VOAL

VOAL

Dy demokratë propozojnë legjislacion për mosndryshim të politikës ndaj Rusisë

April 6, 2017

Komentet

SHBA – Berisha takohet me Kongresmenin Keith Self: Diskutohet korrupsioni, trafiku i drogës dhe nevoja për qeveri teknike

 

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lideri i opozitës, Sali Berisha, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me kryetarin e nënkomisionit të Kongresit Amerikan për Evropën, kongresmenin e Teksasit, Keith Self.

Në qendër të këtij diskutimi kanë qenë problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria, kryesisht trafiku i drogës, korrupsioni galopant dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në manipulimin e proceseve zgjedhore.

Lufta ndaj karteleve të drogës dhe ndikimi te zgjedhjet

Gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës. U denoncua fakti se krimi i organizuar dhe paratë e drogës po përdoren nga administrata dhe qeveria e sotme e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet, për të kontrolluar pushtetin dhe për të pastruar paratë në aferat korruptive. Kjo situatë u vlerësua si plotësisht jashtë standardeve të një vendi anëtar të NATO-s.

“Rama ka shkatërruar Kushtetutën”

Sali Berisha e njohu kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi. Sipas Berishës, kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut. Po ashtu, u ngrit shqetësimi se qeveria kontrollon plotësisht drejtësinë dhe po e përdor atë si armë politike kundër opozitës me qëllim mbajtjen e pushtetit.

Konteksti rajonal dhe roli historik i kongresmenit Self

Nga ana e tij, kongresmeni Keith Self e vlerësoi situatën në Ballkan si një problem jashtëzakonisht të madh, sidomos në kontekstin e zhvillimeve globale dhe ndikimit të Rusisë. Duke pasur një eksperiencë të hershme, pasi ka qenë i angazhuar në kohën e luftës së Bosnjës, Self tregoi interes të shtuar për zhvillimet në rajon.

Zoti Berisha e falënderoi veçanërisht kongresmenin për qëndrimet e tij historike kombëtare, përfshirë deklaratën e fortë për dënimin e Ratko Mlladiçit – një iniciativë që Self e mori së bashku me senatoren Jeanne Shaheen dhe senatorin Pressley. Berisha shprehu mirënjohje edhe për interesin e veçantë që kongresmeni ka treguar për Luginën e Preshevës dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke i dhënë takimit një kontekst të rëndësishëm mbarëkombëtar.

Propozimi për zgjedhjet: Model si Maqedonia e Veriut

Gjatë bisedës u konstatua se si Aleksandar Vuçiç në Beograd, ashtu edhe Edi Rama në Tiranë, nuk lejojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si zgjidhje e vetme për të garantuar një proces demokratik dhe instalimin e një demokracie normale ku pushteti vendoset me votë të lirë, u propozua krijimi i një qeverie teknike, duke marrë si model të suksesshëm rrugën e ndjekur nga Maqedonia e Veriut.

Kongresmeni Self shprehu interes të madh për të dëgjuar mbi hapat që mund të ndërmerren në vijim, duke konfirmuar se do të vazhdojë ta ndjekë me vëmendje maksimale situatën në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri.

Shqiptarët prej tre muajsh në shesh kundër Ramës, gazetarja e CNN Isa Soares në mbështetje: Dita e 100-të e Revolucionit të Flamingove!

Gazetarja e CNN, Isa Soares ka treguar sërish mbështetje ndaj protestës së qytetarëve shqiptarë, të cilët vijojnë prej tre muajsh në bulevardin përpara Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e qeverisë së Edi Ramës.

“Dita e 100-të e Revolucionit të Flamingove”, ka shkruar ajo krahas një fotoje të saj në rrjete sociale, duke treguar mbështetjen për protestën.

“Shqipëria ka nevojë për ndryshim, transparencë dhe drejtësi”- Këshilltari ndërkombëtar për gjeopolitikën, Mark J. Finlay: Protestat zhvillohen kundër qeverisë! Qytetarët e kanë në dorë të vendosin

Këshilltari ndërkombëtar për gjeopolitikën Mark J. Finlay ka komentuar zhvillimet politike dhe protestat në Shqipëri, duke theksuar se vendimi për të ardhmen e vendit u takon shqiptarëve.

