oso Kuka
dhe Bajram Curri.

Nga gjaku im
do të mugullojnë malet
e do të lulëzojnë fushat.

Do të kujtohem
si Hasan Prishtina
e si Shaban Polluzha.

Derisa të ekzistojë
toka dhe qielli,
do të më këndohet kënga;

krenar me mua do të ndihen
Prishtina,
Shkupi,
Ulqini
e Tirana.

Arif Ejupi
Gjenevë, 9 qershor 1997

Kur Naim Frashëri bekoi Sevasti Qiriazin: Ditari i një Takimi që Ndryshoi Historinë Kombëtare

​Në analet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ka çaste fatlume që tejkalojnë rrethanat e thjeshta kronologjike të një epoke për t’u shndërruar në ngjarje me përmasa pothuajse shpirtërore dhe mitike. Janë ato momente kur rrugëtimet e dy personaliteteve të mëdha kryqëzohen në një pikë të vetme, duke prodhuar një dritë që vazhdon të ndriçojë rrugën e një kombi të tërë për shekuj me radhë. I tillë është pa dyshim takimi në Kostandinopojë midis Naim Frashërit dhe Sevasti Qiriazit. Sot, në këtë 180-vjetor të lindjes së poetit tonë të madh kombëtar, ky stacion historik merr vlerën e një testamenti të patjetërsueshëm shpirtëror. Përmes rreshtave të thjeshtë, por të mbarsur me një peshë të jashtëzakonshme, që vetë Sevastia na ka lënë trashëgimi në kujtimet e saj, ne kemi fatin të kthehemi pas në kohë, në atë sallë diplomimi në brigjet e Bosforit. Aty, nën qiellin e një kryeqyteti perandorak që po jepte shpirt, u hodhën gurët e parë të themelit për zgjimin, emancipimin dhe lirinë e gruas shqiptare, duke shkrirë dy botë të ndryshme fetare përpara altarit të shenjtë të atdhedashurisë.

​Mjedisi ku zhvillohet kjo ngjarje mbart një simbolikë të veçantë. Ishte dita e triumfit akademik të Sevasti Qiriazit, një arritje e jashtëzakonshme për një vajzë të asaj kohe. Vëllai i saj, Gjerasimi, i cili ishte tashmë një figurë ortodokse e njohur e lëvizjes kombëtare dhe një urë lidhëse e rëndësishme e elitës shqiptare në Stamboll, kishte ftuar disa nga miqtë e tij më të mirë patriotikë që jetonin në Kostandinopojë për të qenë të pranishëm në këtë ceremoni kaq të rëndësishme diplomimi. Pasi festimet zyrtare kishin përfunduar, Gjerasimi i kërkon Sevastisë t’i takonte këta zotërinj fisnikë, të cilët po prisnin në një cep të sallës posaçërisht për ta përgëzuar dhe për t’i shtrënguar dorën. Mes asaj përzgjedhjeje burrash të shquar që mendonin ditë e natë për fatet e një Shqipërie të robëruar, ndodheshin tre vëllezërit e mëdhenj të Frashërit: Abdyli, Samiu dhe Naim Beu.

​Ky takim i thjeshtë në dukje mbart në vete një vlerë monumentale dhe një mesazh të thellë të bashkëjetesës sonë kombëtare. Në atë dhomë gjendej Sevasti Qiriazi, një vajzë e rritur dhe e edukuar nën frymën, kulturën dhe traditën e pastër ortodokse të Shqipërisë, dhe përballë saj qëndronte Naim Bej Frashëri, mendimtari i Rilindjes sonë Kombëtare dhe poeti i shquar. Në një epokë të errët, ku Perandoria Osmane i ndante popujt në mënyrë të rreptë dhe të dhunshme sipas vijave të ashpra të besimit fetar përmes sistemit të mileteve, ky komunikim i ngrohtë dhe vëllazëror dëshmon mrekullinë e madhe dhe unike të Rilindjes Shqiptare. Aty, një udhëheqës i ndritur me besimin bektashi e bekon me misiinin më të lartë një vashe të re ortodokse, duke thyer çdo barrierë artificiale dhe duke provuar botërisht se përpara idealit të madh të Shqipërisë çdo dogmë fetare bie dhe humb fuqinë e saj, duke ia lënë vendin vetëm vëllazërisë së gjakut dhe të gjuhës.

