E dimë, është dhe zëvendëskryeministre, e njohim dhe si ministre e Jashtme, Donika Gërvalla – pjesë e politikës aktive në Kosovë që nga vitet e rezistencës dhe të shtetndërtimit, – mund të lexosh për atë…
E bija e Jusuf Gërvallës – veprimtar i shquar kombëtar, poet, muzikant dhe gazetar, tashmë simbol i sakrificës për lirinë e Kosovës, i vrarë në mërgim në Gjermani nga shërbimet e fshehta jugosllave, – mund të lexojmë prapë.
Unë dua të tregoj se ajo atëhere, vogëlushe me flaut, erdhi në Tiranë dhe dha një koncert…
Ne e pamë në televizor, por në burg, na i lanë hapur atë mbrëmje, se kishim punuar shumë në minierë, etj, etj.
U trondita dhe u preka dhe shkruajta një poezi fshehurazi, është në fletoret e mia të burgut… dhe do të botohej më pas në librat e mi “Si shkohet në Kosovë”/ “Si është Kosova” si dhe në botimin anastatik “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, edhe është përkthyer dhe në gjuhë të tjera…
Nuk jam takuar ndonjëherë me Donika Gërvallën, por pasi ka lexuar poezinë, ajo më është përgjigjur në email, e ruaj letrën e saj, ja, disa pjesë:
“…Poezia më emocionoi jashtë mase.
Mund t’i imagjinoj shumë mirë ndjenjat e poetit të burgosur nga diktatura kur dëgjon për vrasjen po nga një diktaturë e poetit.
Para disa ditësh dëgjova në radion gjermane Deutschlandfunk një emision për gjendjen e ish-të burgosurve politik në Shqipëri.
[…]
Në pritje të realizimit të shëtitjes së premtuar, në Tiranë, Prishtinë apo edhe Bonn mbetem
Juaja,
Donika”
Besoj shumë se atë s’e ndalon asgjë të vijë sërish në Tiranë, s’ka tela me gjëmba në kufi e as aq të çmendur sa t’i thonë: kthehu pas!…
Ndêrkaq po e sjell poezinë sot në Ditën e Poezisë..


Kanë kaluar më shumë se katër dekada nga atëhere, ka ndodhur më e pabesueshmja, që të dënonin po ta flisje: Kosova është Republikë dhe e pavarur, falë luftës së saj dhe SHBA-së me ndërhyrjen ushtarake si NATO dhe tani Kosova ka shumë për t’i treguar shtetit në gjysmën tjetër amë, dy Shqipëritë, – siç thoshte Poeti, – presim të bashkohen. Nuk ka mê të pabesueshme…