VOAL

VOAL

Engel për njohjen e Kosovës nga Izraeli: Ditë e madhe për të dy vendet

February 2, 2021

Komentet

UGSHPD: KUSH DËGJOHET MË SHUMË ?!


Sezonin e verës së kaluar, nga fundi i muajit Qershor Policia e Shtetit nisi “Aksionin e Ndotjes Akustike” gjobiste me 4000 euro baret, restorantet dhe diskot në Lungomaren e qytetit të Vlorës, dhe disa ditë më pas ju fut Bashkisë duke emëruar staf të ri dhe nisi shkallën e dytë të goditjes me lirimin e  e hapësirave publike. Fadromat dhe ekskavatorët si dhe shpërthimet e kontrolluara me eksploziv shoqëruan gjithë stinën nga jugu në veri, nga Lungomarja dhe çdo autostradë e deri në Theth.
Kush mundi nga shqiptarët dhe që e ndjeu se ju shkel liria dhe prona më vete protestoi, por edhe u gjobit, u padit e u godit. Gjithçka u shua dhe qeverisja e një viti më parë ishte ajo që e tregoi forcën me popullin duke u prishur ekonominë dhe kursimet në emër të rregullave dhe ligjeve, kur nisën zjarret dhe përmbytjet tregoi se as forcë dhe as para nuk nxorri për të përballuar emergjencat civile dhe natyrore.
Ky ishte prologu i asaj se kush dëgjohej më shumë.
Tani kemi ardhur në fazën e asaj se edhe kryeministrit i ka ardhur zëri dhe po e prodhon zhurmën për të kundërshtuar me çdo mënyrë protestën.
Pra i shkundur jo vetëm nga nervat, por edhe nga paratë kryeministri i rilindësve socialistë dhe mediat pranë tij kishin të njëjtin shqetësim “me shkundjen”. Ndaj edhe titujve të lajmeve “Shkundet Tirana nga …” do t’i shtoheshin detajet si: një koncert i së Shtunës në “Eagle Stadium”, pranë Kasharit-Tiranë me pjesëmarrjen e Kanye West, me një publik ndërkombëtar të numëruar prej 80 vendesh, dhe papërmendur atë se për të plotësuar ardhjen e rreth 60 mijë spektatorëve në koncert u përdorën metodat e zbritjes 30% të biletës si dhe dhënie falas për grupe dhe kolektiva shkollore e punonjësish e që në fund do të ishte edhe qerasja bujare e vetë kryeministrit me 4 milion euro nga fondi i emergjencave. Kjo e fundit që do ta shpëtonte koncertin e paralajmëruar, dhe kryeministri menjëherë pas mbylljes së kritikave në llogaritë e rrjeteve sociale do të niste luftën e titujve mediatikë nga makineria propagandistike dhe mediat që e mështesin.
Sa për protestën qytetare mjaftonte që të përmendej titulli i zakonshëm Dita e 43-të…
Titujt sulmues ishin; Rama: “Katër milionë eurot investim për të mos hapur një plagë të re mosbesimi ndaj Shqipërisë”, “Koncerti në Tiranë, Rama pret reperin Kanye West”,  “Tirana hyn në hartën e koncerteve globale me Kanye West”, “Kanye West: Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për mikpritjen në vendin tuaj të bukur”, “Koncerti i Kanye West në Tiranë, Rama: Shqipëria organizoi një ngjarje, që u bë lajm në çdo cep të botës”, “Koncerti spektakolar i Kanye West, Rama: 80 kombësi ka rreth asaj vatre”,”Koncerti i Kanye West, mijëra fansa e turistë nga vende të ndryshme po i drejtohen Eagle Stadium”, “Koncerti i Kanye West, apel për mbërritje në kohë të pjesëmarrësve”, “Rama: Koncerti i Kanye West, marketing global që sjell turizëm dhe ekonomi për Shqipërinë”, “Kanye West në Tiranë, Gonxhja: Ngjarja muzikore për të cilën do të flitet gjithë verën”, “Gonxhja: Suksesi i koncertit të Kanye West i fiton kryeqytetit besueshmëri ndërkombëtare për evente të mëdha” etj. etj.
Pra me dhjetra tituj të përgatitur për të nisur një sulm për të cilin ja vlen të ndalemi në dy tre të vërteta.
Protesta qytetare në Tiranë mes ditës së 42 dhe 43 kishte pjesëmarrjen e saj dhe u zhvillua megjithëse koncertet e sponsorizuara i hynë në mes.
Koncertet?!

Po ishin dy koncerte.
Ai zhurmëshumi mediatik i Kanye West një ditor, por edhe ai Festivali Sundance i Verës që ishte për katër ditë nga 9-12 Korriku i zhvilluar pikërisht në Zvërnec, ditë natë pa pushim.
A kishte një plan të parapërgatitur për këtë?
Është e kotë të bësh pyetje me këtë nivel korrupsioni, pasi transparenca nuk ka ndërmend të zhvillohet kurrë ndonjëherë për sa kjo qeveri mendon se e meriton që ta drejtojë shtetin me mandatin e Zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 dhe përderisa protesta qytetare nuk i duket bindëse.
Koncertet në botë janë kudo dhe për çdo arsye të listuara. 
Në kalendarin e veprimtarive tek çdo fqinj me Shqipërinë dhe në mbarë botën ajo që Rama na tregoi si të ishte eksploratori i eventeve kulturore muzikore, doli se këto njoftime nuk përfshihen. Në se bota i ka nisma private koncertet, tek be i bën qeveria dhe ndonjë ministri përgjegjëse që mendojnë për argëtimin e popullatës. Pra atë që “Tirana hyn në hartën e koncerteve globale me Kanye West“.
Po pse ku paskemi qënë deri tani?
Reklamat për turizmin janë bërë aq prioritare sa që një Asamble Politike e disa viteve më parë, kur Rama humbi një zv/kryeministër mbajti peshën e strategjisë së Rilindjes Socialiste. Ky fat po e pret edhe sot. Shpik prioritete, shty Kuvendin dhe formato qeveri në muajin Shtator deri sa të vijnë zgjedhjet e ardhshme.
Me qenë se çudia zgjat tre ditë, le të shohim se çdo të sjellë java.
Sa për Sheshin e Protestës një gjë është e sigurt, se qytetarët dhe rinia do të vazhdojnë me “Revolucionin e Flamingove”, çka u bë eventi më i njohur paqësor në botë për rrëzimin e një qeverisje.
Në mbyllje do të sillnim edhe njëherë vëmendjen për mbrojtjen e natyrës dhe respektin për gjallesën e egër, mjedise ku njeriu nuk kontrollon sjelljen e tij
Si ju duket juve Festivali Sundance katër ditor “go wild” në Zvërnec, kur kjo qeveri urdhëroi Policinë një vit më parë të gjobiste bizneset për “Ndotjen Akustike”.
Mos vallë Rama e ka nisur mbrapsht këtë rradhë. Do t’u prishë qetësinë Zvërnecit dhe Flamingove, në mënyrë që të pushojë protesta dhe kështu qeveria dhe politika shkojnë të qetë për pushimet e verës për t’u shkëputur nga refreni; ‘Rama jepe dorëheqjen’.
12 Korrik, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