​Naim Bej Frashëri, i cili në atë kohë gëzonte një autoritet të respektueshëm shtetëror duke mbajtur postin e lartë zyrtar si Komisioneri i Arsimit në perandori, iu drejtua Sevastisë drejtpërdrejt në gjuhën shqipe. Fjalët e tij nuk ishin një kortezi e zakonshme akademike apo një urim sipërfaqësor protokolli; ato ishin një porosi sa e rëndë aq edhe e shenjtë, një lloj kushtetute shpirtërore që do të përcaktonte njëherë e mirë hierarkinë e vlerave të vërteta të zgjimit tonë kombëtar. Ai iu drejtua asaj me këto fjalë monumentale:

​— “Motër, ti nuk mund të bësh për Shqipërinë punë më të mirë se kjo që tashmë ke vendosur të bësh së bashku me vëllanë tënd për emancipimin e grave të vendit tonë të vogël e të varfër. Nëse tregohesh besnike e ngulmuese, ke për të pasur arritje të mëdha për kombin tonë.”

​Përmes këtij formulimi të fuqishëm, Naimi shpalli publikisht doktrinën e tij më të rëndësishme politike dhe kulturore: ai la të kuptohej se puna më e mirë, më produktive dhe më urgjente për shpëtimin e vendit në ato çaste kritike nuk ishin armët apo kryengritjet e parakohshme, por hapja e librit dhe vendosja e abetares shqipe në duart e nënave, motrave dhe vajzave të vendit. Duke e thirrur atë me epitetin e ngrohtë “motër”, poeti i madh e ngriti menjëherë marrëdhënien e tyre dhe rrugëtimin e saj në një nivel absolut familjar dhe kombëtar. Ndërkaq, kushti jetik që ai i vendosi me urtësi, “nëse tregohesh besnike e ngulmuese”, nuk ishte një këshillë, por një profeci e vërtetë për të gjitha stuhitë e egra, persekutimet politike, burgjet, dëbimet e dhunshme që SevastiQiriazi do të detyrohej të kalonte përgjatë viteve në vijim, pa u përkulur dhe pa u dorëzuar për asnjë çast.

​Për ta vulosur këtë mision të vështirë por të lavdishëm, poeti i madh i dritës shtoi edhe urimin më të ndier, më të vjetër dhe më kuptimplotë të të gjithë shqiptarëve për ata që nisen drejt një beteje të madhe:

​”Dalsh me faqe të bardhë!”

​Ky urim, i dalë drejtpërdrejt nga shpirti i pastër dhe i lënduar i Naimit, mori karakterin e një pagëzimi të vërtetë kombëtar për misionarët shqiptare ortodokse. Ishte një kushtrim shpirtëror që e urdhëronte atë të gjente forcën për të mbrojtur nderin, dritën dhe pastërtinë e këtij amaneti të madh deri në frymëmarrjen e saj të fundit, pavarësisht çmimit që do t’i duhej të paguante.

​Gjurma e thellë që la ky takim la një peshë të jashtëzakonshme dhe të pashlyeshme në psikologjinë, formësimin dhe tërë jetën e mëtejshme të saj. Vetë Sevastia e pranon me një sinqeritet prekës në dorëshkrimin e saj tronditjen e thellë shpirtërore dhe vlerën e pakontestueshme të asaj porosie të madhe. Ajo shkruan me një thjeshtësi të admirueshme që buron nga shpirti:

​”Më bënë shumë përshtypje fjalët e tij dhe nuk e harrova këshillën e mirë që më dha.”

​Ndonëse në rreshtat e dorëshkrimit të saj Sevastia tregohet modeste dhe nuk përdor fjalë të bujshme apo vetëvlerësime pompoze për veten, historia e mëvonshme provoi me fakte se ajo vërtet nuk e harroi kurrë atë këshillë. Ajo e ruajti atë porosi si gjënë më të shtrenjtë, pikërisht sepse ai takim i shkurtër në Kostandinopojë e shndërroi misionin e saj në të vetmin dhe të patjetërsueshmin qëllim të jetës së saj. Nga ajo shtëpi dhe nga ajo sallë festimesh, Sevastia nuk doli më thjesht si një studente e zakonshme që mbante në duar një diplomë shkolle, por si një misionare e madhe dhe e vetëdijshme, e ngarkuar me një mision hyjnor nga vetë shpirti i gjallë i kombit shqiptar.

​Kjo forcë e brendshme dhe ky vullnet i çeliktë që rrodhi nga fjalët e Naimit u bënë aq të mëdha dhe vendimtare saqë, siç dëshmon ajo vetë në faqet pasuese, vula e asaj diplome të kolegjit, e shenjtëruar dhe e lartësuar tashmë nga ky takim historik, çau errësirën e dendur të pengesave burokratike osmane dhe shërbeu si argumenti kryesor për të siguruar atë iradeje (dekret sulltanor) aq të vështirë për hapjen e Shkollës së Parë Shqipe të Vashave në qytetin e Korçës.

