Pas vendimit të Kuvendit, një ceremoni ku është prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës, është mbajtur në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë. Aty, kanë marrë pjesë krerët më të lartë të shtetit të Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “Forca e Sigurisë së Kosovës është kthyer në institucionin më të besueshëm dhe më të respektuar në Republikën e Kosovës”. Siç ka thënë ai, bashkëjetesa, solidariteti, përkushtimi dhe profesionalizimi, janë vlera të FSK-së dhe tërë shoqërisë në Kosovë.
Presidenti Thaçi i ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e NATO-s.
“Ata i sigurojmë që Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbetet forcë shumetnike që do t’i shërbejë çdo qytetari të Kosovës, pa dallim feje dhe etnike. Do të bëhet faktor i sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, ka theksuar Thaçi.
Presidenti Hashim Thaçi, gjatë fjalës së tij.
Ai ka porositur partnerët ndërkombëtarë se mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen e Kosovës ndaj tyre, është duke e kthyer vendin në një eksportues të paqes dhe sigurisë.
“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n dhe partnerët tanë në botë, të cilët dëshirojnë që të ketë paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon, për çka edhe po investojmë”, ka thënë Thaçi.
Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova po hyn e fundit në rreshtin e ushtrive të paqes në botë.
“Porosia që e çon Kosova sot, është se paqen e kemi fituar me shumë dhimbje, për paqe na kanë ndihmuar aleatët tanë. Jemi të fundit që kemi mbërritur në paqe dhe të fundit do ta lëmë paqen. Nuk mund të na largojë askush nga rreshti i paqes”, është shprehur Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se ushtrive të paqes u prinë Amerika, duke nënvizuar se Kosova, edhe si popull, edhe si ushtri, e ka nder të rreshtohet pas Amerikës.
Ai ka theksuar se me miratimin e ligjeve që i japin kompetenca shtesë FSK-së, janë gëzuar të gjithë.
Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë ceremonisë zyrtare
“Nuk do të zhvillojmë doktrinë mbrojtëse dhe nuk do të veprojmë që ushtria asnjëherë të kthehet kundër popullit të vet. Këtë e dinë ata që jetojnë rreth nesh se sa të respektuar janë komunitetet nga shqiptarët”.
“Kurrë Ushtria e Kosovës nuk do të kthehet kundër askujt, pra jo kundër popullit të vet. Serbët, si në jug, si në veri, janë njerëz të këtij vendi, ushtria është e tyre, ata nesër kanë për të shërbyer në këtë ushtri dhe jo vetëm ata, por të gjithë që jetojnë në Kosovë”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se kjo është një ditë të cilën, sipas tij, “brezat që do të vijnë, do ta kujtojnë me respekt e krenari”.
“Historia është kronikë e ndryshimeve njerëzore në kohë, kjo e vërtetë, natyrshëm vlen edhe për historinë tonë të dhimbshme. Por, në rrjedhën e ndryshimeve tona historike, një gjë gjithmonë ka qenë konstante”.
“Ne jemi pjesëtarë të një kombi, i cili gjatë tërë ekzistencës së tij, asnjëherë nuk e sulmoi askënd, asnjëherë nuk ushqyem ambicie në dëm të të tjerëve, në zemrat tona kurrë nuk zuri vend urrejtja ndaj të tjerëve, në vendimin tonë politik kurrë nuk gjetën vend ideologjitë kundër të tjerëve, edhe pse në shumë raste ishim vetë viktimë e këtyre ideologjive – krejt çka deshëm ishte të mbrojmë veten tonë, atdheun tonë, dinjitetin tonë dhe lirinë tonë”, është shprehur Veseli.
Shqetësime në Beograd
Përderisa në Prishtinë, 14 dhjetori cilësohej si ditë historike, në Beograd kishte shqetësime.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar të premten që për të është “një ditë e rëndë”, porse Serbia do ta vazhdojë rrugën e paqes. Deklaratën e tillë Brnabiq e ka bërë duke e komentuar vendimin e autoriteteve të Prishtinës për transformimin në Ushtri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vendim ky i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës.
“Për mua kjo është ditë e rëndë. Nuk është ditë që i kontribuon bashkëpunimit në rajon”, ka thënë Brnabiq për mediat serbe.
