VOAL

VOAL

DEGA E VATRES NE MICHIGAN ZHVILLOI KUVENDIN – Nga VALENTIN LUMAJ

April 5, 2017
4 Comments
  • author avatar
    Shkodra 9 years ago Reply

    Alfons Grishaj, nje mi the spiun burgjesh, I denuar ordiner, me ne fund dha dorheqjen. I lumt zonjes Elinda Marku qe ia shkatrroj masken ketij pearaziti!

    • author avatar
      Shkodra 9 years ago Reply

      Alfons Grishaj, nje mi the spiun burgjesh, I denuar ordiner, me ne fund dha dorheqjen. I lumt zonjes Elinda Marku qe ia shkatrroj masken ketij pearaziti!

Komentet

KRYEMINISTRAT VIJNË DHE SHKOJNË, KOMUNITETI MBETET Nga Valentin Lumaj

“Duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër, përndryshe të gjithë humbasim si të marrë.”

-Martin Luther King Jr.

Komunitetit shqiptar në Michigan mesoi në mënyrë diskrete për vizitën e kryeministrit Rama në Michigan. Edi Rama nuk vjen në Michigan në një moment politik normal. Ai vjen pas më shumë se 13 vitesh në pushtet dhe tashmë në mandatin e tij të katërt si kryeministër. Ai vjen këtu mbas një kolapsi total në ekonomi dhe mirëqënien e shqiptarëve, në rendin publik, në luftën kundër korrupsionit qeveritar dhe të administratës dhe pas një dështimi në politikën e jashtme sidomos në lidhje me Kosovën. Ai vjen në Michigan mbasi nga Shqipëria janë larguar në 13 vite 1.3 milionë shqiptarë të pakënaqur me jetën në Shqipëri. Edi Rama vjen në Michigan mbas më shumë se 110 ditësh të një protestë e përditshme kundër qeverisë së tij, ku protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë.

Mbas kesaj panorame të qeverisjes së Ramës, njerëzit këtu pyesin me të drejtë se mbi çfarë morali qytetar dhe logjikë normale, një grusht shqiptarësh në Michigan kanë marrë përsipër të presin Edi Ramën, për më tepër të flasin në emër të komunitetit shqiptar të Michiganit, kur mënyra e organizimit të takimit ngre një kontrast të fortë me këtë pretendim për përfaqësim.

Takimi nuk është shpallur publikisht për komunitetin dhe nuk është organizuar si aktivitet me hyrje të lirë. Ftesat janë shpërndarë në mënyrë të përzgjedhur, kryesisht tek individë që organizatorët i konsiderojnë simpatizantë apo mbështetës të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës.

Ka informacione të shumta se disa prej të ftuarve kanë hezituar të marrin pjesë ose nuk u janë përgjigjur ftesave, ndërsa organizatorët kanë vazhduar t’i telefonojnë në mënyrë të përsëritur, deri në bezdi. Të tjerëve u është bërë presion për të marrë pjesë se sbën. Ka zëra se janë ofruar deri në $1000 për të marrë pjesë në takim.

Edhe më serioze janë rastet e presionit dhe kërcënimeve ndaj disa kundërshtarëve të Edi Ramës, me qëllim që të mos protestojnë, të mos flasin dhe të mos shkruajnë kundër tij në rrjetet sociale.

Të dashur organizatorë të pritjes, nëse takimi është partiak, quajeni takim partiak. Nëse po organizoni një pritje private, quaje pritje private. Por nëse shpallni se po vjen kryeministri i Shqipërisë, nuk mund të përzgjidhni pjesëmarrësit sipas bindjeve politike, të ftoni një pjesë dhe të lini jashtë një pjesë. Nuk mundeni ta organizoni pritjen e Edi Ramës larg syrit të publikut dhe në fund ta shisni aktivitetin si “takim me komunitetin shqiptar të Michiganit.”

Komuniteti shqiptar nuk është një listë të ftuarish. Komuniteti përfshin edhe ata që duartrokasin Edi Ramën, edhe ata që protestojnë kundër tij. Askush, as organizatorët e pritjes dhe as organizatorët e protestës nuk kanë monopolin e përfaqësimit të shqiptarëve të Michiganit.

Prandaj këshilla ime për ata është kjo: hapini të gjitha sallat e Hotelit Marriott në një të vetme, pritni aty 2000 shqiptarë, Kryeministri është i të gjithëve. Secili ka pyetjet e tij dhe Edi Rama duhet a ketë kurajon dhe aftësinë për t’u përgjigjur.

Ardhja e Ramës në Michigan nuk mund të reduktohet në fotografi, duartrokitje dhe një gjysmë-sallë me njerëz të përzgjedhur per lepe-peqe. Nëse vjen si Kryeministër i Shqipërisë, ai vjen edhe përballë shqiptarëve që nuk pajtohen me qeverisjen e tij.

Unë personalisht kam kontaktuar një nga organizatorët dhe i kam kërkuar të marr pjesë, kam edhe unë pyetjet e mia. Por ftese nuk kam marrë. Pse kanë frigë nga pyetjet?! Ne që jetojmë për dekada në Amerikë kemi mësuar këtë që nuk është nevoja të përjashtosh apo të heshtësh kundërshtarin për të mbrojtur bindjet e tua.

Ju organizatorë të pritjes i shijoni të mirat dhe demokracinë ë Amerikës, por nga ana tjetër aplikoni standarte shqiptare të politikës. Prandaj nuk është vetëm qeverisja e Edi Ramës shkaku që po e ndez protestën, por edhe mënyra e pritjes dhe organizimit tuaj. Ndërsa ju po e ndani komunitetin shqiptar mëdysh, ju harroni se në Amerikë nuk duhet të kërkosh lejen e një partie shqiptare për të folur, nuk duhet të kesh frikë të shkruash kundër një Kryeministri dhe nuk duhet të mendosh dy herë përpara se të dalësh në protestë me një pankartë.

Te Dielen në orën 4 mbasdite, jashtë sallës ku Edi Rama do të pritet nga mbështetësit e tij, do të jetë edhe një pjesë tjetër e komunitetit, mbase më e madhe, që ka zgjedhur të mos heshtë. Ata mbase kanë 1001 më shumë arsye për të protestuar sesa ata që ju prin krenaria, servilizmi apo interesi për një pozitë këtu, në Pukë apo gjetkë. Nëse brenda sallës Rama do të dëgjojë duartrokitje, nga jashtë saj do të dëgjojë një fjalor të pasur kundërshtues zërash dhe pankartash. Në fund të fundit kjo nuk është ndonjë tabu por është demokraci.

Megjithatë të dashur miq, përtej organizimit të keq dhe pritjes selektive, objektivi i protestës duhet të jetë Edi Rama dhe qeverisja e tij, jo shqiptari që hyn në sallë për ta takuar. Po kështu, askush që hyn në atë sallë nuk duhet ta konsiderojë armik shqiptarin që qëndron jashtë me një pankartë.

Mes shqiptarëve të Michiganit duhet të ekzistojë një vijë e kuqe: jo kërcënime, jo presione, jo provokime, jo sharje personale, jo konflikt fizik. Kritikoni ashpër Ramën, jo shqiptarin përballë jush, shajeni Ramën por mos e shani shqiptarin përballë jush. Mund të jemi kundërshtarë politikë pa u bërë armiq njerëzorë.

Edi Rama mbase është i interesuar që të përçajë komunitetin tonë në Michigan, por komuniteti ynë duhet ta shmangë me çdo kusht importimin në Michigan të konfliktit dhe polarizimit politik të Shqipërisë.

Për dekada, shqiptarët e Michiganit kanë jetuar në një harmoni që politika shqiptare shpesh nuk ka ditur ta krijojë. Nuk kemi ardhur në Amerikë për të sjellë me vete armiqësitë politike të Shqipërisë. Kemi ardhur për të ndërtuar një jetë dhe një komunitet më të mire sipas një kulture të re Amerikane.

Martin Luther King Jr. ka thënë:

“We must learn to live together as brothers or perish together as fools.

Duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër, përndryshe të gjithë humbasim si të marrë.”

Të hënën Rama ikën, por ne mbetemi këtu. Kjo është ajo që duhet të kujtojmë të dielën. Të hënën do të jemi përsëri fqinjë. Do tw takohemi në të njëjtat kisha e xhami, në festat kombëtare, festivalet, shkollat shqipe, dasmat dhe gëzimet familjare. Fëmijët tanë rriten së bashku. Bizneset tona bashkëpunojnë. Kur një familje shqiptare ka nevojë, rrallë pyesim nëse është socialiste apo demokrate. Kjo është një pasuri që nuk duhet ta humbasim për asnjë politikan.

Le ta presë Ramën kush dëshiron. Le të protestojë kundër tij kush dëshiron. Le të debatojmë sa të duam për politikën, qeverinë dhe të ardhmen e Shqipërisë, le të ndahemi në mendime, por jo si shqiptarë. Prandaj nuk ia vlen që një vizitë politike prej disa orësh të shkatërrojë marrëdhënie të ndërtuara për dekada. Shqipëria ka mjaftueshëm konflikt politik, nuk kemi nevojë ta importojmë atë në Michigan.

Sepse të hënën, kur kamerat të jenë fikur, kur takimi të ketë përfunduar, kur protesta të jetë shpërndarë dhe Edi Rama të jetë larguar nga Michigan-i, ne do të vazhdojmë të jetojmë këtu, pranë njëri-tjetrit.

Kryeministrat vijnë dhe shkojnë. Komuniteti mbetet.

Kardinal Ernest Troshani, nga mesha për shpirtin e JFK-së tek dënimi me vdekje – Keto dite ndodhej ne USA per kremtimin e festes se Shën Nene Terezes dhe 250 vjetorin e pamvarsise se Amerikes Nga Marketin Pici

Nga mesha për shpirtin e JFK-së tek dënimi me vdekje: Historia tronditëse e Kardinal Troshanit

Kardinal Ernest Troshani ateher nje prift shum i ri u arrestua nga komunistët në Shqipëri naten e Krishtlindjeve të vitit 1963, vetem sepse kishte mbajtur një meshë përkujtimore për shpirtin e Presidentit të vrarë amerikan, John F. Kennedy.

Fillimisht i dënuar me vdekje dhe pasi kaloi 18 vite në burg e shume te tjere ne internim, sot ai është 98 vjeç.

U emërua kardinal nga Papa Françesku në vitin 2016. Ai eshte një njeri me plot energji që udheton nga nje shtet ne tjetrin dhe tani edhe pertej oqeanit.

Keto dite ndodhej ne USA per kremtimin e festes se Shën Nene Terezes dhe 250 vjetorin e pamvarsise se Amerikes.

Ai ishte në New-Jork për të mbajtur një meshë për komunitetin shqiptar, ndërsa kete fundjave ishte ne Virxhinia për një tjeter meshë dhe perseri javen tjeter udheton per ne Londer per nje tjeter celebrim me komunitetin shqiptar atje.

Ne meshen ne Virginia ishin te ftuar nga organizatoret edhe pjestar te familjes Kennedy fakt per te cilin ai u denua me burgim. Ne omelin e tij te pasur me devocion ndaj Shën Maris ai predikoj mbi moralin e familjes mbajtjen e larg veset imorale qe shkojn kundra fese dhe familjes. Ai tha se Zoti ka krijuar gjithsine, boten dhe esht kujdesur per cdo detaj te krijimit te jetes tone dhe shpesh ne jemi te verber e nuk i shohim keto dhurata por jemi te nxitur nga te mirat materiale qe bota e jeta e perdishme na shfaq e tundon.

Mbas meshes nuk mungoi edhe nje lutje e vecante ekzorcizem per te pranishmit.

Kardinal Troshani  i permendur e i njohur per disa mrekulli qe kanë ndodh nga lutjet e tij por qe ai i heshtur nuk i permend, vihej re prania  njerzve qe prisnin mbas meshes qe ai te bente nje lutje te vecante per to.

Mbas kremtimit te meshes ishte pergatitur me kujdes nga organizatoret nje koktej i pasur me guzhine tradicionale shqiptare e muzike ku Kardinal Troshani kishte mundesine te takohej e te bashkebisedonte me organizatoret e eventit dhe shume personalitete shqiptare ne mergim qe jetojne rreth zones se Washington DC, ketu do te vecoja nje takim te ngrohte me juristin profesor, Dr. Zef Brozi dhe familjen e tij si ish kryetar i Gjykates se Larte ne shqiperi ne vitet 90-95 dhe me familjen e Dr. Gjon Bucaj is ish kryetar i Vatres per shume vite, keto te fundit i dhuruan Kardinalit edhe librin e Dr. Bucaj “Vatra ne kapercyell te shekujve” i pasur me foto dhe dorshkrime dokumenta te Vatres nder vite, kardinali shfaqi kuriozitet dhe diskutuan mbi nje foto te vecante ne liber ku shfaqen te gjithe kreret e besimeve fetare ne diaspore te mbledhur me rastin e 100 vjetorit te themelimit te Vatres.

