VOAL

VOAL

DREJTORËT E DITOREVE SHQIP – Shkruajtur nga SOTIR GJIKA

March 10, 2018

Komentet

MONOGRAFI ME PESHË HISTORIKE PËR UNIVERSITETIN “FEHMI AGANI” NË GJAKOVË- Nga Tahir Bezhani

Aktivitet impresionues i SHI.”Jakova” në Gjakovë

Me 6.mars,2026 në sallën e Rektoratit u shënua 13 vjetori i themelimit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, me ç ‘rast u përurua edhe monografia “Themelimi i Universitetit Publik

Gjakovë-Kontribut i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova,” me autor z. Malush Tullumi.
Manifestimi i këtij përvjetori ishte aktivitet i përbashkët i Universitetit “Fehmi Agani” dhe Shoqatës së intelektualeve “Jakova” në Gjakovë. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, staf akademik e administrativ, student si dhe anëtarë të SHI. ”Jakova”, të cilët me angazhimin e tyre të palodhur ndër vite kanë dhënë kontribut të
jashtëzakonshëm në ngritjen kulturore ,arsimore e intelektuale të qytetit të Gjakovës e jo vetëm.
Prof.Ass.Dr. Drilon Bunjaku, Rektor i Universitetit “Fehmi Agani” në
Gjakovë.
Në fjalën përshëndetëse, Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, theksoi se kjo ditë përfaqëson një moment të rëndësishëm mbi rrugëtimin e kësaj qendre të dijës ndër vite. Shënimi këtij përvjetori dhe promovimi i monografisë si kontribut i intelektualëve të qytetit të Gjakovës, janë një garant thelbësorë në zhvillimin dhe rrugëtimin e sigurte të zhvillimeve tona intelektuale e shoqërore.
Rektori Bunjaku cilësoi me krenari emrin e Dr. Fehmi Agani, të cilin e bartë ky Universitet, emër i një personaliteti i cili tërë jetën ia kushtoj qështjes kombëtare. Për këtë arsye edhe obligimet tona janë akoma
më të përgjegjshme në arritjen e sukseseve të reja. Rektori një urim të sinqertë ua drejtoi studentëve, stafit akademik dhe administrativ.
Në fjalën e tij, kryetari i SHI. ”Jakova”, z. Ruzhdi Sefa, theksoi rëndësinë e përpjekjeve për themelimin e universitetit të Gjakovës, duke vlerësuar se përurimi i kësaj monografie përbën dehmi dhe rëndësinë e
rolit të intelektualëve të komunitetit dhe zhvillimin arsimor të rajonit.
Z. Malush Tullumi,autori i monografisë
Ndërsa redaktori i monografisë “Themelimi i Universitetit Publik në Gjakovë-Kontribut i Shoqatës se Intelektualëve “Jakova”, paraqet një dokument të rëndësishëm historik e akademik që dëshmon rrugëtimin
institucional dhe qytetar në ndërtimin e këtij institucioni të dijës kombëtare.
Për librin foli edhe recensenti e krijuesi nga Tropoja, z. Lulzim Logu i cili potencoi rëndësinë e monografisë dhe peshën historike që ky Universitet mban në ngritjen e vetëdijes dhe ecurive shoqërore e
njerëzore të trevës së gjithë Malësisë së Gjakovës.
Autori i librit monografik Prof. Malush Tullumi, në fillim të fjalës falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët, institucionet dhe intelektualët që kontribuar në realizimin e kësaj monografie, duke vlerësuar atë si një
dokument historik në themelimin e universitetit e që përbënë një obligim moral dhe akademik për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Në fund, z. Malushi, shpërndau disa ekzemplarë të monografisë familjarëve e akademikëve të cilët tani më, nuk jetojnë në mesin tonë.Ishte kjo si mirënjohje e kujtim vlerash të akademikëve të ndjerë.
Gjakovë,07.mas,2026

NJË PARALELE E PAMUNDUR… (Mbi hipokrizinë e një dogme të errët)- Esè nga REX KASUMAJ

Mars, 2026
Dy persë të mëdhenj takohen e largohen në kulturën e jetës.
Dhe, anipse i ndajnë shtatë shekuj, janë armiq të zjarrtë mes vete. Në fakt, janë idetë e tyre që as vdekja mëshiruese (njëri, dhjetor, 1273 dhe tjetri, qershor, 1989) nuk i bashkon dot.
I pari ishte madhnori Mevlana Rumi, poet i gjithnjohur sufist.
Dhe i dyti, ndërkaq, Homeini, prijës i brezit të ajatollahëve.
I hershmi kishte adhurimin e Muzës dhe frymës hyjnore, kurse i voni mallkimin e qiellit pse do të hidhte farën e shtypjes dhe tiranisë.
Rumi ishte mjeshtër i fjalës së bukur dhe mendimtar i urtë. Ndërkohë që Ajatollahu i parë pati vetëm predikimin e urrejtjes për ata që ishin jashtë rrezes religjioze të tij.
Mevlana, që nga thellësi e kohëve, thërriste: mbajeni larg Islamin nga politika, që t’mos detyroheni më pas të mbroni botën nga Islami.
Mirëpo, armiku i tij i moteve tona, Homeini, ripohonte poaq këtë ligjërim, veçse me vlerësim të kundërt: Islami ose është politik ose nuk është asgjë!
Rumi parathoshte Ditën tonë, ngaqë ishte pikërisht  Kryemullahu që konfirmonte batërdinë: ndiqte e shpallte katil-fermane për njerëz të lirë: të vegjël e të mëdhenj, të thjeshtë e të ditur.
Diku në Rusi gjenden akoma varrezat e quajtura të dyshimtarëve. Prehen aty, pra, ata që nuk ishin fare kundërshtarë. Aristokratë të mundur apo revanshistë klase. Por mjaftë që kishin guxuar qoftë dhe të dyshonin mbrëmjeve pranë oxhakut vjeshtor në triumfin e Revolucionit bolshevik.
Kurse në Persinë e Homeinëve dyshimtarët do të përfundonin ende më keq. Ndërsa bolshevikët justifikonin krimin duke thënë: i ka vrarë ideja e bukur dhe humane e komunizmit, dyshimtarët e mullokratëve i vriste Zoti vetë.
Sepse, thjeshtë, ata janë vetëshpallur mëkëmbës të tij që prejnë të bardhën e të zezën, të vërtetën e gënjeshtrën dhe jetën e mortin mbi Dhé.
Megjithë dogmën, hipokrizinë, armët a ideologjinë e tyre, sërish nuk mund të arrijnë tek porta e armikut që quhet madhërisht e përvujtshëm Rumi, emër i lartuar në qytetërimin njerëzor.
Asnjë humbje nuk është e fundit, kishte mësuar me deshpërim gjenerali i Markezit.
Ndaj, mullokratët i pret
kurdoqoftë disfata e rezervuar politike: shfronësimi dhe rënia historike e tyre. Është dialektika e gjërave që dikton rrjedhën.
E, mandej, ftillohet beteja e rëndë shpirtërore mes Rumëve e Imamokratëve,
për të dëlirur njeriun pers
nga barishtet e liga dhe, pra, një disfatë përfundimtare.
E ardhmja nuk i përket atyre…
I përket vetëm të pavdekshmëve. E i tillë është Rumi, poeti i mbikohshëm i botës!
R.

