VOAL

VOAL

“E shkuam dheun me sitë”- Shalli dhe plumbi që u mori jetën, ekspozohen sendet personale të Genc Lekës e Vilson Blloshmit

July 15, 2022

Komentet

BE kritike për marrëveshjen e paqes për Ukrainën, Kallas: Nuk do ta njohim Krimenë si pjesë e Rusisë

BE-ja ka riafirmuar refuzimin e saj për të njohur sovranitetin e Rusisë mbi Krimenë, tha shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas.

Zyrtarët në Bruksel thuhet se janë të shqetësuar se një marrëveshje e mundshme paqeje e negociuar nga Uashingtoni dhe Moska për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë do të përfshinte njohjen e Krimesë nga SHBA-të si pjesë të Rusisë.

Duke folur për Financial Times të enjten, Kallas, përfaqësuesja e lartë i BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, pohoi se “Krimea është Ukrainë”, duke shtuar se “asnjë vend i BE-së nuk do ta pranonte njohjen e Krimesë si Rusi”.

Ndërkohë, sugjerimi i Trump se heqja e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje paqeje ka alarmuar gjithashtu zyrtarët e BE-së, të cilët kanë frikë se kjo mund të shkaktojë përçarje brenda bllokut mbi ruajtjen e regjimit të vet të sanksioneve, sipas FT. Kallas i ka paralajmëruar shtetet e BE-së kundër ndjekjes së një ndryshimi të politikës amerikane ndaj Moskës. bw

SPAK sërish jo fair-play – Nga GENC BURIMI

Nëse do që të të respektojnë, fillo një herë të jesh vetë i respektueshëm.” Kjo shprehje e autorit të famshëm cinik anglez të shekullit të 19-të, Somerset Maugham, do t’i shkonte si një dorezë elegante kupolës së organit të akuzës në Shqipëri, SPAK.

9 vjet pas krijimit të tij, me tre zgjedhje madhore në bagazhe, 2017, 2021 dhe 2023 dhe pasi theu një rekord të parë duke syrgjynosur për krim zgjedhor një kandidat të Opozitës (Belerin), SPAK nënshkroi këtë të dielë rekordin e tij të dytë të denjë për The Guinness Book of Records. Opozita, dhe sërish ajo, dhe ekskluzivisht ajo, dyshohet për një krim të ri elektoral, atë të financimit ilegal politik për një kontratë lobingu në SHBA.

Në pikën e dimrit, SPAK ndoshta i mbarsur më në fund me provat që botohen në raportet periodike të OSBE/ODIHR për manipulim “industrial” të zgjedhjeve në Shqipëri nga Partia – Shtet, polli një platformë dhe një task-forcë kundra krimit elektoral në Shqipëri, një premierë që nga rënia e diktaturës komuniste. Ishte muaji janar, 5 muaj para zgjedhjeve të 11 majit. Dhe më pas asgjë. Një gjumë i gjatë letargjik siç u ka hije gjitarëve dembelë. Aq i thellë ishte ai gjumë “spak-ian”, sa asgjë, as dhe skandali më skandaloz elektoral nuk duket se do t’i lëvizte një qime balozit të drejtësisë shqiptare. As grumbullimi me forcë nga Partia – Shtet i 6 mijë punonjësve bashkiakë në sheshin kryesor të Kryeqytetit për fushatë të saj, as grumbullimet me forcë të nxënësve dhe mësuesve të tyre në mitingje elektorale nga lideri i Partisë-Shtet, as shumat marramendëse të hedhura nga Shteti për mitingjet e Partisë në pushtet në diasporë, as agjendat surrealiste të ministrave dhe Kryeministrit ku gjithë aktiviteti është për Partinë dhe asgjë më për Shtetin, dhe, qershia mbi tortë, as busti i buf-it simbol i talljes së kryetarit të Opozitës nga zyra e Shtetit prej shefit të Partisë – Shtet, as fjalori i flaktë anti-opozitë i regjistruar çdo ditë Sy m’sy nga po kjo zyrë që paguhet nga taksat e të gjithë shqiptarëve, të gjitha këto krime elektorale nuk përbënin indicie e jo më alarme për ta zgjuar nga gjumi letargjik mamuthin e drejtësisë shqiptare se e njëjta farcë elektorale po luhet në Shqipëri edhe në 2025, ashtu si në zgjedhjet e kaluara.

Dhe në momentin kur vetëm dy javë para zgjedhjeve, kur e kishim humbur çdo shpresë se SPAK do të zgjohej nga gërrhitja që e nisi në janar me krijimin e Task “farcës” kundra krimit elektoral, papritur, këtë të dielë, tym i bardhë doli mbi selinë e SPAK-ut. Aleluia? SPAK u zgjua? Ditën e Zotit bile kur të gjithë pushojnë? SPAK që flinte prej vitesh përballë krimit elektoral, vendosi të buçiste me të gjithë forcën e mushkërive që i mbush me rrogat e majme që i jep shqiptari me djersën e tij, se Drejtësia e kapi me qerre fajtorin e krimit të llahtarshëm elektoral. Më në fund u gjend fajtori! Partia – Shtet pra?

Të ishte ashtu, do të kish qenë shumë kollaj për SPAK-un që i ka për ëndje misione më të komplikuara dhe të rafinuara se ato që bëjnë mu. Fajtori për manipulimin e zgjedhjeve është… është… Partia jo në Pushtet. Ekzakt! Si s’na shkoi mendja që më parë, për më tepër që e kishim përvojën e duhur me Fredi Belerin. Hajdut zgjedhjesh një herë, hajdut zgjedhjesh përherë. Konkluzioni rrjedh vetvetiu: Lavdi kësaj drejtësie heroike që ndonëse na mbajti në tension për muaj të tërë, arriti, siç i ka hije çdo shqiponje syshtizë të kapë buf-in kodosh dhe hajdut që po i vidhte mandatet të Lavdishmes Partisë – Shtet. Se ku shkuan qindra milionat dollarë të shqiptarëve që avulluan në ajër mbi oxhakët fantazmë të incineratorëve, apo mbi det në portin e Durrësit, apo në tokë në rrugët me asfalt edhe më të shtrenjta se rrugët nënujore të internetit dhe a mund të ketë shkuar kjo pasuri në blerje votash, kjo është pyetje për fillestarët, për nxënësit e shkollës së Magjistraturës.