Ai tha se gjatë vizitës në Tiranë ka takuar qytetarë që ndajnë shqetësimin për mungesën e progresit dhe kërkesën për ndryshim.

Finlay u shpreh i impresionuar nga mënyra se si janë zhvilluar protestat kundër qeverisë, duke i cilësuar ato si të qëndrueshme, paqësore dhe domethënëse.

“Është në dorën e shqiptareve për të vendosur, por ajo që dua të them është se është një vend që do ndryshim, transparencë dhe drejtësi. Unë kam takuar burra dhe gra të mrekullueshëm që ndajnë zhgënjimin e njerëzve që protestojnë, sa i takon mungesës së progresit që mund të ndihet herë pas herë.

Më duhet të them se jam i impresionuar që ka patur protesta të qëndrueshme, paqësore kundër qeverise, që kërkojnë ndryshim.

Ajo që kemi përjetuar në Irlandën e Veriut është se kur të rinjtë janë në pushime, ne do kishim parregullsi sepse është vështirë për tu kontrolluar një protestë., Por kjo ka qenë një protestë e disiplinuar dhe shumë domethënëse.

Unë erdha në Tiranë për të dëgjuar dhe jo për të bërë deklarata., Ajo që kam dëgjuar dhe që ka qenë e mrekullueshëm dhe shpreson që të informohem më shumë që kur të kthehem në Uashington të takoj liderët atje, të jap një pikëpamje se çfarë kam parë dhe ajo që po ndodh në këtë qytet”, tha ai për News24.

I pyetur nëse protestat janë kundër qeverisë apo kundër një projekti, ai deklaroi se janë kundër qeverisë. Sipas tij qytetarët dalin në protestë për shkak të mungesa e progresit.

“Mendoj se është kundër qeverisë, mendoj se është nga mungesa e progresit dhe njerëzit duan ndryshim. Ajo që dëgjoj nga njerëzit është një projekt që mund të ketë nxitur, por kjo është shumë më tepër se kaq dhe kudo ku kam shkruar njerëzit me kanë thënë se kjo nuk ka të bëjë me Zvernecin apo Sazanin, por ka të bëjë më pakënaqësinë, me mungesën e transparencës, me mungesën e drejtësisë dhe mundësive. Njerëzit e rinj duan të shohin mundësi ekonomike”, deklaroi ai.

Harry Bajraktari: Vizita e Dr. Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara dhe takimi i tij me komunitetin tonë shqiptaro-amerikan është një moment i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe kombit shqiptar

Foto e Harry Bajraktarit me Kongresmenin Eliot Engel në Kongres nga arkivi

Aktivisti i shquar i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan Harry Bajraktari ishte i pranishëm në aktivitetet e Dr.Berishës në New York dhe New Jersey dhe ka dalë me një statusin e tij në rrjetin social si më poshtë:                            “🇺🇸 🇦🇱 Vizita e Dr. Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara dhe takimi i tij me komunitetin tonë shqiptaro-amerikan është një moment i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Dr. Sali Berisha po lufton për Shqipërinë në një betejë të padrejtë kundër rivalëve politikë që janë kundër demokracisë e shtetit ligjor dhe që prej vitesh nuk po lejojnë zgjedhje të lira.

Rikthimi i Dr. Berishës në Shtetet e Bashkuara, pas shfuqizimit nga administrata Trump të përcaktimit të padrejtë e politik “non grata”, ka krijuar një momentum të ri për Shqipërinë: që vendin ta kthejmë në rrugën e drejtë, që një ditë shqiptarët të votojnë në zgjedhje të lira, që demokracia të jetë e vërtetë, shteti ligjor të funksionojë, miqësia me Amerikën të jetë e sinqertë dhe institucionet të jenë në shërbim të popullit e jo të pushtetit.

Komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë gjithmonë forca e përparimit të kombit shqiptar. Me rikthimin e Dr. Berishës, ne si komunitet duhet të bëhemi bashkë, të punojmë me miqtë tanë në Washington, të sigurohemi që Kongresi, Senati, Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë ta dinë të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Një Shqipëri e fortë, demokratike dhe pro-amerikane 🇦🇱 🇺🇸 e ndihmon edhe Kosovën 🇽🇰 tonë të lirë e të pavarur, forcon pozitën e shqiptarëve në Ballkan dhe e afron kombin tonë edhe më shumë me botën perëndimore e demokratike.