Gratë në vargjet e një poeti – Cikël me poezi nga Përparim Hysi

1. ÇDO GRUA

Çdo grua në vizionin tim është si  një lule
Dhe me të gjitha”lulet” ngrihet një lulishtë
Lexues,të lutem,këtë në kokë ngule
Dhe është mirë që me të të jetosh përjetësisht.

Çdo grua është punëtore si një bletë
E bukur është çdo grua siç është bukuria
Pa gruan as që do kishte kuptim një jetë
Pa gruan,shkretëtirë do ishte gjithësia.

Çdo grua është e mirë siç është paqa
Veç gratë luftra nuk duan kurrë
Bota pa gratë do qe  e shkretë si Saharaja
Dhe nuk i shkruaj vargjet me sikur…

Sikur gratë të drejtonin botën
Jeta e njerëzve,pa dyshim,do qe më e bukur
Janë burrat ata që”sëprapi” e vërtiin”rrotën”
Dhe bota gjithmonë është në kaos dhe turbull.T’i  duam e respektojmë gratë
SE ato janë”Nënat” që na kanë bërë kokën
Secila nga gratë,është e mjaltë
Se vetëm ato zbukurojnë botën.

                                                           Tiranë,7 mars 2026
2. Dashuri   gruaje
           (timeshoqeje,SIKËS)
Sa herë që shtrihem në divan,
Fap dhe dikush më hedh diçka.
Është gruaja,”vigjilente” që ruan
E njëjta kujdesje:mbi gjashtëdhjetë vjet e ca.Kurrrë,ndonjëherë,s’mbaj mend të ketë”harruar”
Dhe për kë? Për një”djall” si unë?!!!
Kjo kujdesje e saj, më ka”robëruar”
AQ,sa për të,të më zërë me shkumë.

Nuk do mend që ndihem i këndellur
Nga kjo”vigjelencë” e shenjtë e saj
Dashuria e saj kurrë nuk më ka “velur”
Ndaj këto vargje ia kushtoj asaj,

3.Kur them:-NËNË!

Kur them:-NËNË!
Sikur i kam thënë të gjitha.
Se aty është dhe malli,por dhe dhimbja.

Kur them:-NËNË!
Vjen dita,pas një nate të gjatë
Plot ëndrra të liga,

Kur them:_NËNË!
Nga shpirti më ikën hidhërimi
Dhe vjen buzëqeshja
Siç vjen pranvera,pas një dimri.

4.”Çfarë t’i thomë,NËNOS  PLAK”?  *
In memoriam.MUSINE KOKALARIT
“Çfarë t’i thomë,NËNOS PLAK”?
MUSINE,o moj zambak!
Diktatori,një dështak
Ta ktheu jetën,në farmak.Ca farmak e ca pelin
Herë me burg a internim
Por ti kurrë nuk u përule
Dhe për ne ke mbetur “lule”.

Lule që nuk vyshkesh kurrë
Trimëreshë që skuq çdo burrë
Brez pas brezi gjallë do mbetesh
Si “kometë” që,ndoshta,kthehesh.
* libri i MUSINES.

5. MARGARITA XHEPA- NDERI I KOMBIT
In memoriam
Kur zbriti ZOTI në  MYZEQE,
Sikur bëri “olele”!!!
SE të pa ty,moj MARGARITË
Ndaj dhe ZOTI u mahnit.Ti  qe dritë si është drita
Dhe e bukur siç është dita
Sa na shihje, veç buzëqeshje
Na buzëqeshje,se na deshe.

Dhe në skenë.po luante skena
SE ti qe vet legjenda.
SE në role vije shpirtin
Sill behar,dëboje dmrin.Tash ke ikur… hiç s’ke ikur
Ne me ty,nuk ndjejmë të nginjur
Por pa ty,si bosh skena
Si ARTISTE-vet legjenda,

                                                   Tiranë, 7mars 2026

Varret që flasin (Kushtuar familjes Jashari)- Nga ARIF EJUPI

Varre… vetëm varre kudo.
Një i panjohur do të pyeste:
Kush janë dhe nga janë këta njerëz?
.
Kurora lulesh dhe qirinj të ndezur
do t’i përgjigjeshin, porsi një orator i shkëlqyer:
Këtu prehen eshtrat e burrave, grave dhe fëmijëve
më të mirë të Dardanisë.
.
Ata, me gjakun e tyre, i dhanë emër Kosovës
dhe ia shuan përgjithmonë iluzionet e rreme
shtrigës së vjetër të Siberisë.
.
Këto varre, tempull lirie, e bëjnë botën të flasë.
.
Arif Ejupi
Gjenevë, 5 mars 2004

BJESHKËTORE- Poemë nga RUZHDI GOLE

1.

Tek rudina mujte me dal kur d’bora u mbështoll me shall,
unë mujta me dal shkullimesh trajtë e re prej bokërrime.
Me më rrethue u k’put nj’i ortek, desh më ra mos me pas
çik mend, nj’aty ti nën lëvore pjalm ledhesh, e përkorme.

.

Trajtë-trajtë mujte me dal kur d’bora rudine e hupi shall …

.

Fyelli i zanit pak ngri, me një re, mos me e pas zili,
s’ka ngri fyelli trumcak, kotkotkoti ndillet merak,
s’ndillet kotnasikotiki, ai ardh’ nga fis i lotit ku
secili tek ky fis rrjedh vrap arratish, arratish
ma tërpjetë tek pyjet … në një fyell retë
lozin motit e kurrma re s’ngrohin fyejt…

.

Me gjet’ gurrat buzë ojnash…
thirrma tingëllon geg’nisht
geg’nisht m’afrohet bora,

.

me pajtue urnat vjeshtë
u nis shpuza geg’nisht
përmidis syrit haresë

.

me ndez natën buzë dashnish …
geg’nisht tingëllon tan’ flora
borëtimi po shkri geg’nisht.

.

Prej duhive ma i hovshmi
si me ken azgan
prej motit,

.

lumni çel tana majat
si me ken Mari
lulnajash.