James Bond-at e SPAK-ut preferojnë dosje më serioze që vijnë erë mish buf-i. Ku i gjetën përtej Atlantikut milionat për Bufin, kjo është çështja dhe jo ku avulluan qindra milionat e shqiptarëve brenda Shqipërisë.

Të lusim Zotin se me këtë anketim global deri në Amerikën e largët, James Dumani ndoshta kap në rrjetën e tij investiguese edhe shumat që Partia – Shtet i dha natën në një parking supermarkete përtej Atlantikut Mac Gonigal-it të famshëm, dhe ndoshta edhe më më shumë fat, SPAK kap në rrjetën e tij investiguese dhe ndonjë pus nafte që kjo Parti – Shtet i bëri dhuratë në Shqipëri po këtij ish–kuadroje të lartë të FBI-së që shqetësohej për pensionin e vogël që do të kishte në Amerikë. Ah kjo çështje e pensionit që mbetet preokupimi numër një dhe i kupolës së SPAK-ut. Për pak muaj, nëse Partia – Shtet nuk është më në Pushtet, “goodbye” rroga 7 mijë dollarëshe që i pritet shefit të SPAK-ut si me pre, sapo t’i mbarojë mandati kushtetues që e rikthen të varfërin kryeprokuror tek rroga bazë e prokurorit në bazë. Mbase ishte ky ankth ekzistencial personal që e bëri Dumanin të ngrihet nga krevati ditë diele si Terminatori për të “terminuar” punën e nisur me Mac Gonigal nga Partia Shtet për asgjësimin e Partisë jo në Pushtet? Verdikti, pas dy javësh…

IDC-CDI publikon foto nga prezenca në fushatën e PD- Mbështetje për opozitën dhe kryetarin Berisha

Qendra Ndërkombëtare Për Demokraci, IDC- CDI  kanë publikuar në faqen e tyre në facebook foto ku tregohet prezenca e delegatëvë të kësaj organizate të fuqishme në fushatën elektorale të opozitës në Shqipëri.

Mbështetje për anëtarin tonë Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe kryetarin e saj Berisha për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe për një proces demokratik elektoral.

Image

Miqtë e PD që mbajtën edhe fjalime në prezantimin e kandidatëve të opozitës në Kavajë kanë publikuar foto dhe video nga takimet e zhvilluara.

Ndërkohë këtë postim e ka publikuar në faqen e tij në facebook edhe lideri i opozitës Sali Berisha. bw

Fëmijëve u premtuam lirinë Poemë nga Elida Buçpapaj

shokëve të armëve të lirisë
që sot heshtin
dhe e qajnë heshtjen
me vajet
e kujet e shpirtit
që ulëret
e u kërkon
të dalin
nga kulla e ngujimit
kryqëzuar
nga dyshimi
për farën
shqiptare
udhëtare
e përhershme
në kërkimin e vetes
larg klishesë
marionetë të
të diktatit

shokëve të armëve të lirisë
që sot nuk e njohin veten
kur merrnim me sy rrezikun
sepse po ndërtonin
qytetin e lirisë
për fëmijët e posalindur
të cilëve
u kishim mësuar
si fjalët
bukë
nënë
baba
emrat
e liderëve

marrëzi e madhe
kjo jona
sepse liria
na kthehej në delir
dhe besonim tek lideri

ashtu si fëmijët
tanë na besonin ne

sot fëmijët na shohin me dyshim
sepse dolëm që i rrejtëm
i rrejtëm fëmijët tanë
si na rrejti lideri
duke ricikluar shëmtimin
e fytyrave të censorëve
që i çrrënjos liria
si kusht sine qua non

shokëve të armëve të lirisë
si bekim i Zotit
që deri më sot
po e mbajnë përbrënda
zemrimin e tyre
sepse ia kanë tutën
zemrimit të tyre
dhe marrin ikën
sepse kanë frikë
nga vetja e tyre
se do t’i tradhëtojë
sepse e vërteta
është konstelacion
që i shkojmë prapa
pa kthim

shokëve të armëve të lirisë
me të cilët
përshkruam
me mijra kilometra vuajtje
me shpresë se arritëm
finishin e kepit të së mirës
ku e mira
nuk përjashton
as edhe një fije bari
dhe
krijon mrekullinë
çudibërese
prej barit
të dashurisë

por xhuxhët
i kanë uzurpuar
hapësirat e lirisë
xhuxhët as për cirk nuk bëjnë
të kallin krupën
prej jargëve
të makutërisë
mesjetare

xhuxhët
presin
vetëm t’i futësh
në parkun e zoopolitikës
e popullit
t’i thuash si fëmijëve
kujdes sa më larg gogolëve
që i ndajnë shqiptarët
në parcela e pako
të zoolandit të tyre
kur ata
në tregun e vjetërsirave
nuk do të kushtonin
asnjë cent

shokëve të lirisë të bekuar
me të cilët kalojmë
si në film
vitet e jetës rebeluar
prej padrejtësisë
që besuam
se e shporrëm nga vendi
që t’i prehnim
në paqe viktimat
e diktaturës

por ata që meritojnë të shahen
me të gjithë laryshinë
e zhargonit
pa patur kujdes
se ke prishur gjuhën
desh na kthyen në viktima
të tranzicionit
sepse na ngopën me lugën bosh

por ne tani jemi më të uritur
se kurrë
për të arritur
në destinacionin
prej nga ku u nisëm
kur fëmijët sapo i kishim lindur
apo prisnin që t’i lindim

 

kur liria na kishte armatosur
deri në grykë
me jetën e shpresës
ndërsa tani
zoopolitika
i ka kthyer njerëzit
në copa letrash
letra
të kuqe, blu, rozë,
blu të irnosur
blu mavi
në copa letrash
që rrasen
në kuti votimi
legenësh plastikë
që pastaj xhuxhët
i trafikojnë si të jenë
tregëtarë skllevërish
e ne pré e gjahut të tyre
primitiv
dhe vulgar

shokëve të lirisë të çliruar
nga labirintet e frikës
ne që besuam se
do ta bënim botën e bukur
prej dashurisë
me të cilën i sollëm
fëmijët tanë në këtë jetë
që bashkë me qumështin e gjirit
u mësuam alfabetin e lirisë

shokëve të lirisë
me të cilët përmbysëm diktaturën
jo si filxhanin e kafesë
kur projektimin e të ardhmes
e vendosin fallxhoret
dhe konfiguracionet
e absurditetit
të zoopolitikës…