Zoti e bekoftë Amerikën.

Zoti e bekoftë Dr. Berishën, Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë popullin shqiptar 🙏

#HarryBajraktari @followers @highlight “

 

Eric Trumpi publikon me krenari pasaportën me portretin e Donald Trumpit: E mrekullueshme, e adhuroj

Eric Trump ka prezantuar publikisht pasaportën e tij të re përkujtimore, të krijuar në kuadër të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila përmban një portret të madh të babait të tij, presidentit Donald Trump.

Në një video të publikuar në rrjetin social X më 2 shtator, 42-vjeçari Eric Trump u tregoi ndjekësve dokumentin e ri, duke shprehur entuziazmin për dizajnin e tij.

“Shikoni çfarë sapo më erdhi me postë. Një pasaportë e re”, tha ai, përpara se ta hapte dokumentin dhe të tregonte faqet e brendshme.

Në pjesën përkujtimore të pasaportës është vendosur një ilustrim i Donald Trump, ku presidenti shfaqet i përkulur përpara, me të dyja duart të mbështetura mbi një tavolinë. Mbi imazh është vendosur firma e tij, ndërsa poshtë shkruhet “United States of America”. Portreti është bazuar në fotografinë e Trump të ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Portreteve të Smithsonian në Uashington.

“Më pëlqen jashtëzakonisht shumë, e dhuroj”, u shpreh Eric Trump, djali i Donald Trump.

Pasaportat e kufizuara u njoftuan për herë të parë në prill, si pjesë e përgatitjeve për 250-vjetorin e pavarësisë amerikane. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, bëhet fjalë për një numër të kufizuar dokumentesh të dizajnuara posaçërisht për këtë përvjetor.

Zyrtarët kanë deklaruar se pasaportat do të kenë elemente artistike dhe imazhe të personalizuara, ndërsa do të ruajnë të njëjtat karakteristika sigurie si pasaportat e zakonshme amerikane. Çmimi për pajisjen me këtë version përkujtimor nuk do të jetë më i lartë se ai i pasaportës standarde.

Dizajni i pasaportës ka pësuar disa ndryshime që nga prezantimi fillestar. Në një postim të qershorit në Truth Social, Donald Trump kishte publikuar një version të përditësuar të saj dhe kishte shkruar: “Pasaporta e re e SHBA-ve, e cila thotë: “Mirë se vini, por silluni mirë!’ Presidenti DJT.”

Një tjetër ndryshim i dukshëm është firma e presidentit. Në versionin e prezantuar fillimisht ajo ishte me ngjyrë ari, ndërsa në versionin e ri shfaqet në të zezë.

Pasaporta nuk është i vetmi dokument amerikan që është ndryshuar në kuadër të 250-vjetorit. Departamenti i Brendshëm i SHBA-ve ka njoftuar gjithashtu se portreti i Donald Trump do të shfaqet në kartat vjetore për hyrjen në parqet kombëtare amerikane.

Edhe karta “America the Beautiful”, e destinuar për banorët amerikanë, lidhet me festimet e 250-vjetorit dhe përmban portretet e Donald Trump dhe George Uashington. bw

Matthew Whitaker, Ambasadori i SHBA në NATO mesazh Rusisë: Aleanca nuk do të tolerojë veprime hibride kundër aleatëve, ne do t’u qëndrojmë pranë

Ndërsa shqetësimet po rriten në Evropë në lidhje me kërcënimet hibride nga Rusia, ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, i dërgoi një mesazh të qartë Moskës pas sulmit të tentuar me dron në aeroportin e Leipzig, duke theksuar se aleatët nuk duhet të tolerojnë akte të qëllimshme të luftës hibride dhe duke siguruar se SHBA-të do të qëndrojnë pranë tyre.

Ai tha se përpjekja për sulm me dronë në aeroportin Leipzig të Gjermanisë muajin e kaluar, për të cilin Berlini ka fajësuar Rusinë, është më shqetësuese sesa incidentet e tjera të fundit në të cilat vendet e NATO-s janë përballur me dronë rusë që kishin në shënjestër Ukrainën dhe kanë dalë nga kursi.

“Por ka edhe veprimet hibride më shqetësuese, si ato që pamë në Leipzig dhe ato që kemi parë në Poloni”, tha ai.