44 ditë revoltë! Protestat vijojnë pa u ndalur, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit: Rama jep dorëheqjen!

Sot protesta qytetare hyn në ditën e saj të 44-t, duke u kthyer në një nga lëvizjet më të gjata qytetare që ka njohur Shqipëria në vitet e fundit.

Për 44 ditë me radhë, qytetarët janë mbledhur çdo mbrëmje para Kryeministrisë me të njëjtat thirrje që dëgjohen që prej ditës së parë: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëri e Re”.

 

Edhe mbrëmjen e djeshme, si në 43 ditët e tjera, pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës, ndaluan para Kuvendit dhe më pas përpara selisë së Partisë Demokratike, ku brohoritën “Opozitë e shitur”, duke akuzuar opozitën se është bërë pjesë e të njëjtit sistem që qytetarët kërkojnë të rrëzojnë. bw

Media franceze “LE TEMPS”: Rama shpenzoi 4.2 milionë euro për Kanye West, por nuk arriti të shuajë zemërimin e shqiptarëve! “Revolucioni i Flamingove” vetëm sa po rritet

Gazeta franceze Le Temps i kushton një artikull të gjatë situatës politike në Shqipëri, duke e përshkruar kryeministrin Edi Rama si një lider që “luan me provokimin” në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga vala e protestave që ka përfshirë vendin prej gjashtë javësh.

Sipas prestigjiozes franceze, financimi me 4.2 milionë euro i koncertit të Kanye West nuk arriti të ndalte revoltën qytetare, ndërsa “Revolucioni i Flamingove” vazhdon të zgjerohet, me mijëra protestues që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe denoncojnë korrupsionin, oligarkinë dhe projektet e diskutueshme turistike në Sazan dhe Zvërnec.

SHKRIMI I PLOTE I LE TEMPS
“Edi Rama luan me provokimin”. I sfiduar nga një valë protestash që nuk bën gjë tjetër veçse rritet prej gjashtë javësh, kryeministri shqiptar këmbënguli ta priste personalisht reperin shumë kontrovers amerikan Kanye West, të ndaluar të mbajë koncerte në shumicën e vendeve evropiane për shkak të provokimeve të tij antisemite dhe islamofobe, si edhe për admirimin e tij të deklaruar ndaj Adolf Hitlerit.

Madje, vetëm pak ditë para koncertit, u mësua se qeveria kishte shpenzuar 4.2 milionë euro për të mundësuar zhvillimin e këtij eventi, i cili fillimisht ishte paraqitur si një “koncert privat”, që nuk do t’i kushtonte asgjë taksapaguesve. Kjo shkaktoi indinjatën e artistëve shqiptarë, të cilët protestuan të enjten para ministrisë së tyre, duke kujtuar se kultura përfaqëson vetëm 0.1% të buxhetit publik. Ministri Blendi Gonxhja i hodhi poshtë këto kritika, duke i cilësuar si “donkishoteske”.

Për qeverinë, koncerti duhej të nxiste turizmin duke e vendosur Shqipërinë në hartën botërore të këtyre ngjarjeve të mëdha. Në realitet, biletat pothuajse nuk u shitën dhe, për të mbushur 60 mijë vendet e stadiumit të përkohshëm Eagle Stadium, të ndërtuar posaçërisht për këtë rast pranë autostradës që të çon në Durrës dhe aeroportin e Tiranës, qeveria solli me autobusë të posaçëm nxënës të shkollave të mesme dhe punonjës të administratës publike. Aktivistë të lëvizjes së majtë Bashkë arritën gjithashtu të hynin në stadium dhe të shpalosnin një banderolë ku shkruhej: “Edi Rama, Fuck Ye! Jep dorëheqjen!”

Ndërkohë, 10 deri në 15 mijë persona marshonin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në qendër të Tiranës, për mbrëmjen e 42-të radhazi. Koncerti nuk arriti të ndezë një kundërzjarr të aftë për të larguar vëmendjen nga vala e zemërimit që po trondit Shqipërinë. Që nga 31 maji, protesta të përditshme denoncojnë dhënien e ishullit të Sazanit dhe gadishullit fqinj të Zvërnecit Trump Organization, konglomeratit familjar të drejtuar nga Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, të cilët duan të ndërtojnë aty një resort luksoz, duke vënë në rrezik zona natyrore të mbrojtura, veçanërisht lagunën e Nartës, strehë e flamingove.

“Revolucioni i Flamingove”

Që atëherë, protestuesit e “Revolucionit të Flamingove” denoncojnë vullnetin për ta shitur vendin interesave të disa oligarkëve, duke pohuar se “Shqipëria nuk është në shitje”. Këta protestues, shpesh të rinj, kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, kreut të Partisë Socialiste, në pushtet që prej vitit 2013, por nuk kanë më shumë besim as te forca kryesore opozitare, konservatorët e Partisë Demokratike të Sali Berishës. Ata kërkojnë “një Shqipëri të re”, duke denoncuar rrjetet oligarkike që dominojnë vendin që nga rënia e komunizmit.