Kardinal Troshani si gjithmone ishte entuziast dhe energjik per takimin e tij te rradhes me diasporen ne Londer.

Shkrimi dhe fotot nga M. Pici

25 vjet nga 11 Shtatori- Tre shqiptarët që humbën jetën në tragjedinë e Kullave Binjake, historitë e tyre

Në mbarë botën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkujtohen sot viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001. Në mesin e mijëra njerëzve që humbën jetën në atë tragjedi ishin edhe tre shqiptarë: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj. Pas 25 vitesh, historitë e tyre vazhdojnë të jenë pjesë e kujtesës së familjeve të tyre, komunitetit shqiptar dhe vetë Memorialit të 11 Shtatorit në New York.

Më 11 shtator 2001, terroristët e Al-Kaedës rrëmbyen katër aeroplanë pasagjerësh. Dy prej tyre u përplasën me Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, një tjetër goditi Pentagonin në Washington, ndërsa avioni i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani.

Në mesin e viktimave ishin qytetarë të më shumë se 70 shteteve të botës.

Mes tyre ishin edhe tre shqiptarë që punonin në Qendrën Botërore të Tregtisë: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj.

Familjarët e tyre vazhdojnë t’i përkujtojnë çdo vit, ndërsa emrat e tyre janë pjesë e memorialit kushtuar viktimave të sulmeve.

Simon Dedvukaj, 26-vjeçari që ishte krenar për rrënjët shqiptare

Simon Marash Dedvukaj ishte vetëm 26 vjeç dhe më i riu nga tre shqiptarët që humbën jetën në Manhattan.

I lindur dhe i rritur në Bronx, Simon ishte shumë i lidhur me prejardhjen e tij shqiptare. Sipas kujtimeve të familjes, që në moshë të re ai interesohej për historinë dhe traditat shqiptare dhe ishte personi të cilit vëllezërit e motrat i drejtoheshin kur kishin pyetje për historinë e familjes.

Ai ishte i martuar me Elizabetën dhe çifti do të festonte përvjetorin e parë të martesës në tetor 2001.

Simon punonte në ABM Industries dhe ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e punëtorëve të mirëmbajtjes në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Më 11 shtator 2001, ai ndodhej në Kullën e Veriut.

Sot, një pjesë e kujtesës së tij ruhet edhe në Muzeun e 11 Shtatorit. Në koleksionin e muzeut ndodhet një brez tradicional shqiptar që i përkiste Simonit, ndërsa familja ka dhuruar edhe sende të tjera personale të tij.

Në New York është krijuar gjithashtu “Simon M. Dedvukaj Foundation”, që synon edukimin dhe orientimin e brezave të rinj për të bërë zgjedhje të duhura në jetë dhe për t’i shërbyer jo vetëm vetes dhe familjeve, por edhe komunitetit ku jetojnë.

Mon Gjonbalaj, shqiptari që e konsideronte Kullën Binjake shtëpinë e tij të dytë

Mon Gjonbalaj, shqiptar nga Kosova, kishte punuar për rreth 30 vjet në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Ai punonte për ABM Janitorial Industries dhe ishte pjesë e stafit të mirëmbajtjes së Kullës Jugore.

Gjonbalaj ishte shumë i lidhur me vendin e tij të punës. Sipas familjarëve, ai shpesh mbërrinte rreth një orë para fillimit të punës për të pirë kafe dhe për të biseduar me kolegët.

Edhe pse i ishte afruar moshës së pensionimit, ai nuk dëshironte të largohej nga puna. Familjarët kanë treguar se Gjonbalaj e konsideronte ndërtesën si “shtëpinë e tij të dytë”.

Mëngjesin e 11 shtatorit, ai ndodhej në katin e 86-të të Kullës Jugore kur avioni i rrëmbyer goditi ndërtesën.

Gjonbalaj arriti të telefononte familjen e tij. Në telefon ai u tregoi të afërmve se ishte i bllokuar dhe u dha një mesazh që familja e tij ta mbante mend përgjithmonë: të qëndronin të fortë dhe ta mbanin familjen të bashkuar.

Sot, kujtimi i tij ruhet edhe në Muzeun e 11 Shtatorit.

Në vitin 2016, djali i tij Sal i dhuroi muzeut uniformën që Mon Gjonbalaj kishte veshur në punë më 10 shtator 2001, një ditë para sulmeve. Uniforma është ekspozuar në kuadër të koleksionit përkujtimor të muzeut.

Kolegët e tij e kishin quajtur me shaka “Jambalaya”, për shkak të vështirësisë që kishin për të shqiptuar mbiemrin e tij shqiptar.

Rrok Camaj, shqiptari që punonte në lartësi ekstreme

Rrok Camaj, shqiptar nga Malësia e Madhe, kishte një nga punët më të rrezikshme në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Ai punonte si pastrues i xhamave në pjesën e jashtme të ndërtesave dhe ngjitej në lartësi ekstreme për të pastruar dritaret e Kullave Binjake.

Sipas të dhënave të publikuara në nekrologjinë e tij, disa herë në vit ai punonte në lartësinë e katit të 107-të, duke përdorur pajisje speciale për të pastruar pjesët e ndërtesës që nuk mund të arriheshin nga sistemi automatik.

Familjarët e përshkruanin si një njeri që nuk kishte frikë nga lartësitë dhe që e donte shumë punën e tij.

Rrok Camaj ishte kthyer në Shtetet e Bashkuara vetëm një ditë para sulmeve, më 10 shtator, pas një udhëtimi në Mal të Zi.

Mëngjesin e 11 shtatorit ai ndodhej në Kullën Jugore.

Pas goditjes së avionit, Camaj arriti të kontaktonte familjen. Në telefon ai kërkoi që të mos kishte panik dhe u përpoq t’i qetësonte të afërmit.

Pak më vonë, në orën 09:59, Kulla Jugore u shemb.

Rrok Camaj ishte 60 vjeç.

Kujtimi i tre shqiptarëve vazhdon të jetojë

Historitë e tre shqiptarëve nuk janë harruar.

Familjet e tyre kanë vazhduar ndër vite të vizitojnë memorialet dhe të ruajnë kujtimet personale të njerëzve të tyre të dashur.

Në rastin e Simon Dedvukajt dhe Mon Gjonbalajt, kujtime dhe sende personale të tyre janë bërë pjesë e koleksioneve të Muzeut të 11 Shtatorit, duke bërë që historitë e tyre të tregohen edhe për brezat e ardhshëm.

Kujtimi i Rrok Camajt është ruajtur po ashtu përmes dëshmive të familjes dhe miqve, të cilët ndër vite kanë lënë mesazhe përkujtimore në nderim të tij.

Tre shqiptarët mbeten pjesë e historisë së komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, por edhe pjesë e kujtesës së përbashkët të mijëra viktimave të 11 Shtatorit.

Tragjedia që ndryshoi botën

Sulmet e 11 Shtatorit 2001 morën jetën e rreth 3 mijë njerëzve dhe ndryshuan përgjithmonë Shtetet e Bashkuara dhe mënyrën se si bota përballej me terrorizmin.

Dy aeroplanët që u përplasën me Kullat Binjake shkaktuan shembjen e ndërtesave, ndërsa një tjetër goditi Pentagonin. Avioni i katërt u rrëzua në Pensilvani pasi pasagjerët dhe ekuipazhi tentuan të marrin kontrollin e tij.

Sot, 25 vjet pas asaj dite, në New York dhe në mbarë Shtetet e Bashkuara zhvillohen ceremonitë përkujtimore.

Në mesin e emrave që kujtohen janë edhe tre shqiptarët: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj.

Ata humbën jetën në një prej tragjedive më të mëdha të historisë moderne, por historitë e tyre vazhdojnë të jetojnë përmes familjeve, komunitetit shqiptar dhe kujtesës së ruajtur në memorialin e 11 Shtatorit. gsh

Berisha nga SHBA: Kam një kushtrim për shqiptarët në botë, Shqipëria duhet të çlirohet nga narkoshteti

Kreu i PD-së Sali Berisha në takimin e mbajtur me shqiptarët në Nju Xhersi dha një kushtrim për çlirimin e Shqipërisë nga narko-shtetit i drejtuar nga Edi Rama.

Berisha theksoi se shqiptarët anembanë, jo vetëm në Amerikë, por edhe në vende të Europës duhet të bashkohen që vendi të çlirohet nga pushteti i krimit dhe drogës.

Kryedemokrati mori rastet e Çyrbjes, Agasit dhe Belinda Balluku për të dëshmuar korrupsionin dhe krimin e pushtetit qeveritar dhe kryeministror të Ramës.

Berisha: Por miq, duhet të jemi të sinqertë se, këtu nuk kam ardhur vetëm për falënderime dhe festime, ndonëse mirënjohja ime ndaj jush dhe kombit amerikan është e përjetshme dhe e pakufishme.

Sot unë kam ardhur këtu me një thirrje të fortë për ju, por dhe çdo shqiptar tjetër në Kanada, në Itali, në Gjermani, në Greqi, në Spanjë dhe në çdo vend tjetër të Evropës dhe të botës.

Sot nga kjo platformë kam një thirrje për çdo shqiptar në Shqipëri dhe kudo që ndodhet dhe që po na ndjek në këtë takim, në media, në internet, kam një kushtrim për të gjithë shqiptarët.

Dita e sotme mund të jetë për ne një moment përmbushje dhe triumfi, por ne si shqiptarë kemi disa arsye shumë të forta që sot të mos jemi të përmbushur, të mos ndjehemi të përmbushur dhe triumfues. Jo dhe jo.

Sepse Shqipëria, dheu ynë i dashur, po rrokulliset ndoshta më shumë se kurrë në ekzistencën e saj. Në Shqipëri ekstremi i majtë që ka lindur nga krimi, ka sunduar me krimin, është shartuar, është shartuar me kartelet e drogës të cilat presidenti i Shteteve të Bashkuara me shumë të drejtë po i krahason me organizatat terroriste.

Duke sjellë kështu në jetë një monstër të rrezikshme që ushqehet me paratë e shqiptarëve ditë e natë, që lë spitalet pa ilaçe dhe mjeron të sëmurët shqiptarë, që ka rrënuar arsimin në një shkallë ekstreme, që ka shkatërruar drejtësinë dhe kontrollon atë, duke e bërë bashkë me dy-tre vite burg ata që kanë vjedhur miliona dhe pastaj i liron që të shijojnë paratë e tyre, siç ka ndodhur me Tahirin, Dakon, Beqajn, Çyrbjen, Bllakon e të tjerë, që janë liruar nga qelia dhe nuk u kanë kthyer shqiptarëve asnjë qindarkë të vjedhur.

Kjo monstër, duke iu referuar statistikave të Eurostatit, po kërcënon tani së fundi shqiptarët edhe me uri, me çmimet që rriten 5.2 herë më shumë të ushqimeve sesa në mesataren e Bashkimit Evropian, në qytetet që kanë kapur pagën mesatare.

Kjo monstër hibride midis ekstremit të majtë dhe karteleve të drogës është narkoshteti shqiptar, me në krye Edi Ramën, i cili po shpopullon Shqipërinë me ritme apokaliptike.

Ka zbrazur Shqipërinë me mbi 1 milion vetëm në zonën e Shengenit, sipas shifrave të Bashkimit Evropian. Ky narkoshtet antishqiptar është themeluar dhe drejtohet nga një individ i vetëm, që ka mbledhur të gjitha pushtetet në duart e tij, më shumë se diktatori i fundit, që sundon shqiptarët duke mos lejuar zgjedhje të lira, që ka shuar përfundimisht kufirin midis partisë dhe shtetit.

Ky monstër me emrin Edi Rama bllokon drejtësinë me 83 mandatet e krimit, siç patë në rastin e Lubi Ballukut, ku nuk u votua heqja e saj e imunitetit. Ky monstër me emrin Edi Rama kontrollon mediat kombëtare.

Dhe ky, në bashkërendim me padronin e tij në Beograd, Vuçiçin, është faktuar një armik i egër i interesit kombëtar, një armik i egër i Kosovës dhe i kombit shqiptar.

Miq, Edi Rama do të ishte kryeministri i parë në botë, Tirana do të ishte qeveria e parë në botë që do të vendoste sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, ndaj Kosovës. Do të mbetet përjetë në shtyllën e turpit, akti i këtij tradhtari i cili nuk la përpjekje pa bërë për të plotësuar ambiciet serbe në Kosovë, për të shpërbërë Kosovën.