Siç theksoi ai, vendet e NATO-s duhet të jenë të përgatitura dhe vigjilente, por edhe të dërgojnë një mesazh të fortë kur përballen me incidente të tilla.

“Nëse mund të identifikojmë se kush qëndron pas kësaj, siç bëri Gjermania, duhet ta bëjmë absolutisht të qartë se kjo është e papranueshme dhe se nuk do ta tolerojmë“, tha Whitaker.

© Panorama.al

Evi Kokalari Grenellit: Get Lost, dirtybag! Zhduku o pleh! Kushtetuta e Kosovës nuk është puna jote! Ti nuk ke asnjë detyrë zyrtare në Ballkan, përveçse po i mjel si lopë

Ka reaguar aktivistja Evi Kokalari në rrjetin X ndaj statusit të Richard Grenell që merret me Kushtetutën e Kosovës. Kokalari duke iu referuar fakteve, shkruan se Grenell nuk ka asnjë post zyrtar që të merret me Ballkanin, se e ka dëmtuar shumë Kosovën dhe se prania e tij atje është për t’i mjelë si lopa, që nënkupton se Grenell merr pare të madhe.
Ja si reagon Kokalari:

Zhduku o pleh! Kushtetuta e Kosovës nuk është puna jote. Askush nuk e ka dëmtuar Kosovën më shumë sesa ti. Ti gjithashtu nuk ke asnjë detyrë zyrtare në Ballkan. Ndalo këtë diplomaci në hije dhe shfrytëzim atje.

Ligjvënësi Republikani Joe Wilson: Nën Presidentin Vuçiç Serbia është afruar me armiqtë e lirisë ! Mirënjohës për prezantimin bipartizan të Aktit Serbija

Ka reaguar në X ligjvënësi Republikani Joe Wilson: Nën Presidentin Vuçiç Serbia është afruar me armiqtë e lirisë Mirënjohës për prezantimin e Aktit bipartizan SRBIJA!

“Nën Presidentin Vuçiç, Serbia qëllimisht është larguar më tej nga sundimi i ligjit dhe më afër armiqve të lirisë si krimineli i luftës Putin, Partia Komuniste Kineze dhe regjimi terrorist në Teheran. Pavarësisht protestave të përhapura ndaj korrupsionit, qeveria Vuçiq kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë.”

Ligjvënësit bipartizanë po shtojnë presionin ndaj presidentit serb ndërsa zgjedhjet afrohen, duke i dërguar një paralajmërim Presidentit serb Aleksandar Vuçiç që t’u përgjigjet kërkesave kundër korrupsionit dhe të shkatërrojë lidhjet me kundërshtarët e Amerikës ose të rrezikojë sanksione nga SHBA-ja. Deputetët Joe Wilson (R-S.C.) dhe Bill Keating (D-Mass.), anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, prezantuan të enjten legjislacionin që kërkon sanksione dhe ndalime vizash për individët që minojnë proceset demokratike, paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial në Ballkanin Perëndimor. 

 

Ligjvënësit amerikanë me projektligji për masa ndaj Serbisë për shkak të demokracisë, Rusisë dhe Kinës

Ligjvënësit amerikanë me projektligji për masa ndaj Serbisë për shkak të demokracisë, Rusisë dhe Kinës

Shërbimi i Ballkanit i REL-it

Ligjvënësit republikanë dhe demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kanë paraqitur një projektligj që i kërkon SHBA-së të ndërmarrë masa ndaj Serbisë për shkak të “prapakthimit serioz” në demokraci dhe sundimin e ligjit në vend, si dhe bashkëpunimit me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin sanksione financiare dhe të vizave ndaj aktorëve malinj që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe ndaj personave që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të cilësdo zonë apo shteti në rajon, thuhet në projektligjin, – të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë – të paraqitur nga republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating.

Sipas projektligjit, ai do të quhet “Ligji për Mbështetjen e Sundimit të Ligjit, Ndërtimin e Drejtësisë Institucionale dhe Përgjegjshmërinë”, përkatësisht “SRBIJA Act” (Supporting the Rule of law, Building Institutional Justice, and Accountability Act).

Në projektligj kërkohen sanksione edhe ndaj personave që në Ballkanin Perëndimor marrin pjesë në minimin e proceseve dhe institucioneve demokratike, korrupsion, shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ose veprime që pengojnë marrëveshjet rajonale dhe kornizat për sigurinë, paqen, bashkëpunimin ose njohjen reciproke.

