VOAL

VOAL

Dënimi me burg- Si e eliminoi Erdogani rivalin e tij më të madh në zgjedhje

December 15, 2022

Komentet

Autoritetet e Serbisë në kërkim të shtetasit të Kosovës për vrasjen e policit, Kurti bën thirrje për mospolitizim

Pikë kalimi në Lloznicë mes Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

 

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se një zyrtar policor është vrarë në Lloznicë – qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën – në orët e para të së enjtes, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

Policia serbe është në kërkim të sulmuesit.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, ministria e Brendshme gjermane nuk e ka komentuar këtë rast.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së policit të vrarë, të cilin e ka përshkruar si hero.

“Jam jashtëzakonisht i tronditur me lajmin për vdekjen e zyrtarit policor, Nikolla Kërsmanoviq, i cili është vrarë në një sulm tinëzar derisa ka qenë duke kryer detyrën e tij të vështirë”, ka thënë Vuçiq përmes një komunikate të lëshuar nga Presidenca serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.

Ai ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.

“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti në një konferencë për media në mëngjes.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.

Çfarë tha Ministria e Brendshme serbe?

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.

Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekosllav Illiq në shpatull, dhe më pas ka ikur.

Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.

Në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë. REL

Beleri pritet nga Mitsotakis në Athinë, kryeministri grek: Duam që Shqipëria t’i afrohet BE, duke iu përmbajtur angazhimeve evropiane

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis priti sot në Athinë Fredi Belerin, eurodeputetin e zgjedhur të Demokracisë së Re, i cili është nisur drejt Strasburgut për të kryer betimin pas lejes së marrë nga autoritetet shqiptare.

“Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të ecim përpara, të shohim përpara”, tha Mitsotakis duke iu drejtuar Belerit.

Në të njëjtën kohë, kryeministri grek theksoi se Shqipëria po afrohet më shumë me Europën, për sa kohë që i përmbahet me përpikëri angazhimeve të saj europiane.

“Konsideroj se sundimi i ligjit, e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur nuk janë të vetëkuptueshme në vendin ku jetoj. Dua t’i ndihmoj ”, tha Beleri sipas medias greke Kathimerini.

Mëngjesin e sotëm Fredis Beleri kaloi portat e burgut të Fierit pasi siguroi lejen pesëditore që kishte kërkuar për të shkuar në Strasburg për t’u betuar si deputet i Parlamentit Europian.

Dialogu mes Mitsotakis dhe Belerit:

Mitsotakis: Kam shumë arsye, i dashur Fredi, të jem i lumtur t’ju mirëpres sot në Megaro Maximos. Së pari, më lejoni t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si eurodeputet grek tani, në Bruksel dhe Strasburg, me Demokracinë e Re. Jam i sigurt se do t’i përmbushni plotësisht detyrat tuaja.

Më lejoni t’ju them se sa i lumtur jam që kjo aventurë e madhe duket se po i vjen fundi. Është e vetëkuptueshme, ju keni marrë licencën që të mund të ushtronit detyrat tuaja dhe të bënit betimin. Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të vazhdojmë përpara, të shohim përpara.

Beleri: Do të doja t’ju falënderoja personalisht që më keni mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe. Unë do të nderoj besimin që më keni dhënë duke më futur në fletën e votimit europian. Mendoj se në shtetin ku jetoj nuk është e vetëkuptueshme shteti ligjor, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Unë dua t’i ndihmoj ata. Të ndihmojë pakicën kombëtare greke të qëndrojë në shtëpitë stërgjyshore, por edhe që ky shtet të afrohet dhe të bëhet anëtar i familjes europiane.

Mitsotakis: Kjo është ajo që duam edhe ne, dhe ju duhet ta dini – përveç kësaj, unë mendoj se e kam vërtetuar këtë në praktikë – se unë qëndroj pranë njerëzve të pakicës kombëtare greke. Ne kemi të gjitha arsyet për të kërkuar një Shqipëri që bën progres në këto çështje, që i afrohet Evropës, por që i përmbahet rreptësisht angazhimeve të saj evropiane. Mendoj se ky është një qëllim i përbashkët për të cilin ne të gjithë duam të punojmë. bw

Fredi Beleri në Athinë: Mitsotakis dëshmoi se është udhëheqësi i gjithë helenizmit

Në Athinë ka mbërritur pak pas orës 12:30 Fredi Beleri, i cili u lirua sot nga burgjet shqiptare me një leje 5-ditore, për të shkuar në Strasburg për të bërë betimin si deputet i Parlamentit Europian.