Por u dua të përshëndes përzemërsisht autoritetet e Kosovës të cilat qëndruan, të cilat qëndruan. Qëndruan me burrëri, me guxim, ndaj Vuçiçit dhe argatit të tij në Tiranë.

Dua të përshëndes sot para jush dhe në emër tuaj, ish-udhëheqësit politikë të Kosovës që vuajnë vitet të tëra në burg nga projektet e këtij atdhe-shkatërruesi, dhe t’u uroj nga zemra të marrin pafajësinë dhe të kthehen të lirë në tokën e tyre.

Miqtë e mi, nëse duam të shembim narkoshtetin antishqiptar, nëse duam të çlirojmë Shqipërinë nga kthetrat e ekstremit të majtë, askush nuk duhet të harrojë: Partia Socialiste është themeluar mbi krimin kombëtar dhe tradhtinë kombëtare, ka qeverisur me krimin kombëtar, vazhdon të qeverisë me krimin kundër shqiptarëve. sn

Berisha me përfaqësuesit e Diasporës në SHBA: Në 10 vitet e fundit, 46% e shqiptarëve janë larguar nga regjimi i drogës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi shpopullimin, ekonominë dhe ndikimin e krimit të organizuar si problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria.

Gjatë një takimi me diasporën shqiptare në SHBA, Berisha tha se mbi 46% e shqiptarëve janë larguar nga vendi gjatë dhjetë viteve të fundit. Ai e lidhi këtë fenomen me atë që e quajti “regjim të drogës” dhe me ndikimin e parave të narkotikëve në ekonomi dhe institucione.

“Ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë tonë, dhe kjo fuqi helmuese është droga”, tha Berisha.

Sipas kreut demokrat, hyrja e parave të pista ka ndikuar edhe në kursin e këmbimit. Ai deklaroi se euro është zhvlerësuar me 35% dhe dollari me 32% gjatë dhjetë viteve në Shqipëri, duke argumentuar se kjo ka goditur eksportet, bizneset dhe remitencat.

“Me këtë janë shkatërruar, kanë falimentuar me mijëra ndërmarrje”, u shpreh ai.

Berisha e lidhi gjithashtu dobësimin e monedhës me atë që e konsideroi pasojë të “narkoeurove”, duke thënë se ekonomia shqiptare po përballet me një deformim të shkaktuar nga paratë e drogës.

Në fjalën e tij, ai akuzoi qeverinë se krimi i organizuar ka ndikim në institucionet shtetërore dhe në zgjedhje.

“Kjo nomenklaturë që ka në dorë këto miliarda, kjo vendos për çdo gjë. Vendos ministrat, vendos drejtorët e policive, vendos zyrtarët, vendos zgjedhjet”, deklaroi Berisha.

Ai tha se krimi i organizuar po pengon rotacionin politik dhe i cilësoi zgjedhjet si “farsë”.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij ishte shpopullimi. Berisha paralajmëroi se, nëse largimi i shqiptarëve vazhdon me të njëjtin ritëm, pasojat demografike do të jenë të rënda.

“Në qoftë se nuk ndalohet, në pak dekada më vonë ne do jemi pakicë në vendin tonë”, tha ai.

Berisha kërkoi nga diaspora shqiptare në SHBA që të angazhohet pranë institucioneve amerikane dhe partnerëve ndërkombëtarë për të denoncuar, sipas tij, lidhjet mes krimit të organizuar dhe pushtetit.

Ai e vlerësoi si të rëndësishme qasjen e administratës amerikane ndaj luftës kundër karteleve të drogës dhe tha se do të kërkojë mbështetjen e SHBA-së për forcimin e shtetit ligjor dhe garantimin e votës së lirë.

“Do të bëj gjithçka për paraqitjen e realitetit të Shqipërisë tek partneri ynë kryesor”, deklaroi Berisha.

Në fund të takimit, kreu i PD-së falënderoi diasporën shqiptare në SHBA për kontributin e saj në mbështetjen e Shqipërisë dhe në çlirimin e Kosovës, duke e ftuar atë të vijojë angazhimin politik për vendin.

Fjala e plotë:

Ju faleminderit për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe praninë tuaj sot në këtë takim të përbashkët, mbetem shumë njohës dhe falënderues.

Me besim të plotë në rolin e jashtëzakonshëm që ju keni luajtur në të shkuarën dhe do luani dhe tani, në mënyrë që të kapërcejmë një situatë në rrafshin ekzistencial kombëtar, ndër më të rëndat e regjistruar ndonjëherë në histori.

Në 10 vjet, nga ajo e keqe e madhe që i ka rënë vendit, mbi 46% e shqiptarëve nuk janë më në Shqipëri. Disa miq të mi kanë kaluar këto tre-katër ditë në thellësitë më të mëdha të Alpeve. Çfarë u bëri përshtypje? Lëre, ku do gjenin punëtorë filipinas, egjiptianë dhe të kombësive të tjera.

Tani, ky regjim në Tiranë, ndryshe, nuk është një diktaturë totalitare. Jo, nuk ka kampe përqendrimi, nuk ka burgje, nuk ka skuadra pushkatimi. Por ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë tonë, dhe kjo fuqi helmuese është droga. E cila, për të kuptuar rëndësinë e saj, do t’ju them kaq: në asnjë vend të botës në 10 vite, dy monedhat më të fuqishme të planetit, dollari amerikan dhe euro evropiane, nuk kanë pësuar një rënie dramatike, respektivisht 35 dhe 32%, sa kanë pësuar në Shqipëri.

Kaq janë ç’vlerësuar të gjitha eksportet e vendit, me këtë janë shkatërruar, kanë falimentuar me mijëra ndërmarrje. Nuk po flas për zhvlerësimin e remitencave dhe ndihmave që u çoni njerëzve tuaj në këtë shkallë. Pra kjo fuqi e jashtëzakonshme, e cila është një problem planetar, nuk mund të themi se është vetëm problem shqiptar.

Por në Shqipëri, në ekonomi dhe në financa, ka patur efektin më shkatërrimtar se në çdo vend tjetër. Euro është ç’vlerësuar 17% në Meksikë, dollari është ç’vlerësuar 12% në Meksikë. Unë u ndala në këtë aspekt, për të mos thënë aspektin tjetër, që kjo nomenklaturë që ka në dorë këto miliarda, kjo vendos për çdo gjë.

Vendos ministrat, vendos drejtorët e policive, vendos zyrtarët, vendos zgjedhjet. Një nga përfaqësuesit më të shquar të Parlamentit Evropian, që kryesoi ekipin e deputetëve evropianë në vëzhgimin e zgjedhjeve, u tha në parlament kolegëve të tij se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit. Dhe e vërteta është që kjo diktaturë një lloj si e para, zgjedhjet i ka farsë.

Tek po bisedoja me një mikun tim David Philips, që I jam shumë mirënjohës për të gjitha ndjenjat e tij miqësore ndaj shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe më tha, cili është problemi? Problemi themelor për ne është paraqitja e këtij problemi shkatërrimtar për Shqipërinë para miqve, partnerëve tanë, kështu siç është. Ky regjim, kjo diktaturë autokratike, është vite dritë ndryshe nga totalitarja. Komunikimi është jo i lehtë sepse ka një fuqi propagande të jashtëzakonshme dhe ka një fuqi lobuese të pakufishme.

 S’po ndalem më shumë, por roli dhe rëndësia e juaj, e secilit prej jush, në paraqitjen e këtij realiteti para përfaqësuesve tuaj, para zyrtarëve të këtij vendi, është ndihma më e madhe që ju mund t’i jepni Shqipërisë dhe unë besoj se do t’ja jepni.

Keni bërë një punë të jashtëzakonshme për lirinë e Shqipërisë dhe për çlirimin e Kosovës. Por duhet t’ju them këtu, 10 vitet që lamë pas, nga këto faktorë që përmenda, shqiptarët e larguar nga Shqipëria janë mbi dy herë më shumë se shqiptarët e larguar nga Kosova në zbatim të platformës së Çubrilloviçit, që ajo kishte një synim, një qëllim, dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Sot, po këto kushte, e gjithë Shqipëria është kthyer në një çiflig të një njeriu, ku investimet në Shqipëri rurale nuk ekzistojnë, ku u shkatërruan shërbimet një lloj siç parashihte platforma, u hiqen bashkitë, komunat, një centralizim i paparë ndonjëherë.

Çfarë, si duhet ta marrim ne këtë? Këtë duhet ta marrim dhe ne e marrim si një detyrim që të vazhdojmë këtë betejë me të gjitha mundësitë tona dhe të falënderojmë zotin. Se në qoftë se atë të parën po të vendosje ta luftoje, në 90% të jepte dyert e burgut ose hapje gropën e varrit. Kjo e dyta të jep mundësi ta luftosh, mund të humbasësh vendin e punës, mund të pësosh gjëra, por nuk pëson ato që pësoje tek e para. Ndaj dhe ne jemi shumë të vendosur ta vazhdojmë këtë betejë. Por thirrja ime dhe ndaj jush, që keni qenë gjithnjë diaspora më e rëndësishme e kombit me një rol shumë të madh, të kontribuoni, të frymëzoni miq, nga po përmend disa emra që kam këtu, si Harri Bajraktari, Sergio Bytyçi, do doja të përmendja shumë të tjerë, të cilët në vitet ’90-të në vazhdim bënë gjithçka për Kosovën dhe Shqipërinë. Një kohë e dytë është të përpiqemi të bëjmë gjithçka, përndryshe ky shok demografik që kemi pësuar, në qoftë se nuk ndalohet, në pak dekada më vonë ne do jemi pakicë në vendin tonë.

Asnjëherë nuk ka vend për pesimizëm. Ka një gjë shumë të rëndësishme, që kjo administrate (e SHBA) e ka marrë në mënyrë shumë serioze luftën kundër karteleve dhe ky është një fat i madh. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka të kthejmë në Shqipëri shtetin ligjor, të drejtat e shqiptarëve për të votuar të lirë dhe jo në farsë zgjedhore.

Unë jam shumë besimplotë se kontributi juaj do të jetë, në atë nivel të dashurisë që ju keni për Shqipërinë, të atdhetarizmit tuaj, dhe ju garantoj që edhe ne do bëjmë gjithçka për t’u ndarë me këtë të keqe të madhe.

Unë vij këtu për një vizitë pas disa vitesh, do bëj gjithçka për paraqitjen e realitetit të Shqipërisë tek partneri ynë kryesor dhe në fakt kam shumë besim në mbështetjen dhe në ndihmën e Shteteve të Bashkuara mbasi në këtë rast është interesi shumë i madh edhe i këtij vendi. Shqiptarët, të dashur miq, sot janë transportuesit kryesorë të kokainës nga Amerika Latine në Evropë, me distancë nga të tjerët dhe e gjitha kjo është në makinerinë e pushtetit.

Pra, e konsideroj veten me fat që pata mundësi të vij e t’ju takoj ju, me besimin më të madh tek kontributi juaj për të rikthyer në Shqipëri, kushtetutën, ligjin, të drejtat bazë të shqiptarëve. bw

BESA, PARIMET DHE ANATOMIA E OPORTUNIZMIT TË DREJTUESVE E VATRËS Nga Valentin Lumaj

Nga akuza: “Të paditurit janë të zemëruar dhe të motivuar nga refuzimi i VATRËS për t’u angazhuar në mbështetje të z. Sali Berisha, i cili është shpallur ‘persona non grata’ nga qeveria e Shteteve të Bashkuara… Lumaj ka bërë deklaratë të rreme se Edi Rama ishte akuzuar për krime të tilla si tradhti dhe korrupsion…”

Institucionet historike maten jo vetëm me jetëgjatësinë e tyre, por edhe me aftësinë për t’u qëndruar besnike parimeve mbi të cilat janë ngritur. Federata Vatra 114 vjeçare, sot mund të ketë seli, kryetar, statut, gazetë, ceremony dhe fotografi, por mund të ketë humbur diçka shumë më të rëndësishme: autoritetin moral. Nëse Vatra ka humbur autoritetin nmoral, ajo mund të vazhdojë të ekzistojë juridikisht, por që fillon të zbrazet shpirtërisht, dhe ky mendoj unë, është problemi më serioz i drejtimit të sotëm të Vatrës.

Fan Noli, Faik Konica dhe brezi i patriotëve që ngritën dhe konsoliduan Vatrën nuk na lanë trashëgim jo vetëm Vatrën, por edhe diçka tjetër të çmueshme: standardin moral, i cili në traditën shqiptare përmblidhet në një fjalë të madhe që quhet BESË.