Republikani Wilson, lidhur me paraqitjen e projektligjit, tha se “nën presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, Serbia po largohet qëllimisht gjithnjë e më shumë nga sundimi i ligjit dhe është afruar me armiqtë e lirisë, si krimineli i luftës [presidenti rus Vladimir] Putin, Partia Komuniste e Kinës dhe regjimi terrorist në Teheran”.

“Pavarësisht protestave të përhapura gjerësisht kundër korrupsionit, Qeveria e Vuçiqit kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë”, tha Wilson.

Në projektligj po ashtu përmenden raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Aty kërkohet që SHBA-ja të vazhdojë të ofrojë mbështetje për përparimin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në përputhje me Aktin për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, që vitin e kaluar u sponsorizua nga përfaqësuesi demokrat, William Keating, mes tjerash, përcakton se “është politikë e Qeverisë së SHBA-së që të mos ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimin e territoreve, ndarjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor, si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve të rajonit”.

Kushtëzimi i Dialogut Strategjik SHBA-Serbi

Sipas projektligjit të paraqitur nga Wilson dhe Keating, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duhet të pezullojë pjesëmarrjen në Dialogun Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, përveç nëse gjatë takimeve në kuadër të këtij procesi ngre çështjet e marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin; sigurimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta; luftës kundër korrupsionit, prokurimit publik dhe reformës së sundimit të ligjit, si dhe forcimit të qeverisjes demokratike, lirisë së shtypit dhe lirisë së tubimit.

Jo më vonë se dhjetë ditë para një takimi në kuadër të Dialogut Strategjik SHBA-Serbi, sekretari i Shtetit duhet t’u paraqesë me shkrim Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit një konfirmim se këto çështje do të ngrihen, si dhe një pasqyrë të detajuar të mënyrës se si sekretari i Shtetit ose përfaqësuesi përkatës i Departamentit të Shtetit planifikon t’i ngrejë këto çështje gjatë takimit në kuadër të Dialogut, thuhet në projektligj.

Në rast se sekretari i Shtetit nuk e paraqet konfirmimin për këto kërkesa, sipas projektligjit, asnjë zyrtar i Departamentit të Shtetit nuk do të autorizohet të marrë pjesë në Dialogun Strategjik SHBA-Serbi dhe as të shpenzojë fonde buxhetore të miratuara për këtë qëllim.

Çfarë thotë projektligji për gjendjen në Serbi?

Sipas projektligjit, Serbia ka shënuar një prapakthim serioz në fushën e demokracisë, gjë që pasqyrohet në Raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024 dhe Raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë për vitin 2025, ku përmenden probleme të mëdha me sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave dhe korrupsionin.

“Qeveria e Serbisë, nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe koalicionit qeverisës, iu është përgjigjur protestave, të udhëhequra nga studentët dhe qytetarët, me masa që vëzhguesit ndërkombëtarë, Parlamenti Evropian dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara i kanë karakterizuar si masa që përfshijnë përdorim të tepruar të forcës, arrestime të protestuesve dhe presion ndaj mediave të pavarura”, thuhet në tekstin e projektligjit.

Aty shtohet se Qeveria e Serbisë po ndjek një politikë të thellimit të lidhjeve politike, ekonomike dhe të sigurisë me Rusinë dhe Kinën, ndonëse formalisht ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në projektligj thuhet se shembja e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona dhe të cilën shumë qytetarë të Serbisë ia atribuojnë neglizhencës së lidhur me korrupsionin në kontraktimin e infrastrukturës shtetërore, kërkon një hetim të plotë, transparent dhe të pavarur.

Duke theksuar se SHBA-ja ka interes të përhershëm për një Serbi të qëndrueshme, demokratike dhe sovrane, të përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë rajonale, si dhe të rreshtuar fuqishëm nga institucionet euroatlantike dhe të çliruar nga ndikimi malinj i jashtëm, projektligji kërkon që sekretari i Shtetit të ushtrojë presion ndaj Qeverisë së Serbisë për të mundësuar hetime të pavarura dhe të besueshme për tragjedinë në Novi Sad dhe akuzat për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve paqësorë, si dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë zyrtarët për të cilët konstatohet se janë përgjegjës.