Një atmosferë ndryshe me Prishtinën dhe qytetet tjera të banuara nga popullata shumicë shqiptare, mbizotëronte në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me popullatë serbe, ku sheshet e Mitrovicës Veriore janë mbushur me flamuj të Serbisë. Deputetët e Listës Serbe kanë bojkotuar seancën, duke kundërshtuar kështu vendimin për Ushtrinë.
Nga veriu i Kosovës, ku jetojnë popullata shumicë serbe, janë dërguar porosi se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka të drejtë të shkojnë në veri.
Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në një konferencë për media ka thënë që vendimi i autoritete të Prishtinës është i papranueshëm për serbët dhe se nuk ka asnjë fuqi. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve, por edhe të jenë syçelur.
Hezitime në NATO dhe përkrahje nga SHBA-ja
Transformimi i kësaj Force nuk arriti të sigurojë mbështetjen e plotë të NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ky transformim po ndodh në një “kohë të papërshtatshme” dhe i tërhoqi vërejtjen Prishtinës se nëse do të ndërmarrë hapin e transformimit “do të përballet me pasoja”.
Por, në Prishtinë deklarata të tilla u panë si reflektim i qëndrimeve të disa vendeve anëtare të NATO-s, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Autoritetet e Kosovës besojnë se e kanë mbështetjen e nevojshme të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake.
#Hashtag: Qytetarët “duartrokasin” qëndrimin e SHBA-së për FSK-në
Për dallim nga NATO, e cila ka në përbërje të vet shumë shtete, Qeveria Amerikane përmes ambasadorit të saj në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se votimi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është historik për Kosovën.
Kosnett, po ashtu, ka thënë se siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të sigurisë që ka.
“Teksa Kuvendi vepron sot, le të rikujtojmë se siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të tij të sigurisë dhe marrëdhëniet paqësore dhe bashkërisht të dobishme me fqinjët e saj, por edhe nga forca dhe profesionalizmi i forcave të saj të armatosura”, ka thënë Kosnett.
As the Assembly acts today, let’s remember that a country’s security depends on the quality of its security relationships – and peaceful, mutually beneficial relations with its neighbors – as much as on the strength and professionalism of its armed forces.
Forca e Sigurisë se Kosovës, javën e kaluar është pajisur me 24 automjete ushtarake të tipit “Humvee”, të cilat kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Automjetet e tipit Humvee të FSK-së
Autoritetet e Kosovës janë zotuar në vazhdimësi se transformimi i FSK-së do të bëhet në koordinim me NATO-n dhe shtetet që Kosova i konsideron si aleate, duke veçuar sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
FSK nuk e zëvendëson KFOR-in
Forca e Sigurisë së Kosovës do të nisë rrugën drejt shndërrimit në Ushtri, rolin dhe mandatin mbrojtës në Kosovë do të vazhdojë ta ketë forca paqeruajtëse dhe shumëkombëshe e KFOR-it.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se “FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in”.
“Prezenca e NATO-s në shtetin tonë do të jetë gjithmonë e mirëpritur. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s, duam të punojmë me ju. Me tranzicionin, FSK-ja është e gatshme të shërbejë me ju, me forcat e juaja të armatosura gjithkund në botë”, ka deklaruar Haradinaj.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në një raport të publikuar thotë se tranzicioni i FSK-së në ushtri nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm përderisa është një proces që do t’i marrë 7-10 vjet.
“Ndërtimi i kapaciteteve të saj, sigurisht se pritet të bëhet bazuar në mbështetjen bilaterale të shteteve përderisa NATO, ashtu sikurse në rastin e mandatit aktual, ka një hapësirë shumë të ngushtë veprimi për shkak të mungesës së konsensusit. Mandati i kufizuar për qëllime të vetëmbrojtjes është në shërbim të ruajtjes së paqes, jo luftës”, thekson QKSS-ja.
*Video nga arkivi: Rruga e gjatë për ta bërë ushtrinë
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.
Pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ndërkaq, hapi tjetër, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte që kjo Forcë të transformohej në Forcat e Armatosura të Kosovës. Por, një hap i tillë nuk arriti të realizohet për shkak të pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë.
