TIRANË-‘Durana Tech Park’, një entitet 100 përqind publik, me aksioner Korporata e Investimeve Shqiptare, aktiviteti i të cilit lidhet me teknologjinë, robotikën dhe Inteligjencën Artificiale, operon vetën virtualisht dhe ende nuk ka asnjë godinë fizike të kompanisë. Përpos raportimeve për një hetim të nisur nga SPAK, në lidhje me parkun e teknologjisë dhe lidhjet e saj me AKSHI, drejtoresha Florenca Haxhi ka publikuar një video në rrjetet sociale me qëllim sqarimin e çdo paqartësie lidhur me mënyrën e operimit të parkut.
Në videon e publikuar Haxhi shprehet se ‘Durana Tech Park’ vepron në bazë të VKM-ve të qeverisë përkatësisht nr.185 dhe 73 gjatë vitit 2024 dhe 2025 dhe prej fillimit është zgjedhur një mënyrë hibride e operimit dhe aktualisht veprohet 100% virtualisht.
“Durana operon bazuar në ligjin 58 të vitit 2022 si dhe në bazë të disa VKM-ve që kanë dalë gjatë vitit 2024 dhe 2025. Dy VKM-të më të rëndësishme janë VKM 185 që përcakton listën e aktiviteteve të lejuara në park si dhe VKM 73 e cila përcakton mënyrën e operimit në park. Mënyra e operimit është e tillë që në fillim parku operon 100% virtualisht dhe më pas pas ndërtimit të parkut fizik do operojë në mënyrë hibride. Kjo mënyrë e operimit është bazuar në shumë modele të tjera që ekzistojnë në botë dhe siguron që investimi i kryer nga qeveria për parkun të jetë në koherencë të plotë me kërkesat dhe nevojat që kanë rezidentët e parkut për hapësirat fizike në park,“-deklaron Haxhi.
Duke i qëndruar deklaratës së Haxhias, ZËRI verifikoi VKM nr.73 dhe nr.185, ku sipas dokumentit në asnjë paragraf nuk përmendet se ky park do të operonte virtualisht, por theksohet vendndodhja dhe sipërfaqja e parkut si objekt fizik, më konkretisht, në Xhafzotaj të Durrësit.
Në VENDIM thuhet: 2. Miratimin e hapjes së parkut teknologjik dhe shkencor, me emërtimin “Durana Tech Park”, me sipërfaqe 140 400 (njëqind e dyzet mijë e katërqind) m², me vendndodhje në Xhafzotaj, Bashkia Durrës, në pasurinë me nr. 336, e llojit “truall”, në zonën kadastrale 3852, sipas kufijve dhe shtrirjes territoriale, që përcaktohen në fragmenthartën kadastale, dhënë në shtojcën nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

DOKUMENTI
2. Kalimin nga Radiotelevizioni Shqiptar në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporatae Investimeve Shqiptare”, me NIPT: M01917011D, të pronave shtetërore sipas shtojcës nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi, me vendndodhje në Xhafzotaj, Bashkia Shijak, sipas dokumentacionit/kartelave të pronësisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. 3. Korporata e Investimeve Shqiptare në rolin e zhvilluesit të parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park” apo entiteti i krijuar prej saj do të përdorë pasuritë e paluajtshme shtetërore me nr. 338/1, nr. 318, nr. 310, nr. 324/2, nr. 324/4, zona kadastrale 3852, me vendndodhje në Xhafzotaj, Bashkia Shijak, në funksion të parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park”, të hapur me vendimin nr. 185, datë 27.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin nga Radiotelevizioni Shqiptar në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të pasurive të paluajtshme shtetërore nr. 336, nr. 338/1, nr. 318, në zonën kadastrale 3852, Xhafzotaj, Bashkia Durrës, dhe miratimin e hapjes së parkut teknologjik dhe shkencor Durana Tech Park”.
Ndërkohë në projektin që ekziston vetëm në letra dhe virtualisht janë regjistruar fiktivisht rreth 50 kompani, duke përfituar status fiskal të favorshëm, ndërsa aktivitetin real e zhvillojnë në Tiranë. Mes tyre janë kompanitë e dy biznesmenëve të dosjes së AKSHI-t, Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, në kërkim nga SPAK pastrim parash, shkelje e barazisë në tendera e kryer në formën e bashkëpunimit të grupit kriminal, heqje e paligjshme e lirisë, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Ermal Beqiri ka regjistruar kompaninë Data Storm, Nsolution dhe Al Soft, në Durana Tech Park. Në një tjetër rast, kompania Test & Tech figuron me pronar Ergys Agasin dhe me administratore Ina Cikon. Ina Ciko është njëkohësisht administratore edhe e kompanisë EA Solution, në pronësi të Agasit, e përfshirë gjithashtu në dosjen e AKSHI-t.
Teksa operimi ka nisur virtualisht, mbetet për t’u parë nëse do të ketë një ambjent fizik të kompanisë./ZËRI