VOAL

VOAL

Kosova fiton 210 milionë euro nëse Danimarka merr me qira 300 qeli burgu në Kosovë

December 16, 2021

Komentet

Kosovë – Ushtarë të aviacionit amerikan, stërvitje me helikopter përgjatë kufirit me Serbinë

Ushtarë të aviacionit amerikan, të caktuar në Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, realizuan një futje ajrore të trupave këmbësore amerikane në mbështetje të një patrullimi të pavarur në veri të Kosovës, përgjatë kufirit me Serbinë.

KFOR tha se kjo lloj stërvitjeje është “thelbësore për ruajtjen e gatishmërisë dhe bashkëveprimit ndërmjet njësive, si dhe për të mbajtur efektshmërinë e nevojshme në veprimet e KFOR-it për një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, në përputhje me rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë. sn

Kosova i dëbon dy pjesëtarë të MPB-së serbe dhe ua ndalon hyrjen për 5 vjet

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet kosovare i kanë dëbuar nga vendi dy pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) disa orë pasi i kishin arrestuar të shtunën nën dyshimin për cenim të sigurisë kombëtare, konfirmuan avokatët e tyre për Radion Evropa e Lirë të dielën.

Nikolla Vujoviq dhe Mlladen Millojevia u dëbuan të shtunën në mbrëmje dhe të dyve u është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet, thanë avokatët e tyre Bogdan Laziq dhe Srgjan Mitroviq, përkatësisht.

Vujoviq dhe Millojeviq ishin në mesin e tre pjesëtarëve dhe të një pjesëtari të pensionuar të MPB-së serbe që u arrestuan në Kosovë të shtunën.

Autoritetet kosovare e kanë konfirmuar vetëm arrestimin e Vujeviqit dhe qëllimin për dëbimin e tij, pasi ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ia hoqi atij shtetësinë kosovare të shtunën duke thënë se ai është i rekrutuar nga institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Serbisë.

Svecla tha të shtunën se Vujoviq “përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”.

Millojeviq ushtron detyrën e policit të Serbisë në Rashkë dhe vjen nga Leposaviqi, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vujoviq , i cili vjen nga Zubin Potoku po ashtu në veri të Kosovës, ka paralajmëruar padi ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për heqjen e shtetësisë, tha avokati i tij.

Sipas ligjit për Shtetësinë në Kosovë, një person e humb shtetësinë nëse merret me veprimtari të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës; kur është qëllimisht anëtar i një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Kosovës; kur është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër, pa pëlqim nga organet vendore dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake.

Svçla tha se Serbia po bën “përpjekje sistematike” për destabilizim të brendshëm të Kosovës, duke punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, “akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e dënoi vendimin e autoriteteve kosovare për arrestimin e pjesëtarëve dhe ish-pjesëtarit të MPB-së të shtunën.

Ajo tha se autoritetet kosovare nuk kanë pasur “asnjë arsye ligjore” për arrestimin e tyre dhe se kjo “është hakmarrje e nxitur politikisht kundër popullit serb”.

Arrestimi i tyre ndodhi një javë pasi Serbia e arrestoi një ish-pjesëtar të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës më 7 qershor në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.

Arbnor Spahiu dyshohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë në Banjskë” – ku një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku – tha avokati i angazhuar nga familja e Spahiut, Arianit Koci, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të premten.

Koci tha se mbrojtja tashmë ka dorëzuar ankesën ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor.

Kosova do ta dëbojë policin e Serbisë pas ia hoqi shtetësinë kosovare për arsye sigurie

Radio Evropa e Lirë

Në një njoftim në Facebook, Sveçla tha se Nikolla Vujoviq “përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”.

Më vonë, Policia e Kosovës tha në një njoftim për media se Drejtoria për Migrim dhe të Huaj ka filluar procedurat “për ta larguar me forcë nga vendi ynë” Vujoviqin.

“Deri në përfundim të këtyre procedurave, në përmbushje të kushteve për ekzekutimin e vendimit, personit në fjalë i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se autoritetet kosovare i kanë ndaluar të shtunën tre pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe një oficer të pensionuar.

Për të ndaluarin me inicialet N.V., Zyra serbe tha se autoritetet e Kosovës kanë marrë vendim për “dëbim të kundërligjshëm”.

Svçla tha se Serbia po bën “përpjekje sistematike” për destabilizim të brendshëm të Kosovës, duke punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, “akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare”.