Besa nuk asht folklor, dekor patriotik apo fotografi me politikanin e radhës. Besa është marrëveshja ndërmjet fjalës së djeshme dhe veprimit të sotëm. Aristoteli e lidhte virtytin me karakterin dhe karakterin me veprimin e përsëritur. Pikërisht për këtë arsye një drejtues nuk gjykohet vetëm nga ajo që deklaron, por nga modeli që krijojnë veprimet e tij të përsëritura, të cilat bëhen mënyrë e të menduarit dhe të drejtimit. Historia e viteve të fundit të Vatrës, mendoj se paraqet pikërisht një model kontravers të tillë.

Pse mendoj unë kështu, do ta shtjelloj më poshtë.

Në vitin 2020, Elmi Berisha sapo u zgjodh pa zgjedhje kryetar i Vatrës, zhvilloi takim me Gramoz Ruçin dhe Taulant Ballën. Pati një revoltë të madhe të vatranëve. Por mua më ra në sy heshtja e Alfons Grishajt, i cili paraqitet vazhdimisht si protagonist i 2 Prillit 1991 dhe antikomunist. Nuk mbaj mend ndonjë reagim proporcional prej tij ndaj takimit të kryetarit të Vatrës me Gramoz Ruçin, figurë rreth së cilës prej dekadash ekzistojnë akuza të rënda publike lidhur me vrasjet e 2 Prillit. Ku shkuan parimet dhe morali e Grishajt, apo ato vlejnë vetëm kur nuk prekin interesin?

Si me dashtë me e la këtë veprim, më pas pamë Elmi Berishën në aktivitete politike të Partisë Demokratike dhe në fotografi me Sali Berishën. Gjithashtu, vatranët kujtojnë emailet ku Alfons Grishaj fliste për miqësinë e tij me Sali Berishën, madje duke e përdorur këtë afërsi si një lloj peshe politike edhe për të kërcënuar me jetë vatranët kundërshtarë të tij në Vatër.

Por fill mbas përcaktimit amerikan “non grata” ndaj Sali Berishës, atmosfera ndryshoi: “Berisha ka mbaruar punë”, thuhej. Miku i tyre i djeshëm u kthye papritur në një barrë politike. Në bisedat që zhvilloja personalisht me Elminë, Alfonsin, kolonel Demirajn apo editorin e Dielit Paja, qëndrimi i tyre kundër Sali Berishës dhe në favor të Lulzim Bashës ishte i dukshëm. Kur i kërkova Alfons Grishajt ndihmë për organizimin e një Foltoreje në Michigan, ai refuzoi.

Pas vendimit të Lulzim Bashës të 9 shtatorit 2021 për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, linja editoriale e Diellit, sipas vlerësimit tim, u vu dukshëm në shërbim të Bashës.

Ndër shkrimet e mija në mbështetje të Doktorit, mbaj mend që atë periudhë i dërgova redaktorit të Diellit Sokol Paja shkrimin tim: “Dritë-hije shqiptaro-amerikane mbi çështjen Berisha”. Ai jo vetëm që nuk e botoi, por më bllokoi në gazetën Dielli dhe nga të gjitha kanalet e komunikimit. “Sa të jem unë në këtë gazetë, emri i Sali Berishës nuk do te përmendet këtu”, më tha. Dhe si për ironi, por jo koencidencë, të vetmet faqe shqiptare publike që më kanë bllokuar kanë qenë faqja e Edi Ramës dhe menjëherë pas saj, gazeta historike e Vatrës, Dielli.

Në Kuvendin e Vatrës të vitit 2022 paraqita një rezolutë në emër të Vatrës që i kërkonte ambasadores Yuri Kim të mos ndërhynte në proceset e brendshme të Partisë Demokratike dhe në zgjedhjen e drejtuesve të saj, të cilën delegatët e miratuan. Elmi Berisha dhe veçanërisht Alfons Grishaj e kundërshtuan dhe bllokuan publikimin e saj. Këto janë vetëm disa episode, që duhet të mbeten në kujtesën institucionale të Vatrës, sepse tregojnë se debati për Dr. Berishën e PD-në nuk është shpikur sot.

Vazhdojmë…

U bë e bujshme edhe marrëveshja me Edi Ramën e shpallur nga vetë drejtuesit e Vatrës, që e quajtën më vonë memorandum me Parlamentin e Shqipërisë, i cili nuk u nënshkrua kurrë, si pasojë e reagimeve publike të vatranëve.

Në të njëjtën periudhë pati tensione edhe rreth vizitës së deputetit Belind Këlliçi në Vatër. Sipas të dhënave që kam, redaktori i Diellit, Sokol Paja kishte angazhuar rreth 20 huliganë për të prishur takimin e tij. Besoj se mbani mend se si Sokoli i raportonte për këtë vizitë zëdhënësit të Edi Ramës, Mero Naze në gazetën e tij Tema.

Kur Edi Rama vinte në New York, përfaqësues të Vatrës merrnin pjesë në takime të ngushta me të. Në Vatër u pritën edhe përfaqësues të Bashës si Gjekmarkaj dhe deputetë socialistë si Lindita Nikolla etj.

Por kontrasti bëhet moralisht shumë më i rëndë kur kujtojmë se, ndërkohë që politikanëve u hapej dera, vatranëve u mbyllej ajo.

Elmi Berisha ju mbylli dyert dhe la në shi rreth 70 vatranëve kur ata u mblodhen për një mbledhje në Selinë e Vatrës. Si mundej t’i mbyllej dera e Vatrës Agim Rexhës, “Nderi i Kombit”, President Nderi i Vatrës, një njeri me kontribute të rëndësishme financiare dhe funksionale, si dhe njëri nga firmëtarët e blerjes të kësaj e Selie?!

Si mundej ti mbyllej dera e Vatrës Sergio Biticit, një patrioti dhe nacionalisti të njohur, i cili bashkë më vëllezërit e tij e kishin mbajtur Vatrën si “veshka në dhjamë” me financa dhe kujdes të veçantë për dekada e dekada?!

Si mund ti mbyllej dera e Varës Idriz Lamajt, shkrimtar, poet, studiues dhe gazetar i Zërit të Amerikës për 40 vite, librat e të cilit mbushnin bibliotekën brenda selisë së Vatrës?!

Si mund t’ia hapësh derën pushtetarit dhe t’ia mbyllësh vatranit? Çfarë kuptimi ka fjala “Vatër” nëse njerëzit e saj lihen jashtë? Elmi Berisha mund të kontrollojë çelësat e një ndërtese sikurse bëri Lulzim Basha, por nuk mundi kurrë të kontrollojë frymën e Vatrës.

Si mundej që të deklaroheshin të përjashtuar nga Vatra intelektualë, patriotë dhe vatranë të ndershëm dhe pinjollë të familjeve të persekutuara si Nazo Veliu, Ramiz Mujaj Mark Mërnaçaj, Ervin Dine, Agustin Mirakaj apo Valentin Lumaj?! Cili ishte motivacioni i vërtetë? Të vetmin motivacion të saktë, e gjej në faqet pafund të gjykatave të larta amerikane ku paditeshim për akuza të rreme ndaj Edi Ramës dhe se kishim mbështetur non-gratën Sali Berisha.

Në një padi të Elmi Berishës kundër një grupi vatranësh shkruhej:

“Të paditurit janë të zemëruar dhe të motivuar nga refuzimi i VATRËS për t’u angazhuar në deklarime dhe veprime politike në mbështetje të z. Sali Berisha, ish-udhëheqësit të Shqipërisë, i cili është shpallur ‘persona non grata’ nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.”

Lexojeni prapë. Kjo nuk është bisedë private apo status Facebook-u. Është akuzë e përdorur në një proces gjyqësor kundër vatranëve.

Në një proces tjetër kundër meje dhe Agustin Mirakaj, drejtuesit e Vatrës shpreheshin tekstualisht: “… Lumaj ka bërë deklaratë të rreme se Edi Rama ishte akuzuar për krime të tilla si tradhti dhe korrupsion…”

Paradoks ishte i qartë, kur kritikonim Edi Ramën, kjo përdorej kundër nesh. Mandej shpreheshin se mbështesnim Sali Berishën, për ta përdorur edhe këtë kundër nesh. Atëherë unë kam të drejtë të pyes: kë po mbronte politikisht ky drejtim i Vatrës dhe kujt i shërbente ky standard i dyfishtë? Nga sa shkrova më sipër, unë kam krijuar bindjen time se këto qëndrime, në praktikë kanë favorizuar politikën e Edi Ramës dhe George Soros dhe qarqeve politike kundërshtare të Sali Berishës.

Vazhdojme…

Një javë pasi Sali Berisha rikonsolidoi pozicionin e tij në Partinë Demokratike dhe u rizgjodh kryetar, Alfons Grishaj fluturoi në Tiranë dhe “vodhi” përsëri një fotografi me të. Po ashtu Gazeta Dielli e ndryshoi përsëri narrativën e saj duke publikuar aty-këtu aktivitetin e doktorit.

Por të dashur vatranë, kur ishin te sinqertë Elmi Berisha, Alfons Grishaj, kolonel Demiraj dhe Sokol Paja, kur takonin Gamoz Ruçin dhe Taulant Ballën, kur refuzonin Foltoren, kur mbështesnin Bashën, kur distancoheshin nga Berisha, apo pasi Berisha rimori PD-në, shkonin në Tiranë për fotografinë me të?

Kur parimi ndryshon sa herë ndryshon raporti i forcave, nuk kemi më parim. Immanuel Kant ndërtoi një pjesë të madhe të filozofisë së tij morale mbi idenë se parimi nuk mund të jetë moral vetëm kur na leverdis. Nëse standardi ndryshon sipas interesit, atëherë ai nuk është më standard moral. Pra dukshëm drejtuesit e Vatrës përveçse jo legjitimë, mendoj se kanë një problem të madh moral që quhet OPORTUNIZËM. Ne shqiptarët e kemi një thënje të bukur: “Nuk ndërrohet Besa sa herë ndërron moti”.

Unë e kam mbështetur Sali Berishën për më shumë se 35 vjet. E kam mbështetur më pak kur ishte në pushtet dhe i fortë dhe më shumë kur ishte në opozitë dhe nën sulm. E kam mbështetur përpara “non gratës”, gjatë saj dhe vazhdova ta mbështes edhe atëherë kur shumë prej atyre që dikur krenoheshin me miqësinë e tij filluan të distancoheshin.

Po ashtu kam thënë kritikat e mija kur kam menduar se ka gabuar. Sepse besnikëria nuk është servilizëm. Sali Berisha nuk ka qenë politikan perfekt apo i pagabueshëm. T’i thuash mikut se po gabon nuk është tradhti, por shpesh është forma më e ndershme e miqësisë.

Por unë nuk e kam braktisur Berishën për t’u rreshtuar me kundërshtarët e tij politikë sa herë që era politike ka fryrë kundër tij. Kjo është koherencë, karakter dhe në kuptimin tim shqiptar të fjalës, kjo është BESË. Besa do të thotë të mos tradhtosh bindjen për interes.

Mbase mund të kem gabuar në këtë mbështetje. Këtë e gjykon publiku dhe koha. Por historinë time nuk kam nevojë ta rishkruaj. Nuk kam qenë me Berishën kur më leverdiste, kundër tij kur ishte “non grata” dhe përsëri me të kur rrethanat ndryshuan.

Vazhdojmë…

Pas Kuvendit të monitoruar të Vatrës dhe procesit gjyqësor, Alfons Grishaj publikoi shkrimin denigrues “Egomaniaku”, drejtuar kundër vatranëve dhe veçanërisht kundër meje. Shkrimi u publikua në gazetën Rilindja Demokratike të Partinë Demokratike, por disa orë më vonë u hoq. Sipas përshtypjes që kam, drejtuesit e Vatrës duket se kanë besuar se heqja e tij mund të ketë ardhur me ndërhyrje nga Sali Berisha ose njerëz pranë tij.

Por për mua ekziston një shpjegim tjetër i mundshëm: heqja mund të ketë ardhur për shkak të ndërhyrjes apo autoritetit të Monitorit të caktuar në çështjen e Vatrës.

E them këtë sepse sjellja e Vatrës që pasoi është interesante. Dr. Berisha ka marrë ftesë nga IDU për konferencën e Partisë Republikane Amerikane, Ai ka deklaruar se do të vijë në Amerikë, ka shpallur takime me shqiptarë në New Jersey dhe në Dallas. Por pse hesht Vatra dhe Gazeta Dielli? Asnjë entuziazëm. A nuk është ardhja në Amerikë e kryetarit të opozitës shqiptare një lajm me interes për komunitetin shqiptaro-amerikan? Asnjë nga retorika e dikurshme e miqësisë. Asnjë nga fotografitë që dikur përdoreshin si dëshmi afërsie. Pse?

Pas viteve kur përcaktimi amerikan ndaj Dr. Berishës u përdor edhe në argumentet gjyqësore kundër vatranëve dhe tani që ai ndodhet sot në New York, në qytetin ku ndodhet Selia e Vatrës, do të jetë shumë interesante të shohim se çfarë do të ndodhë.

