VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

E vërteta Nga Diana Zhiti

By | November 4, 2017
blank

Komentet

blank

TRENDAFILAT – Poezi nga KOLË MIRDITA (HELENAU)

(Mbas Becker)

 

N’fund t’katundit tue kalue.

pash’ nji plakë e i’vashë të ré,

vasha qeshun faqekuqe,

plaka idhtë e ftyrën zbé.

 

Kishe n’dor’ dy trendafila

njeni i njom’ e tjetri i thà,

njeni lshonte er’ të kandshme,

tjetri ishte gjetht’ tue i ra.

 

Trendafilat n’prehen t’grave

s’di se pse m’u dha me i lshue,

e kur solla kryet me kqyrë,

mbeta bindë e mrekullue.

 

Deshti fati e n’prehën t’plakës

Trendafili i njom’ kish’ ra

E n’duer t’vashës faqekuqe,

Ishte trendafil i tha.

 

U ndrroi ftyra t’dyja grave,

T’dyja nisën n’vaj m’u-shkri.

“Ç’u-dridh vasha nga pleqsia!”

“Ç’qajti plaka mbi çupri!”

 

 

 

 

 

 

 

 

blank

ASAJ – Poezi nga KOLË MIRDTIA (HELENAU)

Kolë Mirdita lindi në Shkodër më 24 dhjetor 1900. Shkollë fillore dhe të mesme, në degën teknike-tregtare, e kreu në Shkodër.

I vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Gratzit ku u diplomua për drejtësi. Pastaj u emërua nëpunës në qeverinë shqiptare.

Bëri emër me krijimtarinë letrare në vitet 1920-1924. Ai shkroi poezi, prozë dhe dramën “Vdekja e Skënderbeut”.

Më 1932 u sëmur. Më 3 tetor 1936 ndërroi jetë në një sanatorium të Lombardisë.

Më 2011 Alfred Çapaliku shkroi biografinë e tij.

 

ASAJ

 

N’ty mendoj kur trandafili,

fushat zbukuron,

jone t’bukra, kur bilbili,

n’agim mallshëm kndon.

 

N’ty mendoj, kur rrezja e diellit

fusha e male gzon,

e kur shndrisin yjt e qiellit,

hana kur vezllon.

 

Lilin t’pastër Perëndia

shembull pat për ty,

yjt qi n’ qiell ferfllojn’ me mija

pat për t’bukrit sy.

 

 

blank

HARMONI – Poezi nga VEDAT KOKONA

Hëna prapa malit sonte përsëri

po ngrihet dalëngadale e madhështore:

një dritë ledhatare dyke i dhënë çdo vendi.

Natyra e përgjumur në shtrete ergjëndi

po bije dhe ne të dy të unjur në dritore,

dy shpirte, në vetmin e jetës, pran’ e pranë,

rimë e po shëkojmë yjt që an’ e mb’anë

shëndrijnë si gur diamandi pran’ e pranë.

Dy nga dy, ngadalëz, atje në thellësirë,

si ne të dy një natë, atje në fshehtësirë.

Gjithë dy nga dy, në jetë, lindin në errësirë

yjtë dhe shpirtet t’anë. Yjtë. Un’ e ti.

Dhe sonte si çdo natë, dhe sonte përsëri

ne lindëm si ata, ne lindëm pran’ e pranë,

dy frymë në hapësirë, dy zjarre, një dashuri.

Ne lindëm që të shkojmë bashkë me karvanë

të yjve që lundrojnë në detin pa kufi.

(Nga libri “Dritë dhe hije”)

 

blank

O SHPIRTI I EM – Poezi nga DHIMITËR SHUTERIQI

O shpirt i em, ja nata ra!

Nji yll si lot u-kput e ra,

ra si nji bulë argjand

në qiëllin t’and.

 

E ku shkojnë yj’t qi kputen nëpër natë

si pika lot, si bula argjand?

E ku bien yj’t qi turren nëpër natë

në qiëllin t’onë, në qiëllin t’and:

blank

MUZGJE TË FËMIJËRISË – Poezi nga AVNI MULAJ

Ashtu të kuqrremtë në kujtesë më mbetët,

Muzgje të fëmijërisë sime në vendlindje,

Me pluhurin tuaj të imët ngjyrë rozë,

Plot gjurmë dythundrakësh dhe gishtërinjsh!…

 

Me kumbullat e vjetra rreth shtëpive,

Duke gdhendur emrat tanë në lëkurët e tyre,

Miq të çerdheve, besimtarë të përrallave të gjysheve,

Për dhelpra, dragonj, kuçedra e diva!…

 

Muzgje të dashur, piktura plot pluhur të viteve,

I dhembshëm tingëllon ende në kujtesë

Zëri i plakut Niman, kur të birin e thërriste:

“O Haxhi!” matanë lumit, nga një breg…

 

Ku është vallë, ajo me të cilën luaja,

Te kuvlia jonë e fshehtë, atëherë,

Te një mullar sane që dimrit i kishte shpëtuar

Dhe tani për të më pyet çdo pranverë!

 

 

 

blank

BJESHKËT – Poezi nga AVNI MULAJ

E si mund të hesht, e si mund t’i harroj

Bjeshkët e mia, nënat e fëminisë sime!