“Çdo parti ka mediat e veta dhe ka ndërtuar rrjetet e saj në botën e biznesit, madje edhe në qarqet kriminale. Pikërisht këtë duopol refuzojnë protestuesit”, shpjegon eseisti Fatos Lubonja, ish-i burgosur politik i diktaturës dhe një figurë e njohur e kundërshtimit.

Sigurimi ndërkombëtar i jetës

Lexoni gjithashtu: “Shqipëria nuk është në shitje!” Në rrugët e Tiranës, revolta po zien kundër mega-projektit turistik të familjes Trump në ishullin e Sazanit.

Që nga fillimi i lëvizjes, Edi Rama i është përgjigjur vetëm me përçmim, duke u përpjekur të diskreditojë kundërshtarët e tij, duke i akuzuar se janë “të manipuluar nga forca armiqësore ndaj Shqipërisë dhe Izraelit”, madje edhe nga Irani. Këto akuza tingëllojnë me ironi kur kryeministri sjell me një kosto të madhe një këngëtar të njohur për antisemitizmin e tij si Kanye West, por kjo shpjegohet me marrëdhëniet e ngushta që ai mban me qeverinë e Netanyahut.

“Edi Rama mbështetet te aleatët e tij ndërkombëtarë për të dalë nga kjo situatë, te evropianët dhe amerikanët. Ky është sigurimi i tij i fundit i jetës”, vijon Fatos Lubonja.

Në fakt, prirja autoritare dhe e korruptuar e regjimit shqiptar është e njohur në Bruksel, por Komisioni Evropian ka mbetur gjithmonë shumë i përmbajtur në kritikat e tij. Edi Rama, i cili e ka rreshtuar politikën e jashtme të vendit me atë të Bashkimit Evropian, shfaqet si një e keqe më e vogël e pranueshme dhe, ashtu si homologu i tij serb Vuçiç, si garant i stabilitetit rajonal.

Dyshime mbi financimet

Kryeministri, i cili nuk ka hequr kurrë dorë nga pretendimet e tij si artist i arteve pamore, pretendon gjithashtu se po farkëton “fytyrën e re” të Shqipërisë dhe kishte investuar shumë te botimi, rreth dhjetë ditë më parë, i një libri luksoz arkitekture me titull “The Albanian Files”, ku paraqiten projektet e mëdha urbanistike në zhvillim ose të planifikuara.

Por opozita menjëherë iu referua SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit, pasi këto projekte ngrenë pikëpyetje mbi financimin e tyre tepër të dyshimtë.

“Zyrat më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës janë thirrur për të legjitimuar qarkullime ekonomike që bien ndesh me interesin e përgjithshëm”, shpjegon Fatos Lubonja.

Mobilizimi vazhdon të rritet, i forcuar edhe nga diaspora që po kthehet në vend për pushimet verore. Florian Haçkaj, zëdhënës i grupit “Diaspora për një Shqipëri të Lirë”, i bërë i njohur për debatet e tij me video me kryeministrin Rama, ishte një nga figurat e tubimit të së shtunës.

Ky profesionist shpjegoi se sapo kishte mbërritur nga Zvicra me familjen e tij, duke iu drejtuar turmës me fjalët:

“Ju jeni heronjtë tanë, mos lejoni t’ju frikësojnë. Koha e frikës ka marrë fund.” gsh

Sot protesta e 43-të kundër qeverisë, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës: Ju erdhi fundi

Sot është dita e 43-të e protestave qytetare. Edhe këtë të diel grumbullimi i protestuesve do të nisë nga sheshi Skënderbej dhe më pas do të marshohet drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Protestat qytetare janë karakterizuar nga masiviteti, energjia dhe vendosmëria për ta mbajtur të gjallë kauzën pavarësisht se ka kaluar mbi 1 muaj që qytetarët mbushin rrugët çdo ditë.

 

Ndërkohë mijëra qytetarë u mblodhën edhe këtë të shtunë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, në ditën e 42-të të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe klasës politike.

 

Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si “Ju erdhi fundi”, “Revolucion”, “Nesër më shumë”, “Arrestoni Ramën”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Protestuesit u shprehën të vendosur se nuk do të ndalen deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa marshimi vijoi në rrugët kryesore të Tiranës prej disa orësh. bw

“Rama jepe dorëheqjen!” – Të rinjtë brohorasin thirrje kundër qeverisë në koncertin e Kanye West

Të rinjtë e kanë kthyer koncertin e reperit amerikan, Kanye West në një “protestë” kundër qeverisë së Edi Ramës.

Ata dëgjohen duke brohoritur thirrjen “Rama jepe dorëheqjen” që prej 42 ditësh dëgjohet çdo mbrëmje përpara Kryeministrisë.

Kujtojmë se qeveria financoi koncertin me 4 milionë euro nga fondi rezervë, një vendim që u shoqërua me debate dhe kritika të shumta për përdorimin e parave publike për një event privat. Panorama

“Nga New York-u, Berlini, Parisi, Londra, Roma e gjithë bota me ju” Thirrja e fortë e protestuesit: Diaspora dhe e gjithë Shqipëria të bashkohet, derisa ta rrëzojmë

Një protestues gjatë tubimit kundër kryeministrit Edi Rama ka bërë thirrje për bashkim të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke deklaruar se diaspora duhet të luajë një rol në zhvillimet politike në Shqipëri.