.

Miradie me më dal tek kreshtat
kena me u këqyr përtej mnie,
puq jena…jena veç pendesa,
dy kodrina ledhatimesh.

.

Trandafilisht me t’pa tek kodrat
s’ndi se kund turfullon noj bishë,
veç prej teje u tulat borëbota
shkri mos shkri veç një gisht.

.

Veç një gisht
thëthin botëbora
tej mnie me u këqyr,
puq ne pendesa fjollash,
kodrinë ledhesh me një gurrë…

.

Me dal fill, falur faj
me gjet’ gjeth nj’i
dashni maj,

.

gazmend maj
me çel fill,
faj’ vyshk
belbëzim,

.

me gjet’ gjeth
nj’dashni
maj,

.

hire pemëza,
m’u gjegj
sot mue
frut i saj.

.

2.
Kokrra e qershisë me t’u ba vath,
mnia përmidis skuq ndillet gaz.

.

Oh, me plastë mnia, ndijmë
pak ofshamë, oh, me plas
ofshama ku ta gjejmë
një zanë ?

.

Kokrra e qershisë
skuq ndillet gaz,
mnia përmidis …
t’u bëftë
buzëve
xixë.

.

Vathi përmidis
kokrra e qershisë.

.

Pashë nj’iheri ca zymbyla,
erëra ndolla, ndolla frymëra,
pashë nj’iheri përrenj carrokë
herë zbathur, herë toç në kokë,

.

pashë nj’iheri gufmim kurmi,
ëndrra pik’ pa pikur zulmi,
pashë
nj’iheri ca zymbyla,
trumba ndolla, frymëra.

.

Me të ndjek me një zambak, një zambak,
ku ngadalthi, ku me vrap, vrap ngadalth’,
me të ndjek me nji zambak në vrundulli
në vrami me shkri pakndopak dimërthi,
me të ndjek me zambak, zambak florë,
ku me t’gjet me t’lanë me ik dvorë ?.

.

Vrunduj – vrunduj me u shkri…
vrap ngadalth’, tej dimërthi…

.

3.
Bukuria k’cim rrok bukurinē,
q’andej ardhi tjetër flaut
buzë më buzë xixëllimë,
Ujëvara plot lulnaja
duart …
një flaut xixëllime
jetonte tinguj
të shkuar,
K’cimi
nuk u hesht,
jetë e re në kreshtë…

.

Prej bukurive me u begat
po i gjej vjollcat
tek ty dihat,

.

gjeta vjollcat shpejt njitash
sa më mbajnë mend,

.

në ç’gjuhë t’u flas?

.

Sa më mbajnë mend ato dalldie,
sa i mbaj mend fisnikërisht,
me begat prej bukurive…
gjej, s’gjej ma vjollca
dashnish…

.

Si kumbisje hap më hap
duke ndrit’ edhe terrën
duke xan ernat në çark …
Terr dukej dhe rrëpira,
errësira çark
për
erën,
duke dashtun
vetëtima
t’mbillja
shkula
veten degëprerë.

.

Si kumbisje ti hap më hap, …
dimrit pa dimër bjeshkës
shteg kërkoja
të të kqyrja
gjatë …

.

Shpejt të ndolla bukuri,
hupa unë a s’më gjete ti,
a më gjete e s’i the askujt,
ardhe hanë njiherë me bujt?

.

Me e pa, me e gjet
ma t’bukurin
gazmend ?

.

S’hupa unë, s’më gjete ti,
vogëlth endemi
vocërri …

.

4.
C’u dishrush me t’pa, tinëz je … je ti gjithkah ?
C’u dish’rue me të ndih dhe vetmia gaz gurrni.

.

Ti je Zana ?

.

T’kam pa tuj rend, prej rudine t’sjell vah ndërmend,
fjollë e butë, gurrë vrap,…kenka thanë me të dashtë ?

.

Kenka thanë me t’dashtë tej krysh pa i thanë gja kurrkujt
prej natyre frymëz yjesh, trup harlisur pa cen, plot nyje.

.

Jam Zana jo prej hane as përralle, mos më tut më ngit
ke me hup gjithë mirësitë…C’u d’shirush me të thanë
se nj’i lum e don nj’i hanë, se nj’i gaz e don nj’i trill
kenka thanë me të dashtë fjollë frushullimë.

.

Me t’pa ç’u dishrush tej vetmie si askush…
Ku me e gjet dekikën
dekikë t’pabjerrur
tej reve rendjen
më të prushtë,

.

pritur natë parrejtur
rrejt’ sy dhe vetull
tutje nga të tutë ?

.

Ku me e gjet dekikën
bredhje krahëruar
me u ngjit
shpejt
alp…

.

ku s’bien borëra
ku shohim
veç duar

.

gishta të ylbertë, të nartë ?

.

Vetulla jote vetullon çel,
pjergulla jo kacavjerrë,
as vjerr as kacafyt
dora jote
e lumtë,
paqtë shenjti
çdo xixë mbi terr
jo fytas kacavjerrë,

.

jashta, jashta s’gjeta vetull
shkoq shkërmoq
gjithku tash

.

ma e shtrenjta pjergull…

.

Si me ken nj’i sokol prej rrezesh,
gaca gacash nj’aty të qeshet,
nj’aty me t’marr nj’iherë
me t’pa dimër je a çel,
me t’pa në je cullak
me dy – tri gishta
në farkë.

.

Farka vet asht ndez nga cuca,
cuca s’tjerr ma gja
tek furka,

.

bora borës
sytë i mbyll
me ndigjue
zanin zym’yl.

.

Mot’ i ri, me gishta gacash,
sa e pa n’ji sokol prej
rrezesh, sa e pa
nji cucë rudine,

.

nuk la më asnji
gja nga plasat
u përndrit
tisnajë
çeljesh

.

nga kjo farkë shkëndijimesh…

.

5.
Maje gishtave po kumbiset bora
shushurin në bjeshkëtore,
mahnitja, e përkora,
s’din a s’don
të dashuroj
sonte ?

.

Mahnitja
dhembshurisht, …
borëton në bjeshkëtore
më ngrohtë … në çdo gisht…

.

Me u k’put përmidis, përmidis me u tut,
ardhi mbramja me pishë, era erës i gris’
këmishë, bora del me shëtit në shkurt.

.

Me tisnaja vrapoi zalli, ariu me gëzof,
nëse jena njitash së gjalli
jena, s’jena tjetrit mot …

.

S’jena ftohur, tash së gjalli,
përmidis pa k’put e tut,-
bora gishtash alpet
mardhi,
Alpet ia
pinë borës
kupëzat
me qum’sht.