 

Shtruar në qilima të gjelbër pa fund,

Jam endur nëpër to, gjithnjë duke u rritur,

Gjithnjë një qafë a një pllajë më tutje.

Natyrë e pafundme me udhë të pafundme!

Dhe kam ndjerë se diçka është formuar tek unë

prej fëshfërimës së barit, gjethit e halës së pishës,

prej gurgullimës së ujërave, motit të qetë dhe stuhisë,

prej vetmisë së shpellave e formës së shkëmbinjve,

prej tingullit të lahutës, zërit të rapsodit

dhe heshtjes së gurit, mbi të cilin vështrimi im

dallon duar stërgjyshërish duke i lëvizur e duke i ngritur.

…Dhe kam ndjerë se diçka është formuar tek unë,

atë diçka të madhe që quhet shqiptare

dhe që s’e shemb dot asgjë.

 

 

blank

Dy poezi nga HRISAVJI TUMBA – Përktheu PETRO MEJDI

Nga poezia bashkëkohore greke :
Χρυσαυγή Τούμπα –Hrisavji Tumba :
Κεφαλονιά –Kafallonia .
( filologe , poete , prozatore)
( Dy poezi në greqisht dhe shqip )
I
Hrisavji Tumba është një lexuese e rregullt e poezisë së poetëve nga Shqipëria , minoritarë dhe shqiptarë .Herë – herë ajo me ese të shkurtëra jep dhe gjykimet e saj për këtë poezi. Ju ftoj ta lexoni ( në shqip dhe greqisht ) krijimtarinë e kësaj poeteje , dashamirëse të letërsisë shqipe
II
Nga një cikël prej dhjetë poezish të poetes bashkëkohore greke kemi shkëputur dy prej tyre .Ky cikël është botuar në një rubrikë të poezisë , ” Στα βαθυα ” –Në të thella ” ( në thellësi ) .poezitë janë zgjedhur dhe vlerësuar nga një juri e paanëshme dhe profesionale .
Hrisavji Tumba ka vite që shkruan poezi .Poezia e saj është një poezi e shqetësimeve të kohës tonë , aty është njeriu dhe bota e tij shpirtërore , përpjekjet e tij për katharsis , për t’ u bërë më njeri .Një nga temat më të preferuara të autores është dashuria , Erosi, dhe si grua ajo ka dhënë disa perla poetike në këtë lloj poezie .Për poezitë e poetes greke nuk mjafton vetëm një lexim.Ajo është e kursyer në fjalë dhe figura , dhe kjo i ka bërë pak hermetike në vështrim të parë ,por një rilexim i tyre shpalos gjithë botën shpirtërore të poetes .Poezitë e Hrisavji Tumbës janë botuar në antologji të ndryshme si dhe në revistat letrare anembanë Greqisë .
III
PA TITULL

.
Brënda syve të tu nuk ka dritë
I braktisi dhe dielli
Nuk egzistojnë më sytë e tu
Erësirë në humbëtirë
I kotë vështrimi yt
Sikur dëgjoj thellësinë e heshtjes tënde
Asgjë nuk kërkojnë më sytë e tu
Asgjë nuk premtojnë .

.
E megjithatë ,verërat barsin
Valle të krijuara nga e erës dashuri .

.
Άτιτλο

.
Μέσα στα μάτια σου δεν υπάρχει φως
Τα εγκατέλειψε ο ήλιος
Δεν υπάρχουν τα μάτια σου
Σκοτάδια στο κενό
Μάταιη η ματιά σου
Σαν να αφουγκραζόμαι το βάθος
της σιωπής σου
Τίποτα δεν ζητούν πια τα μάτια σου
Τίποτα δεν υπόσχονται .

.
Κι όμως τα καλοκαίρια κυοφορούν
Χορούς φτιαγμένους
Από της αγάπης τον άνεμο .

NGA THELLËSITË E FRIKËS

.
Humbën yjet e verdhë
lart në qiellin gri

.
Mbrëmja kërcen nga liqeni
e ftohtë , e akullt

.
Zëra sendesh të humbura
rrotullohen në shtjella uji

.
Tej në korie dy druvarë
vrasin zitë tona

.
dhe ne mbledhim ciflat
damarë , eshtra , çdo pikë gjaku

.
dhe shohim nga thellësitë e frikës tonë
verbërisht ecim

.
drejt një hëne që po vdes
në një gjithësi indiferente dhe armiqësore .

.
–Από τα βάθη του φοβου–

.
Χάθηκαν τα κίτρινα αστέρια
πάνω από τον γκριζο ουρανό

.
Το βράδυ ξεπηδά από τη λίμνη
κρύο και παγερό

.
Φωνές απολεσθέντων πραγμάτων
στροβιλίζονται σε περιδίνηση

.
Πέρα από τους λόφους δύο ξυλοκόποι
σκοτώνουν της λύπες μας

.
Εμείς μαζεύουμε τα θραύσματα
φλέβες , κόκκαλα κάθε σταγόνα αίματος

.
και κοιτάζουμε από τα βάθη του φόβου μας
τύφλοι πορευόμαστε.