ne jemi vetë projektuesit
e fatit tonë
fati jonë nuk mund të griset
ashtu si grisen ato letrat e kuqe,
blu,
rozë,
blu e irnosur,
blu në mavi
një ditë pasi janë hedhur
nëpër kutitë
e legenëve plastikë…

sepse rruga e lirisë
na mban gjithnjë bashkë
qofshim kudo qofshim
megjithë rrugëtimin
prej eksodusit
nga njëri kontinent tek tjetri
kemi përshkruar me mijëra
kilometra jete
por jemi prapë këtu
kthehemi
tek fillimi jonë
sepse rruga e lirisë
na bën
të marrim frymë
me një mushkëri
pa marrë parasysh
distancat
që tani i ka fshirë
revolucioni
informatik
që i kall frikën
zoopolitikës
pa i marrë parasysh
zigzaget e jetës

por vjen një kohë
kur zoopolitika
ka destinacion të kthehet
në zoopark
ndërsa destinacioni ynë
është atje
kur u nisëm
në kërkim të lirisë
kur fëmijët sapo i kishim lindur
apo prisnin që t’i lindim
të cilëve që në barkun e nënës
që kur i ngjiznim
u premtonim
jetën në liri
si dhuratën më të bukur
të Zotit

dhe ne do t’i çojmë fëmijët tanë
në Tokën e Premtuar
të lirisë
me ne është Zoti
dhe Zoti është i pakorruptushëm !

 

(Marrë nga libri i autores Anticirkland Onufri, 2014)

Përkujtimi i kryengritjes- Boçi: Postriba ka qenë e mbetet zemra e simboli madhështor i antikomunizmit. Postriba mbetet gjaku ynë që nuk falet!

Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës, Luçiano Boçi, ka qenë i pranishëm, sot, në ditën përkujtimore të masakrës komuniste në Postribë.

Gjatë fjalës së tij Boçi ka thënë se përmasa e kësaj kryengritje në çdo përvjetor të saj shfaqet gjithmonë e më e madhe, ndërsa reflektimi për mesazhet që ajo mbolli e shpërndau behet gjithnjë e më shumë aktuale, duke paralelizuar kështu autokracinë që ka kapluar Shqipërinë dhe Shkodrën veçanërisht e cila u vu nën pushtetin e bandave përmes Benet Becit.

Fjala e Plotë e Luçiano Boçi:

Të dashur banorë të Postribës.

Kjo treve  këtu,  treva juaj  është një nga pikat kryesore të historisë sonë e të krenarisë sonë.

Emri i Postribës, u flet njëherazi të gjithë shkodranëve, të gjithë malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve me  aktin e saj kryengritës dhe pathyeshmërinë e saj.

Këtu, më shumë se kudo tjetër, në këtë vend të mbushur me qëndresë e rezistencë Historia ka qenë tragjike.

Ka qenë tragjike por dhe heroike, sepse heroizmi mbetet bashkudhëtari i pandarë i kësaj krahine.

Burrat e kësaj  të drejtuar nga Jup Kazazi e Osman Haxhia, nuk preferuan largimin nga atdheu por përballjen me të keqen, nuk pranuan përuljen, por kryengritjen, nuk pranuan robërinë sllavo-komuniste e dhanë gjithçka dhe jetën në emër të lirisë.

Prandaj Postriba ka qenë e mbetet zemra dhe simboli madhështor i antikomunizmit, i luftës për liri e dinjitet dhe i luftës për demokraci.

Nëse sot jemi mbledhur në këtë vend simbolik, kjo është për t’i bërë homazhe jo vetëm atyre burrave që me kurajë e vetëmohim u ngritën kundër instalimit të komunizmit, por për t’i bërë homazhe të gjithë Shqipërisë dhe luftës që shqiptarët kane bërë kundër diktaturës.

Komunizmi që sa vuri këmbë në këtë vend u dëshmua se kërkonte të ndërtonte murana gjaku mbi këtë tokë dhe frymë të shuara nën dhe, me pushkatime, burgosje e internime.

Më mirë se kushdo këtë e kuptuan atdhetarët, patriotët e intelektualët e Shkodrës, e krahinave të tjera, të cilët bënë gjithçka mundën që të shpëtonin vendin nga kjo murtajë.

Ata nuk kursyen asgjë dhe u martirizuan me ëndrrën e dëshirën për një Shqipëri të lirë.

Kryengritja e Postribës është më shumë se një ngjarje historike. Ajo është një simbol i rezistencës, i rezistencës për dinjitet e liri, për komb e fe, për familje dhe atdhe.

Ajo na kujton se çdo njeri ka të drejtën të kërkojë lirinë e tij dhe të luftojë për të drejtat e tij.

Permasa e kësaj kryengritje në cdo përvjetor të saj shfaqet gjithmonë e më e madhe, ndërsa reflektimi për mesazhet që ajo mbolli e shpërndau behet gjithnjë e më shumë aktual.

Ajo qartazi na mëson se historia është ndërtuar nga ata që nuk pranojnë të heshtin përballë padrejtësive dhe se ajo është në anën e guximtarëve.

Ndërsa shpirtrat e atyre burrave qe u sakrifikuan për ideale, ngjajnë sikur janë këtu midis nesh dhe na nxisin me kujën e tyre që ne të ngrihemi.

Të ngrihemi për ti dhenë fund një regjimi i cili në mos quhet sot komunist është po aq i zi sa dhe komunizmi.

Për t’i dhënë fund një sistemi që shtyp e përndjek e burgos politikisht kundërshtarët e tij.

Për t’i dhënë fund një qeverisje antiqytetare që bën gjenocid ndaj shqiptarëve e që vret e pushkaton të ardhmen e ëndrrat e fëmijëve e familjeve tona.

Lavdia e kësaj kryengritje do jetë e plotë, vetëm atëherë kur ne ecim në rrugën që këta heronj hapën me martirizimin e tyre.