​Në këtë përvjetor jubilar dhe plot dritë të 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, dëshmia e shkruar e Sevasti Qiriazit mbetet dokumenti më i bukur, më autentik dhe më rrëqethës i një momenti ku dashuria e pakufishme për atdheun bëri bashkë dy besime të ndryshme fetare në një rreze të vetme drite. Ky takim ndezi përgjithmonë pishtarin e diturisë që do të ndriçonte mendjen, shpirtin dhe ndërgjegjen e gruas shqiptare, duke treguar se kur punojmë për kombin, të gjithë jemi vëllezër të një nane.

Robert Dako -nipi I Sevasti Qiriazit e Kristo Dakos

Suela e Rozi Dako

 

Milaim Qerimi me shokë – yje lirie – Nga ARIF EJUPI

 

Rrënjët në Shalë të Bajgorës,
trup, degë e lule në Grykë të Mavriçit,
ishe dhe do të mbetesh
nga bijtë më të mirë
e më të devotshëm të fisit.

Arsimtar e bletar i dalluar,
njeri i fjalës dhe i besës,
të gjithë të donin
e të çmonin.

Nga dëshira për ta mëkëmbur familjen,
more rrugën e mërgimit.

Por, me krismat e para të pushkëve,
u ktheve nga Zvicra
dhe u bëre ushtar lirie i UÇK-së.

Së bashku me shokët,
nga Llapi deri në Shalë të Bajgorës,
luftuat që Kosova
të mos sundohej
e të mos shfrytëzohej më
nga demonët e Serbisë.

Milaim Qerimi me shokë,
yje të pashuar të lirisë,
kushdo që kalon pranë lapidarit tuaj,
ndalet me nderim
dhe lutet për shpirtrat tuaj engjëllorë.

Ju ratë dëshmorë,
me armë në duar,
duke luftuar fyta-fytas
kundër barbarëve;
aty ku shkelte këmba e tyre,
bari thahej,
toka dergjej
dhe mallkonte.

Gjaku juaj,
gjak lirie,
u bë shërim për tokën,
për diellin
dhe qiellin shqiptar!

ARIF EJUPI
Gjenevë, 26 maj 2005

 

Nëna vushtrriase- Nga ARIF EJUPI

 

Edhe pse bishat e ushunjëzat
ua vranë të vetmin djalë
dhe ju dëbuan nga shtëpitë,
edhe në llogore e tenda,
me njëra-tjetrën u solidarizuat.

Nëna vushtrriase,
perëndesha të diellit e të qiellit,
të përvuajtura e me shumë halle,
ndonëse të moshuara
e me zemra të lënduara,
me besë e qëndresë,
ata që deshën ta fshehin krimin,
i nxorët lakuriq para botës,
si mizorë e gjakësorë.

Nëna vushtrriase, me stoicizëm
të pashembullt i përballuat stuhitë shovene,
që ndër shekuj u sulën mbi ju.
Sot, të rinjtë rriten nga rrënjët tuaja,
dhe me vrullin për t’u ngjitur
në majat e Korabit.

Nëna vushtrriase,
perëndesha të diellit
dhe të qiellit arbëror!

ARIF EJUPI
Gjenevë, 19 maj 2026

Në zemër të kryeqytetit europian, Brukselit, në Rue Washington 17, në vitet 1900-1908, jetoi Ismail Qemal Vlora Nga Dr. Evarist Beqiri

Në zemër të kryeqytetit europian, Brukselit, në Rue Washington 17, vetëm pak hapa nga Avenue Louise, ndodhet një prej adresave më domethënëse të historisë sonë kombëtare. Pikërisht këtu, në këtë rrugë me emër të madh, në vitet 1900-1908, jetoi Ismail Qemal Vlora, njeriu që do të udhëhiqte më pas shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

🏰 Në këtë godinë, larg atdheut, ai zhvilloi një aktivitet të jashtëzakonshëm politik e diplomatik për çështjen shqiptare. Brukseli u bë porti i tij i ankorimit, por mendja dhe zemra e tij mbetën gjithmonë te Shqipëria.

Sot, kjo ndërtesë qëndron si një dëshmi krenare e historisë së fshehur. Ajo lidh zemrën e Brukselit drejtpërdrejt me lindjen e shtetit shqiptar.

Poeti dhe publicisti i njohur belg Roland de Marès e përshkruante Ismail Qemalin, në një shkrim për “Le Matin” më 1909, si: “një politikan të klasit të parë”, “një administrator të shquar”, “një njeri me parime”, dhe mbi të gjitha një luftëtar liberal që nuk reshti kurrë së besuari tek triumfi i lirisë.