Ai theksoi se u bazua në ligjin për Shtetësinë aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, kur mori vendimin për t’ia hequr shtetësinë Vujoviqit.

“Nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare të Kosovës nga kushdo qoftë. Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj”, tha ai.

Sipas ligjit për Shtetësinë në Kosovë, një person e humb shtetësinë nëse merret me veprimtari të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës; kur është qëllimisht anëtar i një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Kosovës; kur është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër, pa pëlqim nga organet vendore dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake.

Ministri nuk dha më shumë hollësi rreth Vujoviqit, apo veprimtarisë së tij të dyshuar.

Më vonë, Ministria e Brendshme e Kosovës tha se Vujoviqi, duke qenë edhe shtetas i Serbisë, është marrë me aktivitete “që cenojnë sigurinë e Kosovës, në cilësinë e pjesëtarit të forcave të policisë së Serbisë – e gjitha kjo pa pëlqim nga organi kompetent dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake siç e parasheh legjislacioni në fuqi”.

Vendimi i Sveçlës vjen në një kohë kur autoritetet kosovare kanë arrestuar serbë e shqiptarë në Kosovë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Derisa shpeshtohen rastet, njohësit e sigurisë thonë se inteligjenca serbe ka shtrirë rrënjët në tërë territorin e Kosovës ndër vite.

Në fillim të këtij muaji, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai e pranoi fajësinë për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Xhelal Sveçla bën deklaratën e fortë: Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës për të destabilizuar vendin

 

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, deklaroi se në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizim të brendshëm të Republikës së Kosovës, “Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare”.

Sveçla, në një postim në Facebook, shkruan se duke pasur parasysh qëllimet agresive të Serbisë ndaj Kosovës, adresimi institucional i rasteve të tilla është jo vetëm një çështje e rendit ligjor, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror.

“Bazuar në legjislacionin tonë përkatës për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”, shkruan Sveçla.

Ai thotë se nuk mund dhe nuk do të lejohet në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës nga kushdo qoftë.

“Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj. Institucionet tona mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook. RTK

Vendimi – I hiqet shtetësia e Kosovës një serbi, shkak rrezikimi i sigurisë kombëtare

Nikola Vujoviqit i është hequr shtetësia e Republikës së Kosovës pasi duke shërbyer si pjesëtar i forcave policore të Serbisë ka rrezikuar sigurinë kombëtare të Kosovës, ka thënë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla ka thënë se Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të veta, gjë që cenon sigurinë kombëtare dhe ka për synim destabilizimin.

“Në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizim të brendshëm të Republikës së Kosovës, Serbia ka punësuar shtetas të Republikës së Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cënim i sigurisë sonë kombëtare. Bazuar në legjislacionin tonë përkatës për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”, njoftoi ai në Facebook.

Sveçla ka theksuar se nuk do të tolerohet në asnjë formë cenimi i sigurisë kombëtare./KOHA

Të dënuarit nga Specialja do të vuajnë dënimin në Belgjikë

Radio Evropa e Lirë

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, njoftuan se kanë arritur një marrëveshje me Belgjikën, që të dënuarit nga kjo gjykatë të mund ta vuajnë dënimin me burgim në këtë shtet.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e Dhomave të Specializuara për të kryer mandatin e vet”, tha kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, sipas një njoftimi për media.

Trendafilova u bëri thirrje edhe shteteve të tjera që të nënshkruajnë marrëveshje me Dhomat e Specializuara – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në mënyrë që, sipas saj “të fuqizohet korniza e gjykatës për zbatimin e dënimeve”.

Specialja kujtoi se të dënuarit në formë të prerë duhet të vuajnë dënimin jashtë Kosovës, bazuar në këmbimin e letrave më 2014 mes përfaqësueses së atëhershme të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Cathrine Ashton, dhe atëbotë presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Deri më tani, kjo gjykatë ka shpallur aktgjykime për krime lufte dhe për pengim të drejtësisë. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Varroset me nderime të larta shtetërore ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi

Iu dha lamtumira e fundit ish-kryeministrit në ekzil në vitet ’90, Bujar Bukoshi. Ai u varros sot në varrezat në Velani të Prishtinës.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili mori pjesë në ceremoninë e varrimit, e cilësoi Bukoshin si kryeministër të jashtëzakonshëm, shkruan Paparaci.

