Protestat në Tiranë vazhdojnë të marrin vëmendjen e mediave të huaja. Kështu media e njohur italiane Sky tg24, shkruan se lëvizja studentore përbën një nga sfidat më të vështira politike të kryeministrit Edi Rama.
Më tej në artikull përshkruhet situata, duke argumentuar se “grupe protestuesish me fytyrat e mbuluara janë përplasur me forcat e rendit, duke bllokuar rrugët dhe hedhur mjete piroteknike në qendër të kryeqytetit”.
Ndërkohë Policia ka ndërhyrë duke përdorur autobotët me ujë për të shpërndarë protestuesit dhe për të zhbllokuar akset rrugore.
Protestat, të cilat drejtohen kryesisht nga studentët dhe nisën në mesin e muajit tetor, janë organizuar kundër korrupsionit në qeveri, mungesës së vendeve të punës dhe reformave në sistemin arsimor.
“Lëvizja protestuese përbën një nga sfidat më të vështira politike për kryeministrin Edi Rama”, thuhet në shkrimin e medias italiane.