 

“Diaspora po bashkohet, e gjithë Shqipëria duhet të bashkohet sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë t’i rrëzojmë këto mostra. E gjithë Amerika në shesh në New York. Nesër Berlini, Parisi, Melburn, Londra,  Roma, Vjena, e gjithë bota. Diaspora jonë. Bashkohuni miq, sepse bashkimi është ai që do na sjellë fitore, është ai që do përmbysë këta mostra”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, protestuesi tha se shqiptarët në diasporë po organizohen dhe përmendi protesta të planifikuara në disa qytete të botës, përfshirë New York, Berlin, Paris, Melburn, Londër, Romë dhe Vjenë. bw

Protesta kombëtare për dorëheqjen e Ramës, shqiptarët në revoltë prej 42 ditësh, nis organizimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”

Ka nisur protesta e 42 në Tiranë. Qytetarët janë organizuar në sheshin “Skënderbej”, dhe kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.

Më pas pritet marshimi i qytetarëve drejt Kryeministrisë.

Organizatorët kanë njoftuar se në tubimin e sotëm do t’u bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët prej kohësh janë përfshirë në mbështetje të kësaj kauze.

Një ditë më parë, protestuesit marshuan në disa prej akseve kryesore të Tiranës, duke brohoritur slogane si: “Qeveri e krimit”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama jep dorëheqjen”.

 

UGSHPD: NJË KRYEMINISTËR QË PO BËN PROVA GJENERALE PËR AKUZËN  (A do të ketë një “The Albanian Files 2.0”?!)

“Është marketing global për Shqipërinë, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër po të blihej me fushata tradicionale. Dhe kjo nuk është një shpikje shqiptare. Është mënyra se si veprojnë vendet më të zhvilluara të Europës. Kush kujton se kultura është luks duhet ta rishikojë këtë opinion të gabuar”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit, shkruan ATSH-ja, në ballë të orëve të fundit për “shitjen e biletave”. Jo më pas janë edhe shumë media që japin vlerësime të krahasueshme për përfitimet nga shuma prej 4 milion euro të hedhura nga qeveria duke ju referuar disa deklaratave në rrjetet sociale të Ramës si kryeministër dhe Gonxhes si Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit kur thotë se:- Nëse Tirana arrin të organizojë me sukses këtë event, përfitimi më i madh nuk do të jetë vetëm ai social, argëtues apo ekonomik i një nate. Do të jetë besueshmëria ndërkombëtare që fiton kryeqyteti dhe Shqipëria“, dhe që të dy të ngjajnë me lojtarët e një mega llotarie. 

Të varësuar gërvishtja për të fituar”. 

Me moton e përditshme të përfitimit, po fusim katër që t’i shumëfishojmë(!). 

I nisur edhe nga një influencer i cili tregonte se:-mund të nxitoni për blerjen e biletave me 30% ulje, ndoqëm edhe udhëzimet e faqes online (www.yealbania.com) ku veç shqipes, mundësia edhe në anglisht e italisht bëheshin të pa mundëshme për të bërë blerjen e biletës/biletave. 

Ndoshta janë shitur(!). 

Përllogaritja në “Eagle Stadium” është menduar për rreth 60 mijë spektatorë dhe në se ndodh, kjo do t’ja kalonte tre herë koncertit të Dua Lipa-s në Sheshin Skënderbej 3 vite më parë në kohën e skemave koncertore të Erion Veliaj-t.

Konkurrenca për ta drejtuar jetën e një kryeqyteti është padyshim e madhe. 

Por le të kthehemi tek ankthi i biletës fituese. 

Është 120 euro mesatarisht. 

Ndërsa sipas Ramës dhe Gonxhes thënia se; “kemi hedhur 4 që t’i gjenerojmë në 100” dhe tjetra “një emër global Shqipërisë”, këto janë pjesë të janë imazhi dhe propagandës bashkë. 

Nga vendi prej nga Kanye West vjen, luhen llotari që e tejkalojnë me raste shumën e 1 miliard dollarëve. Por nuk ka nevojë për shumë marketing pasi gjithsekush e provon fatin dhe ka pika karburanti ku një reklamë e thjeshtë e ndriçuar i tërheq vëmendjen dikujt që do ta blejë një biletë. Të gjithë e duan një fat të tillë, por kryesisht punojnë fort dhe kur duan luajnë, e blejnë një ose disa të tilla. Por llotaritë veç kanë edhe shenjat e sëmundjes ‘gabelin addiction’ *. 

Gati të pashërueshme.

Ndërsa krahasimi me këmbë në tokë është se “1 në 15,000 kanë shansin e keq që t’ju bjerë rrufeja” (pra shansin që ta fitojë). Pra jo se duhen blerë 15 mijë bileta njëherësh me idenë se do të fitosh, por për një mega lloto/koncert-global si në rastin për ta fituar Rama dhe Gonxhja famën, ky krahasim tjetër ja vlen. Ai sshprehet i tillë në rastësi si 1 mbi 300 milion, sepse kështu thonë zyrat që i organizojnë llotaritë pa ç’ka se qeveritarët tanë kanë sistemin e tyre të përllogaritjeve.

Do të mbarojë dhe ky koncert e përveç kënaqësisë për shfaqjen tek ata që e shijojnë, për propagandën qeveritare me siguri dhe imtësi do të kryhen procedurat investigative për të zbuluar shkeljet ligjore dhe zbatuar transparencën me formulën e njohur follow the money’*. 

Mbase nuk do të jetë edhe nevoja për të thënë se “Stadiumi Eagle” i sapo ndërtuar se sa kushtoi dhe se sa afatgjatë do të jetë për evente të ngjashme. Apo justifikime të tjera se stadiumi që nuk ka të planifikuar një parking për publikun dhe nuk u mbush edhe pse biletat u ulën me 30% , eventi u zhvillua në një orar kur Botërori i Futbollit 2026 kishte ndeshjet Angli-Norvegji dhe Argjentinë-Zvicër. Por edhe për këto parimi ‘follow the  money’ duhet të veprojë në se të vërtetat dhe korrupsionin na duhet ta zbulojmë dhe ta shohim. 

Pavarësisht këtyre protesta qytetare vazhdon në ditën e 42-të.

Përse i themi këto?

Nuk janë një paragjykim, por janë një realitet nga i cili nuk mund të fshihemi. Sidomos kur ai vishet me propagandë.