.

N’se jena tash së gjalli
tjetrit jena
gaca mardhurit…

.

6.
Qielli me verige yjesh, oh ç’romantikë !

.

I përkryer shkon me marr
një hanë – nuse
prikë paqtë
pa prikë.

.

Mbramja nusërisht vjen
të takoj shpejt bandill,

.

cili je ti, më thuej krenisht
zambak i gjithi, gjithçkaje
turfullimë.?

.

Romantika tret
plot bistakë yjesh
zjarret e vegjël ende pakryer.

.

Oh, ç’romantikë…Qielli verigë…

.

7.
Ç’don me thanë tek çel, çupit
cipëz vlage, fik ftohma … ik’?.
ç’don me thanë teksa rron
tana fruta, verige hollë ?

.

Ç’don me pri një shkrep bujar ?
sqep orteku gjysma përrallë…
çka më sjell ndërmend risk
ç’don me thanë çel çupit?

.

Dashni të pastra më të fisme,
diku brengëz, diku harlisje,
vezullues me u pa
gaze t’hirta jena
puq e nda,
shumë herët ne ma të rinj
pak zbeh’, pak me u ndih …

.

Shporeti, sy zgjue, fërkon duart gaca
tue prit t’mirat bujtje gazmend natë,
cili më shpejt e braktis me gjasa
frikën, fryme nj’iheri, nj’itash.

.

Dekika bredh ujku rrotull (jo)brenda nesh,
nesh, nji shporet tjetër i ri fërkon gacat,
tue prit t’mirat bujtje nga çdo bjeshkë
frikë k’cen britma, asnjëheri flaka…

.

Sytë tanë vesë, vesë maraku
pikëlojnë nj’i degëz bjeshkë
a po çilet syn’ i agut
a u rrok pendimi
rrezm.?

.

Rreze hanëza lodrive
me u dashtë çelët
me pa si piklojnë
andrrat
me pa si çilen
bjeshkët.

.

Sytë tanë vesë, vesë maraku,
me na mbajt…na mban gjaku.

Zhurmë për kolltuk- Poezi nga ARIF EJUPI

Ç ‘është gjithë kjo zhurmë e stihi,
që shkatërruat vendin për kolltuk e parti?
Derisa formuat Parlament e Qeveri,
luajtët me ne sikur të ishim fëmijë.
.
Erdhi koha për President –
prapë me avazin e vjetër filluat, pa menduar
se Kosovën në humnerë jeni duke e çuar.
.
O të mjerë e batakçi,
përse mizën e bëni buall,
kur kjo çështje rregullohet fare lehtë?
.
Oh, ç’e keqe me ju na gjet!
Nga lakmia për privilegje e pasuri
e latë Kosovën pa të ardhme e pa rini.
.
E anijen pa timon –
a jeni kokëkrisur apo shejtanë?
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 3 mars 2026
.
Shënim:
Kjo poezi lindi nga zhgënjimi i thellë ndaj papërgjegjësisë politike dhe lojërave për pushtet,
që shpesh vendosin interesin personal mbi fatin e shtetit.
Ajo është një thirrje morale kundër lakmisë për kolltuk, e cila e lë Kosovën si “anije pa
timon”, pa drejtim të qartë dhe pa shpresë për rininë.