Sepse, duke marrë pak përcaktimin e Mekulit për Kosovën, “Postriba mbetet gjaku ynë që nuk falet”sn

IMAM ISA HOXHA,VAZHDIM I IDEALEVE TË RILINDJES KOMBËTARE – Nga Idriz LAMAJ

 

 

Imam Isa Hoxha zënë një vend të nderuar në komunitetin shqiptaro-amerikan. Për afër katër dekada i sherben me dedikim këtij komuniteti. Për këtë vlerësohet si udhëheqës shpirtëror musliman shqiptar i cili gjatë dy përiudhave historike, luftës antikomuniste dhe demokracisë, ka dhënë ndihmes të shquar në mbrojtjen e virtyteve më të larta të kauzës fetare e kombëtare. Ka kohë që, tani ky burr i moshës së thyer, cilësohet nga studiuesit si përsonalitet klasik që fenë e atdheun i ka të mishëruara në një të pandar ashtu siç i kishin rilindasit tonë.

Në veprimtarinë e tij të gjithanëshme dallohet edhe veprimtaria e Qendres Islame Shqiptraro-Amerikane për New York dhe New Jersey. Angazhimi i tij për mbarëvajtjen e kësaj qendre dhe të xhamive të tjera të ndërtuara në këto dy shtete, interesimi për botimin e revistës “Përpjekja Jonë” qe përmbanë 22 vëllime, ku figurojnë qindra shkrime  të tij të fushave të ndryshme, dhe pjesëmarrja aktive në zhvillimet më të rëndësishme te komunitetit, tregojnë edhe një herë karakterin e tij të hekurtë ndaj misionit të tij të shenjët, qe pak shqiptarr të diasporës e kurorëzuan më me sukses se ai.

Fjala e zjarrët e Imam Isa Hoxhës në përkujtimet e festave fetare e kombëtare ose te rasteve të tjera të veçanta, pasqyrohet si më së mirit në faqet e shtypit shqiptar si në diasporë ashtu edhe në atdheun e tij etnik. Lutjet e tij drejtuar Zotit dhe Kombit gjatë tre dekadave përbëjnë një kapitull të historisë të mërgatës tonë e cila ende nuk është shuar.

Këtu sjellim një përmbledhje të këtyre lutjeve të viteve të fundit: Fjalim e lutje me rastin festes të Flamurit, 28 Nëntor 1995“Le të falenderojmë Perendinë qe na bëri të mundur për të kremtuar serish të lirë, pas gjysëm shekullit vuajtjeje, shtypje, tmerri e gjaku të regjimit komunist në Shqipëri”.

Fjala dhe lutja e këtij rasti lidhet menjëherë me Shqipërinë etnike:

“Le të gëzojmë lirinë që u takon, të bashkuar në trojet e tyre, si çdo popull i lirë në botë  për një Shqipëri etnike me Kosovë e Çameri…” (Ilyria, 30 Nëntor, 1995).

Në përkujtimin e 85 Vjtorit të Kryengritjes të Malsisë Madhe, ku moren pjesë përsonalitete të larta te kulturës tonë Kombëtare, Imam Isa Hoxha si përfasqësues i komunitetit musliman shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadas thotë ndër të tjera:

“Historia e jonë ka qenë e një kombi plotë vuajtje dhe luftë për të drejtat e tij legjitime”. Duke u lutur për lirimin e popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera të pushtuara nga shtetet sllave dhe Greqia, Imami thotë se “…ajo që ka filluar Skenderbeu luftën dhe epopenë më të gjatë, e ka përfunduar Dedë Gjo Luli. Asnjë popull në Europë nuk ka pasur epope mlë të gjallë që asnjë herë nuk e ndërpreu luftën për 500 vjet. Populli shqiptar kurrë nuk ka qenë në robëri, por gjithmon ka qenë i lirë sepse kurrë nuk i është nënshtruar të huajit…”(Ilyria, cituar më lartë).

 

Ndërkaq, me rastin  e inagurimit të Kishës Katolike në Hardale – NY, në prani të mëse 1000 shqiptarëve, ku merrnin pjesë përsonalitete të ndryshme fetare e politike, Imam Isa Hoxha thotë se ishte i nderuar për ftesën që i ishte bërë “për të marrë pjesë në gëzimin e të gjithë shqiptarëve, pa dallim”, dhe kritikon me vend, qe në fillim, atë që tashmë populli shqiptar e ka denuar rënd:

“Diktatura komuniste në Shqipëri për 50 vjet i mori shumëçka popullit  shqiptar por nuk ia mori shpirtin dhe ai mundi ta mbajë tl ndezur kandiline tri besimeve fetare.”

Ai në vazhdim të fjalës së tij vlerësoi se nderimi i faktoreve shqiptare jashtë atdheut, i kishave, xhamive dhe teqeve, janë vepra të përbashkta solidariteti të vëllazërve shqiptar të tri besimeve “ ku dhe jashtë atdheut deshmojnë se jami një trup i pandarë ”.

Imami Isai e përfundoi fjalën me këtë urim:

 

“ Uroj që ky gurthemeli të kryej misionin shpirtëror e kombëtar, të bëhet vend vëllazërimi e bashkimi për mbarë gjakun shjqiptar. Uroj që patriotet e ndershem të bashkohen për të shpetuar popullin shqiptar nga robëria për të ngritur Flamurin e Skenderbeut në Shqipërinë etnike…”(Ilyria, 5 Dhjetor, 1995).

Në demonstraten madhështore që u zhvillua në Washington para Shtepisë së Bardhë, ku moren pjesë mijëra bashatdhetar, udhëheqësit shpirtëror të tri  besimeve, Dom Pjeter PopajImam Isa Hoxha dhe At Arthur Liolin, për afër dy muaj u angazhuan në organizimin e demonstratës dhe bashk me të gjitha organizatat shqiptaro-amerikane e kurorëzuan me sukses demonstraten në fjalë. Mesazhet e të tre përlatëve tonë ishin ndër më të prekshmet. At Arthur Liolin pohon se “Bota dhe Ballkani nuk do të gjejnë paqe për sa kohë qe shqiptarët e Kosovës menjanohen e harrohen .” Dom Pjeter Popaj për zërin e popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi thotë: “Zëri i popullit është zëri i Zotit”.

