Dëgjova me shumë vemendje intervistën e Dalip Grecës, ish editorit të Diellit tek Adi Krasta Show. Kjo intervistë e kishte marrë spunton nga një shkrim i Dalipit ku tregonte se si Vatrani, z. Petrit Alibej, kryetar i Shoqatës Atdhetare Besa-Besë në Boston- Massachusetts i kishte telefonuar duke i shprehur shqetësimin “se në një zonë të Bostonit kishte parë fotografi historike të Vatrës të hedhura në plehra”! Normalisht Vatra mban përgjegjësi, sepse duhet të mbulojë të gjithë rrjetin e Vatranëve të vjetër e të rinj që trashëgimia e Vatranëve, kur largohen nga kjo jetë, t’i kthehet Vatrës në vend të kazanëve të plehrave. Është e trishtë kur sheh se Vatra e sotshme po i zhduk traditat që ka pasur Federata Pan Shqiptare e Etërve.
Por unë do të fokusohem tek diçka tjetër që Dalip Greca përmendi tek Adi Krasta Show, kur iu referua “trashëgimtarit” të tij tek Dielli. Dalipi midis të tjerave tha pak a shumë se e gjeti ai, Dalipi, editorin aktual të Diellit, i cili ka tre vjet në SHBA, se ai ka studiuar për gazetari, se ka qenë pedagog në Universitetin e Elbasanit dhe, gjatë viteve të pandemisë, ka dhënë kontribut….” Me “këto tipare” Dalip Greca e emëroi editor të Diellit!!!
Sigurisht, Dalip Greca nuk ka kompetenca emërimesh, por po mbetemi këtu. Natyrisht që Dalip Greca kishte të drejtë të rekomandonte “trashëgimtarin” e tij tek Dielli, duke patur parasysh tiparet e editorëve të Diellit.
Por le të kujtojmë Dalip Grecën, kur është emëruar tek Dielli, 12 vjet më parë. Ai kishte të paktën 10 vjet në SHBA dhe kontribuonte si redaktor tek Illyria. Pra ai kishte një eksperiencë mbi 30 vjeçare botuese, si në shtypin e Partisë së Punës, ashtu edhe në shtypin pluralist dhe në krye të Diellit ai erdhi kur ishte rreth 60 vjeç, me një CV shumë konkrete, me veprimtari konkrete.
Krejt ndryshe është “trashëgimtari” i Dalip Grecës sot tek Dielli, në CV-në e tij nuk e ka asnjë eksperiencë si gazetar, si reporter, si autor, si editor, si bashkëpunëtor. Normalisht, Dalip Greca duhet të kishte “emëruar” me konsensus të plotë një editor i cili të kishte patur veprimtari të shkëlqyer, që të ishte dalluar.
Kam kërkuar online veprimtari gazetareske të “trashëgimtarit” të Dalip Grecës tek Dielli dhe kam gjetur veç një fotografi të tij me Iris Luarasin dhe ish Ambasadorin Withers. Pra emërimi i “trashëgimtarit” ka qenë jashtë kritereve të meritokracisë dhe garës.
Le të përmendim disa nga editorët e Diellit si Kristo Floqi, i burgosur nga regjimi komunist; Bahri Omari i pushkatuar nga regjimi komunist; Kristo Kirka, i burgosur dhe vdekur në burgjet komuniste; Akif Përmeti, i pushkatuar nga regjimi komunist; Arshi Pipa, i burgosur dhe i arratisur nga regjimi komunist; Bilal Xhaferri, i arratisur nga regjimit komunist; Peter Prifti etj. Këto personalitete, përveç kalvarit komunist, shquhen për profilin e lartë të intelektualit.
E pra “trashëgimtari” në fjalë s’ka profil, s’ka eksperienca si gazetar në Shqipëri.
A mundet që të vijë tjetri nga Shqipëria dhe të katapultohet direkt si editor i Diellit?!
Stili i katapultimit është i njohur në demo(n)kracinë shqiptare.
Po, kur emërimi i editorit paska qenë zgjedhje e Dalip Grecës, atëherë përse Dalip Greca nuk emëroi Visar Zhitin, një personalitet i shquar i letrave shqipe, shkrimtar e botues, që t’i kthente emrin Diellit dhe të qetësonte situatën që zjen nga shkeljet e Kanunores në Vatër.
Ndërkohë unë po shtoj disa të vërteta të tjera të Dalip Grecës të nxjerra në pah në muajt e fundit, përpara se të dilte në pension në verën e vitit që shkoi.
Në një intervistë që i mora tash së fundi Veteranit të Vatrës dhe ish kryetarit të saj Dr.Buçajt, ai më tha se është censuruar si nga Dalip Greca, ashtu edhe “trashëgimtari” i Dalipit tek Dielli. Dhe i vinte keq për rolin që ka marrë Dalipi.
Po ashtu Dalip Greca ka censuruar edhe shkrimet, deklaratat e atyre Vatranëve që ishin pjesëtarë të Komisionit të 5 Tetorit;
Dalip Greca ka censuruar edhe shkrimet e editorëve të Voal.ch, me pretekstin se kanë botuar deklarata, intervista e shkrime të Vatranëve të Komisionit të 5 Tetorit.
Dhe në gjurmët e Dalip Grecës ka ecur edhe “trashëgimtari i tij” tek Dielli, me censurë, duke shkelur Amendamentin e parë të Kushtetutës të SHBA!
Të censuruar nga “trashëgimtari” i Dalip Grecës tek Dielli janë edhe Vatranët, me kontribute, shkrimet e të cilave nuk e gjejnë dritën e botimit, dmth censurohen nëse në to mbështetet opozita e Shqipërisë, që fitoi shumicën në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe referendumin e 18 dhjetorit.
Natyrisht klima e censurës ka dirigjent. Dirigjenti krenohet shpesh se ka miliona. Po ne gazetarët që nuk kemi miliona, por që ushtrojmë profesionin me dinjitet dhe sakrifica, a të trembemi nga milionat e “dirigjentit” të Vatrës!
Natyrisht jo!
Në portalin shumë modest të Diellit, ndërkohë që ushtrohet censura për kokërr të qejfit, janë botuar vazhdimisht qendrimet e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Lulzim Bashës dhe të atyre delegatëve që ishin në atë sallën me kapacitet 1960 veta, por që me abra kadabra dolën 5004 syresh!
Në portalin tepër modest të Diellit, po ashtu nuk lejohet që të denoncohet veprimtaria kriminale e qeverisë të Tiranës, ku, sipas një gazetareje të re, po shumë të guximshme, që e ka emrin Ambrozia Meta – “Kryeministri Rama tashmë po bëhet me një grup parlamentar në burg”.
Ndërkohë situata në Vatër është dramatike. Zgjedhjet e 26 shkurtit sollën emërimin e një kryesie, ku anëtarë të saj kanë shkelur Kanunoren, pasi nuk kanë mbushur të paktën dy vjet anëtarësi dhe janë pa asnjë kontribut në Vatër. Me emërim, jo me votim, po ashtu është zgjedhur edhe Këshilli i Vatrës, duke shkelur Kanunoren. Edhe zgjatja e mandatit të kryetarit të Vatrës po ashtu nuk është legjtime, dmth është ilegjitime, sepse është bërë pa votim me 2/3.
Ka edhe plot të tjera, por t’i lemë për herë tjetër !
Komentet