ZËVENDËSMINISTRI -Tregim humoristik nga Shkëlqim HAJNO

Në kohë të monizimit, Ivan Vilëza punoi pothuaj për njëzet vite me kamion si shofer në NFP -Ndërmarrjen e Furnizimit të Punëtorëve në qytetin e vogël industrial.
Të mos ia hamë hakun, Ivani, për të gjithë ata që e mbajnë mend, ishte edhe aktor amator i estradës në kinoteatrin e qytetit “Lulet e Karaules” dhe çmendej pas fisarmonikës së Dhimitër Jerit (Perit)
dhe Spiro Reçit (Krecit).
Tani në moshë të thyer, ka dëshirë të rrëfejë ndonjë “akrobaci”, të atyre kohëve, siç thotë ai.
“Për mua do të mbetet i paharruar shefi im, Filipi, një ikonë. I shkathët dhe babaxhan..”- tregon shoferi i dikurshëm i NFP-së. “Në atë teatër të madh të direktivës të realizimit të çdo gjëje me forcat tona dhe të parullës “EDHE BAR DO TË HAMË DHE PARIMET NUK I SHKELIM”, edhe shef Filipi , jo si ne amatorët e estradës por, si profesionist i vërtetë, një herë, e luajti një akt teatri me zarar të madh po që i doli me sukses.
Rakoja, miku i tij edhe ky amator i skenës, e ngacmon: ” Aman të keqen, na trego si ishte shef Filipi, ta dëgjojë edhe ky shoku i Gonit nga Tirana.”
“Ai ishte një burrë shtatlartë, si Brezhnjevi apo Jelcini , ose po të doni edhe si shoku Rita që priste shirita, por, më i qeshur se ata. Sa herë ndërmarrja ngecte keq për ndonjë furnizim, se ne atëhere luftonim ” nga fitorja në fitorje”, nga bllokada ne bllokadë, siç thoshte Hirësia e tij Udhëheqësi, dhe më të moshuarit sot e njohin mirë atë kohë; duhej që gjendeshin medoemos zgjidhje për problemin. Kujtoj se ishte një krizë e atyre muajve edhe për goma makine për NFP- në. Kjo, një fjalë goje duket tani por, po nuk kishe goma, domethënë shollë për të ecur makinat e NFP-së, me se, do të furnizoheshin mensat e minatorëve? 3000 minatorë babam, jo shaka! Me se, do të furnizoheshin dyqanet e MAPO-s së qytetit, njësitë e restorantet e punëtorëve, furrat e bukës? Kjo, ishte çështja.
” Nafta çan bllokadën!- citon Rakoja, duke kujtuar një parrullë të atyre viteve të lavdishme të tallonave socialiste. ” Në rastin tonë, do ua them me të vërtetë: teatri , estrada çau bllokadën! Mos u habisni! – thotë Ivan Vilëza.
“Po ti Ivan, luajte gjë në atë estradë?
“Vetëm një rol episodik, siç thoshte regjisori i kinoteatrit tonë ” Lulet e Karaules”, Note Buza. “Ivan, -më thotë i mëzitur një mbrëmje Shefi, te Taverna e Manit pranë qendrës së qytetit. “Për nesër, bëje makinën gati se do ikim në Durrës, pa u gdhirë, në katër të mëngjesit. “
“Si urdhëron Shef! “
Ndryshe nga herët e tjera, e kuptva që kishte një hall që ia kishte fshirë si me gomë buzëqeshjen e përhershme.
“Eja, të pimë një kafe këtu, – më tha,- se dua të të tregoj nja dy gjëra për nesër që duhet t’i dish vetëm ti dhe të mos bësh muhabet me askënd. As me shokët. As në shtëpi. As me nusen! Isha dhëndërr i ri. Kisha tre muaj i martuar. U ulëm te Taverna e Manit.
“Dëgjo këtu, m’u drejtua me zë të ulët sikur do më kallëzonte ndonjë sekret.”
Unë: “Urdhëro, shef Filipi!
“Më thirrën në Komitetin e Partisë të Qytetit. E kemi litarin në fyt, më thanë. Na e hiq! Ç’ ke njohje, miqësi, krushqi, kredi…e ç’të duash, tani na duhen. Makinat e NFP një nga një siç e di, po ngelen në tako ose
nëpër rrugë. Na duhen urgjentisht goma për makinat. Planin e gomave e kemi ngrënë dy herë. Këto goma kaq mbajne se jane me riveshje vendi, nuk janë te reja. Dhe goma me riveshje gjen vetme ne fabrikën në
Durrës. Të tjerat ti i di vetë më mirë se ne. Partia, ty të ka vënë shef dhe Partia nga ti e kërkon zgjidhjen e kësaj situate. Gomat nuk na bien nga qielli. Këtë e zgjidh vetëm di. Koha filloi!
Do ta tregoj gjatë rrugës sesi do të veprojmë, më shpjegoi. Rëndësi ka që të kthehemi me mall, me goma në qytet . Kaq. Ti do t’i vësh gojës tenio. Si vuvi, as edhe një fjalë sesi do të veprojmë për të siguruar mallin!
Dhe gjatë rruges kur po mbërrinim në Durrës ma trego planin. Unë do të shkoja para tij për t’u paraqitur në dyert e fabrikës së gomave me riveshje. Ata në magazinë dihet, do më thoshin se goma nuk ka, se e NFP e ka marrë planin, madje dy herë. Por unë do t’u lutesha duke thënë se ” Unë këtu do të fle dhe nuk iki pa goma….! Pas tridhjet minutave aty do të paraqitem unë me një veturë “papritur” .Por unë, këtë herë, mos u
habit: do të jem Zëvendësministri!
Dhe vërtet. Akti i teatrit vijoi sipas parashikimit te shef Filipit.
Unë isha bërë i bezdisur duke e lutur magazinierin. Madje sapo i kisha deklaruar se: Unë këtu do të fle këtu në makinë dhe nuk largohem në NFP pa goma! Ndërkohë në hyrjen e ndërmarrjes madje, fiks para portës së magazinës ku unë debatoja me magazinierin befas u shfaq Ai. Zbriti nga një makinë ” Fiat”.
Veturën tok me shoferin e la te hyrja fabrikës. Pastaj. ashtu madhështor do të ecte drejt magazinës së ndëmarrjes ku unë ende po grindesha
– Mirëdita shokë të fabrikës! Mirëdita djalosh?- m’u drejtua sikur nuk më kishte parë kurrë më parë.
-Nga të kemi ty more djalosh?-përësriti.
Unë, kaq doja dhe nisa breshërinë:
– Shoku Zëvendësministër, unë vij nga larg kam udhëtuar gjithë natën. Jam i NFPsë në qytetin E… Ndërmarrja jonë që mbulon nevojat e tre mijë minatorëve, ka mbetur pa goma dhe unë nuk kthehem i gjallë atje
pa një furnizimin me goma…. Shoku magazinier thotë që planin e kemi ngrënë…
“Zëvendësministri” i sapombërrituri. ashtu madhështor me pamjen si prej një anëtari te Byrose Politike, me pallton gub ruse te viteve ’60, iu drejtua magazinierit.
– Si ju kemi shoku magazinier? Si i keni nga shtëpia? Ç’thotë puna juaj e vështirë?.Si jemi këtë vit me planon e shtetit?….
Unë rrija si i mpirë.
Maganzinieri u ngrit vrik në këmbë nga e papritura e vizitës së qeveritarit Zëvendësministër.
“Faleminderit shoku Zëvndësministër! Faleminderit. Përpiqemi. Në të vërtetë ka edhe vështirësi se ja, si rasti i këtij shokut të NFP-së nga E. po ka edhe të tjerë, Por me ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë Partie, ju
them se kjo ndërmarrja e NFP-s dhe bëri me kokë nga ana ime ,- e ka marrë palnin e saj të gomave shoku Zëvendësministrës madje, ka marre edhe shtesa mbi planin…
-Ashtu-uuuuu?!- u habit Zëvendësministri.
Magazinieri atë çast m’u duk fiks sa gjysma e shtatit madhështor të “Zëvedësministrit”.
I sapoardhuri nga dikasteri i ra lehtë në supe magazinierit.
“Ju kuptoj drejtë, shoku magazinier. Ne në Tiranë ju kuptojmë mjaft mirë ,- dhe në pastaj e hodhi vështrimin nga unë.
” Shoku magazinier, po ndërmnarrjne e NFP-së që mbulon me furnizime mbi tremijë minatorë, si thoni ju: pa goma për makinat qytetit do ta lëmë ? Kemi dëgjuar fjalë të mira edhe për fabriken tuaj. Edhe per ju
personalisht se ne, dhe bëri me kokë shenjën atje lart,- domethënë atje sipër në Ministri, kuptohet që e njohim gjendjen dhe i dimë të gjitha se jetojmë me situatën.
“Faleminderit shoku Zvendësministër po dua ta dini se NFP-ja në fjalë, e ka ngrënë planin bile, edhe mbi planin,- dhe syzet që mbante ne dorë i la mbi tavolinë duke fërkuar ngadalë duart.
“Ju kuptova shumë drejt, shoku magazinier. Ne e njohim përkushtimin dhe devotshmërinë tuaj, shoku …
-Zenjo-u prezantua tjetri
Por sot rregullojeni dhe ndihmojeni që makina e NFP të furnizohet dhe ky djalosh ta përmbyllë detyrën që i kanë ngarkuar kllasa jonë punëtore e minierës, minatorët tanë heroikë!
“Siurdhëron shoku Zëvendësministër!
Atë çast zyrtari i mbërritur nga Tirana duke i rënë lehtë në supe magazinierit shtoi
“Ne,atje lart, nuk do ta harrojmë përkushtimin tuaj shoku magazinier, shoku Zenjo.
Pastaj na dha dorën të dyve duke thënë:
“Mua do më falni se kemi një mbledhje me shokët në Durrës,-dhe u largua qetë-qetë për nga hyrje e fabrikës ku tashmë ish afruar “Fiati”.
“Nëne nëne!-thash atë çast me vete. E dija se vetura që do ta çonte deri ne plepat e Durrësit ku kishim lënë takimin e kthimit, do priste sipas planit të ideuar nga shef Filipi.
“Nëne-nëne”, përsërisja me vete kur punëtorët po ngarkonin karocerinë e makinës sime me goma të reja dhe tek e shihja këtë pamje më dukej sikur i kisha vjedhur atë mall. Që ta mbliodhja veten hapa kofon*)
(mbulesën e motorit) e makinës dhe nisa të pastroja kuturu me nje traço trupin e motorit.
***
Atë ditë nata na zuri në afërsi të qytetit. Ishim kthyer fitimtarë me makinën plot me goma. Duke hyrë në qytetin me drita të ndezura, shefi Filipi më thotë:
“Ivan, nesër bëje pushim se je i lodhur.
Unë: “Nuk jam i lodhur. Do dal në punë.”
Ai më vuri dorën në sup: “Zbato urdhërin e eprorit: nesër do ta bësh pushim! Qëndro me nusen dhe prindërit. Kështu siç të them unë! Ky është urdhër nga lart! Doja t’ia ktheja si gjithmonë: ” Si urdhëron Shef!”,
po nuk di si më doli nga goja :
“Faleminderit, shoku Zëvendësministër!”
___
o0o___