“Bujari ishte në Kosovë edhe nëse nuk ishte në Kosovë. Ishte kryeministër i jashtëzakonshëm, sepse kohërat ishin të tilla, sepse edhe personaliteti ishte i tillë. Ishte kryeministër i një populli pa ushtri, por me mijëra vullnetarë të gatshëm për luftën çlirimtare. Doktor Bujari ka lënë mbresat më të mira popullit të Kosovës edhe me shërbimin e tij si mjek, por edhe si udhëheqës, si kryeministër.

Nga një karrierë akademike hoqi dorë për t’i shërbyer popullit të Kosovës. Ai e kishte një detyrë të vështirë, sepse ishte udha lidhëse midis rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur. Personalisht e kam takuar për herë të parë në moshën time 10 vjeçare atëherë kur prindërit e mi patën organizuar një ndejë për mjekët që kishin përfunduar me sukses operimin e babait tim pas shpërthimit të idhzës.

Nuk e harroj admirimin e prindërve të mi ndaj doktorit. Jam takuar edhe më 21 janar 1999 në Bruksel. Me veturën e tij kishe ardhur për të na mbështetur. Bujar Bukoshi kontribuoi, sepse punoi që ne sot e kemi lirinë dhe shtetin që e gëzojmë”, tha Kurti. bw

Abdixhiku i LDK-së shpalos agjendë 15-pikëshe për një qeveri të unitetit

Radio Evropa e Lirë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka shpalosur të enjten një agjendë 15-pikëshe, në bazë të së cilës do të punonte një qeveri e unitetit e propozuar nga ai, dhe e cila do t’i përfshinte të gjitha partitë e tjera parlamentare.

Duke e propozuar agjendën me 15 pika si mënyrë për të dalë nga ngërçi politik, Abdixhiku tha se “qeveria e unitetit kombëtar nuk është zgjidhje e përhershme, nuk është më e mira e mundshme, por është përgjegjësia që ajo bart në vete domosdo për gjendje ne tanishme”.

Ai tha se kjo “është në kontratë e nderit mes forcave politike dhe qytetarëve për ta nxjerrë vendin nga kriza e tanishme”.

Agjenda e tij përfshin reforma kushtetuese, rindërtimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, rritjen e pagave, si dhe zgjidhjen e krizës energjetike.

Agjenda 15-pikëshe e Abdixhikut

Pika e 1: funksionalizimi i institucioneve kushtetuese dhe departiartizimin e institucioneve të pavarura.

Pika e 2: rritja e pagave dhe zbatimi i ligjit për pagën.

Pika e 3: pakoja emergjente për menaxhimin e krizës energjetike.

Pika e 4: fillimi i projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës.

Pika e 5: rindërtimi i partneritetit me BE-në dhe SHBA-në dhe rikthimin e politikës së jashtme aktive.

Pika e 6: votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Pika e 7: fillimi i procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.

Pika e 8: Fillimi i projekteve me rëndësi të veçantë për vendin.

Pika e 9: Ndryshime kushtetuese në funksion të stabilitetit institucional.

Pika e 10: hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.

Pika 11: përgatitja institucionale për Lojërat Mesdhetare.

Pika 12: reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.

Pika 13: rishikimi i formulës për buxhetin e komunave dhe ndryshimet e nevojshme.

Pika 14: përgatitja për zgjedhje të rregullat dhe të lira demokratike brenda 10 muajve.

Pika 15: mekanizmi i transparencës dhe llogaridhënies për periudhën kalimtare.

Propozimi i Abdixhikut – i paralajmëruar kohë më parë – vjen pasi vendi është zhytur në një krizë politike, duke mos mundur t’i formojë institucionet e reja as katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Kjo krizë vjen për shkak se asnjë parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.

Prej prillit, deputetët janë mbledhur plot 30 herë në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për konstituimin e tij, që është hap i nevojshëm drejt krijimit të qeverisë së re, por kanë dështuar vazhdimisht pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk po arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

Për ketë, LDK-ja ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare me të gjitha partitë parlamentare, deri në zgjedhjen e presidentit të ri në prillin e vitit të ardhshëm.

Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë ide, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se preferon një ekzekutiv mes partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion të tillë e preferon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

LDK-ja ka pasur ofertë nga Vetëvendosje për ta formuar një koalicion qeverisës, por nuk ka pranuar dhe Abdixhiku e përsëriti kundërshtimin e tij edhe të enjten.