.
προς ένα ετοιμοθάνατο φεγγάρι
σ’ ένα σύμπαν αδιάφορο και εχθρικό

blank

LARG, KUSHEDI – Poezi nga VIKTOR EFTIMIU (Boboshticë Korçë, 1889 –Bukuresht , 1972) – Përktheu PETRO MEJDI

Larg …, kush e di në ç’ qytet me shi
Me tëmthat në pëllëmbë ti mendon për mua
Duke vështruar nga qielli i lagësht , i përgjumur .
.
Larg …, kush e di në ç’ qytet me shi …
.
Me ballin të mbështetur mbi gishtat e zbehtë
Në sytë e tu, e huaj , mbledh melankoli
Thyhen trishtime vjeshte në lotët e tu .
.
Si rri kështu …me ballin në gishtat e zbehtë …
.
Jashtë bie … bie shi dhe er ‘ e vjeshtes rreh
Duke kënduar trishtimin me të përhumburën melodi
Rreth meje përhapet shkretëtira , në vetmi .
.
–Departe , cine știe …–
Departe…, cine știe în ce oraș ploios
Cu tîmplele în palme vei gândind la mine ,
Privind spre cerul umed , tomnatic , somnoros .
Departe…., cine știe ân ce oraș ploios
.
Cu fruntea sprijinită pe degete pale
În ochii tăi , străini aduni melancolie
Răsfrângi tristeci de toamnă în lacrimile tale .
.
Cum stai așa…cu fruntea în degetele pale ….
.
Afară plouă ….plouă …și vintul toamnei bate
Căntând întristăarea și vagă – i melodie ,
În jurul meu s- așterne pustiu …singurătatea.
blank

VDES PËR TY – Cikël poetik nga MAZLLUM SANEJA (1945 – 2021)

 

THONË SE

Thonë se hata e madhe
po ndodh në botë

se e bukura
është e pavlerë tashmë

se koha jone
nuk është kohë arti

kohë të tjera ia behën
kohë të pista

kohë të tjera
ne të tjerë

të pamëshirë
thonë se jemi

të pandjeshëm
në mes të mijëra rrotave vdekjeprurëse

se udhën time kah jugu
ma vranë

kopeja e dinozaurëve

shtriga monstrumë bushtra
sa vijnë e shumëzohen

hiena maca të zeza
ogurzeza

se kjo kohë e pavlerë
është kohë e fundërrinave

Mjerë për ne

* * *

Diku në kthinat e metrosë
vdiq aksidentalisht Albert Camus
asgjë nuk ka ndryshuar

Ka kohë që vrau vetveten Ernest Hemingway
në rrethana të pashpjegueshme
asgjë nuk ka ndyshuar

Iku në pakthim Ali Podrimja
diku larg në fund të vetmisë
asgjë nuk ka ndyshuar

Një ditë dhe unë do ik
nga kjo botë
asgjë nuk do të ndryshojë

Vetëm vend ndërrojmë
asgjë tjetër
asgjë

SHOKËT E MI BESNIK TË FJALËS

Mihal Hanxhari Zbigniew Herberti Ali Podrimja
gjithnjë më faniten në ëndërrime
se ata nuk vdiqen

Në këndin e vetmisë sime
në netët e mia pagjumë
ka kohë që digjem duke lexuar letrat e tyre

Letra si gjethe të këputura
nga drurët e fishkur
që të therin në zemër

sepse poetët janë dhunti e perëndive
engjëj të brishtë
të gdhendur në statujë

Varshavë,
fundi i qershorit 2017

FERDONJA
– Në kujtim të motrës sime –

Lindjet
janë të afërta
me vdekjet

Motra ime
vdiq
që kur ishte fëmijë

Në fëmijëri
e quanin
Done

Sëmundje e rëndë
e goditi
sëmundje e pashërueshme

Pastaj
re e zezë pikëllimi
mbështolli shtëpinë tonë

Mbaj mend
kur nëna
pranë dritares

e thërriste

Done
mjaft luajte
kthehu
në shtëpi

Varshavë, vjeshtë 2008

SHUHRETJA
– Në kujtim të motrës sime –

Ime motër
Një engjëll syshkruar
ishte

Çdo mëngjes
kur shikoj pranë dritares
më kujtohet ime motër

Dhe
sytë e saj lutës
një rrëke lotësh në pritje

Dhe thirrjet e çjerra
kthehu o vëlla
në shtëpi

Thuamë
a nuk të merr malli
për vendlindjen

Tani në mërgim
më kot e thërras motrën time
këlthitjet e mbytura treten në errësirë

Prapa dritares
një shi me rrëshekë bie
vjeshtë është

Oh Zot
fillikat vetëm jam

Varshavë, fillimi i  nëntorit 2008

VDES PËR TY

Vdes për ty
i tha skamnori njeriut
që gjithashtu ishte skamnor

Qëndronin përballë njëri-tjetrit
me sy lutës të kryqëzuar

Ndodhi ajo që u desh
fillimi i praruar dhe fundi i tunxhit

Kam fëmijë – pëshpëriti skamnori
dhe unë kam vetëm Zotin
Këtë nuk arriti dot ta thotë

