Një lukuni e përçudshme helaqesh e mercenarësh që ka zaptu jo pak medie ndër shqiptarë, shpeshherë përpiqet ta përvijojë publikisht idenë se Serbia mund të hyjë në Kosovë «pa asnjë problem dhe brenda dy orësh», sepse, sipas tyre, ushtria dhe organet tona janë në fund të pusit.
Kjo i shkon përshtati idesë së Vuçiqit, i cili, jo kaherë, në kulmin e krizës, pati deklaruar se Serbia mund t’i fshijë forcat e Kosovës nga faqja e dheut si me fshisë (kao metlom)!
Megjithatë kohë e fundit, Serbia e ka humbur çdo përballje me Kosovën.
Në rrafshin diplomatik nuk ia ka arritur t’i përjetësojë marrëveshjet, e nënshkruara edhe me shantazh, përmes të cilave e federalizonte Kosovën;
Në rrafshin ushtarak, Serbia, në Banjskë, ka marrë një grusht turinjsh që ia ka bërë surratin pistil me qyrra e me gjak;
Në rrafshin e luftës subverzive e të spiunazhit, gjithashtu organet e Kosovës kanë dëshmuar sipëri profesionale në raport me organet dhe metodat diversioniste të Serbisë.
Çka do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se, historikisht, në përballje me shqiptarët, Serbia, përmes shtetit të organizuar, ka luftuar me lëvizje të shkapërderdhura e të çorganizuara të rrezistencës, ku pasojat i kanë vuajtur civilët e paarmatosur që janë masakruar masivisht me plumba e singi, me zjarr e me hekur…
Ky fakt, përmes një propagande të fuqishme ka krijuar, sidomos në fillim të shekullit XX, në Evropë e gjithandej, imazhin e ushtrisë serbe si fuqi e pathyeshme.
Ndërkaq, luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, kanë dëshmuar krejt të kundërtën. Në Bosnje e Hercegovinë, aty ku kishte njësi të organizuara e të udhëhequra nga profesionistët, ushtria serbe, ani se shumë më e numërt me ushtarë e me paisje, ka pësuar disfata serioze. Mjafton ta përmendim rastin e Korpusit të Pestë të Ushtrisë boshnjake, të udhëhequr nga gjenerali i lavdishëm, Dudakoviq…, i cili, ani se i rrethur nga të gjitha anët, e me mungesë të theksuar armësh e ushqimi, gati 4 vjet rresht jo vetëm ka qëndruar, por i ka shkaktuar Serbisë humbje serioze.
Të mos flasim për Kroacinë, ku ushtria e Serbisë është shpartalluar si me pas qenë kështjellë prej zalli.
Kjo, pra, do të thotë se Serbia, në luftë me popujt fqinjë, ka korrë fitore vetëm kur ka luftuar me civilë, ndërsa në atë moment që ka pasur përballë njësi të organizuara e të udhëhequra nga profesionistët s’ka mundur ta bëjë asnjë pup.
Përkundër vështirësive e dobësive të theksuara, qeveria e Kosovës ka bërë hapa serioz në fushën e sigurisë dhe forcimit të sovranitetit të Kosovës.
Investimet serioze në armatim, në ushtri dhe në organet vitale të sigurisë, kanë ndikuar ndjeshëm në forcimin e pozitave të Kosovës.
Shtrirja e pushtetit në veri të vendit dhe shpartallimi i gjendjes së konfliktit të ngrirë që e mbante Kosovën peng, është fitorja më e madhe e pasluftës.
Çka është me shumë rendësi, gjatë këtij procesi të vështirë, organet tona kanë respektuar maksimalisht konceptin kushtetues për respektim të lifjit, për barazi e bashkëjetesë.
Ky fakt i krijon Kosovës epërsi taktike dhe strategjike në përballje me luftën hibride, që po e bëjnë Rusia e Serbia përmes kolonës së pestë sidomos në medie dhe në rrjetet sociale.
Ditë më parë, shefi i Shtatmadhorisë së Francës tha diçka që çdonjërin prej nesh do të duhej ta ungjë në tokë dhe ta bëjë me pa dhe me mendu esull:
« Brenda 3-4 vitesh Evropa do të përballet me një konflikt serioz! »
Në rrethana të tilla, shqiptarët, përkundër dallimeve reale apo të sajuara duhet të veprojnë si komb. Sepse vetëm kështu krijohet ekuilibri i forcës si garancia më e prekshme e stabilitetit në rajon.
Ne jemi në pozitë që, duke investuar në mbrojtje e në siguri të vendit, realisht, japim kontribut madhor për stabilitet e paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon.
Në përmbyllje të këtyre rreshtave, duhet nënvizuar gjithashtu se një kontribut substancial në këtë drejtim e kanë dhënë e po e japin aleatët tanë në krye me Amerikën.
Qoftë me trajnim të kuadrit, qoftë në armatim qoftë përmes prezencës së KFOR-it.
—