Imam Isa Hoxha me mesazhin e tij: “ Na thrret zëri i atdheut”, thotë ndër të tjera:

“ Zëri ynë është zëri i shqiptarëve te djegur nga malli për atdheun, zëri i mërgimtarëve qe thrrasin për lirimin e tokave tona të pushtuara. Ky zë nuk u shterr tash një shekull për pavarësinë e Shqipërisë, nuk do të ndalet deri sa Kosova të jetë e lirë dhe deri sa Shqipëria të bëhet ashtu siç duan vet shqiptarët. Ne nuk duhet të harrojmë sakrificat qe po bëjnë shqiptarët në Kosovë, veçanerishtë pas vitit 1981, kur tanket serbe përgjakën rrugët dhe sheshet e Kosovës dhe të trojeve tona për rreth. Nuk duhet të harrojmë 10 majin, demonstraten madhështore të organizueme në Washington dhe New York në mbështetje të rinisë kosovare, luleve qe ranë viktimë e rmikut tonë shekullor serb, vetem pse kërkonin lirinë. Është e drejtë e çdo shqiptari për të luftuar për të drejtën e vet njerëzore dhe kombëtare dhe është detyrë qe na shtron edhe i Madhi Zot qe t’u dalim në ndihëm vëllazërve tonë në atdhe për liri ”. (Ilyria, 26 Mars, 1996).

Imam Isa Hoxha shihet në fotografi të ndryshme në tavolinën e nderit apo duke diskutuar hallet e Shqipërisë etnike me përsonalitete drejtuese të çështjes shqiptare si presidentin Rugova apo ata të Shqipërisë demokratike, është fjala para ardhjes së socialistëve greko-komunist në pushtet. Figura shtatmalsorit të veshur me uniformen e  klerikut musliman gjithashtu është dalluese në faqet e shtypit tonë. Ai është në krye të demonstrarave, simpoziumeve, ceremonive dhe protestave të fuqishme të zhvilluara në New YorkWashington, Tiranë, etj.

Gjatë qeverisë  demokratike të Shgqipërisë, pas rënjes të regjimit komunist të Ramiz Alisë, hapen dyertë e misionit shqiptar pranë OKB-së. Komuniteti shqiptar pas 40 vjetësh filloi t’a ndiente veten te nderuar me këtë mision dhe ti shikonte si-vëllazër zyrtarët e këtij misioni. Në rast gëzimi e hidhërimi shkembenin vizita. Aty shpesh herë dukej edhe Imam Isa Hoxha.

Ja si e vlerësoi ai këtë mision:

“ Misioni shqiptar me në krye ambasadorin Pllumb Kulla ngriti lartë zërin për Shqipërinë, për Kosovën dhe trojet tjera shqiptare të pushtuara në Ballkan. Ai e kreu këtë detyrë me dinjitet e ndershmëri…”. (Pjesë e fjalimit në mbrëmjen e largimit të  ambasadorit Kulla nga ky mision. Ilyria, 24 Shtator, 1997 ) .

Tani më keq se në përiudhen e regjimit të Enver Hoxhës. Komuniteti shqiptar në përgjithësi dhe kosovarët në veçanti, e shikojnë këtë mision me urrejtje më të thellë se atëherë. Shqiptarët e Amerikës nuk e njollosin veten me qendrimet politike të rregjimit të sotshëm sllavo – grek, i cili erdhi në fuqi me forcën e armëve dhe u vendos në Tiranë nga Greqia. Ky regjim për shqiptarët e Amerikës është më i turpshem se ai i Enver Hoxhës. Ky regjim ka fyer rënd dinjitetin e një kombi të vuajtur dhe e ka këthyer shtetin shqiptar në një koloni greke, shkolla greke prej foshnjores deri në të mesme. Fakte si këto e të tjera nuk mund të mohohen. Ndaj Kosovës ky regjim ka bërë tradhëtinë më të turpshme duke nënshkruar marrëveshje me serbët në përiudhat më kritike të Kosovës, duke vrar midis Tiranës edhe ministrin e saj të Mbrojtjes dhe duke goditur për vdekje luftën e përgjakshme të Kosovës.

Shqiptarët e Amerikës janë fyer në sedër për të gjitha këto dhe në veçanti për fyerjen që ky regjim i ka bërë edhe udhëheqsit të tyre të madh shpritëror, Imzot Nolit. Në universitetin e Korçës, i cili mban emrin e Fan Nolit, është inagurua biblioteka greke me ceremoni zyrtare të drejtuar nga ministri Milos (është fjala për P. Milon). Tradhëtit e kësaj shkalle nuk mund të justifikohen nga asnjë shqiptar i vërtet.

Një prej kontribuesëve në organizimin kryesor për përgaditjen e Meshes Përkujtimore për Nënë Terezen, 2 Nëntor 1997, ishte edhe Imam Isa Hoxha. Ai e shikonte si detyrë të lartë nderimin e Nënë Terezes dhe kërkonte përgaditje sa më të mirë për meshen përkujtimore:

“ Është detyrë fetare dhe kombëtare për të gjith bashkatdhetarët tonë, që si vëllëzër të një gjaku qe jemi te nderojmë Nënë Terezen, e cila në jeten dhe vepren e saj dha një shembnull konkret çfarë duhet të jetë dashuria për Zotin dhe njeriun. Nënë Trereza si bijë e Kombit shqiptar dhe nënë e mbarë njrzimit shtoi krenarinë tonë kombëtare, prandaj pjesëmarrja sa më e madhe në meshen përkujtimore, është jo vetëm nderë e krenari por edhe obligim kombëtzar. Kështu ne do të deshmojmë bashkim in dhe vëllazrimin tonë kombëtar, një veçori qe e ka shquar kombin tonë nder shekuj dhe e ka ruajtur qenjen tonë kombëtare nëpër fortunat e historisë.” (Ilyria, 29 tetor 1997).

Ditën e djelë, me 2 Nëntor 1997 u mbajtë mesha përkujtimore për Nënë Terezen në Katedralen “Saint Patrick” në Manhattan. Kjo Katedralë është një nder Kishatë më të mëdha të New Yorkut qe zënë mëse 4000 njerëz mbrenda. Atë të djelë historike, Katedrala ishte plotë shqiptarë dhe jashtë dyerëve të saj kishin mbetur qindra të tjerë.

“ Të huajtë që mblidheshin rastësisht në Katedralë si besimtarë apo turistë, ka të ngjar të jenë habitur dhe të pyesin veten ç’po bëhet këtu, kur në Altarin e një tempulli katolik panë të ngjitej një klerik muslman. Për shqiptarët që janë edukuar me tolerancë fetare, raste të tilla janë krejtësisht të kuptueshme, madje edhe të admirueshme sepse Nënë Tereza iu përket të gjithë shqiptarëve. Lutja e Imam Isa Hoxhës kushtuar Zotit për Nënë Terezen, dhe thirrja e tij drejtuar bpopullit shqiptar dhe udhëheqësëve të tij te ndjekin shembullin e Nënë Terezes për të jetuar mnë paqe e harmoni qe sa emocionale aq edhe kuptimplotëte.” (Dielli, dhjetor 1997.)