Roland de Marès shkruante se: “Ai është një tip kurioz, me një inteligjencë jashtëzakonisht të gjallë. Pavarësisht flokëve dhe mjekrës së tij të bardhë, fytyra e tij ka ruajtur një shprehje të bukur rinore. Brukseli ishte, si të thuash, porti i tij i ankorimit, por ai ishte kudo, në Paris, Londër, Berlin. Ndonjëherë zhdukej për një javë, pastaj një mbrëmje shfaqej papritur në shtëpinë time dhe për orë të tëra më tregonte për shpresat e tij për një triumf të afërt. Ai ishte në kontakt me të gjithë ata që kishin një emër në politikën ndërkombëtare. Ai korrespondonte miqësisht me ministra dhe ish-ministra, gjithmonë me një aktivitet disi të ethshëm, duke e mbushur ekspozimin e ideve të tij me anekdota të këndshme rreth burrave të kohës së tij. Ai shpjegonte me një saktësi të habitshme anën e fshehtë, ndonjëherë zbavitëse të ngjarjeve më serioze politike.”

Dhe më tej: “Kauza liberale është në duar të mira nëse i besohet udhëheqjes së Ismail Qemal Beut.”

Nga kjo adresë në Bruksel, që si për ironi të fatit mban emrin e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara Xhorxh Washington, u hodhën themelet diplomatike dhe politike të shtetit shqiptar. Këto mure kanë dëgjuar biseda për fatin e kombit, strategji politike dhe ëndrrën e madhe të Shqipërisë së lirë.

🇦🇱 Brukseli ruan ende gjurmët e Atit Themelues të Shqipërisë. Ndërkohë, ne nuk duhet që të harrojmë asnjëherë se, historia nuk është thjesht kujtesë. Historia është përgjegjësi. Historia është trashëgimi.

 

JEHONA E NJË KRISME (Baladë epiko-historike kushtuar Ragip Hotit)- Nga ARIF EJUPI

 

Ragip Hoti — shtathedhur, syshkabë,
flokëverdhë e azgan.
Kur pushtuesit në rrugët e Llapit
ngritën postblloqe e murana
dhe nisën në tokën tonë
me na mbërthyer me pranga,
pati thënë:

“Mos më quani burrë, por qyqar e të mjerë,
nëse lejoj zgjebanikët e Serbisë
turpshëm nga shtëpia me më nxjerr.”

Më 18 maj 1991 —
e shtunë, ditë tregu në Podujevë.
Ragipi, me të atin Muharremin
dhe kushërinj,
derisa po hipnin në minibus,
mbërrin një hordhi dushmanësh
të armatosur deri në dhëmbë.

Zbresin pasagjerët prej minibusi —
fyerje, shkelma, grushte mbi ta.
Muharremin e urdhërojnë
të kthehet në shtëpi.

Në Ragipin nisin dorë me çua,
por prerazi u thotë:

“Kujdes me mua!”

Shpejt nxjerr nga brezi
armën Beretta 92 —
pesëmbëdhjetë plumba
nën parzmore ia numëron
një gjakësori recidivist,
që Kosovën në ferr donte me kthye.

Kolegët e tij — shtogje pa zemër —
i kap lemeria
kur shohin logun me gjak.
Me megafona kërkojnë shpëtim.

Në ndihmë u vjen helikopteri
me policë e ushtarë,
që breshëri plumbash shtinë
mbi këtë burrë vigan,
që ra për të mos vdekur kurrë —
në fshatin Peran.

Aferim të qoftë, Ragip trimi,
që kriminelëve serbë u dhe plumb në ballë,
që donin me na caktua orar
kur në shtëpi me qëndrua
e kur në treg me dalë.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 20 shkurt 2026

 

REKUIEM (Kushtuar poetit Fatmir Halimi dhe veprimtarit Gazmend Islami)- Nga ARIF EJUPI

 

Kur vdes poeti,
përveç njerëzve loton edhe qielli.
Dielli nga dhimbja nuk shfaqet në horizont,
por toka e pranon krahëhapur në gjirin e saj,
sepse sa ishte gjallë e mbrojti
dhe i këndoi.

Poetin besnik e fisnik
rëndë e lëndoi vdekja e papritur e nipit,
që e deshi aq sa veten.

Në kortezhin kilometrik, përmes lotësh,
poeti tha:

“Gazmend,
që bukën dhe lodrat i ndanim bashkë,
së shpejti do të jem te ti.”

S’jetohet zemërthyer.
As me numërimin e rrugëve
që i kaluam me dhembje
në dimrat e egër e me acar.