Eurodeputeti i Demokracisë së Re u prit në aeroport nga ish-ministri i Shtetit, Stavros Papastavrou dhe deputeti i ND-së, Angelos Syrigos. Fredi Beleri shoqërohej nga bashkëshortja e tij.

Në deklaratat e tij për gazetarët ai u shpreh “i lumtur dhe i emocionuar për të përqafuar sërish popullin tim”, por edhe “krenar që shkova të marr detyrën si eurodeputet, të luftoj për të mbrojtur të drejtën e atdheut tonë dhe të grekëve kudo që jetojnë”.

Fredi Beleri falënderoi “kryeministrin grek për besimin, për zgjedhjen e tij. Ai dëshmoi se është udhëheqësi i gjithë helenizmit dhe mbron grekët kudo që janë”.

Gjithashtu, ai tha “dua të falënderoj bashkëpunëtorët e tij të ngushtë që më kanë qenë pranë që në momentin e parë. Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Mediat që kanë qenë me mua që në fillim në këtë skemë të padrejtë. Aventurës sime po i vjen fundi. Lufta për demokraci, shtet ligjor dhe të drejta civile vazhdon”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë, ai nënvizoi se “unë jam i pafajshëm, këtë po thonë edhe shqiptarët” dhe se “mbështetja e familjes, miqve dhe mund të them shumicës së grekëve i jep forcë dhe kurajo”.

Po ashtu ai u dërgoi një mesazh himariotëve “që nuk janë vetëm, kanë nënë Greqinë për t’i mbrojtur, kërkesat e tyre janë të drejta, herët a vonë do të shfajësohen”.

Së fundi, ai theksoi se “BE nuk duhet të lejojë që vullneti i njerëzve të mos respektohet kudo që janë në Evropë në përgjithësi”.

Në këtë kohë, eurodeputeti i ND takohet me Kyriakos Mitsotakis në Megaros Maximos. bw

Ish-presidenti Gjukanoviç: Kam informacione se po përgatitet atentat ndaj meje

Ish-presidenti i Malit të Zi ka njoftuar autoritetet, se ka në dispozicion informacione se po përgatitet një atentat ndaj tij. Mediat malazeze shkruajnë se  një burim i afërt me Gjukanoviç, tha se një zyrtar i lartë ushtarak i huaj nga Kosova e informoi atë se një grup i organizuar kriminal nga një vend fqinj dyshohet se po planifikonte të kryente një atentat, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj.

Por autoritetet policore në Mal të Zi raportojnë se nuk kanë të dhëna për aktivitete të planifikuara që kanë për qëllim rrezikimin e sigurisë së ish-presidentit Milo Gjukanoviç.

‘Në bazë të nenit 18 të Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, me përfundimin e detyrës, Presidenti ka të drejtë në sigurim të përhershëm personal në përputhje me vlerësimin e sigurisë të përcaktuar nga organi kompetent, në përputhje me ligjin. Në përputhje me rregulloret pozitive, Agjencia e Sigurisë Kombëtare është përgjegjëse për përgatitjen e raporteve për vlerësimin e sigurisë së kërcënimeve’, ka deklaruar Drejtoria e Policisë. sn

Sllovenia do të dyfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë gjatë vitit 2025

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka thënë se shteti i tij do të dyfishojë prezencën ushtarake në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s përgjatë vitit 2025, shkruan agjencia sllovene e lajmeve.

Ai ka thënë se prezenca ushtarake e NATO-s në Ballkanin Perëndimor është rritur me nismë të presidentit amerikan, Jobe Biden, duke qenë se ai e njeh rajonin mjaftë mirë.

Liderët e shteteve të NATO-s kanë qëndruar në Washington ku edhe është mbajtur Samiti i NATO-s me fokus Ukrainën. Në kuadër të disa organizimeve të Samitit e ftuar ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani me ftesë të Biden ka përfaqësuar Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s në Washington D.C. sn

Mali i Zi, lirohen të gjithë të akuzuarit për përfshirje në “grushtin e shtetit” të vitit 2016

VOA/Ali Salaj

Gjykata e Lartë në Podgoricë, liroi të gjithë personat e akuzuar për përfshirje në një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016, me qëllim të parandalimit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Kryesuesi i Këshillit të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, Zoran Radoviç, tha duke shpallur vendimin e lirimit se “nuk ka pasur prova se të pandehurit janë fajtorë për veprat me të cilat ngarkohen, andaj ata lirohen nga akuzat”.

Vendimi liroi nga akuzat shtetasit rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, agjentë të dyshuar të shërbimit ushtarak rus të zbulimit, GRU, që ngarkoheshin me organizimin dhe financimin e një organizate kriminale, me qëllim të rrëzimit të qeverisë së Malit të Zi.