A do ta raportojë Dielli vizitën? A do të vizitojë Dr. Berisha Vatrën? A do ta ftojë Vatra? A do të shkojnë drejtuesit e Vatrës ta takojnë? A do të dalë përsëri fotografia e miqësisë?

Nëse po, atëherë unë pyes: kur përdornit “non gratën” e tij në dokumentet gjyqësore kundër vatranëve, cili ishte parimi juaj? Sepse BESA PROVOHET KUR KA KOSTO. Njeriu me besë nuk e braktis mikun kur ai bie dhe nuk vrapon ta përqafojë kur ai ngrihet përsëri.

Filozofia morale na mëson se karakteri provohet pikërisht atëherë kur parimi ka një çmim. Kur parimi dhe interesi përputhen, të gjithë mund të duken parimorë. Prova vjen kur duhet të zgjedhësh ndërmjet tyre. Nëse zgjedh interesin quhesh i pabesë.

Dhe këtu qëndron akuza ime kryesore ndaj drejtimit të sotëm të Vatrës. Jo se kanë takuar një socialist, jo se kanë bërë fotografi me një democrat, jo se kanë pasur mendim ndryshe nga unë. Problemi është modeli: me Ruçin kur ju duhet, me Ballën kur ju duhet, me Ramën kur ju duhet, me Bashën kur ju duhet, me Berishën kur ju duhet, kundër Berishës kur nuk ju duhet, dhe ndoshta përsëri pranë Berishës tash që ai ja mbërriti në Amerikë.

Ky nuk është standart moral por pluralizëm moral për interes apo oportunizëm.

Unë nuk kërkoj një Vatër të Sali Berishës, nuk dua një Vatër të Edi Ramës, nuk dua as një Vatër të Valentin Lumajt. Dua Vatrën e vatranëve, një Vatër që i thotë të vërtetën Ramës kur Rama gabon dhe Berishës kur Berisha gabon. Një Vatër që nuk e përcakton moralin e saj sipas asaj se kush qeveris Tiranën. një Vatër që nuk ia hap derën pushtetarit dhe ia mbyll vatranit. Një Vatër ku Dielli është tribunë e mendimit të lirë dhe jo instrument i drejtuesve. Një Vatër ku mendimi ndryshe nuk censurohet, përjashtohet apo trajtohet si armik vetëm sepse kërkon transparencë dhe llogari. Sepse institucioni që nuk duron kritikën nuk është i forte, por është i dobët dhe i pasigurt. Drejtuesi që kërkon vetëm bindje nuk kërkon bashkëpunëtorë por kërkon oborrtarë.

Në fund të fundit, memoria e një institucioni historik si Vatra është shumë më e gjatë se mandati i një kryetari. Vatra ka mbijetuar mbi një shekull jo sepse drejtuesit e saj kanë ditur gjithmonë pranë cilit pushtetar duhet të qëndronin, por sepse kanë ditur për çfarë duhet të qëndronin.

Ky është ndryshimi ndërmjet interesit dhe idealit, ndërmjet oportunizmit dhe karakterit, ndërmjet besës dhe besëpremjes. Mund të kesh pozitë por nuk ke autoritet, mund të kesh pushtet por nuk ke respekt, mund të kontrollosh Selinë por jo frymën e Vatrës, mund të kontrollosh Diellin por nuk mund të kontrollosh të vërtetën dhe besimin e vatranëve. Prandaj mendoj se drejtuesit e Vatrës jo vetëm kanë humbur besimin e vatranëve por kanë, humbur autoritetin moral për të folur në emër të institucionit.

Sepse mbi çdo post, mbi çdo fotografi, mbi çdo miqësi politike dhe mbi çdo interes të momentit ekziston një gjykatës që nuk blihet dot, nuk frikësohet dhe nuk manipulohet, që është koha. Dhe koha nuk do të pyesë me kë bëre fotografi, por do të pyesë: ku qëndrove kur qëndrimi kishte një çmim? Mbi këtë bazohet karakteri dhe prova e moralit. Dhe, mbi të gjitha, karakteri dhe morali janë prova e BESËS, në këtë rast edhe Besa ndaj Sali Berishës.

Ju falenderoj per vëmendjen, Valentin Lumaj

Shenim: Shkrimi ështe ne rrafshin politik dhe jo personal.

SHBA- Berisha darkë me diasporën: Ka një plan të frikshëm që po zbraz vendin, paratë e drogës makth për ekonominë

Gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të diasporës kreu demokrat Sali Berisha lëshoi një alarm i fortë për situatën kritike dhe ekzistenciale në të cilën ndodhet vendi. Shifrat e prezantuara tregojnë një realitet të hidhur, ku rreth 46% e qytetarëve e kanë braktisur vendin gjatë dekadës së fundit për shkak të asaj që u cilësua si një “regjim i drogës” në Tiranë. Ndryshe nga diktaturat klasike totalitare, Kreu demokrat tha se ky sistem po përdor paratë e narkotikëve si një fuqi helmuese që po gërryen nga brenda ekonominë e ndershme dhe institucionet e shtetit. Kreu i PD gjatë fjalës së tij ka falenderuar përfaqësuesit e diasporës në SHBA për kontributin e tyre në lirinë e Shipërisë dhe në çlirimin e Kosovës.

Të dhënat, tha kreu i opozitës gjatë fjalës së tij, nënvizojnë se zhvlerësimi dramatik i euros dhe dollarit në tregun vendas nuk është produkt i një ekonomie të shëndetshme, por i pastrimit të parave të pista, një fenomen që e rendit situatën më keq se ajo e karteleve në Meksikë. Kjo situatë raportohet të ketë çuar në falimentimin e mijëra ndërmarrjeve vendase dhe në zhvlerësimin e remitencave. Sipas Berishës vendi është kthyer në “çifligun e një njeriu”, ku investimet rurale janë zhdukur, ndërsa pushteti dhe buxheti janë centralizuar në mënyrë të paprecedentë.

Në mesazhin drejtuar shqiptarëve jashtë vendit, Berisha kërkoi një mobilizim masiv për të ndalur këtë shpopullim masiv, i cili u krahasua me platformat historike për zbrazjen e trojeve shqiptare. Diaspora shihet si shpresa e fundit për të mposhtur makinerinë e propagandës, për të ndalur ndikimin e krimit të organizuar në zgjedhje dhe për t’u garantuar qytetarëve të drejtën themelore të votës së lirë. Apeli thekson rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë për të shkëputur lidhjet e shtetit me rrjetet e transportit të kokainës dhe për të rikthyer përfundimisht shtetin ligjor.

Sali Berisha: Për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe praninë tuaj sot në këtë takim të përbashkët, mbetem shumë njohës dhe falënderues. Me besim të plotë në rolin e jashtëzakonshëm që ju keni luajtur në të shkuarën dhe do luani dhe tani, në mënyrë që të kapërcejmë një situatë në rrafshin ekzistencial kombëtar, ndër më të rëndat e regjistruar ndonjëherë në histori. Në 10 vjet, nga ajo e keqe e madhe që i ka rënë vendit, mbi 46% e shqiptarëve nuk janë më në Shqipëri. Disa miq të mi kanë kaluar këto tre-katër ditë në thellësitë më të mëdha të Alpeve. Çfarë u bëri përshtypje? Lëre, ku do gjenin punëtorë filipinas, egjiptianë dhe të kombësive të tjera. Tani, ky regjim në Tiranë, ndryshe, nuk është një diktaturë totalitare. Jo, nuk ka kampe përqendrimi, nuk ka burgje, nuk ka skuadra pushkatimi. Por ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë tonë, dhe kjo fuqi helmuese është droga. E cila, për të kuptuar rëndësinë e saj, do t’ju them kaq: në asnjë vend të botës në 10 vite, dy monedhat më të fuqishme të planetit, dollari amerikan dhe euro evropiane, nuk kanë pësuar një rënie dramatike, respektivisht 35 dhe 32%, sa kanë pësuar në Shqipëri. Kaq janë ç’vlerësuar të gjitha eksportet e vendit, me këtë janë shkatërruar, kanë falimentuar me mijëra ndërmarrje. Nuk po flas për zhvlerësimin e remitencave dhe ndihmave që u çoni njerëzve tuaj në këtë shkallë. Pra kjo fuqi e jashtëzakonshme, e cila është një problem planetar, nuk mund të themi se është vetëm problem shqiptar. Por në Shqipëri, në ekonomi dhe në financa, ka patur efektin më shkatërrimtar se në çdo vend tjetër. Euro është ç’vlerësuar 17% në Meksikë, dollari është ç’vlerësuar 12% në Meksikë. Unë u ndala në këtë aspekt, për të mos thënë aspektin tjetër, që kjo nomenklaturë që ka në dorë këto miliarda, kjo vendos për çdo gjë. Vendos ministrat, vendos drejtorët e policive, vendos zyrtarët, vendos zgjedhjet. Një nga përfaqësuesit më të shquar të Parlamentit Evropian, që kryesoi ekipin e deputetëve evropianë në vëzhgimin e zgjedhjeve, u tha në parlament kolegëve të tij se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit. Dhe e vërteta është që kjo diktaturë një lloj si e para, zgjedhjet i ka farsë.

Tek po bisedoja me një mikun tim David Philips, që I jam shumë mirënjohës për të gjitha ndjenjat e tij miqësore ndaj shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe më tha, cili është problemi? Problemi themelor për ne është paraqitja e këtij problemi shkatërrimtar për Shqipërinë para miqve, partnerëve tanë, kështu siç është. Ky regjim, kjo diktaturë autokratike, është vite dritë ndryshe nga totalitarja. Komunikimi është jo i lehtë sepse ka një fuqi propagande të jashtëzakonshme dhe ka një fuqi lobuese të pakufishme.

S’po ndalem më shumë, por roli dhe rëndësia e juaj, e secilit prej jush, në paraqitjen e këtij realiteti para përfaqësuesve tuaj, para zyrtarëve të këtij vendi, është ndihma më e madhe që ju mund t’i jepni Shqipërisë dhe unë besoj se do t’ja jepni.

Keni bërë një punë të jashtëzakonshme për lirinë e Shqipërisë dhe për çlirimin e Kosovës. Por duhet t’ju them këtu, 10 vitet që lamë pas, nga këto faktorë që përmenda, shqiptarët e larguar nga Shqipëria janë mbi dy herë më shumë se shqiptarët e larguar nga Kosova në zbatim të platformës së Çubrilloviçit, që ajo kishte një synim, një qëllim, dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Sot, po këto kushte, e gjithë Shqipëria është kthyer në një çiflig të një njeriu, ku investimet në Shqipëri rurale nuk ekzistojnë, ku u shkatërruan shërbimet një lloj siç parashihte platforma, u hiqen bashkitë, komunat, një centralizim i paparë ndonjëherë.

Çfarë, si duhet ta marrim ne këtë? Këtë duhet ta marrim dhe ne e marrim si një detyrim që të vazhdojmë këtë betejë me të gjitha mundësitë tona dhe të falënderojmë zotin. Se në qoftë se atë të parën po të vendosje ta luftoje, në 90% të jepte dyert e burgut ose hapje gropën e varrit. Kjo e dyta të jep mundësi ta luftosh, mund të humbasësh vendin e punës, mund të pësosh gjëra, por nuk pëson ato që pësoje tek e para. Ndaj dhe ne jemi shumë të vendosur ta vazhdojmë këtë betejë. Por thirrja ime dhe ndaj jush, që keni qenë gjithnjë diaspora më e rëndësishme e kombit me një rol shumë të madh, të kontribuoni, të frymëzoni miq, nga po përmend disa emra që kam këtu, si Harri Bajraktari, Sergio Bytyçi, do doja të përmendja shumë të tjerë, të cilët në vitet ’90-të në vazhdim bënë gjithçka për Kosovën dhe Shqipërinë. Një kohë e dytë është të përpiqemi të bëjmë gjithçka, përndryshe ky shok demografik që kemi pësuar, në qoftë se nuk ndalohet, në pak dekada më vonë ne do jemi pakicë në vendin tonë.

Asnjëherë nuk ka vend për pesimizëm. Ka një gjë shumë të rëndësishme, që kjo administrate (e SHBA) e ka marrë në mënyrë shumë serioze luftën kundër karteleve dhe ky është një fat i madh. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka të kthejmë në Shqipëri shtetin ligjor, të drejtat e shqiptarëve për të votuar të lirë dhe jo në farsë zgjedhore.

Unë jam shumë besimplotë se kontributi juaj do të jetë, në atë nivel të dashurisë që ju keni për Shqipërinë, të atdhetarizmit tuaj, dhe ju garantoj që edhe ne do bëjmë gjithçka për t’u ndarë me këtë të keqe të madhe.