NË PUKË TE SHKOLLA E MIGJENIT- Poezi nga KONSTANDIN DHAMO

Kur hyra në klasën – muze
Kërkova përnjëmend Migjenin
Ta përshëndesja nxehtësisht.
.
Zura vend në një bankë
Si nxënësit e tij të mençur, dikur…
Eh, duhej të përgjigjesha
Në mësim…
.
Kush nuk qahet nën zë
Këtu, Migjen,
Madje më zi se në kohën tënde.
.
Partiqeveria përgjon e gjurmon
Gjarpërisht gjithkënd;
Varfërimi i shqiptarëve
Është strategji ideologjike.
Dhe, s’ka më kishë,
Xhami nuk ka më.
.
Një prift
Që e vunë të ngulte gozhdë
Në një punishte qerresh, në fshat,
E burgosën, sepse pagëzoi
Fshehtësisht një fënijë …
,
Por s’u ngopën dhe,
E pushkatuan mizorisht…
Tashmë ka vetëm policë dhe ushtarë
Dhe një masovik pijanec
I vatrës së kulturës,
Që tek qendron në sfond
Të veprave të kuqe t’Enverit
U rrëfen të rinjve
Sesi, një partizani të rënë
Në luftë kundër pushtuesve
I gjetën në gjoks Vargjet e Lira,
Të shpuara nga plumbi,
Me gjak të dekoruara…
.
Por,masoviku kurrsesi s’u thoshte dot
Se, ky episodi, Migjen, i partizanit hero që përpinte ethshëm
Mes zjarrit të luftës
Frymën e lirisë nga libri yt,
Mrekullisht ndoshta të shpëtoi
Dhe paradoksialisht,
Nga censura e Enver |Hoxhës !
Dëmi i saj pesëdhjetëvjeçar,
I rëndë poet do t’ish,
Tepër i rëndë,
Siç ishte për Fishtën,Koliqin,
E për kë s’ish…
.
Prej letrave q’i nisje miqve të tu
Kuptohet se dilje shpesh
Dhe vetëmoheshe tek shëtisje
Këtyre hapësirave të pjerrëta
Të kristalizuara nga bora rrëzëllitëse,
Apo të bleruara sensualisht
Nga pranverat e brishta të bjeshkëve ,
Teksa shqiponjat n’ajër
Kërleshnin sqep e kthetra
N’erotikë t’egër si te Uitmani…
.
Ah ç’letra poet, ç’letra,
Traktate të vërtetë filozofie.
Mendoheshe e mendoheshe, Migjen.
.
Integriteti yt prej gjeniu
Çdo herë të shpëtoi
Nga llumi i injorancës provinciale….
.
1988