Përveç theksimit të lidhjeve të Beogradit me Kinën dhe Rusinë, në tekst thuhet se Serbia dhe Irani kanë thelluar lidhjet teknologjike dhe politike, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së dhe komunitetit ndërkombëtar ndaj Iranit, si dhe se Qeveria e Serbisë dërgoi një ministër në Teheran si të dërguar personal të Vuçiqit në funeralin e ish-udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei, duke iu bashkuar delegacioneve nga Rusia dhe Kina në një kohë kur shumica e qeverive evropiane nuk kishin përfaqësuesit e tyre.

Edhe EXPO në projektligj

Projektligji kërkon që, jo më vonë se 180 ditë nga hyrja e tij në fuqi, në rast se miratohet, sekretari i Shtetit, në koordinim me drejtorin e Inteligjencës Kombëtare dhe sekretarin e Mbrojtjes, t’u paraqesë komiteteve të Kongresit një raport mbi shtrirjen e ndikimit politik, ekonomik, energjetik dhe të sigurisë të Rusisë në Serbi.

Raporti duhet të përfshijë gjithashtu shtrirjen e lidhjeve investuese, infrastrukturore, si dhe politike dhe të sigurisë ndërmjet Serbisë dhe Kinës, përfshirë të gjitha implikimet për interesat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, si dhe masën në të cilën lidhjet e ngushta ekonomike, politike dhe të tjera të Serbisë me Rusinë dhe Kinën kërcënojnë interesat e SHBA-së.

Përveç kësaj, sekretari i Shtetit, në koordinim me drejtuesit e agjencive të tjera federale, duhet që jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit, t’u paraqesë komiteteve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat objektiva specifike për angazhimin dypalësh që pasqyrojnë mjedisin politik në Serbi, përfshirë një vlerësim se si Dialogu Strategjik SHBA-Serbi do të kontribuojë në realizimin e këtyre objektivave.

Kjo duhet të përfshijë një vlerësim se deri në çfarë mase politika e jashtme dhe ajo e sigurisë e Qeverisë së Serbisë mbetet në përputhje me politikat e NATO-s dhe BE-së ose është larguar prej tyre, përfshirë edhe përmes lidhjeve me Rusinë dhe Kinën.

Në këtë kontekst, sekretarit të Shtetit i kërkohet gjithashtu të vlerësojë burimet dhe mjetet në dispozicion të partnerëve të huaj për mbështetjen e mediave të pavarura, shoqërisë civile dhe reformës së gjyqësorit në Serbi, të vlerësojë nëse Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë hapa të besueshëm për hetimin e tragjedisë në Novi Sad dhe akuzave për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve, si dhe konsultimet dypalëshe për çështjet e korrupsionit, prokurimit publik dhe sundimit të ligjit, përfshirë edhe në kontekstin e ekspozitës EXPO 2027.

Çfarë mund të fitojë Serbia?

Sipas projektligjit, nëse Qeveria e Serbisë ndërmerr hapa për forcimin e rrugës euroatlantike, përfshirë një hetim të besueshëm dhe të pavarur për shembjen e strehës prej betoni në Novi Sad dhe kërkimin e llogaridhënies për përdorimin e tepruar të forcës ndaj protestuesve paqësorë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duhet të ndërmarrë hapa për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë veprime për forcimin e institucioneve demokratike të Serbisë dhe qëndrueshmërisë së saj ndaj ndikimeve të dëmshme të huaja.

Presidenti duhet gjithashtu të ruajë dhe, sipas nevojës, të zgjerojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me Serbinë, në përputhje me harmonizimin e Serbisë me prioritetet e sigurisë së NATO-s dhe BE-së.

Më tej, sekretari i Shtetit duhet të synojë të avancojë më tej kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe shkëmbimet akademike ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë.

Që ky projektligj të shndërrohet në ligj, ai duhet të marrë mbështetjen e dy dhomave të Kongresit amerikan.

Ambasadori William Walker propozim partive politike: Aktivisti Faton Bislimi kandidat për president

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William G. Walker, u është drejtuar me një letër liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duke propozuar Faton Bislimin si kandidat për President të Kosovës. Ai është aktivist dhe politikan shqiptar nga Kosova dhe shërbeu si anëtar i parlamentit të Kosovës në vitin 2020.