Unë vij këtu për një viztë pas disa votesh, do bëj gjithçka për paraqitjen e realitetit të Shqipërisë tek partneri ynë kryesor dhe në fakt kam shumë besim në mbështetjen dhe në ndihmën e Shteteve të Bashkuara mbasi në këtë rast është interesi shumë i madh edhe i këtij vendi. Shqiptarët, të dashur miq, sot janë transportuesit kryesorë të kokainës nga Amerika Latine në Evropë, me distancë nga të tjerët dhe e gjitha kjo është në makinerinë e pushtetit.

Pra, e konsideroj veten me fat që pata mundësi të vij e t’ju takoj ju, me besimin më të madh tek kontributi juaj për të rikthyer në Shqipëri, kushtetutën, ligjin, të drejtat bazë të shqiptarëve. sn

Image

 

“Berisha diskutime me kongresmenë dhe komunitetin shqiptar”, Këlliçi zbardh takimet e kreut të PD në SHBA: Axhenda kulmon me Konventën e Republikanëve ku do flasë Presidenti Trump

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga New Jersey për televizionin “News24”, nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka zbardhur detajet e mbërritjes së kryedemokratit Sali Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe axhendën e ngjeshur politike që pritet të zhvillohet përgjatë kësaj jave.

Këlliçi bëri me dije se Berisha po shoqërohet nga një delegacion i gjerë përfaqësuesish të opozitës, ndërsa kërkesa e lartë e komunitetit shqiptaro-amerikan ka detyruar organizatorët të ndryshojnë lokacionin e takimit me diasporën për të garantuar kapacitetin maksimal.

 

Takimi me diasporën do të zhvillohet në Venetian Palace (New Jersey), i cilësuar nga Këlliçi si takimi me përmasat më të mëdha që një politikan shqiptar ka mbajtur ndonjëherë në SHBA.

Takimet në Teksas do përfshijnë bisedime intensive dyditore të nivelit të lartë me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kongresit Amerikan.

Sipas tij, pjesëmarrja e Berishës në Konventën e Partisë Republikane më 9 dhe 10 shtator në Dallas, ku folës kryesorë do të jenë Presidenti Donald Trump e Zëvendëspresidenti JD Vance, do të jetë pika kulminante e axhendës së tij.
Nënkryetari i PD-së nënvizoi se rikthimi i Berishës në SHBA pas 14 vitesh dhe pas heqjes së pengesave ligjore është një lajm i rëndësishëm jo vetëm për Partinë Demokratike, por për të gjithë opozitën shqiptare.

“Kemi pasur një pritje të jashtëzakonshme në aeroport kur Sali Berisha zbriti pas 14 vitesh në SHBA. Të shpallësh liderin e opozitës me një vendimmarrje korruptive, pa asnjë dokument, fakt apo provë, siç ndodhi me zotin Berisha, nuk duhet t’i ndodhë asnjë force politike!” deklaroi Këlliçi.

Sipas tij, axhenda e menjëhershme përfshin takime me dy kongresmenë nga shtetet e New York-ut dhe New Jersey-t, si dhe një darkë zyrtare mirënjohjeje me komunitetin shqiptaro-amerikan që ka mbështetur kauzën e opozitës në këto 13 vite. gsh

“Një moment mirënjohjeje përtej oqeanit”, Sali Berisha mbërrin në SHBA. Pritet në aeroport nga shqiptarët e Amerikës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nisur vizitën e tij në SHBA me një pritje nga komuniteti shqiptar.

Në pamjet e publikuara nga lideri demokrat në rrjetet sociale, ai shfaqet në momentet e para pas mbërritjes, teksa pritet nga shqiptarë të Amerikës që i afrohen për ta përshëndetur dhe për të shkëmbyer momente me të.

“Përtej oqeanit, një pritje shqiptare, një moment mirënjohjeje”, shkruan Berisha, duke shoqëruar pamjet e mbërritjes me këtë mesazh.

Vizita e kryetarit të PD-së pritet të përfshijë një agjendë të ngjeshur takimesh gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, në një periudhë me rëndësi për zhvillimet politike në Shqipëri. Një ditë më parë ai e cilësoi udjëtimin jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe tha se SHBA mbështesin shqiptarët në përpjekjet e tyre për rrëzimin e diktaturës së Edi Ramës. gsh

SHBA/Florida : Solidariteti i madh për familjen Manati: rreth 250 mijë dollarë nga rreth 1900 donatorë Beqir SINA – New York

Mëngjesin e 26 gushtit 2026, një zjarr shkatërrues përfshiu shtëpinë e familjes shqiptare Manati në lagjen Mandarin të Jacksonville, Florida. Flakët morën jetën e tre fëmijëve – dy binjakë rreth 10-11 vjeç dhe një 2-vjeçar ndërsa prindërit dhe dy fëmijët e tjerë, një 9-vjeçar dhe një 2-muajsh, mbeten në gjendje kritike në spital.

Familja, me origjinë shqiptare (nga Lushnja) me banim ne Jacksonville FL, humbi brenda pak minutash jo vetëm tre fëmijët e saj të dashur, por edhe shtëpinë dhe gjithçka kishte brenda saj.

Zjarri u raportua rreth orës 5:13 të mëngjesit. Zjarrfikësit mbërritën shpejt, por gjetën tre fëmijë pa jetë. Fqinjët ndihmuan duke kapur një foshnje dhe një të rritur që u hodhën nga dritarja e katit të dytë.

Pas kësaj tragjedie të rëndë, Alessia Firi, e afërme e familjes, hapi menjëherë një fushatë GoFundMe me titullin “Help the Manati Family”. Që me fondet e mbledhura do të shërbejë për të mbuluar shpenzimet mjekësore të të mbijetuarve, kostot e funeralit dhe memorialit për tre fëmijët, si dhe nevojat urgjente për strehim dhe jetë të përditshme.

Deri tani, spipas GoFoundMe fushata ka mbledhur rreth 250 mijë dollarë nga rreth 1900 donatorë.

Solidariteti ka ardhur jo vetëm nga komuniteti shqiptar në SHBA dhe në Shqipëri, por edhe nga njerëz të tjerë që u prekën nga kjo humbje e dhimbshme.

Shpresa është të lehtësojmë qoftë edhe një pjesë të kësaj barre, në mënyrë që familja të mund të përqendrohet te shërimi, zia dhe të qenët së bashku,” shkruan Firi organizatorja në faqen GoFoundMe.

Familja Manati po përballet me një rrugë të gjatë dhe të vështirë.

” Ndihma e vazhdueshme financiare dhe mbështetja morale mbeten thelbësore në këto momente të dhimbshme. Çdo donacion, sado i vogël, ndihmon që të mbijetuarit të fokusohen te shërimi dhe te kujtimi i fëmijëve që u shkruan”.

https://www.gofundme.com/f/help-the-manati-family-heal

Tragjedi në SHBA, në Jacksonville të Floridës 3 fëmijë humbin jetën nga zjarri në banesë/ Familja Manati është shqiptare, 4 persona të tjerë në gjendje kritike

Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën pas një zjarri të fuqishëm që përfshiu banesën e tyre dy-katëshe mëngjesin e së mërkurës, 26 gusht.

Katër persona të tjerë, dy fëmijë dhe dy të rritur, ndodhen në gjendje kritike në spital, bëri të ditur shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden. Bilanci është konfirmuar edhe nga mediat lokale amerikane, citon noa.al.

Alarmi për zjarrin në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road, u dha rreth orës 05:15 të mëngjesit. Kur ekipet e emergjencës mbërritën, kati i parë i banesës ishte përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym.

Dy të rritur dhe dy fëmijë kishin arritur të dilnin nga ndërtesa. Gjatë kontrollit të banesës, zjarrfikësit gjetën tre fëmijët e tjerë pa shenja jete.

Një fqinj i tha News4JAX se njerëz të pranishëm në vendngjarje ndihmuan në shpëtimin e një foshnjeje dhe një të rrituri, të cilët dolën nga një dritare e katit të dytë.

Të afërmit që mbërritën në vendngjarje thanë për mediat amerikane se familja është me origjinë nga Shqipëria dhe se fëmijët janë djem.

Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari, të dërrmuar nga tragjedia pranë banesës në 4431 Windergate Drive. Fotografitë e shpërndara nga USA Today Network dokumentojnë momentet dramatike pas zjarrit dhe konfirmojnë se banesa ku ndodhi tragjedia ishte shtëpia e nipërve të tyre.

Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:40, por banesa pësoi dëme të rënda, ndërsa u prekën edhe dy njësi ngjitur. Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për të ndihmuar personat e mbetur pa strehë.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur shkakun e zjarrit dhe hetimet vijojnë.

“Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojnë peshën e një mëngjesi si ky”, deklaroi Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, duke shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe solidaritet me të plagosurit dhe personat e zhvendosur.

Çfarë raportuan sot mediat amerikane

Tragjedi për familjen shqiptare në SHBA/ Tre fëmijë humbin jetën në zjarr, gjyshërit shpërthejnë në lot para shtëpisë së shkrumbuar

Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë humbën jetën dhe katër persona të tjerë mbetën në gjendje kritike pas një zjarri që përfshiu banesën e tyre në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 26 gusht.

Bilanci i konfirmuar nga autoritetet është tre fëmijë të vdekur, ndërsa dy fëmijë të tjerë dhe dy të rritur janë dërguar në spital në gjendje kritike. Zjarri shpërtheu në një banesë dykatëshe në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road.

Mediat amerikane kanë publikuar tashmë një seri pamjesh nga vendi i tragjedisë, ku shfaqen edhe familjarët shqiptarë të fëmijëve.

Në fotografitë e realizuara nga Doug Engle për “Florida Times-Union”, Alia Sulollari shihet duke qarë e dërrmuar pasi mbërrin pranë shtëpisë së nipërve të saj. Në krah të saj ndodhen bashkëshorti Artan Sulollari, një e afërme e identifikuar si Kesi dhe kolegia Erina Troci, të cilët përpiqen ta ngushëllojnë dhe ta ndihmojnë të largohet drejt automjetit.

Në një tjetër moment, Artan dhe Alia Sulollari shihen duke kërkuar informacion për atë që kishte ndodhur me familjen e tyre, ndërsa zona vazhdonte të ishte e rrethuar nga ekipet e emergjencës.

Pamjet nga jashtë banesës e bëjnë edhe më të rëndë skenën: pranë ndërtesës së dëmtuar nga flakët shihen një kosh basketbolli dhe lodra fëmijësh të mbetura në oborr.

Sipas shefit të Jacksonville Fire and Rescue Department, Percy Golden, alarmi për zjarrin u dha rreth orës 05:15. Kur zjarrfikësit mbërritën, u përballën me flakë të fuqishme në katin e parë dhe tym të dendur në të dytin. Dy të rritur dhe dy fëmijë kishin arritur të dilnin, ndërsa gjatë kërkimeve brenda ndërtesës ekipet gjetën tre fëmijët e tjerë të pajetë.

Të afërmit që mbërritën në vendngjarje u thanë mediave lokale se familja është nga Shqipëria dhe se fëmijët janë djem.

Një fqinj ka treguar gjithashtu se banorët e zonës u përfshinë në përpjekjet dramatike të shpëtimit, duke ndihmuar një foshnjë dhe një të rritur që dolën nga një dritare e katit të dytë.

Zjarri u vu nën kontroll pak para orës 05:40, por banesa u dëmtua rëndë dhe flakët prekën edhe njësitë fqinje. Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për të ndihmuar personat e zhvendosur nga banesat. Autoritetet po hetojnë ende për të përcaktuar shkakun e zjarrit.

Departamenti i Zjarrfikësve të Jacksonville e ka përshkruar ngjarjen si një tragjedi të jashtëzakonshme, duke shprehur ngushëllime për familjen që humbi tre fëmijët dhe mbështetje për të plagosurit./NOA

Përpjekjet e Xhaferr Devës dhe Rexhep Krasniqit për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Sh.B.A Nga Idriz Lamaj

Në korrik të vitit 1937, dy kosovarë takohen rastësisht, në një kafene të Vjenës; njëri i arsimuar në shkollat më të mira të kohës së tij, në Selanik e në Satmboll që kishte kryer studime pasuniversitare në Zagreb, Pragë e deri në Aleksandri të Egjiptit, tjetri, jetim i rritur pa prindër, i adaptuar dhe i dërguar në shkollë nga Bajram Curri, që kishte mbaruar studimet në Vjenë dhe që kishte doktoruar në shkencat politike mbi “Kongresin e Berlinit dhe Shqipërinë Verilindore”, doktorati i parë i një shqiptari në këtë fushë. I pari, mesatar nga shtati, tregtar dhe poliglot, burrë me karakter të hekurt dhe i dyti malësor, i hollë e i gjatë, historian, por për nga karakteri po aq i fortë sa i pari. I pari jetonte në Kosovë, i dyti jetonte në Shqipëri. Për nga origjina, u përkisnin dy shtresave të ndryshme shoqërore: njëri rridhte nga një familje shumë e pasur qytetare, tjetri nga një familje malësore tradicionale, skajmnisht e varfër. Siç shihet pra, të dy me origjinë, fizionomi, paraqitje fizike e profesione të ndryshme. Që në takimin e parë ata bëhen miq e bashkëpunëtorë të ngushtë dhe vetëm vdekja në dhe të huaj do t’i ndante. I pari ishte Ing. Xhafer Deva, i lindur në Mitrovicë më 1904, dhe i dyti ishte Prof. Rexhep Krasniqi, i lindur në Gjakovë më 1906.