Në Shqipëri kjo po shihet çdo ditë dhe mund të vazhdojë nga pangopësia deri në fund e mandatit’ dhe duket mirë se kush po janë prioritetet e qeverisjes. 

Në Tiranë po protestohet paqësisht prej 42 ditësh.

Protestohet për korrupsion.

Qeveria nga ana e vet thotë se po ndërton imazhin e turizmit dhe sponsorizon me miliona për imazhin global, në një qeveri që  ka vërtetuar se “Shqipëria nuk ka sot një ministër/e ose ministri që të mbulojë R I N I N Ë ,…”*.

Prandaj është edhe kjo një tjetër arsye se përse rinia shqiptare ndodhet në shesh. Sepse nuk mund ta shohë të ardhmen e vet në një vend që marketimin global nga ana e pushtetit e ka si një etiketë e çmimit për shitje. 

Kush të dojë le ta shijojë koncertin.

Kush të dojë edhe mund të lodhet nga mënyra se si faktet përplasen duke u bërë të lodhshme nga drejtimet që propaganda dhe ideologjia e pushtetit i orienton, dhe kjo kategori njerëzish mund të bëhen pesimistë dhe heqin dorë nga përpjekjet e tyre duke ja lënë fatit zgjidhjen se si mund të veprojnë.

Por ka edhe të tjerë që nuk tërhiqen. Dhe për këtë kanë koncertin e tyre prej 41 ditësh nga dje,… 42 sot dhe më shumë nesër në të 43-ën ditë e me rradhë pa ndërprerë deri në dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit.

Dhe në mbyllje, pasi edhe ky shënim nuk ka dashur të përsërisë se çfarë është thënë për koncertin, as çfarë po ndodh me protestën në ditën e 42-të ka mundësi që të hedhë dy tre pika dyshimi për diskutim nga ana e opinionit publik se:- Cila është situata që Shqipëria sot po kalon pa realizuar një dialog dhe transparencë dhe veprim të ligjit përkundrejt një arrogance shtetërore dhe qeverisje të korruptuar?

Së pari, a janë para emergjence?

Së  dyti  , sa u shpenzua për Stadiumin Eagle dhe a u certifikua sipërmarrja ndërtuese dhe siguria e tij?

Së treti, Kush e ka autoritetin e kësaj vendim-marrjeje?

Së  katërti, përse bëhet propagandë nga qeveria?

…ka edhe të tjera aspekte që mund të konsiderohen ndoshta edhe “cinike”, por ato nuk mund të krahasohen me prurjet që rinia e protestës i ka dhënë sheshit. Duhet me thënë prit se çdo dëgjohet pasi kryeministri ynë jeton çdo ditë mes gafave dhe skandaleve. Një i tillë, veç koncertit të West-it, ishte po sot edhe historia e Rozafës ku ai thumbonte përshtypjet/review negative të njerëzve të cilët i përqesh me termin O patriota

Nuk po kuptojmë diçka nga gjakftohtësia e kryeministrit. Mos vallë edhe vendin ja zënë shqiptarët atij edhe aty ku ata jetojnë dhe shprehen lirshëm për atë se çfarë mendojnë?

Statusi i Ramës ndër të tjera shënonte:Uroj që Prokuroria të veprojë një orë e më parë me këta dhunues të pronës publike e private dhe shantazhues të qytetarëve të këtij vendiMe sa duket kryeministri po përjeton tani ankthin halucinant nga Legjenda e Rozafës  dhe i duket se këto statuse po ja prishin natën muret e punëve të mira që kjo qeverisje ka bërë çdo ditë në këto 13-14 vite. 

Sa për Rozafën dhe çdo mjedis tjetër që vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj, në qoftë se përshembull mungon ose nuk ka një tendë për hije, nuk ka një shishe ujë të ftohtë, nuk ka një tualet për të kryer nevojat personale, mungojnë koshat e mbeturinave përpos shërbimeve të tjera ku veprojnë bizneset shtetërore dhe private, atëherë përshtypjet në google‘ apo dhe në çdo aplikacion të rrjeteve sociale nuk ka përse të relativizohen ose të merren si shantazhe për prishjen e imazhit përshtypjet dhe vlerësimet e njerëzve. Madje qeveria e juaj shpesh ka përmendur se “kritikat na bëjë mirë për ta përmirësuar qeverisjen”.

Nuk ka se si që të shkruash për Koncertin e West-it, të flasësh për shantazhin online për Rozafën, të mbledhësh të rinjtë në një logo të improvizuar si RinCamp 2026″ sepse nuk ke më ndjekës, dhe për çudi të gjitha këto gjatë një dite. Kjo vërtetë tregon shqetësimin tuaj për ardhjen e disfatave ndërkombëtare të njëpasnjëshme si edhe efektin me atë presionin paqësor që i bëhet kërkesës për dorëheqjen tuaj nga rinia shqiptare kryesisht e cila po mbështetet nga mbarë populli dhe diaspora.

Dhe në fund së pesti,  a do të marrë Kanye West “Çelësin e Bashkisë” apo dyshtetësinë e përshpejtuar nga presidenti SHTZ Bajram Begaj siç ka ndodhur jo rrahë herë të tjera?

Nuk është asgjë e keqe sikurse nuk është as edhe tezë konspiracioniste. 

Këto kanë ndodhur.

Në kërkimin e tyre gazetarët kanë të drejtën për dyshime dhe mund t’i parashtrojnë faktet.

Sipas fakteve Kanye West, i njohur si rapper-i dhe muzikanti, producent në muzikë dhe me firmën e tij të njohur në modelime dhe të veshjeve, ka një pasuri prej rreth 500 milion dollarë përkundrejt 110 mijë eurove që ka deklaruar Rama në 2025 (pa llogaritur të ardhurat nga rroga dhe anëtarëve të tjerë të familjes).

Disa pika të tjera të përbashkëta mes raperit me ftuesin kryeministër janë muzika, veshjet, moda.

Po a kanë ata kohë dhe a do të shkëmbejnë dot eksperienca që të mund të ishin një kureshtje globale nga paparacët’?