Telegrafi ka siguruar letrën e ambasadorit Walker, në të cilën diplomati amerikan shpreh shqetësimin e tij për, siç e cilëson, bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Letra u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me kërkesën që emri dhe kualifikimet e Bislimit të merren në konsideratë gjatë diskutimeve për presidentin.

Letra është konfirmuar për Telegrafin, nga persona afër ambasadorit amerikan Wollker.

Letra e plotë:

Nga: Ambasadori (në pension) William G. Walker

Lënda: Propozim për kandidaturë për President të Kosovës

Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, ashtu siç jam i bindur se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nuk besoj se zgjedhje të tjera do të sillnin qartësi apo zgjidhje për këtë situatë, e aq më pak ta rikthenin Kosovën në rrugën e një qeverisjeje efektive.

Në mënyrë që institucioni i Presidencës ta ushtrojë me sukses rolin e tij, Kosovës i nevojitet një person me aftësi të veçanta dhe me përkushtim të fuqishëm për ta avancuar vendin drejt pozitës që i takon në botë.

Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë meritojnë të merren në konsideratë, por, sipas vlerësimit tim, asnjëri prej tyre nuk i përmbush në tërësi aftësitë, përvojën dhe profilin personal që kërkon posti i Presidentit. Prandaj, më lejoni të propozoj një emër.

Faton “Tony” Bislimin e njoh prej shumë vitesh. Kemi diskutuar shpesh për politikën e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për vendin e këtij shteti të ri në Evropë dhe në botë. Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e tij në mendim dhe për aftësinë e tij për t’i artikuluar dhe mbrojtur qartë qëndrimet e veta për çfarëdo çështjeje.

Sipas mendimit tim, ndër emrat që mund të merren në konsideratë, Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme, si dhe profilin personal që kërkohet për të qenë një President i suksesshëm.

Më lejoni t’i rendis disa prej cilësive që, sipas meje, janë thelbësore për ushtrimin me sukses të detyrës së Presidentit:

1. Njohja e botës përtej Kosovës

Fatoni ka jetuar, udhëtuar dhe studiuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Njohuritë dhe përvoja e tij ndërkombëtare janë të jashtëzakonshme.

2. Formim i shkëlqyer akademik

Studimet e Fatonit në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada kanë qenë të nivelit më të lartë. Po ashtu, aftësitë e tij si edukator dhe ligjërues janë dëshmuar gjerësisht.

3. Aftësitë komunikuese.

Fatoni zotëron në mënyrë të plotë shqipen dhe anglishten, ndërsa, me sa di, edhe frëngjishten.

4. Njohje e thellë e procesit të shtetformimit të Kosovës

Fatoni ka njohuri dhe kuptim të jashtëzakonshëm për rrugëtimin e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës së viteve ’90, si dhe për proceset komplekse dhe personalitetet që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Ai ka pasur gjithashtu kontakte personale me shumë prej akterëve të përfshirë.

5. Personaliteti

Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme sociale. Di të jetë i afërt dhe serioz kur situata e kërkon, por edhe të sjellë lehtësi dhe humor kur është e nevojshme. Janë të paktë ata që largohen nga një bisedë me Fatonin të zemëruar apo të pakënaqur, pavarësisht dallimeve në argumente apo pikëpamje. Pikërisht ky është lloji i personalitetit që kërkohet për një Presidencë të suksesshme.

6. Kandidat i konsensusit

Kosova ka nevojë të madhe për një President që perceptohet si përfaqësues i vendit në tërësi, jo i një partie, i një individi apo i një qëndrimi të ngurtë politik për çdo çështje. Fatoni nuk përfaqëson interesa partiake. Ai përfaqëson bindjet e veta dhe përkushtimin për një Kosovë më të mirë.

Me një fjalë, sipas mendimit tim, Fatoni i posedon të gjitha cilësitë e nevojshme për të qenë një President i suksesshëm i Kosovës.

Kërkoj vetëm që emri dhe kualifikimet e tija të merren në konsideratë gjatë diskutimeve tuaja.

Me respekt dhe me urimet më të mira,

Amb. William G. Walker

Shënim: Kjo letër u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në ndërkohë deri në publikimin e letrës nuk është konfirmuar nga LVV, PDK, LDK e AAK që e njëjta ka arritur në adresën e tyre.