Dy proza poetike nga RUZHDI GOLE

GROPTH’
Sikur s’e pashë. Sikur të më shihte ajo do të më gremiste. Do gremisesha vet po t’i afrohesha. Po t’i afrohesha natën. Ajo s’bën zë. As dritën nuk e njeh.
Mundt’i bjerë pak hënëz. Qarkuar me një shirit të ndritshëm. Dukej edhe i kuq edhe i zi, zikuq në buzët rrethrrotull. Iu afrova i çuditur. Baltovinë, ujërat pis. Kërkohet… çfarë kërkohet këtu poshtë, ç’kërkojmë ne gjithandej, ç’mbulojmë?
M’u afrua një pishë. Dukej e lodhur, tek-tuk me pika uji në bohçet e saj. Uji i pastër sjell nga shiu. Mirëkuptohen shiu dhe pisha. Shiriti sikur u squll, përsipër i ranë cikma balte. Poshtë, jo aq thellë, jo aq terr. Guvë kjo, gropë kjo, e çarë vetiu, hon këputur nga nata ?      Pisha ngriti një nga bohçet, e shkundi. Mua më ranë cikmat në fytyrë. Paqtë. Pisha u tërhoq pas e shkoi tek të tjerat. Sikur s’ishte këtu me mua. Nuk i mbajta mëri. Kjo pishë më ka mbajtur nën kurorën e saj në diell e shi. Asnjëherë s’pashë ndonjë shirit rreth saj. As të zi, as të kuq, as të verdhë, as jeshil. Po pse e kishin rrethuar honin para këmbëve të mia ?
Ta shihnin e t’iknin, t’i afroheshin, të zgjateshin të këqyrnin çka dukej turbullt aty poshtë a të brohoriste njeriu e të hidhej tëposhtë? Si do të ngjitej lart? Nuk donte të ngjitej sot, sonte? Shkoqiteni mirë fjalën, shkoqiteni thellë.!!! Po ra në gropë si do të ngjitet lart? Këmbë e duar, me thonj? Litarë s’ka. E kush ta afron litarin sot për t’u ngjitur përpjetë ? Në qafë ta varin!      Po pse ne shpesh hapim gropa kur s’ka më florinj? Thonë se edhe në bankën :”Beso, s’të gënjejmë”(paksa i gjatë si shiriti i gropës ky togfjalësh) ne nuk këmbejmë të hollat tona të vërteta por të vërtetat gënjeshtra me djersën tonë.
O miku im, secila gropë, kudo që ta shohësh, edhe gropa e gopit (o, ç’paturpësi, më falni ! ) nisen nga kjo gropë që unë shoh tani. Eja, ta shohësh, mos u vono, se nesër mund t’i bëjnë gropën këtij honi, ta mbulojnë.
Gropa m’u zhduk nga sytë. Pisha po ecte, por eckërka dhe gropa si plagë kodre ?
SYRI TJETËR
Ai, gjithë shirat sikur do i pinte vetëm sonte. Nuk do i pinte, por do i shkundtte. Gjithë erërat do e rrihnin nga koka tek shputat. S’do e rrihnin. Ai do i përzinte. Doja ta takoja, isha mbathur mirë. Ku i dihet nga ç’krah vjen shiu edhe më me rrebesh, nga ç’krah vjen era. Ai aty do mbetej. Po unë?
Dukej, zhdukej syri më i madh i qytetit, ndoshta i dy qyteteve, them ndoshta, sepse i moshuari qytet rrudhej herë tek amfiteatri, herë tek kulla Anzhui.
Lashë gropën me shirita, (mos iu afroni gropëzës, ju lutem! ), pashë pemëzën e frymorit besnik, tharë e përtharë. Hova përpjetë. Ditës këtu kullosin të tjerë frymorë. Prej tyre pijmë qumësht kodre. Me bisht të syrit pashë portën e ndryshkur të Vilës mbretnore, më pak se asnjëherë mbretnore.
Nëse don të hysh duhet të paguash – më tha njëdizaj rojtari.
– Ç’të paguaj, zotrote? Ndryshkun e portës, rrënojat ?
Hajdutët hynë këtu pa paguar, shkulën..
S’i pa askush as me bisht të syrit. I panë në ditën me diell…
Kujt i fola : pishës, erës, rojtarit? .
Grabiti, s’grabiti mbreti…një popull. Po
ky popull i pranoi eshtrat e mbretit
dhe ca nga të tijtë, nuk ishin pak ata, i
vodhën e përshkelën pastaj edhe stemën ?
Ç’ka po më duhet kjo mua ? S’më ka
vjedhur kush as i përlyer s’jam.
Arrita aty ku Ai pinte shirat, nuk i pinte
po i shkundtte, aty ku Ai rrihej nga erërat
detare, nuk rrihej por i përzinte ato.
Një erë e rëndë bagëtish qelbte dynjanë.
Një gardh telash ia kishin qarkuar
këmbët. Kryeve s’kishin ç’t’i qarkonin.
Syri i madh i shkëlqente. Zbriste nga
kodra, vrapimthi shkonte në det, u rrinte anijeve mbi direkë, i sillte në port, i
përqafonte, kthehej shëndosh e mirë tek maja e kodrës në vendin e vet.
Veç me një sy. Ia pashë syrin mes një
drite të meket…paksa përlotur. Trupin
s’ia preka dot. S’më linin telat.
Natën e mirë, fari im,
natën, far i të gjithëve !

DO HAMË SËNTE* – Tregimth humoristik nga Shkëlqim HAJNO

Si mësues që shkonim nga qyteti në fshat për të dhënë mësim çdo ditë, flinim ndonjëherë dhe në fshat kur kishim mbledhjet me prindër. Ditët e enjte.
Qyteti ndodhej pesëmbëdhjetë kilometra larg dhe në grupi i mësuesve iknim për në shtëpi me autobuzin ndërqytetës mbi pasarelën e lumit Drino. Autobuzi qëndronte për ne pranë një lapidarit që përkujtonte
luftimet e partizanëve në një pritë me gjermanët që vinin nga Gjirokastra, në dyzet e katrën.
Por, të qëndroje në fshat dhe të mos shkoje nga MAPO, që ishte njëlloj marketi i kohës ku shiteshin artikuj industrialë dhe ushqimorë, ishte aso vitesh si të shkoje në mal në mes të gushtit dhe të mos pije ujë nga kroi
që të shfaqej befas në udhë.
Mësues Përparimi i historisë dhe gjeografisë, miku im i mirë, me cigare në dorë, para dhe unë, si mësues jabanxhi *) ( i ardhur nga një vend tjetër), pas tij. Hymë te dyqani METRAZHE. Qetësi prozaike e
prajshme. U përshëndetëm miqësisht me shitësen dhe Përparimi bëri për nga dera. E ndoqa pas.
– Shkojmë nga ana tjetër, andej ka zhurmë dhe pak gallatë se është dita e rrogave sot. Kanë marrë paratë e pesëmbëdhjetditëshit punëtorët e sektorit të fermës *) (ndërmarrje bujqësore) tonë- tha kolegu im.
Hymë te dyqani:
BYLMET-FRUTA PERIME. Zhurmë e zallahi. Majtas, radha e burrave. Njeri pas tjetrit. Të qetë. Pothuaj, të pagojë.
Dikush thithte cigaren i menduar paf-puf.
Djathtas, radha e grave, ku zoti kishte hedhur pa kursim hiret e së bukurës që dallohej lehtë megjithë stërlodhjet e ditës në fushat e bujqësisë. Nga aty vinte zhurmimi më i madh po edhe një gazmend i pakuptueshëm për mua. Nga kjo radhë ishte pothuaj trefishi i blerësve të radhës së majtë, asaj të burrave.
Ndryshe nga muzgu i krahut të majtë, ato, ishin më të qeshura dhe u ndrinte fytyra siç thuhej aso kohe, si fillim pesëmbëdhjetditëshi*) sapo ishin marrë rrogat) ku optimizmi atë mbrëmje rrogash, ishte ngritur në
pikën më të epërme të kolonës së zhivës.
Hyn nga jashtë një burrë me mustaqe që unë e njihja.
Ishte Demo, një traktorist me pamjen e Pugaçovit te “Vajza e kapitenit” e Aleksandër Pushkinit. Me pak mustaqe namusli dhe një vështrim të mprehtë, pas pak, kuptova tipin e tij prej hokatari.
Shkon direkt i pari në radhë. Burrat reaguan të indinjuar që ai prishi drejtësinë e radhës së blerësve dhe ritualin socialist: një burrë- një grua.
– More juve, ç’keni që bërtisni“!?-u foli të majtëve të radhës.
Dhe shtoi duke vendosur ngjitur me peshoren në banak, një torbë të madhe doku me doreza plastike.
– E di edhe unë radhën e dyqaneve që vij nga industria, nga traktori: një burrë- një grua- një polic , thonë në Shkodër po, meqë polic në fshat nuk ka, unë do blej sikur të isha polic dhe të kisha një ngut për shkak të
shërbimit dhe detyrës. Gratë qeshën me zë lartë. Burrat u ngrysën dhe mërmëritën mes vedi.
Shitës Beluli, një burrë shtatlartë përballë klientëve që dukej si një sfinks që shërbente me drejtësi, tha:
-Ç’ keni me mua? Me mua ç’keni! Mos bëtisni. Gjejeni me njeri- tjetrin.Unë shërbej, ju e mbani radhën vetë”- dhe hodhi syë nga Përparimi në mes të dy radhëve nga fundi dhe unë që shkelja për herë të parë në atë dyqan.
Beluli, si për të vendosur qetësinë dhe duke vështruar nga ne të që po qëndronim veçmas thjesht për të parë, jo si blerës, shtoi:
-Tregoni ju lutem, kulturën shekullore të fshatit tonë, o njerëz të mirë!
Atë çast ai po i mbante duart mbi një arkë me marmallatë molle vendosur anash peshores dhe gramarëve të saj sistemuar në resht nga madhi tek më i vogli, sipas peshës.
Demo pa me bisht të syrit nga ne dhe iu kthye shitësit.
-Belul, mbaje mendjen në mësim! Këtu, në frontin e punës.
Gratë u shkrinë së qeshuri, por ai shto:
-A kemi thënë: bujqësi, plus industri janë si gishtat e njerës dorë të bashkuar. Unë vij nga industria, nga traktori, po, merre kalemin edhe shkruaj!
-Si urdhëron!-tha Beluli.
-Merre mellanin!
Beluli mori lapsin mbi fletoren e trashë me vija ku bënte llogaritë e artikujve që shiste për çdo klient.
-Urdhëro Demo!
– Bëja edhe një herë majën kalmit të mellantë se i është thyer, më duket!
Beluli e pa edhe njëherë majën e lapsit, mori thikën e madhe ngulur në marmallatë molle dhe nisi ta mprehë lapsin.
-Ashtu, de! Mprehja majën, bëje xixë!
Ashklat e vockëla që dilnin nga lapsi hidheshin sa nga radha e grave aq edhe e burrave. Në çast, qetësia në dyqan ishte vendosur si me magji.
-Ja bëre mirë majën? Të lumtë!
-Gati, siç e doje Demo.
-Tani shkruaj, Belul: Një shkrepëse!
Beluli shënoi shpejt e shpejt: shkrepëse.
-Sa copë?
-Pesë copë njëherë, pa këtu jemi.
Beluli shkruajti: 5 X 5=25 lekë
-Ec poshtë!-urdhëroi Demo.
Nga radha e djathë, sy e veshë të dëgjonin artikujt e shumtë dhe llojet që do të blinte klasa punëtore nga mekanika e bujqësisë.
-Dy: Një konservë peshku, me vaj ullinxri* (kupto:ulliri)
Beluli: -Sa copë?
-Një, një, se na vrasin…
Beluli shkroi: copë 1 X 27 =27 lekë
-Tjetër, shokun Demo!?
-Ah se harrova, qirinjtë për dritat që na ikin çdo natë kur bëjnë detyrat fëmija dhe u heq veshin mësues Përparimi pastaj, dhe pa me bisht të syrit nga ana jonë.
-Sa copë?
-Dhjetë copë.
Beluli shtoi te lista.
-Tjetër?
-Hiqe vizën në fund! Pa mblidhi një herë se vanë shumë, më duket!
– Nga e djathta gratë çuçurisnin dhe nisën të qeshin.
-Pse habiteni? -tha Demo.-
Do hamë sënte, do dërckosemi!*( do shqepemi)
Gratë dhe burrat në radhët e gjata, nisën të qeshin me të madhe.
Ishte koha e tollonave, e racioneve të detyrueshme për cdo artikull ushqimor për familje që sot, nuk ka asnjë kuptim por, atëbotë që iku, tridhjetë e gjashtë vite më parë, ironia dhe humori i Demos ishte si një lloj bombole oksigjeni. I nevojshëm për të gjithë, në radhën e burrave dhe të grave .///
__o0o__