Andaj, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës ta bëjnë përmes ligjeve, pa prekur edhe emrin e FSK-së.
TIRANË- Qindra qytetarë, me flamuj dhe pankarta në duar kanë mbushur Bulevardin Dëshmorët e Kombit në kryeqytet. Përveçse në Tiranë, protesta janë duke u mbajtur edhe në qytete të tjera. Në duar qytetarët mbajnë pankarta ku shprehin pakënaqësitë e tyre për qeverinë.
“Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Atdheu nuk është në shitje” “Edi Rama dorëhiqu”, “Koha është e maskarenjve por Atdheu i shqiptarëve”, “2000 euro metri katror, 600 euro qeraja, 700 euro paga”, “Ju jeni hajdutë”, “Di gjë ka ilaç kundër helmit të gjakpirësve”, “Shoqëria është e jona”, janë disa nga pankartat që mbajnë qytetarët.
Në tubime janë parë edhe flamuj amerikanë të ngritur krah flamurit kombëtar shqiptar, një detaj ky që, përkundrazi, tregon një simbolikë pro-perëndimore dhe jo refuzim të aleancës strategjike të Shqipërisë dhe shqiptarëve me SHBA-në./Dosja.al
TIRANË– Aktori i njohur Mehdi Malkaj ka mbajtur një fjalim emocional gjatë protestës qytetare, duke bërë thirrje për pjesëmarrje dhe rezistencë ndaj qeverisë. Malkja iu drejtua qytetarëve kudo që ndodhen, duke i ftuar t’i bashkohen protestës.
“O njerëz kudo që jeni, ejani këtu sepse këtu ka dashuri pa hesap. Më tha dikush kur ishte muhabeti i teatrit që Rama e ka ndarë mendjen ta prishë, i thash përse nuk e nndan edhe ti të mos e prishë. Nëse ai e ka ndarë mendjen se do rrijë ende, mjerë ai. Populli ëhstë fshirë barkaz dhe mbi kurrizin e tyre kanë fshirë qelbsirllëqet pushtetarët, ndaj duhet të qendrojmë në këmbë e të fshijmë ne këpucët në kurrizin e tyre,” tha Malkaj./Dosja.al
TIRANË- Një qytetare shtatzënë ka përcjellë një mesazh emocional gjatë protestës së zhvilluar në bulevard, duke deklaruar se pjesëmarrja e saj lidhet me të ardhmen e fëmijëve dhe mbrojtjen e Shqipërisë. E prezantuar si Anxhi, ajo tha se kishte zgjedhur të ishte në protestë për vajzën që pret të vijë në jetë dhe për brezat e ardhshëm.
Qytetarja theksoi se vendi u përket shqiptarëve dhe brezave që do të rriten në të, duke kundërshtuar projektin që ka nxitur reagime dhe protesta në Zvërnec. Në përfundim të fjalës së saj, protestuesja bëri thirrje për anulimin e projektit.
“Jam shumë krenare sot. Unë jam Anxhi dhe jam këtu për gocën që do të vijë në jetë dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Të gjithë ata që e kanë promovuar ndër vite Shqipërinë, nuk do të lejojmë që ajo të shitet. Shqipëria është e imja dhe e jona, e fëmijëve që kemi dhe e atyre që do të vijnë në jetë. Anulo projektin,” deklaroi ajo./Dosja.al
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” pritet të mbushet edhe këtë të premte me mijëra protestues, në atë që konsiderohet protesta e gjashtë radhazi kundër projektit të “Zvërnecit” dhe politikave të qeverisë.
Qytetarë nga zona të ndryshme të vendit kanë paralajmëruar pjesëmarrje në tubimin që do të nisë në orën 18:00 para Kryeministrisë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, anulimin e projektit të debatueshëm në Zvërnec dhe rishikimin e një sërë vendimesh që, sipas tyre, cenojnë interesin publik.
Prej pesë ditësh me radhë, bulevardi kryesor i Tiranës është kthyer në epiqendrën e protestave, ku qytetarët kanë shprehur kundërshtimin e tyre përmes pankartave, thirrjeve dhe marshimeve.
Organizatorët kanë bërë të ditur se lëvizja do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, të cilat përfshijnë anulimin e projekteve të kundërshtuara, transparencë mbi vendimmarrjet qeveritare dhe marrjen e përgjegjësive politike nga ekzekutivi.