Nga altari i kësaj Katedrale të famëshme botërore, ku zakonisht predikojnë fjalën e Zotit vetëm klerikët katolik, Imam Isa Hoxha tha dhe këtë:

“ Shqiptarët vazhdojnë të vuajnë nga regjime diktatoriale, pikërishtë në Kosovë në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Ne nuk duam t’ia kthejmë shpinën popullit shqiptar. Ne duhet të sigurojmë integritetin e atdheut të Nënë Terezes dhe ky integritet duhet të jetë real dhe jo transparent ”.(Ilyria, 7 nëntor,  1997).

Me rastin e vrasjes te deputetit Azem Hajdari, demokrat i shquar, udhëheqës i ashpër i fushatës antikomuniste në Shqipëri dhe mbështetës i pakompromis i luftës çlirimtare të Kosovës, gazeta “Ilyria” solli një faqe me titull: “Komuniteti Shqiptaro-Amerikan Denon Vrasjen e Azem Hajdarit”, Imam Isa Hoxha iu përgjegj denimit të kësaj vrasje:

“ Vrasja e deputetit Azem Hajdari është tepër e dhimbëshme, një humbje e madhe swi për familjen ashtu edhe për Kombin shqiptar. Kjo vrasje është akt tragjik me situatën e rëndë në të cilën ndodhet kombi ynë. Është tragjike sidomos prapaskena dhe motivet politike të vrasjes të deputetit Hajdari, qe s’është tjetër por një vrasje e porositur nga qarqe të errta antishqiptare, një vrasje e denuar nga robi dhe nga Zoti. Destabilizimi i Shqipëlrisë nuk ka fiklluar tashi.  Ai ka filluar dhe po vazhdon që nga vitit 1997, kur me dhunë u rerenuan institucionet e shtetit, kur vendi u soll buzë katastrofës, kur u vranë mijra shqiptar të pafajshëm, vrasje këto që po vazhdojnlë edhe sot e kësaj dite. Ekonomia në vend se të ecte përpara ra përtokë, korrupcioni dhe grykësia  qeveritare mori përmasa tragjike. Të gjitha këto kaluan me arrestime, akuza,  kërcnime dhe së fundit me vrasjen e deputetit Hajdari dhe të shoqëruesit të tij, si shenjë hakmarrjeje  ndaj opozitës e cila ka ngritur zërin lartë për të gjithë fatkeqësinë qe i solli vendit pushteti aktual komunist. Prandaj, kërkojmë ndihmen e Zotit, bashkimin e popullit, për hir të situatës qe ka rënduar atdheun tonë edhe për hir të Kosovës.” (Ilyria, 19 shtator, 1998).

Imam Isa Hoxha, edhe sot, si katër dekada më parë, me energji të pashterrura vazhdon misionin e tij në sherbim të Fesë dhe të Atdheut. Për të, atdhe është vetëm Shqipëria etnike e kuptimit të rilindasëve tonë.

*). SHENIM I SHKURTË BIOGRAFIK:  Isa Hoxha  lindi me 25 Maj 1918 në Bytyç të Malësi të Gjakovës – rrethi i Tropojës.   Mësimet fillestare i kreu në Tropojë, ndërsa një vit në Medrezen e Madhe të Gjakovës. Vitet tjera të mësimeve i vazhdoi në Medrezen e Tiranës. Ai rrjedh nga familja e njohur e Hoxhëve të Bytyçit;   Familje fetare atdhetare,  e cila që nga Lidhja Historike e Prizrenit (1878), ka qenë në ball të lëvizjeve kombëtare.  Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja e  Hoxhëve të Bytyçit angazhohet me armë në dorë në Levizjen e Kreyezive të Gjakovës, në përpjekje për çlirimin e atdheut nga pushtuesitë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Me ardhjen e komunizmit në fuqi, kjo familje e madhe përjetoi përsekutimet më çnjerzore të cilat mund të përshkruhen vetëm në vëllime shkrimesh. Në vitin 1949 Imam Isa Hoxha  arratiset në Jugosllavi,  ku  për 10 vjet të qendrimit në atë vend kalon një jetë shumë të vështirë, me  transferime të vazhdueshme nga një vend në tjetrin.  Me 1959 emigron në Itali dhe jetonë tre vjet nëpër kampet e refugjatëve.  Me 1962me ndërhyrjen e Komitetit “Shqipëriua e Lirë”, emigron në SH.B.A., dhe vendoset me banim në New York. Për katër dekada, veprimtaria e tij fetare,  arsimore,  atdhetare,  kulturore dhe kombëtare ishte e panderprer. Ai është autor i shumë studimeve fetare – filozofike të botuara në revistën “ Perpjekja Jonë ”, organ i Qendres Islame Shqiptaro  Amerikane për New York dhe New Jersey, themeluar me inisiativën e tij dhe të Imam Sali Myftisë. Imam Isa Hoxhaishte përsonalitet i nderuar dhe respektuar, krah-pëprkrah me Imam Vehbi IsmalinBaba RexhebinMsrg Zef Oroshin dhe At Arthur Liolinin. Me këtë figurë të shquar të mërgatës politike shqiptare kam zhvilluar disa intervista për emisionin e “Zerit të Amerikës” në gjuhën shqipe. Me të kam pas  bashkëpunim të ngushtë dhe kam ndihmuar me shkrime të ndryshme revistën, “Përpjekja Jonë”.

Imam  Isa Hoxha ndrroi jetë në shtëpinë e tij në Old Tapan, West Wood, New Jersey, me 20 Tetor, 2001.

Shkrimi i mësipërm: IMAM ISA HOXHA VAZHDIM I IDEALEVE TË RILINDJES TONË KOMBËTARE”,  është botuar në revistën “Përpjekja Jonë”Nr. 21-22, Tetor 1998, fq. 182.,  me pseudonimin tim,  Burim Ali Gusija. 

 

 

 

 

 

 

 

PËRSE AJO E BIDENIT ISHTE NJË ZGJEDHJE TASHMË E PASHMANGSHME- Nga MASSIMO GAGGI- Përktheu Eugjen Merlika

 

Këmbëngulja e Bidenit, e kthyer në kryeneçësi, u ndesh me rreptësitë e papritura t’urdhëruara nga mosha e tij e shtyrë. Së fundi presidenti i u dorëzua fakteve.