E shtynë me forcë në qeli të vdekjes
Maksimilian Kolbin
dhe krimbi e pyeti  për mëkatet
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –

O shenjtëri
të çuditshme janë viset e lindjes tënde

LUTJE

Kur në përfytyrimin tonë ndjejmë frikë
dhe mbi ne lëviz hapësira

Dritën njerëzore ruana Zot

Kur na le vullneti për jetë
madje edhe fjala duket e kotë

Dritën njerëzore ruana Zot

Kur urtësia jonë nuk jep fryte
Dhe tund drurin e përjetshëm

Dritën njerëzore ruana Zot

Kur zhgënjimi i hidhur na ndal na udhë
dhe përkulemi para gurit në fushë

Dritën njerëzore ruana Zot

OH ZOT NËPËR ÇFARË ERRËSIRE

Nëpër çfarë errësire të mendimit  kalova
Oh Zot
mbështetur për murin e lotëve
që të shoh me mund dritën

Natën në përfytyrime pashë të vërtetën
në mëngjes nuk munda të besoj

Para meje
është edhe një ditë e tërë

RUSIA

Ah Rusi – je psherëtime e Evropes

Territoret tua të gjëra të goditura për Ural
Sa shumë ajër të braktisur

Me askend nuk dëshiron
të ndash Zotin tënd

Prapa mjegulles të lumejve tu të mëdhenj
fsheh sytë mizor

Nuk mban fjalën

Vallë,  sa shumë  torturon
popullin tënd

E tillë është jeta
– thotë skllavi

Me trishtim vështron Perendimi
se si e bren shpirtin tënd

Shekujt kalojnë e kalojnë
Ti nuk di të krijosh njeriun

Projektet tua te ndryshueshme
me pasoja të paparashikueshme

Shpirti yt tani dhe gjithnjë
një shpirt i vrarë

Këlthet Vorkuta
dhe zjarri i Kaukazit

Ndaj, zgjohu Rusi
shporru nga ëndrrat e llahtarshme

Varshavë, fundi i gushtit 2008

GJËRA TË MALLKUARA TË SHKËPUTURA

Vetëm Zoti
mund të kuptojë
skëtërrën e mendimeve

Derisa unë
i dërrmuar
provova

Tani lus me ngulm
kokrrën  e rërës
fije barin
trendafilin
dhe manaferrën

për ndjesë

Varshavë, fundi i prillit 2008

AI NË FOTOGRAFI

Ai në fotografi
djaloshi gjashtëmbëdhjetë vjeç
nuk jam unë

Ai që vete rrugës me mund
nuk jam unë

Megjithatë
ai në fotografi
dhe ai në rrugë
megjithatë jam unë

Dhe ai që tani dyshon
pikërisht ai nuk jam unë

Varshavë, qershor 2008

NJERËZORJA
– Ewa Smietanskes –

Fëmija
në përqafimin
e nënës

Në stacionin e trenit
pashë
skamnorët e pastrehë
dorë më dorë të pandarë

Gjatë
acarit të ashpër
ushtarët
në llogore

Dhe refugjatët
në kampe
të shtrënguar mes vete

Pëllëmbët e duarve të infermieres
në spitalin e të sëmurëve rëndë
me sëmundje të pashërueshme

