Të nderuar delegatë të Kuvendit VII të Riorganizimit të Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,
Të dashur shkrimtarë, artistë, studiues dhe krijues të hapësirës sonë kombëtare,
Me ndjenjë të thellë mirënjohjeje, përulësie dhe përgjegjësie morale, ju falënderoj nga zemra për besimin e madh që më dhatë sot, duke më zgjedhur me shumicë absolute votash në detyrën e Kryetarit të Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ky besim nuk është vetëm një vlerësim për jetën dhe veprën time letrare e kulturore; ai është mbi të gjitha një thirrje për shërbim, një amanet i lartë shpirtëror dhe qytetar ndaj kulturës shqiptare, ndaj fjalës së lirë, ndaj dinjitetit të krijuesit dhe ndaj misionit të shenjtë të artit në jetën e kombit.
Përulem me respekt para secilit delegat që mori pjesë në këtë Kuvend historik, para çdo zëri që foli me përgjegjësi për fatin e letërsisë dhe artit shqiptar, para çdo krijuesi që, në kohë të vështira për kulturën, vazhdon të mbrojë me dinjitet dritën e shpirtit njerëzor dhe identitetin tonë kombëtar.
Unë e konsideroj këtë votë si një besëlidhje të përbashkët për ta rikthyer Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në një tribunë të mendimit të lirë, të dialogut kulturor, të solidaritetit krijues dhe të mbrojtjes së interesave të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë kudo ku ata jetojnë e krijojnë.
Në këtë çast solemn, kujtoj me nderim të gjithë ata personalitete të mëdha të letrave dhe arteve shqiptare që e ngritën këtë institucion me talentin, sakrificën dhe vizionin e tyre. Ne kemi detyrimin moral dhe kombëtar që këtë trashëgimi ta ruajmë, ta modernizojmë dhe ta përcjellim me dinjitet tek brezat që vijnë.
Ju siguroj se do të jem një kryetar i dialogut, i dëgjimit dhe i bashkëpunimit, duke i shërbyer me përkushtim çdo krijuesi, pa dallime, me bindjen se kultura është ura më e fortë që bashkon kombin dhe e lartëson shpirtërisht shoqërinë.
Falënderoj gjithashtu miqtë dhe përfaqësuesit e institucioneve kulturore nga Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare në rajon për praninë dhe mesazhet e tyre vëllazërore, të cilat i dhanë këtij Kuvendi dimensionin e një bashkimi kombëtar kulturor.
Le të ecim së bashku drejt një epoke të re të dinjitetit krijues, të bashkëpunimit dhe të emancipimit kulturor.
Me mirënjohje dhe respekt të thellë,
Dr. Mujë Buçpapaj