Kujtojmë se dje u prezantuan 5 kërkesa nga “Lëvizja e Re Qytetare” për Ramën:
1-Dorëheqjen e Qeverisë
2-Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë!
3-Shfuqizimin e Paketës së Maleve
4-Anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura
5-Anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare. gsh
Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të privimit të rëndë material dhe social në Europë, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2024.
Treguesi mat përqindjen e popullsisë që nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 mallra, shërbime ose aktivitete që konsiderohen të nevojshme për një standard jetese të përshtatshëm.
Në to përfshihen pagesa e qirasë dhe faturave, përballimi i shpenzimeve të papritura, konsumimi i rregullt i mishit ose peshkut, një javë pushime larg shtëpisë, zotërimi i një automjeti, zëvendësimi i mobilieve të konsumuara, blerja e rrobave dhe këpucëve të reja, mundësia për të shpenzuar një shumë të vogël për veten, pjesëmarrja në aktivitete sociale dhe aksesi në internet.
Të dhënat tregojnë se rreth 35% e popullsisë në Shqipëri (34.8%) jetonte në kushte të privimit të rëndë material dhe social në vitin 2024, niveli më i lartë në Europë.
Shifrat tregojnë se hendeku mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian mbetet shumë i madh. Mesatarja e BE-së ishte rreth 6.3% në vitin 2024, rreth pesë herë më e ulët se niveli i regjistruar në Shqipëri.
Shqiptarët kanë shumë mungesa jo vetëm në raport me vendet e BE-sw, por edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Maqedonia e Veriut e ka privimin material në nivelin e 11.6%, Serbia 10.3% dhe treguesi është pak më i lartë në Mal të Zi, me 12.3%. Nuk ka të dhëna për Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën.
Në krahasim me vitet e mëparshme, norma e privimit material ka ardhur në ulje (në vitin 2018, treguesi ishte gati 46%), sërish ajo mbetet të paktën dy herë më e lartë e i dyti pas nesh.
Më pak europianë në vështirësi se një dekadë më parë
Në nivel të Bashkimit Europian, numri i personave që jetojnë në kushte të privimit të rëndë material dhe social ka rënë nga rreth 41 milionë në vitin 2015 në 27.5 milionë në vitin 2024.
Mesatarisht në BE, rreth 6.3% e popullsisë shfaq nivel të lartë të privimit material, me kryesimin që e mbajnë Rumania (16.8%), Greqia (14.9%), Bullgaria (15%) dhe niveli më i ulët është në Poloni (2%), Holandë (2.6%), Austri (2.9%), Çeki (2.6%).
Si matet treguesi i privimit material
Treguesi i privimit material, sipas përkufizimit të Eurostat, mat mungesën e detyruar të disa elementeve që konsiderohen të nevojshme dhe të dëshirueshme për një jetë të përshtatshme.
Ai mat përqindjen e popullsisë që nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 elementët e mëposhtëm:
pagesën e qirasë, faturave, kësteve të blerjeve me pagesë të shtyrë ose kësteve të kredive të tjera;
mbajtjen e banesës mjaftueshëm të ngrohtë;
përballimin e shpenzimeve të papritura;
konsumimin e mishit, pulës, peshkut ose alternativave vegjetariane çdo dy ditë;
një javë pushime larg shtëpisë;
aksesin në një makinë ose furgon për përdorim personal;
zëvendësimin e mobilieve të konsumuara;
zëvendësimin e rrobave të konsumuara me disa të reja;
zotërimin e dy palëve këpucë të përshtatshme;
shpenzimin e një shume të vogël parash çdo javë për veten;
pjesëmarrjen në aktivitete të rregullta argëtuese;
takimin me miq ose familjarë për një pije apo vakt të paktën një herë në muaj;
lidhjen me internet.
Elementët 1 deri në 7 lidhen me nivelin e familjes, ndërsa elementët 8 deri në 13 lidhen me nivelin individual. bw
Në ditën e pestë të protestave në Tiranë kundër projektit të resortit luksoz në Zvërnec, një prej protestuesve ka paraqitur pesë kërkesat që i cilësojnë si të panegociueshme.