Dhe fjala jote
bukuri prekëse
Mikja ime

Se gjëja më e rëndësishme
e njeriut
është ngrohtësia
e njeriut tjetër

Varshavë, korrik 2008

METAFORA
-Në kujtim të vëllaut tim, Fadilit-

Aq thellë Ti besove
në metaforë

Mendove se pikërisht me të
është fillimi dhe fundi

Dhe ajo fshehtësi e madhe
e kohës pa kohë

Dhe shpresa
në shpjegimin përfundimtar

Dhe në fund
ajo tundi dhembjen tonë

Dhe shtrati i spitalit
e kopshti yt i buzëqeshur

Dhe të gjitha pikturat
qe i la të pambaruara
dëshmi e gjallë

Aq shkurt jetojmë

Dhe gjithnjë
në botë i lëmë
çështjet tona të pazgjidhura

Ndaj pate të drejtë
se metafora

Ajo
gjithçka hap
që mbetet e mbyllur

Madje edhe vdekjen

Varshavë, fundi i shtatorit 2006

TË USHQESH KORBAT

Pleqëri
tashmë nuk shkëlqen
me forcë gjallëruese

I kredhur në mendime
e ndjen veten të vetmuar

Dhe etja e madhe
që Dikush
t’i pëlqejë mendimet tua

Me shallin e trashë
mbulon
rininë tënde
të shkujdesur

Prapa dritares
dimër

Duhet edhe ca
të ushqesh korbat

FOTOGRAFIA E NËNËS SIME

Ka vite e vite
që vdiq
nëna

Dhe fotografinë e nënës
veshur me fustan të mëndafshtë
e ruaj në kujtesë

Në qytetin e huaj
në mes te sheshit
qëndron një grua e bukur

Ca njerëz
vijnë e shkojnë

Gratë me kapela
dhe burrat me bastune fildishi

Ajo grua e bukur si hyri
në mes të sheshit
ma kujton nënën time të bukur

Rreth e përqark pëllumbat
çukisin thërrime buke

Në fotografi
Mbrëteron
Një qetësi e thellë

Sepse askush nuk di
Dhe nuk parandjen

Se çfarë do të ndodhë
nesër

Varshavë, vere 2008

DHUNTI E MADHE

Dhunti e madhe
se ekziston
Drita natyrore

Dhe
që kemi sy

Dhe nata
e degëzuar
në shkapërderdhje

Varshavë, fundi i tetorit 2008

BORË E IMËT NË ALPE

Sot në mëngjes dëgjova përmes radios
se borë e imët po bie në Alpe

Kurrë
nuk kam qenë në Alpe

Dhe zemra
më theri

Zoti im
borë e imët po bie në Alpe

Varshavë, gusht 2008

LETËR JAN STUHLIT

Një vjeshte të vonë nëntori
në një mbrëmje letrare
në Varshavë
rastësisht u takuam
unë e ti
dhe bashkatdhetari  im
piktori Zyhdi Çakolli
që vdiq i ri
atëbotë u njohtuam
e biseduam për artin
poezinë pikturen
derisa jashtë bënte ftohtë
në mes nesh
ngrohtësi  e zjarr
një bisedë e çiltër lirike
të tillë të mbaj mend
o miku im poet
dhe një kohë kaloi
që nuk i shkruam njëri tjetrit
megjithëkëtë thonë se poetët kuptohën në heshtje
se në librin e profetëve
është një fjalë e drejtë
poeti për poetin është miku i vërtetë

sa shumë dëshirova
të të rrëfej
për golgotën shqiptare
fisin tonë emrin tonë ilir
vërtet deshirova shumçka të të them
po fjala më mbeti në fyt

Faleminderit Jan
që  thellë më kuptove
lexove thellë mërgimin tim
që more ngrykë
Zyhdiun
dhe mua