Na duhen shumë foto për imazhin…dhe jo për lajmin e të vërtetat, kjo është kërkesa e sulmit propagandistik.

Kanye West kandidoi si i pavarur për president në SHBA në vitin 2020. Ai hyri atë kohë mes Trump dhe Biden dhe mori vetëm 60 mijë vota në “luftën” ndërmjet republikanëve dhe demokratëve. Pra 60,000 votues/spektatorë aq sa edhe stadiumi i ri i Tiranës ‘Eagle’ ka nxënësinë, por që nuk ka parking. Pra politika mbase është një tjetër eksperiencë për të zbuluar nes West-it dhe Ramës.

Kanye West, në qoftë se do të kërkoni për ndjeshmërinë e tij ndaj natyrës mjedisit është edhe më interesante. Ai ka projektuar, por nuk ka realizuar përmasën e një qyteti me 100 mijë banorë si në SHBA edhe në lindjen e Mesme. Prirja mjedisore e tij shkon bashkë me atë arkitektonike dhe njihet si ‘saving the world through design’ *( një këndvështrimin rreth të cilit do ta lemë për një herë tjetër). 

Nuk paragjykojmë. 

Nuk ka asgjë të keqe, por të kërkosh faktet në gazetari sikurse të kesh dyshime dhe të ngresh pyetje ashtu siç ndodhi me shqiptarët të cilët edhe pse ishin pre 10 ditësh në shesh, provuan shijen e hidhur nga zhurma e parathënies në “The Albanian Files”, një tjetër kryevepër e kryeministrit. 

Kjo është një fushë ku ka shumë për të zbuluar. 

Madje mund të pyeten artisti West dhe kryeministri artist shqiptar Rama më parë se sa ky i fundit të na surprizojë me ndonjë botim të vetin apo si bashkautor në të ardhmen e afërt.

“The Albanian Files 2.o”  mund të ketë sepse ky kryeministër nuk e njeh as dialogun dhe as protestën. Një ditë më parë jemi befasuar me thellimin e propagandës nga veprimtaria “Rilindja 2.0” (!), një takim i Ramës me administratën. 

Rivitalizim dhe Identitet. 

Dy nga grepat që janë hedhur për ta shtrënguar fort pas pushtetit administratën shtetërore duke ju ofruar një punë të siguruar. Kjo është shenja më e rrezikshme dhe alarmante e shoqërisë.Politizimi i administratës në institucionet shtetërore dhe pushtetin vendor. Një Rilindje 2.0, tani pas 13-14 vitesh në pushtet. 

Kush do të rivitalizohet?

Çfarë identiteti po kërkon ky kryeministër kur natyra po shkretohet dhe gjurma më e madhe që dallon është marka’ e betonit?

Kjo është fatkeqësia e qeverisjes së korruptuar që mban pushtetin përmes imazhit propagandistik dhe shtypjes ideologjike të administratës shtetërore.

Projektet me 1 euro për investitorët strategjik, janë tashmë projekte me dyer të hapura dhe tapete të shtruara e për to edhe më rrallë qytetaria dhe shtetasit shqiptarë pyeten.

Pyeten më rrallë ose sepse janë larguar,…ose nuk e gjejnë dot pronën, ose ata që i kanë përfaqësuar dhe i përfaqësojnë në Kuvend nuk po e bëjnë mjaftueshëm punën për zbatimin e ligjit, ushtrimin e drejtësisë dhe zbatimin e Kushtetutës së Republikës.

______

 

*’gambling addiction’ – varësia pas kumarit/bixhozit

* “follow the money”- ndiq paratë

* “Shqipëria nuk ka sot një ministër/e ose ministri që të mbulojë R I N I N Ë ,…”  https://www.voal.ch/ugshpd-diella-dylli-dhe-kryeministri-ora-e-fundit-e-akademise-politike-socialiste/aktuale/fokus/

*‘saving the world through design‘ – të shpëtosh botën prej projekteve
 
 
 
11 Korrik 2026
 
 
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

DEKLARATË E UGSHPD: Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës solidarizohet me redaksinë e emisionit investigativ “Report” dhe gazetarin italian Sigfrido Ranucci

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës solidarizohet me redaksinë e emisionit investigativ “Report” dhe gazetarin italian Sigfrido Ranucci.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) shpreh solidaritetin e tij të plotë me redaksinë e emisionit investigativ “Report” të Rai 3 dhe gazetarin investigativ Sigfrido Ranucci, pas reagimit të tyre ndaj vendimit të RAI-t për pezullimin e transmetimit të replikave verore të programit.

UGSHPD vlerëson se vendime të tilla që prekin një redaksi investigative me një histori të gjatë pune profesionale duhet të trajtohen me kujdes të madh, duke respektuar pavarësinë editoriale dhe rolin e medias së lirë në një shoqëri demokratike.

Emisioni “Report”, prej vitesh, ka qenë një pikë referimi për gazetarinë investigative në Itali, duke trajtuar çështje të korrupsionit, krimit të organizuar, përdorimit të fondeve publike, konflikteve të interesit dhe çështjeve të tjera me rëndësi të lartë publike.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës vlerëson në mënyrë të veçantë kontributin që emisioni “Report” ka dhënë ndër vite në trajtimin e çështjeve që lidhen me Shqipërinë, shqiptarët dhe marrëdhëniet shqiptaro-italiane.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës thekson se mbështetja ndaj redaksisë së “Report” nuk është vetëm solidaritet me një program televiziv, por është mbështetje për një parim themelor të demokracisë: të drejtën e gazetarit për të hetuar dhe të drejtën e qytetarëve për të njohur të vërtetën.

Atentati me bombë ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci, drejtuesit të emisionit “Report”, përbën një nga sulmet më serioze ndaj një gazetari investigativ në Itali. Sulmi ndaj tij ishte një kërcënim ndaj lirisë së medias dhe ndaj të gjithë gazetarëve që punojnë për të nxjerrë në dritë fakte me interes publik.

