Personalitete si Hafiz Gagica janë të pandashme nga lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Qindra mijëra shqiptarë në Gjermani dhe në Kosovë janë të ndërgjegjshëm për këtë dhe e respektojnë atë me të drejtë. Sot, kur gjendja e tij shëndetësore është e rënduar, ai ka të drejtë të presë solidaritetin tonë, të njëjtin solidaritet që ai e tregoi pa hezitim për Kosovën në periudhën e kërcënimit më të madh.
Fjalimi im i plotë:
Në vitet e 90-ta, Hafiz Gagica luajti një rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe çlirimin e Republikës së Kosovës, në ngritjen dhe forcimin e sistemit paralel gjatë represionit të ushtruar nga Serbia, si dhe në përfaqësimin e një zëri të fuqishëm dhe të padiskutueshëm të shqiptarëve për Kosovën në Gjermani dhe më gjerë.
Për këtë angazhim, ai hoqi dorë nga një vend i sigurt pune në Gjermani, për t’iu përkushtuar plotësisht veprimtarisë politike, duke u kthyer në bartësin kryesor të aktivitetit të mërgatës së viteve të 90-ta. Në Gjermani, në Evropë dhe më tej, duke marrë përsipër rol kyç të lidhjes mes Prishtinës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Gjatë viteve të 90-ta, si për Presidentin Rugova, ashtu edhe për përfaqësues të tjerë përgjegjës të Republikës së Kosovës, zyra në Shtutgart, faktikisht ishte qendra e dytë politike krahas Prishtinës, dhe nën drejtimin e Hafiz Gagicës sherbeu si pikë qendrore për logjistikë, koordinim, kontakte politike dhe veprimtari të shumta të tjera. Një numër i madh udhëtimesh të Presidentit Rugova dhe të delegacioneve të tjera në Gjermani, Zvicër, vende të tjera evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u organizuan nga kjo qendër në Shtutgart nën udhëheqjen e tij.
Hafiz Gagica pati gjithashtu rol vendimtar në organizimin dhe sigurimin e financimit të sistemit paralel të Republikës së Kosovës, veçanërisht në fushat e shëndetësisë, arsimit, si dhe të furnizimit ushqimor. Në këtë periudhë tejet të vështirë, qindra mijëra shqiptarë përfituan mbështetje jetike falë organizimit të qëndrueshëm dhe angazhimit edhe personal të Hafiz Gagicës, si dhe të shumë e shumë veprimtarëve të tjerë në mërgatë.
Në Gjermani, ai inicioi dhe institucionalizoi kontakte intensive të Kosovës në vendin më të madh të Bashkimit Evropian dhe partnerin më të rëndësishëm evropian të NATO-s me Bundestagun, qeverinë federale dhe mediat kryesore.
Po ashtu, Hafiz Gagica ishte nismëtar i organizimit të demonstratave të mëdha të shqiptarëve në Gjermani, ku dhjetëra mijëra bashkatdhetarë, së bashku me miq gjermanë, u mblodhën për ta bërë zërin e Kosovës të dëgjueshëm në proceset politike në Gjermani dhe në arenën ndërkombëtare. Demonstrata më e madhe e organizuar ndonjëherë nga një organizatë jo-gjermane në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë ishte tubimi në vitin 1998 në Bonn, ku morën pjesë mbi 100.000 pjesëmarrës, duke kërkuar qartë dhe fuqishëm lirinë për Kosovën dhe përfundimin e shtypjes serbe.
Qysh në vitin 1991, Hafiz Gagica kontribuoi në organizimin e ushtrimeve të grupeve të para ushtarake në Shqipëri. Figura të shquara dhe heronj të Kosovës, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Sali Çekaj, ishin ndër ata që morën pjesë në këto përgatitje për mbrojtjen e Kosovës të cilat vendosen themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë viteve ‘98–‘99, Hafiz Gagica duke shfrytëzuar të gjitha kontaktet dhe mundësitë e tij, bashkëorganizoi një mbështetje të gjerë politike, logjistike, ushtarake dhe financiare për mbrojtjen e Kosovës. Ai vetë shpenzoi personalisht dhjetëra mijëra marka gjermane nga mjetet e tij private dhe, në vitet pasuese, i shlyeu me përgjegjësi detyrimet financiare të krijuara.
Personalitete si Hafiz Gagica janë të pandashme nga lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Qindra mijëra shqiptarë në Gjermani dhe në Kosovë janë të ndërgjegjshëm për këtë dhe e respektojnë atë me të drejtë.
Sot, kur gjendja e tij shëndetësore është e rënduar, ai ka të drejtë të presë solidaritetin tonë, të njëjtin solidaritet që ai e tregoi pa hezitim për Kosovën në periudhën e kërcënimit më të madh.