Si u njohën këta dy burra në Vjenë dhe a u takuan rastësisht nuk e di tamam, por nga biseda që kam zhvilluar me ata, del se ajo ishte një njohje e planifikuar nga dikush, pasi në atë takim ishin të pranishëm edhe dy miq të tyre austriak. Megjithëse ata kanë shkruar se u njohën me njeri-tjetrin gjatë Luftës së Dytë Botërore; unë i përmbahem kësaj, sepse të dy i kam njohur personalisht nga afër. Me Xhafer Devën kam bashkëpunuar 10-të vjetë, e kam njohur në person, kemi shkembyer vizita dhe kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij. Përveç kësaj, kam shfletuar me kujdes të gjithë korrespondencën e tij, përfshirë edhe letrat familjare. Me Rexhep Krasniqin kam punuar 17-të vjet në zyrën e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, e kam përcjellur për në banesën e fundit dhe e kam varrosur pranë varrezave të familjes time. Së fundi dua te shtoj se kam trashëguar të gjithë arkivin e Komitetit, të cilin ai e drejtoi për 35 vjet. Bazuar në letrat e tyre dhe në disa burime të tjera, do mundohem të paraqes në rend kronologjik përpjekjet e tyre për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së pari le të shohim si i lanë ata lamtumirën atdheut, për të mos u kthyer kurrë më në të.

Në mbrëmjen e 17-të nëntorit të vitit 1944, dy ditë pas largimit nga Prizreni, përmes gjëmimit të bombardimeve dhe sulmeve të tërbuara mbi qytetin e Prishtinës, ku rrugët ishin shndërruar në gërmadha dhe gati të gjitha vijat që lidhnin qytetin me periferitë ishin shkatërruar dhe ndërprerë, Rexhep Mitrovicës, Rexhep Krasniqit, Tahir Zajmit dhe Gjelal Mitrovicës, Xhafer Deva u siguroi tërheqjen në drejtim të Kralevës. Ata nuk munden të nisen deri në orët e vona të asaj nate të stuhishme me shi e luftë sepse mungonte Rexhep Mitrovica. Qe besnikëria e patundur e shokëve të tij dhe njëfare mrekullie që ai shpëtoi pa u vrarë ose rënë në dorë të partizanëve. Më në fund, me automobilin personal të Xhafer Devës ata arritën pikën ku do t’i merrte aeroplani për në Zagreb. Kryetari i shtetit Kroat, Ante Paveliqi bashkë me ministrin e Jashtëm, që ishte një boshnjak, mik i shqiptarëve, megjithese ndodheshin para shkatërrimit të shtetit, i mirëpritën dhe u dhanë zemër. Në Zagreb ky grup, me Xhafer Devën në krye, qëndroi dy javë dhe përkujtoi me nderime të qeverisë kroate edhe festën tonë kombëtare, 28 Nentorin. Në fillim të dhjetorit të atij viti grupi Kosovar prej pesë vetësh kaloi me shumë mundime alpet slloveno-austriake, të cilat ishin mbuluar me borë deri në brez. Veriu i rreptë dhe ngrica memzi i lejonin të shihnin njëri tjetrin. Të pestë, vetëm me nga një palë rroba në shtat e Deva me një çantë ushqimesh të thata në shpinë e një revolver në brez, kaluan kështu alpet dhe u strehuan për disa ditë tek një mik i Devës për t’u shlodhur. Prej aty hynë në Vjenë për t’u takuar me aleatet perëndimorë, në zonën e kontrollit të të cilëve kishte ra Austria perëndimore, e kthyer në gërmadhe dhe në një gjendje kaotike, ku endeshin gjithandej grumbuj emigrantësh të çveshur e të rraskapitur nga lufta për t’iu shmangur përvlimit të lavës komuniste që po vërshonte kahdo. Pasiguria dhe uria mbretëronin gjithandej. Aty edhe miku kishte frikë t’i shtrinte dorën mikut. Burra shtetesh të Evropës lindore vuanin për një copë bukë dhe dridheshin qosheve të tmerruar, duke parë qëndrimin e vdekur të aleateve perëndimorë ndaj lubisë ruse, qe po e vinte kufirin në zemër të Evropes. Grupi kosovar, në saje të miqve personale të Devës, u vendos në Vjenë, siguroi jetën si refugjat dhe u vu në shërbim të sistemimit të grupeve nacionaliste shqiptare që po mbërrinin aty përmes vështirësish të pa përshkruara. Grupeve të Ballit Kombëtar, grupit të Mirditës me Kapidan Gjon Marka Gjonin në krye, Nuredin Bej Vlorës, Shefqet Verlacit, Mehdi Frashërit me familje, Kolë Bibë Mirakës e shumë e shumë të tjerëve, Xhafer Deva u siguroi strehim të përkohshëm e shpetim nga furia e ushtrisë së kuqe që kishte mbrrijtur në pragun e Vjenës. Në mënyrë të veçantë Deva dhe Krasniqi u kujdesën për Rexhep Mitrovicën shëndetlig, të cilin arritën ta strehonin në një senatorium në rrethë të qytetit Feldkirch, afër kufirit me Zvicrrën.

Takimi i parë me Amerikanët  dhe angazhimi i Xhafer Devës për përfshirjen e Kosovës në planin ushtarak te Uashintonit

Në gusht të vitit 1945, Xhafer Deva dhe Rexhep Krasniqi patën kontaktin e parë me një ushtarak amerikan, me gradën kolonel, i cili quhej Karl Thomson. Arsyeja e takimit ishte thjeshtë për çështje sigurie sepse, rrjeti i fortë në veprim i spiunazhit sovjetik kishte filluar të rrembente njerëz, e t’i dorëzonte pranë qeverive të sapo vendosura komuniste, të cilët i ekzekutonin nën akuza për krime lufte, me qëllim për të përforcuar me anën e frikes dhe të terrorit regjimet e tyre shtypëse. Deva meqë e fliste anglishtën shume mirë dhe pa aksent britanik, shkon me gjithë z. Krasniqi në një bazë ushtarake amerikane, tregon letrat që kishte siguruar si refugjat politik dhe kërkon takim me dikë që kishte pozitë drejtuese në bazë. Ata, jo vetëm që u pritën me përzemërsi nga Koloneli Thomson, por këshillohen menjëherë nga ai që mos të largoheshin nga zona e kontrollit të tij ushtarak. Koloneli amerikan i vendosi Devën,dhe Krasniqin me banim në një hotel të boshatisur dhe i furnizoi me ushqime. Të dy u strehuan aty deri në shkurt të vitit 1947, kur Kolonelit Thomson i ndërrohet vendi i shërbimit ushtarak. Gjatë asaj kohe Deva dhe Krasniqi e njohën kolonelin me veprimtarinë e tyre politike në Shqipëri, dhe në veçanti me vuajtjet e tmerrshme që kishte përjetuar popullsia shqiptare e Kosovës nën regjimin e Jugosllavisë monarkiste dhe me vazhdimësinë e shtypjes së egër nën regjimin e ri komunist jugosllav. Deva shpeshherë thonte me buzëqeshje: “Rexhepi dhe unë kemi krye shërbimin ushtarak amerikan në uniformë civile”.

Nga fundi i vitit 1947 Xhafer Deva dhe Rexhep Krasniqi largohen nga Austria, bredhin si refugjat nëpër Itali dhe përfundojnë në Siri. Deva kishte besim të plotë se një ditë jo të largët, një fjalë e mirë e kolonelit amerikan do të binte në vesh të Zotit. Në shkurt të vitit 1948 “erdhi haberi i mirë”, siç thonte ai. Ftohet nga ambasada amerikane në Romë dhe kthehet menjëherë në Evropë, por shokët i mbetën në Damask. Një vit më vonë Rexhep Krasniqi dhe Gjelal Mitrovica marrin rrugën e gjatë të mërgimit për në Australi ndërsa Tahir Zajmi vendoset në Turqi. Rexhep Krasniqi dhe Gjelal Mitrovica botuan në Australi gazetën “Vatra Shqiptare”, ku trajtuan tema të mprehta politike dhe historike. Gjelal Mitrovica ishte një prej gazetarëve më të mirë të kohës së tij. Gjatë viteve 1948-1949 Xhafer Deva ishte i angazhuar me amerikanët në zbatimin e strategjisë së Uashingtonit për Ballkanin, ku në veçanti bëheshin përpjekjet për fillimin e një kryengritje në Shqipëri e cila do të sjellte përmbysjen e regjimit komunist dhe ndërhyren e ushtrisë amerikane. Megjithëse faktori politik shqiptar në mërgim, i mbledhur rreth Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” kishte pranuar përqëndrimin e kryengritjes vetëm në Shqipëri, Deva me udhëhqësit e “Bllokut Kombëtar Indipendent”, arriti të bindë një krah të fortë miqsh amerikanë se duhej provokuar me çdo kusht edhe një konflikt i armatosur në Kosovë, se jugosllavët nuk do të lejonin përmbysjen e rregjmit komunist në Shqipëri dhe ardhjen e forcave nacionaliste në pushtet.

Më 9 prill të vitit 1950, Xhafer Deva i shkruan Rexhep Krasniqit në Australi: “Shpërthimi i një lufte në Ballkan dhe ma gjanë nuk duhet t ‘na gjej të papërgaditun. Na nuk mund të bajmë mrekulli por me nji bataljon, të cilin besoj se mund ta krijoj dhe udheheqi, do të zbarkojmë në Tropojë dhe nga aty mund të thejmë nji pikë të kufinit sa me hy në Rrafsh të Dukagjinit”.

Më 26 qershor të vitit 1950, pak para mesnate, fillon hedhja e parashutistëve të Xhafer Devës në Shqipëri. Aty ishte i vetmi vend ku mund të zbarkonin. Ata ishin të gjithë kosovarë dhe të veshur me uniformë ushtarake amerikane. Ata ishin përgatitur në një kamp ushtarak amerikan duke pasur Devën ditë për ditë në fushën e stërvitjes. Parashutistët e Xhafer Devës hyjnë në Kosovë të përcjellur deri në Tropojë nga grupet kryengritëse të Kapidanit të Mirdites, Gjon Marka Gjonit, që vepronin në Shqipëri të Veriut e deri në Elbasan ku ndodhej prof. Alush Leshanaku me grupin e tij.

Fatkeqësisht, edhe sot disa studiues shqiptarë, në shkrimet e tyre atë periudhë e cilësojnë si periudhë diversioni e spiunazhi. Parashutistët që u stërviten në kampet ushtarake amerikane dhe hynë në Shqipëri e në Kosovë i quajnë diversantë dhe spiunë të CIA, pikërisht ashtu siç i quajti edhe propaganda e regjimeve kornuniste të Beogradit dhe të Tiranës, e si figurojnë në dosjet e UDB-ës dhe të Sigurimit, që tani quhen arkiva shtetërore; ose përshkruhen si në librin “Tradhëtia e madhe”, autori i të cilit mbulon faktorët politik të kohës dhe trajton temën në formën e aventurave të spiunazhit. Kur shkruhet për atë periudhë, që përbën edhe kulmin e luftës së ftohët, në asnjë mënyrë nuk duhet të lihen me një anë vendosja e regjimit komunist në Kinë, lufta e përgjakshme e Koresë dhe kërcënimi i Evropës perëndimore nga Bashkimi Sovjetik. Këta ishin faktorët politikë që i detyruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përgatitin terrenin për fronte të reja veprimi ushtarak. Një prej atyre fronteve ishte Ballkani, me pikë të veçantë strategjike Shqipërinë. Përsa i përket përfshirjes së Kosovës në konflikt, si pjesë e pandarë e Shqipërisë, Xhafer Deva është strategu i parë shqiptar dhe aleati më besnik amerikan që futi vendlindjen e vet në dosjet e zonës së influencës ushtarake amerikane, që për atë kohë përbën një ndërkombëtarizim të pashoq për Kosovën. Në dy botimet e mija modeste: “Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1948-1956″ dhe “Xhafer Deva në dritën letrave të veta“, janë dhënë disa burime, të pabotuara më parë, të cilat pasqyrojnë shumë qartë atë periudhë. Tani të kthehemi rreth veprimtarisë të z. Krasniqi.