Një vendim i pritshëm, tashmë  pashmangshëm, por që ka lënë për shumë kohë jo vetëm partinë demokratike dhe të gjithë Shtetet e Bashkuar në mëshirën e një heshtjeje tejet njerëzore të një udhëheqësi planetar të kthyer – nuk dijmë se sa shkallë shkallë apo për një rënieje të papritur – në një të moshuar ende në gjëndje të kuptojë e të kërkojë, i kthjellët në pjesën më të madhe të kohës, por mendërisht gjithnjë e më i ngadaltë. E ndoshta nuk është në gjëndje të vlerësojë plotësisht pasojat e ngurimeve të tij.

Tregimet anonime flasin për familiarë, gjithmonë mbështetës të ambicieve të tij politike dhe vendimit për t’u kandiduar për një mandat të dytë, që nga një javë kërkojnë t’a përgatisin për dorëheqjen. Duke gjetur sidoqoftë vështirësi në thyerjen e qëndresës së një luftëtari, të cilit nga rinia e parë i është dashur të luftojë me belbëzimet e përqeshjet e shokëve të shkollës. E që ka kundërvepruar ndaj ndeshtrashave duke i dhënë vetes synimin më ambicioz. “Do të bëhem president” tha duke i u paraqitur mamasë së të fejuarës së tij të parë.

Ia arriti kur dukej jashtë kohës së mundëshme mbas një jete suksesesh, tragjedish, hidhërimesh, gjithënjë i bindur se ishte i nënvlerësuar ngs partia e tij, deri edhe nga ai Barak Obama që e bëri zëvendëspresident e më pas qe përcaktuesi i zgjedhjes së tij, katër vite më parë.

Këmbëngulja e kthyer në kryeneçësi, vullneti për të qëndruar në skenë, për të sfiduar përsëri Trumpin, edhe se në 2020 kishte premtuar se ishte një urë kundrejt brezave të rinj të politikës demokratike. Tani shtangësitë e papritura të plakut kanë trasformuar atë që do të mund të kishte qënë një fazë e vështirë por megjithatë e mbarështueshme e kalesës politike në një dramë shekspiriane.

Anomali të demokracisë t’asaj që e kemi quajtur Bota e Re: kombi i ri dhe dinamik, në të cilin po bënin beleg dy tetëdhjetëvjeçarë për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa vendimet shumë të rëndësishme të Gjykatës së Lartë u janë besuar 9 gjyqtarëve të moshuar, të emëruar përjetësisht. Ende: personazhet që ditët e fundit janë shqetësuar më shumë për të shtyrë Bidenin të tërhiqet (Nancy Pelozi) o për të qëndruar (Bernie Sanders) janë mbi tetëdhjetë vitesh.

Së fundi Bideni u dorëzua para hulumtimeve të porositur nga vetë Shtëpia e Bardhë e të vërtetuar nga besnikët e saj. Duke mbetur pa frymë deri atëherë,drejtuesit e partisë mbasi u liruan me një frymëmarrje të fuqishme i njohën Bidenit meritën që me flijimin e tij kishte shpëtuar demokracinë amerikane. Përtej mundit dhe emfazës së çastit, mbetet e gjitha për t’u parë, nëse duke u nisur me kaqë vonesë e me vështirësinë për të gjendur një zëvendës për t’a futur në biletën e Kamala Harrisit, a do t’arrijnë demokratët të ravijëzojnë një fushatë të efektëshme.

Duhet të gjejnë shpejt një marrëveshje politike, të lëshojnë një fushatë të vlefshme, të shmangin pengesa e kurthe ligjore që republikanët po mbjellin në ecjen e tyre, të kërkojnë në ligjet zgjedhore të Shteteve të Bashkimit, të gjithë të ndryshëm njëri nga tjetri, diçka që të lejojë pengimin ose kundërshtimin e hyrjes së kandidatëve të rinj në listat për zgjedhjet presidenciale.

Donald Trumpi, i shpëtuar nga martirizimi dhe i kthyer nga një mbledhje për të triumfale, mbetet i vështirë për t’u mundur. Por tani që Bideni u tërhoq, edhe ai papritmas duket shumë i vjetër, herë herë i çoroditur. Për popullin e tij ai është më shumë se një udhëheqës hirplotë, madje si lajmëtar i të Plotfuqishmit. Por ligjet e politikës janë të pamëshirshme e tradhëtitë gjithmonë mbas qosheve. Besnikut skajor Tucker Carlson, bri Trumpit gjatë gjithë konventës, i kanë bërë një pyetje se përse, së fundi, Donaldi ka zgjedhur si zëvenës ID Vance: sot një besnik skajor, në të shkuarën armik i tij i betuar.

Përgjigja: “Sepse ndërmjet gjithë atyre që janë marrë në konsideratë për çiftimin , JD është i vetmi që nuk e urren fshehtas”.

“Corriere della Sera, 22 korrik 2024 Përktheu Eugjen Merlika

LOJA E MREKULLUESHME E KAPITENIT GRANIT XHAKA, KA BËRË QË ZVICRA TË JETË NJËRA PREJ SKUADRAVE MË TË RESPEKTURA TË “EURO 2024” 

 

Granit Xhaka, mesfushor i Zvicrës, dhe FC.Bayer  Leverkusen edhe në Evropianin 2024, që ka hyrë në fazën e ndeshjeve çerekfinale, është duke treguar formë të shkëlqyeshme.

Ai me përvojën e tij të gjatë në skuadrën e Zvicrës  dhe në klubet me famë botërore si : FC Arsenal i Mbretërisë së Bashkuar, e gjatë viteve 2012- 2016- FC.Borusia Monchengladbach të Gjermanisë, është bërë i preferuari i të gjithë futbolldashësve të mbarë botës .

Ai si përherë stabël dhe i përgatitur fizikisht me stilin e tij të lojës nuk mbetet fare- fare nën hijen e futbollistëve legjendar si: Zinedine Zidane, Luka Modriç, Hernandez Creus – Xavi, Andres Inesta, Franc Ribery etj.

Granit Xhaka, me ritëm të njëjtë pa bërë oscilime, ende pa i mbushur 32 vjet, po u ofrohet mbi 410 ndeshjeve të zhvilluara.