*Nga libri në proces “SPARTAKU NË URËN E KARDHIQIT”

PËRRALLËTARI ANDERSEN- Poezi nga KONSTANDIN DHAMO

Hans Christian Andersen
Vdiq,pasi ra nga krevati,
Kur ishte shtatëdhjetë vjeç.
.
Bashkëkohësit e tij,kjo nekrologji
Pa mend i la,
Për më tepër, kur mësuan se…
Prej rënies nga krevati
Vdiskësh
Një në tre milionë vetë…
.
Përrallëtari i Madh Hans
Veçse çuditshëm mund të vdiste ;
Si episodet e përrallave të tij
Vdekjen duhet ta kishte…
.
Ah,dhe në xhep ngaher’Anderseni mbante
Një pusullë të vogël,ku kish shkruar,
Ashtu shqetësueshëm me ndonjë gabim
Ortografik,
Siç i shkruante i përpirë nga frymëzimi
Rreshtat e rrjedhshëm të përrallave:
.
Kujdes, nuk kam vdekur!
.
Ua kujtonte atyre që do t’ia gjenin në xhep,
Ndoshta kur ta pikasnin përhumbur n’ëndërrim
Në shoqëri t’ëmbël me Rosakun,
Që zbukurohej tek rritej,
Njëherësh me Princeshën mbi Bizelen
Dhe, atë Vogëlushin trimosh dhe çapkën,
Që briti mes turmës servile dhe frikacake:
.
Mbreti është lakuriq…
.
Ajo pusulla e vogël,
Ashtu,me ndonjë gabim drejtshkrimor
Vlente
Edhe pasi Përrallëtari i Madh
U rrokullis nga krevati…
.
Kujdes, nuk kam vdekur…
2000

Rrap shekullor*- Poezi nga ARIF EJUPI

Rrap shekullor pranë udhës
që çon në Bllacë e Toplicë,
në tokën e të parëve të mi.
.
Atje ku ende,
sikur nga varret, dëgjohet gjëma
e nënave dhe fëmijëve
të atij dimri të zi.
.
Bishat e tërbuara të stepave të Karpateve,
me bekimin e të çmendurës së Bosforit,
dogjën mbi 600 fshatra
dhe vranë mijëra pellazgo-dardanë
me plisa të bardhë.
,
Dimër i tërbuar i 1878-ës,
qofsh mallkuar që na dëbove
nga Shqipëria e vjetër
dhe na dhe emrin muhaxhirë.
.
Rrënjët e trungut, të zhytura në gjakun e shqiptarëve,
s’thahen e s’harrohen kurrë.
.
ARIF EJUPI
*Shënim:
Kjo poezi u kushtohet dëbimeve masive të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe trevat
përreth gjatë viteve 1877–1878, si pasojë e dhunës së ushtrive serbe. Mijëra familje shqiptare
u shndërruan në muhaxhirë, duke lënë pas tokat, varret dhe historinë e tyre të trishtë.

Send this to a friend