Kriza e Kosovës nuk është e ditëve të fundit as e javëve të fundit as e muajve. Kriza e Kosovës nuk është vetëm politike, nuk është vetëm krizë institucionale, ajo është edhe krizë ekonomike, edhe krizë shpritërore, edhe krizë e marrëdhënieve të brendshme, edhe krizë e marrëdhënieve të jashtme. Është krizë e gjithanshme, e tërësishme.
Kriza e Kosovës nuk është e re, është kronike. Nuk është dosido, është krizë e thellë. Është krizë me përshkallëzime.
Kriza nuk ka filluar me gazin lotues as me vezët, as me manifestimet gjithëpopullore. Këto janë vetëm reagime, në përpjesëtime të caktuara, ndaj krizës.
Edhe para zgjedhjeve të 8 Qershorit 2014, Kosova ishte në krizë, në të gjitha këto pamje dhe pikëpamje të mësipërme.
PDK-ja bëri marifet dhe, brenda dy javësh e çoi vendin në zgjedhjet parlamentare. Pa e kryer as reformën zgjedhore të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga faktorë të brendshëm joqeveritarë. LDK-ja i pranoi zgjedhjet e faktit të kryer. Ajo llogariste në marrëveshjen e fshehtë mes dy kryetarëve. Edhe partitë e tjera u detyruan të hyjnë në zgjedhje.
I vetmi vendim që mund të merrte votuesi ishte largimi i PDK-së nga pushteti. Votuesit e LDK-së, VV-së, AAK-së, Nismës shkuan tek kutitë e votimit pikërisht me këtë qëllim, me këtë përcaktim. Abstenimi ishte i madh. E vetmja parti me rritje, madje të ndjeshme, do të ishte VV-ja. PDK-ja ishte me humbje, LDK-ja me humbje. AAK-ja po ashtu.
Një periudhë e mjaftueshme e fushatës zgjedhore do ta zvogëlonte numrin e abstenuesve dhe kjo do të ishte në favor të partive joqeveritare. Them partitë joqeveritare, sepse, kryesisht për faj të LDK-së, ato nuk kishin funksionuar si opozitë.
Kriza mori formë të dukshme kur Gjykata Kushtetuese u përdor nga PDK-ja për të mos lejuar krijimin e qeverisë së re nga koalicioni paszgjedhor VLAN, ku bënin pjesë VV, LDK, AAK dhe Nisma.
Faktori ndërkombëtar ishte në dijeni të marrëveshjes së fshehtë parazgjedhore PDK-LDK. Në këtë kontekst do parë edhe thënia e ambasadores së atëhershme amerikane ‘mos e dhitni punën’.
LDK-ja e përdori VLAN-in për të mos lejuar që ndonjëra nga partitë e tjera të bashkohej me PDK-në për të krijuar qeverinë e re. Ajo sa padiste njërën, sa tjetrën për tradhti, për marrëveshje të fshehta.
Më 19 nëntor u nënshkrua marrëveshja e arritur në pranverë. Javët dhe muaj në vazhdim u karakterizua nga largimi i dhjetëra mijë qytetarëve, kresisht të rinj e të reja shqiptare, për në Perëndim. Ky ishte manifestim kulmor i zhgënjimit. Ata ikën nga qëndrimi i Thaçit dhe PDK-së në pushtet. Dhe nga përsëdytja e koalicionit antiKosovë PDK-LDK.
Pastaj fyerja e ministrit Jabllanoviç për nënat gjakovare të martirëve, pastaj Trepça, pastaj marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, pastaj marrëveshja për Bashkësinë e Komunave Serbe, pastaj dështimi në UNESCO, pasaj dështimi në Këshillin e Evropës, plus dështimet në njohjet ndërkombëtare.
Zhvillimet e fundit, me zgjedhjen e Thaçit president, i japin krizës tiparin e grangrenës.
Komentet