Gjykata e Lartë vendosi lirimin nga akuzat edhe të udhëheqësve të Frontit Demokratik pro-rus, kryetarin aktual i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiç, deputetin Milan Knezheviç dhe bashkëpunëtorin e tyre Mihailo Çagjenoviç, si dhe gjeneralin në pension të xhandarmërisë serbe Bratislav Dikiç si dhe shtatë peronave të tjerë, shtetas serbë.

Askush nga Prokuroria e Posaçme e Malit të Zi nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit.

Të gjithë personat e liruar qenë dënuar më gjithsej 70 vjet heqje lirie në vitin 2019, por dy vjet më pas, Gjykata e Apelit e riktheu çështjen në rigjykim.

Ata akuzoheshin se kishin planifikuar të pushtonin parlamentin e vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviç dhe për të vendosur një udhëheqje pro-ruse.

Zyrtarët rusë i kishin hedhur poshtë pretendimet duke i cilësuar ato si “absurde”.

Mali i Zi, vendi i vogël në breg të Detit Adriatik, i cili u pavarësua nga Serbia në vitin 2006, në vitin 2017 u bë anëtari i 29-të i NATO-s, duke nxitur zemërimin e Moskës e cila kundërshton përfshirjen e Ballkanit në aleancën ushtarake perëndimore.

Kryeprokurori italian ngre alarmin: Kemi gjetur tashmë lidhje mes kriminelëve të pastër dhe kriminelëve politikë shqiptarë

Kryeprokurori italian, Francesco Lo Voi gjatë një dëshmie të dhënë në Komisionin Parlamentar Antimafia në Itali, ka folur për sigurinë dhe kriminalitetin në kryeqytetin romak.

Ai ka deklaruar se në Romë dhe rrethinat e saj ekziston një mafia, ku në disa hetime janë gjetur marrëdhënie mes kriminelëve të pastër dhe kriminelëve “politikë’. Sipas tij, realiteti romak është një realitet kompleks që luftohet çdo ditë me ato pak armë që ka në dispozicion prokuroria e kryeqytetit, e cila është vazhdimisht edhe pa staf.

Bashkë me të ka dëshmuar në komision edhe kryetarja e Drejtorisë Antimafia të Qarkut, Ilaria Calò, ku dy magjistratët prekën pikat vendimtare të luftës kundër krimit të organiozuar.

Calò shpjegoi se si mafia shqiptare ka bërë kapërcimin përfundimtar në cilësi në qytetin romak, duke u kthyer nga një mafia lokale në një ndërmjetësuese ndërkombëtare droge. Për më tepër, sipas saj, disa kriminelë kinezë janë bërë pikë referimi për pastrimin e parave.

Lo Voi më pas paralajmëroi institucionet për orekset e mafias rreth parave ‘Pnrr’ dhe ‘Jubilare’ dhe nënvizoi se si marrëdhënia midis krimit romak dhe disa qarqeve politike po bëhet gjithnjë e më e ngushtë.

‘Nëse në Romë do të krijohej një bashkim i qëllimeve midis aspekteve thjesht kriminale dhe shfrytëzimit të disa sektorëve politikë, do të ishte i rrezikshëm. Një skenar që kërkon kontrolle të mëtejshme hetimore’, tha Lo Voi.

Në disa hetime janë gjetur tashmë marrëdhënie midis kriminelëve të pastër dhe kriminelëve “politikë”. Kjo është arsyeja pse në prani të një situate veçanërisht komplekse, të vështirë për t’u përballuar, nëse do të krijohej një bashkim synimesh mes krimit dhe sektorëve politikë, gjithçka do të ngrihej në një nivel më të lartë.

Prania e krimit të tipit mafioz vazhdon të ndihet në qytetin e Romës, në qendrat e zonës metropolitane dhe në provincat e tjera të Lazios me karakteristikat e mafias tradicionale, të cilat e kanë të lehtë të riinvestojnë paratë e paligjshme në aktivitetet e pastrimit të parave në format më të ndryshme, jo vetëm ndërtimi, por edhe hotelerie, shërbime dhe logjistike” – ka deklaruar ai.

