Në 27 vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë në Kosovë dhe Serbi, në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë është hapur ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila paraqet rrëfim dhe detaje të krimeve të luftës përmes fotografive dhe dëshmive të dokumentuara.
Në këtë ekspozitë janë paraqitur, në mënyrë kronologjike, 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, duke filluar nga masakra në Likoshan-Qirez (28 shkurt 1998) e deri te masakra në Familjen Bala (12 qershor 1999).
“Nga 105 masakra, në këtë ekspozitë janë përfshirë vetëm ato për të cilat kemi pasur fotografi dhe citate të dëshmitarëve, ndërsa në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” figurojnë të gjitha masakrat”, thuhet në njoftimin e Admovere.
Ekspozita e cila do qëndroj deri më 7 prill 2026 paraqet ngjarjet në shqip dhe anglisht, ku jepen detaje të masakrave, torturave, rrëfime të mbijeturave dhe të dhëna për gjykimet e personat e dënuar.
Ndërhyrja e NATO-s synonte ndaljen e dhunës, spastrimit etnik dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.
Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 9 qershor 1999, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe forcave jugosllave.
Një ditë më pas, më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1244, duke i hapur rrugë vendosjes së një administrate ndërkombëtare në Kosovë.
Vendimi për ndërhyrje u mor nga NATO, me rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit të atëhershëm, Bill Clinton. Urdhri për ndërprerjen e bombardimeve u dha asokohe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana.
Më 12 qershor 1999, pas përfundimit të fushatës së bombardimeve, rreth 50,000 trupa nga 36 vende filluan të vendoseshin në Kosovë, me 30,000 prej tyre që vinin nga vendet e NATO-s. Misioni i tyre ishte të siguronin paqe dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët.
Ndërhyrja e NATO-s mundësoi kthimin e qindra mijëra qytetarëve të dëbuar në shtëpitë e tyre./Kallxo.com