As me shikimin ngrirë
në aeroporte e magjistrale.
As me lotët akull
në çdo ndarje.”

Betimin sikur Perëndia e dëgjoi
në lëndinën pranë lisave shekullorë:
pas njëzet e tetë ditësh dajë e nip i bashkoi.

Këta dy burra —
njëri poet, tjetri veprimtar —
që gjithmonë punuan të heshtur dhe pandarë,
Llapi e Kosova do t’i kujtojnë
si dy margaritarë.

ARIF EJUPI

Profesor Bardhyl Çaushi (15.08.1936-10.05.1999), heroi i Kosovës Nga Gjon Krasniqi

Aktet vetëflijuese janë ngjarje madhore në historinë tonë kombëtare, aq më tepër në kohë moderne, kur mendohet se legjendat i përkasin të kaluarës dhe shërbejnë vetëm për arkivin e kujtesës dhe historisë. Një legjendë tipike shqiptare bashkëkohore e qendresës dhe martirizimit mishërohet në figurën e heroit të luftës së fundit të Kosovës, profesor Bardhyl Çaushit, që pa droje mund ta quajmë një profet i lirisë, ardhur nga bota akademike universitare. Ai mbetet ndër shpëtimtarët e shumëpritur për nesh, udhërrëfyesi e frymëzuesi fisnik i drejtësisë, lirisë e pavarësisë sonë të ëndërruar në shekuj.

Profesor Bardhyl Çaushi lindi më 15 gusht 1936, në fshatin Cermjan të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Prishtinë. Diplomohet në Fakultetin Juridik të Shkupit, ndërsa studimet pasuniversitare i ndoqi në Zagreb të Kroacisë, ku mbrojti doktoraturën. Në vitin 1969 nisi punën në Gjakovë si këshilltar gjyqësor, ku pas një përvoje juridike dhe në Pejë, rikthehet në Gjakovë si kryetar i Gjykatës Komunale. Në fillim të vitit ’90 profesor Bardhyl Çaushi zgjidhet kryetari i parë i Shoqatës së Juristëve të Kosovës. Ai ishte njëherësh i përfshirë në lëvizjen për faljen e gjaqeve. Etika, morali dhe atdhedashuria e tij u dëshmuan me vepra. Në bashkëpunim me liderin ndërmjetësues të faljes së gjaqeve, prof. Anton Çetën, studentë e miq intelektualë, si Don Lush Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu, prof. Zekeria Cana, shkrimtarin Ramiz Kelmendi e shumë të tjerë, ndihmoi në shërimin e plagës shekullore të gjakmarrjes dhe faljen e gjaqeve midis shqiptarëve në Dukagjin dhe mbarë Kosovën.

Veprimtaria e elitës kombëtare në këtë rrafsh binte ndesh me synimet e politikës serbe, që mundohej me çdo kusht të nxiste urrejtje e përçarje të natyrave të ndryshme, me të gjitha mënyrat e mjetet, vetëm e vetëm për të na sunduar ne si shqiptarë dhe për të na lënë nën sundimin serb. Ata që e kanë njohur profesor Çaushin e kujtojnë si një personalitet me tipare të larta atdhetare, jurist i njohur dhe dijetar i spikatur i fushës së drejtësisë, pedagog i Fakultetit Juridik të Prishtinës etj. Ai rreshtohet me elitën e jurisprudencës së Kosovës, profesorë të shquar si Gazmend Zajmi, Zejnullah Gruda, Rifat Osmani, Esat Stavileci, Ejup Statovci etj. Kishte njohuri të gjithanshme dhe artikulonte në mënyrën më të mirë në auditoret universitare për edukimin e brezave të shumtë studentorë. Pas peripecive të shumta që kishte pasur në proceset e emancipimit nacional, juridik dhe politik të Kosovës, ishte një ndër figurat më karizmatike të saj.