Dhe përsëri, tha ai, ‘Ekziston një rrezik konkret, dhe ne tashmë kemi prova për ta thënë këtë, që fondet për Pnrr dhe për Jubileun mund të tërheqin oreksin e organizatave mafioze në Romë falë përdorimit të disa fytyrave të pastra, sepse duke folur mafiozi nuk shfaqet kurrë’. sn

Një ‘mision paqeje’ dhe një takim i mundshëm me Trumpin- Si kryeministri i Hungarisë “minoi” samitin e NATO-s

Nëse ka pasur një prishje në samitin e NATO-s të kuruar me kujdes të kësaj jave, ky është Viktor Orbán, kryeministri konservator hungarez që ka zemëruar aleatët e tij të NATO-s duke u takuar me Vladimir Putinin dhe Xi Jinping gjatë rrugës për në Uashington, në atë që ai e quajti “misionin e paqes”.

Të enjten, kryeministri hungarez po planifikon të fluturojë për në Mar-a-Lago për t’u takuar me Donald Trump, tha një burim i afërt me Orban për Guardian, pasi ai kërkon të negociojë një marrëveshje paqeje pa u konsultuar me vendet e tjera të BE-së ose administratën Biden. Në të kundërt, ai ka shmangur në mënyrë efektive Joe Biden në samitin e kësaj jave të NATO-s dhe nuk ka kërkuar një takim dypalësh me presidentin amerikan, sipas tre burimeve të njohura me përgatitjet e samitit.

Kryeministri hungarez ka kërkuar në heshtje të negociojë një zgjidhje për luftën e Ukrainës me synimin për rizgjedhjen e Trump. Epërsia e Trump në sondazhet presidenciale është forcuar nga performanca e keqe e Biden në debatin me Trump dhe pyetjet rreth aftësisë së tij mendore dhe moshës.

Orbán, i cili gjithashtu u takua me Volodymyr Zelenskiy në Kiev në fillim të këtij muaji, ka kërkuar që Ukraina dhe Rusia të ulen për negociata të drejtpërdrejta, bisedime që Zelenskiy i ka përjashtuar në të kaluarën.

Bloomberg News vonë të mërkurën në mbrëmje raportoi se Ukraina po shqyrtonte bisedimet e reja të paqes që do të përfshinin takime me zyrtarët rusë, si dhe një takim të mundshëm midis Trump dhe Orban në Mar-a-lago, ku të dy do të diskutonin takimet e fundit të Orbanit me Putinin dhe Zelenskiy.

Dhe Orbán mund të përdorë kontrollin aktual të Hungarisë mbi presidencën e Këshillit Evropian për të pretenduar se po negocion në emër të vendeve të tjera të BE-së, sipas burimeve të brendshme në Budapest, Bruksel dhe të dy fushatat në Uashington, duke përfshirë edhe me një president potencial të zgjedhur si Trump.

Orbán ndau vetëm një shtrëngim duarsh me presidentin e SHBA-së të mërkurën, një ditë pas takimit me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, për të cilin ai tha se drejtonte “vendin e vetëm që ka vepruar me sukses si ndërmjetës midis palëve ndërluftuese në luftën ruso-ukrainase”.

Vëzhguesit nuk prisnin që Biden të zhvillonte një takim dypalësh me Orban.

“Biden mund të mos jetë i interesuar të lartësojë Orbanin dhe ta shpërblejë atë pas performancës së tij në Moskë dhe Pekin”, tha Daniel Hegedüs, një bashkëpunëtor i lartë në qendrën Marshall. “Dhe për Orbanin, i cili luan lojën e gjatë, kërkimi i një takimi me Trump është sigurisht zgjidhja më strategjike se çdo takim me Biden”.

“Çështja e vërtetë e udhëtimit është nëse Trump do t’i japë Orbanit një audiencë dhe nëse [Orbán] do të organizojë takimin në ndonjë mënyrë që lidhet me presidencën e vazhdueshme të Këshillit të BE-së të Hungarisë,” tha ai.

Një person i njohur me planet e Trump tha se ish-presidenti kishte planifikuar të qëndronte në Florida deri të premten, kohë kur ai do të fluturonte për në Filadelfia për një tubim dhe se nuk kishte kohë “as hipotetike” për t’u takuar me Orbanin më pas. Kjo e la të enjten si ditën e vetme që Orbán mund të fluturonte për t’u takuar me kandidatin republikan.

Trump do të ishte gjithashtu i kujdesshëm ndaj përpjekjes së Orbanit për ta pozicionuar veten si një ndërmjetës pushteti në Evropë, tha i njëjti burim. Bloomberg News raportoi se Trump nuk i kishte kërkuar Orbanit që të negocionte marrëveshjen e paqes për të.

Orbán nuk ka pasur një takim zyrtar me Biden për katër vitet e fundit, por u takua me Trump në mars të këtij viti në kompleksin e tij buzë detit në Mar-a-Lago. Orbán e mbështeti atë disa herë gjatë tetë viteve të fundit dhe i shprehu mbështetje, duke e quajtur atë “njeri të nderit” pasi Trump u shpall fajtor për 34 akuza në një gjyq penal.