Ai bëri të ditur se kërkesat fillojnë nga dorëheqjen e qeverisë, te anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, për trashëgiminë kulturore shqiptare, si edhe shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë dhe Paketës së Maleve.
Ndër të tjera, ai theksoi se lëvizja përfaqësohet nga një grup nismëtarësh dhe një grup koordinues, të cilët, sipas tyre, janë të vendosur ta çojnë kauzën deri në fund.
Protestuesi: Pas pesë ditësh protesta të pandërprera në Tiranë dhe duke parë vendosmërinë e sovranit për të mos u ndalur deri në përmbushjen e kërkesave tona të panegociueshme, ju njoftojmë se:
Kjo lëvizje mbarëkombëtare përfaqësohet nga një grup nismëtarësh dhe një grup koordinues patriotësh me integritet dhe me vlera të larta intelektuale e shoqërore. Gra dhe burra dinjitozë, të rinj e të reja të vendosur për ta çuar këtë kauzë deri në fund dhe, në përputhje me vullnetin e sovranit, do të vijmë të marrim vendimet e duhura në kohën e duhur.
Kjo nismë lindi si përgjigje ndaj rrezikut të madh në të cilin ndodhet vendi ynë. Sipas bindjeve tona, vendimet e qeverisë dhe të gjithë kësaj klase politike 35-vjeçare kanë cenuar interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë, duke i vënë pasuritë dhe të ardhmen e vendit në shërbim të interesave dhe politikave të tyre të ndyra private.
Për të qartësuar ju dhe opinionin publik shqiptar, dhe mbi të gjitha për të hequr çdo hije dyshimi apo përpjekje për baltosjen e kësaj lëvizjeje me baza të forta patriotike, deklarojmë se protesta është organizuar dhe udhëhiqet nga qytetarë të lirë, të bashkuar rreth një kauze të përbashkët kombëtare për të ardhmen e Shqipërisë.
Në vijim paraqesim kërkesat që burojnë nga vullneti i lirë i mijëra qytetarëve që janë bashkuar në mbrojtje të Shqipërisë dhe të interesit kombëtar:
Dorëheqjen e qeverisë
Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë
Shfuqizimin e Paketës së Maleve
Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj ish-zv-kryeministres Belinda Balluku.
Në një njoftim zyrtar, SPAK ka bërë të ditur se është sekuestruar vila e Ballukut në Dhërmi. Sipas SPAK ish.zv-kryeministrja Balluku, fshehu vilën në emër të Igli Tares.
“Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k. Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”. Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B. Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C. Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024”, thuhet në reagimin e SPAK/
Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj shtetases Belinda Balluku, e cila aktualisht është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”*, në bashkëpunim dhe pas kryerjes së veprimeve të mëtejshme hetimore dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.
Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.
Sipas rezultateve të deritanishme të hetimit, ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurorimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë.
Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës. [Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018]
Nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, shkronja “b” e Kodit Penal, në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, të Kodit Penal.
Nga aktet e administruara kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH.
Në lidhje me procedurën e sipërcituar, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” (i ndryshuar).
Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k.
Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.
Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k.
Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.
Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.
Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C.
Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si edhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse penale. bw
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka goditur sërish në nivelet e larta të zyrtarëve, duke vendosur nën sekuestro preventive një vilë luksoze në pronësi indirekte të Belinda Ballukut, e cila ndodhet në Gjilekë të Dhërmiut.
Në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë (GJKKO) ka pranuar kërkesën e prokurorëve të posaçëm duke bllokuar pasurinë e paluajtshme, e cila dyshohet se është produkt i pastër i korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Balluku, e cila ishte marrë më herët e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, tashmë po hetohet me metoda speciale edhe për dy akuza të tjera të rënda: “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Sipas vendimit nr. 412, datë 3.6.2026, pasuria e sekuestruar nga SPAK është një vilë individuale dy-katëshe e Tipit “Begonia” (Vila Nr. F6).
Ajo ka një parcelë të rrethuar prej jo më pak se 300 m², ku brenda saj shtrihet ndërtesa me sipërfaqe 103 m² (kati përdhe 54 m² dhe kati i parë 49 m²), si dhe një verandë prej 34 m² së bashku me vendparkimin privat.