Rrëfimin historik e jetësor të profesor Bardhylit lirshëm mund ta përqasim me personazhet biblike të profetëve, pasi sakrifica e tij i tejkalon tregimet e vjetra mbi urtinë, trimërinë, qëndresën dhe vetëflijimin. Ai, në historinë tonë të re, në ndërgjegjen liridashëse shqiptare, është ngulitur si një kult që simbolizon shqiptarinë dhe ringritjet ciklike shqiptare, pas rënieve të shumta. Përmes sakrificës sublime për t‘i shërbyer vendit dhe popullit të tij, iu përgjigj kushtrimit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në kundërvënie të ushtrisë famkeqe të kryekriminelit Milosheviç. Profesor Bardhyli vinte në betejën çlirimtare pas një përvoje të gjatë studimore e hulumtuese në fushën e drejtësisë. Në veçanti nxirrte mesazhe nga e drejta romake, titullar i së cilës ishte në Fakultet etj. Si një analist i thellë në lamiet e mendimit juridik, ai u përfaqësua me plot artikuj studimorë, si mbi të drejtën e parablerjes, mbështetur në traditën zakonore shqiptare, kontratën e dorëzanisë, huasë etj. Besën dhe fjalën e dhënë ai i shihte si vazhdimësi të traditave iliro-dardano shqiptare.
Si shumë të tjerë, edhe unë si mik i tij, pata nderin që ta njoh mirë prof. Bardhyl Çaushin në kohët më të vështira të okupimit serb të viteve ’80 e ’90. Ai asnjëherë nuk e ndali hovin dhe përkushtimin e tij për atdheun dhe lirinë e Kosovës, prandaj edhe thoshte: “Të flijohesh për atdheun e vendin tënd është hyjnore e profetike”. Me zërin e tij të matur dhe qortues për padrejtësitë që ndodhnin me shqiptarët, me fjalën përmbajtësore, argumentuese dhe bindëse, në kërkim të rrugës së drejtë të çlirimit të popullit të tij, Bardhyl Çaushi u përfshi edhe në politikën kosovare, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, si bashkëpuntor i ngushtë i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ku ushtronte detyrën e kryetarit të LDK-së në degën e Gjakovës.

Ishte janari i vitit 1999, muaj i ftoftë që nuk mbahej mend, por ishte shpresa e lirisë, vullneti dhe vendosmëria për ta mbërrituir atë një orë e më parë, që na bënte të mos e përfillnim as motin. Ky fat i mirë më ka ndjekur edhe mua, falë dhe njohjes me Afrim Batallin, i cili kishte një rreth shumë të gjerë miqsh nga të gjitha fushat: shkencore, kulturore dhe të botës politike e ekonomike. Të premten e 22 janarit 1999 shkuam në zyrat e firmës “Çabrati” në Gjakovë‚ ku Faton Palloshka ishte drejtor i kompanisë. Në ato rrethana, krejtësisht të pafavorshme për sigurinë tonë fizike, kishim lënë takim një grup veprimraësh: afaristi Afrim Batalli, prof. Bardhyl Çaushi, juristi Qazim Axhemi, ish- zyrtar i Kuvendit të Gjakovës dhe unë, autori i këtyre radhëve, që vija nga një zonë mjaft e rrezikshme e Luftës, siç ishte Nepolja e Lugut të Baranit, duke marrë parasyshë se bijtë e saj ishin të angazhuar në UÇK, ku dhuna serbe po shtohej gjithnjë e më shumë në atë zonë të Dukagjinit. Ishin kohëra tejet të vështira për tu takuar, sepse si sot e mbaj mend imazhin e qytetit të Gjakoves, i cili i ngjante një qyteti fantazmë pa asnjë lëvizje nëpër rrugë. Një qytet i vdekur, me njerëz të gjallë brenda.Të krijohej imazhi se në qytet kishte rënë mortaja dhe se njerëzit ishin bërë të huaj për qytetin e tyre. Kudo kishte lëvizje të makinërisë ushtarake serbe dhe qytetarët ndjeheshin në ankth në çdo moment. Rrallë shihje ndonjë automjet transportues publik dhe numri i dyqaneve të hapura numërohej me gishta. Çarshia e Madhe kishte ndaluar ritmin e jetës dhe muret e tyre sikur vajtonin për jetën e gjallërinë e dikurshme.

Ne ishim mbledhur të diskutonim mes nesh me dëshirën për të kontribuar dhe ndryshuar atë realitet lufte e për ta kthyer në favorin tonë. Biseda sillej dhje rreth mundësisë së intervenimit aleancës euro-atlantike në Kosovë, pasi rrethanat gjeopolitike ishin në favor të shqiptarëve. Afrim Batalli shprehu besimin që NATO do të ndërhynte për me e çlirua Kosovën, përndryshe askush nuk mund ta ndalë barbarinë serbe. Fjala shkonte sa te njëri te tjetri. E sigurtë është që liria do të vijë kësaj here, tha profesor Bardhyl Çaushi, duke argumentuar se Reçaku do bëhet kauzë e lirisë sonë dhe e zhveshjes së maskës serbe në botë. Fshehja e krimeve nga ana e tyre, që e bëjnë këtë gjë tash një shekull, nuk do iu pi ujë më në opinionin botëror, sepse bota demokratike me SHBA në krye e ka kuptuar se ka ardhur koha që të marrin fund padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Ne si shqiptarë kemi përparuar në mendësi e diplomaci, por më së shumti do të na mbrojë e drejta jonë dhe gjaku i derdhur në shekuj. Shqiptari nuk është më skllav i të huajit, por farkëtar i fatit të tij, sepse tani libri e pushka janë bërë një. Edhe Evropa diplomatike e dikur e mureve të ftohta ka filluar ta kuptojë realitetin tonë historik dhe po i qendron në krah krijuesit e ruajtësit të paqes në botë SHBA – së. Mendoj se koha e shqiptarëve ka ardhur dhe se mbi atë pirg të vuajtjeve shekullore milleniumi i ri do na gjejë prapë në tryezën e kombeve të lira…