Gjatë një konference për shtyp në Budapest të hënën, shefi i shtabit të Orbanit, Gergely Gulyás u pyet nëse Trump dhe Orbán do të takoheshin gjatë vizitës së tij në SHBA. “Ia vlen të takosh njerëz që janë të interesuar për paqen,” u përgjigj ai.

Ata në ekipin e tij e kanë bërë të qartë mbështetjen e tyre për Trump në zgjedhjet e ardhshme. Në Uashington, drejtori i tij politik Balázs Orbán doli në skenë në konferencën e Konservatorizmit Kombëtar të krahut të djathtë, ndërsa ministri i tij i jashtëm Peter Szijjarto i tha Reuters: “Ne shohim një shans për paqe nëse Presidenti Trump fiton. Ne shohim një shans për marrëdhënie të mira Hungari-SHBA nëse presidenti Trump fiton.”

“Unë mendoj se duhet të ketë një ndikim shumë të fortë të jashtëm për t’i bërë ata të negociojnë të paktën”, tha ministri i jashtëm Peter Szijjarto për Reuters të mërkurën. “Kush ka shansin për këtë në periudhën e ardhshme? Ky është vetëm Presidenti Trump nëse ai zgjidhet.”

Vizita e Orbanit në Moskë – e dyta nga një lider evropian që nga pushtimi i Ukrainës nga Putin në shkurt 2022 – shkaktoi bujë si në NATO ashtu edhe në BE, ku Hungaria është shtet anëtar. Në një letër drejtuar Charles Michel të Këshillit Evropian të parë nga Guardian, Orbán shprehu një pikëpamje gjerësisht pro-ruse për konfliktin, duke thënë: “Koha nuk është në anën e Ukrainës, por në anën e forcave ruse”.

Ai gjithashtu argumentoi kundër izolimit strategjik të Rusisë që është kërkuar nga shumica e vendeve perëndimore. “Mundësia për paqe zvogëlohet nga fakti se kanalet diplomatike janë të bllokuara dhe nuk ka dialog të drejtpërdrejtë midis palëve që kanë një rol udhëheqës për të luajtur në krijimin e kushteve për paqen”, shkroi ai, duke argumentuar qëndrimin kundër izolimit të Rusisë.

“Udhëheqja politike e ofruar nga Shtetet e Bashkuara është e kufizuar, për shkak të fushatës zgjedhore në vazhdim … prandaj nuk mund të presim asnjë propozim të tillë nga SHBA në muajt e ardhshëm,” shkroi ai.

“Unë do të vazhdoj bisedimet e mia që synojnë qartësimin e mundësive për paqe javën e ardhshme,” shtoi ai pa sqarime.

Hungaria ishte mes një grupi të vogël vendesh që kundërshtuan një premtim financiar vjetor të propozuar nga Jens Stoltenberg dhe kundërshtuan përfshirjen në komunikatën përfundimtare të NATO-s se pranimi i Ukrainës në aleancën ushtarake të NATO-s do të ishte “i pakthyeshëm”. Në maj, Hungaria bllokoi një paketë ndihme prej 6.6 miliardë eurosh (7.1 miliardë dollarë) për Ukrainën që po përgatitej nga vendet e BE-së si pjesë e Fondit Evropian të Paqes (EPF) për gati një vit.

Hungaria u qortua ashpër në një takim të diplomatëve të lartë të BE-së të mërkurën, gjatë një diskutimi për “misionet e paqes” të Orbanit të vendosura në axhendë nga Polonia, një nga aleatët më të vendosur të Ukrainës.

Ambasadorët e BE-së nga 25 shtete anëtare – të gjitha përveç Hungarisë dhe aleatit të saj të ngushtë Sllovaki – dënuan vizitat e fundit të Orbanit në Moskë, Pekin dhe Azerbajxhan, ku ai mori pjesë në një takim të Organizatës së Shteteve Turke.

Disa e akuzuan Budapestin për mungesë respekti dhe shkelje të traktateve të BE-së; të tjerë akuzuan Budapestin se kërkon të “instrumentalizojë” presidencën e tij.

“U deshën nëntë ditë që presidenca e HU-së të humbiste çdo grimë besimi që i kishte mbetur”, tha një diplomat i BE-së. “Veprimet e tij [të Orbanit] nuk i shërbejnë BE-së apo paqes. Ata luajnë në duart e Putinit dhe projektit të tij të luftës. Slogani hungarez për ‘Ta bëjmë Evropën përsëri të Madhe ‘ ka të bëjë më shumë për ta bërë Rusinë përsëri të madhe në këtë fazë.