Po
gjëja më e rëndësishme e njeriut
është
ngrohtësia e njeriut tjeter

ËSHTË VËSHTIRË TË JESH NJERI I MIRË
Stefan Melakut

Dëshiroj të jem njeri i mirë
i shkroi nënës poeti Jul Sllovacki

Është vështire të jesh njeri i mirë

Mbrëmë
fshehtas hëngra mollën

Gruaja solli me vete ankesën
Dhe unë
befas ika në gjysmë të fjalës

Nuk i buzëqesha
femijës

Madje
nëpërkëmba vetveten

Dhe vërejtja e refuzuar
Braktisja
E tradhëtia

Është vështirë të jesh njeri i mirë

Varshavë, fundi i korrikut 2008

blank

PËRNDERIM PER MAZLLUM SANEJËN – Nga AGIM GJAKOVA

U nda nga jeta simboli i vuajtjeve dhe tjetërsimit, shkrimtari Mazllum Saneja. Mërgimtar mbi dyzet vjet ku ditë e natë i ndrydhur “Ndoshta nesër në dritaren time të vetmuar do të zbardhëllejë agimi.”, duke shuar mallin për vendlindjen me vargje të etura dhe përkthimin në polonisht të letërsisë shqipe. “I dashur vëlla Agim, sot ne mëngjes ta dërgova një letër paksa të gjatë, me shpresën e mirë dhe bindjen se Ti e kupton vëllaun Tënd që gjendet larg vendlindjes ne mërgim. Ta shkrova atë letër Ty, se Ti mua thellë më kupton…”
E lexoj letrën dhe përfytyroj ngashërimin se si i endet trupit dhe i xixëllojnë sytë. Dhe pasojnë me dhjeta letra malli e dhimbjeje, mundi e djerse për të përkthyer letërsinë shqipe, njëkohësisht vepra origjinale për të zbrazur gufimet e shpirtit të trazuar, “sepse mjafton një fjalë e mirë si balsam që shëron zemrën e njeriut e veçmas të mërgimtarit në dhe të huaj, Agim i dashur…”
I vetmuar, vetmitar… Mazllum Saneja përçon ndjenjën e tillë poetike, por pa u kërrusur, pa u gërmuqur, pa u dorëzuar. Poezia e tij është’ histori e dhimbshme në rrethana shoqërore, i capërluar nga travajat e prapësitë e jetës.
Mazllum Saneja ishte përçues i gamës së ndjenjave të pikëllimit, zhgënjimit, mërzisë, përlotjes, zemërimit…, por edhe të qëndresës, humanizmit, të vërtetës. të dashurisë për shokët: “Të’ dashur shokë, Ja po ju shkruaj këtë letër me dëshirat dhe përgëzimet më të mira dhe më të çiltërta për ju…”.
Mazllum Sanedja la një varg veprash origjinale në poezi. prozë analiza letrare etj., si edhe përkthime nga polonishtja në shqip, por me shumë rëndësi nga shqipja në polonisht që nxjerrë në pah në mjedisin e shoqërisë dhe gjuhës polake vlerat e bashkëkombësve të tij, duke shkrydhur gjithë’ mundin në vargjet “… me duket se në qiell ndërrohen ngjyrat e syve të mi të vetmuar”
Mazllum Saneja, poet, eseist dhe përkthyes i njohur i letërsisë polake në gjuhën shqipe dhe i letërsisë shqipe në gjuhën polake, u lind në Gjakovë, më 1945. Në Prishtinë kreu Fakultetin Filozofik, Gjuhë e Letërsi Shqipe, kurse më vonë edhe studimet pasuniversitare.
Gjuhën polake e mësoi në Universitetet e Varshavës, Vrocllavit dhe Krakovit (1978-1981). Më vonë në Universitetin e Varshavës studioi letërsinë polake.
Librin e parë me poezi “Këlthitje” e botoi në Prishtinë, 1973.
Opusi i veprave të tij është i madh.
Vepra olrigjinale:
“Këlthitje”, Rilindja, Prishtinë, 1973
“Heshtja e një kohe”, Naim Frashëri, Tiranë, 1976
“Shpuzë e ftohtë”, Rilindja, Prishtinë, 1988
“Purpurowa podróż”, Pavo, Warszawa, 1992
“Ja nie jestem ten”, Pavo, Warszawa, 1996
“Shëmbëllime të trazuara”, Rilindja, Prishtinë, 1996
“Ognista ziemia”, Czytelnik, Warszawa, 1999
“Pe ndonjë ëndërr”, Dukagjini, Pejë, 2003
“Vetetimë jete”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2007
“Letra Evës”. SAGA, Prishtinë, 2016.
“Tylko Itaka pozostanie” /”Vetëm Itaka mbetet”/, Antologji e poezisë shqipe dhe polake të shek. XX, “Latona”, Warszawa, 1993
“Fëmijët e Epokës” /Antologji e poezisë polake të shek. XX, Pavo, Warszava, 1997 (Çmimi prestigjioz i Shoqatës së Autorëve të Polonisë ZAIKS, Varshavë – 1997)
“Nie jest za pozno na milosc”(Nuk është vonë për dashuri), Antologji e poezisë shqipe në gjuhën polake, Pogranicze,Sejny (Poloni), 2005
“Rozmówki albańskie” /Bisedor Polonisht – Shqip/, Wiedza Powszechna, Warszawa, 1992
Përkthime:
Fatos Arapi: “Wiersze” / Poezi të zgjedhura /, Pogranicze, Sejny, 2006
Ali Podrimja: “Zyć” /”Të jetosh”/, Pavo, Warszawa, 1993
Ali Podrimja: “Skradziony plomien” /”Flaka e vjedhur”/, Pogranicze, Sejny, 2007
Eqrem Basha: “Wiersze” /”Poezi të zgjedhura”/, Pogranicze, Sejny – Poloni, 1999
Agim Gjakova: “Wiersze” /”Poezi të zgjedhura”/, Pogranicze, Sejny – Poloni 2008
Agim Gjakova: ”Saga o wietrze” (Saga flurore). Komograf, , Varshavë – Poloni 2013
“Mini-antologjia e poetëve shqiptarë nga Kosova”;
“Literatura na swiecie” nr.7/1989, Warszawa;
“Poezja albanska”, “Literatura” nr. 5/1990, Warszawa;
“Współczesna poezja albańska” /Panoramë antologjike e poezisë bashkëkohëse shqipe nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqipëtare/, “Borussia” nr. 15/1997, Olsztyn – Poloni, 1997;
“Ca fjalë mbi letërsinë shqipe” /studim mbi letërsinë shqipe, duke filluar që nga “Formula e pagëzimit” (1462) deri te brezi më i ri i shkrimtarëve shqiptarë/ , “Notes Wydawniczny” nr.11/1995, Varshavë;
“Tre krijues nga Kosova në “Enciklopedinë polake” /Esad Mekuli, Rexhep Qosja dhe Ali Podrimja/, “Enciklopedi e përgjithshme”, Shtëpia botuese: PWN, Warszawa,1995
Karol Wojtyła: “Bregu i qetësisë”, Drita, Ferizaj – Zagreb, 1989
Czeslaw Milosz: “Qyteti pa emer”, Poeteka, Tiranë, Shqipëri, 2009
Tadeusz Różewicz: “Rrëfime traumatike”, Rilindja, Prishinë, 1990
Wisława Szymborska: “As fund as fillim”, Dukagjini, Pejë, 1997
Ewa Lipska: “Mësohu me vdekjen”, Sfinga, Prishtinë, 2000
Ewa Lipska: “Unë”, Rozafa, PEN Qendra e Kosoves, 2006
Zbigniew Herbert: “Zoti Cogito”, Dukagjini, Pejë, 2000
Adam Zagajewski: “Të shkosh në Lvov”, Zëri, Prishtinë, 2002
Stanisław Jerzy Lec: “Mendime të pakrehura”, Rozafa, Prishtinë, 2001
blank

Edipër që presin në shteg… – Esé nga REX KASUMAJ

Korrik 2021, Berlin

1.
S’kam qenë ndonjëherë idhujtar. As i Personit krijues, e as i Personit politik.

E pra, nuk jam as i Kurtit, anise e çmoj shumë si emblemë të epokës dhe titullar të shpresës.

Mbinjeriun e gjejmë vetëm tek Zarathustra, kurse emanacioni i tij në jetën reale ka përfunduar shpesh në tragjedi…

2.
Ndërkaq, ana tjetër e medaljes shpjegon vetë për gjithçka.

Deri në mërzi.