Ky ishte diskursi ligjërimor atdhetar i profesorit të mirënjohur, i cili na la edhe një fjalë testament brezash, sepse edhe ai kishte dilemat e tij: “Më mirë është me vdekë duke shpresuar tanë jetën në liri, sesa të zhgënjehesh nga liria e vetja e jote”. Ishte një dialog mes miqsh, që nga dhimbja për vendin e kombin debatonim për këso lloj temash ekzistenciale, sikur ta kishim ne fatin e lirisë në duart tona. Në fakt flisnin zemrat dhe zëri i gjyshërve tanë të vuajtur. Profesor Bardhyli vijoi me ligjërimin e tij të thekshëm: Amerika është panteoni i lirisë në botë dhe goditja e saj është e rrufeshme, por ajo e ka mat shtatë herë e pre njëherë. Ajo e ka njeriun e vet këtu ambasadorin Wiliam Wokër dhe fjalët e tij plot pikëllim mos mendo se nuk kanë shkuar në veshët e atyre që e kanë dërguar. Kosova do të vuajë, por do të bëhet shkak i lirisë së Ballkanit.

Atë pranverë lufta ishte në kulmin e saj. Militarët dhe paramilitarët serbë u futën në lagjen Çabrat të Gjakovës, ku ishte dhe shtëpia e profesor Bardhyl Çaushit, i vunë flakën lagjes dhe ai mbeti i vrarë më 10 maj 1999. Profesori ra heroikisht nga dora gjakatare serbo çetnike, pati përpjekje që ngjarja e rëndë të fshihej e humbej pa gjurmë, por falë trysnisë së faktorit ndërkombëtar Serbia u detyrua që të zbardhë rastin dhe të identifikojë kufomën e profesor Bardhylit, ku pas gjashtë vitesh, në 2005-ën, u soll dhe u varros me nderim për t‘u prehur në varrezat e dëshmorëve të atdheut në qytetin e Gjakovës.

Heronjtë e Kosovës martire do të kujtohen nga të gjitha breznitë, duke u përulur me respekt të madh para veprës së tyre. Profesor Bardhyl Çaushi është dekoruar me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”, me “Medaljen e Artë Mësues i merituar” dhe me “Medaljen e Artë Presidenciale të Meritave”, ku edhe njëra nga rrugët kryesore të qytetit të Gjakovës është pagëzuar me emrin e tij, me të cilin ne do ta kujtojmë për jetë e mot, me mendje e zemër, si një personalitet i kauzës kombëtare të lirisë dhe pavarësisë.

Vepra heroike e misionare e martirëve të Kosovës duhet të na shërbejë për të punuar më shumë e më mirë për integrimin europian, ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke pasur në krye figura atdhetare dhe njerëz idealistë, për të cilët janë të papranueshëm krimi, korrupsioni, hajnia e nepotizmi.

 

EJUP SHALA, I PAVDEKSHMI I KËSAJ TOKE- Nga ARIF EJUPI

 

Rrënjë e trung nga Shala e Bajgorës,
nga gjak i Ukshin Kovaçicës,
lindur në Vendenis,
gëzim për familje
dhe farefis.

I pashëm e syçelë,
si kopshtet mbjellë me lule
në pranverë.

Edhe pse në vuajtje e varfëri,
në shkollë shkoje
me gëzim e dashuri.

Ishe i qetë e bujar;
çdo punë e nisje
dhe e përfundoje mbarë.

Kuptoje lojën e shakanë,
urreje smirën
dhe xhelozinë;
e kishe halë në sy
tradhtinë.

Me elan rinor
fillove gjimnazin;
ishe ndër nxënësit më të mirë.

Sukseset e tua
gëzonin shokë e miq,
por papritmas të shënjestroi
serbi me bindje çetnike,
Mile Paunoviq.

Duke parë se haptas urreje
pushtuesit serbo-sllavë,
të humbi vitin
në lëndën e muzikës.