Një diplomat i dytë i BE-së tha: “Ishte shumë unanime në mënyrën se si 25 vendet anëtare morën fjalën dhe kritikuan ashpër Hungarinë.” The Guardian kupton se asnjë ambasador i BE-së në këtë takim nuk përmendi heqjen e presidencës nga Hungaria, megjithëse ideja u diskutua më shumë privatisht përpara periudhës gjashtëmujore të Budapestit.

Ndërsa akademikët kanë argumentuar se BE mund të heqë presidencën nga Hungaria, diplomatët e BE janë të ndarë në ligjshmërinë e masës dhe janë të kujdesshëm për krijimin e një precedenti. Zyrtarët po diskutojnë mënyra të tjera për të regjistruar pakënaqësinë, të tilla si dërgimi i zyrtarëve në takimet ministrore, megjithëse diplomati i parë i BE tha se ishte “shumë herët për detaje”. bw

Lehtësohet lëvizshmëria ushtarake mes vendeve- Shqipëria, Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë në Uashington dokumentin

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nënshkroi gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Uashington, Letrën e Qëllimit për sigurimin e Lëvizshmërisë Ushtarake përgjatë Korridorit VIII Pan-Europian, me homologët e tij të Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Përmes këtij dokumenti, shtetet angazhohen të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar maksimumin e fleksibilitetit të lëvizshmërinë ushtarake në territoret e tyre në mbështetje të implementimit të agjendës së NATO-s për shkurajimin dhe mbrojtjen në zonën euro-atlantike.

Një angazhim i tillë do të shërbejë jo vetëm për misionet NATO, por edhe ato në kuadër të Bashkimit Europian.

Në thelb ky dokument i firmosur nga ministri Niko Peleshi, ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto, ministri bullgar i Mbrojtjes Atanas Zaprianov dhe ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut Vlado Misajlovski, u jep mundësi trupave ushtarake NATO-s të zhvendosen shpejt dhe lirshëm nga Deti Adriatik në Detin e Zi si dhe të depërtojnë në thellësi të Ballkanit, nëse do të jetë e nevojshme.

Ideja për të patur një dokument të tillë, i cili do të garantojë lëvizshmërinë përgjatë vendeve që preken nga Korridori VIII Pan-Europian është propozuar nga Shqipëria, e cila drejtoi të gjithë procesin e negocimit dhe koordinimit. Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, përgjatë të gjithë procesit ndërvepruan dhe u angazhuan për ta finalizuar këtë nismë gjatë punimeve të Samitit të Uashingtonit.

Nënshkrimi i Letrës së Qëllimit vjen në mbështetje të vizionit që Shqipëria ka për Korridorin VIII si edhe të master-projektit për ndërtimin e Bazës Detare NATO në Porto Romano, që do të shërbejë si porta kryesore hyrëse në Ballkanin Perëndimor dhe më tej, në Detin e Zi.

Letra e Qëllimit do të rrisë vizibilitetin e projekteve të përbashkëta si dhe rëndësinë gjeostrategjike të tyre për të gjithë rajonin. bw

Nga Sarajeva në Srebrenicë – nis maratona në kujtim të gjenocidit

Pjesëmarrësit në maratonën e motoçikletave u nisën nga Sarajeva drejt Srebrenicës, 10 korrik 2024.

 

Një kolonë motoçiklistësh, pjesëmarrës në maratonën “Të mos harrohet dhe të mos përsëritet”, u nis të mërkurën nga Sarajeva për në Srebrenicë, ku, më 11 korrik, do të përkujtohet përvjetori i 29-të i gjenocidit kundër boshnjakëve.

Kjo është maratona e 13-të e tillë, në të cilën marrin pjesë rreth 1.000 motoçiklistë dhe e cila i kushtohet përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Motoçiklistët vijnë nga vende të ndryshme, përfshirë: Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Slloveninë, Austrinë, Gjermaninë, Italinë, Suedinë, Zvicrën, Turqinë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Ata duhet të mbërrijnë në Qendrën Përkujtumore Potoçari të mërkurën pasdite.

Atje do të varrosen të enjten eshtrat e 14 viktimave të gjenocidit, që u identifikuan gjatë vitit të kaluar.

Viktima më e re është Beriz (Omer) Mujiq, i cili në kohën kur ndodhi krimi më 1995, ishte 17 vjeç, ndërsa viktima më e vjetër është Hamed Salliq, atëkohë 68 vjeç.

Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Me një vendim në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin si gjenocid.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë të dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. REL

Sarajeva përcjell eshtrat e 14 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Sarajevë, 9 korrik 2024.