E pra, squllosjen etike, ultësinë, dëshirimin e fshehtë negativ, madje urrejtjen e vetë shtetit të pafaj pse në krye të guvernës gjendet rivali politik dhe, njëkohësisht, ëndrrën e ligë që ai të disfatohet në përballje me gjaksin e shqiptarëve, vetëm që Opozitari, i rrëzuar nga Koha dhe Bëmat e veta, të gëzojë e lumnohet – nuk do t’i kuptoj kurrë.

Asnjëherë në jetë.

Janë fanar mashtrues i bregut që quhet shtet dhe miljeut që quhet demokraci.

Kudo në Europë. Atje ku betohemi me afsh e poterë të hyjmë.

3.
I pyetur për H. Kohl, kundërshtari politik e kancelari pararendës, H. Schmidt do të thoshte: qysh herët e mendoja politikan të vogël provincial, por në aktin e bashkimit gjerman ai dëshmoi madhështinë historike!

Po përse nuk mësojnë shqiptarët këtë kulturë?!

Konica, rebel e sfidant si askush, thoshte m’një rast: në Shqipëri Zogu është kundërshtari im, kurse në botë ai është mbreti im.

Por thirrjen e tij e shurdhuan motet.

Pastaj, nga vitet e largët 60-të, kujtojmë dhe një shenjë, një kulturë e ndjesi të ngjashme që i troket kohës sonë.

Mbahej aherë moti një demonstratë e veçantë e shumëthënëse. Një shkollë e vërtetë e edukatës kombëtare.

Ku? Në Uashington. E kush demonstronte?

Ishte një demonstratë paralele e dy mërgatave: shqiptare dhe greke. Të dyja palët tundnin parulla kundër Shqipërisë, më saktë kundër diktaturës komuniste. Grekët, që t’a kompromitonin për interesa të tyre, kurse shqiptarët, për të kërkuar në atdhe botën e lirë.

Por në çastin e parë që shqiptarët do t’vërenin grupin tjetër matanë sheshit, harruan misionin e tyre dhe iu sulën grekëve.

Ç’do thotë kjo? Kjo thotë më shumë se gjithë lektyrat: atdheu qëndron mbi partitë, sistemet dhe ideologjitë!

4.
Studio. Njëra prej tyre në Prishtinë. Analistë shterrakë kuvendonin një natë me gjuhë të drunjtë e zhurmërisht.

Tema ishte aktuale: Premieri në Bruksel.

Gati të gjithë, ose ata me teza dhe mëri të parashkruar mercenareske, flisnin për motivet e paraqitjes së Kurtit dhe asnjë fjalë të vetme për rreshtimin e tij.

Më saktë: pa mundur të mohojnë prezantimin inteligjent e atdhetar, ndalonin tek sfondi taktik i tij.

Dhe jo taktikë bisedimore me serbin Vuçiq, por taktikë që, si thoshin, i referohej zgjedhjeve vendore në Kosovë. Madje, sipas tyre, dhe Vuçiq kishte po atë agjendë në fokus: zgjedhjet serbe të pranverës që vjen.

Nga diskursi i tyre rrjedhonte se ata, të dy, do t’kishin qenë më të maturuar sikur t’mos i priste kjo matje e besueshmërisë politike!

Por pranvera nuk do vonojë.

Dhe, ndaj, lutemi për fitoren serbit Vuçiq. Sepse, duke lënë pas provën zgjedhore, ai do të mirëkuptojë të drejtën shqiptare. Ashtu si përballësi i rreptë Kurti, që, poashtu, pa gurin elektoral mbi qafë, do ecën drejt pikës afrimore…

Errësira intelektuale dhe merkantilizmi politik s’kanë emër tjetër! Dhe s’patën kurrë ndonjëherë.

5.
Ç’ti thuash këtij mjerimi: të paraqitej flashkët – e priste damka e zezë e trathtarit, kurse paraqitjen burrërore – e priti smira dhe, ndaj, truku i stisur i motivit zgjedhor!

Nuk e dija se kaq shumë të lidhur: patogjenisht me pushtetin dhe edipërisht me shtetin, qenkëshin oligarkët e përmbysur.

Veçse kjo gjëmë, siç shihet, më shumë se për armikun (se kështu e ndjejnë atë), flet për ata vetë. E tillë, ajo bën përfundimisht arsyeshmërinë e lartë dhe provën kurorë që përligj humbjen e tyre!

6.
Serbët janë të vështirë në tavolinë bisedimesh. Kanë traditë mendimi shtetëror dhe dinakëri race.

E kështu, hazjajini i serbëve, para se të niset, ngarkon mbi supe teori e doktrina të qëmoçme njëj studimi të përimtuar të tokës, resurseve, gjeopolitikës, njerëzve dhe psikologjisë etnike shqiptare.

Kurse, ndërkohë që dy Akademitë shqiptare vijojnë mrizin e kotnisë, kryepari i dërgatës së Kosovës merr udhë në mëshirën e vetmisë.