Nju Jorku selia e Rexhep Krasniqit për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Sh.B.A

Largimi i Rexhep Krasniqit nga Australia dhe vendosja e tij në SHBA lidhet me planet që kishte bërë Xhafer Deva për konsolidimin e një veprimtarie kombëtare në rrethana të reja të politikës ndërkombëtare. Më 13 dhjetor të vitit 1954, Deva i shkruan z. Krasniqi: “Gjasat janë se përpjekjet amerikane për lirimin e Shqipnisë nga komunizmi kanë marrë fund. Kosovës mund t’i shërbejmë ma mirë prej Amerike se prej Evrope. Për shumë arsye duhet të shkojmë atje“. Në këtë letër Deva vë në dukje gjithashtu se një mik amerikan e kishte këshilluar që ai bashkë me familje të emigronte në Amerikë.

Më 22 dhjetor 1954, miku i tij i ngushtë amerikan, Roger Holingshead i shkruan Devës: “I dashur Xhafer! Komiteti “Evropa e Lirë” ka ra në hall me Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lire”. Siç dihet, që prej fillimit aty asgjë nuk shkoi në rregull. Nga lartë kam marrë vesh se Komiteti “Shqipëria e Lirë” mund të mbyllet shumë shpejtë në qoftë se nuk gjendet zgjidhje. Të lutem më shkruaj diçka për këtë çështje.”

Në korrespondencën midis Devës dhe Krasniqit nuk gjendet ndonjë gjë e shkruar, por dihet se ishte Deva ai që ua rekomandoi prof. Krasniqin qarqeve kompetente amerikane për zgjidhjen e problemit të Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Në fillim të vitit 1956 një zyrtar i ministrisë së jashtme amerikane shkoi në Australi dhe u takua me z. Krasniqin. Në prill të atij viti z. Krasniqi merr një telegram nga kjo ministri me anë të cilit ftohet në Uashington për bisedime rreth riorganizimit të Komitetit. Pas pak ditesh z. Krasniqi shkoi në Uashington dhe filloj bisedimet me kushte. Krasniqi riorganizoi Komitetin “Shqipëria e Lirë” brenda disa ditësh dhe filloj menjëherë nga puna. Nga 40-të antarët e Komitetit të mëparshëm ai zgjodhi vetëm katër persona: Ing. Vasil Gërmenjin, Kapidan Ndue Gjomarkajn, Prof. Nexhat Peshkopinë dhe Sotir Avramin. Sekretar të zyrës emroi prof. Konstandin Vangjeri. Një vit më vonë Krasniqi emëroi tre këshilltarë të Komitetit: Mehdi Frashërin, Prof. Karl Gurakuqin dhe z. Ali Këlcyrën.

Krasniqi i dërgoi këtë letër Mehdi Frashërit: I ndershëm z. Mehdi Bej! Kam marrë përsipër drejtimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë” të riorganizuar. Ju jeni emëruar Këshilltar i Komitetit. Qëllimi i emërimit tuaj ka qenë dhe mbetet të ndihmoheni me një ndihëm të vogël mujore. Buxheti i Komitetit të sotëm, i dhënë nga qeveria amerikane është tepër i kufizuar. Siç e dini, tani veprohet në kushte të reja politike. Këshillat tuaja janë të mirëpritura në çdo rast. Një letër të tillë njoftimi për emrimin si këshilltar të Komitetit i kam dërguar z. Ali Këlcyra dhe prof Karl Gurakuqit. Komiteti vepron në nivel mbi partiak por bashkëpunimi i tij me partitë politike shqiptare në mërgim zë një vend me rëndësi. Të fala Rexhep Krasniqi. Nju Jork, 11 shtator, 1957.

Një kapitull i ri për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në SHBA filloi kështu menjëherë. Po sjell vetëm dy shembuj: Deva i dërgon Krasniqit një plan sekret të Jugosllavisë për një valë të re shpërnguljesh të shqiptarve nga Kosova. Për këtë Kryetari i Komitetit “Shqipëria e Lirë” shkoi në Uashington dhe e shtroi direkt këtë çështje me autoritetet amerikane.

“Albanian Desk”, zyre e ministrisë së Jashtme amerikane për çeshtje shqiptare, i shkruan z. Krasniqit më 21 gusht, 1957: “Një zyrtari ynë me kompetencë të ministrisë së Jashtme e ka njoftuar Beogradin se Uashingtoni ka dijeni të plotë rreth planifikimit sekret jugosllav për një valë tjetër shpërnguljeje të shqiptarëve nga Kosova në Turqi. Zyra jonë këtë çështje nuk do ta lej në heshtje“.

Në shtator të vitit 1958, përfaqësuesi i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, pranë Asamblesë së Kombeve Evropiane të Robëruara, ing. Vasil Gërmenji, e ngriti çështjen e Kosovës në një sesion të veçantë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Aty ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi jugosllav i cili u largua nga salla në shenjë proteste. Për këtë konflikt të z. Gërmenji me përfaqesuesin jugosllav, shkroi edhe gazeta Nju Jork Post (18/9/1958).

Tani nuk do të zgjerohem shumë me të dhëna konkrete sepse ka materiale të bollshme të botuara dhe të pabotuara, duke filluar nga libra, gazeta e memorandume, dhe deri tek raporte pune e korrespondenc që provojnë mbrojtjen e çështjes së Kosovës nga Komiteti “Shqipëria e Lirë dhe ndërkombetarizimin e saj në Uashington. Po sjell vetem një fakt. Komiteti çdo tre muaj kishte takime të drejtpërdrejta me ministrinë e Jashtme amerikane, dhe secilën herë, kur flitej për Shqipërinë flitej edhe për Kosovën. Në saje të nxitjes së Komitetit “Shqipëria e Lirë”, për problemin e Kosovës ngritën zërin edhe përfaqësuesit e Komiteteve të tjera kombëtare që përbënin Asamblenë e Kombeve Evropiane të Robëruara.

Komiteti “Shqipëria e Lirë” u drejtua nga prof. Rexhep Krasniqi 35 vjet, deri me përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Komiteti kishte shtypin e vet, shqip dhe anglisht. Qe vendosur me seli në Nju Jork dhe prej shumë kujt cilësohej si qeveri shqiptare në mërgim. Komiteti ishte e vetmja organizatë politike shqiptare, në botën e lirë që kishte mbështetjen financiare nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikes.

Më 1962, prof. Rexhep Krasniqi, organizoi në Nju Jork “Lidhjen e Prizrenit në Mërgim”, të cilën e drejtoi Xhafer Deva derisa vdiq. Edhe për këtë organizatë, e cila kishte shtypin e vet, është shkruar gjerë e gjatë dhe ka edhe të dhëna të tjera të bollshme, ku pasqyrohen përpjekjet e parreshtura të Devës për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Kryetari i Lidhjes kishte edhe një rrjet të pashoq informimi mbi zhvillimet në Jugosllavi dhe në Kosovë. Po sjell këtu vetëm dy shembuj: afër 20 vjet, një turk, shok shkolle i tij në Robert Kolegj, punonte në ambasadën e Turqisë në Beograd dhe e njoftonte Devën mbi çdo veprimtari në atë vend. Deva atë e thërriste me emrin Hajdar aga. Emri i tij i vërtet ishte Adnan Çellek. Siç shihet nga materialet dërguar Devës, Hajdar aga kishte njohuri të thellë mbi zhvillimet e brendshme në Jugosllavi. Ai kishte edhe Keqën, Alia Ketiq, një sanxhakli mik të vjetër që punonte në Zagreb në një sektor të rëndësishëm e nevralgjik ushtarak. Përmenda këta dy persona me emër sepse, me sa di unë të dy kanë vdek nga fundi i viteve 80-të. Deva vizitonte Evropën dhe Turqinë vitë për vit, merrte informime të gjithanshme dhe i shkëmbente ato me miqtë e vet amerikan. Kjo ishte edhe një metodë tjetër e Devës për ndërkombëtarizimin e Kosoves në zyrat shtetërore amerikane. Deva nuk la gur pa lëvizur për të tërhequr vëmendjen e amerikanëve te çështja e Kosovës. Jo më kot, në shtypin e Beogradit dhe të Tiranës, shpesh jane botuar artikuj të gjatë me titull: “Xhafer Deva në lëvizje”. Dhe kjo është e vërtetë: asnjë lëvizje shqiptare jashtë atdheut nuk i ka trazuar regjimet komuniste të Beogradit dhe të Tiranës më shumë se veprimtaria e Devës. Lëvizjen e Devës, dy regjimet në fjalë e kanë shikuar gjithmonë si lëvizje të Uashingtonit.

Përfundimisht: Xhafer Deva dhe Rexhep Krasniqi ishin dy burra të shtetit etnik shqiptar që ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës pranë diplomacisë amerikane më mirë dhe më me kompetencë se askush tjetër. Ata i shërbyen me nder dinjitetit dhe kauzës kombëtare për realizimin e Shqipërisë etnike dhe vdiqën me bindje të plotë se një ditë jo të largët do të realizohet shteti i lirë etnik shqiptar.

Xhafer Deva vdiq më 25 maj të vitit 1978; pak ditë para festimeve madhështore në atdheun etnik të 100 Vjetorit të Lidhjes Historike të Prizrenit. Kryetari i “Lidhjes Prizrenit në Mërgim” mbylli sytë duke lanë popullsinë shqiptare të Kosovës me ndërgjegje të lartë kombëtare, drejt realizimit të misionit të madh historik, për të cilin mision ai nuk kurseu pasurinë, mundin dhe jetën e tij. Pas vdekjes së Devës, organizatën “Lidhja e Prizrenit në Mërgim” e mbajti gjallë z. Ismet Berisha, nipi i Sadik Ramë Gjurgjevikut. Si kryetar i kësaj organizate, ai edhe sot i qëndron besnik vijës tradicionale për realizimin e Shqipërisë etnike.

Rexhep Krasniqi vdiq më 12 shkurt të vitit 1999. Kryetari i Komitetit “Shqipëria e Lirë” arriti të shohë shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe rënjen e komunizmit në Shqipëri. Ai arriti të shohë presidentin e Kosovës duke u pritur me nderime shtetërore në Uashington. Ai ngazëllehej kur shikonte në ekranet e televizionit amerikan bijtë dhe bijat e Kosovës të veshur me uniformë ushtarake dhe të mbërthyer në armë për të mbrojtur trojet e tyre. Ai edhe pse nuk arriti të shohë në ato ekrane skenat e tmerrshme të dyndjes Biblike, ndeshjet e përgjakshme fyt për fyt me serbët dhe varrezat masive anembanë Kosovës; vdiq me bindjen e patundur se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta mbronte edhe me gjak vijën e kuqe që i vuri Serbisë. Kontributi i tij bashkë me atë të Xhafer Devës, përgatiti terrenin për vazhdimin e punës nga brezi i sotëm i politikanëve tanë.

Udhëheqja e sotme e Kosovës, mbështetur në trashigiminë e paraardhësve të saj, me mprehtësinë dhe urtësinë e vet politike, e mbi të gjitha, në saje të sakrificave të pashoqe të shqiptarëve të Kosovës, e kurorëzoi me sukses fitoren. Për kurorëzimin e kësaj fitoreje të madhe historike dhanë ndihmes të gjithë shqiptarët, brend e jashtë atdheut etnik. Zonja dhe zotërinj të nderuar, Kosova sot ka ngjyrimet e veta politike, si çdo vend tjetër demokratik. Nga ngjyrimet politike ndikohen edhe njerëzit e letrave, përfshirë këtu edhe historianët. Për mua historia është shkencë objektive që nuk bën lëshime as për miq e dashamirë, dhe as për kundërshtar e armiq. Për mua histori është vetëm ajo që mbështet në fakte, dhe në burime të pavarura nga kahjet politike. Duke qenë i vetëdijshëm për të gjitha këto, u përpoqa të sjell këtu ndihmesën time modeste, për gjithë sa thash më sipër. Une nuk jam as avokat as amanetxhi i Xhafer Devës as i Rexhep Krasniqit. Ata nuk më lanë asnjë amanet. Por, do të më brente ndërgjegjja sikur mos të thoja këtu: Eshtrat e Xhafer Devës dhe të Rexhep Krasniqit është mirë të sjellen në Kosovë. Besoj se është në nderin e shqiptarëve të Kosovës sjellja e tyre në atdhe dhe rivarrimi me nderim të merituar.


Send this to a friend