Mendoi
se për jetë e mot
do të mbeteshe bari
e pa ardhmëri.

Por ti kishe në deje
gjak dardan,
me vullnet të çeliktë
për dije e dritë.

Nuk u dekurajove — prapë u ngjite
mbi Olimp.

Sukseset e tua
këtij shpirtprishuri
iu kthyen në thikë.

Ligjëroje gjuhën e ëmbël
të Naimit e Fishtës
në Vendenis e në Besianë.

Me dashuri e zemër
shpjegoje historinë e gjuhës;
analizoje me përkushtim e pasion
morfologjinë e sintaksën,
me literaturën që siguroje
në Tiranë, të cilën e quaje nënë.

Ishe besnik, i hareshëm
e orator;
orët e mësimit
i shndërroje
në ushqim shpirtëror
dhe goditje ndaj armikut.

Poezinë kishe prirje;
me afsh e zjarr
i thurje vargje me fije floriri
Atdheut,
mësuesit,
punëtorit,
bujkut
dhe minatorit.

Dy engjëllushet e tua
i pagëzove me emra të bukur
pellazgo-ilirë:
Albadete
dhe
Shqiprojë,
nga dashuria për gjuhën
e ëmbël shqipe
dhe për tokën e shenjtë.

Më 5 maj 1999,
duke mbrojtur pragun e shtëpisë,
të masakruan
bandat kriminale të Serbisë.

Nga gjaku yt,
përsëri në këmbët e veta
u ngrit Kosova.

Ejup Shala — thesar i Arkës së Kombit,
i pavdekshmi i kësaj toke.

 

Arif Ejupi
Gjenevë, 6 mars 2026

A G I M I (1963-1999)- Nga Meti REXHEPI

 

                                            

Lirinë edhe kur nuk e shihte i vizatonte shtrirjet konturve

i qasej si një të dashure të mbërthyer

në mes ferrash të gjalla prangash zinxhirësh ecejakesh e sy gacash

asaj ia hapte një shteg në fletën më të bardhën të zemrës

doemos nëse fleta e bardhë nuk joshte ndjesi

hapi arterien e kuqe të ngjyente penën dhe brushën

 

atëbotë të trishtë të censurës veshi veshit syri syrit

ia thurnin mitin përbindëshit

Agimi si agim desh i sheshonte ëndrrat e ngjyrosura kuqezi

fusha kishte sy mali veshë

lëvronte të mbillte mëtime me shkrola ngastrës së Tij hullive

shpalimi i fletës tek akëcili zgjonte kob dhe stuhi

 

Ai donte t`i hidhte hapat ngastrave të gjyshërve

andej këndej tela gjemborë akull kallnori përcëllimë gushti trupit

këmbët i shtrinte tej Shtratit të Prokrustit

liria nuk kishte vetëm ngjyrë të bardhë

ashtu si shtjellohej në tabelën e zezë

nën portretin “paqësor” të Perandorit

s`kishte si të shkruhej ndryshe mbi të zezën

pos me shkumësin e bardhë

 

ishte soj lirie që ndërsente hienat e tërbimit që lehnin agimit

e bardha dritë nxirosej sterrë prej kafshimit

idileve të përrallës mbrehej tehu i sëpatës në pragun e nënkresën e fqinjit

për prerje qafësh bukurisë i vihej në cung hijeshia

lë të mbahet e lidhur nën një shije e ngjyrë

në klasë krejt ngatërrueshëm trajtësohej nyja dhe evoluimi

si mund të fluturonte në kaltërsi një shqiponjë

dhe veçse e bardhë dhe vetëm ajo me emblemë ortodoksizmi

 

në një simbol valonin drapër e çekan

bashkë me kallinj korrte dhe jetët drapri

e i thyente me çekan kafkat Sllavku

buzëqeshjes gjysmë hapur e gjysmë fshehur të Diktatorit

tej për tej dritëhijeve i përshkuan shigjetat atë cinizëm të kulluar

dhe Agimit pa rastësinë si mbret i botës nga fjalori djaloshar

i zhubrosur

në Mal Koshare i shpalohej Sinonimi

shkrolat e fshehura në fleta po i merrnin trajta plumbash e predhash

 

çfarë alkimie përtej një Akademie

ëndrrat e shprushura po ktheheshin në zjarr tytash

përderisa buzë-brymtat ia puthnin dremitjen në prita

e nuk i trembej predhave të verbërimit

 

tashmë agimi po e hedh prarimin e prillit

mbi legjendën e bronztë të Sinonimit

 

 

 

Gjilan, prill 2025

 

 


Send this to a friend