Lirinë e ruajnë armët, pohonte Machiavelli, dijetari klasik i politikës. Por ato, edhepse aleate gjithësesi, janë të huaja. Pjesë e tyre, fjala vjen, është dhe formacioni francez që ndodhet i stacionuar aty për t’i garantuar, hapur e fshehtë, Veriun Serbisë, e jo Kosovës tërësinë e tokës së vet.

Mirëpo Nicolo që pohonte kështu, shkruan diku edhe për Republikën e fatit. Domethënë të fatit historik, siç është dhe Republika e re e Arbërit.

Ndaj serbët, pra, ose duan dialog sipas masës së tyre, ose ndërprerjen e tij për faj të shqiptarëve. Në rastin e dytë, të naltorganizuar siç janë, ruajnë t’rezervuar dhe “planin B”, ciklin e ri të rrëmujës: inskenim i një masakre ndaj serbëve të veriut, rebelimi, vetëmbyllja nga pjesa e Kosovës poshtë Ibrit…Dhe pastaj: deklarimi i shkëputjes apo prerja e territorit nga një ndërhyrje e shpejtë e ushtrisë serbe!

Kosova, tutje, nuk i ka as armët dhe as miratimin e heshtur të botës për një version vendor të “Stuhisë kroate”. Skenari gazmon Rusinë, por tmerron Europën dhe, për t’a shmangur, çështja kthehet sërish në Kosovë: në tagrin që ajo duhet t’i paguaj politikës së madhe, përtej fuqisë reale për rezistencë!

Në mbyllje fare, nuk gjej dot urti më të mirë se kjo popullore: një trimëri i do njëqind mjeshtëri!

R. K.

blank

Më 30 prill 1946 lindi shkrimtari e publicisti Skënder Temali

 

Skënder Temali është lindur në Shkodër më 30 korrik 1946. Këtu kreu Universitetin “Luigj Gurakuqi”.

Për 15 vjet punoi redaktor në shtypin e Radion e Shkodrës, revistën “10 Korriku” dhe për një çerek shekulli mësues i letërsisë dhe drejtues në shkollat e mesme.

Përfshihet në enciklopedi e përmbledhje të ndryshme letrare. Krijime të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në vitin 2018 doli vëllimi i tij me tregime në gjuhën malazeze “Këtë dimër nuk ra dëborë”, botim i “Centar za očuvanje i razvoj kulture manjina Crne Gore”.

Si publicist e shkrimtar nderohet me çmime lokale e kombëtare. Në vitin 2001, me tregimin “Këpucët e turpit” në gjuhën italiane, merr çmimin special të jurisë në Konkursin e 7-të Ndërkombëtar të Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve “Cristalide” të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga shumë shtete të botës. Në vitin 2015 me poemën “Unë, Ballkani dhe Europa”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në manifestimin mbarëkombëtar “Drini poetik” i akordoi çmimin “Adem Demaçi”. Pen Klubi i Malit të Zi e ka nderuar me mirënjohen e tij.

Në vitet 2013-2017 themeloi dhe kryesoi Shoqatën e Shkrimtarëve të Shkodrës, duke përmbledhur e redaktuar tri antologji voluminoze “Pena e Shkodrës” me krijime të anëtarëve. Udhëhoqi mjaft promovime librash dhe qe bashkëpunues në veprimtari të përbashkëta me organizata homologe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni.

Që nga viti 1971 botoi 20 vëllime më vete në poezi e prozë. Ka të përfunduar në dorëshkrim romanin “Hotel Univers”, vëllimet me poezi “Vajza që nuk putha” dhe me tregime “Ngjarje në plazhin nudo”, përmbledhjen me novela “Studentja nga Shkodra” si dhe monodramën “Vijmë në këtë botë për t’u gënjyer”.

Skënder Temali u nda nga jeta më 18 prill 2021

Botime të autorit:

  • Këngë cigane, – libër me vjersha dhe poema, viti 1971
  • Kjo ndodhi në Lis – roman, viti 1982
  • Ballo në mbrëmjen e maturës, – tregime e novela, viti 2001
  • Ishte një lajthishte – poemë për fëmijë, viti 2002
  • Gjuha shqipe – tekst me bashkëautore Mimoza Gjokutaj, viti 2002
  • Këpucët e turpit – tregime, viti 2002
  • Nesër do të them mirëmëngjes – novelë, viti 2003
  • Studentja e Bolonjës – novelë, viti 2004
  • Shtëpia pa pasqyra – tregime, viti 2006
  • “Askushi” – roman, botuar në gjuhën shqipe në Maqedoni, viti 2006
  • Tre shokët – vjersha e poema për fëmijë, viti 2007
  • Lirika të hershme dhe te vona – poezi, viti 2010
  • Kur vuaj, shkruaj – poezi, viti 2012
  • Curriculum Vitae – poezi, viti 2013
  • Stina e divorceve – novelë, viti 2014
  • Të pathënat, poezi, viti 2016
  • Metamorfoza e inxhinier Brunos – tregime të zgjedhura, viti 2016
  • Një det pa dallgë s’është det, – aforizma dhe sentenca, viti 2017
  • Këtë dimër nuk ra dëborë-tregime në gjuhën malazeze, Pogoricë, 2018.
  • Vajza që nuk putha – Poezi, 2019

Send this to a friend