Një dyshim i ri që pritet të rihap debatin për çështjen e kërcënimit ndaj dy zyrtarëve të Universitetit të Tiranës. Dhori Kule ka folur për herë të parë lidhur me ngjarjen e 14 dhe 15 prillit të këtij viti ku ai si rektor i universitetit te Tiranës në atë kohë dhe kandidati për rektor Mynyr Koni u kërcënuan për t’u larguar nga gara për zgjedhjen e rektorit të ri.
I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Kule e cilësoi çështjen të mbyllur sepse pati mbështetjen e institucioneve për sigurinë e garës dhe kjo solli edhe rikthimin e profesor Konit në garë.
Por dhjetëra pyetjeve të bëra gjatë emisionit lidhur me këtë ngjarje Kule iu përgjigj duke bërë vetë dy pyetje që sipas tij edhe pse kanë kaluar 6 muaj nuk ua di përgjigjet.
E para është: A ka patur porositës nga universiteti kërcënuesi i tij dhe i profesor Konit dhe e dyta: nëse brenda strukturave akademike ka patur interes që të realizohej ky kërcënim?
Kule shtoi se këto dy pyetje e vazhdojnë ta shqetësojnë ende edhe sot e kësaj dite. Ndërkohë dekani aktual i fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës tregoi se çështja penale ende vazhdon të jetë në hetim nga ana e prokurorisë dhe se ai ka deponuar përpara grupit hetimor të gjithë ngjarjen në të cilën ai u kërcënua.
“Besoj se finalja e këtij hetimi do të zgjidhë gjithçka dhe se kjo tashmë është një ngjarje e tejkaluar. Lidhur me raportet e politikës në këtë ngjarje apo përfshirjen e politikanëve në këtë histori Kule tha: Politikës do t’i bëjë mirë të ketë pedagogë pjesë të saj por vetë pedagogët nuk duhet të sjellin politikën në universitete.
Kërcënimi ndaj Dhori Kules, atëherë Rektor i UT dhe kandidatit për rektor Mynyr Koni, u bë publik fillimisht nga ish-kryeministri Sali Berisha që ngriti gishtin e akuzës ndaj Emiljano Shullazit, një emër i njohur i botës së krimit por që i kishte shpëtuar disa herë drejtësisë.
Ngjarja u shoqërua me deklarata të shumta politike, akuza dhe kundërakuza, ndërsa Shullazi dhe miqtë e tij u arrestuan për kërcënimin dhe më pas edhe me akuzën për gjobëvënie. Ndërsa vetë UT pranoi kërcënimin pa dhënë emra. Sipas UT, kërcënimet kanë patur për qëllim tërheqjen nga gara, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të kandidatit Mynyr Koni, ndërsa u bë edhe denoncimi.
Komentet