 

Një autokolonë me eshtrat e 14 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë parakaloi të martën në Sarajevë, në prag të shënimit të përvjetorit të 29-të të masakrës.

Rrugës për në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku edhe do të varrosen më 11 korrik, autokolona u ndal për pak kohë para ndërtesës së Presidencës së Bosnje e Hercegovinës në qendër të qytetit.

Eshtrat e viktimave që do të varrosen, u identifikuan gjatë vitit të kaluar.

Viktima më e re është Beriz (Omer) Mujiq, i cili në kohën kur ndodhi gjenocidi më 1995, ishte 17 vjeç, ndërsa viktima më e vjetër është Hamed Salliq, atëkohë 68 vjeç.

Sarajevë, 9 korrik 2024.

Sarajevë, 9 korrik 2024.

Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Në atë kohë, Srebrenica ishte zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.

Me një vendim në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid.

Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Deri më tani, mbi 6.650 viktima të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Përkujtimore Potoçari.

Më shumë se 1.000 persona të zhdukur janë ende në kërkim.

Sarajevë, 9 korrik 2024.

Sarajevë, 9 korrik 2024.

Gjykata të ndryshme kanë dënuar deri tash më shumë se 50 persona, me më shumë se 700 vjet burg, për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë. REL

Pse i shkel Konventat Greqia te grupet etnike,sidomos te çështja çame- Nga Isuf B.Bajrami

 

Në kohën e sotme përveç Serbisë, edhe Greqia është shteti në Evropë, që shkel në mënyrë flagrante disa nga konventat kryesore, mbi të cilat mbështetet rendi i ri ndërkombëtar. Këtë shkelje të përbindshme më shumë e ndien popullsia mbi 200.000-she shqiptare, e dëbuar me dhunë e gjenocid nga trojet e veta etnike në Çamëri.

Para 80 vjetësh, forcat më të errëta të nacionalizmit grek, të nxitura nga qeveria e tyre dhe të drejtuara nga kriminelët e luftës, gjeneralët Zerva e Plastira, bënë spastrimin etnik të Çamërisë nga pjesa e popullsisë shqiptare. Në këtë veprimtari kriminale, rol aktiv ka luajtur edhe kisha greke bizantine me krerët bashkëpunëtorë të nazifashistëve, Spiridhoni e Dhorotheu.

Pastrimi etnik në Çamëri kishte filluar qysh në vitin 1913 dhe ishte shoqëruar me vrasje masive, ku vetëm në vendin e quajtur Përroi i Selanit u masakruan 72 krerë, intelektualë dhe personalitete të grupit etnik shqiptar në Greqi.

Gjatë një periudhe 30-vjeçare, çamët e pambrojtur iu nënshtruan të ashtuquajturës reformë agrare, ku iu grabit toka dhe iu shpërnda kolonëve grekë, të sjellë nga Azia e Vogël në vitet ’20, iu mohua e drejta e shkollës në gjuhën amtare e deri tek e drejta e votës dhe jeta u katandis në skajet e padurimit.

Para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, çamët u paragjykuan dhe u internuan në ishujt e Egjeut, etj. Atyre që u thirrën në ushtri, iu dhanë kazma e lopata, duke i trajtuar si robër lufte. Megjithatë, gjatë luftës çamët dhanë një kontribut të çmuar me pjesëmarrjen e tyre në batalionet ”Çamëria” e “Ali Demi”, ku morën pjesë mbi 1000 luftëtarë, krahas formacioneve çlirimtare greke e në përbërje të tyre, fakte këto të vërtetuara qartë me dokumente e libra të shkruara nga vetë autorët grekë të të dy krahëve politikë, si dhe nga misionet ushtarake aleate (Jani Sharra, Niko Zhangu, Mihal Miridhaqi, C.M.Uoodhouse etj).

Por të gjitha sakrificat e kësaj popullsie në Luftën Çlirimtare u mohuan nga autoritetet greke në fund të Luftës dhe vazhdojnë të mohohen deri në ditët e sotme.

Për këtë në mënyrë absurde, shteti grek mban “de jure” në fuqi Ligjin e Luftës Nr. 2636/1940 si dhe ligjet, pjella të tij, 4506/1966 e 1664/1998.

Në kohën kur është dekretuar Ligji i Luftës me Shqipërinë, çamët ishin shtetas grekë dhe ky ligj s’kishte të bënte fare me ta. Ai mbahet sot si gozhda e Nastradinit dhe për të dëshmuar para botës së qytetëruar se si Greqia shkel konventat ndërkombëtare, të nënshkruara nga vetë ajo.