Karriera kaq e pasur dhe kaq e bujshme e këtij futbollisti të lindu në Bazel të Zvicrës, ku edhe u formua, duhet të shpërblehet edhe me trofeun e çmuar të Parisit “Topi i Artë”

Me djaloshin me origjinë nga Miroci i komunës së Podujevës,si duket ka qenë edhe Zoti.

Ai dhe  bashkëlojtari i tij  Xherdan Shaqiriri , në ndeshjen tepër të tensionuar Zvicër – Serbi, 2 me 1,të zhvilluar më 22 qershor 2018 në stadiumin e Kaliningradit të Rusisë, patën shënuar dy gola që rrallë shihen, me të cilët i patën gëzuar me mijëra e mijëra adhurues zviceranë e shqiptarë.

Serbët e zemëruar me debaklin e pësuar dhe leksionet që u dhanë dy yjet e Zvicrës, me origjinë shqiptare, patën filluar të kërkojnë qimen në vezë.

Ata të rritur deri në dehje me urrejtje ndaj shqiptarëve, i pati penguar shqiponja në fluturim, pa arritur me pa kokardën në kokat e tyre tule, relikt  i famëkeqit  Drazha Mihaloviq, që gjatë Luftës së Dytë Botërore, me çetnikët e tij serbë, vrau dhe masakroi me mijëra  shqiptarë.

Perëndimi i liruar kaherë nga fashizmi dhe ksenofobia njeh dhe respekton vlerat e gjithsecilit.

Sot, temë dite tek të moshuar e të rinj të Zvicrës dhe trojeve shqiptare, është loja brilante e Kapitenit të helvetikëve  Granit Xhaka.

Ai dhe bashkëlojtarët e tij, nëse demonstrojnë lojëra të mira sikur deri tani, fare lehtë, mund të jenë befasia më e këndshme e Evropianit “ Gjermania 2024”.

ARIF EJUPI

U nda nga jeta shkrimtari i shquar Ismail kadare – Fotoja e fundit e shkrimtarit të madh tek Bar Juvenilja

Fotoja e fundit e shkrimtarit të madh tek Bar Juvenilja –

Botuesi i Kadaresë Bujar Hudhri do të shkruante si sot një javë më parë:

“Duke sfiduar vapën e padurueshme të Tiranës.
Bar Juvenilja, e hënë, 24 qershor 2024”

Botuesi Hudhri ka qenë personi që ka qendruar më pranë Kadaresë se askush pas kthimit të shkrimtarit të madh nga Franca në Shqipëri.

 

Apeli në Shqipëri mban në fuqi dënimin me dy vjet burgim për Belerin

Alfred Beleri, kryetari i zgjedhur të bashkisë së Himarës, ulur në një dhomën mbrapa grilave në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, teksa gjykatësit e shqyrtojnë kërkesën e tij kundër dënimit me dy vjet burgim për vjedhje votash, 14 qershor 2024.

 

Jetmira Delia-Kaci

Gjykata e Posaçme e Apelit në Shqipëri vendosi të martën ta mbajë në fuqi dënimin e Alfred Belerit, kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, me dy vjet burgim për vjedhje votash, duke e rrëzuar ankesën e tij.

Në mars, Gjykata e Posaçme e dënoi Belerin me dy vjet burgim për akuzën e vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Beleri dhe avokatët e tij mbrojtës i kanë cilësuar akuzat si politike dhe të pabazuara, por Apeli vendosi ta mbajë në fuqi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë për dënimin e tij me dy vjet burgim.

Seancën e së martës e ndoqi nga salla e gjyqit edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.

Ajo tha për media pas seancës se “bashkia e Himarës ende drejtohet nga persona që nuk janë zgjedhur nga votuesit”.

Apeli e shqyrtoi kah mesi i qershorit ankesën e Belerit, por e shtyu marrjen e vendimit për 25 qershor.

Beleri fitoi ulëse në Parlamentin Evropian si përfaqësues i partisë udhëheqëse në Greqi, Demokracia e Re, në zgjedhjet e qershorit.

Zgjedhja e Belerit si deputet i Parlamentit Evropian shkaktoi polemika – si për legjitimitetin e tij, ashtu edhe për ndikimin e rastit të tij në integrimin evropian të Shqipërisë.

Juristë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se rasti i tij ngre shqetësime kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tyre, ai mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në marrëdhëniet e saj me Greqinë.

Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, ishte kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës – qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë – në zgjedhjet e majit të vitit 2023.

Ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash.

Pavarësisht se ishte në paraburgim atëkohë, Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk u betua asnjëherë. Në mars të këtij viti u dënua me dy vjet burgim.

Rasti nxiti kritika të mëdha në Athinë, ku Ministria e Jashtme tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.

Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor, ku ai u zgjodh. REL

U prehsh ne paqe Agim Doçi Nga Gazmend Mullahi

 

U prehsh ne paqe Agim Doci.

Poeti rrebel e kontravers i fjales ne biseda dhe deri diku i asaj te shkruar por, i bute dhe lakonik i fjales qe shoqeronte kengen e kenduar me melodine qe buronte nga zemra.

I veçante, spektakolar dhe “zhurmemadh” ne mexhlise mes dashamires, kolege e patriote.

I bute dhe bashkeshort e familiar i rralle qe gjithmone enderrove dhe e deshirove ate te ishte e madhe dhe numeroze.

Do i mungosh bashkeshortes, qe tu perkushtua aq fort viteve te fundit te lumturise bashkeshortore .

Do u mungosh komunitetit artistik vecanerisht i asaj te kenges qe ti iu perkushtove me shume nga çdo skill tjeter qe natyra dhe talenti yt te fali.

Ti do mbetesh inxhenieri i dipllomuar elektrik qe ke “elektrifikuar” mendjet dhe zemrat e mijra njerezve ne familjet e tyre duke sjelle vargun, fjalen e zgjedhur dhe te mencur qe si melhem ka frymezuar e qetesuar zemra te cdo shtepie shqiptare.

Nderim kujtimit jetes dhe vepres qe dhurove bujarisht sa ishe ne jete mbi kete toke.

Ngushellime dashamiresve te tu .

Peng qe su ndodha prane per te dhene lamtumiren.

Biseda dhe kafeja e fundit konsumuar bashke pak muaj me pare do mbetet nje kujtim i paharruar ku qeshem shume dhe beme humor pa menduar se do ishte e fundit per ty.

Lamtumire mik !
💐🌿


Send this to a friend