Emisioni Investigativ Plug, publikoi këtë të mërkurë, 26 nentor 2025, faturën e abuzimeve financiare të dyshuara se janë kryer nga Ministrja e Infrastrukturës dhe vartës të saj gjatë viteve të fundit. Rreth 633 milionë euro tendera abuziv dhe korruptiv, dyshohet se janë kryer nga Belinda Balluku në afera që nisin me projekte si Tuneli i Llogarasë, Tigrat e energjisë në Vlorë, apo dhe kompanitë e drejtorëve vartësve të saj si: Evis Berberi, Ceno Klosi, Spartak Kovaçi, Maksim Et’hemaj etj. Këto janë vetëm afera të denoncuara nga emisioni Plug, ndërsa tashmë janë duke u hetuar edhe nga prokuroria e posaçme SPAK.
Pas publikimit të lajmit, se SPAK ka nisur hetimet edhe për aferat “5B” të Belinda Ballukut dhe drejtorëve të saj, emisioni Plug ka bërë një bilanc të aferave të dyshuara gjatë viteve të fundit.
Vetëm nga investigimet e bëra nga emisioni ‘Plug’, gjatë 3 viteve të fundit, dyshohet se Belinda Balluku dhe bashkëpunëtorët e saj, Ceno Klosi, Spartak Kovaçi, Maksim Et’hemaj, Paltor Mehmeti etj, kanë abuzuar rreth 633 milionë euro fonde publike, apo kanë përfituar leje e licenca për parqe fotovoltatike apo ndërtim hotelesh.
Gjatë tre javëve të fundit, emisioni ‘Plug’ ka zbërthyer të plotë aferën e tunelit të Llogarasë, duke denoncuar se të tre tenderat, ai i projektimit, ndërtimit dhe supervizimit, janë abuziv.
Të tre këto tendera kapin një vlerë totale prej 200 milionë eurosh, ndërsa shuma e dyshuar e abuzuar mendohet se është gati sa gjysma e vlerës së investimit. Për këtë aferë, Belinda Balluku dhe tre vartës të saj drejtues të ARRSH dhe KESH, tashmë janë marrë të pandehur nga SPAK.
Por jo vetëm tuneli i Llogarasë, Belinda Balluku është e përfshirë drejtpërdrejtë edhe në atë që cilësohet si një nga aferat më të rënda në sektorin e energjisë.
Bëhet fjalë për dy tigrat e prodhimit të energjisë elektrike, që shteti shqiptar i mori me qira në Bangladesh, me përfshirjen direkte të ish-ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Edhe pse TEC-et lundruese nuk prodhojnë energji për të plotësuar nevojat e vendit, kostoja e qirasë, mirëmbajtjes dhe ajo operative e tyre, pritet tu kushtojë qytetarëve shqiptarë rreth 120 milionë euro në total.
Pak ditë më parë, ‘Plug’ publikoi të dhëna sesi Ceno Klosi, nëpërmjet prestanomeve, gjatë kohës që ishte zëvendës ministër i Energjisë, ka përfituar një leje ndërtimi për park fotovoltaik në Fier.
Sezonin e kaluar, ‘Plug’ publikoi të dhëna sesi Ceno Klosi dhe kushëriri i tij, Spartak Kovaçi, ish-drejtor i Ujësjellësit të Durrësit, kanë përfituar nëpërmjet kompanive të familjarëve të tyre mbi 33 milion euro tendera publik dhe një leje ndërtimi për hotel në Durrës.
Por, para Ceno Klosit dhe çdo afere që lidhet me drejtorët e Belindës, ‘Plug’ ka investiguar njeriun që mori në qafë shefen e tij, Evis Berberin. Në mars të vitit 2024, ‘Plug’ publikoi një emision, ku tregonte sesi kreu i ARRSH, tashmë I arrestuar nga SPAK, kishte firmosur mbi 4 milionë euro tendera për kompaninë e tij dhe ortakut të tij, Valter Begaj.
Plator Mehmeti, një ish-drejtor i OSHE në Durrës, i emëruar nga Ardian Çela, vartës dhe ky i Belinda Ballukut, krijoi gjithashtu 5B-në e tij.
‘Plug’ dhjetë muaj më parë, denoncoi një skemë korruptive të Plator Mehmetit, i cili nëpërmjet dy kompanive, HTM shpk dhe REAR, përfitoi rreth 38 milionë euro tendera publik, kryesisht nga institucione në varësi të Ballukut por edhe nga bashki të drejtuar nga kryebashkiak socialistë.
‘Plug’ denoncoi muaj më parë edhe skemat 5B në fushën e paneleve fotovoltatike, apo tenderave korruptiv në fushën e energjisë.
Vartësi i Belinda Ballukut, Maksim Et’hemaj, që drejton Agjencinë e Aviacionit Civil, fitoi një licencë për park fotovoltaik nga shefja e tij, ndërsa suportin financiar e gjeti te kompania 4 AM.
Kjo e fundit, gjithashtu ka krijuar një rrjet kompanish, me të cilat ka përfituar licenca në fushën e energjisë, dhe tendera që kapin vlerën e më shumë se 150 milionë eurove.
‘Plug’ ka denoncuar edhe zëvendësdrejtoreshën e Doganave Monika Dushkun, me lidhje të forta me Belinda Ballukun, familjarët e të cilës hapën agjenci doganore duke pasur një sukses të dyshimtë.