“Për shkak të katër vjetëve të fundit, për shkak të printimeve elektorale dhe për shkak të dallimeve thelbësore që i kemi në vlera, ky bashkëpunim ka qenë dhe është i pamundur”, tha Abdixhiku.

Deputët do të mblidhen sërish të premten, në përpjekje për ta bërë Kuvendin.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur më 5 qershor se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.

Edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.

MPJD thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimet rreth arrestimit të Spahiut në Serbi

Radio Evropa e Lirë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) tha të mërkurën se është duke i ndjekur me “vëmendje të shtuar” zhvillimet rreth arrestimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, në Serbi, dhe se i ka njoftuar vendet e QUINT-it për këtë.

Ndërkohë, për rastin e ish-policit të ndaluar në Serbi është angazhuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.

Gjykata e Lartë në Suboticë urdhëroi një muaj paraburgim për Spahiun gjoja për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” në fshatin Basnjkë në veri të Kosovës.

MPJD tha në një njoftim në Facebook – duke iu referuar deklaratave të familjes dhe avokatit të Spahihut – se akuzat ndaj tij kanë të bëjnë me rastin e Banjskës.

“Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij”, tha Ministria.

Ajo theksoi shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, së bashku me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiut, Arianit Koci, do të udhëtojnë më 11 qershor në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.

“Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek z. Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë”, thuhet në njoftim.

Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse, tha Ministria.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani”, tha ajo.

Kosova do të vazhdojë t’i shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Kosovës të marrë fund, dhe që Spahiu të lirohet sa më parë, tha ajo.

Ndërkohë, Kupina theksoi se presidentja Osmani ka kontaktuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe ka qenë po ashtu në kontakt me shtetet e QUINT-it dhe Zyrën e BE-së.

“Angazhimi i Presidentes do të vazhdojë”, tha ai.

Serbia e akuzon Spahiun se ka kryer këtë vepër penale në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Por, Policia e Kosovës ka konfirmuar se Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë.

“A.S. ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”, thuhet në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.

Me ligjin në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burg ose me burgim të përjetshëm.

Edhe avokati Koci ka thënë se klienti i tij nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e tre vjet dhe se ai jeton në Gjermani.

Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që, sipas tij, do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.

Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës, autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.

Për sulmin në Banjskë – ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut – Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.

Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.

Këtë javë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.

Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.

Qeveria e Kosovës shpreh gatishmërinë për pranimin e migrantëve të dëbuar nga SHBA-ja

Radio Evropa e Lirë

Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) se ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në përputhje me kushtet e përcaktuara”.

“Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë në detyrë, në një deklaratë për REL-in.

Ai shtoi se informacione të tjera do të jepen ndërkohë.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar për REL-in më 6 qershor se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi DASH-i, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.

“Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.

Nga DASH-i theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.

Qeveria në detyrë e Kosovës tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës.

“Partneriteti ynë i ndërsjellë, i ndërtuar ndër dekada, mbështetet në vlera të përbashkëta dhe bashkëpunim. E vlerësojmë lart mbështetjen e tyre, sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit në institucionet euroatlantike”.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar median Bloomberg News, raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës Trump të tërheqë statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, që jetojnë në SHBA, duke forcuar kështu përpjekjet e presidentit republikan për shtimin e dëbimeve.

Sipas Bloomberg-ut, administrata Trump po kërkon destinacione të mundshme për migrantët që mund të dëbohen si rezultat i këtij vendimi.

Qeveria në detyrë, e gatshme të diskutojë edhe me Mbretërinë e Bashkuar për qendrat për migrantë

Qeveria në detyrë e Kosovës më 26 maj ka shprehur gatishmëri për të diskutuar edhe me Mbretërinë e Bashkuar, propozimin për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik.

Propozimi për ngritjen e qendrave të kthimit është pjesë e një strategjie më të gjerë të Mbretërisë së Bashkuar për të adresuar numrit në rritje të migrantëve që mbërrijnë në ishullin anglez përmes rrugëve të paligjshme.

Megjithatë, organizata ndërkombëtare Human Rights Watch ka shprehur shqetësimin se përdorimi i vendeve të Ballkanit si vende pritëse për migrantët mund të shkelë të drejtat e tyre dhe të krijojë sfida të reja për vendet pritëse.

Në një marrëveshje të ngjashme që po ashtu kishte nxitur kritika, në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan për dhënien me qira të 300 qelive burgu në Institucionin Korrektues në Gjilan për të strehuar të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka pas përfundimit të dënimit.

Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro, të cilat do të investohen në Shërbimin Korrektues dhe në projekte të energjisë së ripërtëritshme.

Kjo marrëveshje kishte ngjallur reagime nga organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile, të cilat kanë shprehur shqetësime për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe për sfidat që mund të sjellë menaxhimi i të burgosurve të huaj në Kosovë.

Më parë, Kosova kishte strehuar edhe rreth 1.900 shtetas afganë, që ishin evakuuar nga Afganistani pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021.

Pas dy vjetësh funksionimi, kampi “Liya” në bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Ferizaj ishte mbyllur. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, pjesa më e madhe e afganëve ishin transferuar tashmë në vendet pritëse, ndërsa një numër i vogël mbetet ende në Kosovë.

Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, afganët do të qëndronin në Kosovë derisa do të kalonin procesin e verifikimit për t’u zhvendosur në SHBA, ose në ndonjë vend tjetër perëndimor.

Kosova përuron objektin e ri të një stacioni policor afër kufirit me Serbinë

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet e Kosovës kanë përuruar objektin e ri të stacionit policor në Izvor të Zveçanit – dy kilometra larg nga kufiri me Serbinë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, që mori pjesë në përurimin e këtij objekti, tha se ai do të shërbejë për sigurinë kufitare dhe për parandalimin e aktiviteteve ilegale.

Gurthemeli për këtë objekt të Policisë së Kosovës ishte vendosur më 25 nëntor të vitit të kaluar.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, ky objekt është prej afër 4.000 metrash katrorë dhe për ndërtimin e tij janë investuar 753 mijë euro.

Gjatë përurimit të këtij objekti, Kurti tha se në bazë të marrëveshjeve të Brukselit, pikëkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Zveçan, do të duhej të ishte një vendkalim i integruar i kufirit, “por për shkak se Serbia nuk respekton atë çfarë është dakorduar edhe më tej ngelet i parealizuar”.

“Jemi këtu sot gjashtë muaj e gjysmë më vonë për ta bërë përurimin, inaugurimin e Stacionit të ri Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit këtu në Izvor të Zveçanit të Republikës së Kosovës – në një ndërtesë impresive e cila ka kushtua rreth 750 mijë euro edhe ka një sipërfaqe të gjithmbarshme prej afër 4 mijë metra katrorë në mënyrë që edhe zyrtarët policorë të kenë kushte të dinjtetshme të punës por edhe performanca të jetë e një cilësie të lartë sa i përket parandalimit të kontrabandës dhe çfarëdo veprimtarie tjetër ilegale”, tha Kurti.

Vitin e kaluar, institucionet e Kosovës nisën ndërtimin e disa stacioneve dhe nënstacioneve policore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Institucionet e Kosovës kanë thënë se ato do të ofrojnë më shumë siguri, por nga serbët lokalë dhe Beogradi janë parë si të panevojshme dhe një formë presioni.

Zgjedhjet lokale, më 12 tetor

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale.

“Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Caktimi i kësaj date, sipas Presidencës, synon që të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e tjera relevante, “me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor”.

Osmani u ka bërë thirrje subjekteve politike, organizatave dhe shoqërisë civile që t’i qasen “me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë”.

Më 4 qershor, Osmani ishte takuar me përfaqësuesit e partive politike për t’u konsultuar rreth datës për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale. Në takim nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Gjatë këtij takimi ishin përmendur datat 5, 12 dhe 19 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet e fundit lokale, Kosova i ka mbajtur në tetor të vitit 2021.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte fituar në më së shumti komuna, pasur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Caktimi i datës për zgjedhjet lokale po vjen në kohën kur Kosova është përfshirë në një krizë politike pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit.

Që nga votimet, ende nuk janë krijuar institucionet e reja, teksa deputetët ende nuk kanë arritur ta konsitutojnë Kuvendin e Kosovës, që do t’i hapte rrugë edhe krijimit të ekzekutivit të ri.

Pas takimit konsultues me Osmanin më 4 qershor, përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se në takim është diskutuar edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, bashkë me ato lokale.

Haxhiu ka thënë se ajo e ka paraqitur këtë ide, duke shtuar se mbajtja e dy palë zgjedhjeve brenda një dite është përkrahur edhe PDK-ja.

Megjithatë, për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që të konsituohet Kuvendi dhe më pas me marrëveshje politike të shpërndahet ai dhe të shpallen zgjedhjet e reja.


Send this to a friend