UGSHPD dënon çdo formë presioni, kërcënimi apo intimidimi ndaj gazetarëve dhe vlerëson se siguria e tyre dhe pavarësia e redaksive investigative janë kushte themelore për funksionimin e demokracisë.

Përmes gazetarisë profesionale investigative, “Report” ka sjellë në vëmendjen e publikut italian dhe shqiptar tema që lidhen me transparencën institucionale, marrëdhëniet politikë–biznes, investimet strategjike, pronat, përdorimin e fondeve publike dhe çështje të tjera me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët

 

Ndër investigimet konkrete të “Report” mbi Shqipërinë renditen:

“Un italiano a Tirana” – 10 maj 2015*, gazetar: Luca Chianca – Rai 3 “Report”

 

Një nga investigimet më të rëndësishme të “Report” mbi Shqipërinë ishte reportazhi *“Un italiano a Tirana”*, i transmetuar më 10 maj 2015.

Investigimi u përqendrua te *Agon Channel*, televizioni i krijuar në Tiranë nga sipërmarrësi italian Francesco Becchetti.

“Report” analizoi investimin e madh në sektorin mediatik shqiptar, burimet financiare të projektit, aktivitetet ekonomike të lidhura me të dhe marrëdhëniet ndërmjet biznesit, medias dhe institucioneve.

Ky investigim hapi debat publik mbi transparencën e investimeve të huaja në Shqipëri dhe mbi mënyrën se si zhvillohen projekte të mëdha ekonomike në një vend në transformim.

 

“La campagna d’Albania” – prill 2024*, gazetar: Giorgio Mottola – Rai 3 “Report”

 

Një prej investigimeve më të rëndësishme të viteve të fundit ishte reportazhi *“La campagna d’Albania”*, i cili trajtoi marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e qendrave të emigrantëve në territorin shqiptar.

Në këtë investigim u analizua konkretisht projekti për ngritjen e kampeve/qendrave të pritjes dhe përpunimit të emigrantëve në *Shëngjin dhe Gjadër*.

“Report” trajtoi mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të këtyre strukturave; kostot financiare të projektit; përdorimin e fondeve publike italiane; përgjegjësitë institucionale të palës italiane dhe shqiptare; aspektet ligjore dhe praktike të transferimit të emigrantëve në territorin shqiptar; ndikimin e projektit mbi Shqipërinë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ky investigim ngriti pyetje mbi transparencën e një marrëveshjeje me rëndësi të madhe politike dhe sociale dhe solli në vëmendjen e publikut nevojën për kontroll demokratik mbi vendimmarrjet shtetërore.

 

Engjëll Agaçi, roli institucional dhe marrëveshja Itali–Shqipëri

 

Në kuadër të investigimit “La campagna d’Albania”, “Report” trajtoi figurën e *Engjëll Agaçit*, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.

Emisioni analizoi rolin e tij në procesin e marrëveshjes Itali–Shqipëri, si dhe periudhën e tij të mëparshme profesionale si avokat në Itali.

Në material u trajtuan marrëdhënie profesionale dhe kontakte të krijuara gjatë kësaj periudhe, duke ngritur pyetje mbi transparencën që duhet të shoqërojë funksionet e larta publike.

Engjëll Agaçi ka kundërshtuar interpretimet e bëra në investigim dhe ka dhënë sqarimet e tij publike lidhur me këto çështje.

 

Olsi Rama dhe çështja e Xibrakës

 

Në të njëjtin investigim, “Report” trajtoi edhe çështjen e *Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, dhe debatin publik rreth dosjes së njohur si **laboratori i Xibrakës*.

Investigimi analizoi elementë të dosjes së mëparshme hetimore dhe ngriti pyetje mbi rrethana, kontakte dhe lidhje të pretenduara me persona të hetuar në atë çështje.
UGSHPD thekson se pikërisht ky është roli i gazetarisë investigative: të bëjë pyetje, të analizojë dokumente dhe të kërkojë transparencë, ndërsa përgjegjësia përfundimtare për çdo çështje penale i takon institucioneve të drejtësisë.

 

Çështja e pronës në bregdetin e Vlorës dhe transparenca mbi pasuritë strategjike

 

Në kuadër të investigimit “La campagna d’Albania”, “Report” trajtoi edhe një çështje që lidhej me një sipërfaqe prej rreth *30 mijë metrash katrorë tokë në zonën bregdetare të Vlorës*.

Investigimi u përqendrua te dokumentacioni i pronës, aktet e dhurimit, marrëdhëniet mes personave të përfshirë dhe nevoja për transparencë mbi pasuritë me vlerë të lartë në zonat strategjike të Shqipërisë.

Kjo çështje lidhet me një debat më të gjerë në Shqipëri mbi pronat, zhvillimin e territorit, turizmin dhe kontrollin publik mbi pasuritë e rëndësishme kombëtare.

 

Krimi i organizuar shqiptar dhe rrjetet ndërkombëtare*

 

“Report” ka trajtuar gjithashtu fenomenin e krimit të organizuar ndërkombëtar, trafikut të drogës dhe rrjeteve kriminale që veprojnë mes Shqipërisë dhe Italisë.

Këto investigime kanë ndihmuar në një debat më të gjerë mbi mënyrën se si funksionojnë organizatat kriminale transnacionale, pastrimin e parave dhe nevojën për bashkëpunim të institucioneve europiane.

UGSHPD thekson se këto tema nuk kanë të bëjnë me një komunitet apo kombësi të tërë, por me individë dhe organizata kriminale që dëmtojnë shoqërinë dhe cenojnë imazhin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë me integritet në Itali dhe Europë.

UGSHPD vlerëson se kontributi i emisionit “Report” tregon rëndësinë e gazetarisë investigative në një shoqëri demokratike.

Investigimet mbi Shqipërinë kanë sjellë në vëmendje çështje që kanë prekur drejtpërdrejt interesin publik shqiptar: transparencën e pushtetit, marrëdhëniet politikë–biznes, menaxhimin e pronave, projektet strategjike dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Mbrojtja e redaksisë së “Report” është mbrojtje e një gazetarie që ka kërkuar përgjigje, ka hapur debate dhe ka kontribuar në të drejtën e qytetarëve për informacion.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës qëndron pranë Sigfrido Ranuccit, redaksisë së “Report” dhe të gjithë gazetarëve investigativë që ushtrojnë profesionin me guxim, pavarësi dhe përgjegjësi publike.