Hetimet e SPAK kanë zbardhur të gjithë mekanizmin e abuzimit me detyrën në kohën kur Belinda Balluku mbante postin e Drejtores së Përgjithshme të shoqërisë shtetërore “Albcontrol” sh.a.
Sipas prokurorisë, Balluku në bashkëpunim me Evis Berberin (në atë kohë Shef i Sektorit të Prokurimeve) dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit (shtetasit S.P., E.N. dhe A.M.), kanë paracaktuar fituesin e tenderit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol”, me fond limit 88,651,633 lekë, plus një shtesë kontrate prej 14,161,814 lekë pa TVSH.
Pasi kanë shkelur ligjin e prokurimit publik për të shpallur fitues operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k, zyrtarët i kanë ofruar kompanisë edhe një parapagim të menjëhershëm prej 50% të vlerës së kontratës. Në këmbim të këtij favorizimi, Balluku ka kërkuar dhe marrë si ryshfet vilën F6 në Dhërmi me vlerë 145,000 euro, e cila po ndërtohej pikërisht nga kjo kompani.
Për të fshehur gjurmët dhe origjinën kriminale të pronës, janë përdorur kontrata fiktive dhe emra personash të tretë.
“Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.” – thotë prokuroria.
Në vitin 2018 u nënshkrua një kontratë porosie fiktive sikur vila po blihej nga shtetasi I.T. nga pronari i “Eurocol”, shtetasi P.C. Më vonë, në vitet 2022 dhe 2024, skema e pastrimit të parave vijoi duke hartuar kontrata të rreme qiraje (kontrata dore) ku u përfshi edhe vartësja e saj, J.B., me qëllim që të arsyetohej përdorimi i vilës nga zyrtarja e lartë.
Përmes ndjekjes me metoda speciale dhe grumbullimit të provave digjitale, SPAK ka rrëzuar alibinë e qirasë, duke provuar se pronarja reale në hije është Belinda Balluku.
Hetimet e prokurorisë po vijojnë me intensitet të plotë për dokumentimin e fakteve të reja dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aferë të madhe korruptive. bw
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por shtoi se kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në të ardhmen.
Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Rubio tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbështesin kandidatin italian për postin e ri të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se besojnë se ai “do ta kryente mirë punën dhe do të ndihmonte në sjelljen e stabilitetit në këtë funksion”.
Sekretari amerikan i Shtetit iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të Nënkomitetit për Evropë në Dhomën e Përfaqësuesve, Keith Self, i cili së fundmi ka vizituar Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën. Gjatë seancës, Self e cilësoi situatën në Ballkanin Perëndimor si “jashtëzakonisht të brishtë”.
Self tha se mes Serbisë dhe Kosovës ekziston një “problem i pazgjidhur” dhe i kërkoi Rubios që, në bisedimet me katër vendet anëtare të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe që, rrjedhimisht, e bllokojnë anëtarësimin e saj në aleancën ushtarake perëndimore, të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Rubio tha se, bazuar në takimet e tij me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të aleancës, NATO-ja “është e përqendruar në çështje të tjera” dhe se “zgjerimi, posaçërisht në rastin e Kosovës, por edhe në raste të tjera, nuk është në krye të agjendës së këtyre vendeve”. Megjithatë, ai shtoi se kjo “nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”.
“Kjo nuk ka pasur vend të rëndësishëm në bisedimet e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, tha Rubio.
Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Por, shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj, të shpallur më 2008, vazhdojnë të jenë pengesë në integrimin euroatlantik të Prishtinës.
Self, së bashku me dy kolegë të tij në Kongres, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Në këtë rezolutë thuhet se prania e Kosovës në aleancë është e domosdoshme për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Evropën Juglindore.
“Zotëria nga Italia” për Bosnje e Hercegovinën
I pyetur nga Self për zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje e Hercegovinë, pas dorëheqjes së Christian Schmidtit, Rubio tha se SHBA-ja mbështet “zotërinë nga Italia”, pa e përmendur emrin e tij.
Diplomati italian Antonio Zanardi Landi përmendet si kandidat që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ndërsa vendet evropiane kanë kandidatët e tyre.