Greqia vazhdon të shkelë sot “Konventën mbi Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit”, hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970.

Kjo Konventë rikujton rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, datë 13 shkurt 1946 dhe 31 tetor 1947, në lidhje me ekstradimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës dhe Rezolutën 95 të 11 dhjetorit 1946, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut dhe nga vendimi i atij gjyqi, si dhe Rezolutat e dhjetorit 1966, nëpërmjet të cilave Asambleja e Përgjithshme ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone, siç është popullsia e martirizuar e Çamërisë, ku pjesës myslimane iu grabitën pronat, kurse popullsisë së krishtere i mohohet sot identiteti kombëtar, shkolla dhe gjuha amtare.

Tek neni 1 i kësaj Konvente, theksohet se:”… krimet e luftës janë të pa parashkrueshme, cilado qoftë data kur janë kryer”.

Gjithashtu, në pikën b të nenit 1, dënohen pa kufi kohor: “Dëbimi nëpërmjet një sulmi të armatosur ose pushtimit dhe aktet çnjerëzore …, si dhe krimi i gjenocidit, ashtu siç është përcaktuar në

Konventën e 1948, për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, qoftë dhe kur këto akte nuk përbëjnë shkelje të së drejtës së brendshme të vendit ku janë kryer”.

Për cilindo nga krimet e kryera në Çamëri, dispozitat e kësaj konventa kërkojnë të vihen në zbatim edhe “ndaj përfaqësuesve të autoritetit të shtetit që tolerojnë kryerjen e tij”, theksohet në nenin 2, pra edhe qeveria aktuale ka përgjegjësi për çfarëdo qëndrimi zvarritës në dhënien e të drejtave të mohuara popullsisë çame në ditët e sotme.

Në nenin 4, Konventa e detyron Greqinë “të marrë të gjitha masat legjislative e të tjera që do të jenë të nevojshme, për të siguruar mosparashkrimin e krimeve të përmendura në nenet 1 dhe 2 …, si për sa u përket ndjekjeve, ashtu edhe për sa i përket dënimit, atje ku mund të ekzistojë një parashkrim, me ligj apo me një mënyrë tjetër, ai do të hiqet”.

Në kundërshtim të plotë me Konventën e Mosparashkrimit të Krimeve të Luftës, shteti grek nuk ka nënshkruar edhe Protokollin Nr.4 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo është bërë qëllimisht për të mbajtur të pushtuar Çamërinë, në kuadrin e strategjisë greke të “Megali Idesë”, të parit traktat nacionalist antinjerëzor në historinë e Evropës. Në pikën 1 të nenit 3 të këtij protokolli, theksohet: “Askush nuk mund të dëbohet me anë të një mase individuale ose kolektive nga territori i Shtetit, shtetas i të cilit ai është” dhe në pikën 2 të të njëjtit nen nënvizohet: “Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta për të hyrë në territorin e Shtetit, shtetas i të cilit ai është”.

Nga ana tjetër, Greqia si anëtare e Këshillit të Evropës e ka ratifikuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut e, megjithatë, ajo vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, duke i akuzuar pa të drejtë si bashkëpunëtorë të nazifashizmit.

Në pikën 2 të nenit 6 të kësaj Konvente thuhet: “Çdo person i akuzuar për një shkelje të ligjit, prezantohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet ligjërisht”.

Në fakt, pafajësia e çamëve është provuar ligjërisht nga Gjykata e Diktimit të Janinës, në shkresën me numër protokolli 1837, datë 29 shtator 1976, dërguar Ministrisë së Rendit Publik, Drejtorisë së Shërbimeve Kriminale në Athinë.

Pra, ka ardhur koha që pas këtij spastrimi etnik me dhunë të Çamërisë, Greqia të kërkojë falje publike për 2900 viktimat e pafajshme të masakruara, për 40.000 vetët e dëbuar me dhunë, për 68 fshatrat e qytetet e grabitura e të djegura, të gjitha objektet e kultit të rrënuara dhe 60 vjet shfrytëzim të padrejtë të pasurive të tyre. Të marrë të gjitha masat për të siguruar kthimin e çamëve në vendin e tyre në Çamëri, me dinjitet, sipas të gjitha Konventave Ndërkombëtare që ajo vetë i ka ratifikuar.

Shteti shqiptar, krahas punës me fqinjët jugor, të vërë në dijeni OKB-në dhe gjithë organizmat e interesuara evropiane dhe amerikanë, se si “i zbaton” Greqia konventat dhe kartat ndërkombëtare.”

Vendi i Lekës


Send this to a friend