Mbrojtja e gazetarit është mbrojtje e së vërtetës.

Mbrojtja e gazetarisë investigative është mbrojtje e demokracisë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Në mbështetje të gazetarisë së lirë, profesionale dhe të pavarur

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
11.07.2016

Sot dita e 42-të e protestës masive, qytetarët të vendosur në revoltën e tyre kundër qeverisë Rama! Iu bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora

Protesta masive e qytetarëve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë sot në ditën e 42-të. Mijëra qytetarë pritet të dalin sërish në bulevardin përpara Kryeministrisë duke bërë thirrje për dorëheqje.

Atyre pritet t’ju bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët kanë treguar një mbështetje të madhe duke protestuar edhe në vendet ku jetojnë.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Në këto ditë qëndrimi në shesh, qytetarët kanë artikuluar problemet e ndryshme sociale dhe ekonomike me të cilat përballen përditë.

Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu që të veprojë edhe drejtësia, ndërsa brohorasin sloganet “Qeveri e krimit”, “Rama në burg, Berisha në burg” etj.

Qeveria Rama është përballur së fundmi edhe me një tjetër skandal pasi dha 4 milionë euro nga fondi i rezervës për koncertin e Kanye West, që mbahet sot. Protestuesit e kanë cilësuar këtë veprim si të turpshëm në një kohë kur vendi ka nevojë për fonde në fusha të ndryshme që prekin njerëzit çdo ditë.

“Edi Rama nën kritika pasi dha miliona për Kanye West!” – Gazeta holandeze: Komuniteti hebraik shqiptar dënon pjesëmarrjen e artistit! Po legjitimohet një figurë antisemite

Një artikull për koncertin e Kanye West në Tiranë dhe financimin e qeverisë prej 4 milionë eurosh ka shkruar edhe media holandeze “De Telegraaf”.


Media prestigjioze shkruan se kryeministri shqiptar është vënë nën kritika për financimin nga paratë publike, duke theksuar se këto vijnë në një kohë kur pozita e tij politike është e rënduar për shkak të protestave kundër tij.

Rama e mbron investimin duke deklaruar se koncerti do t’i japë një nxitje të konsiderueshme turizmit dhe ekonomisë. Kryeministri thotë se pret dhjetëra mijëra vizitorë të huaj dhe miliona euro të ardhura shtesë për hotelet, restorantet dhe bizneset e tjera lokale.”, thuhet në artikull.

Gazeta vë gjithashtu theksin edhe tek fakti se reperi ka shkaktuar polemika për shkak të qëndrimeve të tij antisemite. Në artikull përmendet kundërshtimi i komunitetit hebraik shqiptar, të cilët thonë se nuk po bëhet vetëm një koncert, por po legjitimohet një figurë me qëndrime antisemire.

“Megjithatë, vendimi çon në një stuhi protestash. Reagimet kritike po bien në mediat sociale, dhe komuniteti hebraik shqiptar gjithashtu dënon mbërritjen e artistit. Sipas organizatës, ky nuk është “vetëm një koncert”, por legjitimimi i një figure që ka përhapur vazhdimisht pikëpamje antisemite.”, thuhet më tej.

Artikulli i medias

Artikulli i plotë:

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po përballet me kritika të ashpra pasi qeveria e tij ndau 4 milionë euro fonde publike për një koncert të reperit kontrovers amerikan Kanye ‘Ye’ West.

Performanca do të zhvillohet këtë fundjavë pranë kryeqytetit, Tiranës. Sipas kundërshtarëve, është e papranueshme që paratë e taksapaguesve të përdoren për një artist që ka shkaktuar vazhdimisht polemika vitet e fundit me deklarata antisemite dhe lëvdata për Adolf Hitlerin.

Shqipëria është një nga vendet e pakta evropiane ku West mund të performojë ende këtë verë. Disa vende dhe organizatorë të tjerë më parë kanë anuluar koncertet për shkak të komenteve të tij kontroverse. Sipas qeverisë shqiptare, mbështetja financiare është e nevojshme për ta bërë të mundur një ngjarje për të cilën mijëra bileta ishin shitur tashmë.

Nxitje për ekonominë dhe turizmin

Rama e mbron investimin duke deklaruar se koncerti do t’i japë një nxitje të konsiderueshme turizmit dhe ekonomisë. Kryeministri thotë se pret dhjetëra mijëra vizitorë të huaj dhe miliona euro të ardhura shtesë për hotelet, restorantet dhe bizneset e tjera lokale.

Megjithatë, vendimi çon në një stuhi protestash. Reagimet kritike po bien në mediat sociale, dhe komuniteti hebraik shqiptar gjithashtu dënon mbërritjen e artistit. Sipas organizatës, ky nuk është “vetëm një koncert”, por legjitimimi i një figure që ka përhapur vazhdimisht pikëpamje antisemite.

Polemika vjen në një kohë të vështirë për Ramën, i cili ka qenë nën presion për javë të tëra për shkak të protestave kundër politikave të tij dhe akuzave se ai u jep shumë përparësi investitorëve të huaj. GSH

Protestuesit marshuan rrugëve të Tiranës: Çohuni nga kafja! Shqipëria kërkon revolucion

Pas fjalimeve para kryeministrisë, mijëra qytetarë marshuan në kryeqytet në ditën e 41-të të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës.

Qytetarët u larguan nga kryeministria për t’u drejtuar Bashkisë së Tiranës, e më tej drejt kryqëzimit të 9-katsheve.

Në ecjen e tyre ata shigjetuan parlamentin e Shqipërisë duke e quajtur në kor “analfabet”. Sakaq, bëm dhe thirrje që qytetarët t’u bashkohen në ecje.


Send this to a friend