Ndryshe Faton Bislimi aktualisht jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punon e avokon për çështjen e shqiptarëve./Telegrafi

Gjykata rrëzon vendimin e SHBA-së për pezullimin e vizave të emigrimit nga 75 vende, përfshirë nga Kosova

Radio Evropa e Lirë

Një gjykatëse federale ka rrëzuar pezullimin e vendosur nga administrata amerikane për shqyrtimin e vizave për migrantë nga 75 vende, përfshirë nga Kosova.

Sipas Gjykatës së Qarkut Jugor të Nju Jorkut, vendimi i administratës amerikane vlerësohet i “kundërligjshëm” dhe gjykatësja Jeannette Vargas tha se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka “tejkaluar autoritetin e tij” kur e mori vendimin.

Vendimi, që hyri në fuqi në janar të këtij viti, pezullonte shqyrtimin e aplikimeve të vizave për migrantë nga shtetasit e 75 vendeve, përfshirë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Po ashtu, në këtë ndalesë u përfshin edhe shtetet sikurse Afganistani, Egjipti, Brazili, Iraku, Nigeria, Somalia, Tajlanda dhe Jemeni.

“Departamenti i Shtetit do të pauzojë shqyrtimin e vizave për emigrantë nga 75 shtete, migrantët nga të cilët marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit në X në janar kur njoftoi për vendimin.

 

Por Vargas vendosi se zyrtarët konsullorë u udhëzuan gabim për të refuzuar vizat e migrimit duke u bazuar vetëm në vendin e origjinës së aplikuesit.

Administrata amerikane mund ta apelojë vendimin e gjykatës federale.

Para se të publikohej vendimi, më 4 janar, presidenti amerikan, Donald Trump, e publikoi në Truth Social një listë të vendeve migrantët e të cilave marrin ndihmë sociale nga Qeveria amerikane.

Kosova ishte në mesin e tyre, pasi 46 për qind e emigrantëve kosovarë që jetojnë në SHBA marrin ndihmë sociale nga Qeveria atje, sipas listës së publikuar nga presidenti amerikan.

Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare.

SHBA-ja rithekson thirrjen për formimin e institucioneve në Kosovë

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar thirrjen ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional.

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi.

Kjo është thirrja e dytë e ngjashme e bërë nga pala amerikane brenda pak kohësh, pasi kërkesë të ngjashme për bashkëpunim kishte shprehur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë më 12 gusht.

Thirrja e re amerikane vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht. Deputetët bënë betimin, por procesi nuk kaloi në fazën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Albin Kurti, në cilësinë e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë, duke thënë se ende nuk kishte marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdonte më 8 gusht.

Edhe në vazhdimin e 8 gushtit nuk pati kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi sërish kohë shtesë për konsultime me partitë, por pas kësaj deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas këtij incidenti kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.

Që atëherë, procesi ka mbetur i bllokuar. Dehari ka thënë se seanca e radhës do të thirret kur partitë të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, duke argumentuar se pa një marrëveshje politike nuk ka kuptim që seanca të mbahet vetëm si formalitet.

Ndërkohë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike, më 18 gusht Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me fokus te zgjedhja e presidentit të ardhshëm; pas takimit, të dy thanë se kishte vullnet për të gjetur një zgjidhje, ndërsa u pajtuan që në takimin e radhës të shqyrtojnë emra konkretë për president.

PDK-ja dhe Aleanca, në anën tjetër, kanë kërkuar që seanca të vazhdojë pa pritur një marrëveshje politike. Më 12 gusht, deputetë të këtyre dy partive u mblodhën në sallën e Kuvendit duke kërkuar nga Dehari që ta thërrasë vazhdimin e seancës, ndërsa pati edhe përplasje me deputetë të LVV-së.

Përveç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian u ka bërë më herët thirrje partive politike që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për krizën institucionale. BE-ja ka paralajmëruar se ngërçi politik dhe vonesat në zbatimin e reformave mund ta kufizojnë aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja evropiane.

Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027, ndërsa pagesat lidhen me përmbushjen e hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave.

Komisioni Evropian ka përcaktuar 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me vlerë të përbashkët prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë përmbushës ishte 30 qershori 2026, ndërsa 27 hapa të tjerë, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat deri në fund të dhjetorit.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ngërçi i zgjatur politik ka kufizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e agjendës së reformave të Planit të Rritjes dhe qasjen në financime të jashtme.


Send this to a friend