“Përtej kësaj, ne mbetemi të angazhuar në këtë çështje, siç e theksuat edhe ju, dhe këtë e kemi bërë edhe privatisht. Gjëja e fundit që duam të shohim është çfarëdo lloj konflikti atje, çfarëdo ndarjeje, kufizimi apo gjëra të kësaj natyre që do të shkaktonin konflikt të mëtejshëm”, tha Rubio.
Në Sarajevë, të mërkurën, nisi mbledhja e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), në të cilën pritet të diskutohet për zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për përcaktimin e mandatit të tij të ardhshëm.
Përveç Zanardit, ndër kandidatët e përmendur janë edhe i dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, si dhe të dërguarit aktualë dhe të mëparshëm britanikë për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce dhe Stuart Peach.
Nëse nuk arrihet marrëveshje, përfaqësuesi aktual i lartë, Schmidt, do të mbetet në detyrë deri në një vendim tjetër, siç ka paralajmëruar edhe vetë gjatë dorëheqjes së tij.
Përfaqësuesi i lartë, i cili emërohet nga PIC-u, ka mandat për të mbikëqyrur zbatimin civil të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, me të cilën, më 1995, u ndal lufta në Bosnje e Hercegovinë. Atij i janë dhënë të ashtuquajturat kompetenca të Bonit, që përfshijnë mundësinë e imponimit të vendimeve dhe ligjeve, si dhe shkarkimin e zyrtarëve në Bosnje e Hercegovinë.
Thirrje të forta kundër qeverisë vijnë nga protesta që po mbahet para Kryeministrisë.
Protestuesit, të mbledhur postë zyrës së Ramës e kanë sfiduar këtë të fundit duke thënë se nuk ikin nga aty pa u larguar kryeministri nga pushteti.
Kjo është protesta e katërt e organizuar nga qytetarët kundër projektit në Zvërnec, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë ndalimin e ndërtimeve në zonën e mbrojtur dhe më shumë transparencë mbi procedurat e ndjekura deri tani. bw
Pas përplasjes me policinë dhe çarjes së kordonit të sigurisë, mijëra qytetarë arritën të zhvendosnin protestën e tyre për të katërtën ditë me radhë para kryeministrisë.
Gjatë tubimit, një banore nga Rrjolli iu drejtua protestuesve me një mesazh për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e provokimeve, duke theksuar se protesta duhet të mbetet paqësore dhe paralajmëroi se do të vijojnë qëndrimin në shesh deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Kemi një thirrje të madhe për të gjithë, e arritëm qëllimin dhe erdhëm sërish këtu para kryeministrit. Këtu do rrimë sërish deri sa ai të japë dorëheqjen. Ne nuk jemi të dhunshëm si kjo qeveri”, tha ajo.
Më tej ajo theksoi se kjo është protestë e popullit, nuk ka nevojë për organizatorë dhe se mes tyre nuk ka grup dialogu për kryeministrin, por dialogu është sheshi.
Banorja e Rrjollit: Është e disata herë që duan të përçajnë këtë bashkim paqësor të shqiptarëve. Është e disata ditë që jemi të gjithë bashkë, çdo ditë e më shumë. Janë nëna me fëmijë mes jush, mos provokoni dhunë. Ne nuk jemi si ata. Ju lutemi të gjithë, mos bini pre e provokimit të dhunës. Politika ka hyrë mes nesh, patronazhistët kanë hyrë mes nesh për të sabotuar këtë bashkim të shqiptarëve.
Kemi një thirrje të madhe për të gjithë, e arritëm qëllimin dhe erdhëm sërish këtu para kryeministrit. Këtu do rrimë sërish deri sa ai të japë dorëheqjen. Ne nuk jemi të dhunshëm si kjo qeveri, me oligarkët e tij, me mafien e tij dhe me policinë e shtetit, që shumë herë e ka kthyer në rojë private të favoreve të veta.
Nuk duhet të bëhemi palë e dhunës sot, duhet të tregojmë se jemi bashkë të gjithë në shesh deri sa kjo kasë e vjetër politike të largohet. Është e qartë se është protestë e popullit, nuk ka nevojë për organizatorë. Jeni ju ata që bëni thirrje, që merrni vendimet. Ne nuk kemi grup dialogu për kryeministrin, dialogu është sheshi! gsh
Komentet